• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIGURIA KOMBËTARE, INTERESI YNË I MBIJETESËS!

August 8, 2023 by s p

Hyzri Salihu/

Nëse duam të bëjmë Historinë e Re të Shqipërisë dhe të Kombit, të ngremë lartë frymën e patriotizmit, kundër praktikave të vjetra në cështjet e sigurisë kombëtare. Ende në mbrojtjen e interesave kombëtare ndihemi të mundur dhe të nëpërkëmbur nga historia jonë tragjike, por jo të pajtuar me humbjen. Kjo na motivon të ringrihemi në këmbë dhe të luftojmë për të drejtën kombëtare të mohuar. Ta fillojmë ndryshimin nga vetëvetja. Është koha e patriotizmit për të ruajtur veten dhe jetën tonë. Ndihemi të rrezikuar nga qëndrimi agresiv i Serbisë, e cila me stratagjemën e saj tenton të na imponojë një luftë dhe gjakderdhje në veri të Kosovës.

Të mos e nënvleftësojmë këtë situatë të rrezikshme për të siguruar integritetin territorial të shtetit tonë. Popullsia shqiptare e shpërndarë në disa shtete po ndodhet nën presionin e asimilimit dhe cpopullimit të heshtur me masa represive, të cilat bien në veshin e shurdhër të BE. Toka dhe pasuritë kombëtare po nënçmohen. Ato janë bërë pre e grabitjes në të gjitha format. Raportet midis forcimit të mbrojtjes dhe përgatitjes për luftë, ndryshimeve në psikologjinë e njerëzve tanë, po sjellin fenomenin e rrezikshëm të përcarjes. Siguria publike mbetet e rrezikuar nga veprimtaria kriminale e grupeve të nxitura dhe mbështetura vertikalisht nga Beogradi. Situata që kemi sot brenda shtetit dhe rrotull kufijve të tij është e mjaftueshme për të kuptuar dhe vlerësuar kërcënimet dhe rreziqet e një luftë të egër hibride që po na imponohet përpara syve tanë.

Po përballemi me rreziqe dhe kërcënime të brendshme, me akte kriminale terroriste, me trafiqe dhe tregëti të pandershme, me pasoja të rrezikshme për të cilat duhet të tërheqim vemendjen tonë dhe të institucioneve shtetërore për rritjen e standardit të sigurisë. Presioni i nacionalizmit agresiv të Serbisë është burim i kërcënimeve dhe rreziqeve, i cili rrezikon bashkëjetesën dhe sigurinë në vend dhe në rajon. Tashmë këmi një listë emrash të njerëzve publikë, të cilët minojnë unitetin dhe janë vënë në shërbim të politikave të Beogradit. Po marrim goditje të njëpasnjëshme ndaj vlerave të identitetit historik, të cilat tentojnë të gërryejnë pavarësinë e fituar me gjak e sakrificë të madhe. Mungesa e unitetit dhe konflikti i brendshëm politik po kthehet në rrezik madhor për sigurinë kombëtare. Mungesa e zhvillimit ekonomik të qëndrueshem, po kthehet në rrezik për sigurinë kombëtare. Dezinformacioni mediatik po godet unitetin dhe po nxit rikthimin e konflikteve të brendshme.

Veprimtaria e shërbimeve inteligjente të huaja nxit urrejtjen, përcarjen, goditjet fetare përmes formave hibride shumë të rrezikshme ndaj sigurisë kombëtare. Konformizmi i drejtësisë me pushtetin politik ka sjellë krizën e besimit, duke u kthyer në kërcënim për rendin kushtetues. Korrupsioni dhe padrejtësia sjellin rreziqeve të mëdha kundër sigurisë. Mungesa e bashkëpunimit ndërkufitar me Republikën e Shqipërisë e ka kthyer vendin në çerdhe për kriminelë dhe fshehje të individëve shqiptarë që kërkohen nga drejtësia. Politikën e jashtme dhe diplomacinë tonë ende nuk po dimë t’i kthejmë në burime të sigurisë kombëtare. Burimi kryesor i sigurisë janë shteti, baza juridike dhe qytetari, uniteti politik që garanton rendin tonë kushtetues. Çështjet kryesore shtrohen hapur dhe konkrete. Ato kanë të bëjnë me Tokën tonë, Sigurinë Njerëzore, organizimin e Mbrojtjes dhe rritjen e Burimeve të Akumulimit.

Të hedhim sytë drejt bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë ushtarakë, me plane konkrete për rritjen e kapaciteteve tona ushtarake të mbrojtjes. Njerëzit, Toka, uji, pasuritë mbitokesore e nëntokësore dhe hapësira ajrore janë elementet jetike të shenjta për sigurinë e kombit. Ato janë thesari i vazhdimësisë së jetës dhe kemi detyrimin t’i ruajmë si sytë e ballit. Sekreti i kohës është nevoja e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë kombëtare për grumbullimin e parave në rritjen e buxhetit shtetërore për përballimin e krizave të sigurisë në rajon. Ndihma reciproke Tiranë – Prishtinë dhe anasjelltas është baze e suksesit tonë për të kapëcyer sfidat e kohës. Politika këtë duhet ta bëjë pa i marrë leje askujt.

Filed Under: Opinion

“Njeriu, inteligjenca dhe media sociale”

August 7, 2023 by s p

Irena Kuka Dragoti/

A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? Në Bio-n e facebookut tim kam shkruar një thënie të Rochefoecauld “Është shenjë inteligjence, të dish të fshehësh inteligjencën tënde”. Jo më larg se dje pata një debat konstruktiv me një mike të mirë,me argumente e kundërargumente në lidhje me këtë postulat. Unë mbroja e mbroj mendimin se inteligjenca nuk është shtizë, që duhet tu shpojë sytë njerëzve, që duhet trumbetuar e valëvitur si flamur në rrjete sociale, kurse sipas saj, inteligjenca duhet shfaqur sepse në të kundërt të vendos përposhtë injoranca. Jo rrallëherë mendoj se ulërasin më shumë ata që nuk e kanë, ata që nuk kanë shënuar asnjë arritje në jetë, ata që duan vëmendje të pamerituar, apo ata që duan ti shpëtojnë harresës, ndaj ende më mundon pyetja :

-A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? A duhet ti imponojmë njerëzve, klasifikimin që i bëjmë vetes?

Kur vetë koncepti inteligjencë edhe sot e kësaj dite nuk ka një përkufizim konkret, nga e dimë ne, nëse realisht e meritojmë këtë emërtim? Mos vallë duhet të presim që për inteligjencën tonë të flasë me kohën vepra e jeta jonë? Gjithkush beson, se ka mjaft prej inteligjencës – thotë Rene Descartes. Këtu bëj pjesë unë, ti e kushdo njeri në glob. Inteligjentët e vërtetë, as vetes nuk ia pranojnë këtë. Për ta jeta është një udhëtim i gjatë ku ka shumë për të mësuar kurse pjesa tjetër e njerëzve ia thonë çdo ditë vetes, por njëherazi përpiqen ti mbushin mendjen mjedisit që e rrrethon me deklarata e zhurmë të panevojshme. Inteligjentët e shohin intelektin si një ndërthurje mes trashëgimisë e mjedisit e jo si një dhunti të paarritshme nga kushdo. Këtu më vjen ndëmend thënia: “Nuk është e vërtetë se jam më i mençur, unë u qëndroj më gjatë problemeve mbi kokë” – Albert Ajnshtajn. E kujt i intereson inteligjenca jote kur edhe nëse e ke, e sheh veç si medalje? A je vallë aq inteligjent sa thua, o njeri?

Cili është etaloni me të cilin ti e mat veten? Intelekti nuk është vetëm një diplomë universiteti, as një titull a gradë që një zot lart e di si e ke marrë, sepse shkollimi jorrallëherë ka qenë mundësi e luks për shumë individë që e meritonin. Çdo individ gjatë gjithë jetës së tij nëse do, mund të mësojë nga përvoja e problemet, nga leximi i vazhdueshëm, puna e miqtë apo mjedisi ku jeton. Është në dorën e gjithkujt, gjate gjithë jetës nëse do ta perfeksionojë e maturojë inteligjencën e tij qoftë edhe pa iu imponuar askujt. Është po kaq në dorën e gjithkujt nëse do ta lejojë egoizmin e narcizmin ta mbytë duke mbetur në vendnumëro. Eshtë e pamundur që njeriu të zoterojë dijen për çdo gjë. Eshtë e pamundur fizikisht, por edhe moralisht më mirë që nuk i di, sepse janë mbingarkesë e pavlerë. Mjafton të dish diçka të rëndësishme: Prej nga vjen shpirti yt e drejt kujt shkon. Kjo është dija e të gjithave. Kështu që kudo që të jetosh, shiko drejt pafundësisë e do të kuptosh se kush je ti dhe fundësia së cilës i përket.

Inteligjencë nuk do të thotë të zhbirosh e analizosh cdo ngjarje e individ jashtë teje me vështrimin negativ.

Nuk do të thotë të mbledhësh detaje për të deliruar në fantazi…

Nuk do të thotë krizë besimi e hije dyshimi te gjithkush duke i renditur armiq.

Nuk është një postim bullizues në facebook për të mbledhur duartrokitje, ndërkohë që arti yt nuk merr as një shikim mëshirues.

Nuk është të ndjekësh e gjuash me gurë çdo qen, që del e leh rrugës tënde.

Inteligjenca është pikerisht e kundërta, është heshtja në vend të ulërimës…

Eshtë përmirësimi e leximi i vetes çdo ditë, është largimi nga detajet duke u marrë me thelbin.

Eshtë të mos imponosh tek askush mendimet e zgjedhjet e tua e ca më keq vlerësimet. Është gjetja e së mirës tek çdo gjë sado ligësi e paaftësi të bartë ajo. Është një madhësi mendimi përtej vogëlsisë së dënimit apo poshtërimit. Është një sprovë e vetes po aq sa një udhëtim i vështirë. Është të bësh atë që di më mirë, të ndjekësh pasionin e ëndrrën tënde plot dashuri pa pritur të të ndjekë pas si etalon, askush. Inteligjenca fle e zgjohet me veten, e nuk vuan nga vetja apo deliri i madhështisë. Për hir të inteligjencës që pretendon se posedon përpiqu që e mira jote të tejkalojë veten. Inteligjenca njerëzore është kapaciteti intelektual i njerëzve, që karakterizohet nga perceptimi, vetëdija dhe vullneti. Përmes inteligjencës së tyre, njerëzit mësojnë, kuptojnë, aplikojnë logjikën dhe arsyen, duke krijuar modele e zhvilluar ide, projektojnë ëndrra, zgjidhin probleme, marrin vendime, memorizojnë, dhe përdorin gjuhën e zemrës për të komunikuar. Si përfundim sejcili nga ne duhet të pyesë veten sa përjeton e sa mendon? Ndoshta marrim një përgjigje sa inteligjentë jemi realisht.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Irena Kuka Dragoti

Lehësit e së keqes

August 7, 2023 by s p

Shaban Murati/

Është e pashpjegueshme, pse shumë komunistë fanatikë të regjimit diktatorial enverist pas ardhjes së demokracisë shfrytëzuan hapjen e rrugëve dhe shkuan në SHBA, Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe, etj. ku ishin regjime, që ata i urrenin jo vetëm në kohën e qoftëlargut, por edhe sot i urrejnë. Në fakt nuk janë aspak komunistë të vërtetë, sepse po të ishin të tillë duhej të shkonin për të jetuar në vendet komuniste si Kina, Korea e Veriut, Vietnami, etj.

Mirë që u strehuan në Perëndim dhe gëzojnë pensionet e mira, ndihmën shëndetësore falas dhe të mirat sociale të kapitalizmit perëndimor, por pse nuk rrinë urtë e të heshtin, por lehin nëpër rrjetet sociale në Shqipëri në mbrojtje të komunizmit enverist. Në fakt nuk janë komunistë të vërtetë, por janë thjesht njerëz të ligj, që kanë zili dhe urrejnë realitetin, që shumica e popullit shqiptar jeton sot shumë më mirë se në kohën e triskave dhe tollonave të Enverit dhe e kanë bërë lanet atë regjim dhe atë diktator. Nostalgjikët enveristë, që lehin nëpër rrjetet sociale të Shqipërisë nga rehatia e vendeve kapitaliste perëndimore, janë pjesa më e zezë dhe më helmatisëse e llumit të shoqërisë shqiptare.

Brezi ynë e njeh mirë regjimin diktatorial dhe e di se kjo skotë lehësish nostalgjikë i ka borxhe të mëdha diktaturës, e cila i mori ata nga krraba dhe dhitë në skërkat e humbura të maleve dhe pushtuan qytetet, duke i bërë vegla të instrumenteve më shtypëse të diktaturës dhe duke u dhënë si shpërblim vila, poste, pushtet dhe jetë të paparë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Shembull tipik i këtij modeli është një ambasador i asaj kohe që mburrej për mrekullinë, që bënte Partia e Punës dhe shoku Enver, që atë bari në mal me dy klasë fillore e kishte bërë ambasador.

Mirë, që nuk kërkuan falje për atë regjim gjakatar, që vrau shqiptarë më shumë se sa u vranë në Luftën e Dytë Botërore, por përse nuk heshtin dhe të gëzojnë në qetësi të mirat e kapitalizmit të urryer prej tyre. Treguan më dinjitet nazistët gjermanë, të cilët ikën me mijra vetë nga Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkuan në vendet e Amerikës Latine, ku kurrë nuk u ndjenë dhe nuk dolën në mbrojtje të nazizmit as në publik dhe as në rrjetet sociale. Por nostalgjikët enveristë shqiptarë nuk janë as komunistë dhe as njerëz, por janë thjeshtë të ligj, që ëndërrojnë ende të vrasin, të shtypin dhe t’i vdesin nga uria shqiptarët si dikur në regjimin e tyre. Ata janë lehësit e së keqes.

Është një grup nostalgjikësh, që lehin edhe nga shtrati, edhe nga varrri, që duan ta kthejnë Shqipërinë në ferrin e dikurshëm enverist dhe tani lufton nëpër rrjetet sociale shqiptare dhe perëndimore për të arritur të paktën synimin e ligë që Shqipëria dhe populli shqiptar të përbuzen nga popujt dhe nga shtetet e tjera si njerëz të lindur për të keqen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati

“PA TITULL” – POEZI NGA OREST ÇIPA

August 7, 2023 by s p

“PA TITULL”

Për ne,

Koha s’ka shpirt,

Por ,

As shpirti s’njeh kohë po ashtu…

Si për dreq,

Në largësi tik-tak-u i orës na treti,

Dhe agonia e ëndrave kuturu..

Krijesë e bukur eja!

Më shpejt se çasti mësho…

Ta zhbëjmë këtë stilemë të vjetër,

Në botën tonë ,

Në zjarrin tonë,

Si dy të përmalluar!

Të etur!

Unë i pashpirt, ti e pakohë …

———————-

OPINGAT E MIA

I kam var në murr opingat,

Tek çengeli i vjetër…

I ndryshkur,

Në krisjen e këtij ledhi që ndan!

Gjurmët e tyre,

I fshiu era, moti, heshtja..

Disa i rrëmbeu deti!

Gjurmët u mbuluan me gjurmë …

Ndoshta !

Një diç?!

Më brengos në përhijim…

Shputa e këmbës,

Më “ha” sa herë i shoh!

Ndoshta …

Shtigjeve ku rendja tërbuar,

Ju mungon hapi im !

Opingat e mia ..

Të kthyera kokëposhtë,

Të varura,

Tek çengeli i vjetër …

I ndryshkur,

Tungjatjeta !

Mbeçi me shëndet !

————-

DREJT FTOHTËSISË

Drejt një kohe pa ndjenjë po ikim,

Drejt një udhe pa kuptim,

Drejt një ftohtësie të trishtë,

Drejt heshtjes me njerinë…

Mos vallë, Prometeu zjarrin ka rimarr?

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Orest Çipa

UNË, EMIGRANTI…

August 7, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

A do ta njihnim historinë e popujve pa mërgimin e një pjese të tyre, që nga thellësitë e shekujve?

A “erdhi” tek ne Troja dhe Itaka nga një poet shëtitës, “mërgimtar” si Homeri?

A mos vallë historia dhe zhvillimi i Perëndimit janë në nivele përherë më të larta se Lindja edhe nën ndikimin e këtij fenomeni?

Nuk e kisha menduar asnjëherë më parë të lija Atdheun tim, pasi e ndjeja që do të kisha një jetë të trazuar përmes të panjohurave që i ngjanin ecjes si një i vetmuar në një pyll ekuatorial, ku lianet do të dukeshin aleatët e vetëm…

Nuk po largohesha nga një vend me rregjim tiranik, (edhe pse demokracia e pambërritur nuk kishte aromën e saj), por e ndjeja që inteligjenca vlerësohej më pak se muskujt e gangsterrit të lagjes dhe fjala nuk kishte peshë, më dukej se aty radikalizimi i trukuar i jetës politike që derivon edhe në atë sociale, pjell “Robespierë” të vegjël si matrioshkat pambarim…

Politika më vrau ëndrrat, më varfëroi dëshirat, më tjetërsoi objektivat, më humbi besimin dhe ndërtoi një labirinth mendimi fundor ekzistencial, nga i cili për të dalë duhej një “Arianë”, gjithmonë e munguar në vendin tim.

Kur kalojmë kufijtë dhe nuk “kthejmë kokën pas,” jemi ne që bëjmë mëkat ndaj Atdheut, apo ka të tjerë mëkatarë që na induktojnë nga pak çdo ditë idenë e braktisjes me ato çfarë bëjnë dhe nuk bëjnë për ne??

Ikja e një emigranti mbart guxim, kurajo, një aventurë epike me ngulçe të fshehura shpirti, një nisje në errësirën e mëngjesit për të dritësuar errësirën e jetës dhe të gjitha këto vijnë si një protestë për t’ju mohuar ju, se nuk ngjallni më besimin edhe kur pëshpërisni “iku dhe ky” me një lloj dhembje të pangjyrë hipokrite, duke sanksionuar kalbëzimin e inisiativës dhe shpresës për ndryshim, pasi gjithmonë ikin pionerët, ikin ata që ndjekin akoma ëndrrën e “Yukon” të Alaskës së London!

Njeriu, që në lindje të shoqërisë njerëzore me mitin e Evës dhe Adamit, ishte mërgimtar.

A nuk mërguan edhe Poseidoni me Hadin, kur i dëboi (legjendat thonë edhe me short ky mërgim) Zeusi nga Olimpi, pasi eliminoi Kronosin?

Bota jonë duket sikur është një turmë mërgimtarësh të ikur apo të dëbuar për arësye të ndryshme, që dëshpërimin e kthejnë në energji krijuese në historinë e re, kur e fillojnë në vendin e panjohur, i cili i tremb gjithmonë me puzzlet që e rrethojnë si rrethi qarkun e tij në gjeometri.

E kam menduar edhe planetin si një emigrant që ka ndërruar orbitën fillestare në tjetër orbitë…

A është mohimi i të shkuarës së vetvetes, që derivon në rilindje, mërgimi i njeriut nga Adami dhe deri më sot?

Ditën që avioni i “Lufthansa” u ngrit me një uturimë të mbytur në ajër, mendova se koha e streseve vulgare do të mbaronte.

Mbërritja në tokën e premtuar, (tokën e George Washington dhe Abraham Lincoln, që jo më kot është shteti i parë i botës dhe i themeluar nga emigrantë), u shoqërua me ndjesi ku edhe gëzimi bënte pjesë…

Chicago, qyteti ku qielli ka zbritur në tokë!!

Është bukur, është paqe individuale, është siguria që askush nuk të njeh dhe ti nuk je i ndrydhur se po të gjykojnë duke të veshur gjendje të shprehura me fjalë si “egoisti, mediokri, mendjemadhi, përmbledhur me shprehjen tipike bullizuese -ja ky…- pa cituar fundin e saj.

Më ka intriguar gjithmonë historia e këtij vendi dyoqeanik…

Kam pyetur veten se… a është përplasur me fisin e gjuhës Maskóki, që më pas u bashkuan me Seminolët luftarakë (Florida), Christopher Columbus kur zbarkoi me “Santa Maria” në brigjet e “Indisë”?

Kisha lexuar më parë “Osceola, prijësi i Seminolëve”, përkthyer nga profesori im Hajrulla Zonja, madje kisha parë dhe filmin “Osceola”.

Komplekset e tua emocionale të fshehura me kujdes me atë pamjen mistike pa asnjë shprehje në fytyrë në vendin nga vjen, këtu sa vijnë e treten.

Sa fytyra “të ngrira”, si e Sharli Bovari, kam parë në atë vend…?!

Më duket sikur Liria e çliruar dhe e pavëzhguar nga sytë dinakë të atyre që të njohin, është Liria e munguar!

Ndërsa Liria juaj duket sikur ekziston vetëm nën maskën veneciane të shekullit të XVIII…

“Aty ku banon Liria, atje është vendi im,” kjo, një frazë latine që e kishte për zemër James Otis, ligjvënës kolonial dhe mbështetës i hershëm i kauzave patriotike në Koloninë e Gjirit të Massachusetts në fillim të Epokës Revolucionare.

Ne jemi një popull që e përqafojmë shpejt perëndimin, po kur kthehemi në Atdhe se kuptoj pse ndonjëherë bëhemi më “lindor” nga sa ishim, kur morëm udhën e ëndrrës “Londoniane”?!

Duket sikur i ngjajmë rrymës alternative…

Këtu më sundon habia e hutuar, më mban peng fillimisht, e shoqëruar me një frikë manuale pa objekt real.

Heshtjet e mia nuk janë të zhurmëshme si në Tiranë dhe nuk mi dhuron askush, jam unë që i kërkoj për tu fundosur në to…

Sa larg është iluzioni me realitetin në mendimin e një emigranti në vendin e ri ku ai jeton??

Emigranti, një qënie që endet midis luftës dhe paqes handikape në mendjen e tij dhe që herë herë më duket si subjekt i veprës së Engelsit, (filozofit materialist në veprën e tij “Gjendja e klasës punëtore në Angli”), sidomos ata që janë informalë…

Ëndrrat zbehen shpejt dhe ti ridimensionon dëshirat…

Nënqesh hidhur kur kujton se në Shqipëri pëlqeje “Cadillac Escalade” dhe rrjetin e supermarketeve Whole Foods (Jeff Bezos), më i miri dhe natyrisht më i shtrenjti.

Po i arratisemi ne civilizimit, apo po na arratiset ai, neve(?)… përsiata pa artikuluar dot asnjë përgjigje!

Një ditë, pasi rrëkëlleva disa birra, guxova të bëj analogji…

Ku ndryshoj unë nga franko-algjeriani Albert Camus, (edhe pse ai është një emigrant i brezit të dytë),?

A jam më shumë se Camus, multikulturalist?

Çfarë sistemi vizualizimi kishte ai në ndryshim nga unë për vendet respektive?

Kush prej nesh dëshiron më tepër diversitetin se sa homogjenizimin?

A kërkon dikush tjetër ti ngjajë zotit Merso, (i huaji)?

Shpejt u kthjellova, por nuk e harrova Camus…

Në dukje gjithçka është ok, por jo belbëzimi im në anglisht për të thënë çfarë dua…

Një vajzë e bukur po qeshte një ditë, duke më parë në starbucks (kafe) dhe nuk dija çfarë të përjetoja, pasi bullizmi dhe simpatia nuk kuptohen qartë nga unë, një i huaj, në fytyrën e asaj vajzës pa shprehi të deklaruara.

Nuk e di, pse kur dëgjoj gjuhën e vendasve, gjuha jonë më kujton fronin e Bourbonneve?!

Kur më ndaloi një polic, pse kalova me “të kuqe” në semafor, nuk më bërtiti dhe as u shqetësua fare, kur preu fletën e gjobës 200 dollarë…

Më erdhi në vemendje një homolog i tij shqiptar në aksin FushëKrujë – Lezhë, kur për një shkelje, pasi bërtiti sa ju ngjirr zëri, më dha dokumentat e me zë gati të mekur … -ik, mos të shoh më me shkelje…!-

Në restorant kamerierët buzëqeshin, duke të pyetur “mungon gjë(?)”, aq shpesh sa unë “mbytem” të mbaroj sa më parë, të paguaj e të iki…

Asnjë fqinjë nuk më flet, veç të dhurojnë një si lloj ngërdheshje të kontraktuar, që tenton buzëqeshjen e sinqertë!

Emigranti më duket si një madhësi fizike që i jep nxitimin centripet zhvillimit të Atdheut të ri dhe merr si shpërblim nxitimin centrifug, duke ngelur gjithmonë “kloni” i shoqërisë së atij vendi.

Të jesh emigrant, jeton me këtë hije dhe një shpirt në dy botë.

Nuk e kam kuptuar dot, se ku është kufiri midis emigrantit, qytetarit të botës dhe kolonialit?

Statujat këtu janë gjigante, por nuk më ngjallin emocion, sikur të jenë prej argjile të ngjyrosur akoma pa u tharë!

Gjithmonë e kam adhuruar Odhise Paskalin dhe bazaltin e tij!

Ju mendoni se keni ndryshuar kur fëmijët janë rritur e integruar, ose shtëpia juaj e fëmijërisë fillon e dobëson lidhjet me ju dhe kuptoni se e kaluara nuk është kurrë aq e fortë sa një send i shenjtë në të i trashëguar me breza, por si një pasqyrë e thyer, hije njerëzish me fytyra që nuk i shihni dhe kështu, nuk mund ta shpirtërojmë atë lehtësisht.

Ti nuk harron asgjë, as çastin kur mbylle derën e shtëpisë për herë të fundit me një psherëtimë të thellë, fshehur buzëve të shtrënguara nga idetë e turbullta, që donin të shpërthenin nga burgu i tyre, por tani ato janë një masë tuli kujtimesh, një pelegrinazh në varrezën e tyre, ku në vend të qiparisave, janë sende që ecin si në një filëm me metrazh të shkurtër dhe që xhirrón si kaseta në aparatin e vëllezërve Lymier!

Po këngën “Për ty Atdhe”, Pjetër Gaci e ka kompozuar?

Pse disa na konsiderojnë atdhetarë pa Atdhe?

Pse na çnderojnë kaq djallëzisht me emrin “refugjat”, si muhaxhirët klasik beduinë??

Më duket sikur me padurim presin ca, që të na çrregjistrojnë…

Një ndjenjë e zhdrejtë komunikimi të mundon këtu edhe për shkak të gjuhës edhe për zakonet jo të njëjta duke e dramatizuar më shumë dramën e emigrantit.

Nuk më pyet askush se si i kam hallet dhe kjo më detyron t’ju kthehem kujtimeve me miqtë e mi, kur i ndanim ato sëbashku, për të gjetur pak ngushëllim si X i një zgjidhjeje ekuacioni, për ti ikur makthit të errësirës me dritën e miqësisë.

Po Zoti ndihmon më shumë një emigrant, apo një “patriot”?

Rruga e jetës së emigrantit më duket si një kalldrëm me një fund pa mirazh, që në vend të gurëve, ka toptha gjaku e djersë të koaguluar, trotuarët e tij janë shtruar me pllaka psherëtimash dhe anës tyre ca pemë ku degët janë gjymtyrët e tij, gjethet e të cilave pikojnë mëngjeseve të vesuar… vetëm lot!

Të kthehet (?)… një dilemë hamletiane.

Këtu jeton në një shoqëri që e perifrazon mjaft bukur filozofi i famshëm Karl Popper, intoleranca është një gjë që një shoqëri tolerante nuk mund të lejojë të tolerojë.

Dy nobelistët shqiptarë e kanë fituar çmimin në mërgim.

… E kam menduar edhe vdekjen dhe mendimi ka udhëtuar nga urna e hirit deri tek banorët e mëhallës së vjetër, që pëshpërisin për politikën në funeralin tim…

Më duket vetja si emigrant i një populli, që i ngjan një rrapi të palëvizëshëm, nën hijen e të cilit më parë kanë qëndruar popuj të tjerë, në këtë botë emigrantësh!

Mbrëmjeve “arratisem” tek prindërit e mi…

Strukem në fjalët e Nënës me mallin e lotuar, larg syve të njerëzve…

Po këta kanë Nënë?

Pse askush nuk e përmend ndonjëherë?

Më kujtohet një miku im, i cili kohë më parë më tha… “Një ditë, unë, nuk i gjeta më Nënën dhe Babain, kur u ktheva beharin tjetër në Atdhe… !”

Meditoj në heshtje, (nuk e di kush e shpiku heshtjen?).

Po dhembjen time, dhembjen time, që këta nuk e kuptojnë dot, kush do ma shëroj… ??

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1529
  • 1530
  • 1531
  • 1532
  • 1533
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT