• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

107 vjet nga Komisia Letrare e Shkodrës 

September 1, 2023 by s p

Bledi FILIPI /

E ngritur me mbështetjen e Konsullatës dhe Komandës së Lartë Austro-Hungareze në Shkodrën e 1916-s, Komisia kishte si qëllim të zhvillonte më tej zgjidhjen e problemeve të arsimit dhe të gjuhës letrare shqipe pas Kongresit të Manastirit.( B.Beci ,Hist. Stand. 2010).

Komisia Letrare e Shkodrës u themelua  106 vjet më parë, pikërisht më 1 shtator 1916, kjo qe një ngjarje e shënuar në jetën kulturore të kombit shqiptar. Ajo i vuri vetes detyra të mëdha, të shumta e të rëndësishme. Ajo shfaqet mbi përmasat e një komisioni dhe mund të krahasohet me kongreset arsimore të mbajtura në Shqipëri.  Kjo Komisi qe një hap tjetër i rëndësishëm kombëtar pas atij të Kongresit të Manastirit 1908. Këtu po hidheshin themelet e standartizimit të shqipes. 

 Këtu bien në sy:

Patriotë dhe personalitete të shquara të kulturës kombëtare, siç janë : Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Në komisi morrën pjesë edhe albanologë të huaj si : Maksimilian Lamberc ( Vjenë) e  Rajko Nahtigal (Grac).

  Organizimi i shkëlqyer i Komisisë dhe veprimtarive të saj.

Konceptet e qarta teorike lidhur me rrugët e mundshme të formimit të gjuhës  zyrtare të përbashkët shqipe, pa e shkëputur këtë  çështje madhore të kombit me rregullat ortografike dhe duke pasur parasysh , mbi të gjitha,  detyrën e afrimit të dy dialekteve.

 Komisia e themeluar u thirr më pas më  11 dhjetor 1916 , në të cilën u diskutua  çështja e gjuhës së përbashkët,  si një çështje e rëndësishme kombëtare.  Pas debateve  shkencore u vendos  dhe u miratua njëzëri teza e Gurakuqit për zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë shkrimi.

  “ Tue qenë se djalekti i Elbasanit  edhe ndë pikpamjen  e formavet, por sidomos ndën pikëpamjen e sintaksës asht si jë urë  në mes toskërishtes dhe gegërishtes, duhet të zgjidhet si gjuhë shkrimi me ato rregulla orthografike qi të na duken të drejta e t’arsyshmet. Po tue dhanë  këtë vendim Komisia Letrare  duhet të mbaj gjithmonë para sysh  detyrën,  qi të bahen kërkimet e nevojshme , qi të gjinden forma të mesme , të cilat t’afrojnë  ndryshimet djalektologjike të dy dialekteve” ( L.Gurakuqi , Shënime  1967).

 Këtë tezë të tij Gurakuqi e formulon dhe do t’ia paraqesë Komisisë. 

Kjo Komisi e cila do të shtrihej në vitet 1916-1918,  do t’i ngarkonte më 1917 prof. Rajko Nahtigal,  Gjergj Pekmezit dhe Ndre  Mjedës  të bënin një ekspeditë hulumtuese në Elbasan e rrethina.

Nahtigal për të folmen e Elbasanit thekson: “  do konsideruar si një e folme kalimtare midis gegërishtes dhe toskërishtes. Si e folme në aspektin sintaksor paraqet , sintezë të shfaqjeve autoktone shqipe, më së paku me ndikime të huaja”. ( R. Nahtigal f. 17).

Komisia Letrare e Shkodrës mori disa vendime themeltare për njësimin e drejtshkrimit :

a) Grupet e bashkëtingëlloreve do të shkruheshin të plota: mb, nd e ng. Pra, ashtu si i kishte toskërishtja, dhe si i kishte pasë historikisht gegërishtja;

b) Togjet e zanoreve ue, ye dhe ie do të shkruheshin të plota  (përveç ue që në toskërishte ishte ua), e ndonjë nëndialekt i gegërishtes megjithëse në elbasanishte ishin rrudhë në u, y dhe i;

c) Vendosja dhe përdorimi i ë-ve të patheksuara të cilat gegërishtja nuk i kishte, por i kishte toskërishtja; ë-ja fundore në fjalët punë, vajzë, lugë; ë-ja e patheksuar në trup të fjalës: shëndet, këndue, rrëfye; ë-ja fundore do të përdorej edhe te mbiemrat: i butë, i mirë, i shpejtë etj.

ç) Gjatësia e zanoreve do të shënohej vetëm në vepra gjuhësore. (Gjatësia e zanoreve ishte një veçori kryesisht e gegërishtes);

d) formanti ‘u’ do të shkruhej i ndarë si ‘u lava’. 

dh) shkrimi i përemrave sot ka shumë pak ndryshime prej atyre që  janë vendosë nga KLSh-ja;

e) emrat do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme: zog–zogu (jo zok – zogu), etj.

f) mbaresat rasore do të shkruheshin –së, –në, –të, qysh nuk i kishte elbasanishtja.

Siç shihet  vendimet  e Komisisë Letrare të Shkodrës  i dhanë një shtysë të madhe krijimit të një gjuhe të përbashkët. Ajo hartoi  rregullat  e ortografisë , që do të shërbenin për rregullat e mëvonshme, përpiloi lista të gjera fjalësh , ku zbatoheshin rregulla , u kushtoi vëmendje edhe  parimeve të terminologjisë dhe teksteve shkollore.

Komisia Letrare e Shkodrës  me vendimet  e saj çoi  më tej njësimin e gjuhës shqipe e drejtshkrimin e saj. Ajo afroj shumë dy variantet në shkrim dhe për nga rëndësia ajo  radhitet pranë Kongresit të Manastirit.

Rregullat e saj qenë një pikë e fortë orientuese për studimet e gjuhëtarëve të mëvonshëm.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE NË “RIVA DEL GARDA”, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË ITALISË

September 1, 2023 by s p

Nereida Xhakolli, mësuese e shkollës shqipe në “Riva del Garda” të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në “Riva del Garda”, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Nereida Xhakolli bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I MËSIMIT SHQIP NË “RIVA DEL GARDA”

Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptar të lindur në “Riva del Garda” filloi pikërisht në vitin shkollor 2019\2020, vetëm 8 vjet mbas themelimit të shoqatës të solidaritetit ndërkombëtar Onlus RINIA ( 23 maj 2011) nën kujdesin e Presidentit të saj Erio Korani. Kjo shoqatë zhvillon veprimtarinë e saj jo vetëm në Riva del Garda e në territorin italian por realizon projekte të ndryshme edhe në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, në vënde të ndryshme të Ballkanit. Ky kurs i gjuhës shqipe zhvillohet çdo të shtunë në orët e mbasdites pranë ambienteve të shkollës fillore të qytezës e më vonë pranë një ambienti të veprimtariva mbas-shkollore, ambient i vënë në dispozicion nga bashkia e Riva del Garda. Hapja e këtij kursi pranë kësaj shoqate, ishte një dëshirë e prindërve të fëmijëve të lindur jashtë territorit të Atdheut mëmë, që u bë dhe objekt që shoqata duhej ta realizonte për anëtarët e saj e jo vetëm. Unë si mësuese së bashku me mësuesen Aida Daci, dy ish- mësuese në profesion në Shqipëri dhe që me këtë rast misioni ynë ka vlera akoma më të mëdhaja dhe përgjegjësi të dyfishtë, u përgjigjën menjëherë kësaj domosdoshmërie.

AKTIVITETET KULTURORE NË SHËRBIM TË MËSIMIT SHQIP

Eksperienza ime si mësuese prej disa vjetësh në kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe më ka dhënë mundësi të përdor pothuajse të gjitha tekste mësimore të mësimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët e lindur jashtë trojeve të Atdhuet. Të bazuara gjithmonë në moshën që kanë fëmijët që ndjekin kursin, në livelin e të folurit dhe të shkruajturit (nëse e përdorin shkrimin) të gjuhës shqipe si të tyre ashtu edhe të prindërve arrijmë të bëjmë zgjedhjen e materialeve më të përshtatshme për sejcilin prej tyre. Dihet që fëmijët që ndjekin kurset janë të moshave të ndryshme, me prejardhje nga zona të ndryshme jo vetëm të Shqipërisë por edhe nga Maqedonia, Kosova. Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm, sepse nëse prindi nuk sjell fëmijët e mbi të gjitha nëse prindi nuk flet shqip, ne si mësues apo shoqatë mund të bëjmë pak ose asgjë. Duhet prindi të jetë i vetë-ndërgjegjshëm për mësimin e gjuhës shqipe, kulturës, traditave. Thirrja më e bukur dhe e cila arrin direkt tek fëmijët janë aktivitetet e ndryshme kulturore-artistike të cilat zhvillon shoqata në territor ku flitet, recitohet, këndohet aq bukur në gjuhën shqipe, ku kërcehet vallja shqipe, ku artistët janë të veshur me kostumet tradicionale e janë pikërisht vetë prindërit e tyre.

GJUHA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR

Mësimi i gjuhës shqipe është e vetmja formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Itali dhe kjo gjë sot po e realizojne vetëm mësuesit vullnetar prej gati mbi 15 vjet (tani pothuajse në çdo qytet italian sepse shoqatata e para të krijuara në Itali në 1991 e kanë pasur aktivitetin themelor të veprimtarisë së tyre). Fjalën *mésim* ne e shohim dhe e zhvillojmë në shumë sfumatura ( të folurin, të lexuarin, të treguarin , recitimin, punët e ndryshme të dorës……shikimin e një filmi….Brezi ynë duhet të ketë si pikë referimi në trashëgiminë e gjuhës shqipe dhe të traditave kombëtare arbëreshët që edhe pse kanë kaluar mbi 500 vjet që janë larguar prej atdheut nuk e kanë harraur gjuhën mëmë. Kohët e fundit duke parë që mësuesit po njihen me njëri-tjetrin falë aktiviteteve të ndryshme ndërmjet shoqatave, shkëmimet e eksperiencave, ideve të ndryshme në krah po u gjendet për materialet shkollore e jo vetëm edhe Qendra e Botimeve për Diasporën dhe viti i sivjetshëm shkollor do jetë viti i parë ku kurrikula mësimore e dy shteteve Shqipëri e Kosovë do jetë e përbashkët.

INTEGRIM DUKE RUAJTUR RRËNJËT TONA

Në territorin ku ne zhvillojmë veprimtarinë tonë në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës, traditave dhe kostumeve tona, shoqëria italiane e ka mirëpritur me kënaqësi sepse integrimi është nevojshmëri kurse trashëgimi i gjuhës është domosdoshmëri. Duhet të integrohemi në shoqërinë e re por pa i shkëputur rrënjët. Pa ditur nga vijmë nuk mund të përcaktojmë si objektin ku duam të arrijmë dhe ç’rrugë duhet të përshkruajmë për të arritur.

DYGJUHËSIA SI NJË LEVË MË SHUMË

Për momentin ne nuk kemi përdorur mësimdhënien përmes teknologjisë, ndërsa dygjuhësia nuk është aspak e parë ose më mirë të them që po punojmë me prindërit që dygjuhësia të mos shikohet si veshtirësi por përkundrazi një levë më shumë, një pasuri që kanë këta fëmijë. Aq më tepër që kjo moshë ( 6-13,14 vjeçar ) është mosha ku truri i fëmijëve, adoleshentëve është si sfungjeri…..vetëm thith e vjen një ditë që ato çka përvetësuar do i reflektojë akoma edhe më të pasura.

KUSH ËSHTË MËSUESE NEREIDA XHAKOLLI?

Nereida Xhakolli është lindur në qytetin e Korçës në 4 shtator 1969 dhe rritur në qytetin muze të Beratit ku ka mbaruar edhe gjimnazin Bab Dud Karbunara. Vazhdon studimet pranë Universitetit “Luigj Gurakuai” në qytetin e Shkodrës, studime të cilat i mbaron me sukses dhe diplomohet si mësuese në degët matematikë- fizikë. Nereida vjen nga dy familje patriote; nga babai i cili ka origjinë nga Skrapari dhe pikërisht nga familja Xhakolli që është shumë e njohur për vlerat kulturore dhe patriotike…. dhe nga nëna me origjinë korçare nga familjet Jazexhiu dhe Zhgaba…. edhe këto dy familje po aq të njohura për këto vlera……Mbas mbarimit të studime e fillon punë si mësuese në gjimnazin e qytetit të Beratit por meqë Nereida është një prej studenteve të grevës së urisë në Shkodër në vitin 1992 për të ishte e domosdoshme largimi nga Atdheu dhe kështu nis rrugëtimi i saj si emigrante; më parë në Greqi dhe më pas drejt Italisë ku dhe ndodhet aktualisht prej vitit 2002. Nereida gjithmonë ka etje për studime e mbi të gjitha për tu trasmetuar brezit dhe qytetarëve italian e jo vetëm vlerat pasurinë kulturore dhe historike që Atdheu ynë ka. Për këtë Nereida përdor gjëndjen e saj në mënyrë vullnetare pranë shoqatave të ndryshme kukturore dhe shoqërore që ndodhen në qytetin e saj Rovereto e përreth; e jo vetëm! Në 7 mars 2013 hap shkollën (kursin) e parë shqipe me mësues Osman Parruca e më vonë një tjetër shkollë atë në Riva del Garda në 2019 me mësuese Aida Daci ku vazhdon edhe sot e kësaj dite. Eksperiencën e saj e ka trasmetuar edhe në qytete të ndryshme të Italisë ku ka qënë e ftuar si në Parma, Pesaro, Urbino, Brescia etj. Është një prej nismëtareve të grupit që ka realizuar të ngrejë Flamurit kombëtar pranë Kambanës së Paqes në Rovereto – Itali në 2010. Për dy legjislatura ka qënë kryetare e komisionit për arsimin dhe kukturën pranë FNAI, me iniciativën e së cilës është bërë e mundur në 28 shkurt 2018 edhe takimi i parë në Itali të të gjithë mësuesve shqiptar vullnetar që mësojnë SHQIP fëmijëve të lindur këtu. Nereida është edhe një koleksioniste e kostumeve kombëtare. Të gjitha materialet mësimore didatike në vitet e para i solli nga Shqipëria me shpenzimet e saja e më vonë ( meqë puna e mësuesve po ndihet edhe në Atdhe tek organet kompetente) nëpërmjet Qëndrës së Botimeve për Diasporën e këtu falenderoj Mimoza Hysa dhe stafin e saj ) si dhe Konsollatën Shqiptare në Milano me Luljeta Çobanajn.

Filed Under: Opinion

INSTITUCIONI MAKS VELO

September 1, 2023 by s p

Visar Zhiti/

…do të donim që sonte Maks Velos të mundej t’i uronim datëlindjen e 88-të pranë një gote me verë në studio në shtëpinë e tij, mes veprave të shumta, pikturë dhe libra dhe të dëgjonim pakënaqësitë e tij prej intekektuali të lartë, nevrikosej shpejt dhe po ashtu qeshte çiltër, çelej dhe dukej më i bardhëllemtë.

Po si ta urojmë kur ka 4 vjet që ka ikur, veçse qiellërisht…

E njoha në burg, e kisha dëgjuar si arkitektin “postmodern”, që u dënua për pallatin kubist që projektoi ai për shkrimtarët dhe artistët e Realizmit Socialist në Tiranë. Kur e burgosën, ia dogjën pikturat.

– Po pallatin e shkrimtarëve nuk e hodhën në erë me dinamit si vepër e një armiku, – i thosha.

– Jo, jo, – lemerisej duke qeshur. Le që na paskësh lindur në Paris, thoshin, si guxoi, shumë e dëmshme kjo për regjimin.

– Vërtet në Paris ke lindur?

– Dale, prit, e ç’të keqe ka? E keqja është që erdha, ha-ha-ha… kujdes, se po na afrohet një nga ata, spiunët.

Ishim miqësuar shumë. Dhe i kërkoja të bënte ndonjë kopertinë për librat që sajoja me fletë të grisura revistash dhe m’i qepte këpucari i burgut. Maksi u ngjiste gërmat apo ndonjë figurinë, edhe ai nga gazetat a revistat e Partisë i priste, e kam treguar në librin “Rrugët e ferrit”. Maksin e kam personazh të dashur.

Miqësia vazhdoi dhe pas burgut. Në ekspozita të tij donte të flisja veç unë në përurim dhe unë i kerkova të më bënte kopertinen e librit me poezitë e burgut, që mori dhe çmim…

Kur na erdhi në Romë në shtëpi, unë punoja në ambasadë atëhere, vizatoi tim bir, Atjonin e vogël.

Maksi vazhdonte të pikturonte ashtu siç e kishte nisur, impresionist parak, kishte diçka nga Paul Gauguin si në shpellat e tij, i veçantë, modern, silueta të zeza dhimbjesh me duart me pranga, e donte shumë ngjyrën e zezë, botoi albume, tregime e poezi, prozë të gjatë për burgun ikte jashtë shtetit, zemërohej me të gjithë, kritikonte politikanët, fanatikët, ishin më të shumtë ata që e donin, e ftonin kryeministra, presidentë, po edhe i shante, rebelohej, diskutonte në studioi televizive plot me gjestikulacione, ngiste makinën në moshë madhore nëpër Tirane, rrinte me vajza të reja, etj, etj.

Ishte plot me ide e imazhe, fliste ashpër kundër politikave të mbrapshta, antikulturore, korrupsionit, kaosit arkitektonik ashtu si dhe mendjet e çoroditura postdiktatoriale.

Europian në shije, institucion i gjallë, i thosha. Dhe njeri andej e tjetri këtej, e humbëm njeri-tjetrin.

Më në fund u bëmë prapë bashkë. Shkuam në Varshavë, na kishin ftuar në Senatin Polak, me mua ishte dhe Eda ime, që tregonte një përkujdes të veçantë për Maksin, në tryezën e ngrënies, në shëtitje. Mbas fjalës që ai mbajti, dhuroi në presidium albume të tij. Do të qeshte çiltër me fjalën time. Unë kisha thënë se vendi im politikisht i ngjan një “handicappati”, ka dy krahë të majtë, por njerin e ka ngulur djathtas, dy këmbë të majta, njërën e ka djathtas, por i sigurova të pranishmit në takim, përfaqësues nga Europa Lindore dhe Qendrore, se në vendin tim nuk kishte rrezik të kthimit të komunizmit, nga që s’kishte ikur akoma. Më përqafoi një delegat i Ukrainës.

Në aeroport na vunë në sallën e VIP-ve. Unë tregoja për Maksin. Ndillte adhurim, fytyrë gjerë si e gdhendur në gur, me ballin të lartë dhe të pjerrët, sy xixëllues me vetulla leshtore, trup madh si një Heminguej, kështu shkruajta një artikull tjetër në gazetën “Panorama”, Maks Velo – një institucion.

Takimi i fundit ishte në studio në shtëpinë e tij dy katëshe, të pasuvatuar nga jashtë, me lule dhe qen. Nuk kam shtëpi, ankohej, është e vëllait.

Na mahniten punët e tij te reja, por më shumë kur ai i dhuroi Edës të gjitha vizatimet që kishte për Nënë Terezën, skica, akrilik, vaj, madje me lejen e tij, Eda një portret të bukur të Shenjtes e dhuroi në SHBA, qendrës kulturore “Nënë Tereza”, pranë kishës shqiptare në Detroit.

Të ishte një amanet i tij? Se në vitin më pas iku… në Qiell.

Filed Under: Kulture

Testamenti i Ali Podrimes

September 1, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta

e të shpërthej do si vullkan:-

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

Unë biri yt.

Ali Podrimja

Një nga botimet më të hershme të poetit Ali Podrimja në Shqipëri ishin disa poezi të tij një përmbledhje poetike të poetëve kosovarë “E di një fjalë prej guri” në vitin 1971 Përmbledhja poetike ishte një antologji e poetëve më të mirë kosovarë duke filluar nga Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti etj që sillnin një aromë të re modernizmi në poezinë shqipe që dhe vetë po përjetonte një periudhë të tillë por që shumë shpejt do të ndryshonte dhe do ngurtësohej nën presionet e artit të Realizmit Socialist. Titulli i përmbledhjes qe zgjedhur nga një poezi e Azem Shkrelit, por e gjithë përmbledhja shprehte forcën përfaqësuese të poezisë dhe artit të tyre. Hierarkia e artistike dhe e vlerave është e çuditshme, sepse sa herë që kërkon të imponohesh vjen një moment që koha të zhvlerëson dhe të jep vendin e merituar si ndodhi me plot bardë të Realizmit Socialist në Shqipëri që sot kanë mbetur vetëm si shkrues të zakonshëm në historinë e letërsisë, kurse arti i vërtetë përmes poemave të Podrimes i kanë dhënë atij një emër të merituar në panteonin e letrave shqipe. Kosova në këtë përmbledhje poetike rrugëtonte drejt Shqipërisë , në nivel artistik përmes vargjeve të poetëve të saj si e gurtë, e ashpër dhe e vuajtur sepse të tilla ishin dhe vuajtjet e saj në përpjekjet për të formësuar dhe ruajtur identitetin e veçantë mes federalizmit të sllavëve të jugut. Përmes dhimbjes dhe pikëllimit shekullor të ndarjes me forcë nga trungu amë, vargjet e poetëve të saj ishin sa vargje për bukurinë krenare të viseve shqiptare po aq dhe vajtime për fatin e shqiptarit modern kosovar të ngujuar mes dy ideologjive kinse të afërta bazuar në internacionalizimin proletar por që në thelb po i bluanin identitetin e shqiptarit të Kosovës si dy mokra mulliri.

Filozofi i lashtë Platoni në veprën e tij “Republika”, një traktat filozofik për mënyrën sesi duhet ndërtuar shteti i përjashtoi poetët nga të gjitha funksionet drejtuese duke pretenduar se me artin e tyre dobësojnë shpirtin luftarak të qytetarëve, një gjykim që në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të gabuarat e tij pasi imagjinoni se çdo të ishte arti antik grek pa epopetë homerike të Iliadës dhe Odiseut, art që për shumë shekuj u bë një art frymëzues i ringjalljes shpirtërore të Evropës. Po kështu ringjallja shpirtërore e Kosovës shumë më shpejt se demonstratat dhe lëvizjet e armatosura për pavarësi erdhën përmes vargjeve të poetëve të saj ku mes tyre shquante poezia e Podrimes “Unë biri yt Kosovë”. Vargjet e tij do të ishin gjithmonë në gëzimet dhe pikëllimet e popullit të vet martir si një libër i hapur për cilindo që dëshironte të njihte Kosovën. Podrimja ishte natyrë e heshtur, larg fanfarave dhe dritave që poetët diletantë shpesh herë na mërzisin dhe bombardojnë nëpërmjet medieve por arti i tij ishte i madh dhe merrte akoma më tepër jetë nëpërmjet zërit të butë dhe meliodoz të tij. I gjithë brezi im i mësuar me një fotografi bardhë e zi të zmadhuar të gazetës “Drita” të fundit të viteve 80 , fotografi që sipas të gjithave gjasave ishte zmadhuar sipas klisheve të artit socialist për të treguar se poeti është impozant dhe në jetën e tij private, u shtang në vitet 90 kur e pa për herë të parë poetin e famshëm me trupin e pakët dhe sytë e drojtuar por me fjalën zjarr. Tek Podrimja dukej sikur qëllimisht fjala shqip kish zgjedhur një njeri me trup të pakët për të mos trembur njeri sepse kumtet shqiptare të fund shekullit të XX ishin të tilla që nuk mund të linin asnjë njeri të civilizuar pa u prekur.

Fjala shqip kish dy dekada që përmes artit të Podrimes fluturonte në qiejt evropianë për të rrëfyer bukuritë dhe tragjeditë e një kombi të vogël që vuante nën një regjim kolonial në fund të shekullit të dritës dhe në mes të Evropës. Shuarja e tij, sepse të lashtët gjithmonë kanë besuar se poetët janë yje që shuhen dhe fill pas tyre kombi ashtu si fëmijët mund të thotë një dëshirë, mund të kumtojë atë që ai kish kënduar që në 1981 për Parisin se mbrapa do i lëmë pas shpine netët ballkanike, vallet , këngët , baladat dhe vetëm fyellin do marrim ti biem sa herë që do na rrokë malli . Rrugëtimi i kombit të tij për në Evropë pat filluar që herët nga poezia e tij me trajektoren moderne të përcaktuar qartë se pas do i lëmë mëritë ballkanike por kurrë s’do harrojmë identitetin tonë nëpërmjet melodive tona të luajtura me fyell që për shqiptarët është instrument magjik i vetëvendosjes së tyre, sigurisht jo “Fyelli Magjik” i Moxartit por ai i melodive ilire dhe këngëve të Naimit.

Lamtumirë poeti ynë që sa ishe gjallë na i kumtove të gjitha e tash e tutje sa herë duam të njohim vetveten do rikthemi sërish te arti yt sepse aty do gjejmë vetveten dhe të ardhmen. Në lajmin e fundit nga Podrimja u tha se shkaku i vdekjes ishte dehidratimi, por unë s’besoj se poetët vdesin nga mungesa e ujit sepse ata janë det fjalësh ku mund të lundrojë një komb i tërë, por poetët vdesin nga ëndrrat e paralizuara dhe për këtë gjë nëse duam ta nderojmë deri në çastin e fundit le ta bëjmë Shqipërinë e Kosovën se ky është amaneti i tij ashtu si kanë qenë amanetet e poetëve tanë që nga Naimi e Fishta e me radhë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dorian Koci

95 VJET NGA SHPALLJA E MONARKISË PARLAMENTARE NË SHQIPËRI

September 1, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

95 vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1928, një Asamble Kushtetuese e cila ishte zgjedhur me votimet që u mbajtën më 16 gusht të atij viti dhe që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në Monarki parlamentare. Dhe duke shpallur kryetarin e Republikës, Ahmet Zogun, si Mbret të Shqiptarëve.

– PSE DUHEJ NDËRRUAR FORMA E REGJIMIT?

Sipas shkrimeve të shumta të botuara në organe të ndryshme të shtypit shqiptar ato ditë që Kryeministri dhe njëkohësisht Presidenti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, po vinte mbi krye kurorën e Skënderbeut, thuhej se: “Shumica e shqiptarëve në vitin 1925 kur u bë shpallja e republikës nuk ishin të kënaqur me atë formë regjimi që dukej se nuk ua përmbushte dëshirat e tyre për një lloj qeverisjeje më të mirë të vendit. Traditat dhe mentaliteti i shqiptarëve i pengonte ata të kuptonin idealet e një republike dhe vendimet e herëpashershme të parlamentit, nuk po zgjidhin problemet më urgjente që kishte vendi me gjithë ndërrimet e shpeshta të qeverive. Në ambientet dhe qarqet zyrtare gjithnjë e më shpesh po dëgjohej se: Me një mbretëri të konsoliduar e të trashëguar do të sigurohej vazhdimësia e regjimit të brendshëm në krahasim me pozitën e Presidentit të Republikës, që nuk ishte shumë i mbrojtur përpara precedentëve që jo rrallë e rrezikonin seriozisht atë”.

– SHTIMI I NJË PARAGRAFI NË STATUTIN E REPUBLIKËS

Në këto kushte në qershorin e vitit 1928, pas krijimit të qeverisë së re, Presidenti Zog, në emër të qeverisë dhe të deputetëve të Parlamentit, me qëllim që: për t‘i dhënë shtetit shqiptar një formë definitive regjimi, në kushtet dhe situatën e krijuar, dekretoi datën 5 gusht 1928, si ditë për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese, ku do të bëhej një rishikim i mundshëm i Kushtetutës në fuqi. Kështu, të dyja dhomat e legjislativit, Senati dhe Dhoma e Lartë e Deputetëve, në bazë të dëshirave që po shfaqnin shqiptarët dhe duke ndier nevojën e një rishikimi të përgjithshëm të statutit, me qëllim edhe për ta bërë atë më të përshtatshëm, në një mbledhje të përbashkët që kishte formën e një asambleje legjislative, e cila u mbajt më 6 qershor të atij viti, vendosi me unanimitet të plotë për shtimin e një paragrafi në nenin 141 të Statutit të Republikës, në të cilin thuhej: “Rishikimi i përgjithshëm i statutit i përket vetëm Asamblesë Konstituente”. Shtimi i këtij paragrafi në statut bëhej me qëllim që kur të shtrohej nevoja e rishikimit të përgjithshëm të statutit, të dy dhomat, konsideroheshin automatikisht të shpërndara dhe menjëherë dekretoheshin zgjedhjet për Asamblenë Konstituente.

– DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE TË REJA MË 17 GUSHT 1928

Në po atë mbledhje të datës 6 qershor, të dy dhomat morën vendimin unanim për shpërndarjen e tyre, duke i hapur rrugë Asamblesë Konstituente që të hartonte e të votonte një statut të ri.

Në mbështetje të këtij paragrafi të shtuar në statut dhe vendimit të marrë prej asamblesë legjislative për shkrirjen e dy dhomave, u dekretuan zgjedhjet për t‘u mbajtur më datën 17 gusht 1928.

Këto zgjedhje u zhvilluan në afatin e ditën e caktuar dhe me një rregull e qetësi perfekte për t‘u admiruar, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë në zgjedhjet e zhvilluara që nga hapja Parlamentit të parë shqiptar në 21 prillin e vitit 1921.

Ato zgjedhje u zhvilluan me proporcionin: një asamblist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që kalonte numrin e 7.500 banorëve, me votim indirekt, duke bërë kështu zgjedhje korrekte në të gjitha prefekturat e Shqipërisë, si: Shkodra, Kosova, Dibra, Durrësi, Elbasani, Berati, Korca dhe Vlora. Një javë më vonë, më 25 gusht 1928 u hap Asambleja me mesazhin e Kryesisë së Shtetit, i cili u lexua nga ministri i Drejtësisë, Hiqmet Delvina, i pari që ishte në radhën e ministrave.

Në fjalën e tij, në mes të tjerash ministri Delvina u shpreh: “Kryesia e Shtetit Shqiptar në këtë moment historik ndjen gëzimin ma të madh t‘ju përshëndes, Ju Etën të këtij Kombi Sovran, dhe t‘ju thotë mirseardhët dhe dalshi faqebardhë në misionin e naltë që iu ka ngarkuar kombi”.

Në mbyllje të fjalës së tij, ministri Delvina u shpreh: “Kryesija e Shtetit dhe gjithë organet e sajë duke pasur respektin ma të madh kundrejt sovranitetit të pacenuem të popullit shqiptar, çfaq edhe njëherë në mënyrën ma formale se ju përfaqësuesit do të bisedoni mbi fatet e këtij kombi që ju përfaqësoni, si ta gjykoni e ta dëshironi, si ma të arsyeshme për lumturinë e Shqipnis. Vullneti i popullit asht vendimi i Zotnisë Juej, i cili ka me qenë një udhën i pandryshueshëm dhe do të caktojë drejtimin e jetës shtetnore duke përdorur sypranin e vullnetin e Kombit”.

– MBLEDHJA E DYTË E ASAMBLESË

Pas mbledhjes së dytë të Asablesë u mbajt edhe një mbledhje tjetër më datën 27 gusht, ku si në mbledhjen e parë (atë të datës 25 gusht), u bë legalizimi i kredencialeve dhe betimi i të zgjedhurve. Po kështu u zgjodh edhe kryesia e Asamblesë me kryetar z. Pandeli Evangjeli. Në mbledhjen e tretë të Asamblesë u lexua një numër shumë i madh telegramesh që kishin ardhur nga të gjitha krahinat dhe prefekturat e Shqipërisë, ku shprehej solidariteti për krijimin e Monarkisë dhe proklamimi i Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve.

Pas leximit të telegrameve të ardhura nga populli, filloi shqyrtimi i pikës së parë të rendit të ditës, e cila kishte të bënte me rishikimin e përgjithshëm të statutit. Me propozimin e deputetit të Dibrës, Abdurrahman Dibra, u pranua me votim që: dispozitat e konsideruara si tepër të ngutëshme për t‘u ndryshuar, të hynin në fuqi që në momentin e votimit të tyre. Në diskutimet e filluara për këtë gjë, fjala iu dha fillimisht deputetit Abdurrahman Dibra, i cili ndërmjet të tjerash u shpreh: “Mund të pretendohet se monarshistët janë demode, ose se ju ka kaluar koha, dhe se këta cdukin sovranitetin e popullit, jo zoti Kryetar. Mbi format e shteteve dy teori janë: Demokracia e plutokracia. Nga këto, Demokracia ndahet në dy lloje: në demokraci republikane dhe demokraci monarkike. Sot vetëm këto dy forma ekzistojnë dhe këto dy forma burimin e kanë tek populli. Kryetarët e shteteve janë të lejuar që t‘i zbatojnë ato. Mundet të thotë dikush sot se forma republikane asht ajo forma ma e mbaruenme, unë ju them jo, se po të marrim parasysh disa vende republikane, atje janë formue oligarqina, nga ana tjetër nuk mund të thuhet se popujt Belg, Hollande dhe Skandinave, janë ma pak sovranë së Brazilja. Jo, sa asht njeni sovran, asht dhe tjetri. Gjithashtu nuk ka ndonjë ndryshim ndërmjet statutit të Francës e të Anglisë, prandaj nuk na mbetet gjë tjetër vecse të caktojmë atë formë qeverisje që i përshtatet popullit”.

Pas fjalës së mbajtur nga deputeti Abdurrahman Dibra, diskutuan me radhë deputetët e tjerë, si: Fejzi Alizoti i Prefekturës së Gjirokastrës, Spiro Papa i Beratit, Mihal Kaso i Gjirokastrës (bashkë me Javer Hurshitin), Sulejma Starova dhe Xhefar Ypi të Korcës, duke vazhduar më pas me diskutimet e tyre: F. Rusi, H. Myftiu, K, Kosturi, N. Kici, Dr. S. Pojani, Dr. Simonidhi, H. Papadhopulli, K. Mjeda, Z. Poga, H. Vrioni, A. Becëa, M. Kapidani, R. Matja, M. Bushati, Th. Papapano, Z. Begolli, duke i mbyllur diskutimet deputeti i Skraparit, Ferid Vokopola.

Në të gjitha diskutimet e deputetëve, shprehej nevoja e vendosjes së Monarkisë dhe Kurora Mbretnore e Skënderbeut t‘i dorzohej Ahmet Zogut, që cilësohej prej tyre si: “Shpëtimtar i Kombit”.

– FJALA E DEPUTETIT KOL MJEDA NË MBLEDHJEN E ASAMBLESË

Më datën 1 shtator të vitit 1928 (që ishte ditë e shtunë), në ora 9 paradite, u hap mbledhja e katërt e Asamblesë nga Kryetari Pandeli Evangjeli, që ia dha fjalën për diskutim deputetit të Dibrës, Kol Mjeda, i cili tepër i impresionuar iu drejtua asamblistëve me këto fjalë: “Zotnij, në këtë stinë pesë shekuj ma parë, miset e popullit (përfaqësuesit e popullit ishin mbledhur në Lesh, në vëndin teorik për t‘i dhuruar të madhit Skënderbe, Kunorën e Shqipnis, edhe sot Asambleja Konstituente asht mbledhur me i dhurue shpëtimtarit të kombit Kunorën e Mbretnis të madhit Skënderbe (salla shpërthen në duartrokitje). Çonju ju o burra, çonju ju o Lekë, çoju o Pirro, çoju u Shqiptarë, afroju këtu o i madhi Skënderbe, shif e gëzou se shqiptarët e cuen dëshirën tënde në vënd, që ti pesë shekuj ma parë deshe me e ba. O Skënderbe, në këtë minut, stërnipi yt, Zogu, po xen vendin tand, që, me gjoks të vet e me shpat të vet e fitoi. A je kund Naim, po ti Vaso ku je? Eja këtu e nxirri dy vjersha prej zemrës sate e rrëfej botës se populli shqiptar është mbledhur pranë fronit të madhit Skënderbe dhe sot po krenohet se po kryhet ëndrra jote e vjetër”.

Mbas fjalës së deputetit Kol Mjeda që u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, diskutuan edhe deputetë të tjerë të cilët i mbaronin fjalimet e tyre solemne me shprehjet: “Rroftë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, Rroftë Mbretnia Shqiptare”.

– NGRITJA E KOMISIONIT PËR STATUTIN QË DO SHPALLTE MONARKINË

Pas fjalimeve u zgjodh një komision i posaçëm i përbërë nga: Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, Kostaq Kota, Milto Tutulani, Abdurrahman Dibra, Ferit Vokopola, Javer Hurshiti, Fejzi Alizoti, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali, Mihal Kaso, Ndrek Kici, Engjëll Serreqi, Ibrahim Xhindi, Seit Toptani, Ahmet Hastopalli, Rexhep Matja, Halit Rroji, Anton Beca, Pjetër Poga, Xheferr Ypi, Sulejman Starova, Spiro Papa dhe Dr. Simonidhi.

Ky komision u ngarkua nga Asambleja për të përgatitur nenet e statutit për shpalljen e Monarkisë dhe proklamimin e Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve.

Pasi komisioni i ngritur për këtë qëllim hartoi statutin, Kryetari i Asamblesë, Pandeli Evangjeli, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Shqipnis ky regjim kurdoherë i është dukur i arsyeshëm për mirëqeverimin e saj dhe sa më shumë imponohet sot, kur për t‘i dhënë fuqinë mbretnore, kemi Nalt Madhëninë e tij, Ahmet Zogun, Shpëtimtarin e Kombit, të provuem me vepra madhështore patriotike në të gjithë kohën e vetsundimit t‘onë. Një Mbret në krye të Shqipnis, i jep kësaj nga një anë plot fuqi morale, dhe nga ana tjetër një qeveri të qetë dhe plot forcë për mirërritjen e Kombit në të gjitha cfaqjet e tij. Prandaj komisioni i statutit, Kunorën e Naltë të fronit historik Shqiptar, ia paraqet Shpëtimtarit të Kombit, Ahmet Zogut, në temën: Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve. Komisjoni me këtë rast propozon që të bahet tri ditë festë dhe 1 shtatori të shpallet si festë zyrtare”.

Pas fjalës së kryetarit të Asamblesë, filloi votimi i të gjithë neneve të statutit të paraqitur nga komisioni përkatës dhe u vendos që po atë ditë të 1 shtatorit në ora 5 pasdreke të vinte në Parlament për të bërë betimin përpara Asamblesë, vetë Mbreti i porsashpallur Zogu i Parë.

Sipas vendimit të Asamblesë, Ahmet Zogu u paraqit në Parlament në orën e caktuar duke bërë betimin solemn që sanksionohej nga statuti, betim i cili u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallë.

– FJALA E ZOGUT NË PARLAMENT PAS SHPALLJES MBRET I SHQIPTARËVE

Pas bërjes së betimit, Mbreti Zog mbajti një fjalë përshëndetëse përpara të pranishmeve që ishin në sallë.

Në fjalën e tij ai tha: “Zotërinj. Në mesazhin që iu dërgova para disa ditëve ju përshëndetshe tuj ju urue suksese Ju Etënve të Kombit. Sot, po ju drejtohem si shok, si bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. N‘asht se në fjalimin tem nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenve të ndershëm të stolisun me kunorë, të mos çuditeni. Se unë shof në kryesinë e Shtetit Shqiptar, në të cilën titull qoftë shëmbëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të popullit. Sot në minutën kur ngarkohem me detyrën e randë dhe të naltë të shtetit prej vullnetit dhe dëshirës së popullit të cfaqun me vendimet e ndërgjegjies s‘uaj, do të veproj tuj marrë parasysh resposabilitetin moral të cilin herët ose vonë, dinë ta ç‘moj populli shqiptar për naltësimin e vendit. Bota e ka marrë lajmin se dhe ne bijt e shqipes mund të krijojnë një shtet. Mbas sodit detyrën e kemi ma të randë se duhet t‘i tregojmë botës se edhe shqiptari si cdo popull i qytetnuem mund të marri kulturën e cila asht pasunija e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë tuj i sigurue vendit t‘onë një të ardhme të mirë mund ta paguejm një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipnia ka me qenë një faktor paqeje në Ballkan. Relasjonet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamire do t‘i forcojmë akoma dhe ma tepër. Zogu me shokët e vet jo vetëm do të respektoj të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me dorë të naltë të atij ideali që na ka falë natyra edhe na i ka shënue historija, tue plotësue edhe vendin në sheshin e qytetnimit. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet e juaja dhe t‘i thoni popullit sovran se Prisi i tij, e shef botën si çdo shqiptar edhe se me sa shpejtësi e entuziazëm e keni vu në fronin e Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni me e gjet gjithmonë gati, për me i sakrifikue të gjitha, më asht nevoja dhe jetën, mbas dëshirit të tij dhe për të mirën e vendit. Zotnij, dalshi faqebardhë përpara historisë”. Pas fjalimit të tij, Ahmet Zogu i porsakurorëzuar si Mbret i Shqiptarëve, nën duartrokitjet e të pranishmeve që kishin mbushur sallën, ku mes tyre shquhej trupi diplomatik i akredituar në vëndin tonë dhe personalitetet e larta shtetnore të ftuara në këtë eveniment të rrallë që po përjetonte Shqipëria, u largua nga salla e Parlamentit i rrethuar nga deputetët. Jashtë selisë së Parlamentit, Mbretin Zog e priste një numër i madh njerëzish jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, kryesisht nga zonat e Matit, Mirditës dhe Dibrës, të cilat njiheshin për besnikërinë dhe përkrahjen që i kishin dhënë Zogut deri në atë kohë.

– PËRSHËNDETJA E PARË NGA AMBASADORI ITALIAN, UGO SOLA

Sapo mbaroi ceremonia e betimit nga të gjithë përfaqësuesit diplomatikë që ndoqën aktin e kurorëzimit të Mbretit të Shqiptarëve, ministri fuqiplotë i Italisë në Shqipëri, Ugo Sola, ishte i pari që i dërgoi mesazhin e urimit Mbretit Zog, ku ndërmjet të tjerash shprehej: “Nalt-Madhërisë së tij Mbret i Shqiptarëve. I paraqes Nalt-Madhërisë suaj përshëndetjen e parë të Kombit aliat. Qeverija e N. T. Mbretit të Italisë, më dërgoi urdhrin, të cilin me kënaqësi dhe gëzim e ushtronj, që të hynj menjëherë në relacione zyrtare me Qeverinë e Nalt-Madhërisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve. Qeveria ime pa së afërmi, me kënaqësi ndërrimin e regjimit, i cili priti Nalt-Madhërin tuaj në fronin, të cilin aliat besnik i Italisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeg, kishte lënë vakant prej pesë shekujsh. Unë jam i sigurtë se Nalt-Madhëria e juej do të frymëzoheni nga traditat e këtij të përparshmi të madh, për të mbajtun dhe për të forcumun ma tepër një aleancë, së cilës vleftën, fuqinë e ngjatjen e bajnë të ngutshme traditat historike dhe arsyet gjeografike. Vepra që Nalt-Madhëria e juej e cila ka fillue për dobi të popullit shqiptar, ja qysh sot asht ndjekun me urime të nxehta prej popullit dhe prej qeverisë së N. T. Sovranit t‘i, August”.

– Zogu i kthen mesazhin dhe falënderon qeverinë italiane

Këtij telegrami që ministri italian në Shqipëri, Ugo Sola, i dërgonte Mbretit Zog, me anë të cilit Italia njihte zyrtarisht regjimin Monarkik të Shqipërisë, Ahmet Zogu iu përgjigj po me një telegram, ku në mes të tjerash i shkruante: “Shkëlqesisë së Tij, Ministrit të Italisë. Durrës. Jam thellësisht i mallëngjyer nga fjalët dhe urimet që Shkëlqesia Juaj me shfaqni. Kini mirësinë të parashtroni falenderimet e mija ma të nxehta N. M. Sovranit August të Italisë dhe Duces, ashtu dhe popullit të madh Italian, për përkrahjen që, me kreshnikëri i kanë bamun popullit shqiptar ashtu dhe personit tim. Dua me sigurue Qeverinë aliate se relacionet miqësore dhe të sinqerta që ekzistiojnë, në kohën e arthme, nuku munt, vecse me u bamun gjithherë ma të përzemërta. Traktati i aleancës i lidhun ndërmjet dy qeverive do të vazhdojë shumë larg periudhës së caktueme; ka me vazhdue gjithmonë. Personalisht, unë falenmderoj Shkëlqesinë e juaj, që kini ndihmu kaq për të mbajtur relacione të mira në mes dy shteteve dhe me veprën e juaj të palodhur i prijtë gjithmonë fatbardhë. Detyrohem me ju lut, në mënyrë të posacme. Me sigurue rishtazi Ducen për mirënjohjen time dhe për miqësinë time të pandryshueshme”.

Pas telegramit të ministrit fuqiplotë (ambasadorit) të Italisë në Shqipëri, Ugo Sola, ku qeveria italiane e njihte Monarkinë Shqiptare dhe Mbretin Zog, në adresë të tij erdhën edhe shumë telegrame të tjera nga shtete të ndryshme të botës si: Hungaria, Greqia, Jugosllavia, Uruguai, Bullgaria, SHBA-ja, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti etj.

Mustafa Qemal Ataturku, nuk e njohu Zogun Mbret Ndërsa Monarkia Shqiptare dhe Mbreti Zog u njoh zyrtarisht nga një numër i madh shtetesh të botës, të cilat i dërguan edhe telegramet e urimit, ajo gjë nuk ndodhi me Turqinë, ku kryetari i atij shteti të madh me lidhje të vjetra historike me Shqipërinë, Mustafa Qenmal Ataturku, jo vetëm që nuk e njohu, por i acaroi marrëdhëniet e tij me Zogun.

Madje ajo çështje shkoi deri në mbylljen dhe tërheqjen e ambasadave përkatëse të dy veëndeve për një periudhë prej tre vjetësh.

Kjo gjë bëri që të drejtat e popullsisë shqiptare që jetonte e punonte në Turqi, e cila përbënte një numër shumë të madh, do të mbroheshin nëpërmjet konsullatës italiane të akredituar në shtetin e madh aziatik, si aleatja dhe fqinja më e afërt e Shqipërisë.

– DEKLARATA E ZOGUT NË GAZETËN LONDINEZE “THE ILY EXPRESS”

Shpallja e Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve, u festua me ceremoni të ndryshme zyrtare në të gjitha qytetet dhe krahinat e Shqipërisë në mbarë vëndin, ku mori pjesë pothuaj i gjithë populli. Po kështu ajo ngjarje zgjoi interesin edhe të shtypit botëror, ku mjaft gazetarë të njohur të gazetave prestigjioze vrapuan për në Shqipëri për të marrë ndonjë intervistë nga Mbreti Zog.

Kështu, në një intervistë të gjatë prej dy orësh që Mbreti Zog dha në Tiranë ekskluzivisht për gazetën londineze “The Ily Express”, ndërmjet të tjerash deklaroi: “I vetmi ndryshim për mua tani është se më duhet të punoj 18 orë në ditë dhe kam mbi supe përgjegjësitë e tërë shtetit. Unë jam vetëm një punëtor dhe bëj detyrën time. Këtë kuptim ka për mua dinjiteti mbretnuer”.

………………..

Kurorën Mbretërore të Shqipërisë, që Ahmet Zogu vuri mbi krye zyrtarisht më 1 shtator të vitit 1928, do ta mbante deri në 7 prillin e vitit 1939, kur ish-aleati i tij më i ngushtë, Benitio Musolini, kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë dhe e detyroi Mbretin Zog që të largohej përfundimisht nga vendi i tij, ku ai kishte qeverisur për gati 15 vjet me radhë.

#JamShqiptar…🇦🇱

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1482
  • 1483
  • 1484
  • 1485
  • 1486
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT