• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poezi nga Alisa Bekteshi

February 21, 2023 by s p

Poezi nga Alisa Bekteshi

Toka m’kishte lënë

M’i kishte vra këmbët toka
më kishte tradhëtuar kur ecja kokëlart
se gjethet që kishin ra mbi të si shihja
pa vërejtur, syverbër
deri sa filloi të fliste vetë.
M’i hante këmbët me dhëmbët e mprehtë të tradhëtisë e vetëm qeshte pa e ditur se trupi im tash i përkiste qiellit,
unë veç e huaj për të tash isha.

Cigarja e fundit

Tymi i fundit i cigares ma kishte ndezur trupin
e qimet e mia përpjetë ishin zgju si gacat në ajër kur digjeshin
ti në një anë e unë si shpuzë që m’shkundje në të dyja anët
më kishte deh tymi
e unë cigaren e fundit ia kisha falë tymit të fundit me e ndez edhe trupin tënd
ne të dy shkëndijë mbi flakët që s’kanë fund.

Bubullimë mes reve

Vallëzimin e valsit të fundit ia kisha lënë reve që pa turp na ngjitnin trupat e i bënin të bashkuar symbyllur
se kënaqësia më e madhe ishte kur nuk shihnim asgjë
vetëm zhurmën e reve të qiellit që bubullonte e ndieja
se ajo bubullimë pëlciste mbi copëzat e trupit tim që vetëm ato re e nxjerrnin në pah hijen e sojdisur mbi ngjyrën e kaltër të këmishës tënde
të cilën e ndieja nën lëkurën time
kur të dy bashkë kërcenim valsin e fundit symbyllur!

Filed Under: ESSE Tagged With: alisa bekteshi

Shok

February 21, 2023 by s p

Astrit Lulushi/
Shikoi fëmijët e sotëm, ata kanë rroba të mira, libra të mirë për të lexuar dhe ushqim të mirë -dhe kujto fëmijërinë e shkuar. Nuk kishte asnjë nga këto gjëra. Vendi ishte në vet-rrethim dhe populli nën frikë të brendshme. Fëmijëri shumë e zakonshme dhe e thjeshtë, ishte. Varfëri. Nuk kishte asgjë.
Por në fëmijërinë e secilit êshtë dikush që lë mbresa, bëhet mik në të keqen dhe jep kurajo. Një shok është vetëm i tillë. Kur në shkollë, gjatë pushimit, fëmijët hanë nga kutitë e drekës, është një që thjesht pi vetëm ujë. Shoku, ulet pranë, prek lehtë në sup dhe jep drekën. Flokët i mban të gjata, nuk ka para për t’i prerë. Është ai (shoku) që ia pret.
Kur ishte i trishtuar duke menduar për jetën e mjerë, ai vidhte para nga babai i tij dhe e çonte për të parë filma. Ndërsa kthehehej në shtëpi, ai e bënte të imitonte personazhe nga filmat duke i premtuar se do t’i blinte kikirikë të pjekur.
Sa kujtime nga ato mbrëmje dhe ato rrugica…
Shoku kishte zgjuar ndjenjën e mirënjohjes dhe rebelit. Një ditë shiti orën e dorës dhe i bleu një biletë për në tren. Pjesën e mbetur të parave ia vendosi në xhepin e këmishës. Ky i tha se do t'ia kthente. Ai i tha se nuk duhej, por të ndihmonte nevojtarin dhe ta kujtonte atë kur ta bënte. Kaq mjaftonte.
Pastaj doli në anë tjetêr. Shkoi në Amerikë. Me punë, shpejt u bë i njohur. Pas shumë e shumë vitesh u kthye për vizitë në vendlindje. Kërkoi për shokun, nuk e gjeti. Kudo që shkoi, dëgjoi njerëz që e thërrisin. Ajri mbushej me thirrjet e emrit. Vetëm një zë nuk mundi të dëgjojë, shoku i fëmijërisë kishte vdekur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Në kujtim të Mihal Shuflaj (1879-1931)

February 21, 2023 by s p

Bledi Filipi/

Ndërmjet hulumtimeve dhe botimeve të tij  aq të frytshme ka dhënë ndihmesa të çmuara edhe për sqarimin e disa çështjeve të rëndësishme në fushë të studimeve albanologjike. Dhe sigurisht ai do t’i kishte çuar edhe më tej hulumtimet dhe ndihmesat e tij në këtë fushë të vështirë studimesh, sikur vrasja misterioze të mos e kishte ndërprerë veprimtarinë shkencore në kulm të pjekurisë së tij. (Demiraj, 2003:152

Sipas burimeve të shumta mësohet se pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve më 19 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.

Një ndër çështjet më rrahura të studimeve të tij është pa dyshim ajo që ka të bëjë me çështjen e etnosit shqiptar a arbëresh. Për këtë çështje, siç dihet, janë shprehur mendime të ndryshme, por Shuflaj  ka mbrojtur tezën e vazhdimësisë iliro-shqiptare. Me  këtë tezë ai është bashkuar mendimit të Mayerit, Kretchmerit etj.  Dhe u përpoq të sjellë një sërë argumentesh në mbështetje të kësaj teze.

Këtë çështje ai e ka trajtuar në punime të tij të ndryshme, sidomos në “Biologie des albanischen Volkstammes”. 

Në përgjithësi ishte pranuar  se emri i mëparshëm i Shqipërisë  dhe banorëve të saj (Arbën/Arbër dhe i arbëneshë/ i arbëreshë)  e ka burimin tek emri i fisit ilir Alban-oi-ve  me kryeqendër  kryeqytetin Albanopulis, që i përmend edhe Ptolemeu në shekullin e dytë të erës sonë.

Gjithashtu në monografinë e 1916-s Shuflaj nuk mund të  mos prekte edhe çështjen e elementit trak në gjuhën shqipe, si dhe përkimet midis shqipes dhe rumanishtes. Ai nuk e kundërshton praninë e një elementi trak në gjuhën shqipe, por këtë e shpjegon me  shtegtimin e disa fiseve trake në perëndim. (Demiraj, 2003:156)

Përsa i përket formësimit të gjuhës shqipe, Shuflaj është i mendimit se ajo përfaqëson një fazë të re të njërit prej dialekteve ilire, ky mendim ecën paralel me atë të  Mayerit.

Ndihmesë të madhe ai dha në hartimin e veprës  kolektive “Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia” (vëllimi i parë 1913, i dyti 1916, ndërsa i treti  nuk u botua për shkak të vdekjes tragjike të tij).

Nga sa shohim më sipër Shuflaj nuk qe vetëm një historian i talentuar, por hapi edhe hulli të reja në ndriçimin e historisë së popullit shqiptar, që dha ndihmesa të çmuara në fusha të ndryshme të albanologjisë dhe ballkanologjisë.

Filed Under: Emigracion

Poezi nga Lulëzime Malaj

February 21, 2023 by s p

Pas “Madame Butterfly”

Ai, ishte një virtuoz i çmendur, violine,

Në një shesh, luante ca shkallëve lart,

Jehonin notat, si në koncert me harqe;

Aty ish’ Beethoven, Puccini e Mozart!

Ai, bëhej stuhi sa her’ kërcisnin shkallët,

Nga këpucët e një zonje me taka t’larta,

Ndoshta ajo, më të ish dashuruar, ndaj,

Ia griste akordet me këpucët e kaltra!

Ajo, seç kishte diçka, si krizantemë…

Syt’ e ëndërrt blu dhe ecte mbi taka,

Ai xhindosej, kur dëgjonte trokun e tyre,

Gati i priste telat, n’kohën dy të katërta’!..

Dhe ëndrrave i dilte, si sirenë, fluide,

Befas kërcente, sikur shembte një bot’!

Ai si i marrë, ngrihej t’i shkulte shkallët,

E kthehej jo i penduar, po s’i shkulte dot!

Kaluan ditë dhe takat s’dukeshin kund,

Violina u ça dhe perde t’kuqe, sikur ranë,

I flakën parukët e ikën Mozarti e Puccini,

Harqe e partitura, shkallëve ranë!

Se mos rendte më, pas “Madame Butterfly”?…

Atij, pas zonjës me taka këmbët i ranë!

Po ndoshta, ajo, kish’ dal nga një libret,

Dhe heshtur, u strehua në një roman!

Atdheu

Dashuri e parrëfyer më je Atdhe,

Ndër vise, në gjith’ dheun mbarë!

Metropoleve, parzmore ti më veshe,

Askund më ngroh ky diell i marrë!

Në ty lind një ditë e re me shpresë,

Agimi të kuq’n e mollës ka marrë,

Perëndimi trëndafiltë në ato vise,

Bardhësi e borës larë në ar.

Atje dimri i përngjan beharë,

Edhe dielli lind i buzëqeshur,

Edhe hëna sodit e përkorë,

Edhe qielli me të bruztë veshur…

Djepi i lindjes ku u nanurisa,

Ku mësova gjuhën e nënës,

Arave thurra ëndrra ndër plisa…

Ku zbrazen florinjtë e hënës!

Të kam dhembje, gaz e brengë,

Në strehën time bie paqe qetë,

Mokrrat vozitin magji kënge,

Përroi në koritë, luan klarinetë!

Atdheu, ku luhen fatet e popullit tim,

Ku janë tretur eshtrat e të parëve…

Gati jam, ta jap shpirtin si shpërblim,

Të mbështillem, me flamur dykrenore!

Rrëfimi

Kushtuar Personalitetit të Shquar,

At’ Gjergj Fishta

Ndrojtur, i afrohem faltores,

Në një cep, fshehtas në errësirë,

At-i, heshtur në pritje më thotë:

-Më dëfto, rr’fehu bijë, mos u mshef ,

Ma në fund, zbraze njat shpirt,

Dhe afroju do pak t’lutna,

Të të ndigjoj ma mirë!

-At jam dashuruar – i them

-Nuk asht turp dashnia! – më thotë-

Veç mos ke mëkatu,

M’kati, asht gja e keqe bija ime,

Sidoqoftë, na krejt m’katojmë,

Po Zoti, bijë, asht i madh e na,

Pastron nga paudhësinat si gjithmonë.

Mirësia e Zotit çliron këdo,

Largoji njato brenga dhe shqetësime,

E shoh qi je pendu, n’mërzi mos u myt ,

Zoti, di t’fal m’katet, Ai asht m’shirus, mos u frigo!

-At, mëkati im është i padiskutueshëm,

Kam rënë në dashuri me një Prift – Profit…

-Hëëmmm, ah bijë, të shoh ç’mund të bëj.

Nëpër kishë, humbi zëri i At-it që lutej…

-Më fal At! – e ndërpres unë;

At, unë kam rënë në dashuri me ty,

Me “Lahutën e Malcisë”…- i them sakaq…

At-i, befas, kapsalliti sytë i hutuar dhe tha:

-Don nji bekim?!

-Po! Po kënaqem me aq!

Ra zilja… gjumi u zhduk, agu u shfaq!

Filed Under: LETERSI

PËR 20- 21 SHKURTIN E VITIT 1991

February 21, 2023 by s p

ASLLAN BUSHATI/

Viti 1990 kishte shumë ngjarje (të njohura tashë për publikun), të cilat bënë që “kazani”  në Shqipëri të ishte në valim e sipër.Të marra së bashku ato, kishin ndikuar thellë në mjedisin e brendëshëm ushtarak të Shqiperisë ndoshta pak më shumë se tek qytetarët e tjerë. Këto e shumë të tjera formësuan në ndërgjegjen dhe mentalitetin e drejtuesve kryesor të ushtrisë dhe të ushtarakëve të rangjeve më të ulta, një lloje dyzimi mbi problemet madhore që kishin përpara. Ushtarakët, përvec familjes kishin parësore edhe detyrën (atëdheun) dhe patriotizmin. Por disa patriotizmin e shihnin të lidhur vetëm me detyrën ushtarake dhe familjen dhe disa të tjerë e shihnin atë të lidhur edhe me komunizmin që ishte në rrukullim për poshtë. Fryma e kolektivitetit dhe e veprimtarisë së përbashkët vecanërisht në Ministrinë e Mbrojtjes ,kishte filluar të plasaritej. Epitete me sens negative kundër njeri tjetrit, eproreve e vartësve pëshpëriteshin nën buzë jo rrallë. Në atë kohë unë mbaja postin e Zëvëndës Drejtorit të Kimisë. Kujtoj këtu një rast me një kolegun tim në fillim të shtatorit te 1990-tës, të cilin e pyeta se si mendon përse Komandanti i Përgjithshem po pyet vetëm intelektuale civilë për pluralizim dhe jo edhe ato ushtarakë ? Ai shkurt më kundër pyeti:”Po ti vërtet mendon se pluralizmi politik do të vijë edhe në Shqipëri?” I thashë se jam krejt i sigurtë se do të ta gezojmë para vitit te ri 1991. Ai me tha”Kurrë s’ka për të ardhur. Tradhëtarë”.E thashë këtë dialog të shkurtër me kolegun tim, jo per ta lënduar atë sot pas 32 vitesh, por vetëm si ilustrim të mjedisit të brendëshëm.Këto e shumë e shumë të tjera tregonin qarte se kazanin ushtark ishte ne valim para 20 dhe 21 shkurtit te 1991-shit. Ai priste vetem pretekst te cfrynte pjese nga nxehtesia e brendshme.
Rrezimin me 20 shkurt të munomentit të diktatori, në MM, shumë vetë e pritën si një gjëmë të madhe që i ndodhi kombit shqiptar, si një pabesi, poshtrim e dhunim i historisë dhe vlerave kombëtare. Disa të tjerë (përfshi edhe mu), si liri, clirim nga diktatura dhe hijet e saj, si hapsirë e re për një të ardhme më të mirë. Kjo ishte pra tablloja dyplanëshe me pak fjalë në sferat e larta të ushtrisë. Përballë njeri tjetrit, të gjithë të armatosur, të inatosur e nën trysninë e peshës së ngjarjeve shumë të vrullëshme të asaj kohe .
Në këtë klimë në mesditën e 21 shkurtit, në MM, nën drejtimin e ish ministrit Kico Mustaqi, u mblodhën kuadrot kryesore të aparatit Ministriesë dhe të Shtabit Pergjithshem. U lexuan disa komunikata operative për situatën poshtë në njësi e reparte dhe pastaj u hap debati se c’po ndodh me situatën politiko-ushtarake në tërësi. Pati arsyetime se situata është e rëndë dhe se ushtria duhet të luaj një rol parësor. Të tjerë pyesnin pse s’u mbrojt munomenti i Enver Hoxhës? Ose thjeshtë kush e tradhetoi Enver Hoxhën? Tradhëtarët të arrestohen dhe të pushkatohen po të jetë nevoja, thërrisnin disa gjysëm hapur e gjysëm kokë ulur. I ndodhur përballë këtyre pyetjeve dhe shumë të tjera të kësaj natyre të cilat bëheshin me mllef, nga vendi me leje e pa leje, ministri Kico Mustaqi u vu në pozita të vështira. Në këtë moment u kërku të lexohej deklarata e shkollave ushtarake që lajmeronte krijimin e “Komitetit Ushtarak për shpëtimin Kombëtar”, e cila i hodhi me shumë benzinë zjarrit , duke e bërë situatën shpërthyese. Kjo deklaratë kishte fragmente ultimative, ku ndër të tjera ishte ajo e marrjes së shtatores së Enver Hoxhës nga mjediset e shkollave ushtarake dhe montimi i saj në bazamentin e atij që u rrëzu. Duke mos parë rrugë dalje për këtë situatë dhe për të shkarkuar përgjegjësitë e tij, Kico Mustaqi tha se shpjegimet për të gjitha këto i kalojnë kuadrin e përgjegjësive të mija si ministër mbrojtje, prandaj qëndroni këtu sepse unë për 10-15 minuta do të sjellë para jush Komandantin e Përgjithshem që t’ju përgjigjet pyetjeve të shtruara. Edhe pas largimit të ministrit, thirrjet, bërtitjet, kërcenimet, batutat ofenduese, gjak nxehtësia, mllef deri në shperthim, vazhduan me zë të lartë disa prej të cilave i ndëgjoi edhe ish Presidenti Raniz Alia kur po ecte koridorit për të hyrë në sallën e mbledhjes i shoqëruar nga Kico Mustaqi.
Presidenti ishte i zbehtë në fytyrë sikur po vinte nga ndonje ceremoni varrimi. Ai tha se ministri Kico Mustaqi e kishte njohur me disa nga shqetësimet e të pranishmeve dhe si fillim tha se ishte shumë i tronditur nga “huliganizmi” në qendër të Tiranës me shtatoren e Enver Hoxhës  nën hundët e policisë dhe strukturave të Ministrisë Brendëshme. Ai u betu e stërbetu se nuk e kishte tradhëtuar askush veprën dhe idealin e Enver Hoxhës. Dhe në vazhdim tha se e kishte shkarkuar nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendëshem Hekuran Isain, pikërisht për të mbrojtur vepren e Enver Hoxhës e në postin e tij kam emruar –tha-Gramoz Rucin. Në këtë moment filloi të lotonte (aktronye) duke lënë të kuptonte se e ndiente thellë në shpirt ato që thoshte me fjalë. Kjo e bëri një farë efekti psikologjik mbi të pranishmit. Dhe në vazhdim shtjelloi idenë se armiku i jashtëm po vepron fort dhe i lidhur ngushtë me ate të brendëshem. Klasat e përmbysura duan të kethehen në fuqi, dhe ata nuk duan vetëm rrezimin tim nga pushteti, por dhe të gjithë sejcilit nga ju në këtë sallë. Prandaj mos u ligështoni se vetëm të bashkuar mund ta perballojmë situatën dhe të fitojmë. Kam pergatitur dhe dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtë zakonëshme (duke e drejtuar nga salla), por mendoj –tha ai-se ajo është masë ekstreme. Kam krijuar Këshillin Presidencial dhe do të krijojmë një qeveri të re me figura të reja për të përmiresuar situatën. Këto e disa sllogane të tjera parafabrikat alla komunistëshe e ulën tensionin pak,por të pranishmit duke parë se Alia kishte në plan të largonte nga detyra edhe Kico Mustaqin në mënyrë gati ultimative i thanë se s’guxon kush ta largojë atë nga detyra e ministrit të mbrojtjes. Atëhere ai la të kuptonte se do ta merrte parasyshë këtë propozim, por si kërkese tha që të përsosen elementet kryesor të gatishmërisë vecanërisht në Tiranë me njësi ushtarake të spesializuara.
Presidenti u largu, mbledhja u mbyll, por tensionet mbetën të larta. Ndërkohe filloi puna për afrimin e njësive sulmuese nga disa rrethe dhe dislokimi i tyre në pikat strategjike për rreth Tiranës. Po ashtu filloi përgatitja për cvendosjen e bustit te diktatorit nga shkollat ushtarake për në qendër të Tiranës. Për këtë me 22 shkurt u bë nje përgatitje e përbashkët e kuadrove te MM-së dhe asaj të brendëshme në poligonin e Shkollës Bashkuar në Lazaret pranë Shtish Tufines, nën drejtimin e Kico Mustaqit dhe Gramoz Rucit. Në këtë stërvitje të përbashkët nuk di se kush hodhi idenë që kur të vendoset shtatorja e diktatorit në shesh në qoftë se demostruesit tentojnë ti afrohen krahas të tjerave të perdoren edhe lende helmuese shqetësuese kloropikrinë. Për këtë u urdhëru Drejtori i Kimisë të përgatiste një sasi të domosdoshme për këtë veprimtari dhe kështu u bë ku u pergatiten 110 “granata” qelqi të mbushura me nga 200 mililitra kloropikrinë. Kundërshtova hapur se ky është një veprim i gabuar por askush nuk më dëgjoi. Duke ditur rrezikun që ato paraqisnin i kërkova takim urgjent Shefit të Shtabit Përgjithshem Halim Abazi. Ai ishte një ushtarak i zoti, i kulturuar, i matur në vendimet që merrte dhe një shtetarët serioz. Pasi dëgjoi shpiegimet dhe shqetësimet e mia, ai mori në telefon në prezencen time Presidentin Ramiz Alia. I bëri të ditur se shteti ynë nuk kishte ligj për përdorimin e lëndëve lotuese kundër demostruesve dhe aq më keq që kloropikrina është lëndë shqetesuese luftarake dhe nuk ka garanci përdorimi. Dikush mund ta përdorë ate në mjedise të mbyllura që mund të shkaktojë edhe vdekje. Alia u pajtu me sygjerimet tona dhe u shpeh prerë:”urdheroj që ky mjet të mos përdoret nga askush”.
Kur qytetarët e Tiranës moren vesh se shtatorja e diktatorit do të cvendosej nga shkollat ushtarake për në qendër të Tiranës, vunë barrikada në cdo 100 metra në Rrugën e Dibres per ta pamundësuar një gjë të tillë. Mijra vetë rrethuan shkollat ushtarake dhe hidhnin parrulla si: “poshte diktatori, rroftë demokracia, vetëm mbi trupat tona të vdekur mund të kalojë shtatorja e diktatorit” etj. Në të njejtën kohë demostruesit jashtë kontrollit filluan të qëllonin me gurë e sende të tjera të forta nga rruga për në thellësi të murit rrethues. Personeli i shkollave ushtarake i armatosur tërësish si në gjendje lufte pa autorizimin e Komandantit të Përgjithshem, filloi të hape zjarr mbi demostruesit. Kjo ishte pika më kulmore e dhimëshme sepse pati edhe të vrarë e të plagosur.
“ Komiteti Ushtarak” brenda shkollave ushtarake dhe në masmedia, filloi të deklaroje për mundesinë e vendosjes së gjendjes së shtet rrethimit në të gjithë vendin, dhe mundesinë e një qeverisje ushtarake. Këto e komplikuan akoma më shumë situatën sepse kishte formësuar elementet kryesore të një grushti shteti ushtarak. Por kunder kujt drejtohej ky grusht shteti shtrohej pyetja? E djathta ishte në opozitë dhe e pa formesuar akoma. Ramiz Alia ishte personi që Enver Hoxha i dorëzoi të gjitha pushtete para vdekjes. Sic kam marrë vesh më vonë nga i ndieri Azem Hajdari dhe Abdi Baleta, brenda ketij komiteti kishte paqartesi të shumta ideore e konceptuale se cfarë kërkonin e cfarë po bënin. Në veprimet e tyre shihej qartë një arrogancë e prepotencë e shfrenuar dhe munges llogjike deri në ekstrem. Edhe përpjekjet e disa negociatoreve të së djathtës kryesuar nga Neritan Ceka rezultuan të pa suksesëshme. Kështu qorrsokaku ku e futi veten ky komitet ushtarak me veprimet e vendimet që mori, (në një moment të vështirë për vendin) i la ushtrisë në dorë dopio gjashtën e pucit ushtarak, nje etiketim i pa merituar dhe i dënueshëm nga pikpamja kushtetuese e shoqërore. Zollumi do të kishte qenë akoma më i madh në qoftë se nuk do të ndërhynin në uljen e gjakrave e qetësimin e situates disa persanalitete te nderuar nga brenda shkollave ushtarake si ish eprorët e lartë Kostaq Karoli, Adem Copani etj. Ata ishin intelektuale me formim të qëndrueshëm, me përvoje në drejtim dhe vizionar të kulturës e mendimit ushtarak.
Atëherë si perfundim, cfarë ishte kjo marrëzi e formësuar si puc shteti ushtarak? Në gjykimin tim ishte një presion i krahut konservator komunisto-ekstremisto –enverist i Byrosë Politike te Partisë Punës ndaj Ramiz Alise, i zbritur me poshtë në MM dhe prej saj në shkollat ushtarake. Ata ndjeheshin të tradhëtuar nga veprimet e Ramiz Alisë dhe tërësisht të friksuar nga prognoza e së djathtës në formim. Ndjeheshin në një farë llahtari shpirtëror për krimet që kishin bërë gjatë rregjimit komunist dhe se ato mund t’ju këtheheshin si një ortek në stuhinë e kohës duke i lëshuar në fund të greminës politike e shoqërore.


Filed Under: Sociale Tagged With: asllan Bushati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1824
  • 1825
  • 1826
  • 1827
  • 1828
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT