• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Haradinaj: Ambasadori William Walker mbetet Heroi i së vërtetës për krimet serbe në Kosovë

January 20, 2023 by s p

Ambasadori William Walker mbetet Heroi i së vërtetës për krimet serbe në Kosovë. Njeriu i cili me cilësimin e masakrës së Reçakut si krim kundër njerëzimit, zgjoi ndërgjegjen e botës për krimet serbe në Kosovë!
Sot, kishim nderin ta kemi në vizitë z. William Walker, me të cilin evokuam kujtime nga e kaluara dhe njëkohësisht zhvilluam bisedë miqësore për zhvillimet aktuale në vend.
Fjalët e tij për masakrën e Reçakut u bënë pikë kthese në sensibilizimin e opinionit dhe akterëve kryesorë ndërkombëtarë për nevojën e intervenimit, në mënyrë që të ndalej gjenocidi dhe spastrimi etnik kundër popullsisë civile. Me këtë rast, Ambasadorit Walker i ndava medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, për kontributin e tij në çështjen kombëtare.
Mikun e madh të shqiptarëve e falënderova edhe njëherë për gjithçka që ka bërë për Kosovën.

Filed Under: Uncategorized

Politika e Sulltan Abdyl Hamitit ndaj arsimit shqip (1876-1909)

January 20, 2023 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Reformat e Tanzimatit, që Perandoria ishte detyruar të ndërmerrte në tërë hapësiren e saj, për shqiptarët, nuk dhanë efekte pozitive. Në këtë periudhë, në shoqërinë shqiptare po ndodhnin ndryshime. Elita myslimane shqiptare, e cila kishte përfituar shumë nga regjimi i Abdyl Hamidit në këmbim të besnikërisë së saj, u zëvendësua nga një elitë e re intelektuale-nacionaliste e të tre besimeve, e cila bëri thirrje për reforma në dobi të gjithë shqiptarëve. Inkurajimi i zhvillimit të gjuhës shqipe dhe “shqiptarizmi” gradual i sistemit arsimor, tregoi kundërshtimin e shqiptarëve ndaj otomanizmit të dhunshëm dhe në të njëjtën kohë rikonfirmoi vendosmërinë e shqiptarëve për të ndërtuar një identitet të veçantë kombëtar. Ndërkohë, Abdyl Hamiti përdori të gjitha mjetet për të penguar bashkimin e shqiptarëve dhe u tregua shumë i vëmendshëm në zvarritjen dhe kundërshtimin e të gjithë kërkesave të tyre me karakter etnonacionalist. Në periudhën e tij, arsimi në gjuhën turke në trevat shqiptare mori një zhvillim të madh.

Fjalë kyçe: Arsimi, Abdyl Hamiti II, shkolla shqipe, shkolla turke.

Shqiptarët gjatë mbretërimit të Abdyl Hamitit nuk u lejuan të kenë shkolla në gjuhën e tyre

Gjatë gjithë shek. XIX, Perandoria Osmane ndërmori programe të mëdha reformash për të rindërtuar dhe rritur fuqinë e saj, nëpërmjet zhvillimit të një strukture moderne shtetërore. Por, përballë separatizmave etnonacionaliste dhe kërkesave rajonale për autonomi, reformatorët brenda shtetit dhe më gjerë e panë arsimin e centralizuar si një mjet për të izoluar dhe çrrënjosur fenomenet e rezistencës etnonacionale dhe fetare dhe për të integruar komunitete të ndryshme në një shoqëri të përbashkët, shumëkombëshe ose kozmopolite, moderne osmane (Evered, 2012:6). Edhe pas dekretit të Gjylhanesë, i cili në fushën e arsimit parashikonte që sistemi arsimor të organizohej në shkolla shtetërore, trevat shqiptare nuk përfituan asgjë, pasi shkollimi bëhej sipas përkatësisë fetare, vetëm në shkolla të huaja. Shkollat dhe mësimi i gjuhës shqipe ishin objekt i goditjeve të vazhdueshme nga ana e adminsitratës osmane, ndërkohë që me kalimin e kohës edhe në trevat shqiptare “… u rrit nevoja për një arsim laik, shqip nga gjuha, kombëtar nga fryma dhe praktik për jetën” (Loka, 2020: 86). Krahas rezistencës antitanzimatiste, e cila synonte të kundërshtonte vendosjen e pushtetit centralist burokratik në Shqipëri, në viset shqiptare lindi dhe u zhvillua edhe një lëvizje e njohur me emrin “Rilindja Kombëtare”, me një frymëmarje të gjerë politike, shoqërore e kulturore, e frymëzuar nga ideologjia e çlirimit kombëtar të atdheut nga zgjedha osmane dhe e formimit të një shteti kombëtar shqiptar (Lito, 2002:21). Prandaj mund të mos jetë thjesht rastësi që, në të njëjtën periudhë me reagimin kundër reformave, u hodhën hapat e parë të ndërgjegjshëm drejt promovimit të kulturës kombëtare shqiptare. Naum Veqilharxhi, një intelektual shqiptar ortodoks, i ndikuar fuqishëm nga idealet helene, themeloi në vitin 1844 alfabetin e parë të shqipes. Nga ana tjetër, në Stamboll, në vitet 1850, u krijua një shoqëri kulturore nga anëtarët e kolonisë shqiptare me objekt të shtypjes së librave në gjuhën shqipe dhe të ngritjes së shkollave shqipe (Somel,1997:452).

Të parët që u prekën nga lëvizjet kombëtare në Ballkan në mes të shqiptarëve ishin ortodoksët. Arsyeja më domethënëse e kësaj vetëdije kombëtare është rezultati i pashmangshëm i arsimimit të tyre në shkollat greke. Edhe pse qëllimi i përgjithshëm i këtyre shkollave greke ishte t’i kthenin ortodoksët shqiptarët në grekë, kjo ide ishte pjesërisht e suksesshme. Në të kundërt, ajo kontribuoi në rritjen e ndërgjegjjes kombëtare të shqiptarëve (Batir, 2012: 114).

Mbështetur në sistemin e mileteve, në çështjen e arsimit në gjuhën amtare, Perandoria Osmane i trajtoi shqiptarët ndryshe nga popujt e tjerë. Shqiptarët myslimanë i konsideronte si një nga komponentët e saj, ndërsa shqiptarët e krishterë si “pakica ortodokse dhe katolike”. Gjuha e mësimit në shkollat e hapura nga shteti, që frekuentoheshin kryesisht nga myslimanët, ishte turqishtja (Osmani, 2013:182). Në këtë periudhë aktorët kryesorë politikë të Rilindjes u kufizuan vetëm në mbështetjen e kërkesave të karakterit pedagogjik-kulturor dhe administrativ, të cilat nuk rrezikonin status quo-në e Perandorisë Osmane. Theksi u vu mbi të gjitha në zhvillimin e lëvizjes kulturore: përhapjen e shkrimit, të shkollës shqipe, të arsimit dhe të letërsisë kombëtare, për të rritur më tej ndërgjegjen kombëtare të masave (Hoti-Dani, 2014:18). Kërkesat shqipatre nuk gjetën asnjë mbështetje nga rregjimi, i cili përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për t’i penguar, pasi zgjimin kulturor të shqiptarëve e shihte si përpjekje për formimin e vetëdijes kombëtare të tyre.

Sulltan Abdul Hamidi II ishte nën presionin ushtarak, politik dhe ekonomik të shteteve perëndimore, për të njohur shkollat jomuslimane të përfshira në aktivitete kundër sistemit. Ai u përpoq të merrte masa për të parandaluar hapjen e shkollave të tilla, por nuk ishte në gjendje të arrinte sukses. Në vitin 1892, në të katër vilajetet shqiptare kishte më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe (Ditërrëfenjësi, 1900: 153-154). Kishte dhe një numër të madh shkollash turke. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme kishte 1187shkolla turke, nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) dhe 5 shkolla të mesme (idadije) (Buda etj., 2002: 247; Hoti-Dani, 2014:41). Të përfshira në betejat midis perandorisë dhe rivalëve të saj (d.m.th., Britania, Franca, Rusia dhe më vonë Italia), shkolla të tilla u përdorën nga bashkëfetarët, në shtetet konkurruese, si pretekste për ambiciet territoriale dhe gjeopolitike të këtyre shteteve në sferën osmane në rënie. Kërkesat që ata i bënin perandorisë për të përmirësuar kushtet e bashkëfetarëve të tyre i lanë vendin frikës dhe mosbesimit jo vetëm ndaj fuqive evropiane, por edhe ndaj komuniteteve jomuslimane brenda Perandorisë (Evered, 2012:18). Në periudhën e sundimit të Abdyl Hamitit II, shkollat e ndërtuara nga shteti, apo shkollat e hapura nga komunitetet patën një rol aktiv në formësimin e lëvizjeve nacionaliste: bullgarët në shkollat bullgare, grekët në shkollat greke ortodokse; serbët në shkollat serbe (Doja, 2009:155-156).

Përballimin a presionit të shteteve shoviniste fqinje që hapën shkolla në trevat shqiptare, Abdyl Hamiti II mendoi ta përballonte me hapjen e shkollave turke për të formuar vetëdijen osmane të popullësisë myslimane, duke u gjendur kështu dhe nën presionin e shqiptarëve që me të drejtë kërkonin shkolla në gjuhën e tyre. Në interes të Perandorisë, Sulltani e kishte bërë të detyrueshëm arsimimin në gjuhën turke ose arabe te myslimanët, pavarësisht nga prejardhja e tyre kombëtare. Shpresohej se një frymë e njëtrajtshme feje dhe gjuhe shtetërore do të mund të krijonte një barrierë ndërmjet elementëve të krishterëve e myslimanë (Jevalich, 2004: 209-210, Skëndi, 2000, 129).

Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i-Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Portës së Lartë dhe Patrikanës së Stambollit iu interesonte t’i mbante shqiptarët të përçarë fetarisht (Skëndi, 2000: 26-27). Mosnjohja nga Porta e Lartë e së drejtës për t’u arsimuar në gjuhën amtare dhe përhapja në Shqipëri e shkollave turke, greke, sllave etj. e bënin domosdoshmëri arsimimin në shqip, për t’i ruajtur shqiptarët nga asimilimi kulturor dhe etnik që u kanosej atyre në shek. XIX (Historia e Popullit Shqiptar, II, 2002: 247). Problemi i arsimit shqip ka qenë një shqetësim i madh i udhëheqësve atdhetarë shqiptarë në periudhën mbas Lidhjes së Prizrenit, si në çështjen e gjuhës dhe atë të alfabetit. Sami Frashëri e ka shprehur përmbledhurazi këtë shqetësim në librin e tij mbi Shqipërinë që u botua nga fund i shek. XIX: “Shqipëria nuk do të mund ta shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte t’i ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa i lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë të vepronin si t’u pëlqente. Po të vazhdonte sundimi turk, me kohë nuk do të mbetej gjurmë Shqipërie” (Skëndi, 2000:127). Samiu shtron çështjen e mësimit të gjuhës amtare, si shenjë dalluese e kombit, dhe shkrimit të saj me një alfabet të ri etj., sepse, “sot është dita, -shkruante Samiu,- q’edhe Shqipëtarët të zënë të shkruajën’ e të këndojënë gjuhën’e tyre, që të mundinë të ruajnë kombinë” (Kazazi, 2014:51). Në Kanonizmën e “Shoqërisë të shtypurit shkronja shqip” theksohej roli i kulturës në zhvillimin e një kombi: “Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej shkronjash ndë gjuhë të veta” (AQSH, F.101, D.48, fl. 66).

Intelektualët dhe nacionalistët shqiptarë në Stamboll krijuan në tetor 1879 “Shoqërinë e shtypjes së teksteve shqipe”, e cila propozoi gjithashtu krijimin e shkollave kombëtare në Shqipëri. Kjo shoqëri filloi të hartonte abetare shqipe dhe tekste për gramatikën dhe gjeografinë me shkrim latin (Somel, 1997:453). Edhe pse qëndrimi osman ndaj kësaj shoqate nuk dihet, ka të dhëna se gjatë periudhës së Tanzimatit, prirja zyrtare osmane ndaj botimeve në gjuhën shqipe apo ndaj veprimtarive kulturore shqiptare nuk ishte kategorikisht armiqësore (Somel, 1997: 452). Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, ndoshta të shkruara me shkronja arabe nga Daut Boriçi, të shtypeshin dhe të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët (Gençoğlu, 4922). Por, sulltani Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i nteresuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore. Në një realitet të tillë politik, Veziri i Madh Safet Pasha, pasi kishte theksuar rëndësinë e shqipatrëve për dominimin osman në rajon, kishte argumentuar se “shteti duhet të hapë shkolla në fshatra dhe qendra administrative”(Somel, 1997: 452, 453). Për të kundërshtuar veprimet e ethëshme greke për greqizimin e shqiptarëve, që ishin kërcënuese për Perandorinë, në viset jugore të krahinës së Janinës dhe në krahinën e Manastirit, ku vepronte kultura ortodokse greke, u lejuan të ngriheshin disa shkolla shqipe. Por, Porta e Lartë nuk mund të përballonte shfaqjen e një zhvillimi kulturor kombëtar dhe laik midis shqiptarëve myslimanë, duke krijuar bashkësi me shqiptarët e krishterë dhe, si rrjedhojë, shfaqjen e një interesi të veçantë kombëtar (Somel, 1997: 452).

Sigurisht, Traktati i San Stefanit provokoi nacionalizmin shqiptar dhe farkëtoi lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare (Sotoroviç, 2016:32). Që nuk i shkonte për shtat politikës hamidiane ndaj shqiptarëve, prandaj pas shpërndarjes së Lidhjes së Prizrenit, mësimi i shqipes në shkollat publike, si dhe përdorimi i së njëjtës gjuhë në korrespondencën zyrtare u ndalua kategorikisht. Edhe përkthimet e hutbeve të së premtes nga arabishtja në shqip në xhamitë e Shkodrës mund të bëhen shkak për hetime zyrtare. Para vitit 1908 çdo korrespondencë private në gjuhën shqipe si dhe posedimi i librave të përpiluar në këtë gjuhë ishte i paligjshëm.(Somel, 1997: 452).

Në kushtet e terrorit osman, pas shpërbërjes së Lidhjes së Prizrenit, veprimtaritë kulturore shqiptare vazhduan në Rumani (Bukuresht, Konstancë), Bullgari (Sofje), Austri (Klagenfurt, Vjenë) dhe Egjipt (Kairo). Në Bukuresht, shoqatat si: Drita (“Drita”), Dituria (“Dituria”) dhe Shpresa (“Shpresa”) ishin të rëndësishme në përpjekjet e tyre për të ofruar mbështetje materiale për veprimtaritë arsimore shqiptare në krahinat osmane(Somel, 1997: 453). Por përpjekjet e shqiptarëve për të fituar të drejtat kulturore si popujt e tjerë të Perandorisë vazhduan. Ata krijuan një Komitet Shqiptar të Reformave, i cili i dërgoi një memorandum Vezirit të Madh në korrik të 1896-s, në emër të krishterëve dhe të myslimanëve, duke protestuar kundër ndarjeve që ekzistonin në Perandorinë Turke, sipas të cilit të krishterët ortodoksë shqiptarë konsideroheshin grekë ose sllavë, sipas vendit ku kishin lindur, në jug apo në veri. Një vit më vonë, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare iu drejtuan Sulltanit me një letër, ku kërkonin që “të merren masa për njohjen e shqipes si gjuhë kombëtare, për miratimin dhe mbrojtjen zyrtare të kishave dhe shkollave, siç është aplikuar me kishat dhe shkollat bullgare dhe serbe dhe për lehtësimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Itali” (Batir, 2012 : 213). Në nëntor të vitit 1898 në Bukuresht, u mbajt një kongres kombëtar kushtuar shkollave shqipe dhe në përfundim i kërkohej Sulltanit, që të shpallte një dekret për të futur mësimin e detyrueshëm “ të gjuhës shqipe në të gjithë shkollat e Shqipërisë pa përjashtim”. Mirëpo, ashtu si kërkesat e memorandumet e mëparëshme edhe kërkesa e Kongresit të Bukureshtit ra në veshë të shurdhër (Historia e arsimit, 2003:158-159).

Megjithëse e shihte popullsinë shqiptare si potencialisht të dobishme në administrimin e saj të Ballkanit, duke e parë atë si një shtrirje myslimane të shtetit osman, Perandoria i shihte shqiptarët me dyshim. Për këtë arsye, krerët osmanë ndoqën atë që në thelb ishte një strategji përçaj dhe sundo me shqiptarët, duke i ndarë trevat shqiptare nëpër vilajete të ndryshme së bashku me një numër të madh komunitetesh të ndryshme etnonacionale, me qëllim që të vështirësonin, në mos ta bënin të pamundur, çdo bashkim të shqiptarëve në mbarë rajonin (Evered, 2012:40).

Të rrezikshme për regjimin u bënë shkollat fetare katolike në gjuhën shqipe të financuara nga Austro-Hungaria, që u frekuentuan nga nxënës të tri besimeve. Në Kolegjin Saverian në Shkodër u arsimuan jo vetëm nxënësit e besimit katolik, por edhe të besimit mysliman dhe ortodoks, midis tyre personalitete të shquara shqiptare si: Faik Konica, Tahir Dizdari, Tefik Bekteshi etj. (Koliqi, 2002:148). Po kështu shumë absolventë të Medresesë së Tiranës merrnin mësime shqip në mënyrë private nga mësuesi i shkollës katolike Filip Ashiku (Historia e arsimit, 2003: 166). Me shtimin e shkollave katolike në vilajetin e Shkodrës, autoritetet osmane shtuan numrin e shkollave turke në këtë vilajet. Shkollat turke të hapura në malësitë e vilajetit të Shkodrës në vitin 1865 i ndiqnin rreth 700 nxënës, por numri i nxënësve ishte rritur në 1195 në vitin 1868, nga të cilët 850 djem dhe 345 vajza (Gençoğlu:4195). Me kërkesë të vilajetit të Shkodrës, në fund të vitit 1892, Ministria e Arsimit kërkoi që Veziri i Madh të hapte dhjetë shkolla fillore dhe xhami në fshatrat malore të Shqipërisë së Veriut. Meqenëse popullsia e qyteteve Shkodër, Lezhë dhe Tuz ishte shumë e varfër dhe nuk mund të mbulonte shpenzimet përkatëse, Ministri i Arsimit kërkoi fonde për ndërtimin e shkollave turke dhe paga për mësuesit, duke dhënë njëherësh një shumë prej 27900 kurush për ndërtimin e shkollave dhe 14400 kurush për pagat e mësuesve (Evered, 2012: 55

Në kushtet e ndalimit të arsimit shqip, për interesa të shtetit osman, nga autoritetet u lejuan dy shkolla shqipe të Korçës, për djem dhe ajo për vajza. Por rezulatetet e këtyre shkollave për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si dhe veprimtaria e shkollave të fshehta shqipe, të hapura me shumicë në jug, e kishin shtuar shqetësimin e autoriteteve osmane dhe të Patriarkanës së Stambollit. Si rrjedhim, në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shpërtheu një fushatë ndjekjesh, burgimesh dhe internimesh të mësuesve dhe veprimtarëve shqiptarë(Historia e arsimit, 2003:167-168). Autoritetet osmane arritën deri aty sa të mbyllin edhe dy shkollat e Korçës, që i kishin lejuar vetë vite më parë. Në qeshor të vitit 1902, pas 15 vjet pune, ishte mbyllur Mësonjtoria Shqipe për djem. Vështirësi po kalonte edhe shkolla shqipe e vazjave në Korçë. Pas urdhërit të Stambollit që ndalonte vijimin e kësaj shkolle nga nxënëset myslimane në vitin 1904, Porta e Lartë ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhës mësimi në këtë shkollë dhe në fillim të vitit 1907, u lëshua urdhëri nga Veziri i Madh për mbylljen e saj(Historia e arsimit, 2003:169-171).

Por atdhetarët shqiptarë nuk u ndalën, ata e futën ilegalisht mësimin e shqipes në shkollat shtetërore turke dhe në shkollat e huaja. Shqiptarët e futën arsimin shqip në shkollat fetare që ishin të lejuara nga qeveria. Refik Toptani filloi ta jepte mësimin e shqipes në shkollën turke të Kamzës. Në Normalen greke të Qestoratit, me nismën e Koto Hoxhit mësohej edhe shkrimi dhe leximi shqip. Pranë shkollës katolike shqipe të Tiranës, në vitin shkollor 1902-1903, u ngrit një kurs jashtëshkollor i përbërë nga 15 nxënës të rritur, që drejtohej nga mësuesi i shkollës Filip Ashiku (Historia e arsimit, 2003:165).

Mësimi shqip ishte përhapur fshehurazi në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Kolonjë, Përmet, Bregdet Konispol, Çamëri, Starovë etj. Në vitet e fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX mësimi në gjuhën shipe po zhvillohej fshehurazi edhe në trevat e Krujës dhe të Kurbinit. Interesi për mësimin shqip ishte rritur edhe në Durrës, Kavajë, Tiranë etj. (Historia e arsimit, 2003:165).

Dekada e fundit e shekullit dëshmoi një kërkesë gjithnjë në rritje për autonomi administrative dhe shkolla kombëtare shqipe nga fisnikët vendas. Këto kërkesa u shprehën nga mbledhjet në Manastir dhe Elbasan në vitin 1896, si dhe në Pejë dhe në Dibër midis viteve 1897 dhe 1898. Veprimtaritë e tilla shqiptare u bënë veçanërisht më intensive kur kryengritja në Kretë e viteve 1896-1897 rezultoi në një konfrontim greko-osman. Një “Komitet Shqiptar” nën udhëheqjen e Sami Frashërit u themelua në vitin 1897 në Stamboll, duke shprehur të njëjtat kërkesa. Reagimi i shtetit osman ndaj këtyre aktiviteteve dhe kërkesave ishte shtypja e çdo lëvizje kulturore shqiptare deri në vitin 1908(Somel, 1997:454).

Arsim vetëm në gjuhën turke për shqiptarët myslimanë

Arsimi ishte pjesë e pandashme e përpjekjeve të shtetit osman për të rrënjosur dhe ruajtur identitetin fetar të shqiptarëve myslimanë, me qëllim stabilizimin e sundimit të tij dhe parandalimin e zhvillimit të një etnonacionalizmi shqiptar (Evered,2012:40). Perandoria ndoqi një politikë që synonte të krijonte masa të kontrolluara uniteti midis shqiptarëve myslimanë me shpresën se ata do të bëheshin “të përkushtuar ideologjikisht, politikisht dhe shoqërisht ndaj interesave bazë të perandorisë dhe gjithashtu mund të siguronin rekrutim për të siguruar paqen në vendet me kufij gjithnjë e më të cënueshëm të Perandorisë”. Kjo politikë e promovimit të identiteteve fetare të shqiptarëve, veçanërisht të shqiptarëve myslimanë, vazhdoi deri në fund të mbretërimit të Abdyl Hamidit II në vitin 1909 (Evered, 2012:40) dhe kishte si synim pengimin e unitetit në mes të shqiptarëve.

Para shek. XIX institucionet arsimore islame në Ballkanin osman kishin pak a shumë të njëjtat karakteristika si ato në Anadoll (Gomel 1997:442). Në institucionet arsimore islame paramoderne në Ballkan konsiderohej si detyrë fetare e komuniteteve myslimane që t’u siguronin fëmijëve të tyre bazat e njohurive fetare. Prandaj, u kërkua krijimi i shkollave të Kuranit në çdo lagje në qytetet e Ballkanit (Gomel 1997:44). Në kohën e lulëzimit të Perandorisë Osmane medrese të niveleve të ndryshme u krijuan në më shumë se tridhjetë qytete të Ballkanit përfshirë: Edrene, Budapest, Beograd, Sarajevë, Novi Pazar, Shkup, Manastir, Salonica, Larisa, Sofje, Ruse. Dihet pak për shkallën e shkrim-leximit midis osmanëve myslimanë në Anadoll dhe në Ballkan gjatë periudhës klasike. Në bazë të rrëfimeve të udhëtarëve si ato të Schweigger-it (fundi i shekullit të 16-të) ose Evlija Çelebiut (shek. XVII), që përmendin shkolla të shumta kuranore në qytetet osmane, mund të supozohet se një pjesë e konsiderueshme e banorëve myslimanë ishin në gjendje të paktën të recitojnë pjesë të Kuranit dhe se ndoshta shumë muslimanë turqishtfolës ishin në gjendje të lexonin dhe të shkruanin në turqisht (Gomel,1997:442). Nga ana tjetër, gjatë periudhës hamidiane, shkollat iptadije filluan të krijohen edhe në qytete më të vogla dhe në shumë fshatra. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se niveli arsimor i shkollave iptadije në qytete ndryshonte në një masë të konsiderueshme nga ato në fshatra. Ndërsa në qytete lëndët e këtyre shkollave si: historia osmane (miilakhkhas tarïkh-i ‘othmânï), gjeografia osmane (mukhtasar joghrâjyâ-i ‘othmânï), aritmetika (hesâb), leximi (kirä’at) dhe kaligrafia (hiisnii khatt) u mësuan krahas lëndëve fetare: (Kur’ân-i Kerïm), leximi i Kur’anit (texhvid), katekizmi (‘ilmii hât) dhe morali (akhlâk). Kurse kurrikula e shkollës iptadije të fshatit përbëhej vetëm nga kaligrafi dhe aritmetikë, përveç alfabetit arab (elifbä ‘), Kur’anit, recitimit dhe katekizmit. (Gomel, 1997: 448).

Megjithëse arsimi publik osman filloi të zgjerohej në Ballkan nga viti 1848-1849 e në vazhdim, ai nuk depërtoi më përtej se niveli i qyteteve më të mëdha, deri në fund të periudhës së Tanzimatit. Duke qenë se shkollat ryzhdije fillimisht ishin projektuar si shkolla të mesme, zgjerimi i tyre ishte i detyruar të mos arrinte në nivelin e fshatit.

Megjithëse ideologjia e shtetit osman po kalonte në islamizëm, kur ishte e nevojshme, parimet e gjera të arsimit qendror, të vendosura me Aktin e Arsimit të vitit 1869, mbetën në fuqi mes modifikimeve të tilla. Në kontekste specifike për vendndodhjen dhe popullsinë, shteti u përqëndrua në identitetin islam të popullsisë së tij me shumicë myslimane, kur ishte taktikisht i favorshëm për interest e shtetit(Evered, 2012: 6-7).

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se para vitit 1869 ekzistonin jo vetëm shkolla shtetërore, por shkolla të shumta komunitare në nivele lokale, të krijuara nga çdo besim fetar për të trajnuar fëmijët e vet. Kishte edhe shkolla misionare dhe të huaja, si dhe shkolla private. Për fëmijët myslimanë, mejtepet dhe medresetë e menaxhuara nga mësues fetarë të trajnuar në mësimdhënie, ose myderrizë, ishin format më të zakonshme(Evered, 2012: 7). Akti i Arsimit i vitit 1869 i lejoi të gjitha shkollat fetare ekzistuese që ta vazhdonin veprimtarinë, por u përpoq të përjashtojë ato që nuk u përgjigjeshin kërkesave të reja. Nga ana tjetër, duke bërë që shkollat private, misionare dhe të huaja t’i nënshtroheshin licencimit, regjistrimit dhe inspektimit, shteti osman u përpoq të hapte rrugën e tij drejt krijimit të alternativave të parapëlqyera. Shkollat e komuniteteve jomuslimane u nënshtroheshin të njëjtave dispozita shtetërore, por shteti nuk ndërhyri në mësimin e tyre fetar ose gjuhësor, veçanërisht në nivelet fillore të arsimit. Pavarësisht nga përpjekjet e bëra, ishte pothuajse e pamundur të përcaktohej numri i saktë i shkollave në pronësi të të huajve në shtetin osman dhe për rrjedhojë të kontrolloheshin ato në terma reale, sepse disa nga shkollat në fjalë funksiononin ilegalisht në shtëpi pranë kishës, me ndihmën ose me tolerancën e qeverisë(Özcan,2017:190). Mejtepet dhe medresetë e muslimanëve dhe mësuesit e tyre ishin në shënjestër shumë më të drejtpërdrejtë, pasi shteti e shihte edukimin e ofruar nga ato si të prapambetur dhe ideologjikisht të papërshtatshëm, si dhe të paaftë për të përmbushur nevojat politike dhe zhvillimore të perandorisë. Për këtë arsye, shteti osman, nëpërmjet dekreteve dhe udhëzimeve, u përpoq të ndryshonte shkollat ekzistuese të komunitetit islam dhe të ofronte shkollat e veta shtetërore si opsionin më të përshtatshëm për të siguruar arsimimin e fëmijëve myslimanë (Evered, 2012:7-8).

Si rezultat i ndryshimeve të shekullit të nëntëmbëdhjetë në politikën arsimore, tani kishte katër lloje shkollash në Perandori. E para përfshinte shkollat tradicionale islame, shkollat sibiane dhe hierarkinë e medreseve, të cilat mësonin kurrikulën tradicionale të shkencave islame.

Lloji i dytë përbëhej nga shkollat shtetërore laike të krijuara gjatë Tanzimatit dhe të shtrira gjatë sundimit të Sulltan Abdulhamit II (1876-1909). Ndonëse nuk ofruan arsim cilësor, pikërisht nga këto shkolla dolën kuadrot reformatore, të cilët më në fund themeluan Republikën Turke.

Lloji i tretë ishin shkollat e themeluara dhe të financuara nga miletet. Së fundi, kishte shkolla të drejtuara nga misione të huaja katolike dhe protestante dhe nga Aleanca Hebraike Izraelite Universale. Këto shkolla frekuentoheshin nga një numër i vogël, por në rritje i fëmijëve myslimanë. Ky ishte një system i ndërlikuar dhe i fragmentuar i arsimit dhe, siç ka argumentuar bindshëm Zurcher, “nuk ishte një sistem arsimor i krijuar për të stimuluar një ndjenjë solidariteti kombëtar, apo edhe një identitet të përbashkët midis elitës së arsimuar të Perandorisë” (Evered, 2012: 30).

Shteti osman e konsideronte arsimin si një instrument kyç jo vetëm në axhendën e tij reformuese por edhe në kontrollin e territoreve. Ndërsa arsimi fillor shihej si një mjet për të rrënjosur përkushtimin ndaj Sulltanit dhe ndaj shtetit, çdo komunitet, sipas Aktit të Arsimit të vitit 1869, lejohej ta merrte mësimin në gjuhët e tij lokale. Megjithatë, një liri e tillë iu mohua shqiptarëve(Evered, 2012:49-50).

Ndryshe nga vendet e Perëndimit, ku strategjitë arsimore ishin të orientuara drejt homogjenizimit rajonal dhe ndërtimit të kombit, Perandorisë Osmane, për shkak të pozitës së saj të dobësuar, iu desh të bënte një betejë të dyfishtë. Nga njëra anë, politikëbërësit punuan për të përmbushur kërkesat e epokës moderne. Nga ana tjetër, atyre iu desh të shmangnin një sërë sfidash ushtarake, diplomatike, ekonomike, ideologjike dhe kulturore, me të cilat shumica e homologëve të tyre të huaj nuk u përballën (Müftügil, 2011:42). Gjatë periudhës hamidiane, burokratët shtetërorë e kuptuan se osmanizmi nuk do ta mbante të bashkuar Perandorinë. Abdyl Hamidi qëllimisht dhe me vetëdije u përpoq të krijonte një Perandori uniforme, të përbërë nga muslimanë, të cilët duhet të ishin besnikë ndaj Sulltanit si Kalif. Në këtë periudhë, politikëbërësit e arsimit u ndikuan gjithnjë e më shumë nga ndjenja se Perandoria ishte e pambrojtur dhe e sulmuar nga qarqe të ndryshme (Müftügil, 2011: 41). Ndoshta, për të penguar zhvillime të tilla nacionaliste në afat të gjatë, Porta e Lartë dërgoi në territoret shqiptare, në vitn 1898, zyrtarë nga Ministria e Arsimit Publik si dhe ulema të zgjedhur nga Zyra e Sheikhul Islamit (Myftiu i Madh i Stambollit). Fakti që veçanërisht ulemat iu bashkuan kësaj ndërmarrjeje, mund të tregojë se arsimi fetar, si mjet “shkombëtarizimi” ose ndoshta si mjet për transmetmin e islamit dhe ndjenjave të besnikërisë ndaj shtetit osman kishte një vend të rëndësishëm në këtë projekt (Gomel, 1997: 454-455). Tendencat mbizotëruese të mendimit në periudhën hamidiane (1878-1908) ishin kundër atyre të Tanzimatit. Lewis pohon: “Megjithëse tradicionalizmi, apologjetizmi, anti-perëndimizmi dhe panislamizmi ishin shfaqur përpara se Abdul Hamid II të merrte pushtetin, ato u konsoliduan më tej pas ardhjes së tij”. Si përmbledhje, periudha hamidiane nënkuptonte një theksim të ri mbi Islamin, ndërkohë që vazhdoi të zhvillohej edhe modernizimi arsimor(Müftügil, 2011: 42). Në këtë periudhë, shteti dyfishoi përpjekjet e tij për të financuar dhe ndërtuar shkolla kudo që ishte e mundur, në përputhje me qëllimet e përcaktuara nga Rregullorja e Arsimit e vitit 1869 (Müftügil, 2011: 43).

Në përpjekjet e tij për të nxitur solidaritetin fetar midis myslimanëve shqiptarë dhe për të penguar vendet e huaja (veçanërisht Austro-Hungarinë dhe Italinë) të fuqizojnë shqiptarët katolikë, shteti osman bëri përpjekje për të krijuar shkolla fillore turke në veri të Shqipërisë, ku kishte shkolla katolike shqipe. Megjithëse shkollat fillore ishin përgjegjësi e komuniteteve, përballë një kërcënimi të shtuar nga Austria, shteti osman filloi të ngrinte shkolla dhe xhami për popullsinë e tij myslimane shqiptare (Müftügil, 2011: 54) në very të vendit. Vëzhgimet e mëparshme të Xhevdet Pashës në lidhje me provincat periferike të Ballkanit u bënë udhërrëfyes për politikat e ardhshme shtetërore për rajonin.

Shtimi i shkollave turke në trevat shqiptare u diktua dhe nga shtimi i madh i shkollave të huaja, kryesisht greke, serbe dhe bullgare. Kështu në Prizren, në vitin 1886 kishte 17 shkolla turke (iptadije) për djem, 9 për vajza dhe 1 shkollë e mesme e ulët(ruzhdije). Sipas të dhënave të vitit 1898, në vilajetet shqiptare ekzistonin këto shkolla turke: fillore turke (iptadije): në Janinë 128; në Manastir 451; në Shkodër 101 dhe në Shkup 455. Shkolla të mesme të ulëta(ruzhdie): në Janinë 11; në Manastir 17; në Shkodër 5 dhe në Shkup 24. Shkolla të mesme të larta(idadije): në Manastir 2; në në Korçë; Janinë 1 dhe në Shkup 1(Koliqi, 2002:140-142). Shtimi i shkollave turke u bë në kushtet e kërcënimit të shteteve ballkanike dhe synimit për të rrëmbyer troje shqiptare, që ishin në përbërje të Perandorisë.

Për të parandaluar shpërbërjen e mëtejshme të tokave muslimane dhe për të arritur unitetin midis muslimanëve osmanë, Abdul Hamidi miratoi ideologjinë e islamizmit, pas vitit 1878. Duke i konsideruar të gjithë muslimanët e Perandorisë si një ummet (nga umeti ose komuniteti fetar universal), sulltani u përpoq t’i vendoste themelin politik të shtetit të tij. Karpat argumenton se “islamizmi i dha përmbajtje ideologjike otomanizmit dhe të dy u bënë aspekte të një ideologjie të vetme, që i lidhi muslimanët së bashku për një kohë”(Müftügil, 2011:45). Pavarësisht nga modernizimi, u ruajt edhe më tej karakteri fetar i mësimit, që shihet në numrin e lëndëve fetare që mësoheshin në shkolla. Kështu, krahas lëndëve shkencore, u shtuan kurse të reja fetare, (për shembull, kelam, adab, insha dhe fikh) për t’i dhënë Liceut një themel më të fortë mysliman. Sipas Deringil, përpjekjet e Abdul Hamidit rritën rolin e fesë shtetërore, në shkollën hanefi të jurisprudencës islame (Müftügil, 2011:44).

Në politikën e tij shqiptare, Sulltan Abdyl Hamiti vazhdoi me dhënien e privilegjeve për familjet e krerëve të rëndësishëm edhe në fushën e arsimit, duke ua shkolluar fëmijët në kryeqytetin perandorak me bursë shtetërore. Duke shfrytëzuar arsimin, si mësimet ashtu edhe mundësitë për arsimim, për të kultivuar besnikërinë midis krerëve tradicionalë në perandori, Abdul Hamidi II krijoi një shkollë për fiset (Aşiret Mektebi). Ky institucion intrigues solli fëmijët e krerëve fisnorë me ndikim nga periferitë në qendrën perandorake të Stambollit, për t’i edukuar ata dhe më pas për t’i kthyer në komunitetet e tyre. Në raportin e Inspektorit të Kufirit me Serbinë të datës 4 gusht 1902, thuhet: “Pranimi i dhjetë fëmijëve shqiptarë në mektebin “Ashiret” është mirëpritur, mirëpo kërkesat e shqiptarëve që t’i shkollojnë fëmijët e tyre me bursë në këtë shkollë janë shumë më të mëdha, ndaj sugjerojmë që kjo shifër të rritet, të paktën edhe për 10 fëmijë të tjerë. Në të njëjtin vit, gjejmë një vendim të Ministrisë së Arsimit ku përmenden 20 fëmijë shqiptarë që do të shkollohen në mejtepin “Ashiret”, ku sipas vendimit në fjalë, të gjitha shpenzimet e nxënësve do të mbuloheshin nga fondi i mejtepit, si dhe do t’u jepej bursa vjetore prej 64 000 groshëve (kurushëve) (Islami 2020: 206-207). Këtë shkollë e vazhduan fëmijë të prijësve të shquar shqiptarë. Kur Isa Boletini, njeri prej krerëve kosovarë, u internua në Stamboll, në vitin 1902, katër prej djemve dhe nipave të tij u regjistruan në këtë shkollë. Dy prej tyre, midis të cilëve edhe Tafil Boletini, kryen më vonë shkollën ushtarake(Harbiye).Në fakt, numri i të rinjve shqiptarë që kaluan nga kjo shkollë mbeti gjithësesi shumë i kufizuar (Clayer, 2012: 78).

Duke zhvilluar arsimin në gjuhën turke, lejuar arsimin në gjuhë të huaj, si dhe duke penguar zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, Abdyl Hamiti II e ruajti praktikisht sistemin osman të mileteve, që i identifikonte shtetasit sipas fesë, duke theksuar identitetin fetar të pjesës mylimane të shqiptarëve dhe duke theksuar njëherësh “afërsinë fetare të myslimanëve shqiptarë me turqit” dhe dallimet fetare në mes tyre. Duke vepruar kështu, ai i krijoi pengesa dhe vështirësi të shumta Lëvizjes kombëtare Shqiptare.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Nikolle Loka

Va, pensiero

January 20, 2023 by s p

-Tregim-

C:\Users\viron\Desktop\Ne pune 7\5b388c6ce7248virona kona (1) (1).jpg

   Viron KONA

Në përkujtim të veprës së kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi

Sapo ne ushtarët e rinj, me kokat e qethura “zero”, mbërritëm në repart, ushtarët e vjetër na shihnin  me qesëndi e kureshtje. 

            -Hë, o “rrula”, erdhët!  Do hani dynjanë, po nuk na u bindët! Dhe, shikoni se, mos i thoni kapterit, se ju piu e zeza! 

           -Ej, ti, rrul, hidhi dru zjarrit! 

           -Ti tjetri, ti or rrul, o  veshgjatë më sill pakë këpucët! 

            -Hej ti, pinguin, fërkoje këtë tokëzën time që të shkëlqejë. Fërkoje mirë, hë, se do të të bëj t`i thuash derrit dajë! Hë, o mace e lagur, lëviz! 

        Më i tmerrshmi ishte Sela. Ai iu drejtua Baçit, një djali të shëndetshëm, që i shihte ushtarët e vjetër si me habi e frikë. 

            -Ej, ti buall kënete,  hajde m`i lyejë këpucët me bojë. Hajde, shpejt, mos më ecë si zonjushat në paradën e modës, por tundu! – Dhe, ndërsa Baçi i bindur nisi  lyerjen, ai i bërtiste: – Dëgjo, të më shkëlqejnë, hë! Kape mirë furçën dhe jo sikur mban në dorë një tigan me speca djegës!        

        Disa nga ushtarët e vjetër zgërdhiheshin me kënaqësi dhe sikur viheshin në garë se kush të na fyente dhe të na keqtrajtonte sa më rëndë. Mbase, sepse edhe atyre ashtu ua kishin bërë dhe kjo sjellje ishte një lloj hakmarrje që përcillej si stafetë. Pse, kështu do të vepronim edhe ne kur të bëheshim ushtarë të vjetër? 

        Ndërsa të vjetrit silleshin si kapo dhe bënin të fortët e repartit, ne  të rinjtë thuajse nuk flisnin. Unë zieja përbrenda. Më vinte çudi sesi oficerët dhe kapterat nuk ndërhynin. -E po, – thosha me vete, – kjo sjellje do të jetë kalimtare. Eprorët nuk e dinë sesi sillen këta të vjetrit, kurse ne nuk guxojmë t`u ankohemi. Se, ndryshe, pse duhej të vendoseshin ato lloj marrëdhëniesh mes nesh, që ndodheshim aty për të njëjtin qëllim, kryenim shërbimin e detyrueshëm ushtarak. 

        Në vazhdim po rrëfej edhe një episod apo një histori të vogël, e cila u bë nxitje për të shkruar këtë tregim. Nëse keni durim, lutem më dëgjoni:

        Atëherë, në Radio Tirana transmetohej një emision i titulluar “Program, sipas kërkesave të ushtarëve”. Edhe unë kisha bërë një letër – kërkesë në Radio Tirana, me anën e së cilës  përshëndesja familjen time e, veçanërisht njërin nga vëllezërit e mi, Llambin, inxhinier mekanik që punonte në Azotikun e Fierit. Azotiku ishte një uzinë e rëndësishme për vendin. Për të thuhej se mbante me bukë Shqipërinë, pasi bujqësia duke përdorur plehrat azotike, nitrat amoni dhe të tjera, e rriti disa herë prodhimin e grurit që ishte kultura kryesore. Uzina ishte moderne e prodhimit italian. Im vëlla më thoshte se në përbërje të plehut kishte 32 % azot, që ishte shumë i rëndësishëm për bimën bujqësore. Kështu që im vëlla, Llambi dhe kolegët e tij e meritonin plotësisht një përshëndetje dhe unë e bëra, aq më tepër që për ndërtimin e uzinës, bashkë me inxhinierët shqiptarë punonin edhe inxhinierë italianë. Kisha zgjedhur “Korin e  skllevërve” (pjesën Va, pensiero) nga opera “Nabuko” e Verdit.2)  I kisha lajmëruar që një javë përpara shokët e mi  ushtarë, se, edhe unë kisha bërë një kërkesë në Radio – Tirana. Java kaloi shpejt dhe erdhi dita dhe ora e emisionit. Ditë e  diel,  ora 13.00. Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër, qëndronim nën hijen e një rrapi të madh dhe  mbanim sytë dhe veshët nga dy altoparlantë që ndodheshin sipër tij. Radioja ndodhej në zyrën e kapter Manes, kurse zëri, vinte deri tek dy altoparlantët nëpërmjet një kablli.

       Ndjeva emocion kur folësja në radio, tha: “-Tani i plotësojmë kërkesën ushtar Vironit, i cili me një pjesë muzikore nga opera “Nabuko” e Verdit, përshëndet familjen dhe vëllanë e tij, Llambin, inxhinier  në Azotikun e qytetit të Fierit”. 

       Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër u bëmë gati të dëgjonin. Nisi pjesa muzikore e operës, e cila mua më tërhiqte shumë. Kisha lexuar disa libra dhe kisha parë filma që flisnin për kompozitorë të shquar si Bethoveni, Moxarti, Verdi, Puçini, Rosini, Belini, Donizeti, Vagneri e shumë të tjerë mjeshtra të mëdhenj të kompozimit të muzikës klasike botërore. Por, për Verdin kisha dobësi. Thuajse i dija përmendësh emrat e shumë prej operave të tij: “Nabuko”, “Rigoleto”, “Aida”, “Traviata”, “Othello”, “Falstaf”…, dhe, diku – diku edhe ndonjë pjesë që e merrja me fishkëllimë. Kurse im vëlla, Llambi ishte tepër i veçantë. Ai mund të konkurronte me këdo që pretendonte se i njihte mirë veprat muzikore operistike. Nga opera “Nabuko”, mua më pëlqente shumë, sidomos ajo pjesë kur skllevërit kërkonin lirinë dhe kori i tyre ngrihej i fuqishëm me fjalët: 

“Mbi krahët e ëndrrave u nisëm sot,

Atje ku shtrihen fushat, kodrat e përrenjtë,

Ku lulëzon çdo gjë e qesh mbi tokë,

Në pyje dhe liqej të atdheut tonë të shtrenjtë”. 

       Muzika që kisha kërkuar unë po transmetohej, ndërsa ushtarët e ulur nën hijen e rrapit, po dëgjonin. Ndonjërit prej tyre, që nuk  e kishte të edukuar veten me dëgjimin e pjesëve muzikore klasike dhe operistike, nuk po i rrihej. U ngrit pa folur. Pas tij edhe një tjetër, edhe një tjetër. Nga rreth 30 ushtarë, thuajse gjysma u ngritën dhe u larguan që në sekondat e para, të heshtur, pa thënë ndonjë fjalë. Muzika vazhdonte. Me tingujt e magjishëm e të  jashtëzakonshëm dhe me ndjenjat e thella që pasqyronte, ajo të shkaktonte drithërima dhe të  ngrinte peshë, teksa  kori buçiste dhe oshtinte: 

Atdhe, atdhe i bukur dhe i humbur!

Kujtim i shtrenjtë, kujtim i hidhur…

        Ndonëse kisha humbur mendjen pas muzikës, po ndihesha keq, kur shihja që, edhe disa nga shokët e mi më të afërt ishin gati të largoheshin.  Zani më shihte disi me keqardhje. Ai ishte nga malësia dhe do të preferonte të dëgjonte  një këngë me çifteli për ciklin e kreshnikëve; Eduardi, sigurisht që do të parapëlqente ndonjë këngë me iso të Jugut; Sadiku do të pëlqente më shumë Xhixhilenë; Kozi,  “Bijën e Tarres”; Letoja ndonjë nga këngët e bukura korçare si ajo: “Vajza të bukura, faqka pa puthura…!” Thuajse të gjithë kishin këngët e tyre të parapëlqyera. Por ja që unë kisha zgjedhur një muzikë që ata nuk  e kishin dëgjuar, ose më saktë, nuk ishin përqendruar ta dëgjonin kur Radio -Tirana e jepte herë pas here. E ndjeja se, me përjashtim të Ademit, që e pëlqente muzikën operistike, disa qëndronin aty sepse donin të më bënin qejfin, nuk donin të  më fyenin. Por, për habinë time po qëndronte edhe Sela, ushtari i vjetër, që, me sjelljen e tij të ashpër, na e merrte shpirtin ne “rrulave”. Ai dëgjonte me vëmendje dhe kohë pas kohe shihte nga unë.  Ndjeja djersë mbi ballë, por gjithsesi, përqendrimin e mbaja te pjesa muzikore. I ndjeja thellë në shpirt, edhe libretin e rrallë që kishte shkruar Themistokli Soleri, por sidomos muzikën drithëruese të Verdit të madh, që depërtonte gjer thellë në shpirt e në zemër dhe të rrëmbente drejt qiejve të kaltër dhe diellit të praruar… E, dalëngadalë po ndjeja se, ajo muzikë e rrallë po depërtonte si pa u ndjerë edhe tek ata ushtarë që, në fillim qëndruan aty te rrapi për të mos ma prishur qejfin. Ishte forca e magjishme dhe magnetike e atij arti të madh, që i kishte mbërthyer aty nën rrap, dhe ata dëgjonin tërë përqendrim, teksa në fytyrat e tyre shfaqeshin herë – herë pamje ëndërruese.

       Ata, vazhdonin të qëndronin si të stepur dhe me dëshirën që ajo muzikë, të zgjaste e të zgjaste e të mos përfundonte kurrë…Nuk e di pse, por po më dukeshin shumë të afërt ata shokë ushtarë. Emocionet m`u shtuan kur po shihja se, edhe disa nga ata që ishin larguar, ushtarë të vjetër dhe të rinj, po afroheshin dalëngadalë e si pa u ndjerë. Dukej sikur një forcë e mistershme, magnetike dhe magjike i tërhiqte  drejt trungut të rrapit, teksa më bëhej se, edhe fletët e drurit shekullor lëkundeshin lehtë – lehtë, si të ndiheshin pjesëmarrëse në atë kor hyjnor…. 

       Më në fund, muzika që kisha zgjedhur pushoi. Ngrita vështrimin nga shokët e mi ushtarë dhe këmbyem buzëqeshje të çiltra me njëri – tjetrin. 

       Sela u ngrit nga vendi dhe më shtrëngoi  dorën.

           -Të falënderoj, se më kënaqe! Nuk  kisha dëgjuar ndonjëherë si kjo lloj muzike. 

   Të gjithëve u bëri përshtypje sjellja e Selës, aq më tepër që ai nuk e përdori fjalën “rrul”.

    Edhe të tjerët më uruan dhe më dhanë dorën.

            -Ka shumë gjëra të bukura, por ne nuk i dimë, nuk i njohim, – tha Ademi.

           -E  Selë, – u dëgjua nga larg zëri ironik i Gajtazit, – ta morën mendjen rrulat, hë!

          -Ik ore, mbushu! – iu përgjigj Sela.

          -Ç`pate! – i tha tjetri duke iu afruar?

           -Iç, asgjë nuk kam. Vetëm, mos i jep shumë gojës se të futen miza! Ndonjëherë do të të futet edhe ndonjë zhapik dhe do të na hapësh punë!

    Të gjithë sa ishin aty qeshën. Gajtazi u bë xhind, por nuk u ndje. Veçse herë – herë, e shihte shokun tij të vjetër me habi, pa kuptuar dot se çfarë kishte ndodhur me të. 

     Ndërkaq, kapter Maneja doli nga zyra dhe nisi të hidhte hapat ngadalë drejt nesh. Barku i kërcyer përpara i lëkundej sa majtas – djathtas si  një patok i ushqyer mirë. Që nga dhjetëra metra larg, erdhi zëri i tij ironik.

           -Aty e keni atë ushtarin e operave?

           -Për kë e keni fjalën shef? – e pyeti Astriti që ishte më pranë tij.

           -Për atë mor, atë që na shet mend se  gjoja i kupton operat!

           -Urdhëroni shef! – i thashë dhe  u ngrita në këmbë.

            -Ulu, ushtar, ulu! – më tha ai, – por tjetër herë na bëj kërkesë për ndonjë këngë të bukur, jo si kjo që dëgjuam.

           -Edhe ajo e bukur është, – guxova dhe i thashë.

           -Ah, dashke të në bësh të kulturuarin tani? – më ironizoi ai përsëri dhe qeshi me të madhe. Edhe dikush nga ushtarët qeshi. Fajzoja, që ne të gjithë e quanim “servili” i kapterit. 

           -Servil, servil, – thoshim ne me njëri – tjetrin, – por, Fajzoja ka shkuar dy herë me leje brenda  tre muajve, kurse ne mund të shkojmë vetëm pas gjashtë muajve apo pas një viti. Edhe  atëherë, ku i dihet, shkojmë a s`shkojmë!

           -Hë, – më tha kapter Maneja, – pse s`flet, apo “të hëngri macja gjuhën”? 

           -Jo, – iu përgjigja, – jam mirë, dhe…nuk kam se çfarë fjalësh të tjera të them. Muzika që dëgjuam  tha shumë gjëra. 

           -E çfarë gjërash na tha ajo muzikë? – tha kapteri, duke rrudhur vetullat me qime si në ngjyrë të kuqërremtë, – muzikë e një gjermani ishte, nuk ishte e jona.

          -Verdi është italian, – tha Ademi.

           -Edhe gjermanët, edhe francezët, edhe rusët, edhe anglezët…, të gjithë kanë muzikën e tyre të bukur, – guxova i thashë kapterit.

      Ai heshti një çast dhe më hodhi një vështrim dyshues:

           -Çfarë, do të na japësh mësime muzikore tani, apo do të na bësh propagandë? 

      Sigurisht që kapteri po e tepronte. Situata dukej delikate.

           -Ç`thua, o kapter? – u dëgjua zëri i Selës. – Pse e ngatërron atë muzikë të bukur me ato gjëra të shpifura! Këtu po flitet  vetëm për muzikë. Po të ishte ashtu si mendon ti, Radio-Tirana nuk do t`ia plotësonte kërkesën këtij shokut tonë!

       Kapteri nuk foli më. I shtrëngova krahun Selës. Ushtarët, për shkak të vapës, po i drejtoheshin fjetores. 

          -Mos u mërzit, – më tha duke ecur Jani, kuzhinieri i repartit kur më pa të menduar, – ajo muzikë ishte shumë e bukur dhe mua më pëlqeu. Ja, shiko, edhe tani i kam krahët kokrriza – kokrriza, ngaqë drithërohesha kur e dëgjoja.

       Jani heshti një çast. Fytyra i mori një pamje të menduar, pastaj, si të zgjohej nga një ëndërrim, m`u kthye duke më parë drejt e në sy:

         -Ku të vajti mendja që kërkove atë muzikë! Dreq je, edhe ti! – qeshi kuzhinieri dhe më ra shpatullave ngrohtësisht.

      Mbaj mend se ajo muzikë e fuqishme e Verdit dhe diskutimet që u ngjallën në repart, sikur na afruan më shumë ne ushtarët me njëri – tjetrin. Fjala “rrula”, përdorej gjithnjë e më rrallë. Kjo më gëzonte. “Arti i lidh dhe i afron njerëzit”, – thosha me vete, – ashtu si ata skllevërit që, me atë muzikë të fuqishme, ngriheshin me vendosmëri të çliroheshin nga zgjedha e robërisë. Në një film, mbaj mend disa sekuenca, kur në Italinë e pushtuar nga austriakët, dy grupime të mëdha u gjendën përballë njëri – tjetrit: Popull kryengritës nga njëra anë dhe ushtarë në shërbim të ushtrisë austriake, që kishte pushtuar Italinë, nga ana tjetër. E, teksa dy grupimet ishin në prag të përleshjes, papritmas midis tyre u fut me shpejtësi një karrocë, ku ndodhej vetëm një njeri. Ai ndali karrocën, pikërisht në mes të dy grupimeve dhe u ngrit në këmbë.  Nga të dyja anët u shpreh habi dhe kureshtje. Kush ishte ai burrë i moshuar, që ishte futur mes  zjarrit  të armëve që priteshin të  shpërthenin nga çasti në çast? Dikush thirri:

           -Verdi! Ai është Verdi!

Dhe, teksa emri i kompozitorit të madh, kalonte gojë më gojë, një zë, e, më pas dhjetëra e qindra zëra nga turma e  luftëtarëve për liri nisën të këndonin  pikërisht atë muzikë:”Va, pensiero”, të operës “Nabuko”. 

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/6/66/Va%2C_pensiero.jpg/400px-Va%2C_pensiero.jpg

        Në krahun përballë kryengritësve, në fillim pati një stepje dhe hutim, e, pastaj, papritmas, të gjithë, nga të dy anët e përballjes, populli dhe ushtarët, nisën të këndonin me zëra të fuqishëm. Verdi u kishte kujtuar të dy palëve lirinë dhe, ata, duhej ta ruanin dhe ta mbronin atë si gjënë më të shtrenjtë: Jo duke vrarë njëri – tjetrin, por duke u bashkuar dhe  vëllazëruar me njëri – tjetrin. Të dy palët, kishin vetëm një armik: pushtuesin. 

        Nga leximet mbaja mend se, për “Marsejezën”, këngën – kushtrim për revolucionin francez, Viktor Hygoi patë thënë: “Gjysma e fitoreve franceze i detyrohen “Marsejezës”. Atëherë, batalioni çlirimtarë, duke kënduar:

”Përpara bijtë e atdheut!

Çasti i lavdisë po afron! 

        Dhe me refrenin:”Rrëmbeni armët, qytetar!”, marshonte i vendosur drejt Parisit, që kërcënohej nga pushtimi. Në atë marshim të zgjatur disa ditorë, të gjithë ata njerëz të atij batalioni, si një trup i vetëm marshonin pa u ndalur duke kënduar pa pushim “Marsejezën”. 

         Kurse, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kënga “Lili Marleen”, me tekst të një ushtari gjerman dhe e kompozuar po nga një kompozitor gjerman,  u bë kënga më e preferuar jo vetëm e ushtarëve gjermanë, por e të gjithë ushtarëve që luftonin në frontet e Luftës së Dytë Botërore. Këtë këngë, ushtarët gjermanë, anglezë, rusë, amerikanë, francezë…, e këndonin me lot në sy, secili në gjuhën e vet dhe shkonin të vdisnin duke menduar “Lilin” e tyre, që e kishin lënë kushedi se ku… Kënga “Lili Marleen” u përkthye në 48 gjuhë. Fashistët gjermanë, duke parë efektin e kundërt që po bënte kënga, dhanë urdhër ta ndalnin, por, përkundrazi, kënga mori përhapje akoma më të madhe. Suksesi i saj u motivua me këto fjalë: “Era, a mund të thotë përse u kthye në stuhi?”.

         Pas një jave, më erdhi një letër nga im vëlla. Ai e kishte ndjekur emisionin dhe përshëndetjen që i bëja unë me muzikën e Verdit dhe më falënderonte. Por ajo që më befasoi dhe ma shtoi gëzimin, ishte se  në atë letër  kishin firmosur dhe kishin shkruar fjalë  përshëndetëse për mua edhe disa nga shokët e tim vëllai, e, midis tyre, edhe dy inxhinierë italianë, që e donin dhe e  respektonin tim vëlla, Llambin, edhe për faktin se ai e njihte mirë dhe e pëlqente muzikën operistike të Verdit…

…………….

1.Va, pensiero! (Fluturo mendim!). Ky është përkthimi artistik. Fjala “va” (shko!) është zëvendësuar me “fluturo” sepse shkon më mirë me “krahët e  praruar…” (që vijon origjinali).

2.Opera “Nabuko”, me libret të Themistokli Solerit dhe muzikë të Xhuzepe Verdit u shfaq për herë të parë në Teatrin e njohur La Skala të Milanos më 9 mars 1842. “Va, pensiero” është ndoshta pjesa më e dashur e muzikës nga e gjithë opera, e cila shpesh kryhet dy herë. Ngjarja  e operas “Nabuko”, zhvillohet në Jerusalem dhe Babiloni në vitin 583 p.e.s. Tregohet  historia e Nabukodonosorit, Mbretit të Babilonisë dhe skllevërve hebrenj, të kapur dhe të burgosur në Babiloni. Kori i ‘Va, pensiero” ndodh në pjesën e tretë të operës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viron Kona

Para 32 viteve nisi të dalë gazeta e rezistencës “Bujku” që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

January 20, 2023 by s p

Shkruan: Behlul Jashari, kryeredaktori i parë-themeluesi i gazetës që nisi të dalë në 18 Janar 1991, tani korrespondent në Kosovë i gazetës DIELLI/

PRISHTINË, 18 Janar 2023/ Para 32 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore.

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj edhe sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 78 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive.

Në intervistë, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, Presidenti Rugova mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 intervistën ekskluzive me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  e botoi në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”. 

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari

GJERGJ KASTRIOTI TEK AUTORËT E HUAJ

January 20, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Me rastin e 555-vjetorit të vajtjes në pavdekësi.

Kur e përmendte Gjergj Kastriotin në veprën e tij klasike “Edukimi britanik ose burimi i çrregullimeve në Britaninë e Madhe”, Thomas Sheridani (1719-1788) e rendiste Gjergj Kastriotin ndër njerëzit e mëdhenj të cilët përgjithmonë do të jetojnë në “tempullin e kujtesës”.

*   *   *

Punën e vet, Barleti ia dedikoi nipit të Gjergj Kastriotit, Donferrante Kastriotit dhe pasardhësve të tij. 

Në shekujt XVI dhe XVII vepra e Barletit u përkthye në një varg versionesh edhe në gjuhë të huaja: 

– Në vitin 1533 në gjermanisht nga Johan Pincianus; 

– Në vitin 1554, 1560 në italisht nga Pietro Rocca; 

– Në vitin 1567 në portugalisht nga Francisco D’Andrade; 

– Në vitin 1569 në polonisht nga kompozitori polak Ciprian Bazylik (1535-1600); 

– Në vitin 1576 në frëngjisht nga fisniku i Plessis du-Bourrot – Zhak dë Lavarden (Jaques de Lavardin), me titullin ”Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d’Albanie”; dhe 

– Në vitin 1582 në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde.

Versioni në anglisht u bazua në përkthimin në frëngjisht të kryer nga Zhak dë Lavarden (Jaques de Lavardin) dhe nga Zachary Jones. U botua në fund të shekullit XVI, me titullin “Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”.

*   *   *

Shkrimtari dhe filozofi francez Volteri, emri i vërtetë Fransua-Mari Arue  (François-Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) kapitullin e tij “Marrja e Kostandinopojës” e fillon me frazën: “Sikur Perandorët grekë të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.” 

Në shekullin XVIII Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive: “Skënderbeu” (1733) e dramaturgut britanik Uilliam Havard (William Havard, 1710? – 1778); “Heroi i krishterë” (1735) e dramaturgut anglez Xhorxh Llillëu (George Lillo, 1693-1739) dhe “Scanderbeg: Or, Love and Liberty”, 1747, 320 faqe; (Skënderbeu: Dashuria dhe liria), botuar postum, e Tomas Uinkop (Thomas Whincop, 1697-1730).  

Nga luftërat e Gjergj Kastriotit u frymëzuan edhe poetë dhe kompozitorë të huaj. Në shekullin XVI, një poemë për Gjergjin, shkroi poeti francez Pjerë dë Ronsar (Pierre de Ronsard, 1524-1585), ndërsa në shekullin XIX, poeti amerikan  Henri Uëdzuërth Lëngfelëu (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882). 

Në vitin 1855, politikani francez Kamil Paganel (Camille Paganel, 1795/97 – 1859), i nxitur prej krimeve të luftës, shkroi “Histoire de Scanderbeg” (Historia e Skënderbeut). Kompozitori italian i shkollës veneciane Antonio Lucio Vivaldi (1678-1741) shkroi operën me titull “Skënderbeu”, të interpretuar më 1718. Një tjetër operë me titull “Skënderbeu” ishte ajo e kompozitorit dhe violinistit francez të shekullit XVIII, Fransua Frankërë (François Francœur, 1698-1787) të interpretuar më 1763. Shkrimtari dhe filozofi danez Ludvig Holberg (1684-1754) thotë se Gjegj Kastrioti është një nga gjeneralët më të mëdhenj të historisë. 

Diplomati, burrështetasi dhe eseisti anglez Sër Uilliam Temple (Sir William Temple, 1628-1699) thotë se Gjergj Kastriotin është një prej shtatë krerëve më të mëdhenj pa kurorë, siç kanë qenë:

– Gjenerali romak i kohës së Perandorit të Bizantit – Justinianit (emri i plotë Flavius Petrus Sabbatius Justinianus, 483-565) – Flavius Belisarius (505-565 era e re); 

– Gjenerali dhe burrështetasi romak, magjistër militum apo The Last Roman General, Flavius Aetius (391? – 454, thuhet se ka jetuar 64 vjet); 

– Gjenerali hungarez Jan Huniadi (János Hunyadi; Hunyad, Transilvani, 1407? – Beograd, 1456); 

– Gjenerali dhe burrështetasi spanjoll (Gonazalo Fernandez de Kordoba (Gonzalo Fernández de Córdoba, 1453-1515);

– Gjenerali i ushtrisë spanjolle, me kombësi spanjolle, prijës ushtarak italian, Dukë i Parmës Aleksandër Farnese (Alexander Farnese, Romë, 1545 – Arras, Francë, 1592); dhe 

– Ushtaraku holandez Uilliami I i Oranit (lindi në Dilenburg Nasau, Perandoria Romake e Shenjtë, tani Hesen, Gjermani, më 1533 – vdiq në Delfi të Holandës në vitin 1584). Njihet edhe si Uilliami i Heshtur (në holandisht Willem de Zwijger). Ka qenë prijësi kryesor i kryengritjes holandeze kundër spanjollëve që shkaktoi luftën 80-vjeçare (1568-1648), e që në vitin 1648 solli pavarësinë e Krahinave të Bashkuara. Në Holandë njihet si baba i kombit (holandisht: Vader des Vaderlands). U vra në atentat në vitin 1584 me urdhrin e oborrit spanjoll në Delfi të Holandës.     

*   *   *

Në poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Child Harold`s Pilgrimage,1812-1819), të cilën poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) filloi ta shkruajë gjersa ndodhej në Shqipëri, Gjergj Kastrioti dhe shqiptarët janë pasqyruar në vargjet e mëposhtme:

“Land of Albania! where Iskander rose,

Theme of the young, and beacon of the wise,

And he his namesake, whose oft-baffled foes

Shrunk from his deeds of chivalrous emprize…”

Kënga II, LXV 

*   *   *

GJERGJ KASTRIOTI NË ARTET FIGURATIVE – Figura e Gjergj Kastriotit dhe bëmat e tij janë pasqyruar prej kohësh në vepra të pikturës, të skulpturës dhe të gravurës në vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e veprave me vlera artistike dhe historike, si tipare karakteristike, japin një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë.  

Portreti më i hershëm që njihet ndodhet në galerinë Ufici (Uffizi) të Firencës. Mendohet se është mbështetur në vizatimin të bërë drejtpërdrejtë nga natyra, të piktorit venecian Xhentile Benini. Në këtë portret, Heroi Kombëtar i shqiptarëve është paraqitur në moshë të shtyrë, si duket kur e ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali në vitin 1466.

Vlen të përmendet edhe portreti i shekujve XV-XVI i zbuluar në Shkodër si dhe portreti i galerisë në kështjellën Valdbeng, një riprodhim i të cilit ndodhet edhe në Muzeun e Krujës.

Një portret i hershëm që paraqet rëndësi për tërë ikonografinë e Gjergj Kastriotit, ndodhet në botimin e parë të veprës madhore të humanistit dhe të historianit shqiptar Marin Barletit – “Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi” , Romë, midis 1508 dhe 1510 (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut).

Portretin në gravurë e kanë realizuar edhe mjeshtrit gjermanë si Jang Breu (1533) dhe Jost Aman, po i shekullit XVI. Amani heroin shqiptar e paraqiti me një sfond kështjelle.

Gravura mbi Skënderbeun, më 1577, ka shtypur edhe një piktor tjetër gjerman Sigizmund Fejgrahent. Paraqitja e përkrenares dhe e shpatës së heroit jepet për herë të parë (1539-1552) në portretin të bërë nga Tabias Shtimer.

Në qindvjeçarin XVII e këndej u krijuan portrete të Skënderbeut për t’i ilustruar veprat letrare ose historike. Piktori francez N. Auronks është autor i portretit që u botua në poemën e Bysjerit (1658). Në vitin 1662, kjo poemë u ribotua, por tani me portretin të bërë nga piktori Blanshet. Ndërkaq librin e Biemit, të botuar në vitin 1672, e ka ilustruar piktori italian F. Zuçi (Zucci). Një gravurë në dru bëri I.B. Skotin.

Në vitin 1743 vepra e Barletit u botua në Zagreb në gjuhën kroate. Këtu tani e kemi gravurën  në dru të Vajcit (Weitzi). Galerinë e Skënderbeut, me veprat e tyre e kanë pasuruar edhe piktorë të tjerë si Andrea Bianki, J. Fontana, Domeniko Kusto, A. Oslovski.

Për Skënderbeun një numër veprash krijuan edhe piktorët arbëreshë në Itali, si G. Konforti, A. Skurra etj. Një afresk i shekullit XVI ndodhet në një kishë të Monreales në Sicili. Duhet theksuar se në kishën katolike të Prizrenit, në vitin 1878, kur u krijua LidhjaShqiptare e Prizrenit, janë pikturuar me grizaj në dy medaljone, komandanti ushtarak hungarez Jan Huniadi (1387-1456) dhe Skënderbeu.

Figura e Skënderbeut u bë një nga temat  qendrore të arteve figurative shqiptare qysh në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Krahas portretit tradicional kthyer në profil të piktorit nga Korça Gjergj Panariti (1883), figura e plotë e heroit mbi kalë dhe në sfond beteja, u trajtua më 1889 nga Anastas N. Ballamaçi dhe Theohar Gjini (1880-1956). Ballamaçi u ndihmua nga tabloja e piktorit francez T. Zheriko.

Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazën e modeleve, shkoi më tej piktori autodidakt Spiro Xega (1876-1953), autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprave. Midis tyre edhe “Skënderbeu” (1913). Me fjalë të tjera, prej tij ruhen mbi dhjetë tablo me figurën e Skënderbeut, disa prej tyre të fillimit të shekullit XX.

Në vitin 1937, në bazë të një gravure evropiane, edhe ikonografi nga rrethi i Korçës Vangjel Zengo (1877-1938) pikturoi disa herë portretin e Skënderbeut, tablonë “Beteja e Skënderbeut me turqit” që ndodhet në Muzeun e Krujës.

Linjën kryesisht origjinale e përbën tabloja “Skënderbeu në betejë” e pikturuar në vitin 1915-1916 nga piktori shkodran Simon Rrota (1887-1961), i cili, në vitet 1910-1915, kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. (Mësimet e para për pikturë, S. Rrota i mori nga piktori shkodran Kolë Idromeno, 1860-1939, autor i njërës nga kryeveprat e pikturës shqiptare, portretit “Motra Mone”). Edhe piktori shkodran Ndoc Martini (1880-1917) portretin e heroit e punoi në disa variante – “Skënderbeu”. 

*   *   *

PËRMENDORET E GJERGJ KASTRIOTIT NË TROJET SHQIPTARE DHE NË BOTË – Skënderbeu është heroi kombëtar i shqiptarëve, por tashmë prej shekujsh ai është bërë simbol i lirisë, i pathyeshmërisë dhe i mbrojtjes së krishterimit. Kjo figurë historike ka vend tejet të rëndësishëm në librat e historisë shqiptare dhe botërore, por edhe në art, në letërsi, në artet vizuale, në muzikë dhe në kinematografi. 

Derisa në letërsi shkrimtarët i shfrytëzojnë dokumentet historike dhe fantazinë e tyre, artistët pamorë kanë pak burime autentike të kohës. 

Portreti më i hershëm i Skënderbeut  supozohet se është bërë sipas një skice të piktorit italian të shkollës veneciane Xhentile Benini (Gentile Benini, 1429-1507) ku Skënderbeu paraqitet i moshuar. Ndoshta ka pozuar gjatë udhëtimit të tij të fundit në Itali në vitin 1466. 

E para skulpturë me imazhin e tij  ishte ajo e viti 1917 e skulptorit dhe poetit Murad Toptani (1866/67 – 1918). Më pas, bustet për këtë hero u përhapën në shumë qytete shqiptare  si dhe në qytete të botës. 

Monumenti i Skënderbeut në Krujë u realizua në vitin 1959. Monumenti i tij në Tiranë u realizua në vitin 1968. Autorë janë: themeluesi i skulpturës shqiptare Odhise Paskali (1903-1985), skulptori shqiptar Andrea Mano (1919-2000) dhe skulptori shqiptar Janaq Paço (1914-1991). Monumenti në Prishtinë u realizua në vitin 2003 dhe është vepër e skulptorit Janaq Paço. Shtatorja në Dibër u realizua në vitin 2009. Kjo është vepër e skulptorit me prejardhje nga Dibra, Muharrem Turkeshit (? – 2003) dhe e skulptorit Agim Sela. Buste të Gjergj Kastriotit janë ngritur edhe në Tuz, në Preshevë, në Burrel. Monumenti i kësaj figure ikonë në Shkup u ngrit në vitin 2006 dhe është vepër e skulptorit Thoma Thomai (1936-). 

Busti i Skënderbeut në Kukës u ngrit më 1939. Monumenti në sheshin “Albania” të Romës është ngritur në vitin 1940. Është vepër e skulptorit italian Romano Romanelli (1882-1968). Monumenti në Bruksel është realizuar në vitin 1968. Busti i Gjergj Kastriotit është vendosur edhe në fshatin Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Kalabri. Në vitin 2008 busti është vendosur në Civita të Italisë. Përmendorja në Miçigan të SHBA-së u ngrit në vitin 2006. Busti në qytetin Fermo të Ankonës u vendos në vitin 2007, ndërsa ai në San Cosmo Albanese – në vitin 2010. Buste të heroit kombëtar të shqiptarëve ndodhen edhe në  Vjenë, në Budapest, në Zvicër, buzë liqenit të Gjenevës, në Detroit etj. 

Një nga këto monumente shqiptarët e kanë edhe në pasaportat e tyre biometrike. Kudo që ata shkojnë e mbartin heroin e tyre me vete. 

Përpjekjet për të ngritur monumente të Gjergj Kastriotit në qytete të tjera – vazhdojnë.

*   *   *

Të dhëna të hollësishme për historinë politike të periudhës së Gjergj Kastriotit jep studiuesi i shquar Aurel Plasari në librin “Skënderbeu, një histori politike”.    

Xhelal Zejneli

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1874
  • 1875
  • 1876
  • 1877
  • 1878
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT