• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAQË TANI, MË SHUMË SE KURDOHERË TJETËR – 2023! PAQË E PAJTIM EDHE PËR SHQIPTARËT KUDO QË JANË

December 29, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Kjo është kërkesa e Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës në vigjiljen e fillimit të Vitit të Ri, 2023.  “Pas një viti luftërash brutale nga Afganistani e deri në Ukrainë, duke detyruar një numër rekord njerëzish të largohen nga shtëpitë e tyre, bota ka nevojë për paqe në vitin 2023, “Më shumë se kurrrë më parë”, është shprehur udhëheqsi i OKB-së, në mesazhin e tij drejtuar mbarë botës, me rastin e Vitit të Ri, 2023. Peace needed now, ‘more than ever’: Guterres | UN News

“Le t’a bëjmë Vitin 2023 një vit kur rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën tonë. Në vitin 2023, kemi nevojë për paqë, tani më shumë se kurrë. Paqe me njëri tjetrin, nepërmjet dialogut, për t’u dhënë fund konflikteve…”.

“Për një jetë me dinjitet, paqeja është gjithashtu e nevojshme brenda familjeve, ashtuqë gratë dhe vajzat të mund të jetojnë në dinjitet dhe siguri”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB_së, Antonio Guterres.  “Por, paqe edhe për protestuesit paqësorë nepër rrugë, të cilët shpeshëherë janë subjekt hakmarrjesh dhe dhune nga forcat e sigurisë”, ka shtuar ai.  Demonstruesit dhe komunitete të tëra kanë nevojë që të drejtat e tyre të njeriut të mbrohen plotësisht dhe duhet të ketë paqe në hapësirat fetare dhe tolerancë më të madhe ndaj feve të tjera, është shprehur udhëheqsi botëror.  Antonio Guterres kërkoi gjithashtu paqe në internet — “online” — “ashtuqë të gjitha komunitetet të mund të përdorin Internetin “të lirë nga fjalët plot urrejtje dhe abuzime”.  Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje botës që, “Në vitin 2023 të vendosim paqën në zemër të fjalëve dhe të veprave tona”, ashtuqë t’a bejmë Vitin e Ri, 2023 një vit kur të rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën mbarë.”

Paqe e Pajtim edhe për Shqiptarët kudo që janë

Përfshir edhe botën shqiptare! Temat e mesazhit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Vitin e Ri 2023, si “Paqa e siguria”, “Të Jetuarit me dinjitet”, “liri nga urrejtjet dhe abuzimet” dhe “fund konflikteve” — për fat të keq janë fenomene dhe dukuri dominuese negative që kërcënojnë paqën dhe sigurinë – për të cilat foli Antonio Guterres në mesazhin e tij — edhe në shoqëritë shqiptare, në përgjithësi e sidomos në radhët e politikës.

Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre.  Në 30-vitet e fundit “post-komunizëm” dhe pas luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, shpresohej se do merrnin fund urrejtjet, antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore — kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli. Shëmbja e Murit të Berlinit  shpresohej të shënonte një rend të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët, në veçanti.  Madje, fillimi i shekullit XXI është shikuar me aq optimizëm sa që  mendonim se, më në fund, ky do të ishte “shekulli i shqiptarëve”. 

Por, jo! Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre dekadave që të na bejë të besojmë një gjë të tillë. Përkundrazi! Sulmi dhe shkatërimi i varrit dhe bustit të Midhat Frasherit, ditë e fundit, mu në zemër të Tiranës, tregoi qartë se për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, gjoja “demokratik” dhe anëtar të NATO-s,  Lufta e Dytë Botërore nuk ka marrë fund ende. Një provë kjo e gjallë për të gjithë ata që mendonin se gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri, në paqë e siguri, pa urrejtje dhe dinjitet për të gjithë dhe pa dallime politike,  ashtu siç bëri thirrje Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës, për Vitin e Ri, 2023.  Lista e urrejtjes zyrtare ndaj ish-kundërshtarve të komunizmit barbar të Enver Hoxhës edhe sot e kësaj dite është shumë e gjatë ndaj më të mirëve të Kombit Shqiptar, si At Gjergj Fishta dhe Midhat Frasheri, e shumë e shumë të tjerë, të cilëve as varret nuk u dihen se ku i kanë, nëse i kanë.  Heshtja zyrtare ndaj këtyre akteve të shëmtuara kriminale inkurajon akte të tjera si kjo e ditëve të fundit në Tiranë. Duke përjetësuar kështu urrejtjen nga një brez në brezin tjetër midis shqiptarëve. E pa-falëshme!

Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku.  Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në paqe, harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin.  Ishin këto 30-vjetë “post-komunizëm” që, fatkeqsisht, u dalluan nga mungesa e tolerancës politike, mungesës së kulturës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre. Askush nuk flet për pajtim midis shqiptarëve!

Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë.  Prandaj, si rrjedhim, 30- vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet  dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre. Rrugë tjetër nuk ka.

Duke shkruar këto mendime modeste, mu kujtua një shkrim i Ernest Koliqit, të cilin po e parafrazoj pasi nuk më kujtohet burimi i vërtetë për ta cituar tekstualisht, por duke folur për pajtim midis shqiptarëve, ai është shprehur se paqeja e njerës palë e siguruar nga gjaku dhe vuajtjet e gjysmës së palës tjetër nuk zgjatë shumë edhe nëqoftse mbahet në këmbë për një kohë. Që Kombi shqiptar të bëhet pjesë e paqës dhe pajtimit botëror dhe të një bashkjetese të harmonizuar botërore, logjika e kërkon se duhet më së pari që të pajtohemi ne, si shqiptarë, me njëri tjetrin. Që të jemi të bashkuar me mend e zemër, të gjithë pa dallim, si shqiptarë që Shqipërinë e duan SHQIPTARE.  Është pra, në dorë të shqiptarëve nëse ata zgjedhin paqën, harmoninë, bashkjetesën dhe pajtimin për një jetë të lumtur për të gjithë dhe pa dallim – pjesëmarrës të barabartë në proceset demokratike – apo do të zgjedhin grindjet, konfliktet dhe mos pajtimin midis tyre që çon drejtë një humnere të rrezikshme dhe të pafund, kombëtarisht.

Urojmë pra, që Viti i Ri, 2023, të shërbejë si një fillim i ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos e përjashtojë dhe të  mos e urrejë shqiptarin, vetëm e vetëm, se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike.  Por të punojnë së bashku për dashurinë ndaj Shqipërisë dhe shoqi-shoqit si dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë Kombit shqiptar.  Kështu do të ishte e mbara. 

 Ky pra është urimi për Vitin e Ri – por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo –që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare, në veçanti, të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë, “Miqëve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi). 

Si është e mundur që shqiptari sot pajtohet, bëhet mik dhe quan vëlla turkun, grekun e serbin – por nuk pajtohet me vëllain e vet? Ne duhet ti kemi të gjithë këta miq, por vëllezër e motra janë ata të një gjaku, të një gjuhe e të një kulture, të një historie e identiteti! Të huajve u ndërtohen buste e monumente në trojet shqiptare, ndërsa personaliteteve të historisë së Kombit shqiptar u shkatërrohen ato natën për terr. Diçka nuk është në rregull me këtë vend, që të pakën deri tani ende e quajmë Shqipëri.

Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, nga trojet e veta. Por fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti historik që shqiptarëve tu jepet arsye dhe mundësi që të qëndrojnë në trojet e veta stërgjyshore dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe pjesëmarrës në proceset demorkatike dhe të mos marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm se klasa aktuale politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e

shqiptarëve për një jetë më të mirë, në paqe e siguri, pa urrejtje dhe me dinjitet në shtëpitë e tyre, në Atdheun e të parëve.  

Urojmë Paqë e Pajtim midis Shqiptarëve në Vitin e Ri, 2023!

Vëllazërisht,

 Frank Shkreli    

Varri dhe Mithat Frashëri pro dhe kundër

               Busti dhe varri i dhunuar i Midhat Frashërit në Tiranë, Dhjetor, 2022 

              A picture containing person, window, people, standing

Description automatically generatedKortezhi i përmortërshëm duke dalur nga Qendra Nenë Tereza – Kisha Zoja e Shkodrës, Nju Jork

A picture containing indoor, floor, wall, person

Description automatically generated

 Në përcjelljen e eshtrave të Midhat Frasherit nga Nju Jorku për në Atdhe, Nëntor, 2018 – Mendonim, gabimisht, se riatdhesimi i eshtrave të Frasherit do hapte një kapitull të ri tolerance në Shqipëri. Fatkeqësisht, duket se e kundërta ndodhi – dhunimi i varrit të Midhat Frasherit dhe heshtja e Tiranës zyrtare ndaj këtij krimi taleban mesjetar, tregon se urrejtja politike — ndaj një shqiptari ndonëse i vdekur e që konsiderohet si kundërshtar politik pothuaj një shekull më vonë – është në kulmin e sajm, urrejtje e kaluar brez pas brezi. 

Frank Shkreli/ Riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit – një përcjellje dinjitoze nga Nju Jorku | Gazeta Telegraf

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

Letër e hapur për anëtarët e Këshillit Evropian

December 29, 2022 by s p

Tiranë, 26 Dhjetor 2022

Letër e hapur për anëtarët e Këshillit Evropian.

Për dijeni: Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim të madh situatën në veri të Kosovës, e përshkallëzuar me tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, ngritjen e barrikadave dhe përdorimin e dhunës nga bandat kriminale që synojnë një agjendë politike destabilizuese, të mbështetur nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Këto momente kërkojnë qartësi gjykimi dhe vendosmëri veprimi nga NATO, BE dhe SHBA, përpara shpërthimit të një konflikti me pasoja të pakontrollueshme.

Vlen të kujtohet se Kosova ishte vendi i fundit i rajonit që vuajti nga gjenocidi dhe spastrimi etnik i regjimit të Millosheviçit, duke çuar në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Që prej asaj kohe, janë zhvilluar disa procese negociatash për arritjen e paqes, në përfundim të të cilave Kosova ka miratuar në mënyrë të njëanshme të gjitha propozimet ndërkombëtare, përfshirë pakon Ahtisaari, parimet e së cilës janë trupëzuar në Kushtetutën dhe qeverisjen e Kosovës.

Pavarësia e Kosovës ishte një rast sui generis dhe një histori suksesi e investimit të përbashkët të popullit të saj dhe e vendosmërisë së palëkundur politike, transatlantike dhe evropiane.

Kosova tani është një vend lider i demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, duke lënë pas secilin nga 5 vendet e tjera të rajonit. Raportet ndërkombëtare e vendosin Kosovën e linjëzuar me BE në krye të renditjes, duke konstatuar progres thelbësor në të gjithë treguesit e qeverisjes.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE, i nisur në vitin 2011 me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjeneroi marrëveshje të rëndësishme, ku Marrëveshja e Brukselit 2013 ishte më gjithëpërfshirësja. Leva e BE dëshmoi të ishte e fortë dhe efikase, duke i shërbyer një epoke paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi midis dy vendeve, si dhe në mbarë rajonin tonë.
Fatkeqësisht, ato momente optimizmi dhe angazhimi janë zbehur, pasi qasja e BE në rajon u shndërrua në politika kontradiktore, pavarësisht papajtueshmërisë së tyre me projektin evropian dhe vlerat e tij.

Kjo qasje kontradiktore u thellua me sjelljen e disa liderëve evropianë të cilët arritën deri në miratimin e njëanshëm të skenarëve të shkëmbimit territorial, që çel kutinë e Pandorës me orekset monoetnike në rajon, duke minuar dhe vetë parimin themelues të Bashkimit Evropian.

Është për të ardhur keq që disa liderë evropianë kanë mbyllur sytë ndaj nostalgjisë së Presidentit Vuçiq për politikat e Millosheviçit, që jehon përtej fjalimit të tij provokues të vitit 2018 apo glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Gjatë kësaj kohe, Serbia ka vazhduar të forcojë lidhjet e saj me Rusinë, duke përdorur të njëjtën propagandë konflikt nxitëse, ka përparuar me importimin e armatimit të rëndë, me stërvitje të përbashkëta ushtarake, marrëveshje dypalëshe të koordinimit së politikës së jashtme, ka refuzuar zbatimin e sanksioneve, kundër të gjitha pritshmërive dhe politikës së BE-së. Presidenti Vuçiç shkoi deri aty sa bëri thirrje për dërgimin e 1000 trupave serbe në Kosovë, duke sfiduar hapur jo vetëm Kosovën por edhe aleatët evropianë dhe transatlantikë.

Ndërkohë që BE-ja ka qenë vigjilente për efektet e mundshme të agresionit Rus kundër Ukrainës sovrane dhe demokratike, ajo në mënyrë të pafalshme vazhdon politikën e saj paqtuese kundrejt aktorëve proxy të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur asgjë të mos ketë ndryshuar që nga shkurti i këtij viti.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se ka ardhur koha që BE-ja ta shohë realitetin ashtu siç është, me Kosovën qenësisht të ankoruar në rrugën evropiane, të përkushtuar drejt paqes, stabilitetit dhe prosperitetit, ndryshe nga Serbia që ka zgjedhur kapelën e Rusisë, duke shpallur, pa asnjë kufizim, një luftë hibride kundër Kosovës, institucioneve legjitime demokratike dhe integritetit të saj territorial.

Ushtrimi i tepruar i presionit ndaj Kosovës, në vend të ndalimit të skenarëve destabilizues të sponsorizuar nga Rusia, sugjeron mesazhin më të keq të mundshëm duke rrezikuar investimin politik vizionar të aleatëve perëndimorë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

KASH beson se mekanizmi i dialogut mbetet alternativa më e mirë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të çelur përfundimisht dhe me vendosmëri një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Në këtë kontekst, Këshilli i bën thirrje BE-së që t’u kundërvihet me vendosmëri dhe pa vonesë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë, dhe t’i udhëheqë negociatat duke i qendruar besnike parimeve dhe vlerave evropiane. U bëjmë gjithashtu thirrje të dyja vendeve, Serbisë dhe Kosovës, që të respektojnë angazhimet e deritanishme, të dakorduara në mirëbesim, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe perspektivës europiane të rajonit tonë.

Anëtarësimi në BE mbetet plani më i mirë i paqes dhe begatisë për rajonin tonë dhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbetet me shpresë se secili nga 6 vendet do t’i bashkohet familjes evropiane bazuar në meritat e proceseve të tyre individuale, të çliruar prej çdo ndikimi të palëve të treta që synojnë minimin e këtij projekti strategjik.

Me respekt,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

Filed Under: Fejton

Fibrilacioni Atrial i Zemrës

December 29, 2022 by s p

Dr. Zekri Palushi, Australi 28 Dhjetor, 2022 /

(Mund të ngatrrohet edhe me një ankth, apo goditje paniku)

Fibrilacioni Atrial (FA), -ashtu edhe ankthi, apo një panik episodik, mund të shkaktojnë PALPITACIONE të zemrës, -prandaj këto dy gjendje, megjithse me origjina krejt të ndryshme, mund të ngatrrohet lehtë me njëra tjetrën.

Fibrilacioni Atrial është forma më e shpeshtë e ç’rregullimeve të rrahjeve të zemrës, apo siq njifen me emrin ‘’Aritmitë e zemrës’’ (heart arrhythmias). 

Diagnostikimi klinik i Fibrilacionit Atrial, -mund të konfirmohet lehtësisht, dhe menjëherë, nëpermjet një EKG-je të thjeshtë.

Pra është një problem i zemrës, ku sinjalet e alteruara elektrike që ndodhin në dhomat e sipërme të zemrës shkaktojnë kontraksione atipike, ndërsa ndryshimet strukturale dhe disfunksionimi i sistemit nerver mund të ndikojnë në rregullaritetin e ritmit. 

Në bazë të kohës së zgjatjes,  Fibrilacioni Atrial klasifikohet në:

*Paoxismal, ku një episod zgjat më pak se 7 ditë, -i cili, brenda kësaj kohe mund të konvertohet vet-vetiu/spontanisht, ose nëpërmjet goditjes elektrike direkte.

*Persistent, -ku episodet zgjasin më shumë se 7 ditë, dhe nuk ikin spontanisht.

*Long standing (për një kohë të gjatë),-në këtë rast, ky FA, ka mbi një vit që vazhdon, edhe pse i sëmuri ka qenë duke u mjekuar për kontrollimin e ritmit.

*Permanent, -në këtë rast, si doktorri dhe pacjenti duhet të pranojnë se strategjia për një kontroll të ritmit, ka qenë e pa-suksesëshme, dhe se nuk duhet që të pretendojnë më tepër për të arritur një ritëm sinusal.

Shkaktarët e një Fibrilacioni Atrial mund të jenë të ndryshëm, si psh.:

*Sëmundjet e arterieve coronare. *Infarkti i zemrës. *Probleme të valvulave të zemrës. *Tensioni i naltë. *Sëmundje të mushkërive. *Pirja e DUHANIT, ALKOHOLIT, dhe lëndëve NARKOTIKE (marijuana, kokaina, amfetamina, rohypnoli, steroidët anabolik që përdorin në GYM/palestra, për formim muskuli, etj.  *Ç’rregullimet e gjëndrrës së TIROIDES. *Stresi fizik, dhe ndoshta edhe ai emocional. *Operacionet e mëparëshme të zemrës, etj.

Për t’mos u zgjatur në mekanizma të komplikuara, -me pak fjalë mund të shpjegojmë se në zemrën e një përson me Fibrilacion Atrial (FA),  dy dhomat e sipërme të zemrës së tijë (the atria), kontraktohen dhe rrelaksohen në mënyrë të ç’rregullt, -dhe jo në sinkronizim me dy dhomat e poshtme të zemrës.

– Ky ç’rregullim/diskronizim, dëmton qarkullimin e gjakut brenda dhomave të zemrës, – e si pasojë, dëmtohet edhe qarkullimi i gjakut, në të gjithë trupin. Ky dëmtim bëhet shkak për formimin e trombeve në nivele të ndryshme të qarkullimit të gjakut,  -këta trombe pastaj mund të shkojnë në tru, -ku dhe mund të shkaktojnë insulte cerebrale.  

Ndër shënja më të shpeshta të Fibrilacionit Atrial, mund të përmendim:

*Palpitacione, të shoqëruara me rrahje të shpeshta ose jo, -dhe ç’rregullim të zemrës. 

*Konfusion, *Dobësi t’përgjithëshme, *Lodhje, *marrje mendësh, *Të fikët, apo ndjenjë të fikti, *Dhimbje, ose ndjenjë shtypje në gjoks, *Frymë-marrje të vështirë, *Tension gjaku të ULËT, *Distres emocional, *Intolerace gjatë aktiviteteve fizike. 

NQS ju i përjetoni këta shenja, do të ishte shumë mirë që të shkoni menjëherë tek doktorri juaj, për të gjetur shkaktarët e këtij Fibrilacioni Atrial.  

Po kështu, –nëse ju nuk jeni të sigurt që këta shenja mund të jenë nga një episod Fibrilacioni Atrial, apo nga një ankth/atak paniku, -atëherë, mendja duhet t’ju shkojë tek një INFARKT akut myokardi, -për këtë, ju menjëherë duhet të thrrisni një ambulancë për t’ju transportuar në urgjencën e spitalit më të afërt.

Trajtimi i një Fibrilacioni Atrial:

Varet në SEVERITETIN e gjendjes, dhe gjendje të tjera mjekësore që mund të ketë i sëmuri

Nqs FA asht prezent, doktorri juaj mund t’ju rrekomandojë a variety of lifestyle, medication, and procedurial approaches, depending on the severity of the condition and other underlying medical conditions.

Ndryshime të mënyrës së të jetuarit, (Lifestyle changes):

*Menagjimi i peshës trupore, *ushtrime fizike, apo aktivitete të ndryshme fizike, * reduction or elemination of the marrjes së pijeve alkoholike,* treatment for substance misuse, * dietary change, si paksim i marrjes së krypës, * Lënja e duhanit.

Ndërsa në trajtimin farmakollogjik/ me ilaçe mund të përmendim:

*Calcium Channel Blockers, *Beta-Blockers, *Digoxin, *Flecainide, *Propafenone.

Po kështu, një vend të rëndësishëm në mjekimin e FA, zenë edhe Magnesium Chloride, ose Magnesium Glycinate.
Magnezium-i, ndihmon mjaft për një funksionim e mirë të muskujve, dhe nervave, -e po kështu ndihmon edhe për stabilizimin e sheqerit në gjak, stabilizimin e tensionit të gjakut, qetësimin migrenës, etj…

Për mjekimin e formave të rënda, doktorri juaj mund t’ju rrekomandojë edhe një prej këtyre proçedurave mjekësore si:

*Vendosjen/implantimin, e një PACEMAKER-i, *Goditjen Elektrike (Electric Cardioversion), *Ablation (Ablacion), një proçedurë, që përdorë energjinë e ngrohtë, ose të ftohtë, për të krijuar një si ‘’dregëz’’ të vogël, në një pjesë të veçantë të zemrës, -kjo mund të bllokojë sinjalet electrike difektoze, dhe të normalizojë ritmin.

Në rastet me Fibrilacion Atrial, -një rëndësi të veçantë merr prevenimi/parandalimi i Insulteve cerebrale, nëpërmjet ANTI-KOAGULANTVE. 

Nëpërmjet këtij mjekimi, -rrisku i një insulti cerebra, ulet deri në 70%.

Opsionet mund të jenë: 

*WARFARIN-a, ngelet opsioni i vetëm oral në thromboprophylaksinë e pacjentëve me valvula mekanike në zemër.

Ndërsa, antcoagulantët e tjerë përfshihen në grupin e FACTOR Xa inhibitors,
psh.: *APIXABAN-i, -jepet 5mg -dy herë në ditë, (për FA me origjinë jo-valvulare), dhe 2.5mg, dy herë në ditë, në ato raste kur i sëmuri është mbi 80 vjeç, ose peshon më pak se 60kg, ose ka një Seum Creatinine mbi 130nmol/L. 

*RIVAROXABAN, -jepet 20mg në ditë. -Por nqs Creatine Cleranca asht mbi 15, por më pak se 50mL/min, atëherë jepet vetëm 15mg në ditë.

*DABIGATRAN (inhibitor direkt i thrombinës), -jepet 150mg ose 110mg dy herë në ditë. Nuk rrekomandohet në njerëzit me një Creatinine Clerancë nën 30mL/min.

Aspirina nuk rrekomandohet më si një alternativë.

Sidoqoftë, për mjekimin me anticoagolan, doktorrët mbështetën në një protokoll/strategji të veçantë, si: CHA2DS-VA score, dhe HAS-BLED score.

Ndërsa një kontraindikim absolut për për dhënjen e antikoagulantve ORAL është:

*Dëmtimi i rëndë i veshkave, -ku CrCl <30 mL/min për DABIGATRAN-in,

dhe CrCl <15 mL/min për APIXABAN, dhe RIVAROXABAN-in.

Dr. Zekri Palushi, Australi 28 Dhjetor, 2022   

Filed Under: Sociale

SI PËRKUJTOHEJ FISHTA NË VITIN 1971…TEK ARBËRESHËT

December 29, 2022 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernes Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij. – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma, përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

Don’t repeat the same mistakes with Vucic

December 29, 2022 by s p

By Harry Bajraktari/

The recent crisis in the northern part of Kosova has the fingerprints of Serbia’s President Vucic all over it. He orchestrated it and now he wants to take credit for ending it. This has been obvious to anyone who has paid attention to the recent events. 

His minions in northern Kosova have openly said that Vucic word was enough for them to begin dismantling the barricades. Indeed, as soon as Vucic called for their removal, they began to take them down.

So why is the international community unable and unwilling to name and shame Vucic? Why do they continue to appease him like they did with Putin?

Why are they still stuck at “both-sides”-statements, while it is clearly only one side which is using violence and illegal actions?

And we have been here before. The barricades go up in the north, whenever Vucic wants to foment a crisis. Whether because he has an election coming up or he is not liking a document the internationals want him to sign.

The West has learned from its experience with Vladimir Putin of Russia that making concessions to a leader who threatens with escalating a crisis of his own making, is wrong and counterproductive. That is how we got the war in Ukraine.

Just like with Putin, appeasing Vucic will only make him bolder. He knows he cannot match NATO forces on the ground, but he needs a situation of ongoing crisis as a negotiating tool. Vucic will keep creating new crises because they pay off. Instead of facing sanctions because of them, he is redeemed with more grants and resources from EU, trade agreements with US, and dubious clauses in the proposed agreements between Kosova and Serbia.

The West should have cut all the normal ties with Vucic the moment that he refused to join the sanctions against Russia. He should have been treated like a pariah until the loophole he created for Russians to evade the sanctions, was closed.

Not only they did not do that, but he has continued to be treated in the same footing as Albin Kurti, although the Kosovar leader is only trying to establish the rule of law in the entire territory of his country.

It is important that Kurti and Kosova act only in coordination with the international community and especially with the United States and the NATO command in Kosova (KFOR). Any rushed, unprepared move can be used by Serbia to sow disunity among our allies and justify its aggression.

However, we should be telling Washington and the European Union that “enough is enough” when it comes to Vucic. He is not just endangering Kosova and the region. He is also provoking a new conflict to please his ally in Moscow. He is endangering American lives and will do it again unless he sees clearly that this kind of maneuvers don’t work.

Only under real pressure would Vucic or any Serbian leader agree to a long-term normalization with Kosova. And there will never be true normalization for as long as Serbia is allowed to think that not recognizing Kosova is an option.

Straight talk and real punishing measures should have been taken more than a decade ago. Yet, better late than never, it is time to tell Vucic that if he wants to continue to benefit from the European Union resources and avoid international sanctions he should stop interfering in the internal affairs of other neighbors, namely Kosova, Bosnia, and Montenegro.

The United States should downgrade its relations with Serbia, until justice is finally done for the three US citizens, the Bytyci brothers, who were executed in 1999; until Serbia reveals the bodies of more than a thousand of murdered Albanian civilians, whose bodies remain hided in Serbia more than 20 years after the war; and until Serbia recognizes the new political reality in the Balkans.

The United States has spent too much energy and resources over the last three decades to establish peace and stability in the Southeast Europe. This important security investment will remain in real danger unless Serbia is brought to line by the Western allies. Vucic like Putin will only understand the language of force.

The West must act now!

Harry Bajraktari is founder and publisher of Illyria newspaper (1991-1998), an Albanian-American community leader, philanthropist, and recipient of many awards, including the Honor of the Nation Order by the President of Albania, Kosova’s Presidential Medal for Merits & the White House Presidential Call to Service Award.

Filed Under: Politike Tagged With: harry bajraktari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1904
  • 1905
  • 1906
  • 1907
  • 1908
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT