Irena Kuka Dragoti/
A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? Në Bio-n e facebookut tim kam shkruar një thënie të Rochefoecauld “Është shenjë inteligjence, të dish të fshehësh inteligjencën tënde”. Jo më larg se dje pata një debat konstruktiv me një mike të mirë,me argumente e kundërargumente në lidhje me këtë postulat. Unë mbroja e mbroj mendimin se inteligjenca nuk është shtizë, që duhet tu shpojë sytë njerëzve, që duhet trumbetuar e valëvitur si flamur në rrjete sociale, kurse sipas saj, inteligjenca duhet shfaqur sepse në të kundërt të vendos përposhtë injoranca. Jo rrallëherë mendoj se ulërasin më shumë ata që nuk e kanë, ata që nuk kanë shënuar asnjë arritje në jetë, ata që duan vëmendje të pamerituar, apo ata që duan ti shpëtojnë harresës, ndaj ende më mundon pyetja :
-A duhet të ulërasim për ti treguar botës sa inteligjentë jemi? A duhet ti imponojmë njerëzve, klasifikimin që i bëjmë vetes?
Kur vetë koncepti inteligjencë edhe sot e kësaj dite nuk ka një përkufizim konkret, nga e dimë ne, nëse realisht e meritojmë këtë emërtim? Mos vallë duhet të presim që për inteligjencën tonë të flasë me kohën vepra e jeta jonë? Gjithkush beson, se ka mjaft prej inteligjencës – thotë Rene Descartes. Këtu bëj pjesë unë, ti e kushdo njeri në glob. Inteligjentët e vërtetë, as vetes nuk ia pranojnë këtë. Për ta jeta është një udhëtim i gjatë ku ka shumë për të mësuar kurse pjesa tjetër e njerëzve ia thonë çdo ditë vetes, por njëherazi përpiqen ti mbushin mendjen mjedisit që e rrrethon me deklarata e zhurmë të panevojshme. Inteligjentët e shohin intelektin si një ndërthurje mes trashëgimisë e mjedisit e jo si një dhunti të paarritshme nga kushdo. Këtu më vjen ndëmend thënia: “Nuk është e vërtetë se jam më i mençur, unë u qëndroj më gjatë problemeve mbi kokë” – Albert Ajnshtajn. E kujt i intereson inteligjenca jote kur edhe nëse e ke, e sheh veç si medalje? A je vallë aq inteligjent sa thua, o njeri?
Cili është etaloni me të cilin ti e mat veten? Intelekti nuk është vetëm një diplomë universiteti, as një titull a gradë që një zot lart e di si e ke marrë, sepse shkollimi jorrallëherë ka qenë mundësi e luks për shumë individë që e meritonin. Çdo individ gjatë gjithë jetës së tij nëse do, mund të mësojë nga përvoja e problemet, nga leximi i vazhdueshëm, puna e miqtë apo mjedisi ku jeton. Është në dorën e gjithkujt, gjate gjithë jetës nëse do ta perfeksionojë e maturojë inteligjencën e tij qoftë edhe pa iu imponuar askujt. Është po kaq në dorën e gjithkujt nëse do ta lejojë egoizmin e narcizmin ta mbytë duke mbetur në vendnumëro. Eshtë e pamundur që njeriu të zoterojë dijen për çdo gjë. Eshtë e pamundur fizikisht, por edhe moralisht më mirë që nuk i di, sepse janë mbingarkesë e pavlerë. Mjafton të dish diçka të rëndësishme: Prej nga vjen shpirti yt e drejt kujt shkon. Kjo është dija e të gjithave. Kështu që kudo që të jetosh, shiko drejt pafundësisë e do të kuptosh se kush je ti dhe fundësia së cilës i përket.
Inteligjencë nuk do të thotë të zhbirosh e analizosh cdo ngjarje e individ jashtë teje me vështrimin negativ.
Nuk do të thotë të mbledhësh detaje për të deliruar në fantazi…
Nuk do të thotë krizë besimi e hije dyshimi te gjithkush duke i renditur armiq.
Nuk është një postim bullizues në facebook për të mbledhur duartrokitje, ndërkohë që arti yt nuk merr as një shikim mëshirues.
Nuk është të ndjekësh e gjuash me gurë çdo qen, që del e leh rrugës tënde.
Inteligjenca është pikerisht e kundërta, është heshtja në vend të ulërimës…
Eshtë përmirësimi e leximi i vetes çdo ditë, është largimi nga detajet duke u marrë me thelbin.
Eshtë të mos imponosh tek askush mendimet e zgjedhjet e tua e ca më keq vlerësimet. Është gjetja e së mirës tek çdo gjë sado ligësi e paaftësi të bartë ajo. Është një madhësi mendimi përtej vogëlsisë së dënimit apo poshtërimit. Është një sprovë e vetes po aq sa një udhëtim i vështirë. Është të bësh atë që di më mirë, të ndjekësh pasionin e ëndrrën tënde plot dashuri pa pritur të të ndjekë pas si etalon, askush. Inteligjenca fle e zgjohet me veten, e nuk vuan nga vetja apo deliri i madhështisë. Për hir të inteligjencës që pretendon se posedon përpiqu që e mira jote të tejkalojë veten. Inteligjenca njerëzore është kapaciteti intelektual i njerëzve, që karakterizohet nga perceptimi, vetëdija dhe vullneti. Përmes inteligjencës së tyre, njerëzit mësojnë, kuptojnë, aplikojnë logjikën dhe arsyen, duke krijuar modele e zhvilluar ide, projektojnë ëndrra, zgjidhin probleme, marrin vendime, memorizojnë, dhe përdorin gjuhën e zemrës për të komunikuar. Si përfundim sejcili nga ne duhet të pyesë veten sa përjeton e sa mendon? Ndoshta marrim një përgjigje sa inteligjentë jemi realisht.