• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKENCËTARJA E PARË GRUA, SABIHA KASIMATI

September 16, 2022 by s p

– kartelë –

Në ditën e saj të lindjes kujtoj…

SI E VRANE?

…Dhe letra e diktatorit Enver Hoxha,

dërguar Stalin, falja e tij kriminale…

– Nga Visar Zhiti –

Sot është datëlindja e gruas së bukur, shkencëtares së parë shqiptare, Zonjës Sabiha Kasimati. Lindi 110 vjet më parë…

Në librin tim studimor “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe kartela e saj tronditëse, një llahtar që vetëm në Shqipërinë me Enver Hoxhë mund të ndodhte.

Në përulje para emrit të saj, në vend të një luleje te statuja e saj e munguar, po sjell pjesën për të nga libri:

1.

TË VRARË NGA BOMBA

në Ambasadën Sovjetike:

dhe një poet dhe një shkencëtare.

…më 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00, në hyrje të Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë plasi një si bombë artizanale, ca dinamit në një gazetë, që nuk vrau kurrkënd dhe nuk dëmtoi asgjë, mbase theu ndonjë xham dritareje, jo syzesh. ​Dhe me porosi të drejtpërdrejt të shokut Enver, që të arrestoheshin armiq sa më shumë, 100, 150, nga të gjitha trevat e vendit, dhe të ardhur nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, se pa Bashkimin Sovjetik nuk kishte jetë… dhe u përzgjodhën mizorisht 22 intelektualë.

Midis të arrestuarve ishte dhe një poet, Manush Peshkëpia… ishte dhe një grua shkencëtare, Sabiha Kasimati.

Pa gjyq, madje pa asnjë proces-verbal, u pushkatuan.

2.

Kartela

Sabiha Kasimati​​​​​​​​​​

(1912 – 1951)

E para vajzë që kreu liceun në Korçë, shoqe klase me diktatorin e ardhshëm, e para që u laurua për shkencat e Natyrës jashtë shtetit në Itali, në Torino, shkëlqyer, donin ta mbanin atje si ihtologe, por u kthye në atdhe, siç e kishte edukuar familja e saj libohovite, babai i saj, mjek i njohur.​​​Është gruaja e parë që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave të natyrés në Tiranë. ​​​​​​​​​​Ajo habitej dhe e shprehte në mjediset intelektuale se si mund ta drejtonte këtë vënd një mediokër pa ndonjë aftësi të veçantë, përveç donzhuanizmit të tij… ​​​​​​​​​​Akuzës për terrorizëm zonja Sabiha Kasimati do t’i përgjigjej: “Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akt terrorist. Unë jam evolucioniste…”​Vepra e saj do të vidhej dhe do të botohej me emra të tjerë, madje dhe rusë.

26 shkurt 1951… mesnatë… në natën diktatoriale… në kryeqytetin më të mjerë të Ballkanit… andej nga Ura e Beshirit… i çuan të lidhur dorëpërdore me tela me gjëmba. 22 veta. Buzë një grope të madhe. Por, sa makabre, kishin sjellë dhe një kufomë aty, atë të Januz Kacelit, që e vranë në tortura. Nuk duhej t’i shpëtonte pushkatimit ai, as i vdekur… ​​​​​​Dhe mes tyre ajo, gruaja, më këmbë, e zbardhur, frikshmérisht e bukur. (…39 vjeçe…)Skuadra e pushkatimit i zbrazi breshëritë e armëve mbi ata, burrat… mbeti në këmbë veç gruaja… u dolën para plumbave burrat, e rrethuan ata për ta mbrojtur, kështu thanë, por dhe sikur ata të skuadrës së pushkatimit nuk donin të qëllonin mbi trupin e gruas, jo se ishin marrë vesh… por secili më vete ashtu vendosi… mbase diçka nga kanuni a mëshira… ndërsa burrat binin, ajo… tmerri ishte shumë herë më i madh. Sikur ulërinte terri. Tërmet në qiellin e zi, që binte si popla dheu. Kishte ardhur fundi. ​​​​Gruaja ende më këmbë, lemerisje e shtangur. Prokurori afrohet dhe qëllon mbi trupin e saj… ​​​​​​​​​I mbuluan shpejt e shpejt në gropën e përbashkët përsipër hodhën shkurre. ​​​​​​​​​​​​Dhe ndodhi, kur se ç’po bënin andej, shpyllëzime, një traktor që po punonte, befas nxjerr një kufomë gruaje, po e zvarriste… traktoristit i bie të fikët…

3.

Diktatori Enver Hoxha

kërkon falje në Qendër…

Po kujt, atyre që vranë me urdhërin e tij nga shkaku i asaj bombe, që hodhën në Legatën sovjetike e nuk dëmtoi kurrkënd apo u kërkoi falje nënave të atyre që i vrau, bijve të tyre, motrave, vëllezërve? Jo! E pabuesueshme! E tmerrshme! I kërkon falje kryevrasësit botëror Stalinit dhe i betohet se do të ndjekë rrugën e tij… Do të mjaftonte vetëm kjo letër, e shkruar dy ditë mbas plasjes së bombës, kur në të vërtetë bomba që vret është kjo letër, që Enveri të dënohej, edhe pse bëmat e tij të gjitha janë krime dhe “vepra” e tij e botuar në fund të fundit është një çmenduri vrastare. ​​​​Megjithatë Enver Hoxha është i dënuar me shekuj.

Shokut Josif Visarionoviç Stalin​​​​ Kremlin, Moskë.

Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë… duke hedhur dinamit në oborr… na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë… na ka prekur jashtëzakonisht, sepse ai u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë. […] Ne, shoku Stalin, ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë ndaj imperialistëve gjakatarë, luftënxitës amerikano-anglezë, ndaj tradhtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës dhe të Romës, dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik. […] ​​​​ Shoku Stalin, …ju kërkojmë ndjesë Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi do t’ia lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne. ​ Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjtë yni, pranoni të falat tona revolucionare. ​​​​​​ Në emër të pleniumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë Sekretari i Përgjithshëm ​​​ Enver Hoxha

(Letra e plotë gjendet dhe në botime të tjera, sipas Arkivit të Shtetit.)

* * *

E rëndë dhe dëshpëruese pafund..

Një tmerr dhe turp shtetëror i pashlyer, një ndërgjegje e gjymtuar e një populli, kujtesë kolektive e traumatizuar… me klithma të mbytura…

Skenar i përgjakur. Sot më vjen të thërras, ku janë skenaristët, regjisorët, ato aktoret e shquara e aktorët e filmave dhe avokatët e Realizmit Socialist, ngrihuni, koha ju kërkon rol tjetër, jo në mbrojtje të krimit në art, por të artit që godet dhe krimin. Me vrasësit apo me të vrarët?

Një poet i madh europian thotë: ne jemi ajo që kujtojmë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Opera “Skënderbeu” e Vivaldit

September 16, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Lista e kompozimeve rralla të kryera nga Antonio Vivaldi përfshin dhe operën “Skënderbeu”. Shfaqja e parë e kësaj opere u realizua në Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Ajo përuroi rihapjen për publikun të këtij teatri. Libreti u shkrua nga Antonio Salvi, libretisti i preferuar i Dukës së Toskanës, Ferdinando de’ Medici, nga familja e njohur e Mediçëve. Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës në rrethimin e parë të saj në 1450, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe kritikët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Si shikohet subjekti është melodramatik, ku nuk mungojnë intrigat dhe zgjidhjet “Deus ex machina”, karakteristike për artin barok të kohës. Në fakt është një Skënderbej tjetër nga ai që jemi mësuar të shikojmë në artin shqiptar. Në artin europian të kohës nuk ishte fort i rëndësishëm epizmi i karaktereve sesa lirizmi dhe fryma kalorësiake e kohës. Fakti që Vivaldi zgjodhi Skënderbeun si subjekt të operës për këtë rast të rëndësishëm, konfirmon ndikimin që kishte ende në Europë heroi ynë kombëtar pothuajse 300 vjet pas vdekjes së tij. Ai ishte përfytyruar gjithmonë si një hero europian , “mik i virtytit dhe jo i fatit” si shprehej dhe vet Skënderbeu në letrën e tij të famshme dërguar Ferdinantit të Napolit.

Filed Under: Histori

ARBËRISHTJA, GEGNISHTJA, TOSKËRISHTJA, STANDARDI

September 16, 2022 by s p

Sadik Bejko/

VOREA UJKO (Domeniko Bellizzi) – Ky është një poet i buruar. Poet me një spotanitet dhe lirshmëri në të shkruar që lë shtang cilindo usta fjale a gjuhe në poezi. Është e ngrohtë fjala, i njomë imazhi, e rrjedhtë fshehur ritmika e fjalës e me një tel lidhur te gjaku ashtu … si pulsi.

Jam nga adhuruesit e tij. Ia kam përcjellë poezunë në ndonjë studim…mbase më shumë se studim, kam shtjelluar pasionin tim për poezinë e tij, shijen që edhe sot e gjithë jetën do të më shoqërojë…sa herë e lexoj.

Me këtë rast, guxoj të them shkurt dy fjalë për një debat mbi gegnishten letrare…mbi Fishtën…standardin.

Dua të jem lakonik.

I. Shqipja, para se të jetë gjuhë me standard të unifikuar ka arritur, në poezi veçanërisht, lartësi të nivelit evropian në tre dialekte. Së pari, me variantin, arbërisht. De Rada, Serembja, Dara janë poetë të nivelit evropian. Kjo tezë është e vërtetuar dhe e shenjtëruar nga studiuesit e letrësisë.

Së dyti, varianti i gegnishtes të autorëve shkodranë që nga më të hershmit, rilindasit e shquar Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj…po shtoj Rreshpja…ka nivele po ashtu që e ngrejnë shqipen në nivele universale.

Së treti, vatianti i toskërishtes ka mjeshtërat e vet…Naimi, Kristoforidhi(që është mesi i artë dhe mjeshtër i të dy varianteve geg e tosk), Konica, Noli, Lasgushi, Mitrush Kuteli … dhe unë jam një autor pa modesti shumë i mirë në poezi.

II. Ku është problemi?

Të tri variantet më lart janë e jona pasuri. Jam 80 vjeç dhe më provoni kur të doni, po nuk u recitova jo një e dy, por një koleksion perlash në gegnisht. Janë gjuha ime pasuria ime gjaku shpirtëror imi. Do vdes me to e nuk do t’m’i shqisë nga hiri i ashtit asnjeri.

Kur them, më provoni… Unë në shumë takime me miq, me miq poetë në Lezhë veçanërisht, kam dalë e kam recituar Fishtën, Gjon Buzukun (pasthënien), Mjedën, Shirokën, Pashko Vasën…Tanushën e kreshnikëve…

Provoni të mi shqisni nga koleksioni i poezisë botërore, që e kam të regjistruar në kujtesë. Botërorja dhe shqipja rrinë në fqinjësi të denjë në trurin tim.

III. Në se unë i gjuaj dhe i dua thesaret e shqipes në të gjitha variantet e saj, kjo është për meritë të shkollës. Kam mbaruar shkollën e mesme në ish-Normalen në Elbasan. Tekstet i kish bërë një elbasanlli Dh.Shuteriqi që kishte kopjuar tekstet e E. Koliqit.

Ajo shkollë më dha modelet artistike më të përkkryera.

Forcojmë shkollën sot, forcojmë shkollën sot, forcojmë shkollën sot…aty është çelsi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sadik Bejko

Një talent shqiptar në “Broadway Dance Center”

September 16, 2022 by s p

“Nga Elba në Nju Jork” titullohet shkrimi i gazetes italiane ELBA NEWS, e cila ia ka dedikuar Giulia Muçës, 14-vjeçares shqiptare, prindërit e së cilës Sonila Bejkollari dhe Fatos Muça emigruan nga Tirana në Itali kur ishin tepër të rinj, për një jetë më të mire.

Giulia është protagoniste e një eksperience unike në Times Square në Broadway Dance Center, një nga shkollat e para të trajnimit të kërcimit në botë, me kurset e saj në xhaz, tap, balet bashkëkohor, hip hop dhe teatër. Giulia Muça, vetëm 14 vjeçe ”fluturoi” drejt NY nga dashuria e saj për kërcimin. Në të vërtetë, për hip hopin, të cilin kercimtarja shumë e re nga Elba e ushtron me sukses prej disa vitesh. Për Giulian, eksperienca në Shtetet e Bashkuara përfundoi pak ditë më parë me Çmimin Ndërkombëtar të Kërcimit Italian, Gala e Madhe që hapi dyert e Teatrit të Vallëzimit Alvin Ailey së bashku me pesë kërcimtarë të tjerë nga e gjithë Italia.

Një eksperiencë unike dhe jashtëzakonisht formuese për të talentuaren Muça, e cila falë një burse studimi pati mundësinë të marrë pjesë në shkollën intensive verore që Antonio Fini Dance ofron në zemër të Manhatan-it dhe që këtë verë prezantoi për herë të parë një modul të dedikuar. në hip hop në kuadër të MC Urban Project, projekti që shkolla po realizon prej dymbëdhjetë vitesh për të festuar kërcimin klasik dhe bashkëkohor. Për dy javë, Giulia kaloi pragun e Qendrës së Vallëzimit Brodadway dhe mori mësime nga mësuesit dhe drejtorët më të mirë të shkollave dhe kompanive të kërcimit në Nju Jork.

Një mundësi e rëndësishme dhe selektive mësimi dhe përmirësimi. Shumë pak e aksesojnë atë në Itali.

Këtë vit ishin vetëm gjashtë, tre djem dhe tre vajza. Giulia më e reja, ndër të gjithë kërcimtarët e pranishëm në BDC në Nju Jork. Kjo nuk e pengoi atë të vazhdonte me kolegët më me përvojë, pavarësisht nga dy deri në tre orë mësim çdo ditë.

“Unë fillova me vendosmërinë për të mësuar sa më shumë që të jetë e mundur”, shpjegon Giulia “duke perfituar përvoja të rëndësishme si shokët e mi të klasës nga New York. Ky aspekt më nxiti të jap më të mirën nga vetja dhe të vlerësoj çdo sekondë të mësimit, me respekt dhe mirënjohje”.

Shumë kohë kushtuar provave të përditshme të koreografive të zhvilluara për gjashtë kërcimtarët italianë nga Carlos Matrone dhe Mario Nocera në pritje të Gala-s në Teatrin Alvin Ailey. Ritmi i shpejtë e emocionoi dhe ndezi Giulian, e cila u kthye në Elba më e pasur dhe më e vendosur se më parë. “Kam sjellë me vete shumë këshilla të dobishme për të tashmen dhe të ardhmen – thotë ajo me sytë që ende shkëlqejnë nga gëzimi.

E para: “Asnjehere mos u dorëzo kurrë, sepse pikërisht atehere kur je i lodhur, duhet ti japesh më shumë forca ”.

E dyta: “Të bësh diçka mirë, nënkupton ta bësh atë mirë nga fillimi në fund”.

E treta: “Të jesh modest është po aq e rëndësishme në rrugën e suksesit tënd”.

Një përvojë e atyre që nuk harrohen dhe shënojnë rrugën, Allyne Veraz, mësuesja e hip hopit që njeh jo vetem talentin e Giulia Muçës, pasi e ka shoqëruar në rrugën e saj të studimit në Elba Danza (shkolla e Maria Paola Gorit ku ajo u trajnua vitet e fundit dhe eksperimentoi me gjuhët e reja te hip hopit), por edhe cilësitë dhe karakterin, që bëjnë diferencën në një projekt të këtyre përmasave. Ishte Veraz ajo që i prezantoi Giulia-s rrugën për në Shtetet e Bashkuara.

E para, në të vërtetë, që pikasi talentin e Gulias ishte Cristina Parrini, në shkollën e Jazzercise të së cilës u trajnua Giulia. Në atë kohë, kërcimtarja jonë hip hop ishte vetëm 3 vjeç, një dëshirë e madhe për të mësuar dhe me te njëjten ëndërr ne sirtar ende edhe sot : kërcimi në skenë me JLO, Jennifer Lopez.

Ndërkohë në fund të tetorit Giulia Muça do të jetë në Belgjikë për finalen e CND Italia. Ajo do të përfaqësojë Italinë qendrore-jugore dhe do të duhet të përballet me kërcimtarë nga Europa. Me “I CAN DO IT” një solo e frymëzuar nga manifesti i famshëm amerikan i J. Howard Miller, ajo do ta provoje edhe një herë veten.

Do ta bëjë si gjithmonë, falë kembenguljes dhe shembullit të jetës së prindërve të saj, të cilët në vitin 1995 u larguan nga Tirana për të mbërritur në Elba. Historia e familjes Muça është historia e dy të rinjve mërgimtarë të detyruar të largohen nga vendlindja dhe njerëzit e tyre të dashur për të ndërtuar një jetë diku tjetër me kurajo dhe dinjitet. Një vend tjetër sot shumë i dashur për ta: në Portoferraio, ata rritën dy fëmijët e tyre (Giulia ka një vëlla më të madh, Marco, i cili studion në Universitetin e Cumberlands në Kentaky USA),

Megjithese kane lindur e arsimuar ne Itali, dashurine per Shqiperine dhe per Tiranen e ruajne thelle ne zemer. Gjuhen shqipe ata e zoterojne mjaft mire dhe nuk ngurrojne asnjehere te deshmojne me krenari origjinen e tyre.

Nje yll tjeter shqiptar do te ndricoje ne skenat nderkombetare.

Përgatiti për Diellin: M. Dako

Filed Under: Komunitet

2A

September 16, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa/

16 nëntor 1984. Arkëmorti doli nga porta e madhe. Tre djemtë, kokëlartë, përcillnin pranë Perëndisë babanë. Mjekun e çdo vatre në Elbasan. Njerëzia hiqnin kapelet dhe i vendosnin në zemër. Ato pranë, e merrnin në supe engjëllin që ju ish gjendur në çdo kohë. E mora edhe unë afër kokës. S’i mbajta lotët.

– Dëgjomë, është serioze. Të kthehet në peritonit.

Kishte ardhur në mesnatë me biçikletë te “Banesat”. Shtëpia ime në katin e katërt. E kishte lënë poshtë hyrjes mjetin, që s’ia kishin ndaluar ende dhe në gjysmerrësirë kishte ngjitur shkallët shpejt.

– Faleminderit shumë doktor, je munduar. Por, më shkoi dhimbja si me dorë. E trembët.

Më vështroi me sytë që i rrezatonin dituri dhe pa më lënë të vazhdoj, me zë hyjnor, kërkoi të më bindë.

– Peritoniti është skuqje, ënjtje e mukozës së barkut. Në rastin tënd është shkaktuar nga plasja e apendicitit. Duhet hequr menjëherë. Të rrezikon jetën.

Më mori me vete si të isha djali i tij. Dhe, qëndroi derisa dola nga salla e operacionit. Kishte pasur të drejtë. Apendiciti më kishte plasur.

Vargu i njerëzve në cermoninë mortore la pas rrugicën e ngushtë të lagjes “Kala” dhe mori udhën drejt bulevardit qendror. S’ishte parë një nderim i tillë në qytetin tonë.

Gigi, djali i madh i doktorit, kishte nisur të mësonte anglisht. Ishim miq të besës. Një orë mësimi erdhi i shqetësuar.

– Dje isha me babanë të vizitonim një paciente të moshuar. Vuan nga tuberkulozi. Kishte kollë me gjak dhe temperaturë të lartë. Babai ka dhjetë vjet që e kuron. Pas vizitës, në oborrin e shtëpisë, i biri më kërkoi t’i lija vetëm. Ai punon në degën e brendshme. Qëndruan gjatë. Kur u kthye, babait i kishte rënë hije vdekjeje.

– Mendon se mund të ketë lidhje me ty.

Gigi ishte mjek zemërmadh. Kur dikush i dërrmuar nga puna e rënde dhe mungesa e ushqimit i kërkonte raport mjekësor, regjim shtrati, ai nuk ia prishte. Veperim i dënueshëm për pushtetin e punëtorëve dhe fshatarëve, që jetonin të lumtur në parajsën e socializmit botëror.

– Jo, do të jetë shumë më serioze.

Bulevardi ishte mbushur plot. Arkëmorti kalonte nga supi në sup. Pas hotel “Skampës”, në rrugën që të shpie te Komitetit i Partisë Rrethit, kortezhin e ndaloi policia.

– Kemi urdhër të mos u lëmë ta kaloni… janë në mbledhje. Vendoseni në automobil dhe të tjerët në autobuse.

Atë ditë, paria e partisë komuniste kishte urdhëruar lukuninë e saj të mos merrte pjesë në funeral. Vetë ishte ngujuar në pallatin e krimit për punë të pista. Populli i kishte sfiduar: shprehte hapur falenderimin e merituar.

– Mësova para pak ditësh të vërtetën e mosardhjes së autoriteteve të qytetit në varrimin e babait.

Thotë Gigi pas takimit me Dr. Lee Edwards, themelues dhe kryetar i “Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit”. Jemi ulur për kafe jashtë lokalit “Coffee Nature” në Uashington. Si përfaqësues të bordit të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane” erdhëm të marrim eksperiencë.

– I bëri përshtypje njerëzve që morën pjesë.

– Babanë e kishin në 2A.

– Çdo të thuash me këtë.

– Kishin vendosur ta burgosnin më 17 nëntor dhe tërë familjen ta internonin.

Mbetem. Më shkakton aq tronditje sa nuk po di si të sillem.

– Mjekun engjëll të qytetit.

Fjalët me dalin përzier me lot.

– Dy ditë. 15 nëntor, Zemra pushoi…

Gigi kalon kafenë poshtë. Mbyt dhimbjen.

– Para se ta prangosnin.

Doktori kishte vajtur si çdo ditë të zakonshme pune në klinikë. Duke vlerësuar shfaqjen e një defekti lobar në radioskopinë e mushkërive të një pacienti, i kishte ndaluar zemra. Mjekut që kishte shpëtuar mijra jetë…

– Të na shpëtonte.

Heroi ua kishte djegur dosjen “3963-A”.

Doktor Nosi dhe Elsa Dovana Nosi

Dr. Lee Edwards, Muç Xhepa dhe Grigor Nosi

Dosja 3963-A

Filed Under: Politike Tagged With: Muc Xhepa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2057
  • 2058
  • 2059
  • 2060
  • 2061
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT