• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare*

May 14, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Ju Flet Zeri I Amerikës – Foto e stafit aktual dhe të viteve të kaluara, me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Washington, Maj, 2013

100-vjetorit të lidhjeve diplomatike midis dy popujve tanë dhe mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të VOA-s në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951. Marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull, duke bërë gjithmonë dallimin midis popullit shqiptar dhe regjimeve fatkeqe të tij gjatë kësaj periudhe 100-vjeçare. Konferencës së Versajës më 1919-n dhe deklarata e Presidentit Ëoodroë Ëilson, vlen të lexohet edhe sot pas 100 vitesh.  Siç dihet, ky vit shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe vitin që vjen shënon 80-vjetorin e themelimit.  Transmetimet e këtij gjiganti mediatik ndërkombëtar kanë filluar në shkurt të vitit 1942, si një mjet për të luftuar propagandën naziste me lajme dhe infiormacion të saktë, objektiv dhe të paanshëm. Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe i ka shërbyer botës shqiptare – në kohë lufte dhe në kohë paqeje,- por sidomos, gjatë periudhës së komunizmit totalitar e deri në ditët e sotëme duke ofruar shpresë dhe frymëzim në mbrojtje të së vërtetës, lirisë dhe demokracisë, nëpërmjet lajmeve dhe informacionit për pothuaj një shekull.

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrtë i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, 1951

Nga themelimi i tij e deri më sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i angazhuar për të raportuar të vërtetën me mbulimin e lajmeve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, anë e mbanë botës, duke dhënë shembull për parimet e një shtypi të lirë. Kështu ka qenë duke filluar nga Lufta e dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, lufta kundër terrorizmit, konfliktet dhe përpjekjet e sotme për liri e demokraci, anë e mbanë globit.

Edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij gjigandi të lajmeve ndërkombëtare, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore – me një ndërprerje të shkurtër – por duke rifilluar transmetimet në vitin 1951. VOA shqip gjatë gjithë këtyre viteve, falë dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ka kontribuar në përhapjen e të vërtetës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën e errët gjysëm shekullore të komunizmit shqiptar, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dy-palëshe dplomatike. Ishte një periudhë, kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, nëpëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.

Kryeqendra e Zërit të Amerikës, si atëherë, ashtu edhe sot – Një faqe e lavdishme në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare.

Në atë atmosferë tensionesh ndërkombëtare, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe. Transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945. Ishte ky një ri-fillim i transmetimeve të shërbimit shqip të VOA-s, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm, drejtuar popullit shqiptar, nga Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson. Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, i cili përsëritej shpesh dhe në forma të ndryshme, pothuaj çdo vit, nëpërmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan, që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë dekadave.

Presidenti Ronald Reagan vizitë në Zërin e Amerikës, 24 Shkurt, 1982, në 40-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës. Me atë rast, Presidenti Reagan na u drejtua me këto fjalë: “Kohët e fundit, festuam ditëlindjen e 250-të të Xhorxh Uashingtonit. Ai e kuptonte fuqinë e së vërtetës dhe marrëdhënien e saj me lirinë. E vërteta përfundimisht do të mbizotërojë…” është shprehur ai. “Sot kemi këtë përgjegjësi: të nxjerrim në dritë të vërtetën, në një botë që rënkon në errësirën e shtypjes dhe të gënjeshtrave. Le të ridedikohemi detyrës që na pret dhe ashtu si Ati Themelues, mund të jemi të sigurtë se e vërteta do të triumfojë. Dhe nëse mbizotëron e vërteta, liria nuk do të zhduket nga kjo Tokë”. Ky ishte mesazhi i Presidenti Reagan para gazetarëve të Zërit të Amerikës në vitin 1982.

Ndonëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të mëvonshme të zyrtarëve amerikanë, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare konsekuente megjithë armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndaj Zërit të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara.

                  A picture containing clothing, person, person, suit

Description automatically generatedMe mikun dhe kolegun tim të ngushtë prej dekadash në Zërin e Amerikës, Dr. Elez  Biberaj

A picture containing person, clothing, human face, shirt

Description automatically generated

Megjithëse sot, në këtë 80-vjetor të VOA-s, si enti më i madh ndërkombëtar mediatik i Amerikës në gjuhë të huaja, gjërat kanë ndryshuar dhe ndërkohë që vitet e fundit, falë zhvillimeve politike në Shqipëri, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm dhe deri diku i ashpër deri në ditët tona në media dhe në qarqet politike, mbi statusin aktual të këtyre marrëdhënieve dhe luhatjet, që mund të vihen re sot në marrëdhëniet dy palëshe. E kam thënë shpesh dhe vazhdoj të besoj se: megjithë aktorët e sotëm nga të dyja palët dhe megjithë pyetjen: “Quo Vadis” marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si rezultat i veprimtarive të këtyre aktorëve aktualë, unë besoj se ato janë aq të forta në themel, sa që askush nuk mund t’i dëmtojë ato në mënyrë përmamente. Mund t’i ngadalësojnë dhe mund të hedhin dyshime, madje të bëhen edhe kërcënime nga persona të caktuar dhe burokratë miopë aktualë nga të dy palët. Besoj se nga pikëpamja historike, deklarata e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, në kulmin e periudhës më të errët të marrëdhënieve midis dy vendeve tona pasqyron gjithnjë këtë angazhim, se “Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”.  Si i tillë, ia vlen që kjo deklaratë të sillet në vëmendjen e lexuesit, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare, si dhe rolin e rëndësishëm që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe – ky ent amerikan i lajmeve,- ka luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull, duke bërë gjithmonë dallimin midis popullit shqiptar dhe regjimeve fatkeqe të tij gjatë kësaj periudhe 100-vjeçare.

                       A person standing in front of a poster

Description automatically generated with medium confidenceNë hyrje tek “Zëri i Amerikës si visitor, në vitin 2020 – “Zëri i Amerikës ka mbi supe një përgjegjësi të madhe si mbartës i së vërtetës. Barra për të thënë të vërtetën nuk është e lehtë të mbartet…”. Kështu është shprehur, ndër të tjera, Presidenti Xhon Kenedi në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të Zërit të Amerikës, në kryeqendrën e VOA-s, 26 Shkurt, 1962. Për30 vjet në detyra të ndryshme tek Zëri iAmerikës, por dhe gjithë jetën time si gazetar e publicist, jam munduar ta mbroj të vërtetën si një përgjegjësi morale dhe si një barrë dhe detyrë shoqërore!

Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 maj, 1951:

“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.

Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefelle për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta. Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj. Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e juaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë, i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet. Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë: të vërtetën nga bota e lirë. Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.”Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, 13 maj, 1951.

A group of people posing for a photo

Description automatically generated“Burri i mirë me shokë shumë…” Foto me rastin e 70-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Gjatë 80-vjetë histori të VOA-s, me dyzina gazetarë shqiptaro-amerikanë, ç’prej 13 majit të vitit 1951, kanë punuar për Zërin e Amerikës me shpresën se një ditë do shembej komunizmi enverist dhe se midis një Shqipërie demokratike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona. Dhe se Shqipëria do të integrohej plotësisht me botën euroatlantike, siç ka ndodhur me shumicën e vendeve ish-komuniste evropiane. Në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike, midis dy vendeve tona dhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: për fat të keq, gjithnjë presim për një Shqipëri vërtetë të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore, në kuptimin e vërtetë të fjalës!

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar; për një ekzistencë kombëtare, të lirë dhe të pavarur, jashtë influencave të huaja. Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi dhe prirja e shqiptarëve ndaj qytetërimit perëndimor. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, zot në tokën e vet dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.

Vizioni i ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson-it për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s, është bërë realitet. Roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet, për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme – si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë – duke shërbyer, njëkohësisht, edhe si një lidhje e pa-ndërprerë dhe pa ndërhyrje komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar; në ditë të mira dhe në ditë të vështira.

Frank Shkreli

*Ribotim me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

FISHTA… AKADEMIKU, “OPERA OMNIA” DHE KOLIQI NDËRMJET

May 14, 2023 by s p

Frano Kulli/

Nga libri “Fishta, rileximi në kohën e lirisë.

1- Dy fjalë për rileximin

Me Gjergj Fishtën, ka ndodhë diçka prej feniksi; një ringjallje prej hirit të vet. Rikthimi ka ndodhë vetvetishëm, si një duf i mbrendshëm, i ndrymë, që shpërthen e përhapet në ajrí sapo të bjerë në kontaktin e parë me lirinë. Kjo ndodhi atëherë, kur agoi sërish liria mbas territ të gjatë të dhunës, në kapërcyellin e vitit ’90 të shekullit që shkoi.

            Fotografia e tij nuk u shfaq menjëherë. Solucionet e lirisë e shfaqen figurën e tij  me ngadalë dhe në paqe, tamam sikur stampohet një pelikul e vjetër filmi në dhomën e errët.

Jashtë dhomës së erret, te korridoret e lirisë kishte nisë një garë e rrëmujëshme e e furishme, me turravrap se kush të merrte më shumë kredite emërpërmendjeje. Në sintoni me gjithëçka tjetër euforike që ndodhte asokohe.

Për do vite të mira flitej e përmendej, me rend e pa rend,  i mvisheshin atij edhe lávde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me té, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e Shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcye ende pragun e dritës. Tek tuk filluan të dalin prej skutliqeve të shtëpive qytetëse e të periferive, kopje të “Lahutës…”, ndonjena edhe me autografin e vetë autorit, më së tepërmi për të dëshmuar rezistencën e heshtur ndaj dhunës e rregjimit që e administronte até, sikurse do persona të tjerë, në të njëjtën sintoni, mund të recitonin pa u ndalë njëmijë e më shumë vargje prej saj.

U rikthye botimi i “Hyllit të Dritës”, filluan të ribotohen disa prej veprave (“Lahuta…e para), Kurse nga Roma, në shtatorin e 1992-shit do të na kthehej retrospektiva e parë e shkruar: “Gjergj Fishta-Jeta dhe veprat” me autor Pal Duka Gjinin (Daniel Gjeçaj), ish nxënësi i vetë Fishtës në Liceun “Ilyricum”- shkollën françeskane në Shkodër. E para përmbledhje jetëshkruese e Poetit mbas asaj që më 1941, kishte përgatitë At Benedikt Dema, e tjetrës së po të njëjtit vit, që e kishte nxjerrë revista “Shkëndija” në Tiranë, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit, një vit mbasi Fishta ishte nisë në botën e qiellit…Po pati edhe studime serioze përreth kryeveprës sës tij; “Lahuta…ngjizja mitologjike”(Tonin Çobani) ase “Fishta satirik” (Stefan Çapaliku). Kurse sipërmarrja e parë për një “Opera omnia”, e cila pati mbetë një projekt i paplotësuar i Institutit të Studimeve Shqiptare nga viti 1942, filloi në vitin 2001 dhe mbaroi ne vitin 2012. Që është edhe botimi i parë, i plotë i veprës së Fishtës (Enti botues “Gjergj Fishta”).

Duke qenë në krye të këtij projekti editorial, në bashkëpunim me një redaksi të zgjedhur studiuesish, njohësit më të thellë të shkrimtarit dhe veprës e kam ndjekë në të gjitha dimensionet krejt atë që mund të thirrej “rikthimi i Fishtës”. Me linjën e drejtë e me zigzaget që ajo ka përshkruar përgjatë dekadave te kohës së lirisë; me pohimin dhe me heshtimin si një mënyrë mohimi, me moskuptime dhe me keqkuptime, me paragjykime jashtëletrare prej nostalgjikësh të së shkuarës e me shpërfillje prej podiumeve të epërme “moderniste” të parisë letrare. 

Përpjekja ime modeste për t’i shqyrtuar këto dukuri është ajo që kam dashtë të përcjell në faqet e këtij libri, si një njeri i dhomës së errët të laboratorit fishtian.

 2-Dëshmia e Ernest Koliqit:  

Emnimi i At Gjergj Fishtës antar i Akademisë Italiane.

“…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çështjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.

U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me këté rast. Ndjej si detyrë me e zbulue këté të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Terenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse më pyeti  “Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

  Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për t’u pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës. 

Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII:

“ Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.

Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

Letër e Prof.dott. Angelo Leoti

Prof.dott. Angelo Leoti, i Universitetit të Bolonjës, ekspert i gjuhës shqipe, i diplomuar për gjuhët orientale në Institutin oriental të Napolit, autor i “L’albanese parlato” vocabolario italiano-albanese-albanese italiano (dialetto gegho), Milano 1916, i shkruan Fishtës:

Letër e Prof.dott. Angelo Leoti i Universitetit të Bolonjës.

Arkivi qëndror i Shtetit, F.17, (Gjergj Fishta) D.5.F.4.

(Bolognia 16 giugno 1939-XVII

Eccelenza:

La nomina ad accademico d’Italia della E.V. colma di viva ed infinita gioia il cuore del Vostro modesto, ma appassionato ammiratore.

A voi, che con la forza gigante della Montagna, avete dato il meraviglioso poema “Lahuta e Malcis'” ( che non mi stanco mai di leggere e di gustare), il quale ben puo stare a fronte dei poemi dei piu grandi nostri autori latini ed italiani; a Voi, che con “Anzat e Parnasit” e con tutte le altre Vostre opere preziose avete saputo immortalarVi ed assurgere ad unico, vero rappresentante della letteratura albanese, giugnano le mie piu vive, sentiti, cordiali congratulazioni.

L’accademia d’italia puo ben esssere onorata ed orghogliosa di annoverare fra i propri membri il cantore di “Marash Uci” e di “Oso Kuka”.

Vogliate, Eccellenza, gradire, con le rinovate mie felicitazioni, i sensi della mia profonda stima ed i miei cordiali saluti.

prof.dott. Angelo Leoti-Via Clemente Primodi N.10 Bologna)

Bolonja 16 qershor 1937-XVII

Shkëlqesi:

Emërimi si akademik i Italisë i Shkëlqesisë Suaj mbush me gëzim të gjallë e të pafund zemrën e admiruesit tuaj modest, por admirues i pasionuar.

Ju, që me forcën gjigante të Malësisë, keni dhuruar poemën e mrekullueshme “Lahuta e Malcis’” (të cilën nuk lodhem duke e  lexuar  dhe shijuar), e që fare mirë mund t’u rezistojë poemave të autorëve tanë më të mëdhenj latinë dhe italianë; Ju, që me “Anzat e Parnasit” dhe me gjithë veprat e tjera të çmuara keni mundur të përjetësoni veten dhe të bëheni përfaqësuesi i vetëm, i vërtetë i letërsisë shqipe, ju përcjell urimet e mia më të përzemërta.

Akademia Italiane do të mund të jetë e nderuar dhe krenare të përfshijë mes anëtarëve të saj autorin e këngëve “Marash Uci” dhe “Oso Kuka”.

Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni, me urimet e mia të përtërira, sigurinë e vlerësimit tim të thellë dhe përshëndetjet e mia të përzemërta.

3 – “Opera omnia”

Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.” Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari…

Siç shihet ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thelluara për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia”? 

Pasë parasysh se jemi , jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është ende e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme, deri atëherë. Jemi, gjithashtu, dy vite e do muaj para se me nisë ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij…

Letër e Institutit të Studimeve (firmosur nga drejtori Ernest Koliqi) dërguar Atë Anton Harapit, Provinciali i Françeskanëve të Shqipërisë për botimin e “Opera omnia”. Arkivi i shtetit F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37 F.200-1942

Përgjigje e At Anton Harapit, Institutit të Studimeve: “Plani i botimit të “Opera Omnia” të At Gjergj Fishtës”. Arkivi i shtetit F. 200 (Instituti i Studimeve Shqiptare), V. 1942, D. 37 F.200-1942

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

Ekrem Bardha, celebrating the Life and the Contributions of an Albanian American Icon

May 14, 2023 by s p

Anila Nicklos, M.Ed., CDP/

05/13/2023

Throughout my life, I have considered myself abundantly blessed to have met the most incredible Albanian Icons, the ones who have influenced, directed and shifted the fate of our very own existence as a nation and as a people. And when you place the attention to learn more about their journey, you might just find out how tall the stakes were for them, how high they had to jump, how tough the obstacles to overcome, and how much pain their heart endured.

Almost 20 years ago, as fate decided, in one of the events I participated with the Albanian American community in Cleveland, the honored and the most distinguished guest, Ekrem Bardha, made his presence too. He had traveled from Detroit to support the Albanian American community of Cleveland. Ever since then, the person who walked across the room with an incredible confidence, power, vitality, and yet kindness has taught me much through his active political engagement and his own efforts for the betterment of an entire culture, people, and our homeland.

In his first book, Far Yet Near Albania, Mr. Bardha with an open heart shares his personal journey from Albania to America. I remember reading the book that he personally gifted to me and others in our community in Cleveland. To this day, I am in awe of the power of love this family had for one another and for those in need as well as the love of their hearts for their country, Albania.

Life runs so fast and we experience being busy. And if things go well, we also might become a bit selfish, value our personal lives more and withdraw from community contributions. With Mr. Bardha’s commitment no matter how far away from Albania, how successful and what achievements he enjoyed, Albania and Kosova remained forever top of mind and near his heart.

It is so fitting that his birthday today, and Mother’s Day celebration are one day apart from each other here in America. Mr. Bardha’s mother Buleja a fierce, brave and compassionate woman taught her sons well. There is no coincidence her picture is quite visible in Mr. Bardha’s office. Nene Buleja participated fully in Mr. Bardha’s life and memories of them together in different events bring beautiful loving energy and fill up his office always. What I love the most (I would highly recommend everyone to read the book) about the story that Mr. Bardha shares with us in his book is this particular moment in their life, mother and son, that I can never forget, I will never forget and I will always cherish.

Radanj, June 1953 – Young Ekrem decides to escape Albania. One of his brother’s Samiu already suffering in the communist jail. Nene Buleja made a tough decision, leaving one part of her heart in Albania to save her other sons. For young Ekrem, his heart cried for his brother and as much as he loved his country he could not collaborate with the regime. Both, mother and son torn with the decision embarked on the journey to not look back and cross the border. There was a moment where Nene Buleja felt exhausted walking at night. She says to young Ekrem, go ahead… I can’t walk anymore. But young Ekrem knew, if his mother stayed behind, he might never get to see her again. And Nene Buleja could have suffered awful consequences. Young Ekrem carries his mother Bule on his back until they make it to the border. As I read this story in his book, I could not stop crying. We live in times of uncertainty and times in which we might question a whole lot. One thing is very clear…the love for one another is what transports us through tough times. Mr. Bardha remembers his mother Bule emphasizing to him and his brother how they should all stay together, united and love one another always and forever. Later in life, the bond between mother and son got stronger, and fonder. Mr. Bardha saves a special place in his heart for his mother and fondly remembers how Nene Buleja’s vision positively and successfully impacted their lives.

Mr. Bardha’s example of leadership and role modeling cemented a new era in the way political engagement, lobbying and relationships are built and in the best way to positively impact Albanian causes in Albania and Kosova. There is tremendous depth in how Mr. Bardha leads his political engagement, his fierce efforts, and his balanced view to what should be the best approach for all of us and in to how to achieve the best outcome on behalf of all of us. Mr. Bardha impresses upon how his political party is Albania and how the Albanian Diaspora in the USA is the most precious treasure for the Albanian nation.

In the years, in which I have had the pleasure and the honor to meet Mr. Bardha, I have met his best friend and life partner Ms. Lumturia. We have met several times, and for different occasions. At home, she displayed the most hospitable characteristics of a classy, elegant and loving host and when at events, Lumturia still expanded her love and offered gifts. The best gift I have received was her pure love. Ms. Lumturia consistently and with devotion supported Mr. Bardha in his endeavors of Albania and Kosova. She became an inspiration in a journey that did not come without hard work and effort. She is an inspiration to me too. There is so much sunshine in her eyes and in her soul.

In closing, I could spend hours speaking about Ekrem Bardha a friend to all of the Albanians. Although, today, I wish to celebrate him, his vision, leadership, and the love for his country. In the words of Ekrem Bardha — Albanian Diaspora ought to invest in Albania. Albania is our homeland and we must love it in good moments or tough ones. We must invest there and support its economy.

Happy Birthday Ekrem and many more wonderful ones! I am most blessed to have met you!

Filed Under: Komunitet Tagged With: ANILA NIKLOS, Ekrem bardha

LIBRI I QYTEZËS DHE 100 VJETORI I SHOQATËS SË SAJNË CHICAGO…

May 14, 2023 by s p

Visar Zhiti/

-Mbresë –

E bukur vërtet mbrëmja e Qytezës së Korçës, Festa e 100 vjetorit të themelimit të Shoqatës së saj në Chicago, e cila mban emrin e vendit të të parëve të tyre,“Qyteza”, dhe kujtesën e gjuhës amë…
– 100 vjet mall, 100 vjet lidhje shpirtërore e fshatit të lindjes me Çikagon, të atdheut me SHBA-në, atdheun e ri, dashuri dhe bashkëpunim i pandalur, – tha në mikrofon në fjalën e tij të hapjes mësuesi i urtë i Qytezës dhe zëri i tij ishte zëri i të gjithëve aty.
Salla e madhe e festës ishte plot, nisi sipas ritualit me Himnet e Flamujve tanë, ai Shqiptar dhe ai Amerikan, solemnitet dhe hare, përshendetja anglisht e konferencuerit dhe pastaj po këndohej dhe vallëzohej dhe po përplasnin gotat me verë, uronin këtë 100 vjetor…
Nga një fshat i Korçës gjithë këta njerëz aq të përzemërt, fëmijë të bukur, zonja dhe zotërinj, veshur me hijeshi e me qytetari, të moshuar të nderuar si kujtesa e truallit të tyre, kështu thashë me vete.
Ishim bashkë me Edën time, ftesën na i dha Tasi, aq miqësisht, ai na ka dhuruar dhe Librin e Qytezës së tij, takuam miqtë tanë aty, Janin me Edlira-n, në një tryezë të madhe të rrumbullakët, – në formën e zemrës m’u duk prej mirëpritjes, – me vëllezër e bashkëshortet e tyre, të qeshur të gjithë dhe ndjemë se edhe ne kishim nja “100 vjet” që njiheshim me ta…
Takoheshim dhe më të tjerë, ja, dhe poeti Kostaq Duka, ja, dhe Dr. Minella Aleksi, i grupit tonë, kritiku letrar, i themi ne, përplasje gotash sërish, këngë të famshme korçare, edhe të Veriut tonë, të Dardanisë, amerikane si tonat, edhe greke, ne jemi fqinjë të mirë, vallzonte e gjithë salla, me elegancë, biseda për votimet, fitoftë më e mira për vendin, e ardhmja e begatë u bëftë e sotme sa më shpejt, ndërsa në krye në një ekran të madh dilnin pamje nga Qyteza e përmalluar, sikur shfletoj libri i kujtesës, rrugët e reja, shtëpitë dhe malet, shkolla, kisha, qielli që dukej sikur vazhdonte deri këtu dhe vazhdonte vërtet, njerëzit e fshatit, ja, me vegla muzikore ndër duar, ja dhe vëllezërit Belushi, aktorët e famshëm të Hollywood-it, nga Qyteza janë, do vinte Jim-i në këtë 100 vjetor, kështu kishte thënë, por ah, motra befas…
…dhimbje dhe krenari e natyrshme, Qyteza është bërë qytet në ëndrrat e tyre, teksa ikin vazhdimisht, vetmi dyersh, trishtime pemësh… ura e harruar… por ne kujdesemi për rrugët e vendlindjes atje, ndihmojmë e bashkëpunojmë duke qenë qytetarë amerikanë, kishte thënë në fjalën hyrëse ai, mësuesi i urtë i Qytezës. Më përsëriteshin ngrohtë fjalët e tij si ngushëllim ndaj boshatisjes së vendit si boshatisje shpirti…
Megjithatë sa mbrëmje e mirë në thjeshtësinë e saj, ku mes dritave dhe haresë, shisheve me verë e ushqimeve të shijshme, shandanëve dhe qirinjve dhe mallit pezull, më bukur ndriste buzëqeshja e çiltër njerëzore.

Filed Under: Histori Tagged With: Visar Zhiti

Dalip Greca, përkujtim në 1 vjetorin e kalimit në amshim

May 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Maj 2023 – Familja Greca, Federata Vatra, gazeta Dielli, miq, familjarë, shokë e bashkëpunëtorë të ngushtë zhvilluan homazhe, lutje dhe nderime në përkujtim të editorit epokal të Diellit Dalip Greca, në 1 vjetorin e kalimit në amshim. Në një ceremoni private familjare, me lutje, përshpirtshmëri, lot në sy, dhimbje e trishtim u përkujtua Dalip Greca për kontributin e tij në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, gazetën Dielli dhe në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 20 vjet. Dalip Greca do nderohet dhe kujtohet gjithmonë për shërbimet e veçanta ndaj komunitetit dhe çështjes kombëtare. Besnik, i papërtueshëm, i urtë, i mençur, i zgjuar, miqësor, i ndershëm, i përkushtueshëm, kurajoz e mbi të gjitha idealist. Ai mbylli jetën tokësore me nder e dinjitet. Qëndroi profesionist, patriot, qytetar dhe njeri model. Në emër të familjes foli Dorian Greca i cili përveç falënderimeve u ndal të figura e Dalip Grecës si familjar dhe patriot. Pas ceremonisë përkujtimore në banesën e përjetshme në Woodlawn Cemetery, familja Greca shtroi drekën e përkujtimit në “Cakor”.

I përjetshëm kujtimi dhe vepra për Dalip Grecën.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1876
  • 1877
  • 1878
  • 1879
  • 1880
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT