• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jashar Erebara, mbrojtës i interesave kombëtare; në kuadër të 70-vjetorit të vdekjes

May 23, 2023 by s p

Nga Najada Velçani/

Jashar Erebara hyri në jetën politike shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e e parë të shekullit XX. Lindi në qytetin e Podjevës, në LLap më 1872, ku kaloi vitet e para të fëmijërisë. Babai i tij quhej Sadik Fejzullahu, i cili punonte në ushtrinë turke si nëpunës i postë-telegrafit.

Pas vdekjes së të atit për të u kujdes e ëma. Në vitin 1877 zhvendosen në Mostar, ku Jashari ishte pesë vjeç. Babai i tij filloj punë në zyrën e Postë-Telegrafisë së Mostarit (sot në Bosnje-Hercegovinë), ku më vonë u emërua në postin e zëvëndësdrejtorit të postës. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Serbia fitoi pavarësinë dhe me këtë Mostari iu bashkua Serbisë. I gjendur në këtë situatë familja Fejzullahu shpërngulen në Dibër ku u strehuan fillimisht në xhaminë e Bajram Beut. Mësimet e para Jashar Erebara i mori në shkollën fillore turke të Dibrës ku ishte i detyruar të mësonte gjuhën turke. Gjithashtu ai mësoi dhe gjuhën shqipe që e dëshironte aq shumë. Mësuesi i parë që i mësoi gjuhën shqipe ishte Said Najdeni.

Babai i vdiq në mal si i përndjekur, mamaja dhe e motra i vdiqën nga turbekulozi, ndërsa i vëllai Zeneli emigroi dhe nuk dihet asgjë për atë. Me vdekjen e familjarëve ai u strehua te familja Erebara në Dibër. Më pas Erebara braktis Dibrën dhe vendoset në Manastir ku mbaroi gjimnazin. Në vitin 1892, ai u regjistrua në shkollën normale të Bukureshtit ku u përgatit për profesionin e mësuesit. Ai punoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe për realizimin e këtij qëllimi filloi si publicist në gazetat rumune “Avdenit”, “Dropetul” dhe “Lassa”’.

Në vitin 1899 ka nënshkruar një dokument “Në emër të kombit shqiptar” nga atdhetarët shqiptarë të Bukureshtit, të cilët bënin pjesë në rrethin e studentëve për gjendjen e shkollave dhe të arsimit.

Në vitet 1902-1906 ka udhëhequr gazetën “Albania” të Beogradit ku shquhet për shkrimet e tij analitike. Në këtë gazetë ai pasqyronte frymën demokratike dhe përparimtare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Më pas ai vendoset në Kumanovë ku themeloi klubin e tij “Klubi shqiptar i Kumanovës”. Jashar Erebara, si njohës i mirë i arsmit dhe i gjuhës hapi shkollën e parë shqipe. Më 1911 hartoi abetaren e Kumanovës, të njohur me emrin Abece-ja e Jashar Erebarës, e cila u shpërnda edhe në Kosovë. Në vitet 1911-1912 Erebara nxorri gazetën “Shkupi” e cila ishte gazeta e parë në trevat e Kosovës dhe Maqedonisë.

Jashar Erebara pati shumë bashkëpunime me personalitetet e njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si: Nikolla Naço, Mihal Grameno, Mit’hat Frashëri, Mitrush Kuteli, Hilë Mosi, Çerçiz Topulli etj.. Ai zhvilloi veprimtari të ndryshme atdhetare si me çështjen e shkollave dhe të arsimit, në hapjen e shumë shkollave në Maqedoni dhe në Kosovë.

Në vitin 1913 Jashar Erebara vendoset në Vlorë, në qeverinë e Ismail Qemalit ku dha një kontribut të madh në vendosjen e pushtetit demokratik në Shqipëri. Në 1914 Erebara vendoset në Durrës, në kohën e qeverisë së Durrësit. Më 1914-1915, ai së bashku me disa atdhetarë të tjerë shkuan në Vjenë për të penguar copëtimin e trojeve shqiptare. Më 1916 kthehet në Prishtinë në postin e Komisiariatit Qeveritar pranë Bashkisë së Prishtinës. Synimi i tij ishte hapja e shkollave shqipe dhe librarive në gjithë territorin e Kosovës. Organizoi disa kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Për këto aktivitete që ai zhvilloi e internuan në Karllovc për 18 muaj.

Më 1918, pasi kreu internimin, u kthye përsëri në Kosovë ku u takua me Bajram Currin i cili ishte kryetar i “Komitetit të Kosovës”. Bajram Curri e vendosi Erebarën sekretar të këtij Komiteti. Mbas dy vitesh që qëndroi në Kosovë, në vitin 1920 u kthye në Shqipëri ku u angazhua në politikë dhe arsim. Në vitin 1921 ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtar i shoqatës “Djelmëria Dibrane” të muhaxhirëve të ardhur nga Dibra. Ai u përpoq shumë që t’i ndihmonte dibranët duke ju siguruar kushtet elementare të jetesës.

Jashar Erebara ishte një personalitet i shquar. Në vitin 1939 u bë deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar. Ai ishte njohës i mirë i problemeve të ekonomisë gjë që ndihmoi në rimëkëmbjen e saj pasi Shqipëria ishte në një nivel të ulët ekonomik. Gjatë kohës që ishte deputet u përpoq shumë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1940 Jashar Erebara doli në pension. Gjatë kësaj kohe u angazhua në shoqata të shumta.

Viti 1945 shënon një kthesë të errët për jetën e tij. Për 8 vjet, saktësisht përgjatë viteve 1945-1953, atij i bëhen padrejtësi duke e përndjekur politikisht dhe ekonomikisht. E gjithë pasuria iu sekuestrua dhe, duke qënë në këto rrethana, pasuria e tij e vetme që ishin librat dhe dokumentet me vlerë që ai i ruante me fanatizëm u detyrua t’i shiste. Kjo ishte humbja më kolosale që ai pati. Pas shumë kërkesash që ai bëri për të vendosur drejtësinë e tij, më 3 prill të vitit 1946 fitoi të drejtën e një shpërblimi patriotik mujor e cila zgjati vetëm një vit. Jashar Erebarën e akuzonin se ka qënë deputet në regjimin e Zogut dhe për këtë arsye e sulmonin. Pas shumë peripecirash që kaloi, që nga nxjerrja me dhumë nga shtëpia, shpërngulja në Berat, vendosja e një pesioni prej 11.13 lekësh e cila nuk i zgjati as një vit. Jashar Erebara u nda nga jeta më 24 qershor 1953.

Filed Under: Kronike Tagged With: jashar erebara, najada velcani

Ku ndodhet Itaka?

May 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë studiues kanë vënë re se gjeografia e ishullit Itakë, përshkruar nga Homeri, nuk është plotësisht në përputhje me Itakën e ditëve të sotme. Në studimet e tyre thuhet se Homeri bën gabime gjeografike kur përshkruan peizazhin e një ishulli të cilin nuk e kishte vizituar kurrë personalisht (Homeri ka jetuar në Azinë e vogël). Kjo i kundërvihet idesë, se Ithaka e Homerit është i njëjti ishull i njohur sot në greqisht si Ithaki. Ky identifikim deri diku pranohet. Megjithse, edhe ide të tjera nuk janë të padiskutueshme.

Shumë studiues, të lashtë e të kohës, thonë se gjeografia e ishullit të përshkruar nga Homeri nuk është e njëjtë me Ithaki e sotëm.

Straboni, i konsideruar si babai i gjeografisë, ishte grek nga Azia e Vogël. Në vitin 20, kur Roma sapo ishte bërë Perandori, Straboni, duke u mbështetur në burimet e lashta të viteve p.e.s, tha se në kohën pas Homerit, një pjesë e vogël e ishullit Kefalon u shkëput dhe krijoi ishullin Palik. Këtë ndarje historianët e quajn “Kanali i Strabonit.

Ithaki është kandidati më i mirë për ishullin, i cili që në antikitet njihej si shtëpia e Odiseut. Por asnjë rrënojë e pallatit të tij nuk është zbuluar. Kjo bën që çështja të mbetet e hapur dhe shumë njerëz të spekulojnë.

William Gell, historian – duke shkruar në 1807 – besonte se “Ithaca” e Homerit ishte në bregun Aetos të ishullit Ithaki, afër gjirit të Vathisë. Samuel Butler zhvilloi një teori të diskutueshme se Odisea erdhi nga pena e një gruaje të re siciliane, e cila e paraqet veten në poemë si Nausicaa, në bregun e Siçilisë. Historiani britanik Robert Graves, i njohur si autor i shumë librave mbi mitologjinë, e shpjegon këtë histori në romanin e tij Homer’s Daughter. Arkeologu gjerman Wilhelm Do, në fillim të viteve 1900, pasi kishte kryer gërmime të shumta në ishullujt Ithaki dhe Lefkadë, propozoi që pallati i Odiseut ndoshta mund të gjendet në Nidrit në bregun jugor të Lefkadës. G. Volterra, duke shkruar në vitin 1903, besonte se dikur mund të ketë patur “kanal të Strabonit” midis Palikit dhe Kefalonit. A.E.H. Goekoop, duke shkruar në vitin 1908, besonte se “Ithaca” ndodhej në juglindje të qytetit të Argo-stolisë. W.A. Heurtley dhe Sylvia Benton – besonin se “Ithaca” ishte në ishullin Ithaki dhe në gërmimet e tyre gjetën monedha të shekullit të 9 p.e.s.; në monedha Odiseu shfaqet me plis në kokë. Një kërkim për atdheun e Odiseut, autorë të tjerë besojnë se qendra e Itakës homerike ishte në Kefaloninë juglindore ku tani ndodhet fshati Poros. John Underhill – duke punuar për herë të parë në 2003 – beson se Paliki është vendndodhja e “Ithaca”, dhe se “Kanali i Strabonit” e ndau atë nga Cefalonia.

Homeri thotë se Odisea “eci përmes një kallamishteje” në ishull, ecje që mund të bëhet vetëm në Lefkada. Ishulli gjithashtu ka ujëvara, ku “gratë e Itakës shkonin për të larë rrobat”. Pranë vendit, ku mendohet se ishte pallati i Odisesë, janë “Ujëvarat e Nidrit”, nga ku buron edhe lumi “Dimosarii”; ku ndodhet edhe “Mela-nidros” (me la e ndru). Ka pasur sugjerime se Itaka u riformua nga tërmetet prandaj nuk mund të provohet se ku ka qenë territori i ishullit.

Fjala Ithaka, gjithashtu, mund të jetë ose është shqip ‘e thata’; ‘Ishulli i Thatë’. Fjalorët etimologjikë e japin:

Itaka: Ishull, shtëpia legjendare e Odises; shkronja e parë ‘I’ është fenikase për ”ishull”, pjesa tjetër nuk dihet.

Uliks: “I lënduar” ose “i zemëruar”. Është versioni latin i Odiseut, “udhëtues”, një emër që frymëzoi fjalën “Odyssey”, që do të thotë “udhëtim epik”.

Ndonjë mund të thotë se Odise – Uliks vjen nga fjala ‘uthull’, pasi që kur lindi qante shumë – dhe i ati tha “jepi uthull”.

Duhet thënë gjithashtu se në kohën romake, Itaka ishte pjesë e Eparkisë së Ilirisë. Kur perandori Kostandin ndau Perandorinë gjatë shekullit të 4-të, Itaka u bë pjesë e Perandorisë Bizantine, derisa u pushtua nga normanët në 1185 dhe anzhuinët në shekullin e 13-të. Për disa kohë, Itaka ra në duart e Venedikut. Më 1453 erdhën osmanët. Përfundimisht, Itaka iu bashkua revolucionit të vitit 1821 që solli pavarësinë e Greqisë. Se ku ndodhet Itaka e Odisesë sot, kjo ende nuk dihet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

GJURMË TË MBISHKRIMEVE NË GURË NË TERRITORIN E DARDANISË QËNDRORE

May 23, 2023 by s p

Qazim Namani, Dr. Arkeologji/Trashëgimi Kulturore/

Mbretëria e Dardanisë, padyshim se kishte arritur një shkallë të lartë të zhvillimit, ekonomik e kulturorë gjatë shekullit IV e deri në shekullin e I-rë, para erës sonë. Burimet e deri tanishme na e bëjnë të ditur, se gjatë kësaj periudhe në Dardani ishte e zhvilluar xehetaria dhe përpunimi i metaleve. Dardanët ishin të njohur për përpunimin e arit, andaj nuk qëndronin prapa përkrah zhvillimi ekonomik dhe kulturorë me popujt fqinjë.

Gjatë kësaj periudhe Mbretëria e Dardanisë kishte dal në skenë dhe si fuqi e rëndësishme ushtarake në rajon.

Duke i pasur parasysh këto burime për zhvillimin e Dardanisë, duhet të besojmë se edhe në territorin e saj ishte i zhvilluar shkrimi, në material të ndryshme sikurse te popujt fqinjë rreth saj.

Për ta kuptuar sadopak realitetin e asaj periudhe lidhur me alfabetin dhe shkrimin e lashtë te fiset ilire ne po japim disa të dhëna nga studimet e deri tashme.

Shqiptarët flasin dhe shkruajnë një gjuhë që është shumë e veçantë nga gjuhët tjera dhe konsiderohet ndër më të vjetrat në Ballkan dhe Evropë.

Lidhur me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe lidhjen e saj me gjuhët tjera, të dëshmuara edhe përmes shkrimeve epigrafie po japim disa nga mendimet e studiuesve më eminent në këtë lëmi.

Petro Janura në librin e tij “Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe” shkruan se gjuha shqipe është gjuhë e stërlashtë, por shkrimi i saj që dokumentohet është mjaftë i ri.

Enzo Gatti në librin e tij Ilirët citon profesorin e Universitetit të Tubingenit De Simeone i cili deklaron se: Me njohuritë që i kemi deri më sot nuk është e mundur, të rindërtojmë qoftë edhe pjesërisht një gjuhë ilire, pasi që nuk ekziston deri më sot asnjë mbishkrim tipik ilir.

Enzo Gatti na ofron të dhëna se në luginën e lumit Drava janë zbuluar dy shkrime të lashta (Dali, viti 3200 para Krishti). Këto janë ndoshta shkrimet e para alfabetike të botës. Në këto shkrime vërehen dy sisteme të ndryshme shkrimi. Njëri ka germa solemne (të mëdha shtypi) dhe tjetri ka germa të vogla kursive( të vogla me lajlelule). Njëri ndër ta është i pari i të gjitha shkrimeve të tipit lapidar romak, ndërsa tjetri i atyre të tipit arab fenikas. Nga këto prototipa lindën dy degët e mëdha të shkrimeve alfabetike botërore, perëndimi dhe lindja, germat e mëdha dhe të vogla. Pra alfabeti i parë ka lindur në zemrën e Ballkanit, dhe burimi gjuhësor i shkrimeve të vjetra duhet kërkuar në një gjuhë ballkanike.

Robert D’Angely shkruan, se gjuha shqipe ka qenë e shkruar në antikitet, dhe kjo provohet nga mbishkrimet etruske ose shqipe dhe nga ato po ashtu shqipe ose Likiase e të tjera, që janë zbuluar në Azinë e Vogël, në Lemnos, në Kretë dhe në Itali.

Petro Janura shkruan se supozohet që stërgjyshërit e shqiptarëve, ilirët e përdorën alfabetin ETRUSK dhe atë grek të latinizuarë deri sa u themelua alfabeti latin i shekullit III para erës sonë.

Niko Stylo në librin e tij “Historia e shenjtë e Arvanitëve” jep të dhëna për një shkrim në gjuhën etrure të zbuluar në një fasho të një mumie. Mumia u dhurua nga trashëgimtarët e kroatit Michael Bariç në Muzeun kombëtar të Zagrebit në korrik të vitit 1862. Ky shkrim ishte i panjohur në fund të shekullit XIX për profesorin Henrich karl Brugsch. Pas që fasha e shkruar u dërgua në Universitetin e Vjenës dhe specialistët vunë në dukje se bëhet fjalë për gjuhën etrure. Analizat e karbonit datimin e shkrimit e përcaktuan me shënimet historike të Plutarkut për trupin e balsamosur të Alkmenës (për grekët) nëna e Herkulit. Sipas Plutarkut varrimi dhe rivarrimi i Almenës ndodhi në kohën e faraonit egjiptian Nektanavi të parë, sundimi i të cilit nisë më 378 para erës së re.

Nermin Vlora Falaski citon Herodotin “Etruskët flisnin gjuhën e një populli të lashtë, që jetonte në krahinat e Mesdheut para ardhjes aq grekëve.

Pellazgët nga Homeri u quajtën popull hyjnor. Herodoti shënoi se Greqia para ardhjes së helenëve quhej Pellazgji dhe se pellazgët ju mësuan atyre përpunimin e metaleve, ndërtimin e mureve e madje edhe alfabetin.

Mbishkrimet etruske interpretohen me anë të ilirishtes prandaj kjo ka kuptim që Romakët i quajnë Etruskët TOSCHI (TUSCI), duke e ditur se ata flisnin të njëjtën gjuhë TOSKE të Ilirisë jugore.

Shkencëtari italian, abati Emidia Luzi në veprën e tij “Epoca Eroica”, të botuar më 1847 shkruan: pellazgët kanë qenë banorët më të vjetër të Italisë sonë….Në të vërtet, vendasit Ombiuenët, Osonët, Oskët, Britët, Rutualët dhe Enotrienët janë emra të parë të italianëve që shënonin një popull të vetëm të së njëjtës origjinë….me pellazgët që quheshin popull hyjnor nga Homeri.

Plini, Plaku, ne shekullin e parë shpjegon se germat e alfabetit fonetik i prunë në Itali Pellazgët. Sipas Diodorit të Sicilisë, Pellazgët qenë të parët që e prunë në Evropë alfabetin duke ia përshtatur gjuhës së vendit, sistemin e shkronjave me disa ndryshime e përmirësime. Diodori shkruan se këtë alfabet të njohur me emrin alfabeti “Pellazgë” e përdorën gjithë poetët para Homerit. Në vitin 1875, dy arkeolog francez zbuluan në ishullin pellazgë të Lemnos (Egje) gjurmë të një shkrimi para helen.

Studijuesi L. Benlow, në veprën e tij “Greqia para ardhjes së grekëve”, të botuar në vitin 1877 në Paris shkruan: Shumë emra të vendeve, të maleve, të Lumenjve, të personazheve legjendar, nuk mundë të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje të hedh dritë mbi emrat e këtyre vendeve, e kjo është gjuha shqipe.

Mbishkrimet e zbuluara në Shqipëri janë të shumta por po veçojmë fjalën XAIPE=HAIRE, e cila haset shpesh në portat e qyteteve, për të thënë u “Qoftë më hair” ardhja e mysafirëve.

Nermin Vlora Fallaski shkruan se Ilirët dhe Etruskët shkruanin zakonisht pa ndërprerje, prandaj çdo shkrim kërkon analizë të posaçme për të bërë vendin e saktë të ndarjes, në mënyrë që fraza të ketë kuptim logjik. Me që gjuha etruske rezulton se mundë të interpretohet me anë të gjuhës shqipe, provohet se kjo gjuhë e fundit është vazhdim i ilirishtes.

Lloji i shkrimeve epigrafie është gati identik në një hapësirë të gjerë gjeografike që nga Deti Egje (një shembull është dhënë nga stelat e Lemnosit), në Iliri (mbishkrimet nga Durrësi, Kosova e vende tjera), te Venetët, te Mesapët dhe natyrisht te Etruskët.

Lidhjen linguistike ndërmjet Etruskishtes dhe gjuhës shqipe e ka shqyrtuar gjerësisht prof. Zacharie Mayani, ligjërues në Universitetin e Sorbonës. Prof. Guiseppe Catapano në studimin tij “Lashtësia e gjuhës shqipe” vërteton gjurmët e pellazgeve në territoret e banuara nga Egjiptianët e lashtë, nga Fenikasit, nga Kartagjenasit dhe nga Babilonasit.

Lidhja kulturore ndërmjet Etruskëve dhe ilirëve vërtetohet edhe me anë të kulturës materiali siç janë varrezat monumentale dykatëshe të zbuluara në Shqipëri që përngjajnë në mënyrë të çuditshme me varrezat etruske të njëkohshme duke paraqitur të njëjtat veçori.

Studiues të shumtë kanë konstatuar se gjuha shqipe ka elemente të përbashkëta me trakishten.

Në territorin e Rumanisë është vërtetuar se ekzistojnë mbishkrime pellazge që janë të kuptueshme me anë të gjuhës shqipe, sepse Trakët, banorët e lashtë të atij territori ishin njëri nga fiset më të mëdha pellazge.

Akademiku rumun Grigore Brankush shkruan se midis gjithë gjuhëve ballkanike që kanë trajta të përbashkëta me gjuhën shqipe, vendin e parë e zë padyshim gjuha rumune. Shqipja dhe rumanishtja kanë lidhje të ngushta në fushën e fonetikës, morfologjisë, leksikut, të formuarit të fjalëve, të sintaksës, të frazeologjisë, të fjalëve të urta dhe lokucioneve proverbiale.

Elementet e përbashkëta para latine, që i bashkojnë shqipen me rumanishten, nxjerrin në dritë lidhjen gjenetike të tyre përmes shumë fjalëve të përbashkëta.

Janë disa fjalë nga fondi i përbashkët rumuno-shqiptare, para romake që përfundojnë me germën S (SH) të cilat janë shumë të vjetra dhe kanë ardhur nga të dy gjuhët si: Gushë (Gusa), Mosh (Mos), Mushk (Musc), Shapi (Shaparla), Shtirë (Shtira) etj., shkruan Brankush.

Ky studiues në librin e tije jep të dhëna për shumë emër vende që e kanë për bazë fjalën “Gushë” në Rumuni dhe Shqipëri, Unë në Kosovë po e veçoj fshatin Gushtericë, që bazuar në studimet e akademikut rumun Brankush, nëse këtij emër vendi ia heqim prapashtesën icë, atëherë emri i këtij fshati na del në gjuhën shqipe Gushter (Gusha e terur-tharë).

Grigore Brankush në studimet e tij konstatoj se shqipja popullore dhe rumanishtja e vjetër kanë shumë trajta të përbashkëta.

Eqrem Çabej në studimet e tij ka ofruar të dhëna dhe supozime rreth origjinës së gjuhës shqipe. Sipas tij dhe shumë studiuesve tjerë shqiptarët rrjedhin nga ilirët dhe gjuha shqipe është vetë ilirishtja, por duke mos e mohuar edhe mundësinë që gjuha shqipe të rrjedhë nga një përzierje e iliro-trakishte.

Vlladimir Georgiev, me rastin e gërmimeve arkeologjike në kodrinën e Bashovës në fshatin Duvanli të Pllovdivit në Bullgari njofton se janë zbuluar disa mbishkrime në enë dhe në një unazë të cilat datojnë kah fundi i shekullit V ose kah fillimi i shekullit IV para erës së re. Në një enë të argjendit është gjetur mbishkrimi DADALEME, mirëpo si emër i tillë trakas ishte i panjohur. Teksti përmban tri fjalë që mundë të përkthehen fjalë për fjalë në gjuhën shqipe. Në këtë lokalitet u zbulua edhe një unazë ari me figurë kalorësi me tekst EYSE…DELE MEZHNAI.

Budimir Milan, në librin e tij, “O etnickom odnosu Dardanca prema Ilirima” ndër tjera shkruan: Kalimi i fisit dardan Galabri-Kalabri në Itali përveq pasurisë dardane që e morën me veti në Romë ata e sollën edhe bibliotekën.

Kjo e dhënë haset edhe në librin “Izraelska veza”, ku shkruhet se në Sicili u shpërngulën Galabrët-Kalabrët, fis dardan, pasurinë dardane dhe bibliotekën e ka sjellë nga lindja në Romë fitimtari PERSEJA.

Aleksandër Stipqeviqi në librin e tij Historia, jeta dhe simbolet e kultit jep të dhëna për shumë monedha “Barbare” siç i njihnin në atë kohë të shekullit të dytë para erës së re të zbuluara në pellgun e Danubit dhe në fshatin Ribnjaça shkruante me shkronja të alfabetit të etruskëve emri i sundimtarit lokal Sosthenes.

Duje Rendiç-Mioçeviq për një shkrim nga Grebeshtica te Shibeniku mendoi se ishte një variant vendor i shkrimit latin.

Në një shkrim të gjetur në Braç është shkruar emri prej dy pjesësh Veselia Felicitas. Pjesa e parë Veselia është fjalë ilire ndërsa pjesa e dytë Felicitas është fjalë latine që do të thotë fat shkruan Aleksandër Stipqeviqi.

Eçrem Qabej në vepren studime gjuhësore (V) njofton se në nekropolin e kalasë së Dalmacës pranë Komonit dihet se që në fillim të shekullit XX, midis objekteve tjera është gjetur një unazë prej bronzi të hollë, e cila e mbanë mbishkrimin ANA OHOH ICER (ICEB). Me këtë mbishkrim u morën studiuesit Degrand, Traeger, Ippen, Nopça etj. Ippen ishte i pari që e shprehu mendimin se ka gjasa se kemi të bëjmë me një mbishkrim në gjuhën ilire. Mendimin e tij e përforcoi më vonë edhe Hans Krahe që sipas tij kemi të bëjmë me një mbishkrim të ilirishtes ballkanike.

Domethënia e disa emrave të lashta ilire ka qenë e mundur që të dihen nëpërmjet të gjuhës shqipe të vetmes gjuhë bashkëkohore në Ballkan që mundë të konsiderohet trashëguese e drejtpërdrejtë e ilirishtes.

Këto të dhëna edhe pse të pakta janë dëshmi se ilirët krahas popujve fqinjë e kishin alfabetin e tyre. Përveç alfabetit është e pa mundur që ilirët të mos i kishin edhe bibliotekat e tyre krahas bibliotekave të zhvilluara të kohës në Mesdhe. Në këtë periudhë kohore ekzistonin biblioteka të famshme si në: Aleksandri, Athinë, Romë, etj që i bashkonin njerëzit më të ditur të kohës në Mesdhe. Mbretëritë Ilire duke jetuar në fqinjësi me këta popuj në mungesë të burimeve të shkruara supozojmë se i kishin edhe bibliotekat e tyre.

Këtë e dëshmon edhe Aleksandër Stipçeviqi që lenë hapësirë për të menduar se në Iliri kishte biblioteka kur shkruan se: Oktavian Augusti pas nënshtrimit të ilirëve duke u kthyer në Romë, nga plaçka që solli prej Ilirisë urdhëroi që të ndërtohet një bibliotekë e madhe publike, të cilën për nderë të motrës së tij, Oktavisë, e quajti Oktaviana.

Në periudhat e më vonshme, me të drejtë duhet theksuar se ilirët (shqiptaret) në shkrimin e tyre e përdorën alfabetin latin, kur Roma ndikoi mbi ilirët në pikëpamje kulturore. Gjatë sundimit të perandorisë romake në Iliri përmes misionarëve të krishterë filloi që të përhapet krishterimi. Me legalizimin e krishterimit sipas burimeve të shkruara mundë të flitet për një etapë të shkollimit fetar edhe ne gjuhën ilire.

Kjo e dhënë haset edhe në librin “Izraelska veza”, ku shkruhet se në Sicili u shpërngulën Galabrët-Kalabrët, fis dardan, pasurinë dardane dhe bibliotekën e ka sjellë nga lindja në Romë fitimtari PERSEJA.

Fanula Papazoglu duke ju referuar autoreve antik, jep të dhëna për lidhjen e emrit të Kalabrisë me Galabrët e Dardanisë si dhe Dardët në Itali me Dardanët.

Këto të dhëna historike dëshmojnë se në Mbretërinë e Dardanisë, ekzistonin shkrime dhe biblioteka të pasura me të dhëna të rëndësishme për kohën.

Nga burimet historike mësojmë se në Dardaninë qendrore dhe atë lindore jetonte fisi i njohur dardan Galabroi, për të cilin kemi të dhëna edhe nga autorët antik, për zhvillimin ekonomik dhe migrimin e disa prej tyre, në Kalabri të Italisë.

Gjurmët arkeologjike, të zbuluara deri me tani në Dardani, dëshmojnë për një qytetërim të zhvilluar. Autorët antik kanë shkruar, edhe për ekzistimin e qyteteve në Dardani, para pushtimit romak. Deri me tani janë zbuluar rrënojat e qytetit dardan në Kërshevicë afër Vrajës. Shumë studiues e mbështesin mendimin se edhe qyteti Aria dhe Damastioni, duhet kërkuar në Dardaninë qendrore, si zona më e zhvilluar për eksploatimin dhe përpunimin e metaleve.

Straboni, njëri nga autorët antik, shkruan se ata janë një fis i madh i Dardanëve, në vendin e të cilit është një qytet i lashtë. Sipas Strabonit, Galabrët ishin një nën fis i fuqishëm, në kuadër të fisit ilir të dardanëve. Në lindje të fisit Galabroi, jetonte edhe fisi tjetër i njohur dardan i Thunatëve.

Ata zotëronin një rajon të gjerë në Kosovën e sotme Lindore, Serbinë e sotme jugore dhe shumë territore në Maqedoninë e sotme veriore. Në territorin që e zotëronin Galabrët, përfshiheshin shumë vendbanime të rëndësishme të cilat u zhvilluan edhe gjatë periudhës romake si: Qytetet Nishi (Naisusi), Vendenisi (Gllamniku), Ad Fines (Hamenium-Kursumlija), Herkulium (Prokupla), Viminacium (Kostolac), Vicinianum (afër Ulpianës), midis Vendenisit dhe Therandës, Tranupara, midis Astibus (Shtip) dhe Skupi (Shkupit) etj.

Shkupi u bë kryeqyteti i Dardanisë, që shtrihej), në shekullin e dytë para Krishtit, deri te Bylazora (Velesi i sotshëm).

Nga kjo kuptojmë se për nga zhvillimi ekonomik dhe ushtarak, Dardania dhe qytetet e saj, nuk qëndronin mbrapa qytetërimit të asaj kohe, dhe se Mbretëria e Dardanisë, ishte ndër mbretëritë më të fuqishme në Mesdhe.

Harta që tregon shtrirjen e fisit dardan Galabroi

Mbishkrimet në gurë që po i ofrojnë të fotografuara, janë hasur në muret e një shtëpie banimi në fshatin Dumnicë të Epërme, në lagjen e Tihovcëve, komuna e Besianës. Territori i këtij fshati shtrihet në brezin kufitar të sotëm midis Kosovës dhe Serbisë. Si territor mes qytetit të Besianës dhe Kushumlisë, dhe pranë rrugës së njohur antike Nish-Lezhë, mundë të supozojmë se këta gurë janë marrë nga gërmadhat e ndonjë lokaliteti arkeologjik, për tu murosur në murin e kësaj shtëpie. Këtë e vërtetojnë se në muret e këtij objekti ku janë murosur edhe shumë gurë tjerë me plastikë gurore, që simbolizojnë simbole astrale e mitike.

Shtëpia ku janë murosur gurët me mbishkrim dhe plastikë gurore është dy kate, dhe e ndërtuar gjatë shekullit XX.

Mbishkrime në gurë, në themelet e shtëpisë në fshatin Dumnicë e Epërme, komuna e Besianës.

Për deri sa njëri nga gurët me mbishkrim është murosur, në themelin e objektit, guri tjetër është murosur në katin e dytë, rreth 1m nën çatinë e objektit.

Pozita e murosjes së këtyre gurëve në këtë objekt banimi, dëshmon qartë se gurët janë bartur nga rrënjat e një objekti shumë më të vjetër.

Përveç gurëve më mbishkrim që gjenden në fshatin Dumnicë të Epërme në komunën e Besianës, edhe dy gur tjerë me mbishkrime u zbuluan në vitin 2005, në fshatin Gërmovë, komuna e Vitisë.

Gurët e zbuluar në themelet e hajatit të xhamisë së vjetër në fshatin Gërmovë të komunës së Vitisë dëshmojnë për kulturën e lashtë të shkrimit edhe në vendin tonë. Mendoj se kemi të bëjmë me një shkrim shumë të vjetër, pasi që së bashku me këta dy gurë është gjetur edhe një altar i pa përpunuar.

Germat në këto mbishkrime janë mjaftë të dëmtuara. Vërehet se është përdorur stili i shkrimit pa ndërprerje, andaj është me interes shkencor që ky mbishkrim të studiohet nga ekspertë të kësaj fushe. Këta gur qëndrojnë në një kënd të oborrit të xhamisë dhe janë në rrezik që të zhduken nga pakujdesia pasi që institucionet kompetente nuk ndërmorën asnjë masë për ti marrë në përkujdesje.

Mendoj se këta gurë kanë vlera të mëdha për trashëgiminë kulturore, dhe është me interes që të barten në institucionet që merren me ruajtjen e monumenteve.

Filed Under: Histori

PËR NJË ÇMIM KOMBËTAR ME EMRIN E ASDRENIT

May 23, 2023 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Iniciativë:

Vite më parë kam diskutuar me kolegë nga Korça për një iniciativë të tyre për të organizuar një manifestim të përhershëm letrar me emrin e Aleks Stavre Drenovës – Asdrenit, si dhe për ndarjen e një shpërblim me emrin e tij. Me duket se kjo iniciativë ende nuk është vjetruar. Ja arsyet pse e konsideroj se duhet të kemi një Manifestim letrar me emrin e Asdrenit:

1. Asdreni është një prej personaliteteve më të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit XX. Me jetën dhe me veprën e tij Asdreni, ndërlidh si pothuajse asnjë personalitet tjetër: Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes së shekullit XIX me kryengritjet kombëtare për pavarësi, të gjysmës së parë të shekullit XX. Me aktivitetin e tij kombëtar gjithnjë në frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ai edhe në gjysmën e parë të shekullit XX, kur ndikimi i Kolonive shqiptare nga Lindja ishte zbehur shumë, vazhdon ndikimin e tij në Atdhe. Ndikimi i tij në Atdhe, përkatësisht në gjithë hapësirën shqiptare të kësaj kohe është i shumëfishtë: politik, arsimor, kulturor etj. A është kjo arsye e mjaftueshme që të kemi një Manifestim letrar, i cili do t’i mblidhte krijuesit brenda hapësirës shqiptare dhe atyre nëpër botë.

2. Asdreni është personaliteti dhe krijuesi më i rëndësishëm në letërsinë shqipe pas Naim Frashërit dhe bardëve të Rilindjes Kombëtare, si dhe personaliteti më me ndikim në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm në Koloninë e Bukureshtit po edhe në zhvillimet e shoqërisë brenda hapësirës shqiptare. E megjithatë as në kontekstin historik as në kontekstin krijues nuk mund të thuhet se është çmuar dhe vlerësuar jeta dhe vepra e tij (përjashto monografinë e Akademikut Rexhep Qosja, shkruar 40 vjet më parë), prandaj një manifestim kombëtar me emrin e tij do të thoshte vlerësim i drejtë i personalitetit të tij historik dhe krijues, nga brezi ynë.

3. Asdreni është krijues që në historinë e letërsisë shqipe është bashkëkohës i Filip Shirokës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Ndoc Nikajt etj., me ndikim të madh në jetën krijuese dhe kombëtare të kohës, që nga historianët e letërsisë herë është vënë në periudhën e romantizmit e herë në letërsinë kalimtare dhe më në fund edhe në periudhën mes dy luftërave botërore, që mbulon formacionin realist, neoklasicist dhe simbolist të letërsisë shqipe. Por, si në epokën e tij ashtu edhe në periudhën pas vdekjes së tij e në brezin tonë, shumë çmime letrare mbajnë emrat e bashkëkohësve të tij apo të paraardhësve a pasardhësve të tjerë, po jo edhe të Asdrenit. Kjo është arsyeja pse një Manifestim me emrin e Asdrenit do të ishte respekt për veprën e tij letrare dhe për epokën letrare të kohës sonë.

4. Asdreni është autori i disa veprave të rëndësishme letrare që mbulojnë dy periudha letrare, por pjesa më e madhe dhe më e mirë e saj, i takon letërsisë postromantike me temat, dhe realiste me strukturën stilistike e estetike. Kjo do të thotë se ai nuk ishte nga ata bashkëkohës të tij, romantik të vonuar, por krijues me njohje të mirë të krijimtarisë letrare të kohës në Europë. Sigurisht kjo është arsyeja pse në Antologjinë e lirikës shqipe ai zë hapësirën më të madhe dhe më të rëndësishme të kësaj periudhe. Kjo është arsyeja pse një Manifestim letrar dhe një çmim për poezinë më të mirë të këtij manifestimi do t’i bënte nderë Asdrenit dhe secilit krijues të kohës sonë.

5. Asdreni më në fund është autorë i Himnit kombëtar. A nuk do të ishte kjo një arsye e mjaftueshme që të kemi një Manifestim letrar dhe një Çmim për personalitete dhe krijues që i bashkon jeta dhe vepra në sendërtimin e idealeve kombëtare, sikur i bashkonte Asdreni dikur me jetën dhe veprën e tij.

Filed Under: LETERSI

Veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari, u takua në Departamentin e Shtetit, me Gabriel Escobar

May 23, 2023 by s p

Washington DC, (21 Maj, 2023):Veprimtari i dalluar i komunitetit, Harry Bajraktari gjatë një vizite private, është takuar në Washington, Departamentin e Shtetit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, shkruan ai në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, raporton INA(Illyria News Agency).

“Këtë javë, me djalin tim Naimin, patëm një vizitë të këndshme e të frytshme në Washington, me ndalesa në Capitol Hill dhe Departamentin e Shtetit,” shkruan ai ndërsa thekson se ka mbetur i kënaqur, nga ky takim veçanërisht nga biseda e hapur, që ka patur me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar, i cili mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, ai thotë se: “Unë, ofrova pikëpamjet e mia për disa nga shqetësimet dhe pritshmëritë që kanë shqiptarët e Kosovës për negociatat si dhe dyshimet për gatishmërinë e Serbisë, për të ecur drejt së ardhmes.”

Veprimtari nga Nju Jorku,shkruan po ashtu se ka folur me zotin Escobar, duke diskutuar shumë çështje, në radhë të parë për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të rajonit.

“Për çka zoti Escobar, thotë Bajraktari, gjeti kohën dhe dha shpjegimet e tij për angazhimin e SHBA-së në mbështetje të Kosovës, ecurinë e negociatave me Serbinë dhe rrugën e mundshme të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.”

Harry Bajraktari më tej thotë, se ka patur edhe një diskutim të mirë për Shqipërinë. “E shpreha hapur shqetësimin tim se Shqipëria po bëhet një sistem njëpartiak, gjë që nuk është si duhet të funksionojë demokracia dhe sigurisht jo çfarë imagjinonin shqiptarët kur përmbysën komunizmin më shumë se 30 vjet më parë. Kjo nuk është çfarë meriton Shqipëria as nuk është rruga drejt një të ardhmeje më të mirë.”

Ndihmës Sekretari i Shtetit, simbas Bajraktarit, ka konfirnuar edhe një herë se Shqipëria, është një aleat i rëndësishëm dhe do të gëzojë gjithmonë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. “Por, edhe ai nuk ishte i kënaqur me gjendjen e demokracisë sot, ndërkohë që shprehu shpresën se vendi do të gjejë rrugën për të përmirësuar demokraticinë dhe për t’u ofruar alternativa më të mira njerëzve.”

Duke cekur Maqedoninë, Malin e Zi si dhe pakicën shqiptare në Serbi, shkruan veprimtari nga Nju Jorku, Harry Bajraktari: “Ai përshkroi disa nga zhvillimet në rajon nga perspektiva e tij dhe se si ato ndikojnë në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor”

Po simbas tij në fund, ai( Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit (DAS) Gabriel Escobar), këmbënguli që komuniteti shqiptaro-amerikan të përfshihet më shumë. Duke bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit, mund të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për problemet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor./bs/

Filed Under: Opinion Tagged With: Harri Bajraktari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1862
  • 1863
  • 1864
  • 1865
  • 1866
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT