• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DREJTORI I ITSHKSH PROF.DR. SKENDER ASANI VIZITON VATIKANIN, HAPEN DYERT PËR BASHKËPUNIM SHKENCOR-HULUMTUES

February 8, 2024 by s p

Vatikan, 08 shkurt 2024 – Sot në Selinë e shenjtë, në Vatikan, u organizua një pritje për Prof.dr. Skender Asanin , drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kultrurore të shqiptarëve nga ana e monsignor Khaled B. Akasheh, përgjegjës i digasterit për dialog interreligjoz. Ky i fundit në vitin 1982 e kishte takuar Nënën Tereze në Palestinë dhe ky ishte një shkas që pikërisht kjo figurë të zëjë gati pjesën qëndrore të takimit, me ç’rast drejtori Asani shpalosa gjithë punën dhe vizionin e ITSHKSH, sidomos ato segmente që në mënyrë shkencore dhe të përkushtuar trajtojnë çështje të komunikimit dhe mirëbesimit qytetar e fetar në vendin tonë, duke përmendur edhe punën që është bërë në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.

Organizimi i disa tribunave shkencore dhe eventeve me karakter kulturor e shhpirtëror, botimi i shumë titujve me interes të veçant si dhe fokusimi në mbrojtjen e figurës së Nënës Tereze përmes rregullativave ligjore të shtetit, ishin disa nga çështjet që drejtori Asani i ngriti gjatë bashkëbisedimit me nikoqirin, duke i paraqitur me këtë rast edhe interesimin e kahershëm që në Shkup të dërgohet një famullitar shqiptar, i cili do të përhapte porositë biblike edhe në gjuhën e Nënës Tereze, me të vetmin qëllim që komuniteti shqiptar-katolik i Shkupit të mos përjetojë edhe më tej dramën e zhbërjes. Të gjitha këto preokupime, sipas drejtorit Asani, janë pjesë e strategjisë së ITSHKSH që shoqëria ku bashkëjetojnë shumë etni me fe e gjuhë të ndryshme të kenë një mirëkuptim qytetar në mes veti. Një strategji e tillë nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga faktorët ndërkombëtarë, përfshi ambasadat dhe organizatat e ndryshme të cilët në raportet e tyre e ka ranguar ITSHKSH si një shembull i shkëlqyer i kultivimit dhe përhapjes së tolerancës qytetare e fetare midis njerëzve.

Duke qenë dëshmitar i një ekspozeje të tillë të drejtorit Asani, nikoqiri i Vatikanit, monsignor Khaled B. Akasheh, mbeti i entuziuazmuar, me ç’rast u falenderua për informacionet burimore që mori dhe u zotua se bashkëpunimi në mes të zyrës që ai drejton dhe ITSHKSH tash e tutje do të ngritet në një nivel më të lartë.

Në shenjë faleminderimi për mikëpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, drejtori Asani bibliotekës së Vatikanit i dhuroi disa tituj të botuar nga ITSHKSH, ku spikasin sidomos ato botime që trajtojnë fushat për të cilat u fol më lart. Ndër të cilët edhe libri për “Familjet katolike shqiptare”, për Gonxhe Bojaxhiun- Nënë Tereze si dhe “Ipeshhkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”.

Pjesë e vizitës së Prof.dr. Skender Asanit në Selinë e shenjtë ishte edhe njohja nga afër me ambientet e Vatikanit, përfshi edhe bazilikën e Shën Pjetrit, një vepër arti që bashkon magjinë e arkitekturës me misonin e shenjtë që mbart ky tempull i lashtë fetar e civilizues.

Në fund të kësaj vizite, drejtori Asani premtoi se Institutin e pret një e ardhme premtuese me plot veprimtari shkencore-hulumtuese, ku Vatikani me të gjitha resurset e veta arkivore do të jetë një prej adresave që do të përdoren për këto veprimtari.

Filed Under: Komente

7 SHKURTI 1945, DITË TRADHTIE E PKSH-s  QË  RINDAU TROJE  E  ZEMRA TË MALËSISË…

February 7, 2024 by s p

NGA NDUE  BACAJ  

HYRJE

Malësorët si dhe shqiptarët etjerë patriot e kishin pritur pushtimin fashist me indinjatë të thellë dhe me deshirë (“të pa realizuar…”) për tu rrjeshtuar në ushtrinë mbrojtëse shqiptare, kundra pushtuesve Italian. Por perkundër kësaj , në qendresën e pabarabartë por heroike të ushtrisë shqiptare që priti me plumba e jo me lule fashistet italian me 7 prill (1939) në bregdetin e Durrësit e më gjerë, do të dalloheshin për trimerinë, atdhetarinë dhe qëndresen heroike tre ushtarakë malësor- hotjanë; Mul Deli Bajraktari -Komandant i batalionit “Deja”, Toger Gjelosh Luli -Dedëvukaj i cili komandonte një pjesë të baterisë së topave të vendosur në vijen e parë të mbrojtjes në kodrat e Durrësit, si dhe Zef Martini-një nëtoger i shquar i këmbësorisë shqiptare..1.  Në këto kohë gjysma e Malesisë së Madhe lengonte nën pushtimin e Malit Zi, që kishte filluar të pakten që nga kongresi i Berlinit e “finalizuar” me konferencen e Londres (1913).. Në këto kushte paria e kësaj “gjysme” të Malesisë Madhe (nën Malin e Zi) për të shpetuar çfarë mund të shpëtonte (edhe pse përkohësisht), me datën 12 maj 1941, (Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Tuzi,Vllana, Vrana dhe Matagushi) u dergojnë autoriteteve qeveritare fashiste në Tiranë një Memorandum për bashkimin me Shqiperinë nënë, të trojeve shqiptare të lëna padrejtesisht nën Malin e Zi…2. Me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941pushtuesi fashist (edhe për qellime propogandistike) shpalli ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet, ku perfitonte edhe Malësia e Madhe …3. Për të vënë në zbatim këtë dekret qëndra e N/Prefektures u vendos nga Kopliku në Tuz.Vlen të cilësohet se gjatë luftës antifashiste, si nga Partia komuniste Jugosllave dhe bija e saj PKSH-ja propagandohej, se mbas çlirimit nga fashistët, edhe shqiptaret në trojet e tyre etnike kanë të drejtë të vendosin lirshëm se me kë dëshirojnë të jetojnë: me Shqipnin nanë apo me Malin e Zi që i kishte bashkuar (dhunshëm) Europa plakë. Këtë të drejtë sipas propoganduesve jugosllavë e shqiptare ua jepte lufta e përbashkët që gjoja i kishte vëllazëruar. Këtij premtimi, si gjithë premtimeve të tjera të sllavëve do t’u delte boja pa vonuar…

“ËNDËRRA” E RIBASHKIMIT TË MALËSISË SË MADHE NË DORË TË KOMUNISTËVE JUGOSLLAV…

Megjithë këtë klimë qe solli një ënderr ribashkimi të trojeve shqiptare, Malësia si gjithë Shqiperia e urrente fashizmin si ideologji dhe pushtues, i cili si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllav, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha  etjerë të krijojnë bijen e tyre; Partinë Komuniste Shqiptare me 8 nentor 1941. Këtë të vertetë të mjerueme historike për shqiptarët do t’ua komunikonin edhe malësorëve hapët emisarët komunist malazez-jugosllav veçse gjashtë muaj nga dita e krijimit të PKSH, në një mbledhje në fshatin Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942… Këtë mbledhje e prëshkruan në ditarin e tij intelektuali dhe nacionalisti Prekë Gruda, i cili ishte pjesmarrës në ketë “kumt” kobndjedhes për shqiptaret e vertet, nga i cili ndër të tjera citoj: “…U çua në kambë tuj perdredhë mustaqet Bllazhe Jovanoviqi, (i deleguari i Titos N.B.) dhe mbasi na kqyri me ata sy gaca sikur donte me na coptua të tanve, ia filloi me folë rrufeshëm pa maskë të kuqe: “Partinë Komuniste të Shqiperisë e kemi në dorë ne malazezet, dhe i kemi atje organizatoret tanë që drejtojnë e komandojnë. Edhe në Kosovë ku jemi tuj ndeshë mjaftë pengesa nga naionalizmi shqiptar, ia kemi dalë me i organizue partizanët shqiptar si jugosllavë, dhe këtë gja e kemi garantua me ndihmen e komunistave të Shqiperisë, për të larguar veshtirsitë tona atje në atë Serbi të vjeter. Pra për çdo gja i kemi vu bazat në Kosovë që çdo pikë ujë të shkojnë në mulli të Jugosllavisë së madhe, dhe me siguri do ta zmadhojmë nga të gjitha anët. Për pakicat shqiptare në Mal të Zi nuk kemi biseduar aspak me komunistë të Shqiperisë. I kemi në dorë pa asnjë konditë. Ungji Stalin ndoshta ka me na e lanë krejt Ballkanin në dorë e jo ma Shqipninë që e kemi qysh tashti në grusht. Ma në fund mos harroni e duhet ta dijmë mirë të gjithë se na janë vrarë në luften Ballkanike (1912-1913, rrethimi i Shkodrës N.B.) njëmbëdhjetë mijë malazez në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituan etnit tanë ateherë me luftë, jemi tue fitua ne me mënyrë tjeter. Malet shkambore të Malësisë Madhe e as ata të Krajës me Ruminë nuk na duhen gja sepse male kemi majft, dhe aq ma pak na duhen gja banoret trima të egër të atyne krahinave. Na duhet Liqeni i Shkodres, që do të thahet dhe do të bahet Banata e Malit Zi, hambari i pasun per bukën e popullit tonë, e prej Matagushit e deri në Vraken e vllazneve tanë malazez kanë me lulëzua katundet sllave dhe ajo Shkodër, kaq fortë e dëshirueme prej nesh do të bahen krejtësisht sllave, sikurse janë ba Podgorica, Tivari dhe shumë krahina të tjera të marruna shqiptarëve mbas kongresit të Berlinit e deri në luftën ballkanike.”.4. 

TUBIMI I FUSHËS SË TUZIT, 7 SHKURT 1945       

Përshkrimin e këtij tubimi tradhtie e turpi, mendova t’ia lë nacionalistit Prekë Gruda, pjesmarrës në këtë tubim, të cilin e përshkruan në një dorshkrim që më ka ra në dorë para rreth 30 viteve me titull : Hot, Grudë, pervjetuer turpi për komunistat shqiptarë, nga i cili për të kujtuar këtë ngjarje tragjike mendova të citoj : “Mbas tërheqjes së gjermanëve prej Malit të Zi, Shtabi i divizionit VI-të, të ashtuquajturës ushtri naç – çlirimitare shqiptare, thirri në Tuz të gjithë burrat e Malësisë ku lajmëtarët kumtojshin që mos të mungonte asnjë mashkull, dhe porositnin të shkonin të gjithë të armatosur në bashkim, ku do të komunikoheshin disa çështje me rëndësi. Bashkimi u bë në fushë të Tuzit me dt.7.02.1945. Në tribunë zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Marasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Kërkush nuk mundej me mendue tragjikomedinë e turpshme që kishin pranuar me vu në skenë n’at çerdhe Shqiptarie komunistët shqiptare… Perden e hapi Shefqet  Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, e i porositi për qetësi dhe i ftoi të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, dhe i porositi ata burra Shqiptarë t’i duan Serbo-Malazezët, me të cilët (gjoja) i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye mercenari nga gjeneral Gjoku me shokë e u tha: Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun t’i vrisni, në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Këtu ia preu fjalën Kol Zefi i Grudës, i cili ndër të tjera tha: “Tash 52 vjet kjeshë detyruar me shtëpinë teme me i shërbye sllavëve, tuj o mbrojtë me gjoks e fanatizëm interesat e këtyre maleve shqitpare, që qysh prej kongresit të Berlinit e këndej filluan të shkatërrohen prej malazezëve. Ju këta i paskeni ba vëllazën, ndërsa ne kurrë as për formë nuk kemi muejtë me u thanë miq… Me 1890, kur filluam luftën kundër Turqve, na kjeme lidhë me besë të Zotit drejtpërdrejtë me Kral Nikollën e Mark Milanin, per me na ndihmue, e Vendet tona që do t’i merrshim me gjak prej turqve me na i njoftë si zona të lira shqiptare, por ata na rrejtën. Trojet që i çliruam me aq sakrificë ia bashkuan Malit të Zi. Gjithmon na kanë rrejtë e mashtruar dhe tradhëtuar. Shumë më zi kanë meua ba ju, shpejt keni me u pendue, por ka me kenë vonë me fitua çfarë sot, me syplasët po dhunoni. Jemi shqiptarë me mish e me shpirt të gjithë në këto male, prandaj na duket shumë e natyrshme e njerëzore që të mbetemi me Shqipninë. Sa për dajakun ktheje ka doli se na e kemi pasur traditë me u pre me shpata me Malazez, e me u vra me pushkë ballë për ballë, e jo me u rrahë si gratë me shkopinj”. Mbas Kolës, foli Smajl Haxhia i Hotit, që nuk pranoi me i dhanë dorën gjeneral Gjokut. Smajli të nesërmen vdiq, plasi nga maraku që mbuloi Malësinë. Tomë Nika i Traboinit foli, me nji ton të zjarrtë patriotik tuj vu në dukje luftëtarët e përpjekjet e Malësisë për Shqipni. Po kështu i argumentuan punët Ali Zeku i Vranjes, Nikë Zeka i Trieshit, Pretash Zeka i Kojës, Luc Maxhi i Luharit e Osman Bajri i Dinoshës. Të gjithë kërkuan energjikisht mos të ndaheshin ma prej Shqipnie, por me kë me folë e kujt me iu drejtue?… Vetëm komisari i divizionit të VI-të, Muyzafer Spaho, u prek e pa me sy tradhëtinë e tij e të shokëve të vet. Ai tha: “Qëndroni shqiptarë, se ne nuk luftuem me vendosë kufijtë e versajës e as të boshtit për liri e bashkëpunim të popujve. Ju qenkeni më shqiptarë se ne, prandaj gjaku ynë i kësaj lufte e i juaji gjithnjë për liri, u garantojnë vetvendosjen tuaj në bazë të luftës sonë e të premtimeve aleate.” Këtu ia zunë në fyt fjalët Peçi me shokë, atë ditë ra viktimë e idesë mashtruese edhe Myzaferi, që kishte lënë studimet në Itali, për të luftuar për lirinë e Shqipërisë. Ai ishte një ndër të paktët që nuk iu nënshtrua turpit mashtrues. Nuk munguan oratorët malazez me folë me demagogjinë marksiste, tuj lavdërue shërbëtorët e vet. Gjendja u keqsua fort. Malësorët edhe pse e panë se çështja e tyre shqiptare asi shtegu dështoi, vendosën të gjithë të vdesin me armë në dorë, por kurrë mos me u dorëzue, ç’burrni ishte në atë tubim Tradhëtie. Pater Zefi që qysh në fillim kishte refuzuar me ndejtë në tribunë, duel nga mesi i trumës në shesh të burrave, e theksoi rrufeshëm: “Po e shihni, o komunista shqiptarë. Mjerë Shqipnia në duart tuaj. A keni mendua ndopak për historinë e kombit? Ku janë premtimet marksiste për liri e të drejta të popujve? Ndërsa ju Malazez u lumshin krahët, sepse dini gjithmonë me manovrue për të mirën e Malit të Zi  e Jugosllavisë. Na jemi tuj e pa se prapë u bëmë robët tuaj, por jo për dobësi të këtyre burrave luaj malesh ndër pranga, por për tradhëti të komunistëve shqiptarë që i paski marrua e ç’burrua kështu. Sa për dorëzimin e armëve Malësorët paskan punë me ju, por siç po e shihni nuk dëshirojnë me i dorëzue sot këtu, prandaj le t’i kthejnë të armatosur ndër shtëpia të veta. Ju e dini se me to nuk u bien tradhtishtë. Vëllezën shqiptarë që u braktisën Vëllazënit e Shqipnisë, qindroni burra e të urtë. Detyrën tuaj e keni krye, ma tepër nuk keni çfarë me ba. Armët keni me i dorëzue autoriteteve Jugosllave kur t’jua kërkojnë. Të shpërndahemi për në shtëpiat tona. Rrnoftë Shqipnia. Zoti kjoft me ne.” Akti i Parë i tragjeditë u mbyll, tjetri u luajt dy javë më vonë, (me 19 shkurt 1945 N.B.), kur natën hynë brigadat Serbo – Malazeze, gjoja me bashkue armët. Në atë natë të kobshme terri mjaftë burra nacionalista të përvëluar për Shqipëri u vranë pa faj, pa kurrë një farë gjyqi të paktën formal. (U pushkatuan atë ditë edhe, Pjetër Zeku Camaj, Vasel Mirashi Camaj, Zef  Miliqi Lulgjuraj, Gjelosh Gjoka Lajçaj, vëllezërit nga Gruda, Lucë, Dodë dhe Gjergj Preka Lulgjuraj, Kolë Gjel Çaku nga Trieshi  etjerë, N,B.). Po atë natë u muar në kishë të Traboinit, ndërsa ishte ndër të lutuna edhe Pater Zefi (Leonardi) e u pushkatua ndër sy të nanës së tij, vetëm pse i shërbeu Zotit e Kombit me besnikëri. Akti i Tretë i tragjedisë u vu në skenë në Hot e Grudë, ndër krahina të Ulqinit e Tivarit me Larje e Shestan dhe në Plavë e Guci me rrethe etjerë…5. Sot edhe pse kanë kaluar kaq vite nga kjo tradhti kombëtare e komunistëve shqiptar, trojet etnike shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjërë vazhdojnë t’a  vuajnë këtë ndarje…por pa humbur shpresen e ribashkimit me Shqipninë Nanë…6.

REFERENCAT : 

1.Mul Deli Bajraktari, Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq.9, Shkodër 2004.

2.At Marin Sirdani “Ndriçime te historisë,kultures dhe artit shqiptar, fq.61-62. Prishtinë 2002. 

3.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.

4. Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme,sa kam shprese kame shpirte”(1937-1975) pjesa I, fq.192-193.Tiranë 1995. 

5.Prekë Gruda, Hot-Grudë, pervjetuer turpi per komunistat shqiptar (dorshkrim…), + Ndue Bacaj, gazeta “Shqiperia Etnike,nr.15, viti 2001,+Kostaq Xoxa, gaz.55,dt.7 qershor 2010.

6.Më e zgjerueme kjo histori tradhtie e krimesh komuniste, është pasqyruar në librin tim të botuar në vitin 2018 me titull: Malësia e Madhe Kundër…, ku janë të shënuar edhe emrat e plotë të të pushkatuarve nga komunizmi jugosllav e shqptar etj…

Filed Under: Histori

GAZZETTA DI VENEZIA (1931) / NJË BISEDË EKSKLUZIVE ME REXHEP JELLËN, PREFEKTIN E TIRANËS, NË QYTETIN TONË

February 7, 2024 by s p


Rexhep Jella (1895 – 1974)
Rexhep Jella (1895 – 1974)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shkurt 2024

“Gazzetta di Venezia” ka botuar, të enjten e 21 majit 1931, në faqen n°3, bisedën ekskluzive me prefektin e Tiranës, Rexhep Jellën, askohe për vizitë në qytetin e Venecias, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një bisedë me prefektin e Tiranës

Rilindja e Shqipërisë

Vendi ku fluturojnë të gjithë – Nga shpina e gomarit në kabinën e aeroplanit – Makinat dhe rrugët – Peizazhi dhe turistët

Burimi : Gazzetta di Venezia, e enjte, 21 maj 1931, faqe n°3
Burimi : Gazzetta di Venezia, e enjte, 21 maj 1931, faqe n°3

Shkëlqesia e Tij Rexhep Jella, prefekt i kryeqytetit shqiptar dhe kryetar i organizatave rinore të mbretërisë mike, kaloi më shumë se një javë në Venecia dhe, natyrshëm, u dashurua me të.

Duhet pranuar, për më tepër, se njeriu i shquar zgjodhi një moment të lumtur për vizitën e tij në Serenissima : një diell i artë, një turmë e mrekullueshme të rinjsh të mrekullueshëm, një festë dritash, ngjyrash dhe flamujsh : të gjitha të kurorëzuara nga grumbullimi madhështor i së dielës dhe mbyllja e garave ndërkombëtare të gjimnastikës.

Të premten e kaluar, në orën dhjetë të mbrëmjes, teksa vezullimet jeshile dhe vjollcë të flakëve ngjyrosnin mrekullitë arkitekturore të Sheshit (Piacës) me ngjyrat “e një mijë e një netëve”, Rexhep Jella, ulur në Quadri, admiroi skenën në ekstazë.

— Si ju duket, Shkëlqesi ?

— Nuk e kam besuar kurrë se diçka e tillë mund të shihej.

— Është hera e parë që Shkëlqesia Juaj e sheh qytetin tonë ?

— Në fakt, kam qenë edhe në vitin 1913, por kalimthi, dhe më kujtohej shumë pak : për sa u përket monumenteve, nuk i kisha vizituar atëherë; këtë herë, megjithatë, arrita të admiroj thesaret kryesore artistike të këtij qyteti simpatik. Unë jam magjepsur prej tyre dhe mund t’i përshkruaj një nga një, por… venecianët i njohin më mirë se unë.

— Kjo nuk është plotësisht e provuar : por, nëse Shkëlqesia Juaj më lejon, do të kërkoj disa informacione për Shqipërinë. Aktualisht, si është Tirana ?

— Tridhjetë e pesë mijë banorë : atje jetojnë mjaft mirë dhe fizionomia e qytetit po përmirësohet dukshëm, natyrisht shumë gjëra mungojnë… përfshirë edhe hekurudhën, por po ndërtohet një seksion hekurudhor Durrës – Tiranë që do të përurohet sa më shpejt të jetë e mundur. Tani për tani fluturojmë ! Ju nuk mund ta imagjinoni sa fluturime ka në Shqipëri : linjat tona janë të shumta, të pajisura në mënyrë perfekte, dhe ajo që ka rëndësi ëshë se ato gëzojnë besimin e plotë të klientëve të tyre; dhe duhet të kemi parasysh se këta malësorë të mirë, aspak të frikësuar nga një përparim kaq i vrullshëm, zbresin nga shpina e lodhur e gomarit, për t’u ngjitur në kabinën e aeroplanit me lehtësinë më olimpike. Për momentin, në fund të fundit, ata kanë çdo të drejtë; në vite e vite shërbimi të vazhdueshëm e intensiv, asnjë fatkeqësi nuk ka ardhur që të lëkundë besimin e merituar të shqiptarëve tek avionët.

— Po ndërtimi i rrugëve, Shkëlqesi, si po ecën ?

— Sigurisht që rrugët që keni ju në Itali nuk i kemi dhe asfaltimi është praktikisht i panjohur për ne; por duhet hedhur poshtë legjenda se në Shqipëri nuk mund të vozisësh makinë : gjithsesi dua të pohoj që rrugët shqiptare nuk janë aspak më të këqija se ato serbe dhe greke. Në zona të caktuara natyra gurore dhe me luspa e terrenit e bën shumë të vështirë punën e peizazhit : në disa të tjera, anasjelltas, fundi moçal paraqet pengesa të kundërta : prandaj duhet të jeni të duruar dhe të nxitoni me makinë ku të jetë e mundur…

— A ka shumë makina ?

— Mjaft dhe janë gjithnjë në rritje : por përhapja e mjeteve motorike është e destinuar natyrshëm të ndjekë me të njëjtin ritëm zhvillimin e rrjetit rrugor. Për momentin nuk është e mundur të neglizhohet kalërimi, i cili në fund të fundit është i vetmi mjet transporti i përshtatshëm për të gjitha terrenet. Kemi kuaj të shkëlqyer : shumë të importuar nga Hungaria dhe shumë autoktonë, më të vegjël, por shumë rezistentë, me një maturi proverbiale dhe të pajisur me këmbë “dhie”; u ngjiten maleve si dhia e egër.

Megjithatë, pas pak vitesh do të mund të udhëtohet në të gjithë Shqipërinë me makinë; Në këtë drejtim, i hedh poshtë energjikisht të gjitha thashethemet për interesin e kufizuar turistik të vendit tonë : shumë të huaj janë të bindur se Shqipëria është një vend krejtësisht i shëmtuar dhe i shkretë, i pasur vetëm me male të thepisura dhe këneta të liga. Kjo është e pavërtetë; ne kemi rajone të tëra shumë pjellore, të mbuluara me bimësi të mrekullueshme dhe lugina piktoreske që nuk kanë asgjë për të pasur zili ato më të famshmet.

— Aktualisht, a ka një lëvizje turistike ?

— Shumë e kufizuar; duhet të inkurajohet absolutisht në çdo mënyrë. Edhe të huajt vijnë; do të mund të bindin lehtësisht se Shqipëria nuk është Hirushja e një peizazhi që pretendohet të jetë dhe se mikpritja, tradicionale mes njerëzve tanë, është e sinqertë dhe e përzemërt. Italianët duhet të vizitojnë Mbretërinë tonë që është në ethet e plota të rilindjes : ata do të mirëpriten si vëllezër. Na bashkojnë histori shekullore dhe, më në fund, çfarë na ndan ? Një krah i detit; një humnerë, dikush mund të përgjigjet. Po, për njerëzit që urrejnë njëri-tjetrin, por një traget i lehtë dhe i këndshëm për njerëzit që e duan njëri-tjetrin.

Një shpërthim i fundit flakërimesh i vë zjarrin San Marcos (Shën Markut), Kullës së Sahatit dhe Kampaniles, ndërsa sheshi është i mbushur me një turmë të jashtëzakonshme.

Rexhep Jella ngrihet dhe dëshiron të largohet.

— Dëgjo, më thotë, kushdo që është i sigurt se nuk do të kthehet më në Venecia, pas një vegimi të tillë, do të bënte mirë të mbyllte sytë dhe të largohej menjëherë për të mbajtur në kujtesë imazhin e pavdekshëm të kësaj tabloje ëndrrash. Por unë do të kthehem; një krah i detit, po e përsëris, bëhet një traget i këndshëm për ata që duan njëri-tjetrin!…

L. Tommaseo Ponzetta

Filed Under: Mergata

TË VETËDIJESOHET MËRGATA SHQIPTARE NË RUAJTJEN E GJUHËS AMTARE TE FËMIJËT E TYRE

February 7, 2024 by s p

Nga Mustafë Krasniqi/

Duke u marrë me mësimin plotësues të shkollës shqipe në mërgatë, konkretisht në Landin e Bavarisë, u ndala për një moment në një shikim të qasshëm, që dhe nuk e kisha arsyen pse pikërisht mbi atë shikim e shtriva një teori konspirative.

U ndala mbi tavolinën e punës, pa dashje e fika kompjuterin, ku kisha një mori të materialeve rreth shkollës shqipe në Bavari, foto që më tërhiqnin vëmendjen dhe për aq kohë sa i kisha ngulitur vështrimin, çdo gjë mori formën e përmbyllur, ekrani i kompjuterit mbeti me ngjyrën e zezë.

Dikush dhe i ka frikë ngjyrës së zezë, mbase dhe nuk e di e pse është si një figurë jo e këndshme. Por, unë, qëndrova në heshtje për një kohë dhe fillova të reflektoj rreth asaj që shihja më parë, mbi materialet dhe fotot. Edhe pse e kisha të mbyllur kompjuterin, truri im punonte ende, sikur të isha duke klasifikuar materiale e foto. Për momentin ndërroi qasja e funksionimit të trurit dhe u mora me një qëndrim të logjikshëm, duke e pyetur veten, në monolog flisja me veten.

Thotë historia: gjuha ime, shqipja e bukur, është gjuha më e vjetër ndër gjuhët e vjetra, ashtu dhe gjaku i Arbrit është gjaku më i hershëm, rrjedh nga pellazgo-lirio-shqiptarë. Duke besuar në këtë histori reale ndjeva me shpirt, zemër e mendje në ato çaste se qenkemi me fat që jemi shqiptarë!

Kjo dhe më dha kurajo, padashje më ikën lot faqeve, të gjitha këto që vërviteshin në mendjen time kishin një arsye; Sikurse kishte arsye ajo që isha i mbërthyer në fotot dhe materialet, që i lexoja dhe i shikoja më parë në kompjuterin tim. Papritmas, instinktivisht thashë: Këto dokumenta e foto do të mbete të ruajtura në një arkiv, dëshmi se kush ishim, ç ‘bëmë dhe dhamë për gjuhën, identitetin dhe kulturën kombëtare…?

Ekzistenca e kësaj bote është e përkohshme edhe pse është dhuratë për ne; thonë të gjithë, por të gjithë nuk e konceptojnë njëjtë, thua se kanë frikë. Vërtet dhe kanë frikë, të cilët nuk e kuptojnë e pse kanë frikë, kur vetë ligjshmëria e natyrës-Zoti na ka përcaktuar ndërrimin e jetës, njëkohësisht ta duam jetën sikur të mos vdesim kurrë! Koncepti për çka isha përcaktuar filloj të dyzohet me krahasime, duke u nisur nga ajo se ekzistenca në këtë botë është një dhuratë e ndjeshme dhe e përkohshme.

Thjesht u ndala te ikja e dyfishtë, e cila ishte bërë e zakonshme mbase edhe shumë e dëshiruar të marrësh rrugën e ikjes dhe të lë dashurinë, aromën e atdheut në pritje, pa djepa, fëmijë të lindur e të rilindur dhe kullat pa tymosje të oxhakut. Të gjitha këto i analizova me një logjikë të qetë në tavolinën e punës, e thash: A po e kuptojmë se një ditë në këtë rrugëtim të jetës, sa e dëshpëruar dhe argëtuese, do të merr fund. Ajo që do të ngelet si vlerë, kundër zënkave, lakmive, arrogancës, urrejtjes dhe përçmimit e injorancës, është dashuria për jetën, atdheun, gjuhën dhe kulturën!

Në ndërrim të mendimit thash: sa jemi duke e ruajtur vlerën kombëtare jashtë atdheut? Sa po e ndërtojmë vlerën e të qenurit shqiptar? Sa po e respektojmë gjuhën amtare, identitetin dhe kulturën kombëtare-shqiptare?

Të gjitha këto pyetje të vargëzuara, sikur nuk kanë pikë rëndësie, për shumë kë! Madje sikur dhe krenohemi që po e harrojmë fjalën e bukur të shqipes, këngën e mrekullueshme, të cilën po e përbaltim me një ritëm të çoroditur. E cila nuk synohet më për vlerë, e vlera ikë në vlera injorues duke i dhënë hapësirë atij që në këngën e tij apo të saj ka sharjen e fyerjen, zhveshjen, çoroditjen!

Thjesht po ndalem atje ku fillova, te shkolla shqipe në mërgim, konkretisht në Gjermani, në landin e Bavarisë. Ku kisha dhënë shumë për hapjen e shkollave shqipe e ende jam në atë rrugëtim, me ca veprimtar, bashkëkombës, që misioni i mësuesit, vizioni për ruajtjen e gjuhës amtare të jetë si qëllim parësor për bashkëkombësit, ruajtja e gjuhës amtare tek fëmijët të cilët kanë filluar ta belbëzojnë.

Mbrëmë mbi 4 orë folëm për mësimdhënësit vijueshmërinë e fëmijëve në shkollën shqipe dhe pyetëm se sa jemi të vëmendshëm në ruajtjen e gjuhës kombëtare? Çuditërisht me dhimbje të madhe analizova shqetësimin e mësimdhënësve, të vullnetarëve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Të gjithë flisnim për mungesën e nxënësve në shkollën shqipe, madje flisnim edhe për prindërit që fare pak kanë interes për t’i dërguar fëmijët në shkollën shqipe. Thjesht i dëshpëruar po e them për ju shqiptarë, kudo që jeni! Mos të ikim nga vlerat, të mashtrohemi kot pas pasurisë materiale, lekëve, kur fëmija i juaj nuk e di gjuhën amtare, nuk ta njeh identitetin, nuk e di kush është atdheu i tij, e për çfarë vlere flasim ne mërgimtarët! Për atë që kemi vetura të shtrenjta, apo për çka? Me apo pa dashje po e injorojmë gjuhën amtare, nuk po e përfillim si duhet. Dikur Rilindësit, përpos pasurisë jepnin edhe jetën në ruajtjen e gjuhës, sot në botën moderne të heshtur po e harrojmë gjuhën mëmë.

Në këtë konflikt mendimesh e qetësova veten me fjalë të buta, por ajo që më trazonte ishte: miliona euro japin për ndërtimin e Xhamive në mërgim-shqiptarët, për këngëtar të klubeve, me këngë tallava me qindra e mijëra euro! A nuk është injorim që fëmijët t’i dërgojmë në mejtepe, për të mësuar germat arabe, e me mësim plotësues në shkolla greke!? Vërtet, ta injorosh gjuhën tënde është më shumë se krim dhe kjo nuk përpihen vallë!

Këto veprime nuk do të na shërbejnë për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës. Të gjithë ne, si brezat e mëparshëm do të ikim një ditë për në botën tjetër, por nipave dhe pasardhësve tanë çka do t’u lëmi pas? Pra, pas do t’ua lëmë harrimin e atdheut, të gjuhës, kulturës dhe identitetit e shqiptarit!

Po e përmbyll këtë shqetësim: njerëz, mërgimtarë të dashur, bëni një jetë me kuptim, duke vlerësuar atdheun, gjuhën amtare e duke lënë gjurmë të thella në ruajtjen e fëmijëve nga asimilimi. Koha na ka mësuar se dimë të asimilohemi lehtë, ku nëpër botë jemi shpërndarë si zogjtë e qyqes e mbi 30 milionë shqiptarë jemi jashtë tokave të atdheut, tash pritet në heshtje edhe një zbrazje e re.

Po ikin profesorë, mjekë, inxhinierë e kush jo dhe po zbrazet atdheu i shqipeve nga shqipet!

Në fund ta kuptojmë se humbja e gjuhës është tragjedia e kombit, se humb edhe kombi!

Filed Under: Analiza

#SiSot, më 7 shkurt 2020, ndërroi jetë këngëtarja Nexhmije Pagarusha

February 7, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Ajo njihet si ndër këngëtaret shqiptare me zërin më të veçantë dhe më të fuqishëm që kemi pasur deri sot. Frymëzim për shumë gjenerata pas saj, Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë afër Malishevës.

“Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, mori famë në Shqipëri dhe në vendet fqinje, në sajë të vokalit të saj të veçantë prej sopranoje. Pagarusha ndoqi shkollën e muzikës në Beograd dhe nisi karrierën e këngëtares në vitin 1948, në valët e Radio Prishtinës. Artin e këndimit e lëvroi për 4 dekada në disa zhanre: muzikën folklorike, klasike, si edhe duke interpretuar në opera.

Kënga që gëzon më shumë popullaritet në repertorin e saj është “Baresha”, e cila është vlerësuar me çmime të shumta. Koncerti i mbramë i Pagarushës u mbajt në vitin 1984, në Sarajevë. Bashkëlidhur, fotografi (negativ) të vizitës së Pagarushës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, më prill 1971.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#NexhmijePagarusha

#FototekaAQSH

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1158
  • 1159
  • 1160
  • 1161
  • 1162
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT