• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga Kolonia e Shqiptarëve në Turqi

January 20, 2024 by s p

Pëgatititi: Elez Osmani

Fragment nga Monografia, në përgatitje për Vasil Germenjin

Tare Libohova – Stamboll, 24 11. 1953,x Letër dërguar z,Vasil Gërmenjit Marsej- Francë

I dashur Z.Vasil

Duke pritur letren t’uaj, kam vonuar t’ju shkruaj shpresoj të jini shëndoshë e mirë. Nuk di se çkini bërë? Lutem më lajmëroni se sa të holla kini marë këtej. Adresën Vinjahut, s’gjeta njeri që t’a dijë këtu. Më thanë se do t’a dijë vëllaji Vasil Avramit që ndodhet në Romë. Me këtë letër mundohen t’ju orientojë mbi gjëndjen e Kolonisë së këtushme. Me atë që do të vijojë, do t’a përshkruaj gjëndjen e Shoqatës.

Kolonija shqiptare në Turqi:

Kjo Koloni ka kaluar mjaft faza kritike pas Shpalljes t’indipendences Shqiptare. Në periudhen e shpalljes të luftës Ballkanike me 1912, sundimi Qeveritar në shtetin Otoman, ka qenë në duart të Partisë xhonturke që quhesh (Union Progré) e cila në politiken e saj të mbrendëshme çfaqesh anëtar fanatik për një sistem administrimi Qëndror (sistem centralisasion) Në kundërshtim me këtë Parti, një (Parti Liberale) qe ka patur në krye Prens Sabaheddin dhe Ismail Qemal Vlorën ka qenë anëtar për një sistem qeverimi decentralisasioni (si n’Amerikë).

Partija Unioniste në fuqi e akuzonte të dytën në tradhti duke pretenduar se me predikim për administratë decentralisasioni ushqente aspiratat nacionale të pakicave që do të shkaktonte shpartallimin e Shtetit Otoman.

Liberal ‘et, akuzonin Partinë Unioniste në fuqi me shovenizme Turke për dhe më keq -administrim që do të shkaktojë reaksionin e pakicavet dhe në përfundim demtimin e strukturës Shtetënore.

Në këto grindje të këtyre dy partive, elemneti Turk dhe Israil u radhit shumë pas Partisë Unioniste dhe pakicat (Arab, Shqiptar, Qurd, Ermen, Grek me pas Partisë Liberale.

Nga një anë ekstremizma dhe keq-administrimi i Partisë në fuqi, nga ana tjetër grindjet dhe antagonimat e partivet, provokuan dhe nxituan marëveshtjen e shpejtë të shtetevet Balkanik, shpalljen e luftës Ballkanike dhe disfatën e Turqisë.

Demarshet, përpjekjet politike për shpëtimin dhe sigurimin e Indipendences Shqiptare, u konkretizuan në këto kohë të disfates.

Por Partija Unioniste, për t’a lehtësuar përgjegjësinë e disfates që pësoj, bëri ç’qe e mundur (me Qarkorera t’administrates, me shtyp, me propaganda dhe me çdo mënyrë që shkakun dhe fajësinë e disfates, të i ngarkojë Partisë Liberale Pakicavet dhe posaçërisht Shqiptarevet pretendonin se:

a) Kryengritja e Kosovës (para luftes Balkanike) e krijuar nga Ismail Qemal Vlora, Hasan Prishtina, Isa Buletini, Bajram Curi, si dhe kërkimet e tyre me imponim nga Qeveria Turke, paskanë shkaktuar lirimin e fuqive ushtarake të rregullta që ishin grumbulluar në Ballkan dhe kështu Shtetet Ballkanike duke përfituar nga kjo gjëndje favorabl, paskan shpallur luftën befas dhe sheshin e kanë gjetur të lirë pa kundërshtim.

b) Në vazhdim të luftës Ballkanike gjoja Shqiptarët s’pas kanë luftuar, bile kanë qarmatosur fuqite armate Turke.

Këto pretendime të kësaj Partije nuk i përshtateshin së vërtetës.

Sepse: Qeveria Turke në fuqin (e Partisë Unioniste), aq ka qenë e okupuar me grindjet dhe mos kënaqësitë e mbrendeshme të shkaktuara nga shovenizma dhe keq administrimi i saj, sa s’ka mundur, të kuptojë lëvizjet, mareveshtjet politike që bëheshin midis Shtetevet Balkanike kundër saj. Dhe prandaj Pozitat Ushtarake në Ballkan i kish lënë pa fuqi, pa armë dhe pa organizim është aqë e vërtetë që: kur plasi lufta Ballkanike Shqiptarët të çarmatosur nga operacionet të Shevqet Durgut Pashes gjendeshin pa armë të kohës dhe pa municion.

Depot ushtarake ndodheshin të zbrazta. Pra, në këtë gjendje si mundesh që Shqiptarët të perballnin sulmet e katër Shtetevet fqinj (Bulgar, Serb, Grek, Malazez ) që e kishin rethuar ? Kurse Turqia vetë duke patur krahët të hapta (nga Asia me burime rezervash) nuk mundi të përballet me sulmet vetem t’ushterisë Bulgare që kish aritur ne prak të Stanbollit

Po të aresyetonin në llogjik, do të kuptonin se ç’dobi kishin dhe patën Shqiptarët që të mos kundërshtonin sulmonjësit t’atdheut të tyre. Ata sulmonjësit që refuzonin të drejtat Shqiptarisë dhe kanë kundërshtuar Indipendencen Shqipërisë

Por e vërteta është se: Partia Unioniste, po të kish ndjekur një politikë në prudence dhe Liberale, edhe po të krijonte të paktën një Administratë autonome në Ballkan me dy Guvernatori generale duke përmbledhur njëra (Traka dhe Makedonine) dhe tjetra Shqipërinë me katër Vilajete Kosovë, Manastir, Janina the Shkodër) nuk do të pesohesh ajo disfatë katastrofale si për Shtetin Otoman edhe për Shqipërinë, që sot krasitur nga të katër anët po mundohet të mbroje ekzistencën e saj me 1.350.000 frymësh..

UNIONISTE-t, përgjigjen të kësaj katastrofe, vetëm e vetëm për t’a mbuluar fajësinë e tyre, krijuan një atmosferë anti-Shqiptare që ka vazhduar një kohë të gjatë. Kjo, anti-shqiptarizma e ushqyer sistematikisht,ka dëmtuar shumë Shqiptarë që shërbenin si fonksionare n’aparatin Qeveritar Otoman po n’atë kohë edhe ata që jetonin me inisainjative private. Ne një shkalle sa shumë shqiptarë u shtrenguan të fshihnin kombësinë e tyre.

Kjo Propagandë dhe antipatia kundër Shqipëtarevet, pushoj për një kohë, kur filloj levizja Kryengritene e Mustafa Qemalit kundra Qeverisë Otomane. Sepse në këtë lëvizje Kemaliste kishin marë pjesë edhe Shqiptarët. Në gjithë këtë, disa UNIONISTA shoven që kishin marë pjesë në lëvizjen Mustafa Kemal’it me pozita të larta si ISMET INONU (ISH Kryetari Republikës), REXHEB PEJKER (ish Kryeminister), SHUKRU KAJA (Ish Minister i Mbrendëshme) dhe satelitat e këtyre, e kanë vazhduar dhe ushqyer antipatine kundër Shqiptarevet. Veçanërisht pas triumfit të M.Kemalit dhe formimit të Republikës Turke, dy ngjarje e kanë ringjallur antishqiptarizmen:

Ngjarja I:

Ne konferencën e Lozan-it kur bisedohesh çështja e det-publikut Turk, ISMET INONU (që kryesonte Delegasionin Turk të qeverisë Kemaliste) duke pretenduar se të hollat që kanë lidhje me këtë det-publik, mbasi jane harxhuar me shumë në Balkan, kërkoj që një pjesë e madhe e këtij borxhi duhet të pjesetohet midis Shtetevet Balkanike. MEHDI FRASHERI (që kryesonte delegasionin Shqiptar) ka kundërshtuar me një gjuhë t’ashpert duke deklaruar se Turqit, gjatë sundimit të tyre, s’kanë lënë dhe s’kanë bërë as një vepër civilizimi në Shqipëri , dhe pra, nuk është e drejtë që Shqipëria të ngarkohet me ndonjë borxh të kohës se shkuar. ISMET INONU kur është kthyer nga Lozani në Turqi, duke gjetur si pretekat këtë, është shprehur shumë ashpert kundra Shqipërisë dhe shqiptarëve. aqë sa edhe në kohën që u dërgua Eshref Frasheri në Turqi, për mareveshtjet Konsulare dhe nene-shtetesije Turko-Shqiptare, me gjithë langazhin ipokritik që përdori në favor të Turqise, nuk pati ndonjë sukses në plotësimin e misionit të tij.

Ngjarja II

Zogu, para se të shpallesh Mbret, si Ministër i Shqipërisë n’Ankara ndodhesh Rauf Fiço. Ky, ka qenë i shkollës Turke dhe shok shkolle me disa Ministra të qeverisë Turke në fuqi. Kish fituar simpatinë M.Kemalit dhe sado që ISMET INONU ka qenë Kryeministri i asaj kohe, por shpresohesh që duke përfituar nga simpatia e M. Kemalit, gradualisht të shdukesh anti-shqiptarizma. Bile, me kanë thënë se, Mustafa Kemali, (si pas pershkrimevet të Rauf Fiços) duke konsideruar Zogun si një Kryetar Republik Energjik, kish çfaqur dëshirën për një vizitë të Zogut në Turqi qe t’a vinte në korent me reformat sociale të tij.

Por pak kohë para shpalljes të Zogut si Mbret, dëgjohet lajmi n’Ankara. M. Kemali e pyet Rauf Fiçon nese është e vërtetë a jo. Ky përgenjeshtron kategorikisht duke shtuar se Zogu, është betuar të mbrojë Republikën dhe nuk mund të tradhtojë. Qeverija Turke po n’atë kohë me anë të Ministrit Turk në Tiranë bën skandal Zogun icili verbalisht përgënjeshtron. Por çuditërisht pas një jave, Zogu shpallet si Mbret. Rauf Fiço mbetet në një pozitë delikate, kërkon leje, shkon në Tiranë. Mbi këtë ngjarje, një gazetar i huaj bën një intervistë me Mustafa Kemalin dhe duke përmendur çështjen e Zogut, shton se është dëgjuar një leje si kur edhe M.Kemali ka për t’a shpallur vehtën Mbret. M.Kemali me një zemërim shprehet kundër lajmit dhe Zogut që ka tradhtuar betimin duke shtuar se nuk do t’a njohi. Dhe më të vërtet për një kohë të gjatë nuk e njohu dhe nuk pranoj ndo një Minister të Shqipërisë. Ismet Inonu,duke perfituar nga zemrimi I Kryetarit te Republikës u shfaq haptazi anti- shqiptar.

Pas vdekjes se Mustafa Kemalit, si kryetar I Republikës u zgjodhë Ismet Innonu.Ky filloj sundimin me fuqi Diktatoriale.Si partija popullore qëe kryesonte,ashtu e dhe çdo qeveri që formohesh me direktivat e tij vepronin pa a snje kundershti dhe pikërisht sipas urdherave të tij.Fuqia diktatoriale e tij,zgjati deri ne zgjedhjet e vitit 1950.Gjatë kesaj kohe Administarta ka qenë shovene Turke dhe kundra pakicavet,midis tyre e dhe kunder shqiptarëvet. Ne kohen e ketij diktatori janë dhene urdhera secrete qe si Administarta edhe ushtria te pastrohen nga Shqiptarët dhe Arabet.

Si u bë bujë e madhe edhe në botën e jashtme për te cdukur supremacinë Ekonomike të pakicave dhe te huajve,vetë Ismet Inonu me kryeministrin e tij shoven,ka perpiluar një ligj të çuditshem me dia nene qe mori emnin Taks Pasurimi , me te cilin gjithë pakicat janë taksuar me shumera aq fantastike,sa e tera pasuni e çdo personi nuk kapte 1/20 ten e shumës të taksuar.Midis këtyre, përfshiheshin edhe Shqiptarët,qofshin nenshtetas Shqiptar apo Turk.Shpëtuan vetëm ata Shqiptar muhamedan që nuk ishin çfaqur si Shqiptar por konsideroheshin Turk.Edhe pjesa e penalitetit të ligjit ka qenë barbare. Kjo Administratë diktatoriale që vazhdoi 14 vjetë,tërhoqi dhe shkaktoi vërejtjen e Amerikës,edhe sipas vendimit të Sanfranciskos,deridikume imponim e terthorazi,mori një drejtim si demokratik.U formula një Parti politike e dytë me emnin(Parti Demokrate) e cila gjeti përkrahjen e madhe n’opinion public dhe posaçerisht në pakicat.U hartua një ligj I zgjedhjeve me votim të fshehtë dhe kështu në zgjedhjete vitit 1950,fitoj Partija e riformuar me një shumicë ekrazante,sa nuk shpresohesh dhe kështu u rrexua Partija popullore nga fuqia, e cila përseri nën kryesinë e Ismet Inony merr pjesë në Parlament si parti kundershtare.

Partiaj Demokrate e sotshme që ndodhet në fuqi,konsiderohet më Liberale.Hë për hë ka përkrahjen e pakicavet.Tendencat nuk duken shovene. Natyrisht tash për tash me një desizion të premë nuk mund të jepet një mendim dhe vendim I prerë .Po të shofim.

Ja pra Shoqëria Turko -Shqiptare, u krijua Brenda kësaj atmosfere.Si filloj dhe si qendron do ta tregojmë në letren tjetër.

Numri i gazetës që bëni fjalë se kini një artikull Frengjisht s’ka ardhur akoma.Kam marë Nr. 8.

Te fala të përzemërta edhe Remziu. Tare Libohova (nenshkrimi)

Pëgatititi: Elez Osmani

Fragment nga Monografia, në përgatitje për Vasil Germenjin

Filed Under: Mergata

Lapidari i UÇPMB-së në Preshevë, do të duhej të kthehet në vendin ku ishte vendosur!

January 20, 2024 by s p

Më datën 20 janar 2013, është hequr dhunshëm Lapidari i Dëshmorëve të UÇPMB-ës, gjatë një rrethimi të hekurt në Preshevë, nga forca policore të armatosura. Me rastin e 11-të vjetorit të heqjes së Lapidarit, me këtë datë, duke ndezur qirinj, jo vetëm në Preshevë por edhe në Prishtinë, Tiranë e gjetiu. Më datën 20 janar 2024, publikisht propozoj, që gjithë liderët politik dhe institucional të Luginës së Preshevës, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e UÇPMB-ës, dhe Shoqëria Civile, të bëjn homazhe. Kjo datë të shenoj, një kthesë edhe duke adresuar peticion të përgjithshëm për adresim në institucione më të larta të Serbisë dhe instanca e mekanizma të BE-së.

Në radhë të parë Kryetari i Preshevës , Shqiprim Arifi, për çdo ditë në media ankimohet në adres të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjithë vullnetin të manifestoj për krijimin e një uniteti, duke kërkuar në adresim në institucione më të larta të Serbisë dhe instanca e mekanizma të BE-së për kthimin e Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë. Po ashtu, i drejtohem duke bërë publike me propozim Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që Lapidarë kushtuar dëshmorëve të rën në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanocë, të ngriten LAPIDARE edhe në Tiranë e Prishtinë. Propozimi, që datën 20 janar, të gjithë në përkrahje të khimit të Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë. Gjithë mediat nga e gjithë hapsirat tona Shqiptare, do të duhej të jetë kryelajm kthimi i Lapidarit të UÇPMB-ës,në vendin ku ishte. Parlamenti i Shqipërisë dhe Paralamenti i Kosovës, duke përfshi edhe Kryeministrat dhe dy Presidentët, të kërkojn kthimin e Lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë.

Nuk di nëse, nga Subjektet Politike të Luginës së Preshevës, kan ndërmarrë ndonjë veprim konkret si Këshilltarët Komunal të tri Komunave, së bashku me Kryetar e Kryesues të Kuvendeve Komunale të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit, duke përfshi edhe Këshillin Nacional të Shqiptarëve. Kryeministri i Shqipërsisë Edi Rama, asnjëherë nuk ka bërë homazh te Lapidari i UÇPMB-ës në Preshevë, ndoshta më shumë do të ketë kohë, pas vdekjes së ides së ,,Ballkanit të Hapur’’, pas disa dështimeve në propozime për Republikën e Kosovës. Tani Kryeministri i Shqipërsisë, është momenti i fundit të ndërron diskursin ndaj Serbisë. I propozoj të ftoj një Konferencë të Donatorëve për Krahinën e Preshevës, por edhe të ngritë disikriminimin në BE e instanca të OKB-ës, duke menduar edhe organizmimin e një Konference Evropiane për gjetjen e Statusit Politik, për Krahinën e Preshevës, pasi ka mbajtur Referendumin më datën 1 e 2 mars të vitit 1922.

Dëshmorët tanë meritojnë respekt dhe homazhe për të treguar se ata janë gjithmonë në mendjet, ndjenjat dhe në gjitha zemrat tona shqiptare që u sakrifikuan për ditë të mira për popullatën e kësaj krahine.

© Refik HASANI

Filed Under: Rajon

Dëshironi të provoni agjërimin me ndërprerje. Ja si ta bëni atë

January 20, 2024 by s p

person taking a bite of a sandwich

Rafael Floqi

Foto nga Gardie Design & Social Media Marketing nëpërmjet Unsplash

Ushqimi juaj mund të shijojë edhe më mirë nëse keni pritur një ditë për ta ngrënë atë.

Kontrolloni çdo përmbledhje të fundit të dietave të njohura dhe me siguri do të shihni agjërimin me ndërprerje (Intermitent Fasting) në listë. Ashtu si çdo program për humbje peshe, ky – i cili kërkon periudha të gjata kohore pa ushqim të kufizuar – nuk është një zgjidhje e shpejtë. Por sipas ekspertëve të të ushqyerit, mund të jetë efektive nëse funksionon për ju.

Së pari, një mohim: ndërsa studimet në minj dhe minjtë tregojnë një mori përfitimesh shëndetësore – duke përfshirë humbjen e peshës – nga agjërimi me ndërprerje, ka më pak kërkime nëse të njëjtat përfitime vlejnë edhe për njerëzit. “Në këtë pikë, grupi që kemi më shumë kërkime jashtë kafshëve janë njerëzit që janë mbipeshë ose obezë, jo aq shumë te njerëzit me peshë të shëndetshme,” thotë Colleen Tewksbury, një studiuese e lartë kërkimore dhe menaxhere e programit bariatriks në Penn Medicine

Dhe ndërsa studimet njerëzore tregojnë se agjërimi me ndërprerje ndoshta mund t’i ndihmojë njerëzit të humbin peshë, ai nuk është më efektiv se dietat e tjera që kufizojnë sasinë e kalorive që një person ha në një ditë. Megjithatë, ka tendencë të jetë pak më pak kufizuese se disa metoda dhe ndoshta nuk do të shkaktojë ndonjë dëm, thotë Kelsey Gabel, asistent profesor klinik dhe postdoktoratures në Universitetin e Illinoit në Çikago. “Duket se programet janë të sigurta,” thotë ajo.

Disa njerëz, si atletët që bëjnë nivele të larta të aktivitetit fizik, duhet të jenë më të kujdesshëm me agjërimin me ndërprerje, megjithatë, thotë Tewksbury. Gjithashtu nuk rekomandohet për adoleshentët, personat mbi moshën 65 vjeç, ose këdo që shërohet nga ushqimi i çrregullt, qoftë anoreksia apo ngrënia e tepërt. Njerëzit me diabet mund të praktikojnë agjërimin me ndërprerje në mënyrë të sigurtë, por ata duhet të mbikëqyren nga një nutricionist ose profesionist mjekësor. Dhe si me çdo ndryshim diete në përgjithësi, është mirë të kërkoni këshilla profesionale, thotë ajo.

Me këtë këshillë në mendje, fillimi i agjërimit me ndërprerje do të thotë të zgjedhësh një metodë. 

Më e mira, thotë Gabel, është strategjia që mendoni se do të përshtatet më së miri në jetën tuaj – kështu që do t’i përmbaheni asaj. “Ju gjithashtu duhet të vazhdoni të mendoni për të bërë zgjedhje të shëndetshme kur jeni duke ngrënë,” thotë ajo. “Gjërat që ju bëjnë më të suksesshëm janë gjërat që përfitojnë gjithsesi: ushqimet me më shumë fibra, fruta dhe perime, pirja e shumtë e ujit, ushqime të pasura me proteina dhe yndyrna të shëndetshme.”

Ka disa mënyra për të praktikuar agjërimin me ndërprerje – këto janë më të njohurat:

____________________________________

Agjërimi me Ditë Alternative

Agjërimi i ditëve alternative është metoda më kufizuese, pasi përfshin një agjërim absolut – abstenim tërësisht nga ushqimi – çdo ditë tjetër. “Janë të paktën plot 24 orë pa ngrënë”, thotë Tewskbury. Megjithatë, duhet të pini ujë në ditët e agjërimit, dhe shumë njerëz hidratohen edhe me pije pa kalori, si çaji, gjatë agjërimit.

Agjërimi i modifikuar

Agjërimi i modifikuar përfshin të hani disa ushqime në ditët e agjërimit, por drastikisht më pak se sa do të hani në një ditë normale. Në ditët e agjërimit, njerëzit hanë rreth 25 për qind të kalorive që u nevojiten zakonisht, kështu që dikush që konsumon normalisht 2000 kalori do të hante 500 gjatë agjërimit të tyre.

Me këtë strategji, nuk ka një orar të caktuar për ditët e agjërimit. Ju mund të dëshironi të agjëroni çdo ditë tjetër, ose mund të filloni me programin popullor pesë-dhe-dy: pesë ditë normale të ngrënies, të ndjekura nga dy ditë agjërimi.

Ushqimi me kohë të kufizuar

Për të praktikuar ushqimin me kohë të kufizuar, duhet të hani vetëm brenda një periudhe kohe të caktuar gjatë ditës. Një metodë popullore përfshin agjërimin e plotë për 16 orë, pastaj ngrënien gjatë një periudhe 8-orëshe. “Ju mund të mbani një model normal të të ngrënit edhe kur jeni duke bërë një dritare të ushqyerjes 8-orëshe,” thotë Gabel. “Ju ende mund të përshtatni mëngjesin, drekën dhe darkën.”

Disa prova sugjerojnë se është më mirë të vendosni dritaren tuaj të ngrënies më herët gjatë ditës, por Gabel thotë se kjo mund të mos funksionojë për oraret e shumë njerëzve. “Në mënyrë anekdotike, njerëzit janë më aderues nëse janë në gjendje të hanë me familjet e tyre. Zhvendosja e dritares atje ku funksionon në jetën tuaj mund të jetë e dobishme.”

____________________________________

Çfarë duhet pasur kujdes

Nëse po praktikoni ndonjë formë të agjërimit me ndërprerje, është e rëndësishme të jeni në vëzhgim për shenjat që tregojnë se është bërë i pashëndetshëm, thotë Gabel. Flamujt e kuq mund të përfshijnë humbje të tepruar në peshë, veçanërisht nëse për fillim jeni me një peshë të shëndetshme. Dëgjojeni trupin tuaj, thotë ajo, dhe vini re se si ndihet: Nëse keni trullosje ose marramendje gjatë një agjërimi, kërkoni të hani ushqim të shëndetshëm.

Ndryshimet në aftwsitë njohëse janë gjithashtu një shkak për t’u shqetësuar. “Mund të jetë e vështirë të përqendrohesh dhe mund të ndihesh i mjegulluar, nëse nuk e bën këtë në një mënyrë të shëndetshme”, thotë Tewksbury.

Në përgjithësi, shumica e njerëzve marrin ushqimin që u nevojitet gjatë agjërimit me ndërprerje, thotë Tewskbury. “Nëse njerëzve u pëlqen dhe ata mund ta bëjnë atë në mënyrë të sigurtë, bëjeni për të.”

Filed Under: ESSE

Si e njoha dhe si e përjetova vrasjen e Jusuf Gërvallës 

January 20, 2024 by s p

Nga Gani Mulliqi/

Në vitin e largët 1978 kur ende isha student bashkë me nja 15 të rinjë të tjerë mu hapën dyertë e gazetës “Rilindja”. “Rilindja” ishte shtëpi e madhe në plotëkuptimin e fjalës. Shumë nga kolegët që ishin para nesh aty na pritën me dashamirësi. Për ne që ishim të rinjë një fjalë e tyre, një këshillë, e lëre më një ftesë për kafee në byfenë që ishte në katin përdhes, kishte rëndësi shumë të madhe. E, i gatshëm për të na pranuar në atë shoqëri ne që ende nuk i kishim mësuar të gjitha kthinat e Pallatit grandioz të mediave që sapo ishte ndërtuar, kjo do të thoshte shumë. Njëri prej tyre ishte edhe vet Jusufi, pra ai Jusuf Gërvalla, të cilin e njihja ka kohë nga shkrimet por edhe nga këngët e tij që po i dëgjoja në Radio Prishtinë. Unë deri atëherë nuk e kisha parë madje as në ekran dhe lere më ta kisha takuar ndonjëherë Jusufin. Një mesditë tek sa me kolegët Avniun (Spahiun) me të cilin kishim filluar punën në të njejtin konkurs dhe Binakun (Kelmendi) që e njoha aty po zbrisnim në byfee për kafe, në një tavolinë në qoshe ishte ulur Jusufi me gazetën dhe kafen që kishte vënë përpara. Sapo e vërejti Binakun na ofroi që të uleshim në tavolinën e tij. Unë nuk njihesha me te por pasi më prezantuan Binaku dhe Avniu, Jusufi më dëshiroi mirëseardhje në gazetë sikur të isha njohur me te shumë kohë më parë. “Mulliq, jeni nga Gjakova apo” – më pyeti? Që nga ajo ditë bashkë me Jusufin dhe kolegët Binakun, Avniun, Gjatën shpesh po pinim kafe së bashku. Me te kishe çfarë të bisedoje ndërsa bisedat kishin aq domethënje për ne. Ai kishte sensin edhe për humor, ai dinte të të bënte për vete me thellësinë intelektuale që kishte, ai dinte të përqonte porosinë e bisedës përtej asaj që fliste në një ndejë të rëndomtë kolegësh. Në fillim Jusufi ishte bukur i kujdesshëm për atë çka fliste, por duke u bërë edhe unë pjesë e atij rrethi shokësh, duke më njohur edhe mua çdo ditë e më shumë nisi të mos rezervohej siç ishte në fillim. Fliste më hapur për çështjet, për preokupimet që kishim. Porositë e tij për ne gazetarët e rinjë, veçmas për mua, kishin rëndësi shumë, shumë domethënëse. Ai të bënte për vete jo vetëm me bisedat si kolegë por edhe me shkrimet që ato ditë po bënte duke përcjellë çdo ditë trupën artistike nga Shqipëria që po shfaqte vlerat e saj artistike gjithandej në qytetet e Kosovës. Ato shkrime ishin aq të guximshme e aq analitike sa ne gazetarëve që sapo kishim nisur punën na entuziazmonte shumë. Koha ecën dhe unë pas ndonja një vit e gjysmë shkova në shërbimin ushtarak, përderisa Jusufi në ndërkohë ishte i detyruar të emigronte në Gjermani ku kishte vazhduar misionin e tij atëdhetar. Nuk e kisha takuar më Jusufin pas kësaj kohe, ndërkohë që unë isha kthyer nga shërbimi ushtarak. Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 ndryshoi shumëçka në shoqërinë kosovare por edhe në tërë shtetin e atëhershëm ku bënte pjesë edhe Kosova. Tek sa po shtohej aktiviteti politik jugosllav kundër kërkesave politike që kishin shpërfaqë haptas shqiptarët, opinioni kosovar po shfaqte interesim të shtuar për të qenë sa më i njoftuar me ato që po thuheshin e po gatiteshin për Kosovën. Kësisoji unë pas shpalljes së një konkursi intern në “Rilindje” u emërova korrespondent i rregullt i gazetës në Beograd, atëherë kryeqytet i federatës jugosllave. Isha vendosur në një hotel në qendër të qytetit meqë ende nuk isha sistemuar në ndonjë banesë. Mbrëmjen e 17 janarit të vitit 1982, në katin e 5-të të hotel M. i shtrirë në dhomën 505, gogja i përgjumër, po dëgjoja lajmet e fundit të ditës të RB të orës 24.00. Mu bë se më ra muri sipër kur dëgjova lajmin e trishtë se “sot në Untergrupenbach të Gjermanisë, në një konflikt mes njëri-tjetrit u vranë vëllezrit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, krerë të lëvizjes irredentiste të Kosovës në Perëndim…”. Mbeta i stepur, pa njeri për të ndërruar fjalë për këtë tragjedi që kishte goditur lëvizjen e shqiptarëve në shtetet e perëndimit. Jusufi ishte intelektuali më i shquar, organizatori më i suksesshëm ndër grupet e organizuara të shqiptarëve që po vepronin në Perëndim dhe njeriu që gati ia kishte arritur që të bashkojë ato në një lëvizje të vetme dhe me një udhëheqje unike. Por, mu për këtë, dora e UDB-së jugosllave ishte e gjatë dhe ajo dinte ku të godiste. 

Mbeta pothuajse tërë natën pa gjumë duke menduar se si do të gjendem të nesërmen në mesin e komentimeve të kolegëve të shumtë korrespodentë nga republikat jugosllave por edhe nga bota. Unë kisha qenë koleg i Jusufit në “Rilindje” dhe nuk do të befasohesha nga pyetjet direkte të kolegëve tjerë për ate që kishte ndodhur. Beogradi po tubonte atëherë qindra korespodentë nga vendi dhe bota dhe natyrisht kjo vrasje makabre nuk mbetej pa jehonë. Sa do që pushteti përpiqej ta mohonte se ishte autor i këtij krimi, pak ishin ata gazetarë të akredituar nga jashtë që i besonin fjalët e zyrtarëve shtetëror. E pranoj se në atë situatë që isha e kisha shumë të vështirë të përmbahesha. Jusufi kishte qenë shumë vite gazetar i “Rilindjes”, aty kishte bërë emër, aty kishte lënë shokët e tij kur ishte larguar, aty kishte brymosur shumë nga pikëpamjet e tij. Dhe unë kolegu i tij i dikurshëm i punës tash po gjendesha në një mjedis aspak miqësor, në një ambient njerëzish që atij i kishin përgatitë çdo ditë pak e nga pak kurthin me propagandën për “krerë të irredentizmit dhe separatizmit” e deri sa erdhën tek finalizimi i këtij akti makabër. 

“I vrau UDB-ja”, më tha të nesërmen një shqiptar tek po pinim kafen si helm at mëngjes të rëndë në hotel M. E kisha njohur vetëm pak ditë më parë dhe e kisha të vështirë edhe të heshtja por edhe të komentoj diç me një person që po shoqërohesha e në esencë e njihja dhe më njihte shumë pak. Heshta por kjo heshtje sa edhe vet dhembja për Jusufin po më godiste në shpirt. Kurrë si atë ditë nuk e ndjeja peshën e vargut të Migjenit “O sikur ta kisha një grusht të fortë…”. 

Atë ditë në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit, korrespodentët e mediave gjermanfolëse Viktor Maier dhe Kristin fon Kol bënë pyetje direkte se a qëndron UDB pas vrasjes së tre shqiptarëve në Gjermani siç po flitet në Perëndim? Ndjeva një lehtësim në shpirt pas kësaj pyetje që shtruan, ballë të tjerëve, kolegët gjermanfolës në atë ambient ku ishin tubuar korrespodentë të mediave nga vendi dhe gjithë bota. Kjo pyetje natyrisht se nuk pëlqehej nga ata që kishin organizuar vrasjen!

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe kitarë

Filed Under: Komente

105 VJETORI (I FILLIMIT) TË KONFERENCËS SË  PAQËS NË PARIS, 18 Janar 1919- 18 Janar 2024

January 20, 2024 by s p

(PJESA E PARË)

 NDUE  BACAJ

Foto nga Konferenca e Paqës në Paris 

Data 11 nëntor 1918 , shënoi (zyrtarisht) fundin e Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj aleatët, fituese të luftës, SHBA-ja, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, thirrën Konferencën e Paqës në Paris, e cila filloi punimet zyrtarisht me 18 janar 1919, në një nga sallat luksoze të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, për të caktuar kushtet e paqës me Gjermaninë dhe aleatët e saj. Një çeshtje e ndërlikuar ishte ajo e Shqipërisë. Nga fundi i luftës, Franca kishte pushtuar krahinën e Korçës, kurse Italia pjesë të tjera të vendit. Konferenca e ambasadorëve në Londër me 1913 ia kishte shkëputur Shqipërisë gjysmën e territorit dhe popullsisë së saj. Pas kësaj, Traktati i fshehtë i Londres (1915) midis Italisë dhe Aleatëve u kishte premtuar Italisë, Serbisë dhe Malit të Zi, një pjesë të mirë të territorit të tkurrur të Shqipërisë. Një tjetër traktat i fshehtë, Marrëveshja Tittoni-Venizellos midis Italisë dhe Greqisë me 1919, do t’i  jepte goditjen përfundimtare coptimit të Shqipërisë (së njohur nga konferenca e ambasadorëve në Londer me 1913). Në këtë mënyrë, në Versajë Greqia pretendoi për territore të tjera në Shqipërinë Jugore, Serbia në Veri, kurse Italia portin e Vlorës me rrethinat. U bë një debat i madh nëse duhej njohur një shtet i vogël e autonom apo ta ndanin atë midis fqinjëve ballkanik. Shqiptarëve tani u duhej të luftonin më shumë se kurr për mbijetesën e tyre si komb….1.   Në konferencë morën pjesë gjithësei diplomatë nga 32 vende dhe kombësi. Konferenca ishte e dominuar nga kryeministri francez Georges Clemenceau, kryeministri britanik David Lloyd George, presidenti i SHBA Woodrow Wilson dhe kryeministri italian Vittorio Emanuele Orlando. Konferenca kishte si qellim të parë  vendosjen e kushteve të paqës për Fuqitë Qëndrore të mundura, Gjermani, Austro-Hungari e etj.  Vendimet kryesore të Konferencës rezultojnë në pesë traktate që riorganizuan hartat e Evropës dhe pjesëve të Azisë, Afrikës dhe Ishujve të Paqësorit, si dhe vendosën “gjoba” financiare (dëmshperblime) për  vendet humbëse si Gjermania, Austro-Hungaria  etjerë, të cilat si humbëse të luftës nuk kishin zë në diskutimet e Konferencës… Gjithashtu këtu mori “udhë” krijimi i Lidhjes së Kombeve…  Katërmbëdhjetë Pikat e deklaruara nga presidenti i SHBA Woodrow Wilson u bënë baza e negociatave dhe vendimeve të Konferencës.  Katër përfaqësuesit e ”mëdhenj” do të takoheshin joformalisht 145 herë dhe do të merrnin të gjitha vendimet kryesore përpara se të ratifikoheshin zyrtarisht nga konferenca… Me 28 qershor të vitit 1919, pesë vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, u nënshkrua Traktati i Versajës duke i dhënë fund kësaj Lufte. Konferenca e Paqës e Parisit, e njohur ndryshe edhe si Konferenca e Paqes e Versajës , e cila Gjermanisë me aleatët e saj, në nenin 231, i vendosi të gjithë fajin për luftën.2. Traktati i nënshkruar (me 28 qershor të vitit 1919)…. mori pjesë nga territori i Gjermanisë, i Austrisë dhe aleatëve të tyre, Bullgarisë e Turqisë, dhe krijoi shtete të “rinj”: Poloninë, Çekosllavakinë dhe Jugosllavinë. Ai krijoi edhe Lidhjen e Kombeve për t’i dhënë shtytje bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për të siguruar paqën….3.  Pasi u arritë traktati me republikën Gjermane me 28 qershor 1919, e njëjta gjë u bë edhe me aleatët e ish perendorisë së Gjermanisë: Austrinë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Në shtator të 1919, Austria nënshkroi traktatin e Shën Germenit, ndërkohë që dy muaj më vonë Bullgaria nënshkroi atë të Novilit. Për shkak të kryengritjes që ndodhi në Hungari, ky vend nënshkroi traktatin e Trianonit në janar të 1920; dhe për shkak të problemeve edhe më të mëdha të Lindjes së Afërt. Turqia nënshkroi në gusht 1920, traktatin e Savres. Këto traktate u nëshkruan nën mbikqyrjen e Këshillit të Përgjithshëm të fuqive të mëdha, i cili përbëhej nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu këto traktate iu diktuan vendeve të vogla të Ballkanit. Nuk është e nevojshme të përmendet se fuqitë e mëdha mbajtën anën e Serbisë, Greqisë dhe Rumanisë, vende të cilat përfituan në territore kundrejt Austrisë, Hungarisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Turqisë….4.  Më konkretisht, Konferenca e Paqes kishte dalë me pesë traktate: Traktatin e Versajës me Gjermaninë, Traktatin e Saint-Germain me Austrinë për Italinë, Traktati i Neuilly me Bullgarinë që u njoh pavarur, Traktati i Sèvres me Turqinë e cila u zhvesh nga të gjitha tokat arabe dhe nga sovraniteti ndaj ngushticave (Bosforit dhe Danardeleve) dhe Traktati i Trianonit me Hungarinë e detyruar të heqë dorë Galicia për t’ia dhënë Polonisë dhe Rumanisë rajonin e Transilvanisë. Në veçanti, Traktati i Versajës me Gjermaninë vendosi: të heqë dorë nga territoret e mëdha koloniale; t’ia japë Alsace dhe Lorraine Francës; të zvogëlojë ushtrinë e saj në 100 000 veta; t’ua paguajë të gjitha dëmet e luftës vendeve fituese dhe Belgjikës; t’ua kalojë aleatëve materialet e ndërtimit të anijeve, materialet hekurudhore dhe industriale, plus furnizimin e qymyrit për dhjetë vjet…. Traktati i Saint-Germain me Austrinë: Në praktikë, Austria u detyrua që Italisë t’ia dorëzonte Trentinon, Alto Adigen, Istrian dhe Pellgun e Epërme të Ishujve. Në vend të perandorisë së vjetër austro-hungareze u formuan republikat e Austrisë, Hungarisë, Çekosllovakisë dhe Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Ndërsa në Detin Baltik, në territoret që dikur i përkisnin Rusisë (pasi i mbante të pushtuara, N.B.), u krijuan shtetet e reja të pavarura të Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.5.  Serbia e Mali i Zi, megjithse mbanin troje etnike shqiptare të pushtuara që më 1912, ato kërkonin edhe veriun e Shqipërisë, e sidomos Shkodrën. Ndërsa Greqia donte Gjirokastrën dhe Korçën, ndërkaq, Italia e donte Vlorën me rrethinë…  Pra, më 1919, Shqipëria e cunguar rrezikonte ndarjen tjetër apo edhe zhbërjen. Fati deshi që presidenti amerikan Woodrow Wilson insistoi në parimin e vetëvendosjes së popujve, me çka përmbyten vendimet që janë marrë më 1915 gjatë Traktatit të Fshehtë të Londrës… Në këtë qëndrim pozitiv të palës amerikane, rol me rëndësi ka luajtur mërgata shqiptare në SHBA me në krye Fan Nolin dhe Faik Konicën….6.  Gjithashtu  Presidenti Uillson do të refuzonte kategorikisht të firmoste Traktatin e Paqës, derisa garantoi të drejten e Shqipërisë për vetqeverisje.7.   Në skenën botërore kishte dalë SHBA-ja, fuqia e re që kishte qenë vendimtare në fitimin e luftës nga aleatet. Pikërisht tek kjo, ishin mbështetur shpresat e Shqipërisë për garantimin e kufijve të saj (të pakten të vitit 1913). Jugosllavia e porsa krijuar dhe Greqia kishin ngritur një serë pretendimesh dhe nuk ishte çudi që kufijtë e 1913 të rrudheshin edhe më shumë. Aq më tepër, që Italia e cila kishte pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, ishte e bindur për të mos i lëshuar ato. Delegacioni amerikan, me ndërhyrjen edhe të Vatikanit, kishte marrë përsipër mbrojtjen e Shqipërisë. Por dukej se edhe ai vete nuk ishte shumë i qartë. Për të pasur një tablo të plotë, delegacioni i kryesuar nga Presidenti Willson ngarkoi konsullin e SHBA-se në Torino, zotin Jozef Haven të bënte një vizite në Shqipëri. Me letrën e rekomandimit ne xhep dhe me një mandat të Konferencës ëe Paqës, Haven zbriti në Vlore më 1919. Qeveria e Tiranës kishte caktuar për ta shoqëruar, Tefik Mborjen, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë dhe ish Ambasador i Shqipërisë në Romë. Mborja, i cili kishte pasur miqësi edhe më parë me Havenin, kreu një punë të mrekullueshme. Me të mbërritur në Vlorë, Haven hodhi poshtë ftesën e Gjeneral Piacentinit, komandantit italian të qytetit për të qëndruar tek ai. U vendos në shtëpinë e patriotit Qazim Kokoshi dhe më pas në shtëpinë e poetit Ali Asllani. Ai ra në kontakt me parinë e qytetit, e cila e bindi se nëse Italia nuk tërhiqej me dëshirë nga Vlora, problemi do të shkonte në ndeshje të armatosur. Haven mbeti i befasuar nga niveli i intelektualeve vlonjate. Në italisht dhe anglisht, ata i ofruan atij një tablo të panjohur, por mjaft dinjitoze të vendit të tyre. Ai u befasua sidomos kur një delegacion i grave të qytetit e siguroi në italisht, se ato do të luftonin bashkë me burrat nëse bëhej fjalë për të çliruar Vlorën. Konsulli u nis nga Vlora dhe Durrësi si dhe në Tepelenë, ku më të mbërritur, filloi një demonstratë e madhe pro SHBA-së, të cilën ushtria italiane, që mbante qytetin nuk mund ta ndalonte. Haven thotë se ai asnjëherë nuk kishte parë kaq shumë flamuj të SHBA-së, të valëviteshin me entuziazëm në erë. Nga Tepelena kaloi në Gjirokastër, ku Kryetari i Bashkisë Javer Hurshiti, bashkë me Jorgji Meksin dhe Thoma Papapanon, i bënë një pritje madhështore. Ai ishte në shtëpinë e Kryetarit të Bashkisë, kur e lajmëruan se jashtë ishte mbledhur gjithë populli i qytetit për ta përshëndetur. Një delegacion, i përberë nga ish emigrante në SHBA, erdhi për t’i sjellë mjaft dhurata dhe për ta përshëndetur në anglisht. Ai nuk kishte mbaruar ende me ta, kur një tjetër delegacion, i kryesuar nga Lame Kareco dhe Eftim Cako i kërkoi takim dhe i deklaruan se Gjirokastra është tokë greke dhe dëshira e popullsisë se saj është një bashkim i shpejtë me Athinën. Kjo dergatë provokoi mërinë e popullit të mbledhur përpara shtëpisë se Kryetarit të Bashkisë dhe konsulli u bë dëshmitar i një mërie kolektive, që desh përfundoi me vrasjen e delegateve pro greke.  Në Përmet, Leskovik dhe Kolonjë, konsulli amerikan u prit me nderime dhe me kërkesën që këto qytete të mbeteshin nën kontrollin e qeverisë së Tiranës. Problemi më i madh që në Korçë ku despoti Jakov dhe një elbasanas i quajtur Efem i bënë thirrje të gjithë të krishterëve të demonstrojnë për një bashkim me Greqinë. Por Haveni u vendos në shtëpinë e një misionari amerikan, të quajtur Kenedi, që e njihte mjaft mirë qytetin. Kenedi e siguroi atë se Korça është thjeshtë shqiptare dhe ketë ja konfirmoi edhe Komandanti i trupave franceze të qytetit. Një konfirmim me të zjarrte mori edhe nga komandanti francez në Pogradec, majori Mortier. Francezi i tha se gjithë popullsia aty ishte shqiptare dhe se shqiptarët janë një popullsi e mrekullueshme, aq sa atij i vinte keq që nuk ishte shqiptar. Pas një vizite po kaq të suksesshme në Vuno dhe Delvine, ku u prit nga Leonidha Frasheri, Jozef Haven përpiloi pjesën e parë të raportit, atë për kufijtë e Jugut. Materiali u dërgua me urgjence në Ambasadën amerikane në Romë dhe që këtej, brenda javës u vendos mbi tavolinën e punës së Uillsonit në Versaje.
Haven vazhdoi vizitën e tij në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Krujë ku gjeti po atë entuziazëm. Ai shoqërohej kudo nga Tefik Mborja, që duket se luajti një rol kyç. Raporti përfundimtar u hartua një muaj më pas dhe ishte vendimtar për qëndrimin amerikan. Uillsoni nuk pranoi asnjë korrigjim në kurriz të kufijve të Shqipërisë dhe u ngarkua Lidhja e Kombeve të përcaktonte kufijtë fizike të saj…8.  Vlenë të shënohet se në pallatin historik u bë vetëm nënshkrimi i traktatit të parë, ndërsa negociatat u zhvilluan në Quai d’Orsay në Paris, gjithashtu, megjithëse Konferenca e Paqës vijoj punimet me intervale deri me 21 janar 1920, procesi formal i paqës nuk përfundoi në të vërtetë deri në korrik 1923, kur u nënshkrua Traktati  Lozanës.9.  Konferenca e Paqës do t’i  njihte Shqipërisë ligjimitetin e vetqeverisjes si komb, Brenda kufijve të përcaktuar me 1913, dhe urdhëroi kombet fqinjë të tërhiqeshin në këta kufij…10.  “Presidenti Uillson bëri më shumë se kushdo për pavarësinë e Shqipërisë”. Sa cinike tingëllon deklerata e regjimit komunist ateist  shqiptar 65 vjet më vonë se: “Qeveria sovjetike , me në krye Leninin , ishte e vetmja që vertet e mbështeti dhe e mbrojti kombin  e shtypur… Kur në të vertet ishte Presidenti amerikan Uillson, aleati i besueshëm i popullit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave  kombëtare” (Nalb. 1984, 3:25).11.  

SHQIPTARËT DHE KONFERENCA E PAQËS NË PARIS ! 

REFERENCAT:

1.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.404, Tiranë 1995.  

2.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.   

3.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406, Tiranë 1995, Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987.

4.Ferdinand Schevill, BALLKANI, Historia dhe Qytetrimi, fq.407-408, sh.b. Uegen, Tiranë, 2002.  

5. https://www.voal.ch/18-janar-1919-ne-paris-filloi-konferenca-e-paqes/multimedia/dossier/.

6.https://telegrafi.com/viti-1919-konferenca-e-padrejtesive/  

7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920. 

8.https://fjala.al/2021/06/28/konferenca-e-paqes-ne-paris-si-u-vendosen-kufijte-e-shqiperise-pas-luftes-se-madhe/.  

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Paqes_e_Parisit_(1919%E2%80%931920.    

10.Gazeta “Liria, nr.2, dhjetor 1987.. 

11.Edwin Jacques, Shqiptarët , Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.406-407. 

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1189
  • 1190
  • 1191
  • 1192
  • 1193
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT