• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sfidë perballë shtypjes

May 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ishte shkrimtare dhe disidente. Ajo u burgos dhe vuajti poshtërimin nën një regjim despotik që kishte vrarë vëllezërit e saj, dhe e mbajti nën vëzhgim dhe internim në pjesën më të madhe të jetës. Ku tjetër veç në Shqipëri këto gjëra kanë ndodhur? Por në shkolla, fëmijët ende njihen me gënjeshtra të shpifura të shpikura nga propaganda parti-shtet.

Musine Kokalari (1917-1983) shkroi dhe veproi në një nga periudhat më të rëndësishme të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte themeluese dhe figura kryesore e Partisë së parë Socialdemokrate të Shqipërisë, e cila ishte në të njëjtën kohë një nga organizatat e para të rëndësishme politike kundër regjimit enverist.

Historia e saj e guximshme mund të tregohet tani pasi u publikuan dosjet e policisë sekrete që zbuluan detaje rreth një dështimi tronditës “të drejtësisë” që i privoi botës shkrimtaren e madhe. Kokalari ishte shkrimtarja e parë femër e shquar e Shqipërisë që vinte nga periudha para-komuniste.

Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si e burgosur dhe e torturuar për shkak të bindjeve nga të cilat nuk u tërhoq kurrë. Kështu, në histori, Musine ishte një nga intelektualet e para që sakrifikoi rehatinë në dobi të demokracisë, si një grua që nuk pranoi t’i nënshtrohej regjimit të hekurt. Për më tepër, Musine ishte një nga të parët e më të rrallat që kundërshtoi dhe refuzoi kategorikisht konformizmin, dhe totalitarizmin. Ajo iu kundërvu hegjemonisë dhe monopolit të partisë-shtet-parti që këmbëngulte në të menduarit uniform dhe aktivizëm njëdimensional, sipas diktatitit nga lart-poshtë për mënyrën se si dhe çfarë është atdheu, patriotizmi dhe e mira e përgjithshme. Kur u arrestua më 23 janar 1946 nga regjimi i Enver Hoxhës u dënua si “sabotatore dhe armike e popullit” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me 30 vjet burgim (2 korrik 1946), dēnim që më vonë u reduktua në 20. Ajo zgjoi dhe tronditi sallën dhe trupin gjykues me këto fjallē që vlejne kaq shumë edhe sot në këtë gjysmë-demokraci:

“Nuk kam nevojë të jem komuniste që ta dua vendin tim”.

Në personazhin Musine gjejmë të ndërthurur – veprim; liri njerëzore: intelekt; vendosmëri; qëndrueshmëri; ajo shkruante atë që besonte, vepronte siç ishte e bindur dhe frymëzohej ndërsa fliste. Kështu, mendonte lirshëm, angazhohej lirshëm dhe jetonte e lirë. Pikëpamja e saj më e gjerë për të ardhmen e vendit si një demokraci nuk është aspak e vjetëruar. Në thelb, mbrojtja e fjalës së lirë është çelës për pjesëmarrjen dhe kontributin në shoqërinë civile (sot vegla të partisë, patronazhist) dhe duhet të shërbejë për të na kujtuar se demokracitë janë ende në zhvillim. Gjyqi i saj dhe gjyqet e bashkëkohësve të saj tregojnë se sa i brishtë mund të jetë sundimi i ligjit.

Musine Kokalari lindi në Adana të Turqisë. Në vitin 1921, së bashku me familjen e saj, u kthyen në Gjirokastër, qytet i prejardhjes së familjes. Musineja e re pati rastin të vendoste kontakte me botën intelektuale falë edhe 3 vëllezërve të saj: Hamit, Vesim e Muntaz — Libraria “Venus”, në pronësi të Vesimit, ishte pikë e rëndësishme referimi dhe thellimi kulturor në kryeqytetin shqiptar. Nga Shtëpia botuese “Mesagjeritë shqiptare” e drejtuar Mumtazi, janë përkthyer dhe botuar vepra bazë si ato të Edgar Allan Poe, Walter Scott, Shakespeare, Omar Khajami, Vicente Blasco Ibnez. Në vitin 1943 Hamiti botoi librin “Kosova djepi i shqiptarizmit” në shqip dhe frëngjisht. Emri i tij rezultoi të ishte në listën e personave që duhej të ekzekutoheshin nga guerriljet komuniste. Më 12 nëntor 1944 forcat e “mbrojtjes së popullit”, pararendës të sigurimit të Shtetit, shkuan ta merrnin në banesë, ashtu si vëllezërit, por ishte i sëmurë shumë rëndë dhe nuk mundi të çohej nga shtrati. Kjo e shpëtoi nga vdekja

Në vitin 1937, Musine filloi të botojë një sërë artikujsh mbi çështjet sociale në gazetën me emrin Muza, një lojë fjalësh me emrin e saj Musine.

E shkolluar fillimisht në Tiranë, ajo studioi në Fakultetin e Letërsisë Moderne në Universitetin La Sapienza në Romë, Itali. Atje mbajti edhe një ditar; Jeta ime universitare, i cili u botua më 2016. Në vitin 1941, ajo botoi librin e saj të parë; Siç më thotë nënoja plakë. Libri flet për betejat e përditshme të një gruaje që jeton në një shoqëri thellësisht patriarkale. Libri ka 80 faqe me dhjetë përralla në dialektin gjirokastrit: Ky koleksion historik, i frymëzuar fuqishëm nga folklori dhe nga betejat e përditshme të grave gjirokastrite, mendohet të jetë vepra e parë letrare e shkruar dhe botuar ndonjëherë nga një grua në Shqipëri. Vlera konsiston në dialektin shumë të gjallë të Gjirokastrës dhe zakonet mbizotëruese të rajonit. Kokalari e quajti librin “pasqyrë e një bote të shkuar”.

Në mesin e vitit 1943 Musine së bashku me Nexhmije Xhuglini Hoxhën themeluan revistën e grave “Shqiptarja e Re” — Dhe kur Musinea u arrestua dhe gjatë gjyqit të saj në qershor 1946, pikërisht kjo revistë e quajti atë terroriste dhe bëri thirrje që “Drejtësia Popullore” t’i jepte Musine Kokalarit dënimin më të rëndë. Organizata e Grave nga cila kjo revistë botohej kryesohej nga Nexhimie Hoxha.

Tre vjet më vonë, megjithë peripecitë e Luftës së Dytë Botërore, Kokalari tashmë njëzet e shtatë vjeç, mundi të botojë një përmbledhje më të gjatë me tregime dhe skica të titulluar Sa u-tunt jeta, Tiranë, 1944, prej 348 faqesh, të cilat e vendosën atë – aq shkurtimisht – si shkrimtare kalibri. Një vëllim i tretë i përrallave të saj popullore titullohej Rreth vatrës, Tiranë, 1944.

Kokalari dalë në një pullë më 2017, ishte një nga 30 shkrimtarët e burgosur që u rendit në vitin 1960 nga PEN Case Musine Kokalari – Albania, Incarcerated.

Krahas veprës së saj letrare, ajo ndërmori edhe nisma të rëndësishme publicitare. Gjatë gjithë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit u përfshi në Enciklopedinë Italiane si shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, në qershor 1943 ajo kontribuoi në botimin e revistës “Gruaja shqiptare” me pseudonimin “Tacitta”. Në vitin 1944, Musine botoi dy veprat e saj me titull “Rreth atdheut” dhe “Si u trondit jeta”.

Që nga fillimi i vitit 1942, Musine Kokalari u angazhua në lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste në Romë. Në vitin 1943, ajo ishte një nga themelueset dhe frymëzueset kryesore të Partisë Socialdemokrate. Në kuadër të këtij projekti politik, më 1 janar 1944 ajo botoi numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë” si gazeta zyrtare e Partisë Socialdemokrate. Në shkurt 1944, Musine publikoi programin e Partisë Socialdemokrate, ku bën thirrje për lirinë politike, të drejtën e çdo qytetari për të praktikuar lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe lirinë e votës: “Arsyeja kryesore e kufizimit të lirisë politike është mungesa e drejtësisë sociale”. Vëllezërit e saj, Muntaz dhe Veisim, u pushkatuan pa gjyq më 12 nëntor 1944. E persekutuar nga pushkatimi i vëllezërve dhe si themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i Lirisë”, Musine Kokalari u arrestua dy herë gjatë nëntorit 1945. Në të njëjtin muaj ajo u angazhua në një lëvizje intelektuale dhe politike të cilën e quajti “Koalicioni Demokratik”. Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupet opozitare që kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, ku asnjë parti, përveç asaj komuniste, nuk mund të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e saj. Musine ishte figura kryesore politike e këtij koalicioni. Kërkesa e saj nënkuptonte zhvillimin e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Të gjithë nënshkruesit e saj u arrestuan në janar 1946. Musine u përball me torturat e tmerrshme të regjimit. Në dosjen e sigurimit të shtetit, lëshuar më 2017, një foto e saj gjatë kohës kur ndodhej e arrestuar, Musine tregohet

me flokë të shkulura nga një turmë e eksituar njerëzish, taktikë që qeveria e përdorte për të sulmuar kundërshtarët e saj. Gjithashtu një foto e Musines me vello të zezë, e ATSh në atë kohë, për dy ditë me radhë bëri xhiron e saj në faqet e gazetave të vendit, derisa regjimi e kuptoi se duhej hequr.

Në vitin 1964, pas 16 vitesh burg në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit, Musine Kokalari kaloi edhe 19 vite të tjera të jetës së saj në internim në Rrëshen, nga ku doli në pension me një gjysmë page. Për 11 vjet ajo punoi si pastruese në një ndërmarrje ndërtimi, mes tullave, llaçit dhe betoni; me shaka thoshte se “ishte çmontuese minash”.

Me gjithë persekutimin e vazhdueshëm dhe mungesën e kushteve minimale, Musine Kokalari arriti të përfundonte librin e saj të fshehur, me titull “Si lindi Partia Socialdemokrate”, ku shpjegoi alternativën e saj progresive dhe demokratike.

Në vitin 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer në gji. Asaj iu refuzua trajtimi në spitalin shtetëror onkologjik. Mos shërimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta nën persekutim i shkaktuan vdekjen në izolim të plotë në gusht të vitit 1983. Ajo u rivarros në vitin 1991 në Shish – Tufinë. Në vitin 1993, Musine Kokalari u shpall “Martire e Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në Tiranë, emri i saj i është vënë një shkolle. Në Prishtinë është Musine Kokalari Institute for Social Policy.

Filed Under: Opinion

Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu

May 16, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Shtegtimi i vargut dhe filozofisë Naimiane në letërsinë shqipe mund të ndihet në poezinë e Lasgushi Poradecit “Poradeci” dhe “Tomorri” të Vehxhi Buharasë, ku pasioni për natyrën shënjtëron peisazhin dhe të bukurën. Në pamje të parë duket se ky adhurim përket një ndjenje romantike, por prej ti rrjedh patriotizmi , i cili nga ana e tij ndikon në konfirmimin e ndjenjave nacionaliste. Lumi Drin te Poradeci dhe Mali i Tomorrit te Buharaja janë simbolet e atdheut etern të shqiptarëve, janë simbolet përbashkuese të tyre që përmes natyrës, shpesëve, ,maleve, i japin një ton mistik e panteist frymëzimit lirik.

Poradeci

=======

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroj më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…”

Lasgush Poradeci

PËRPARA TOMORIT

=============

Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,

Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashterie,

Si shkëndi, si rreze dielli po afrohet valë – valë,

Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë

Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:

Gjer në fund të natës sime…

Dhe kjo dritë dhe kjo flakë, që po ndez një qiell floriri,

Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,

Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu

është gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu

Nga dy buz’ si trëndafili edhe ranë ëmbëlsime;

Gjer në fund të natës sime…

Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!

Shpuz’ e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro

Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit,

Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,

Qesh si qesh një shtize hëne përmbi faqen e dëbores,

Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës

Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërimë:

Gjer në fund të ditës sime…

Dhe pasi të këçë marrë frym’ e shpirt nga bukuria

Dhe pasi te keçë parë ca shkëndi nga dashuria,

Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pëndëshkruar,

Sesi nga Osum’ i jetes buçet këng’ e amëshuar,

Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e urtë mençurie,

Si buçet nga buz’ e Muzës fjal’ e ëmbel bukurie,

Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…

Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit

Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’ gjumit,

Pastaj ngjitet lart’ lartë ku ndez jeta në shkëlqime:

Gjer në front të ditës sime…

Vexhi Buharaja

Filed Under: LETERSI

Rrjetet profesionale dhe kërkesa e promovimit të tyre

May 16, 2023 by s p

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc. u mblodh më daten 13 Maj, 2023 në Ramerino Italian Prime restaurant, me pronar z. Zamir Vejuka në Manhattan, New York,(roof top 22 floor). Tema e aktiivitetit të rradhës ishte: Rrjeti Profesional dhe Nevoja e Fuqizimit të tij në Komunitet. Ky aktivitet ishte i pari i këtij lloji organizuar nga kryesia e shoqatës. Rrjetëzimi professional ka një rëndesi shumë të madhe në ditët e sotme. Ai u hap rrugë të reja marrëdhenieve mes profesionistëve të fushave të ndryshme si edhe të ngjashme. Ai nxit shkëmbimin e experiencave, ndihmon në identifikimin e burimeve të reja informative, si edhe promovon individin në rrugën e tij /saj profesionale.

Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i Shoqates Shqiptaro-Amerikane “ Skenderej” Z. Imer Lacaj, Zv. Kryetari i Shoqatës z. Lek Preci, sekretarja e shoqates znj. Alketa Ktona-Veshi, anëtarja e kryesisë Znj. Arta Xhaferri, nismëtarët e këtij aktiviteti si edhe anëtarët e kryesiesë z. Adrian Tahiri dhe z. Ervin Toro. Pjesëmarrja e të ftuarve apo të interesuarve që morën pjesë në këtë takim i dha larmi atmosferës së bukur të kësaj mbrëmjeje.

Sipas një sondazhi të bërë në global Linkedln, pothuajse 80 përqind e profesionistëve të sotëm e konsiderojnë këtë rrjet tepër të rëndësishëm . Po ashtu , sipas HubSpot, 85 përqind e vendeve të punës plotësohen përmes këtyre rrjeteve dhe 70 përqind e punëve nuk publikohen në market. Anëtaret e shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” Inc. duke qenë një forcë aktive pune brenda qytetit të New York-ut e vlereson rrjetin profesional , punon për krijimin e lidhjeve të reja përmes tij duke krijuar hapësira dhe mundësi të reja punësimi për anëtarët e saj .

Mbremja kaloi në një atmosfere tepër të këndshme. Anëtarët, të ftuarit dhe gjithë të pranishmit ndanë dhe shkëmbyen informacion me njëri- tjetrin , dhanë mendime për projekte të reja të së ardhmes, treguan pozitivitet në marrëdhniet e tyre dhe rritën edhe më shumë sensin e bashkëpunimit dhe kërkesës për të ndihmuar më shumë njëri- tjetrin.

New York, 15 Maj, 2023

Shoqata Shqiptaro – Amerikane “Skenderbej” Inc.

Filed Under: Komunitet

Mjeshtërit e harruar

May 16, 2023 by s p

Bajram Mjeku/

Ehat Musa është njëri ndër kitaristët më të shquar në skenën botërore. Dikush nga brezi i ri kur të lexoj këtë postim, me të drejtë mund të pyes; përnjëmend kush është mjeshtri për të cilin nuk kemi dëgjuar asnjëherë?!

Ehat Musa u lind në Pejë në vitin 1949 dhe tashmë gjysmë shekulli jeton në Francë. Kur ai ekzekutonte preludet e Bahut dhe kryeveprat e kompozitorëve më të shquar në skenat më të njohura të Evropës në vitet 70-të të shekullit të kaluar, unë isha fare fëmijë!

Atëbotë Radiotelevizioni i Prishtinës i jepte hapësirë të mjaftueshme këtij artisti virtuoz, derisa në tre dekadat e fundit, pa dashje apo qëllimshëm deshëm ta harrojmë…

Fatin e mjeshtrit Ehat Musa e kishte edhe piktori tjetër pejan Daut Berisha, i cili ndërroi jetë muaj më parë. Edhe piktori i shquar jetonte në Paris dhe pati fatin e “harresës”, si mjeshtri virtuoz Ehat Musa! Për ata që nuk e dinë, njëra nga pikturat e Daut Berishës ka qëndruar një kohë të gjatë në Zyrën Ovale të Pallatit presidencial Elysée në Paris.

Do të ishte në nderin e Ministrisë së Kulturës të ftonte Ehat Musën, derisa më shumë se dy mjeshtrit, do ta nderonte veten Presidenca e Kosovës, e cila do të duhej t’i dekoronte këta dy artistë të mëdhenjë, të cilët kudo që kanë interpretuar dhe kudo që i kanë ekspozuar veprat e tyre, janë prezentuar si shqiptarë. Në skenat dhe galeritë më të shquara të botës, dy artistët kanë prezentuar shpirtin artistik të vendlindjes së tyre.

Nuk do ta harroj asnjëherë gjestin e Isa Berishës, vëllait të piktorit Daut Berisha, i cili jetonte e punonte në Oslo. Një ditë shtatori të vitit 2000, Isa Berisha më ftoi të pinim kafe, derisa mbante një pikturë nën sqetull. Derisa bisedonim, ai vuri pikturën mbi tavolinë dhe më tha se e kisha dhuratë nga Dauti, i cili jetonte në Paris…

Në botën shqiptare, kitaristi Ehat Musa dhe piktori i ndjerë Daut Berisha, vazhdojnë të mbeten të pazëvendësueshëm, derisa mbetet në nderin tonë që me dashje duam t’i harrojmë.

Foto: Ehat Musa duke ekzekutuar në kitarë në fillim të viteve shtatëdhjetë.

Filed Under: Kulture

Kryeministri Kurti: Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën

May 16, 2023 by s p

Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u organizua një pritje për të shënuar shpërblimin me çmim vjetor nga Bashkimi Evropian për integrimin e komuniteteve rome në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ku krahas Organizatës për Stabilitet Socio-Ekonomik që gjithashtu ishte shpërblyer nga BE-ja për punë me komunitet, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ambasadorë të akredituar, deputeti nga radhët e komunitetit jo shumicë Erxhan Galushi, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e drejtues të organizatave të shoqërisë civile.

“Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën, por ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë romë, ashkali dhe egjiptianë. Jemi të përkushtuar që së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë do t’i tejkalojmë këto sfida për realizimin e plotë të të drejtave të komuniteteve. Në veçanti, jam i lumtur për Strategjinë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, të cilën qeveria jonë e miratoi vitin e kaluar. Falë punës së përkushtuar të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ka më shumë gjasa të realizohet kjo Strategji për shkak të ndarjes së buxhetit për të gjitha aktivitetet – gjë që nuk është bërë deri më tani”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri tha me këtë rast se në këtë iniciativë të Qeverisë, fokus të veçantë i kemi kushtuar gjuhës kundër urrejtjes dhe diskriminimit, dhe me hapjen e platformës www.raportodiskriminimin.org kemi dëshmuar përkushtimin e qeverisë për monitorimin e rasteve të diskriminimit dhe zgjidhjen e tyre.

Po ashtu, kryeministri tha se këtë vit kemi ndarë edhe bursa për nxënës nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe 200 mijë euro për qendrat arsimore ku mësojnë fëmijët e këtyre komuniteteve.

Duke theksuar punësimin si një prej sfidave kryesore, për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, kryeministri Kurti tha se për këtë kemi krijuar ekipin ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe i jemi mirënjohës drejtorit Habit Hajredinit dhe ekipit të tij për funksionalizimin e këtij mekanizmi.

“Ne kemi shënuar suksese me numrin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve që kanë përfituar nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional; vitin e kaluar 104 romë, ashkali dhe egjiptianë përfituan nga ky trajnim – një rritje nga vetëm 34 një vit më parë. Po ashtu jemi të lumtur krahas raundin paraprak të rekrutimit kur vetëm një pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është pranuar si polic, prej rekrutimit të fundit kemi progres, me 3 gra dhe 6 burra nga këto komunitete”, shtoi kryeministri Kurti. 

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, në fund të muajit të kaluar u shpërblye me çmim nga Komisioni Evropian për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Ky është çmimi i parë që i kushtohet një zyrtari të lartë si nëpunës civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Z. Hajredini koordinon punën e qeverisë për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. Disa prej angazhimeve më të shënuara të viteve të fundit përfshijnë kontributin e tij në hartimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Romëve dhe Ashkalive, krijimin e platformës për raportimin e diskriminimit ndaj romëve, www.raportodiskriminim.org dhe hapjen e mini-bibliotekën në gjuhën rome që u inauguruar nga Kryeministri muajin e kaluar. 

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1873
  • 1874
  • 1875
  • 1876
  • 1877
  • …
  • 2982
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT