• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOPRI I VOGËL SLLOVEN, HISTORI E LASHTË SHQIPTARE

February 14, 2024 by s p

  Hazir MEHMETI /

           Shoqata “Iliria” e Koprit, vatër e fuqishme shqiptare në Slloveni.
  Zbulohet e kaluara shqiptare nga Peter Stoka (Shtoka), një histori e vjetër e pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. Shoqata “Iliria” e  drejtuar nga Heset Ahmeti, shembull i veçantë në diasporë. 

             Dikur, isha vizitor në qytetin e vjetër të Koprit, por nuk dija asgjë për historinë e lashtë të qytetit. E shija si arkitekturë interesante me rrugët e gurta dhe shtëpi të vjetra në të dy anët e tyre. Një arkitekturë e vjetër e ngjashme me qytetet tjera të vjetra në “Atyria  (italisht: Adria), apo selia stërgjyshore, fjalë për fjalë Atësia”.  

        Kontaktet me mërgimtarët në Kopër fillojnë nga kryetari i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Istrës Sllovene “Iliria”, Heset Ahmeti. Ai ka bërë emër si organizator i aktiviteteve të shumta kulturore e hulumtuese në shërbim të kulturës dhe historiografisë shqiptare në Istrinë Sllovene dhe më shumë.  Hesetin e njihja nga njohuritë mbi veprimtarinë e tij dhe takimi me te në Samitin e Parë të Diasporës në Tiranë para tetë viteve.  Ai e mundësoi takimin me hulumtuesin e njohur  Profesor Peter Stoka. Studiuesi i njohur slloven erdhi  pa përtesë nga rrethina veçan për takimin tonë.   Dhe, kishim çka të mësojmë prej njeriut  me duar plotë. Librat e tij  dhe shënime interesante që askush nuk i kishte arrirë gjerë më tani në rajonin e Istrisë Sllovene. Iliricumi kishte histori interesante mijëra vjeçare mbi të cilin ishin rrahur erëra të shumta, gjurmë kalorësish dhe ankorime të shumta shpesh tragjike deri në ditët tona.   Peter Stoka, njeri modest dhe i pa lëkundur në shpjegimet e tij faktike bazuar nga zbulime të dorës së parë, të shkruara gjithkund: gurë, kështjella, kisha, varre, tempuj idhujsh, hyjni në shekujt e Iliricumit.               

           Burime të shumta nga e kaluara shqiptare të hulumtuara nga Peter Stoka, në librat e tij  “Monumenta Albanica Justinopolitana“,  “Historia Illirii Divina” dhe libra tjerë, zbulon një histori të vjetër shqiptare të pluhurosur shekujve që nga Iliria e lashtë. “ Istria ishte më parë Lapidia ( sipas Amsterdam: Wilem Blaeu /1640( SIKKP, DR 235/92).  Kërkimet albanologjike të bazuara në gjuhësinë pellazge-ilire kanë identifikuara shumë hyjni autoktone në Istria, të pakuptueshëm dhe të panjohur deri më tani si në kërkimet kombëtare dhe ato botërore.  Këto hyjni, të paraqitura dhe të shpjeguara përmes një hermeneutike të përzgjedhur  zbulon origjinën e përbashkët të këtyre vendasve, të cilët për nga shpirti dhe gjuha i përkasin familjes së gjerë të popujve pellazgë. Dhe, pavarësisht ndikimeve të shumta e të ndryshme, ata i qëndrojnë besnikë traditës së tyre, gjë që dëshmon integritetin dhe unitetin e kulteve të ndryshme fetare dhe shprehjen e tyre mitike në gjuhën e përbashkët të popujve pellazgë.” 

           Tani rrugët e Koprit shndrinin më mirë. Ato lidhnin tempuj e shtëpi të vjetra me gjithë gjuhën e historisë së tyre. Peter Stoka, vazhdonte të na njoftonte në detaje gjuhën e shkruar tempujve, afreskeve, gurëve me gjithë porosinë e tyre. E mësuam, se Pallati i Brutit kishte festuar 300 vjetorin e tij para dhjetë viteve. Datë e shënuar në histori e përcjellë në kujtesë gjeneratave. Derisa Peter-i fliste rreth Pallatit Bruti dhe Katedralen e Koprit, lidhur ngushtë me peshkopin shqiptar kontin Augustin Bruti, me vëmendje përcillnim  hapësirat e katedrales madhështore.  Piktura e mjeshtrit të njohur Vittore Carpacci (Vitore Karpaç) “Madona në fron me shenjtorët”, e vitit 1516,  e zbukuronte katedralen me artin dhe gjuhën e saj shekujve. Shenjtorët në historinë kombëtare ku dallohej dhe “Atleti i Krishtit” Gjergj Kastriotit-Skënderbe.  Aty pranë guri i varrezës së familjes së kontëve Bruti, nga e cila dolën figura madhore historike, artistike, letrare etj. Mes tyre ishte letrari i njohur Alessandro Bruti, letrar, humanist dhe njëri nga themeluesit e kolegjit ose seminari i laikëve në Kopër në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë ku ai ishte njëri nga mësuesit e gramatikës. Njëra nga rrugët e Koprit, jo larg tempuve të kontëve shqiptarë është emëruar “Calle Albanse- Rruga Shqiptare”, por ne nuk e takuam tabelën e shkruar. 

       Mbi rrethportën e gurtë të Pallatit Bruti dallohet fytyre e gdhendur në gurë e Antonio Brutit II, kurse pak më lartë fytyra e gruas së tij nga familja fisnike Bruni, Maria Bruni apo Diana. Pastaj, Portrete  të Ipeshkvit Agostin  kont de Bruti në Oborrin Ipeshvnor të Koprit.  Mësime interesante nga shpjegimet e Peter Stok-ës të lenin pa gojë. “ Në disa prej këtyre familjeve ka rrjedhur gjak i Gjergj Kastriotit. Në fakt Oria Katriota, u martua me Antonio Brutin dhe në gjakun e familjes Bruti rrjedh gjaku i Skënderbeut. Po ashtu në gjakun e Domenico Rossettit, historianit më të rëndësishëm të Triestes Austriake, rrjedh gjaku i heroit shqiptar. Madje, kur ai mori titullin fisnik, u bë Domenico Rossetti De Scander, si tregues se vinte nga familja e Skënderbeut”. 

  Shpjegimet e studiuesit slloven Peter Stoka ishin aq interesante sa harruam çdo gjë tjetër. Muzika që vinte nga festa e karnavaleve na pasuroi dhe freskoi në shijimin e artit mbi gurët e shkruar si përkujtues të ngjarjeve të mëdha shekujve. Në qendrën tregtare, Sheshi Carpaccio,  pamë Kolonën e Shën Justinës e ngritur nga drejtuesi i Koprit Andrea Justiniani me stemën e saj karakteristike dhe mjaftë domethënëse. Kjo stemë përmban hartën e Italisë, Dalmacisë dhe Shqipërisë duke shprehur qëllimin e një familje fisnike shqiptare të Justinianit në Koper. Kolona e Shën Justinianit u ngrit në vitin 1572, një memorial dhe falënderim për Betejen e Lepantos kundër ushtrive aziatike ku morën pjesë edhe anijet luftarake të Koprit.  

     Në portën hyrëse të Pallatit Bruti (tani biblioteka qendrore e qytetit) e rrethuar me gurë  dalloheshin  simbole  shqiptare shqiponja dy krenare shoqëruar me pamje të hyjnive ilir.   “I sheh këto figura, janë dardha, që përfaqësojnë Dardaninë ilire, e sheh luanin me të dy këmbët e lidhura njëra mbi tjetrën, të gjitha këto paraqesin pushtimin aziatik të Dardanisë. Paraqesin brengën, dhembjen dhe porosinë shekujve. Ata që nuk e kuptojnë gjuhën e figurave, nuk e kuptojnë gjuhën e historisë së themeluesve të Koprit, vetëm i kalojnë ato sikur të ishin vetëm zbukurime rasti, shprehet studiuesi i njohur slloven. Ai i lidhur fuqishëm me historinë dhe gjuhën shqipe, kishte mësuar shumë fjalë në gjuhën shqipe dhe derisa ne flisnim me Hesetin  shqip, ai dëgjonte kureshtar bisedën tonë. 

     Kafja freskuese me Greta Shirokën nga Prizreni, ishte sa e shijshme, po aq e pa harruar në ambientet e qytetit të lashtë. Greta shpalosi kujtimet e saja rrjedhshëm në shqip edhe pse kishte ardhur shumë e vogël nga Prizreni me të atin Tomen, filigran i njohur dhe nënën e saj mësuese e cila kishte qenë nxënëse e Ibrahim Fehmiut, (i ati i Bekim Fehmiut).  
    Historia shqiptare vazhdon në Koprin modern me gjithë koloritin e banorëve tê saj. Mes tij Shoqata ILIRIA qëndron tempull me aktivitet e saja në afirmimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ajo me revistën e saj ILIRIA dhe botime që nxjerr, pasurojnë kulturën, historiografinë, por mbi të gjitha pasurojnë miqësinë me banorët e Koprit, Istrisë dhe më shumë.   Urat e miqësisë mes dy kombeve u ngrit shekujve me punën e albanologëve të njohur slloven Kapitari, Franz Miklosiq, Rajko Nahtigal dhe kontëve shqiptar nga familjet fisnike shqiptare Bruti, Bruni, Dukagjini e cila vazhdon deri në ditët e sotme.  Ata që ndërtojnë ura miqësie në kohën tonë, pa dyshim, janë Peter Stoka dhe Heset Ahmeti. Heseti  me punën e tij madhore është shembulli i pa përsëritshëm i një mërgimtari në diasporë. Ai është ambasadori më i mirë i atdheut jashtë tij. Atdheut i detyrohemi për të gjitha, por mbështetja dhe vlerësimi nga Atdheu, janë forcë e jetës, edhe për nesër.   

Filed Under: Histori

Senati dhe Parlamenti i shtetit të Nju Jorkut në këmbë për Kosovën

February 14, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Çertifikatë Përkujtimore për 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Senati i Nju Jork-ut

“Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme”, tha senatorja e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton.

Qindra shqiptarë dhe amerikanë u mblodhën së bashku në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut për të kremtuar 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Dita e hënë e 12 shkurtit ka qenë një ditë e jashtëzakonshme, nga më mbresëlënëset për pjesëmarrësit shqiptarë dhe natyrisht për të gjithë popullin shqiptar në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut.  

Organi legjislativ i shtetit të Nju Jorkut vendosi që të ndalojë diskutimet e tij të rendit të ditës për të përkujtuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke pritur me optimizëm të ardhmen e saj.

Në këtë ceremoni të jashtëzakonshme ishin të ftuar dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit.  Nderuan me pjesëmarrjen e tyre nxënësit e fidanishtes së parë të shkollave shqipe në Staten Island të drejtuar nga z. Qemal Zylo shoqëruar nga mësueset Entela Muda dhe Dr. Valbona Zylo Watkins në bashkëpunim me asistenten Aida Hajri dhe prindërit.  Ndonëse ishte ditë mësimi të gjithë kishin marre leje për këtë ditë historike dhe së bashku u nisëm me makinat tejet komode të sponsorizuar nga z. Naser Nika veprimtar i dalluar nismëtar dhe bashkëpunëtor në organizimin e kësaj dite të madhe historike për Kosovën.  

Ceremonia e organizmit në Parlamentin e Nju Jorkut ishte madhështore, emocionuese, krenari.  Vetë ndërtesa selia e qeverisë së shtetit të Nju Jorkut, ndodhet në Albany, kryeqyteti i shtetit amerikan të Nju Jorkut e cila u përfundua në 1899.  Ecnim me nxënësit dhe kënaqeshim me këtë ndërtesë gjigante prej graniti qe është në fakt një shumëllojshmëri stilesh arti, punime magjepsëse, duke përfshirë rilindjen romane dhe franceze që i duhej 32 vjet (1867-1899) me pesë arkitektë për t’u përfunduar.

Ceremonia u moderua nga dy shqiptarë plot kulturë dhe profesionalizëm të cilët janë Vanesa Limani shefe e kabinetit të senatores Jessica dhe Fitim Shabani shef i kabinetit të Ansambleistit Charles D. Fall.

Zonja Limani në prezantimin e saj tha: “Ndërsa qendroj para jush këtu sot, si një vajzë që vjen nga Prishtina, jam e mbushur plot me krenari dhe nder që jam pjesë e kësaj dite. Rruga drejt Pavarësisë nuk ka qenë e lehtë, por shpirti i palëkundur dhe rezistenca e popullit kosovar kanë triumfuar. Sot, ne jo vetëm i kujtojmë ata që sakrifikuan për ne, por gjithashtu riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj parimeve të lirisë dhe drejtësisë. Dua të shpreh mirënjohjen time për Senatoren e shtetit Jessica Scarcella-Spanton dhe Asambleistin e shtetit Charles D. Fall për gjithçka që bëjnë për komunitetin shqiptar dhe për manifestimin e 16-të vjetorit te pavarësisë së Kosovës. Le të festojmë ketë arritje me krenari, duke e ditur se rruga drejt Pavarësisë është vetëm fillimi i një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe popullin e saj.” 

Këtë ditë historike e bekoi Imam Tahir Kukaj i cili është zgjedhur si përfaqësuesi kryesor i detyrave islame në policinë e Nju Jork-ut.

Imam Tahir Kukaj e hapi ceremoninë me një lutje paqeje për gjithë shqiptarët dhe popujt në botë.  U intepretuan hymnet kombëtare të Amerikës dhe të shtetit të Kosovës.  Zonja Limani prezantoi senatoren e shtetit të Nju Jorkut, Jessica Scarcella-Spanton e cila në fjalën e saj tha se: “Populli i Kosovës ka treguar qëndrueshmëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme”.  

Z.Shabani prezantoi Ansambleistin z. Charles D. Fall i cili është ndihmës udhëheqësi i shumicës në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Ai përfaqëson me krenari Distriktin e Asamblesë së 61-të të Nju Jorkut që mbulon Bregun Verior të Staten Island, Lower Manhattan dhe pjesë në Brooklyn. Ai ndihej krenar që do të nënshkruante rezolutën për festimin e 16-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Ambasadori Blerim Reka, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York përshëndeti dhe falënderoi në emër të shtetit shqiptar Senatin e shtetit të Nju Jorkut për mbështetjen që i bën Kosovës, popullin amerikan që kanë ndikuar fuqimisht në Pavarësinë e saj.  

Në këtë ceremoni përshëndeti gjeneral Gani Shehu komandant i Batalionit “Atlantiku”. 

Ish Ansambleistit i shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj “Nderi I Kombit” shprehu mirënjohjen për kolegët e tij të cmuar për mbështetjen që i bëjnë Kosovës dhe tha se do të vazhdojmë për të punuar më shumë për të ardhmen e ndritur të saj.  

Në këtë ceremoni ishte i ftuar nga Tirana Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi dhe deputeti i Parlamentit të Kosovës z. Ferat Shala.

Të ftuar nga Kosova të cilët përshendetën plot mirënjohje ishin Kryetari i Mitrovicës: Bedri Hamza i Skënderajt Fadil Nura, i Deçanit Bashkim Ramosaj, i Malishevës Ekrem Kastrati, i Klinës Zenun Elezaj, i Istogut Ilir Ferati.  

Në këtë ceremoni u mbajt një minutë heshtje për Heroin e Kosovës Afrim Bunjaku i cili u vra nga forcat paramilitare serbe në Veriun e Kosovës.

Z. Fitim Shabani prezantoi Albanian American Law Enforcment Association me kryetar z. Elton Shametaj themelues dhe kryetar i saj.

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” intepretuan vallen e Pavarësisë së Kosovës, të Tiranës përgatitur nën kujdesin e mësuese E.Muda si dhe nxënësja e talentuar Laura Leka interpretoi poezinë e shkruar nga shkrimtarja K.Z.

Grupi i valleve “Rozafati” nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika interpretuan valle të bukura shqiptare. 

Mbyllja e ceremonisë u bë me një lutje nga Imam Tahir Kukaj.

Parlamenti dhe Senati i shtetit të Nju Jorkut për miratimin e rezolutës 

Mbas ceremonise të gjithë pjesëmarrësit morën pjesë në sezionin e mbledhjes në sallën madhështore te Ansamblesë së shtetit të Nju Jorkut ku u miratua rezoluta për përkujtimin e 16- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  

Kryetari i Parlamentit ngriti në këmbë parlamentarët dhe gjithë shqiptarët për të nderuar këtë ditë të madhe për Kosovën.  Emocione dhe lot pashë nga sytë tanë për mbështetjen që na bën Amerika e vendit më demokratik në botë, ndërsa lart nga ballkoni i Parlamentit shikoja nxënësit tanë që përshëndetnin dhe na bënin krenar se si ata edukohen, marrin si shembuj kaq pozitivë për të punuar fort në të ardhmen për Amerikën dhe Kombin shqiptar. Pas Parlamentit morëm pjesë në mbledhjen e Senatit të shtetit të Nju Jorkut për t’i vënë vulën kësaj rezolute, rezolutës për njohjen e 16- të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Në zyrën e Ansambleistit të shtetit të Nju Jork-ut z. Charles Fall

Me shumë respekt dhe mirënjohje u mirëpritëm nga z.Charles Fall, deputeti i parë musliman dhe afrikano-amerikan i Asamblesë i zgjedhur nga Staten Island. Z. Fall vlerësoi për punën atdhetare disa veprimtarë duke ju dhënë rezolutën me firmën e tij në shenjë mirënjohje Dr. Bari dhe Ilka Ceka doktor i 27 mijë pacientëve në New York, z. Qemal Zylo themelues dhe Drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” i cili mban titullin e lartë “Kalorës I Urdhrit të Flamurit”, veprimtarit Naser Nika në emër te shoqatës shqiptare- amerikane Staten Island-NY si dhe biznesmenit të mirënjohur Nik. 

Ansambleisti Charles Fall bëri disa fotografit me nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në zyrën e tij duke iu kushtuar një vemendje të posacme dhe duke i frymëzuar që një ditë të jenë parlmentarë dhe më shumë.

Rezoluta e Senatit nr. 1689

Në përkujtim: 16-vjetorin e Kosovës

Pavarësia

NDËRSA, Dita e Pavarësisë së Kosovës është festë kombëtare çdo vit çdo 17 shkurt, në përkujtim të deklaratës së Pavarësisë së kombit ballkanik në 2008; dhe

NDËRSA, Kosova, si vendi i dytë më i ri në juglindje të Evropes, më 17 shkurt 2008, bëri një deklaratë të Pavarësisë nga Serbia pas një lufte vdekjeprurëse e cila zgjati nga 5 mars 1998 deri në qershor, 11, 1999; dhe

NDËRSA, konflikti u ndal pas Atlantikut të Veriut, ndërhyrjes së forcave të NATO-s me sulme ajrore në mars 1999.  Forcat jugosllave pastaj u tërhoqën nga Kosova; dhe

NDËRSA, Republika e Kosovës, e cila e ka marrë emrin nga “fusha e zogjve të zi”, një ish krahinë në Serbi, kryesisht përshkruhet si një territor etnik shqiptar; dhe

NDËRSA, Kosova e sotme e ka origjinën në Dardani, duke u formuar si një shtet i pavarur i njohur si Mbretëria e Dardanisë (shek. IV B.C.); dhe

NDËRSA, që nga pavarësia e saj, qytetarët e Kosovës me të drejtë janë krenarë të progresit që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e demokracisë, vlerat dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësive ekonomike për të gjithë kosovarët; dhe

NDËRSA, deri më sot, partneriteti i qëndrueshëm midis Amerikës dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësia mes vendeve tona; normalizimi i marrëdhënieve me

Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë eventuale, mbetet thelbësore për paqe dhe prosperitet në këtë rajon të botës; dhe

NDËRSA, Marrëveshja e propozuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do ta çojë Kosovën drejt një stabiliteti më të madh rajonal dhe evropian dhe integrimet euroatlantike; dhe

NDËRSA, është kënaqësi e jashtëzakonshme që ky Organ Legjislativ njeh dhe përgëzon popullin e Kosovës, mikun tonë, partner, dhe aleat, në këtë ditë të rëndësishme të Pavarësisë, duke i njohur arritjet e tyre dhe mbështetjen e përpjekjeve të tyre në të ardhmen; tani pra,

Vendosi: që ky Organ Legjislativ të ndalojë diskutimet në punët e tij dhe të

përkujtojë 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke festuar të kaluarën e saj, duke pranuar të tashmen e saj dhe duke parë përpara me optimizëm për të ardhmen e saj.

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marre titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti I Republikes se Shqiperise.

12 shkurt, 2024

Albany, New York

Filed Under: Kronike

VATRA, EKSPOZITË ME RASTIN E 16 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Shkurt 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Selinë Qendrore organizoi një ekspozitë të Prof.as.dr Salih Krasniqit që trajton krimet serbe në Kosovë në fushën e mjekësisë. Përveç ekspozitës, në librin dhuruar Vatrës shfaqen në detaje vrasjet makabre të stafit mjekësor, fëmijëve e pacientëve prej forcave serbe në Kosovë. Një ekspozitë dhe libër që trondit opinionin publik mbi makabritetin e pashembullt të gjenocidit të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Miqtë u pritën në Vatër nga editori i Diellit i cili ekspozoi rëndësinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Federatës Vatra e gazetës Dielli për çështjen kombëtare dhe Kosovën në veçanti. “Në çdo protestë, tubim, demostratë, organizim, nismë, fushatë për lirinë e Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Vatra e Dielli kanë qenë prijës të padiskutueshëm” u tha të pranishmëve editori i Diellit.

Prof.as.dr.Salih Krasniqi shprehu mirënjohjen për Vatrën si kështjellë shqiptarie në Amerikë dhe filantropin Ramiz Tafilaj e Safet Martinaj që ndihmuan në botim e librit, gjithashtu dhe Mehmet Mjekun si ndihmës dhe mbështetës i veprimtarisë së tij publicistike. Para të pranishmëve mbajti fjalë edhe autori Bajram Mehmeti i cili ekspozoi krimet e shërbimit sekret ushtarak serb. Bashkim Shehu veprimtar i komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës u tha të pranishmëve se pavarësia e Kosova është ngjarje e shënuar që lumturon çdo shqiptar kudo ndodhet. Ai i falenderoi bashkëatdhetarët nga Kosova për punën e rëndësishme publicistike dhe aktivitetet në shërbim të zbardhjes së krimeve serbe në Kosovë.

Takimi u ndoq nga gazetari Zenel Hajrizi i RTK i cili vlerësoi Vatrën e Diellin si lider të shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të pranishmit dhuruan libra për Vatrën dhe shkëmbyen urimet më të përzemërta për Pavarësinë e Kosovës: Rroftë përjetë e mot Kosova e lirë, e pavarur, sovrane, demokratike dhe europiane.

Filed Under: Featured

Psika dhe Erosi – ose, miti i dashurisë që na rrefen shumë prej formave të saj

February 14, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

“Dashuria është forca që i jep forcë vetes” – Platon.

Ndër mitet më intriguese të mitologjisë greke është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek “Metamorfozat” e Ovidit si dhe “Gomari i artë” i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur na ishte një mbret dhe një mbretëreshë që kishin tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur.

Ndërkohë, Afërdita, perëndesha e bukurisë që ishte nëna e Erosit (Perëndisë së Dashurisë), kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thoshnin se ajo i ngjante shumë asaj vetë. Xheloze, që në tokë kishte një të ngjashme me të, e kishte porositur Erosin ta vriste Psikën me shigjetë. Erosi niset të vërë në vend amanetin e të ëmës, por tek e sheh Psikën, mahnitet nga bukuria e saj dhe bie në dashuri me të. E kështu ndodh, që, në vend që ta godasë me shigjetën e helmuar, e godet me atë të dashurisë. Pra, as profecia e Delfit dhe as inati i të ëmës nuk gjen fuqi. Erosi e rrëmben Psikën në një shtëpi madhështore dhe vetë i kthehet nё hije qё as tё mos shihet e as të mos njihet prej saj. Psika ndonëse habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit vazhdon ta dojë atë në heshtje. Takimet e tyre ishin gjithmonë natën. Të dy tashmë i kishin premtuar njëri – tjetrit një dashuri të parreshtur, por edhe të heshtur. Erosi, që në fillim i kishte kërkuar Psikës të mos jepte shpjegime e të mos i rrëfehej askujt për historinë e tyre të dashurisë. Ky gëzim i Psikës kishte bërë kurrioze të dy motrat e saj, të cilat e kishin shtyrë që të zbulonte imazhin e vërtetë te Erosit. Dhe ndaj një natë nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin çdo natё, por padashur njё pikё vaji prej kandilit i rrëshqet Erosit nё trup dhe ashtu i djeguar dhe i tërbuar nga inati dhe pabesia e Psikës, ai e braktis atë në çast. Por as inati dhe as mëria nuk do të vazhdonte gjatë mes dashnorëve. Erosi kupton se nuk mund te jetonte më gjatë pa Psikën ndaj dhe rikthehet tek ajo për të mos u ndarë kurrë më.

Dashuria e Psikës me Erosin është ndoshta dashuria më e bukur dhe intriguese në mitet e lashta greke por dhe jo vetëm.

Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne vёmё re përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, ofrohen edhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza.

Së pari, ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, është rezultat i një fiksimi fёmijёror që Freud e quante “brishtësia ndaj nënës”. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në pavetëdije, ku shёmbёlltyra femrash, qё i shkojnё apo dhe vijnё, ndërtohen vazhdimisht mbi modelin e nënës Afërditë. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё transmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë, e tillë qe edhe dashuria e Erosit me Psikën. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter mё shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se, sipas teorisë së Freud-it, dashuria nuk është gjë tjetёr veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize, Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë.

Nga ana tjetër, fakti që edhe pas braktisjes që i bën Psikës, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht tek ajo, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e përcakton si “përpjekja e pandalur zinxhir për zëvendësimin e nënës”. Ky zinxhir, sipas Freud-it, e kthen mashkullin në Don Zhuan, gjithmonë në zëvëndësim të femrave dhe në kërkim të imazhit të nënës, imazh që nuk arrihet apo gjendet kurrë për Don Zhuanët; Erosi tek takon Psikën e ka zëvendësuar imazhin e nënës, pasi sikundër na rrëfen edhe miti, Psika është e ngjashme me Afërditën si dy pika ujë.

Edhe braktisja e Erosit dhe ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve, mund tё interpretohet me teorinё frojdiste, sipas sё cilёs shkëputja shpesh krijohet nga dashnorët si për te krijuar një barrierё artificiale. Sipas psikoanalizës, dashnorët edhe kur nuk kanë arsye te fortë për t’u ndarë, krijojnë ndarje apo shkëputje artificiale, pas të cilës ose lidhen edhe më fort, ose ndahen përfundimisht.

Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit, herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije, pasi edhe vetё miti mbetet deri në fund mistik dhe nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai thjesht pёrfytyrimi i Psikës për dashurinë si një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj, gati si erotomani?! Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një fantazi erotike e Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Freud me teorinë e tij të interpretimit të ëndrrave hapi një shteg të padëgjuar më parë dhe ai mbetet i pari që na rrëfeu se figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura e të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpërmjet shtegut të ëndrrave. Ёndrra, për Freud-in, është valvula e ndjenjave, ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë ëndrrave ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk i pranojmë apo duam t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi dhe shpesh është një dëshirë e brendshme e fshehtë e njeriut, dëshirë që ai e ka të vështirë ta pranojë ditën, apo kur zgjohet nga ëndrra. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës shpirtërore dhe të pavetëdijshmes, gjuhën e nënndërgjegjes. Sipas këtij shpjegimi frojdik, mitin e Psikës dhe Erosit mund ta intepretonim edhe më këtë qasje: Erosi( dashuria) është thjesht endrra e Psikës (shpirtit), dhe me anë të këtij miti të lashtë njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme.

Miti mbyllet duke na thënë se dashuria mes Erosit dhe Psikës, lind fëmijën e tyre Hemonë (Kënaqësi). Miti sërish na edukon lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike që është edhe sekreti madhështor i dashurisë, që e bën njerëzimin të mos shuhet kurrë dhe të riprodhojë vetveten sipas ligjeve që ka krijuar nëna natyrë: Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi).

Filed Under: Kulture

Reklama e Super Bowl për RFK Jr. nxit tensione mes demokratëve

February 13, 2024 by s p

Rafael Floqi/

Ambiciet presidenciale të Robert Kennedy Jr. rezultuan në një dramë publike familjare pasi një komitet veprimi politik transmetoi një reklamë të Super Bowl-it që thirret në trashëgiminë e familjes demokrate për të krahasuar në mënyrë implicite kandidatin e pavarur me xhaxhain e tij të vrarë, Presidentin John F. Kennedy.

Spoti prej 30 sekondash, i financuar nga American Values 2024 Super PAC që po mbështet Kennedy, shfaqi një version të shkurtuar të një kënge të fushatës që presidenti i 35-të përdori në fushatën e tij të vitit 1960. Spoti gjithashtu imitoi efektet e filmave vizatimorë dhe lajmeve duke përdorur foto bardh e zi të Robert Kennedy Jr. të ngjashme me JFK. Por në një largim të dukshëm nga dinastia e kaluar e Partisë Demokratike të Kenedit, reklama u bëri thirrje amerikanëve të “Votojnë të pavarur”.

Pas lojës, Kennedy iu përgjigj kritikave në internet, përfshirë nga një kushëri i tij, duke theksuar se fushata e tij nuk prodhoi spotin, i cili kushtoi rreth 7 milionë dollarë.

“Më vjen shumë keq nëse reklama e Super Bowl i shkaktoi dhimbje dikujt në familjen time,” shkroi Kennedy mbrëma të dielën vonë në X, dikur Twitter. “Reklama u krijua dhe u transmetua nga American Values Super PAC pa asnjë përfshirje apo miratim nga fushata ime. … Ju dua të gjithëve. Zoti ju bekoftë.”

Megjithatë, që nga mëngjesi i së hënës, Kennedy e kishte ngjitur reklamën në krye të profilit të tij X. “Momenti ynë po rritet,” shkroi ai. “Është koha që një President i pavarur të shërojë ndarjen në vendin tonë.”

Bobby Shriver, nëna e të cilit, Eunice Kennedy Shriver, themeloi Olimpiadën Speciale, e goditi kushëririn e tij në vend për kundërshtimin e tij ndaj vaksinave për COVID-19 dhe sëmundje të tjera.

“Reklama e kushëririt tim në Super Bowl përdori fytyrat e xhaxhait tonë dhe të nënës sime”, shkroi Shriver. “Ajo do të tmerrohej nga pikëpamjet e tij vdekjeprurëse të kujdesit shëndetësor. Respekti për shkencën, vaksinat dhe barazinë e kujdesit shëndetësor ishin në ADN-në e saj.”

Shriver, babai i të cilit, Sargent Shriver, themeloi Korpusin e Paqes, gjithashtu aludoi për punën e tij në zgjerimin e aksesit të kujdesit shëndetësor në botën në zhvillim.

Robert Kennedy Jr iu përgjigj veçmas kushëririt të tij: “Bobby. Më vjen shumë keq nëse ajo reklamë ju ka shkaktuar dhimbje. … Ju dërgoj juve dhe familjes suaj faljen më të sinqertë. Zoti ju bekoftë.”

Kennedy po kandidon për president si i pavarur pavarësisht statusit të familjes së tij si fisnik i Partisë Demokratike. Nuk është ende e qartë nëse ai mund të fitojë akses në votime në shtete të mjaftueshme për të zhvilluar një fushatë të vërtetë kombëtare. Por përpjekja e tij vjen në një vit kur shumë votues nuk janë entuziastë për gjasat e një revanshi midis Presidentit Joe Biden, një demokrat, dhe ish-presidentit Donald Trump, një republikan. Çdo përpjekje e pavarur ose e palës së tretë në shtetet e fushëbetejës mund të formësojë rezultatin në mënyra të paparashikueshme.

“Është e përshtatshme që reklama e parë kombëtare që promovon kandidaturën e Robert F. Kennedy Jr. është blerë dhe paguar nga donatori më i madh i Donald Trump në këtë cikël”, tha zëdhënësi i Komitetit Kombëtar Demokrat, Alex Floyd. Ai i referohej Tim Mellon, një donator i madh i Trump, i cili gjithashtu i dha American Values 15 milionë dollarë vitin e kaluar, sipas dosjeve federale.

DNC tashmë kishte paraqitur një ankesë federale duke pretenduar se fushata e Kenedit po koordinohet në mënyrë të paligjshme me Vlerat Amerikane për të marrë mbështetjen nga ata që mbështesin Biden, një akuzë që PAC e mohon.

Një zëdhënës i fushatës së Biden e anashkaloi përplasjen, në vend të kësaj duke theksuar debutimin e presidentit në Super Bowl të dielën në platformën e mediave sociale TikTok.

Një buletin me email nga American Values e cilësoi reklamën si një sukses të pakualifikuar, duke vënë në dukje një rritje të kërkimeve në internet për Kennedy dhe një deklaratë nga zëdhënësja e fushatës së tij duke thënë se fushata ishte “i befasuar këndshëm dhe mirënjohëse” për reklamën, një ton ndryshe nga deklaratat e Kenedit për familja e tij.

Në një kohë, Kennedy ishte një aktivist kryesor mjedisor dhe ai ishte ndër anëtarët më të rinj të familjes Kennedy që do të fliste në konventat dhe ngjarjet e Partisë Demokratike. Vitet e fundit ai është futur në teori konspirative dhe është bërë një fytyrë e lëvizjes kundër vaksinave.

Përveç xhaxhait të tij president, i cili u vra në vitin 1963, prejardhja politike e Kenedit përfshin babanë e tij, i cili ishte prokuror i përgjithshëm i SHBA-së, një senator nga Nju Jorku dhe kandidati kryesor presidencial në kohën e vrasjes së tij në vitin 1968. Vëllai më jetëgjatë i babait të tij ishte senatori Ted Kennedy nga Massachusetts. Sargent Shriver, babai i Bobby Shriver, kandidoi për president në vitin 1976 si demokrat.

Një grup kundër vaksinave i drejtuar nga Kennedy ka një proces gjyqësor në pritje kundër një numri organizatash të lajmeve, mes tyre The Associated Press, duke i akuzuar ato për shkelje të ligjeve antitrust duke ndërmarrë veprime për të identifikuar dezinformatat, duke përfshirë vaksinat për COVID-19 dhe COVID-19. Kennedy u largua nga grupi kur shpalli kandidimin e tij për president, por renditet si një nga avokatët e tij në padi.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1149
  • 1150
  • 1151
  • 1152
  • 1153
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT