• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?

January 30, 2023 by s p

Ramiz Mujaj/

Kosova apo siç duhet të thuhet Dardania është shtet që 15 vite, Shqipëria që 110 vite, e sa është numri i shqiptarëve rreth e rrotull shteteve tona dhe diasporë? Në vitet 90-të kur po shpërbëhej Jugosllavia, Serbia hegjemoniste e kasapit te ballkanit, siç eshte e ditur, se pari ja mësyu Sllovenisë për ta nënshtruar edhe që me numër të popullsisë te përafërt me të Kosovës. Atë kohë e tërë ish-Jugosllavia e pati  mesy Slloveninë, por ata ishin të organizuar mire e që para se te hynin ne kufi forcat jugosllave u penguan dhe nuk munden ta pushtojne Slloveninë dhe vetem per nje jave forcat jugosllave nuk ja arriten qe ta pushtojnë popullin Slloven dhe atë ditë e sot ata jetojne te pavarur dhe te lire. Pastaj lufta filloi në Kroaci dhe dihet që pati shumë viktima por kah fundi u përdor forca ushtarake në Knin dhe liruan edhe ate pjese te territorit nga Serbet dhe ata sot jetojne te lire. Mali i zi që është me popullsi edhe më pak se gjysma e popullsisë së Kosovës Dardane me ca probleme minoritare serbe sot është  shtet funksioanl dhe anëtar i NATO-s.

Maqedonia e brishte me shume probleme dhe me nje identitet fallco sot eshte me e qetesuar nga pikepamja e stabilitetit politik ne krahasim me Kosoven. Dardania me nje identitet krejtesisht tjeter me nje popullsi thuja 95% nje etnike ne krahasim me shtetet per rreth nesh e sidomos me shtetin serb edhe qe jemi bere shtet sot kemi probleme e problemi thelbesor eshte mos uniteti i mendimit kompakt brenda partive tona brenda Kosove po ashtu i Qeverise se Tiranes me ne krye Edi Ramen i cili sot eshte i rreshtuar ne krahun e kriminelit te serbise Vuqic. Ne sot jemi shtet qe 15 vite te njohur nderkombtarisht dhe qe 23 vite e kem fitua luften kunder Serbise. Problemi numer nje tek populli yne eshte se ne nuk dijmë të jemi kompakt per qeshtjen tone madhore. Shifeni si populli shovenist serb vetem per te perfituar ende territore te vendit tone i vrasin edhe njerezit e vet vetem qe t’i akuzojne shqiptaret dhe ne dialog te jene disi viktime para bote me fakte te rrejshme. Serbet ne Kosove jane 2-3 %  dhe e gjithë bota duhet te punojnë në favorin e tyre. Fatkeqësisht, qeveria e shtetit Shqiptar ne krye me Edi Ramën mbështetë hegjemoninë e Vuqiqit dhe injoron qeverinë Kurti, ne vend qe te ishti ne perkrahje te kesaj te fundit 100%. A e shihni sa kompakt jemi “ne zgjidhjen e problemeve tona si shtet. Nje minoritet 2-3 % eshte ne gjendje te na beje “pike e pesë” per problemin tonë shtetëror. Se pari shiko opinionet serbe, qe i madh e i vogel luftojne vetem per ta shfrytezuar rastin qe me çdo kusht gjate negociatave te marrin diçka ose çkado nga shteti i Kosoves. Shikoni opinionistat dhe opoziten e Kosoves se si sillen dhe flasin. Shumica e lidershipit sot ne Kosove duhet te jete kompakte per hire te dialogut duhet te jene ne anen e qeverise dhe mos te thone qe serbia duhet tekompenzohet me Zajednice e dikush me veriun  e Kosoves apo dikush me Trepcen. Sot qeveria aktuale eshte ka mbet e vetme dhe stoike ne kerkesat legjitime e cila eshte e vendosur qe ta ruaj me cdo kusht soranitetin dhe prespektiven nderkombetare te Kosovës pa bërë leshime. Sipas qeverisë Kurti, Serbia duhet të jep llogari së paku për tri gjenocidet e bëra në 100 vitet e fundit ndaj popullit shqiptar, per te gjeturit e zhdukur gjate luftes dhe të kerkoj falje per shkatërrimet e luftes se fundit. I gjithë lidershipi Shqiptar duhet te jete ne perkrahje te kerkesave te qeverise Kurti. Per shkak te mos ketij uniteti, sot flitet qe bashkesia nderkombetare si duket do ta anashkaloje qeverine aktuale per t’ua bere te mundur Serbeve qe te marrin sado pak kompetenca brenda shtetit te Kosoves bashke me opoziten ne Kosove dhe sa duket me shoqerine civile apo OJQ-te qe i ka ne grusht te financuara prej shume vitesh prej tyre. Kjo pune te jep te kuptosh se ne si popull jemi e zeza e vehtes sonë. Shiheni qeverine e Shqiperise me ne krye Edi Ramen i cili me lojerat e ndyta, pro Serbe, me vite te tera i eshte afruar presidentit famëkeq te Serbise ne vend qe te ishte 100% afer Kosoves. Shihni, edhe sot aferat korruptive te kryeministrit te Shqiperise Edi Rama ne bote, deshtëm apo nuk deshtëm, na i dobesojne pozitat tona ne prag te ketij dialogu. Eshte e turpshme qe nuk punojme te gjithe si shtet, si dy shtete apo si komb, te gjithë per te njejten kauze kombëtare. Shpresoj te mos ndodh siç po flitet. Deshiroj qe te jem une gabim ne mendimet e mia dhe zgjidhja te jete gjithsesi ne te miren e popullit tim. Une mendoj se askush tjeter nuk ka te drejte te nenshkruaj dhe të vendose per popullin tim, perveç të zgjedhurit e popullit bashke me opoziten. Mendoj se anashkalimi i Qeverise, ashtu siç po flitet, dhe zhvillimi i dialogut me komponent tjerë si me ata te opozites dhe OJQ  apo shoqërinë civile, mendoj se eshte metodë “Haxhi Qamilqe” që nuk e zgjidhë problemin. Opozita dhe OJQ të Kosovës nuk duhet të bien pre e askujt. Mund te jene perkrahëse te qeverisë dhe ne ndihme te qeverise sepse e kunderta do te ishte gabim i pariparueshem.

Filed Under: Politike

VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT

January 30, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 Janar 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë promovuan në Selinë Qëndrore të Vatrës katër vepra shkencore dhe publicistike të Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Me pjesëmarrjen masive të vatranëve, shkrimtarëve, studiuesve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, kryetarëve e përfaqësuesve të shoqatave kryesore shqiptare në New York e më gjërë, veprat:

1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”;

2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”;

3. “Esencat e mendimit letrar” dhe

4. Studies on Albanian Literature and Ethnology, u priten me respekt, vlerësim, sukses dhe interes të madh nga publiku shqiptaro-amerikan. Nën prezantimin e Mëhill Velaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, fjalën përshëndetëse në emër të Vatrës e mbajti Dr.Pashko Camaj i cili theksoi rëndësinë historike dhe shkencore të botimeve që u promovuan në Vatër. Shpend Gjocaj lexoi një pjesë nga libri i Besim Muhadrit dhe falënderoi profesorin për punën e shkëlqyer dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës. Në fillim të ceremonisë të pranishmit kujtuan me një duartrokitje ditëlindjen e 87-të të gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare. Ambasador Frymëzim Isufaj i ardhur ekskluzivisht nga Uashingtoni për promovimin ndër të tjera tha se veprat që promovohen sot, janë një punë e zellshme, një trashëgimi e madhe dhe e rëndësishme për letërsinë, historinë dhe shqiptarët e diasporës. Adnan Mehmeti Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë foli rreth vlerës së studimeve të Prof.Besim Muhadrit dhe botimet rreth Albumit të Nolit, Mëhill Velajt e Namik Selmanit. Dr. Bexhet Asani në kumtesën e tij u ndal te rëndësia e Kanunit të Lek Dukagjinit. Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën përshëndetëse të lexuar nga Editori i Diellit u shpreh se Prof. Besim Muhadri është nje nder kërkuesit që ka bere një pune cilësore, kërkimore shkencore dhe parashtron një bibliografi te gjere për te trajtuar një periudhe te rëndësishme historike të përdorimit të kanunit të leke Dukagjinit. Pra, Muhadri bën nje analize të veprës “Kanuni i Leke Dukagjinit” për të bere të njohur në mënyrë të përmbledhur vlerat dhe risitë e këtij studimi. Kumtesa e Idriz Lamajt lexuar nga Editori i Diellit fokusohet te puna e jashtëzakonshme e Dr.Rexhep Krasniqit dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Studiuesja Valdete Dida Cenalia kumtoi rreth rolit të Rexhep Krasniqit për Shqipërinë natyrale. Kritiku letrar Pal Ndrecaj diskutoi rreth rëndësisë së krijimtarisë letrare dhe studimore të të katër librave të Prof. Besim Muhadrit. Studiuesja Arjeta Ferlushkaj i bëri një analizë cilësore dhe sasiore krijimtarisë së plotë të Prof. Muhadrit dhe u ndal te shikimi i Kanunit në disa perspektiva studimore. Shkrimtari Tom Paloka recitoi 2 poezi kushtuar Rexhep Krasniqit dhe Shtjefën Gjeçovit. Në fund të promovimit, piktori skenograf z.Astrit Tota i dhuroi një pikturë Prof.Besim Muhadrit në shenjëvlerësimi mbi krijimtarinë e tij në fushën e albanologjisë dhe historisë kombëtare.

Në fjalën përmbyllëse Prof. Besim Muhadri falenderoi organizatorët, referuesit, pjesëmarrësit dhe

shpjegoi në detaje peripecitë e punën voluminoze në përgatitjen e katër botimeve që u promovuan në Vatër. Ai falenderoi në mënyrë të veçantë studiuesin Idriz Lamaj dhe Ambasador Frymëzim Isufaj. Promovimi u mbyll me dhurimin e librave me nënshkrimin e autorit dhe një koktejl të përgatitur nga patrioti fisnik Toni Musaj. Vatra e Dielli shprehin mirënjohje dhe falenderim për gazetarët Adem Belliu, Halil Mula dhe Beqir Sina që ndjekin me profesionalizëm të lartë aktivitetet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR

January 29, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence
Prifti që shpëtoi këmbanën e Skënderbeut. – Bashkimi i Shqiperise

Federata Pan-Shqiptare Vatra në bashkpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, promovojnë 4 vepra të Prof. Besim Muhadarit. Në njoftimin e përbashkët të këtyre dy organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan, ftohen dashamirësit e librit dhe publiku i gjërë  që të marrin pjesë (të dielen, më 29 janar 2023 ora 11 AM) në kryeqendrën e Vatrës ku do të promovohet veprimtaria shkencore e Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Njoftohet se promovimi përfshin 4 vepra të autorit Muhadri:1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”; 2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”; 3. “Esencat e mendimit letrar” dhe 4. Studies on Albanian Literature and Ethnology.

Për librat e Prof. Besim Muhadrit do të flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr. Bexhet Asani, Dr.Paulin Marku, Fran Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dok. Arjeta Ferlushkaj.  Pjesë nga krijimtaria e Profesor Dr. Besim Muhadrit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend Gjocaj.    Me këtë rast deshta vetëm të them — shkurtimisht — dy tre fjalë për dy prej protagonistëve të këtyre veprave të Prof. Muhadrit: At Shtjefën Gjeçovin dhe Dr. Rexhep Krasniqin.

                                                ****************

Përshëndetjet e mia gjithë ju, miq e dashamirë të letrave shqipe dhe admirues të këtyre dy pesonaliteteve të mëdha të historisë së Kombit shqiptar.  Më duket vetja sikur po bëj një sakrilegj që të flas për Rexhep Krasniqin në një tubim si ky, në shoqërinë e dy autoriteteve mbi jetën dhe veprimtarinë e Dr. Rexhep Krasniqit — kolegut dhe mikut tim, studiuesit Idriz Lamaj, i cili ka punuar për disa dekada me Dr Rexhep Krasniqin në Komitetin Shqipëria e Lirë dhe autorit Dr. Besim Muhadri, autor të librave që po promovojnë sot. Njërin prej këtyre personaliteteve kam pas nderin ta njoh. Dr Krasniqin e kam njohur, por nuk mund të pretendoj se jam ekspert i jetës dhe veprimtarisë së tij. E kam admiruar për aq sa e kam njohur – si njërin prej përfaqsuesve më të denjë të asaj gjenerate patriotësh shqiptarë anti-komunistë– gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore – të cilët punuan aq shumë për Shqipërinë, Kosovën dhe për drejtat e të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Për atë kohë që e kam njohur, në rininë time, në fillim të 1970-ave, Dr. Rexhep Krasniqi – në atë kohë Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë – brezit tim i jepte kurajo për të vazhduar mësimet dhe gjuhën anglisht dhe na ushqente me patriotizëm, si shumë bashkohas të tij, e për të cilin — modestësisht – kam shkruar edhe më parë. Frank Shkreli/ Prof. Dr. Rexhep Krasniqi: Bir shpirti i Bajram Currit | Gazeta Telegraf —

Dihet – megjithse nuk flitet për kontributet e tija, as nuk shkruhet aq sa duhet për të — si përshmebull për rolin e Dr. Rexhep Krasniqit në hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos në Kosovë – si njëri prej të dërguarve të posaçëm të Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Prof. Ernest Koliqit gjatë Luftës së dytë Botërore. Por dhe përpjekjet e tija gjatë gjithë jetës, përfshir veprimtarinë e tij në mërgim – në mbështetje të bashkimit kombëtar, të lirisë dhe të demokracisë për shqiptarët nën regjimet komuniste sllavo-aziatike.  Për kontributet e tij të shumta në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur Dr Krasniqit falënderimet e veta, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975, duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë, me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jashtë Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit në shenjë nderimi dhe falënderimi, sot më 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të pasur, patriotike, kulturore dhe historike edhe me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë revistën e njohur  “Shejzat” të Ernest Koliqit. Janë, sidomos, të njohura dhe të dokumetuara shkrimet e tija në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” që ai drejtonte, në gazetën, “Shqiptari i lirë”.  Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjerë, ku merrte pjesë për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjendjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asaj kohe. Në këtë rol, Dr. Rexhep Krasniqi ishte një zëdhënës i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e demokraci, dnërsa u bënte të nohur audiencave të huaja – sidomos amerikanëve – cilësitë ezgjedhura të Kombit shqiptar, në krahasim me kombe të tjera.  Si përfaqësues i lartë i komunitetit shqiptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjendej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët prej të cilit – personalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës – kërkonin këshilla e informacion të besueshëm mbi gjendjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

 At Shtjefën Gjeçovi –

“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet kombi pa gjuhë”. (At Shtjefën Gjeçovi)

Ashtu siç përhapte gjuhën shqipe Rexhep Krasniqi në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe protagonisti i një libri tjetër që promovohet sot të  autorit Prof. Besim Muhadrit, At Shtjefën Gjeçovi — edhe ky një apostull tjetër i bashkimit kombëtar – i dërguar prej Zotit – ka kapërcyer gryka e male – duke përhapur abetare nepër Kosovë, në kohën e tij, siç sugjeron edhe kënga popullore:  “Të kjofshim falë Kosova Nanë,/ Burra trima shumë ke dhanë/ Ç’ashtë ky burrë musteqezi,/Plot me lavd dhe krenari./Plot me lavd e krenari,/nderoi veten e këtë Shqiptari./ Kapërcen gryka dhe male, /Tuej shpërnda plot abetare./Me u lanë breznive vepra/ me i harrue kurrë sa të jetë jeta./Ky ashtë biri i këtij trolli, i thonë për emën Shtjefën Gjeçovi. 

Kështu i këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili është vrarë në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më 1929.   Frank SHKRELI/ At Shtjefën Gjeçovi — apostull i bashkimit kombëtar | Gazeta Telegraf.  Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i cili gjithë jetën e vet punoi për “Atme dhe Fe” — për nga aktiviteti i tij patriotik — ai radhitet me veprimtarët më të dalluar të lirisë dhe patriotizmit të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si patriot shqiptar. Ai ishte një mishërues i pashoq i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e vet për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë, përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi përkrahja e tij as për kryengritjen e malësorve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri tek mbështetja e tij për kryengritsit vlonjatë kundër italianëve në vitin 1920.  “Secilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”, është shprehur Faik Konica -Kujtime Mbi At Gjeçovin.  At Shtjefën Gjeçovi, sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës “në vijën më të përparuar frontale të trojeve shqiptare”, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, “ndaluan të mbrapsurit e vijës (së të folurit shqip) më tehu”.  Andaj, në këtë rast të pomovimit të librit të autorit Dr. Besim Muhadrit: Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke njohur kontributin e tij të madh në favor të bashkimit kombëtar dhe të kulturës, gjuhës e traditës shqiptare, le të shpresojmë së bashku me Faik Konicën që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur” ndër ata pasardhës të cilët me veprat e tyre do të realizojnë, më në fund, ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë bashkohësve të tij, të cilët dhanë jetën për këtë qëllim, ka shkruar Konica. 

Librat e Dr. Besim Muhadrit për At Shtjefën Gjeçovin dhe për Dr. Rexhep Krasniqin janë vepra për figura të dalluara të historisë shqiptare – vepra historike në vetvete, të jetueshme përgjithmonë, me të vërtetë të dobishme për të gjithë.

Përshëndes autorin Dr. Besim Muhadrin për librat që promovohen sot në Vatrën e shqiptarëve të Amerikës, kushtuar At Shjtefën Gjeçovit dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqit — dy prej figurave të respektuara të historisë kombëtare, ndonëse shpesh të harruara — me urimin që këto vepra dhe të tjera si këto në të ardhmen, të ndriçojnë këto dy figura, si monumente të pashterueshme nga koha, brezave të ardhshëm të shqiptarëve.   Ashtuqë, siç është shprehur edhe Faik Konica për At Shtjefën Gjeçovin për të cilin shpresonte që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur”. Edhe ne sot shpresojmë këtë, jo vetëm për Gjeçovin e Rexhep Krasniqin, por edhe për të tjerë si këta burra të shqiptarisë, të cilët historiografia komuniste është përpjekur t’i zhdukte ose t’i anashkalonte. Veprat e Prof. Dr. Besim Muhadrit tregojnë se këta janë gjallë dhe me këto vepra do u ndriçojnë brezave të ardhëshëm. Shumë faleminderit!

Frank Shkreli

Dr. Rexhep Krasniqi (12 shkurt 1906 - 24 prill 1999) nga Mexhit Yvejsi ...
Prifti që shpëtoi këmbanën e Skënderbeut. – Bashkimi i Shqiperise

                               Dr. Rexhep Krasniqi            At Shtjefën Gjeçovi

May be an image of 1 person and text
Map

Description automatically generated

         

Text

Description automatically generated
Text

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen

January 28, 2023 by s p

Tush Marku/

Libri juaj na la një përshtypje të madhe jo se njihemi në mes nesh, jo se të kam dajën e shpirtit por si Marjan, si shqipëtar i vertete. Bashkatdhetar dhe njeri qe me të vertetë sakrifikove kohën me të çmueshme te jetës tende per fenë, për kombin, per vendlindjen e veçanerisht per Kosoven tonë nënë. Libri ka shume vlera dhe shume kontribute. Une dhe familja ime ju dëshirojme suksese me librin tuaj e dhashte zoti oe ky libër mos të jete i fundit. Libri juaj si çdo liber, apo si çdo film, sa me shume te thellohesh në te aq më shpejt të shtyen kah përfundimi, për t’ a kuptuar thelle domethëniën e tij. Pra e lexova pikë për pike. Ma merr mendja se çdo shiptar duhët të pasurohet me librin e juaj, jo vetëm ate por te vazhdoje gjurmave tuaja ne sherbim te kombit e çështjes kombetare. Kjo eshte merita juaj, nuk është lehtë, ti ia arrite qellimit, duke patur kohë per te gjitha, duke filluar, prej punës së përditshme, pa të cilen njeriu nuk mund të jetojë, plus aktiviteteve tuaja si ne dasma, festa, funerale, e në parti kombetare si LDK e cila u investua ne nje parti ne te mire te kombit tone shqiptar e posaqërisht për Kosovën tonë mëmë. Z.Marjan, e kuptove fort mire fjalen popullore se të gjithëve një nënë nuk na ben, e ju jeni i dashur për çdo kend e kuptove fortë mire se duhet dikush të ju prij shqipëtarve. Te gjithe nuk mund te jemi prijes por mund ti ndjekim gjurmët e juaja. Luftuat sa mundet, jo me arme ne krah, por me armen e mendjes, me shpirt me zemer, me vepra e me endrra e sot te realizuara, me trup ne SHBA, e mendjen në Kosoven tone te dashur. Me te vertete ke dhene nje frut te mire per Kosoven ju dhe shume mergimtare te tjere por ju zoteri gjithmone keni ndeje prane frutit. Po te vazhdoshim te njejten rruge Kosova kishte me qene ne perparim e siper. Pra çdo gje qe bere per Kosoven zoti ua shperblefte. Nuk e di a te kujtohet ne librin tim ku thuhet duhet te japësh gjate jetes se e merr interesin prej Zotit. Libri juaj me pelqen shume e sidomos aty ku shkruan per jeten dhe veprimtarine e Nenes Tereze, e me ne fund vdekjen, varrimin e mrekullueshem dhe të pa harruar. Aty pra ku ke udhtuar me shoqeri ne Rome, Kosovë, ne Indi, (Kalkuta) në Rambuje, Shqiperi, Shtepinë e Bardhë etj. Aty ku shkrove per don antonin qe i ka meritat, takimet e juaja me njerezit e medhenj siç jane Papa, Dr. Rugova, kryetari Kunoi, Kole Berishen e shume te tjere. Me sakrifikime e juaja iu gjetet Kosoves ne kohen me te veshtire e çdo shqiptare duhet te mburret me njerëz si ju.

Filed Under: Vatra

Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori

January 28, 2023 by s p

Kumtesë në konferencën kushtuar 31-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit, organizuar nga “Israeli House of Albania”

I pari studiues që i shkoi në mendje të njihej me historinë e hebrenjve në Shqipëri është Lucien Steinberg. Siç mund të merret me mend, kërkesa e tij për të hyrë në arkivat shqiptare në vitin 1971 u refuzua.

Merita e vënies në lëvizje të institucioneve të kujtesës për këtë çështje u takon shqiptaro-hebrenjve Samuel e Gavra Mandil dhe Josef Jakoel, të cilët, qysh në vitin 1989, kërkuan nga Yad Vashem zbulimin e të vërtetave të historisë së shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë antifashizmit.

Prekjet e mia të para në burimet e kësaj historie i takojnë mesit të vitit 1990, pak kohë para mbërritjes në Tiranë të dy kongresmenëve amerikanë me origjinë hebreje, Tom Lantos e Joseph Dioguardi, të cilëve u mendua t’u dhurohej një koleksion listash të hebrenjve të strehuar në Shqipëri, që u pritën me shumë bujë në Memorial Museum of Holocaust dhe në Yad Vashem. Në atë kohë as që mund ta përfytyroja se në arkivat kombëtare të Shqipërisë gjendeshin e ruheshin mbi 20 mijë fletë dokumente për këtë problematikë.

Arsyeja kryesore pse nuk u shfaq për disa dekada me radhë kurrfarë interesi për dokumentet e bashkëjetesës midis shqiptarëve e hebrenjve është se, në vitet e tmerreve të luftës, asnjë strehuesi të një familjeje hebreje, apo qoftë dhe të 40 hebrenjve njëherësh, si familja Rezniqi në Deçan, nuk i shkonte në mendje se, me këtë akt, po merrte merita historike apo se dikur do të shpallej “Fisnik mes Kombesh”.

Me hapjen e arkivave dhe me komunikimin me Botën u morën vesh fakte të pabesueshme: një prift katolik në Tiranë pagëzoi si të krishterë pa asnjë ditë katekizëm disa hebrenj që i kërkuan ndihmë; një nënprefekt në Kavajë i dha vetes kompetencën e kryetarit të shtetit dhe nxori vendime për dhënie shtetësie hebrenjve të rrezikuar; një mjek në Prishtinë zbrazi spitalin dhe çoi në shtëpi të sëmurët vendës për të fshehur aty hebrenjtë; një fotograf në Tiranë e një në Tetovë i kthyen studiot e tyre modeste në zyra të gjendjes civile, ku u shtypën dhjetëra letërnjoftimi për të albanizuar në emra hebrenjtë; dhe, për të arritur kufirin e së pabesueshmes, një zyrtar i lartë në Shkodër, pasi i pagoi komandës naziste kushtin paraprak, 1500 napolona, i drejtohet shkresërisht asaj me kërkesën: Tani na ktheni hebrenjtë tanë të arrestuar.

Brenda këtij konteksti dhe kësaj psikologjie është dhe telegrami që Fan S. Noli i shkroi Hitlerit në vitin 1941 për të kërkuar lirimin e albanologut hebre Norbert Jokli, i deportuar pa adresë nga Gestapo-ja naziste. Noli i drejtohet kreut të nazizmit me një ftohtësi të akullt: “Udhëheqësi në Berlin, Gjermani”, pa asnjë cilësim tjetër, për të vijuar:

“Shqiptarët janë shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasuesit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë studiuesish, që kanë bërë një punë të paçmueshme për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje zotërisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyrë në kushtet e tashme të vështira”.

Shqiptarët zakonisht nuk janë dhe aq modestë. Por në rastin e marrjes në mbrojtje të hebrenjve kanë provuar se nuk bënë asgjë për t’u mburrur. Prandaj, kur në veprimtaritë e viteve të fillimit për Ditën e Kujtesës ekspertët europiane përpiqeshin t’i zgjidhnin me takt fjalët për të na këshilluar të theksojmë më shumë reflektimin e jo të flasim për merita, në fakt vetëm sillnin habi. Sepse mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët nuk ka qenë projekt për merita historike, por reagim i vetvetishëm.

Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë: edhe sot shumica e shqiptarëve nuk e di se ka një rezolutë nderi të OKB-së për vlerësimin e meritave të popullit shqiptar në mbrojtje të hebrenjve gjatë Shoah; se ka pesë rezoluta të tilla me të njëjtin vlerësim nga Kongresi i SHBA dhe se Shqipëria është shpallur “Shtëpia e Jetës” në Izrael.

Shqiptarët dhe hebrenjtë kanë pasur fat të ngjashëm në histori. Dy popuj që ekzistonin me organizim urban qysh në antikitet, por vetëm në shekullin e 20-të mundën të formojnë shtetet e tyre kombëtare. Dy popuj që – njëri në të drejtën etnozakonore shqiptare e tjetri në Talmud, kanë sanksionuar shenjtërinë e jetës. Dy popuj të sprovuar me dëbimin a inkuizicionin, privimin nga e drejta për të pasur shtetin e tyre kombëtar.

Me mbarimin e luftës shumë prej hebrenjve që u strehuan në kohë rreziku u kthyen në vendet e origjinës ose u riatdhesuan. Rreth 300 hebrenj qendruan në Shqipëri. Më 1990, kur dhjetëra mijë shqiptarë iu drejtuan Perëndimit, pjesa më e madhe e hebrenjve që kishin mbetur në Shqipëri gjithashtu kërkoi të lejohej për t’u bashkuar me të afërmit në Izrael. Kohët e fundme pata rastin të njihem me një koleksion dokumentesh të rralla për mënyrën si u realizua riatdhesimi. Për çdo familje hebreje që bëri kërkesë për lënie shtetësie, Sigurimi, i njohur për rreptësinë e tij, përgatiti një dosje. Ishte befasuese për mua të lexoja rregullisht në vlerësimin zyrtar: qytetar me sjellje të denja, shtetas i respektuar, mjeshtër i shquar në profesion, populli e di se janë shqiptarë. Ka vetëm një rast pengimi, por edhe ky është rast pozitiv: këtë person të mundohemi ta mbajmë, sepse ka kontribut të rrallë si mjek në qytetin e tij. Shqiptarët dhe hebrenjtë jetuan në kohë të qeta e të trazuara harmonikisht sepse vetë hebrenjtë ishin shtetas të devotshëm dhe njerëz të talentuar.

Sot është dita e tretë që personalitete e institucione shqiptare dhe hebreje nderojnë bashkërisht Ditën e Kujtesës. Prania e një delegacioni shumë të rëndësishëm që ka ardhur nga Izraeli, me studiues e miq nga Britania e Madhe, Australia, Zvicra, Gjeorgjia e vende të tjera shpreh vlerësim për gjithë këtë histori bashkëjetese, që nuk lidhet vetëm ne Shoah, sepse shqiptarë e hebrenj i kanë kaluar shumë herë me të njëjtin solidaritet momentet historike delikate e të mbijetesës.

Në konferencën e zhvilluar në Akademinë e Shkencave doli e qartë se është e nevojshme të krijohen shenjat publike të kujtesës, në formën e memorialit, obeliskut a në forma të tjera për të mbijetuarit, strehuesit dhe në mënyrë të veçantë për 17 hebrenjtë dëshmorë për lirinë e popullit shqiptar. Botimet e konferencat mbeten një përparësi tjetër.

Të vërtetat historike kanë rëndësi jo për t’ia thënë njëri-tjetrit, por për ta përcjellë të shëndetshme këtë miqësi në brezat e rinj.

Bashkëpunimi është i mundshëm jo vetëm për hir të historisë, por edhe prej favoreve gjeografike, si dy popuj mesdhetarë me standarde e jetë europiane. Ne jemi të interesuar për bashkëpunim shkencor, por kjo është e kushtëzuar nga bashkëpunimi ekonomik. Çdo investitor don të dijë për sigurinë dhe veçanësitë e vendit ku investon. Një afarist i ri i Izraelit, që nuk njeh historinë tonë të përbashkët, për shkak të përvojës rretheqark vendit të tij, mund të stepej kur do t’i thuhej për herë të parë, siç është bërë zakon të thuhet, se Shqipëria është vend me shumicë myslimane dhe duhet kujdes etj. etj. Por, pas njohjes së drejtpërdrejtë të këyre ditëve do të merrte frymë lehtë, duke mësuar se shqiptarët janë populli më pak antisemit në Botë, siç pat shkruar gati njëqind vjet më parë Herman Berntstein. Akademia jonë e Shkencave po e shfrytëzon këtë rast për të shprehur interesimin tonë për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet homologe në Izrael sidomos në shkencat e reja, si nanoteknologjia, bioteknologjia e inteligjenca artificiale, por dhe në dije më tradicionale si sizmologjia, gjeologjia e teknologjia e naftës dhe studimet në fushat humanistike.

www.akad.gov.al

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Sinani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1862
  • 1863
  • 1864
  • 1865
  • 1866
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT