Poezi nga Alisa Bekteshi
Toka m’kishte lënë
M’i kishte vra këmbët toka
më kishte tradhëtuar kur ecja kokëlart
se gjethet që kishin ra mbi të si shihja
pa vërejtur, syverbër
deri sa filloi të fliste vetë.
M’i hante këmbët me dhëmbët e mprehtë të tradhëtisë e vetëm qeshte pa e ditur se trupi im tash i përkiste qiellit,
unë veç e huaj për të tash isha.
Cigarja e fundit
Tymi i fundit i cigares ma kishte ndezur trupin
e qimet e mia përpjetë ishin zgju si gacat në ajër kur digjeshin
ti në një anë e unë si shpuzë që m’shkundje në të dyja anët
më kishte deh tymi
e unë cigaren e fundit ia kisha falë tymit të fundit me e ndez edhe trupin tënd
ne të dy shkëndijë mbi flakët që s’kanë fund.
Bubullimë mes reve
Vallëzimin e valsit të fundit ia kisha lënë reve që pa turp na ngjitnin trupat e i bënin të bashkuar symbyllur
se kënaqësia më e madhe ishte kur nuk shihnim asgjë
vetëm zhurmën e reve të qiellit që bubullonte e ndieja
se ajo bubullimë pëlciste mbi copëzat e trupit tim që vetëm ato re e nxjerrnin në pah hijen e sojdisur mbi ngjyrën e kaltër të këmishës tënde
të cilën e ndieja nën lëkurën time
kur të dy bashkë kërcenim valsin e fundit symbyllur!