• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUMTURIA E VUÇIQIT NUK DUHET TA KETË BURIM PËRÇARJEN E TIRANËS DHE PRISHTINËS!

July 11, 2023 by s p

Ajo çka i nevojitet tani për tani Kosovës dhe Shqipërisë, është mbyllja urgjente e mosmarrveshjeve dhe fillimi i konsultimeve për tema që janë me interes të përbashkët. Sepse shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, është interes jetik edhe i Shqipërisë, ashtu siç është interes i Kosovës edhe roli i Shipërisë në diplomacinë ndërkombëtare, përfshi edhe Procesin e Berlinit, ku përfitimet mund të jenë të mëdha nëse liderët e Prishtinës dhe Tiranës sillen si evropianë. Rama dhe Kurti nuk kanë kurrfarë interesi dhe favori nëse e bëjnë të lumtur Vuçiqin me sjelljet e tyre inatçore ndaj njëri tjetrit.

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Duke u marrë me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet në mes të Tiranës dhe Prishtinës, konkretisht në mes të kryeministrave Rama-Kurti, analisti i shquar amerikan Janusz Bugajski, me të drejt e shtron problemin në kontekst më të gjerë, pasi që sipas tij mosmarrëveshjet midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ndërmjet liderëve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë mund të jenë konstruktive nëse ato çojnë në nisma të reja dhe përfshijnë publikun e të dy vendeve në diskutimet për një të ardhme të përbashkët. Por, Bugajski me një nuhatje të hollë prej vëzhguesi të vëmendshëm tërheq vërejtjen se mosmarrëveshja aktuale i shërben kryesisht interesave të administratës së Vuçiqit në tre mënyra: së pari, mbështetja nga Tirana forcon dorën e Beogradit në dialogun me Prishtinën – së dyti, zvogëlon pozitën e Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, ndërkohë që rrit reputacionin e Ramës si zgjidhës i problemeve rajonale, dhe së treti, ushqen akuzat stereotipike serbe se shqiptarët janë të paaftë për të qeverisur veten dhe kanë nevojë për një mjeshtër rajonal.

Askush s’e kishte menduar se pikërisht në momentin kur kombit i duhet një unitet parimor për të përballuar sfidat që vijnë nga ambicjet iracionale të Serbisë, po ndodhë çarja në raportet Tiranë-Prishtinë dhe kjo, siç thotë Bugajski, është një shërbim lapidar që i bëhet regjimit të Vuçiqit.

Si të kualifikohet kjo çarje?

Papjekuri?

Inat?

Luftë për primat?

Apo, ndonjë arsye tjetër që shkon përtej logjikës së shëndoshë….

Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të veçanta, por më tepër se të gjitha shtetet tjera të veçanta, Kosova dhe Shqipëria kanë shumë çka të përbashkët. Ato kanë të përbashkët historinë që i solli te kjo ndarje, por e kanë edhe të ardhmen, e cila në një perspektivë evropiane, mund t’i bëjë bashkë sërish, ashtu siç ishin në 1912-tën kur Pavarësia u shpall për katër Vilajet shqiptare.

Tani jetojmë në një kohë tjetër dhe rrethanat diktojnë politika të tjera që duhet të jenë të harmonizuara me proceset euro-integruese. Shqipëria dhe Kosova ndodhen në stade të ndryshme në këto procese, por mund ta ndihmojnë shumë njëra tjetrën që, si në një kërcim valceri, të hidhen hapat sipas ritmit të orkestrit, por me kusht që të mos ia shkelin njëra tjetrës këmbët gjatë vallëzimit.

Në shikim të parë, duket se Shqipëria e Kosova kanë shumë interesa të përbashkëta për një ecje më dinamike drejt bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor, energejtik etj. Por në praktikë, po ndodhë që po zënë në thua gjatë ecjes, sepse, siç mund t’i referohemi ngjarjeve të fundit, Shqipëria e Kosova po sillen jo si shtete që kanë një prejardhje etnike, gjuhësore e kulturore, por si vende me gjeografi e demografi të largëta, si vende që ratësisht ndodhen pranë njëra tjetrës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti, përveç dallimeve konceptuale për shumë ide e procese, ata kohëve të fundit kanë dallime të mëdha edhe

mbi rolin që duhet të ketë Tirana zyrtare në çështjen e ndërkombëtarizimit të problemeve të Kosovës.

Deri dje, Rama favorizonte Ballkanin e Hapur, kurse Kurti – Procesin e Berlinit. Ky i fundit në Forumin Strategjik të Bledit pat shpalosur pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e rajonit, duke veçuar sundimin i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, si katër elemente që, sipas Kurtit, mund t’i shërbejnë procesit të njohjes, komunikimit dhe ofrimit midis njerëzve në një rajon i cili ende vuan pasojat e së kaluarës problematike.

Por, krejt ndryshe mendonte Edi Rama. Ai ishte i lidhur me projektin Ballkani i Hapur, duke favorizuar agjenda të paqarta dhe krejt të disfavorshme për Kosovën. Sipas Ramës, Ballkani i Hapur ofronte mundësi të mëdha bashkëpunimi, qarkullimi dhe komunikimi midis njerëzve, ideve dhe mallrave, por nuk arrit anjëherë ta sqarojë se si do të jetë e mundur të ndodhte kjo në kushtet kur Kosova nuk njihet si shtet nga Serbia dhe kjo e fundit paraprakisht vendos kushte e barriera se si duhet të sillet Kosova.

Tani Edi Rama ka hequr dorë nga Ballkani i Hapur dhe i është kthyer Procesit të Berlinit. Boll mirë! Por, Rama e ka për obligim edhe moral që t’i kërkoj falje Kosovës për lajthitjet dhe kohën e humbur në një inisiativë rajonale që ishte kundër interesave të Kosovës.

Rama, si udhëheqës rotativ i Procesit të Berlinit, e ka për obligim të tregohet më i kujdesshëm ndaj çështjeve rajonale, ku Kosova dëmtohet vetëm pse nuk ka raporte të mira me Serbinë.

Vendosja e Kosovës dhe Serbisë në një simetri të barabartë fajesh e përgjegjësish, do ta komplikonte edhe më tepër procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Edi Rama, të paktën që mund të bëjë në këtë faze parapërgatitore të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë, do të ishte, jo thjeshtë avokati në favor të Kosovës, por qëndrim parimor ndaj një problemi, rrënjët e të cilit nuk janë në Prishtinë por në Beograd.

Edi Rama nuk ka nevojë të flijojë interesat gjeostrategjike të vendit që ai drejton duke bërë tifo, vend e pa vend, për Kosovën. Pora ama, në anën tjetër, Ramës nuk i lejohet të vendosë njëfarë ekuidistance diploamtike në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse këtë askush nuke ka kërkuar nga ai.

Të jesh parimor në mbështetje të qëndrimeve të BE-së dhe Washingtonit ndaj Kosovës, nuk nënkupton që Rama duhet patjetër të tregoj njëfarë mirëkuptimi ndaj Beogradit edhe atëherë kur Vuçiqi refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës për intervenimin rus në Ukrainë. Sepse këtu prishen parimet dhe në shprehje vie një politikë që në mungesë të një strategjie kombëtare, Rama bën lëvizje lavjerrësi herë në të majtë, herë në të djathtë. Gjatë lëvizjeve të tilla, instinktivisht tundet edhe koka, por në fund mund të ndodhë alivanosja.

Të shitesh parimor kur janë në pyetje politikat e BE-së dhe Washingtonit ndaj Kosovës, dhe të jesh joparimor kur BE dhe Washingtoni kërkon nga Vuçiqi sanksionimin e Putinit për agresionin në Ukrainë, tregon se Tirana zyrtare vuan nga një kompleks gati i pashëruar që ndërlidhet me raportet shqiptaro-serbe, dhe i trashëguar këtu e një shekull më parë.

Ajo çka nevojitet tani për tani Kosovës dhe Shqipërisë, është mbyllja urgjente e mosmarrveshjeve dhe fillimi i konsultimeve për tema që janë me interes të përbashkët. Sepse shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, është interes jetik edhe i Shqipërisë, ashtu siç është interes i Kosovës edhe roli i Shipërisë në diplomacinë ndërkombëtare, përfshi edhe Procesin e Berlinit, ku përfitimet mund të jenë të mëdha nëse liderët e Prishtinës dhe Tiranës sillen si evropianë. Rama dhe Kurti nuk kanë kurrfarë interesi dhe favori nëse e bëjnë të lumtur Vuçiqin me sjelljet e tyre inatçore ndaj njëri tjetrit.

May be an image of 1 person and monument

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

55

Filed Under: Fejton

Në Kosovë përkujtohet Masakra e Srebrenicës

July 11, 2023 by s p

-Edhe në Kosovë ndodhte Srebrenica, gjenocidi i forcave serbe…/

-Para 25 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e 22 Korrikut 1998: Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Korrik 2023/ Edhe në Kosovë përkujtohet gjenocidi-masakra e forcave serbe e para 28 viteve në Srebrenicë – Bosnjë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në fillimin e një seance plenare mbajti një minutë heshtje me rastin e 28-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, në kujtim të kësaj masakre gjenocidale, si ditë e përkujtimit, por edhe si thirrje për dënimin e kriminelëve.

“Masakra e Srebrenicës, është masakra më e madhe e pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin evropian. Më 11 korrik 1995 forcat kriminane serbe vranë 8 mijë e 732 boshnjakë. Prandaj, për këtë arsye propozoj ta kujtojmë këtë ditë. Kjo ditë përkujtohet edhe nga ana e Bashkimit Europian. Gjithashtu edhe Kuvendi i Kosovës para dy viteve kishte miratuar një rezolutë në përkujtim të masakrës së Srebrenicës. Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk vjetërohen kurrë, kriminelët duhet marrë dënimin e merituar”, theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Gjithashtu, para deputetëve për masakrën e Srebrenicës foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, i cili tha se trupat apo pjesët e trupave të viktimave boshnjake të gjenocidit në Srebrenicë, janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë dhe se kjo ditë duhet kujtuar nga e gjithë bota.

“Gjersa bota kujton gjithmonë këtë ditë, nga ana tjetër, autorët e këtij gjenocidi të tmerrshëm në zemër të Evropës, ku brenda pak ditësh u vranë brutalisht mbi 8 mijë boshnjakë të pafajshëm, mohojnë vit pas viti krimet e kryera. Prandaj, boshnjakët kudo që janë, duhet ta kujtojnë dhe nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë krim. Republika e Kosovës ka qenë dhe do të jetë me boshnjakët e Bosnjë e Hercegovinës gjatë gjithë këtyre viteve”, theksoi Shabani.

Edhe deputetja Duda Balje, tha se mohimi sistematik i gjenocidit të Srebrenicës dhe festimi nga akterët kryesorë dhe i atyre që urdhëruan gjenocidin ka vazhduar për 28 vjet.

Ajo shtoi se ky gjenocid njihet si një nga krimet më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Srebrenica është dhe do të mbetet vula e përgjakshme e shekullit të 20-të. Shamia e gjelbër me lulen e Srebrenicës, e cila u vendos në foltoren e Kuvendit, ka 11 pika ari, që përfaqësojnë 11 korrikun, ngjyra e bardhë simbolizon pafajësinë, ndërsa ngjyra e gjelbër në mes përfaqëson shpresën që diçka e tillë mos të ndodhë më kurrë”, theksoi Balje.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin përkujtimor me rastin e 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, në bashkëpunim me prof. Nexhmedin Spahiu, që u mbajt në Institutin e Historisë.

Duke kujtuar gjenocidin e tmerrshëm që ndodhi 28 vjet më parë në Srebrenicë, kryeministri Kurti tha se na kujtohen 8732 burra e djem boshnjakë që nuk ju dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e të cilët u masakruan pamëshirshëm, nga dora e shtetit armik. “Na dalin përpara kolonat e 30 mijë grave, fëmijëve e pleqve që u abuzuan dhe detyruan të shpërngulen nga vendi i tyre. Na kujtohen ata një mijë persona trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur as sot. Na kujtohet dhe na mundon gjithmonë fakti që kriminelët kurrë nuk morën dënimin e merituar. Pa çka se Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e gjenocidit, ajo nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”, tha në fillim të fjalës kryeministri Kurti.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri përmendi të dhënat e Qendrës për të Drejtën Humanitare e udhëhequr nga Natasha Kandic, sipas së cilës katër mijë oficerë të armatës jugosllave nga Serbia luftuan kundër boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, e që janë paguar nga Serbia. Po ashtu, i gjithë armatimi dhe uniformat iu shkonin nga Serbia. Prej 25 mijë serbëve që u vranë në Bosnje, më pak se 1/5 ishin civilë. “Serbia është përgjegjëse sepse në fund të fundit Marrëveshjen e Dejtonit e ka nënshkruar Presidenti i Serbisë, Millosheviq” tha ai.

Më tej, Kryeministri Kurti, tha se Radovan Karaxhiqi e Ratko Mlladiqi tashmë janë dënuar për pjesëmarrjen në gjenocid, dhe me shumë vonesë u dënuan edhe Jovica Stanishiqi e Frenki Simatoviqi, për implikim në krimet e kryera nga Serbia në Bosnjë. Kjo, siç tha ai, është tregues që gjenocidi në Bosnjë nuk ka ndodhur së brendshmi, por nga jashtë dhe se përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet.

“Prandaj, ende nuk ka drejtësi e paqe për Srebrenicën dhe Bosnje dhe Hercegovinë. Prandaj, kjo mizori peshon rëndë në ndërgjegjen ndërkombëtare edhe më shumë se çerek shekulli më vonë”, u shpreh kryeministri.

Ai rikujtoi se dy vite më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar një rezolutë, me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 6 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Në këtë tubim ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe Shemsudin Mehmedoviq, deputet në Parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Fatmir Xheka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave nga Mali i Zi.

E para çerek shekulli – 25 viteve, në Korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar kam raportuar se, edhe “në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”…

“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë” dhe titulli “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.

Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.

Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Për situatën në Rahovec para 25 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 25 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.

Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…

Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së përfunduar para 23 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohej në të parën nga 6 pikat e Rezolutës…

Filed Under: Kronike

Kryeministri Kurti takoi përfaqësues të bizneseve në Kosovë, së bashku me ambasadorin amerikan Hovenier

July 11, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësues të bizneseve. Në këtë takim, ku krahas ambasadorit Hovenier, ishin edhe përfaqësues të USAID-it e të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.

U diskutua për mundësitë dhe sfidat, në sektorin privat, me theks te financimi i zgjerimit të biznesit dhe fuqia punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në vendin tonë.

Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme. Ai i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme.

Qëllimi i këtij takimi ishte avancimi i komunikimit ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat, si hap drejt forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Filed Under: Opinion

“Alf Layla wā Layla”: 1001 Netët e Orientit dhe 3 Versione të  hershme përkthimi në Shqip të bazuara në Gjuhët e Oksidentit*

July 11, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Studiues)/

“Njëmijë e Një Netët” (Alf Layla wā Layla) është një thesar i çmuar i Letërsisë Botërore dhe mbetet padyshim një prej veprave më popullore, më të dashura për lexuesin (pavarsisht moshës, gjinisë a kombësisë) dhe të përkthyera në një mori gjuhësh botërore. I përmëndur për herë të parë nga Al-Mas’ūdi në vitin 947 A.D në librin e tij “Murûj adh-dhahab”(“Luadhet e Arta”) e më vonë nga Al-Nadīmi në “Al- Fikhrist” (“Katalogu” i tij), ky koleksion historish (me origjinë Perse, Indiane, Arabe, Greke, etj)  është  konfirmuar madje edhe shkencërisht prej Orientalistes së Universitetit të Çikagos, Nabia Abbot përmes një fragmenti papirusi të gjetur prej saj, i cili i përket Shek.9. Ky koleksion, me kalimin e kohës u pasurua si në formë gjithashtu edhe në përmbajtje dhe mori trajtën që njohim sot duke u redaktuar për herë të fundit në Egjipt në Shek.14 gjatë kohës së Dinastisë Mamluke Burji. 

Versionin e parë Evropian të këtij “xhevahiri të Orientit” na e jep për herë të parë Orientalisti Francez Antoine Galland me titullin “Les mille et une nuits, contes arabes traduits en français” (Njëmijë e Një Net, Rrëfenja Arabe të përkthyera në Frëngjisht) një vepër kjo prej 12 Volumesh, botuar gjatë një harku kohor prej 13 vitesh (1704-1717) dhe e bazuar mbi një Dorëshkrim Sirian të Shek.14.Përkthimi i saj në gjysmën e parë të Shek.18 do të hapte rrugën dhe do të pasohej për rrjedhojë me një sërë përkthimesh të tjera të “1001 Netëve” në gjuhët evropiane si: Anglisht, Gjermanisht, Spanjisht, Italisht, e kështu me radhë.

“Në Hien e Hurmave”, Kopertina e Versionit të Parë në Shqip të “1001 Netëve” prej Faik Konicës (1924)

Megjithëse jo prej origjinalit, versionin e parë në Shqip të “1001 Netëve” në shqip na e jep eruditi ynë Faik Konica me veprën e tij “Në Hien e Hurmave”, të përkthyer nga Anglishtja dhe të botuar në vitin 1924.Në Parathënien e këtij botimi Konica i citon përkthyesit e shquar britanikë (Scott, Payne, Burton, etj) të kësaj kryevepre por nuk e përmënd versionin anglez të përkthimit të cilit ai i është referuar. Konstatimit të drejtë të studiuesve se tek versioni i “1001 Netëve” të Konicës mungon elementi i Seksualitetit i përgjigjemi që kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se Konica e bazon përkthimin e tij në versionin e Orientalistit Britanik Edward William Lane, një puritan i devotshëm “i cili e ka çensuruar jo vetëm këtë element por edhe gjëra të tjera të papërshtatshme sipas tij” në veprën  prej 3 volumesh, “One Thousand and One Nights”(1840).Vepra e Konicës do të ribotohej edhe në vitin 1943 prej Shtëpisë Botuese “Argus” të intelektualit pro-perëndimor Dhimitër Canco.

Një version të dytë “tejet divers” na paraqet përkthyesi dhe publicisti Dhimitër Falo.Falo, i cili deri në këtë moment që flasim nuk përmëndet fare prej studiuesve për këtë kontribut madhor, e ndërmerr këtë nismë në vitin 1930 me përmbledhjen me rrëfenja “Gjylnar”.Nismë e cila do të pasonte me një seri përkthimesh të kësaj kryevepre, të cilat ai i titullon sipas një rrëfenje specifike të “Alf Layla wā Layla-s”.Vëllimi i fundit që njohim i përkthyer prej Falos i përket vitit 1938 dhe titullohet “Sindbad es Sawah” (Sindbad Detari).Versioni i “1001 Netëve” të Falos bazohet tek përkthimi i “Le Livre des mille nuits et une nuit” (Libri i Njëmijë e Një Netëve) të Orientalistit Francez Joseph Charles Mardrus, një vepër kjo e botuar fillimisht në 16 volume përgjatë viteve 1899-1904 (Vëllimin e parë të së cilës do t’ia dedikonte poetit të madh francez, Stéphane Mallarmé) dhe e reduktuar në 12 të tillë me ribotimin e saj përgjatë viteve 1926-1932.Nëse ndjekim rrjedhën kronologjike, përgjatë periudhës 1930-1938 na rezulton që Falo të ketë sjellë në shqip të paktën 8 libra me përmbledhje rrëfenjash prej kësaj kryevepre (Në dijeninë time, 4 prej tyre janë tashmë pjesë e Koleksioneve Private). 

C:\Users\Admin\Desktop\FullSizeRender (Dhimiter Fallo)3.jpg

“Harun al-Rashid” (Vëll.4), Kopertina e Versionit të Dytë në Shqip të “1001 Netëve” prej Dhimitër Falos (1934)  

Vlen të theksojmë se ndryshe nga Konica, tek përkthimi i Falos imagjinata është e gjallë dhe plot ngjyra, sensualiteti po ashtu, madje edhe përshkrimet erotike rrjedhin lirshëm dhe pasqyrohen besnikërisht si në versionin përkthimor të Mardrus.Një kontribut ky sa letrar po aq edhe ideor, për thyerjen e tabuve, luftimin e mëndësisë së kullës dhe emancipimin mendor të Shoqërisë Patriarkale Shqiptare të Viteve 30-40-të.            

Versioni i Tretë në Shqip i kësaj kryevepre të pakohë na ofrohet në mesin e viteve 60-të prej shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mustafa Greblleshi. Kjo vepër e Greblleshit, bazuar në përkthimin frëng të Galland do të kishte një fat tejet të çuditshëm. Greblleshi, i konsideruar si “Armik i Klasës” prej Sistemit Komunist nuk do ta kishte fatin që ta shikonte botimin e saj sa qe gjallë. E botuar me emrin e Përkthyesit vetëm në vitin 1986, kjo “përmbledhje selektive” prej 20 rrëfenjash do të kalonte në filtrin e çensorëve të rreptë të Partisë  dhe do të sillte për pasojë si produkt përfundimtar një “Njëmijë e Një Net” të thatë, skematike, jo të gjallë dhe brënda Moralit dhe Dogmës Komuniste. Kështu psh, elementi erotik, aq i gjallë dhe i dëndur në rrëfenjat e “1001 Netëve” jo vetëm që është pastruar krejt prej këtij versioni por gjithashtu ky i fundit do të mbahet mënd gjatë edhe për “moralin e lartë komunist të Çensorit” duke ndërfutur brënda tekstit edhe frazën lapidare: “Ngjarje që s’na i lejon edukata ti tregojmë”! (Shih: f.24) Përkthimet e plota të “1001 Netëve” të Greblleshit (një vepër kjo prej 4 volumesh) do të botoheshin vetëm në vitin 2005 nën kujdesin e studiueses dhe botueses Brikena Çabej.

C:\Users\Admin\Desktop\M.Greblleshi, vitet 60.Botuar me 1986 (2).jpg

“Një Mijë e Një Net”, Kopertina e Versionit të Tretë “selektiv” të Mustafa Greblleshit (Përkthyer në Vitet 60-të dhe e botuar me emrin e përkthyesit vetëm në vitin 1986)

Si përfundim, mund të themi se pavarësisht karakteristikave “të trashëguara” prej veprave të autorëve në të cilat janë bazuar (Galland, Lane dhe Mardrus) dhe kontekstit kohor, përkthimet e “1001 Netëve” prej Konicës, Falos dhe Greblleshit përbëjnë një vlerë të shtuar në thesarin e gjuhës shqipe.Përkthyesit në fjalë jo vetëm që që qenë të parët që sollën në gjuhën amë këtë “melting pot” kozmopolit siç është “1001 Netët” por ata kontribuan gjithashtu edhe në kulturën shqiptare, pasi çdo përkthim i realizuar është një mjet i drejtpërdrejtë pikëtakimi ndërmjet popujve dhe kulturave, për rrjedhojë edhe i vet komunikimit ndërkulturor, siç është në esencën e saj edhe “Njëmijë e Një Netët”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj

THE LIVING AGE (1938) / UDHËTIMI I SHKRIMTARIT BRITANIK BERNARD NEWMAN NË SHQIPËRI : “VETËM NJË TRIM SI AHMET ZOGU MUND TË JETË MBRET I NJË TOKE PRIMITIVE SI SHQIPËRIA. KUVENDET E MATIT SI WITENAGEMOT-I YNË…”

July 11, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Korrik 2023

“The Living Age” ka botuar, në gusht të 1938, në faqet n°516-518, shkrimin e shkrimtarit dhe dramaturgut britanik Berndard Newman për Mbretin Zog I, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogu I

Nga Bernard Newman

Nga Daily Telegraph dhe Morning Post, London Conservative Daily

Burimi : The Living Age, gusht 1938, faqe n°516-518
Burimi : The Living Age, gusht 1938, faqe n°516-518

Me përjashtim të një fushe të ngushtë bregdetare, Shqipëria është tërësisht malore dhe luginat e saj të larta janë të një bukurie të rrallë. U mundova një ditë deri te qafa mbi Krujë, shtëpia e heroit mesjetar shqiptar, Skënderbeut. Rruga ishte e skicuar mirë, por me katran aq të trashë sa një makinë që pashë duke u afruar, hyri në të me vështirësi. Një nga pasagjerët e saj doli dhe qëndroi pranë meje ndërsa shikoja luginën e Matit.

“Merri dylbitë e mia,” sugjeroi ai me një ton miqësor. “Pamja ia vlen të shqyrtohet.”

I shtriva dylbitë mbi shpatet e largëta; Po kërkoja vendlindjen e mbretit Zog.

“E shihni atë fshatin e vogël atje?” tha pronari i dylbive; “Ky është Burgajeti. Pak përtej është një kështjellë e rrënuar e vendosur mbi një shkëmb. Aty kam lindur.”

U tremba, sepse nuk e kisha kuptuar që ky udhëtar i rastësishëm ishte Mbreti i Shqipërisë. Pranë meje ishte një burrë i gjatë dhe i hollë, me sy të kaltër dhe të bukur.

Zogu nuk ka lindur mbret. Babai i tij ishte prijësi trashëgues i luginës së Matit. Turqit, në pushtimin pesëqindvjeçar të Shqipërisë, ruajtën organizimin fisnor ekzistues; pasi shumica e shqiptarëve pranuan fenë myslimane, krerët e fiseve ruajtën pushtetin e tyre.

Ahmet Zogu lindi më 8 tetor 1895. U shkollua në Kostandinopojë, fillimisht në lice dhe më pas në Akademinë Ushtarake. Në moshën njëzet vjeç, ai ishte përzier në ndërlikimet e politikës ballkanike. Të parët e tij kishin luftuar më shumë se një herë për çlirimin e Shqipërisë dhe Luftërat Ballkanike ofruan një mundësi unike për veprim.

Në 1912 u arrit në mënyrë efektive pavarësia dhe vitin e ardhshëm Princ Vidi u zgjodh nga Fuqitë e Mëdha si Mbreti i parë i shtetit të ri. Ahmet Zogu i shërbeu besnikërisht Princ Vidit dhe është ende miku i tij.

Princi ishte fatkeq në shpresat e tij për zhvillimin e vendit, sepse pothuajse menjëherë Shqipëria u shkatërrua nga Lufta Botërore. Situata ishte e ngatërruar, me austriakët që pushtuan veriun e vendit dhe italianët dhe francezët jugun. Gjatë kësaj periudhe Zogu hyri në negociata me Austrinë, duke u përpjekur ende për pavarësinë e Shqipërisë.

Aleatët fillimisht e kishin parashikuar Shqipërinë si një protektorat italian, por fryma e pavarësisë nuk mund të mohohej. Në moshën njëzet e tre vjeçare Zogu u bë Ministër i Brendshëm (Home Secretary) në republikën e re. Në vitin 1925, pas peripecive dhe mërgimit, ai u bë President dhe në vitin 1928 u shpall mbret.

Ai nuk e ndryshoi emrin e tij, siç supozohet shpesh. Në gjuhën shqipe “Ahmet Zogu” do të thotë fjalë për fjalë “Ahmet Zogu”, pra “Ahmeti i familjes së Zogut.” Kur u bë mbret, ai përdori mbiemrin e tij – i cili, i pandikuar nga një emër i mëparshëm personal, është Zog.

Megjithatë, mospërfshirja e u-së përfundimtare shkaktoi një ndryshim piktoresk. “Zog” do të thotë “zog” dhe emri vendas i Shqipërisë është “Vendi i Shqiponjës”. Titulli Zog I, Mbret i Shqiptarëve lexohet kështu fjalë për fjalë “Zogu i Parë, Mbreti i Bijve të Shqiponjës”.

Titulli i tij ka shkaktuar shumë zemërim në vendet fqinje. Zogu nuk është Mbreti i Shqipërisë, por Mbreti i Shqiptarëve – dhe ka gati gjysmë milioni shqiptarë në Jugosllavi dhe një çerek milioni në Greqi.

Si shumica e burrave që arrijnë famë, Zogu kishte një nënë të jashtëzakonshme. Në vitin 1920 jugosllavët pushtuan Shqipërinë dhe arritën në luginën e Matit, duke shkatërruar shtëpinë stërgjyshore të Zogut. Zogu ishte larguar në jug me burrat e fisit të tij, duke luftuar me italianët, por nëna e tij Sadije mblodhi pleqtë dhe djemtë e luginës dhe i mbajti pushtuesit në distancë derisa Zogu të kthehej.

Gjatë jetës së saj – ajo vdiq në 1935 (më saktësisht me 25 nëntor 1934) – dëshira e saj më e madhe ishte që djali i saj të martohej. Vështirësia ishte fetare: pak princesha evropiane ishin të përgatitura të martoheshin me një mysliman.

Në Shqipëri nuk kishte vështirësi, sepse toleranca është e jashtëzakonshme. Kur Papa dekretoi që çdo çështje e martesës së Zogut dhe konteshës Geraldinë Apponyi duhet të ishte katolike, kundërshtimi në Shqipëri ishte thjesht një çështje përmasash. Shqiptarët do të mirëpresin një mbretëreshë katolike – deputetët e Parlamentit qëndruan në stolat e tyre dhe brohoritën kur u bë njoftimi – por 70 % e njerëzve janë myslimanë, 20 % katolikë ortodoksë dhe vetëm 10 % katolikë romakë. Prandaj, është e natyrshme që një trashëgimtar mysliman të favorizohet.

Mbreti Zog është, për mendimin tim, një nga punëtorët më të zellshëm në Evropë. Ai ka një personazh të përfaqësuar si një figurë të vetmuar në pallatin e tij, i cili telefonon në hotelet e Tiranës për të parë nëse ka vizitorë britanikë apo amerikanë dhe i shtyn ata që të humbin kohën me të duke luajtur letra. Por, siç u ankua sekretari i tij privat, Mbreti Zog nuk ka kohë të luajë letra.

Sido që të jetë, legjenda shpërthen menjëherë sepse Zogu nuk flet anglisht, megjithëse është një gjuhëtar i mirë, dhe përveç shqipes flet edhe gjermanisht, frëngjisht, turqisht dhe serbo-kroatisht. Por ai ka një mendim të lartë për Anglinë dhe gjithçka angleze, dhe ka dërguar dy mbesat e tij në një shkollë afër Ascot.

Në orët e tij të kufizuara të kohës së lirë ai është një lexues i shkëlqyer, historia është tema e tij e preferuar. Ai është i etur për fitnesin fizik, ka një gjimnaz të vogël në pallatin e tij modest dhe luan tenis energjikisht. Ai është një kalorës i shkëlqyer dhe shpesh shihet duke galopuar në kodrat pas Tiranës.

E gjeta të qetë, por plot vitalitet dhe energji, serioz në mendje, por me një shkëndijë humori të mirëpritur. Nuk e pashë kurrë përveçse të veshur mirë — ai punëson një rrobaqepës të famshëm vjenez. Ai preferon rrobat e thjeshta sesa uniformën, por i mban të dyja mirë. Ai jeton shumë thjesht dhe jeta e tij oborrtare ka një minimum sfilitjeje, siç i ka hije mbretit të një toke malësorësh.

Në Europë flitet lirshëm se Zogu e ka shitur veten në Itali, se ai nuk është më shumë se kukulla e Musolinit. Kjo nuk është e vërtetë. Vendi i tij ishte i prapambetur dhe primitiv dhe Zogut i duheshin para për zhvillimin e tij. Britania dhe Franca nuk ishin të interesuara, pasi kishin njohur “interesat e veçanta” të Italisë në Shqipëri. Kandidati tjetër i vetëm i mundshëm ishte Jugosllavia, e cila nuk kishte para dhe ishte armiku i trashëguar i Shqipërisë.

Që nga viti 1929, Shqipëria ka marrë hua 150.000.000 franga ari nga Italia, një shumë kolosale për një vend kaq të vogël ku shpenzimet dhe të ardhurat totale buxhetore arrijnë vetëm në 18.000.000 franga ari në vit.

Fitimet ekonomike të Italisë kanë qenë të parëndësishme; Bilanci i saj tregtar është i pafavorshëm dhe përbën vetëm 25 % të tregtisë së Shqipërisë. Rastësisht, Shqipëria është një nga vendet e pakta me të cilat bilanci tregtar i Britanisë është i favorshëm, eksportet britanike janë në vlerën 1.400.000 franga ari dhe importet vetëm 58.000.

Italia, është e vërtetë, ka monopolin e furnizimeve të Shqipërisë me naftë, gjë që një ditë mund të jetë e rëndësishme. Megjithatë, përparësia e saj kryesore është strategjike. Ndikimi në Shqipëri siguron kontrollin e Adriatikut dhe përbën një kërcënim ushtarak për Jugosllavinë.

Sipas meje Zogu është një patriot i zellshëm, i gatshëm të përdorë ndihmën e huaj për të zhvilluar vendin e tij, por shumë xheloz për pavarësinë e tij. Një brez më parë, Shqipëria ishte një mburojë (relike) e kohërave mesjetare. I vetmi ligj në vend ishte ai i Lekës (Lekë Dukagjinit), Moisiut shqiptar i pesë shekujve më parë. Ligji i tij pretendohej se ishte themeluar mbi nderin, por përfshinte tiparet më të këqija të gjakmarrjes, që rrënuan Shqipërinë për breza të tërë. Shpejtësia me të cilën ligji i Zogut ka zëvendësuar ligjin e Lekës është e jashtëzakonshme.

Në luginat e egra të veriut, zakonet e vjetra shqiptare vazhdojnë. Çdo pjesëtar i fisit mban pushkën e tij dhe Zogu siguron shoqërim të armatosur falas për udhëtarët e huaj. Nuk pashë nevojë për një masë të tillë paraprake në të gjitha shëtitjet e mia, sepse fisi shqiptar është miqësor dhe mikpritës. Më tej, një xhandarmëri efikase i ka hequr domosdoshmërinë hakmarrjes personale.

Italianët projektuan rrugët dhe stërvitën ushtrinë e tij, por për xhandarmërinë e tij Mbreti Zog rekrutoi një forcë britanike nën drejtimin e Sir Jocelyn Percy – një koleksion i shkëlqyer oficerësh që kishin luftuar piratët kinezë dhe grabitqarët Pathan-ë.

Korrupsioni turk është fshirë dhe tani ka drejtësi në vend. Jo se fisi shqiptar i shkon drejt ligjit. Zogu nuk e ka nxituar historinë dhe kryefamiljari apo kryetari i klanit (fisit) është ende një njeri me pushtet. Në luginën e Matit pashë mbledhjen e këshillit vendor. Ajo u mbajt në ajër të hapur, nën një pemë, në modën e Witenagemot-it tonë. Aty burrat sollën ankesat e tyre dhe pranuan gjykimin e pleqve të luginës.

Reformat materiale të Zogut kanë qenë të gjera. Ai e gjeti vendin e tij pothuajse analfabet dhe ka ndërtuar tashmë 622 shkolla. Inxhinierët italianë planifikuan 1600 milje rrugë tashmë të përfunduara, por forca punëtore u furnizua në vend – shumë shqiptarë duhet t’i japin shtetit dhjetë ditë punë çdo vit, ose të paguajnë dikë tjetër që ta bëjë atë për të. Nuk ka hekurudha në vend, por shërbimi ajror është jashtëzakonisht efikas për një tokë sa madhësia e Uellsit.

Vetëm një trim mund të jetë mbret i një toke primitive si Shqipëria. Zogut I i janë bërë dy atentate për ta vrarë – një herë shambelani i tij iu vra në krah. Ka pasur rebelime periodike kundër sundimit të tij, zakonisht të udhëhequra nga udhëheqës xhelozë.

Një festë kombëtare u mbajt më 27 prill për nder të dasmës së tij me “Trëndafilin e Bardhë”, konteshën e bukur Geraldinë Apponyi të Hungarisë, nëna e së cilës ishte një amerikane. Edhe palët hakmarrëse të gjakmarrjes ekzistuese i harruan urrejtjet e tyre në periudhën e gëzimeve.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1568
  • 1569
  • 1570
  • 1571
  • 1572
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT