• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë

September 7, 2022 by s p

ZERI I AMERIKES


White House
White House

Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, shprehet në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Për javë të tëra, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë të sektorit privat për të mbështetur Shqipërinë të zbusë, kapërcejë dhe hetojë sulmin kibernetik të 15 korrikut, që dëmtoi të dhënat e qeverisë dhe nxorri jashtë funksionimit shërbimet qeveritare për publikun.

Shtetet e Bashkuara, thotë deklarata, kanë arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që ndërmorri këtë sulm të papërgjegjshëm.

Irani, thotë Shtëpia e Bardhë, ka shkeluar normat që duhet të ndjekë një shtet i përgjegjshëm paqësor përsa i përket sigurisë kibernetike, siç është mos-dëmtimi i infrastrukturës kritike, që ofron shërbime për publikun.

“Aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Filed Under: Politike

PING-PONGU I POLITIKËS AKTUALE HAPEN APO NUK HAPEN DOSJET E SIGURIMIT

September 7, 2022 by s p

A close up of “Top Secret” stamped on a file folder.

Besim NDREGJONI/

Çështja e hapjes së dosjeve është një  problem  madhor, e cila më shumë se si një mjet për vendosjen në vend të një të drejte legjitime atë të “ dënimit” të autorëve të ushtrimit të genocidit, shërben si mjet për presion politik nga forca të ndryshme politike. Odiseja e dosjeve është mjaft e gjatë, një hap konkret u bë vetëm në 1996 me “Komisionin  MEZINI”, vazhdoi me komisioni BEZHANI por që dështoi për faj të politikës e cila për të mbuluar njërën apo tjetrën figurë të politikës, e la në heshtje këtë problem. Duke e parë nga ana morale ky problem është penguar për shkak të të ashtuquajturit reagim negativ social që do të sillte hapja e tyre, e vërteta u përdor  më shumë  për interesa të  klasës politike postkomuniste e cila ka përdorur  interesat e saja të pushtetit se sa ballafaqimin me të  vërtetat tragjike të  një  diktature që  nuk kishte asgjë  të  përbashkët me pushtetet komuniste në Europën juglindore, por vazhdonte genocidin mbi kudërshtarët e saj siq ishim ne të përndjekurit politikë shqiptare, që kaluam një  kalvar vuatjesh, traumash, përcmimesh, fyrjesh, degradimi sot e pabesushme për shoqërinë apo  dhe për miqtë e vendit tonë.  

Shqipëria është vendi i vetëm ish-komunist Stalinist e cila nuk ka marrë masa serioze për të pastruar jetën e politikës nga “mbeturinat” e ish Sigurimit të Shtetit, një institucjonal kriminal në funksion të  pushtetit diktatorial, të cilat më shumë se kurrë, sot janë  në funksion të politikës e pushtetit. Do të ishte më mirë që hapja e dosjeve të kalonte fillimisht në një rrugë vetdeklarimi për një periudhë të caktuar kohore e pasuar kjo me një dorëheqje nga politika ose institucjonet qeverise  e kushtetuese nëse është pjesë e saj, duke sqaruar kushtet që e detyruan për tu bërë pjesë e makinës së genocidit, rolin përkatës dhe më pas të bëhej deklarimi publik i atyre që e dyfishojnë fajin ndaj popullit shqiptar me anë të heshtjes. Pra problemi kryesor në Shqipëri nuk qëndron tek mungesa e dëshirës për ti hapur, por tek fakti se për çfarë funksioni shërben kjo hapje. 

Politika i mëshon me forcë hapjes së dosjeve për bashkëpunërorët, por asnjëherë në këto 31  vjet nuk është marrë në shqyrtim seriozisht fakti se: Kush i krijoj dosjet!

Kush ishin përgjegjësit kryesor të zbatimit të skemës enveriste-staliniste e  ngritjes të një  pushteti diktatorial komunist, që vendet e lindjes europiane  e kishin denuar që në vitin 1956.

Kush ishin ata që me zellin e madh e  praktikuan  këtë skemë të veçantë në llojin e vet.

Kush ishin ata që injorancën e tyre e vunë në zbatim të eleminimit të klasës së intelektualëve,  duke patur si postulat shprehjen “ Armik i Popullit dhe i Partisë”. 

Përpara se të kërkohet hapja mekanike e dosjeve të bashkëpunëtorëve duhen hapur njëherë dosja e asaj ideologjie që u injektua tek këta bashkëpunëtorë, të bëhet një analizë e të gjithë përmbajtjes së saj për të arritur në një përfundim produktiv të  shkakut dhe pasojës. Vetëm duke bërë një analizë të lidhjes shkak-pasojë në rrugë profesionale dhe nga njerëz që do e realizojnë atë me objektivitet larg pasioneve dhe subjektivitetit do arrihet që të krijohet një tablo e qartë se çfarë do të kërkohet të arrihet nga hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve. Fillimi duhet të jetë hapja e dosjeve të puntorëve të “sigurimit”.

Asnjehere  deri më  sot nuk janë  analizuar shkaqet që  çuan në  hartimin e skemës e stalinizmit diktatorial  shqiptar si një  lloji të  veçantë. Analiza  ka ngelur vetëm në stadin e hipotezave apo dyshimeve të  shpërndara të  cilat rrallëherë  kanë  një  lidhje kronologjike dhe logjike të ngjarjeve gjë e cila ka ngritur një  tymnajë  mbi opinionin publik, i cili një  ditë lexon një dokument ku X evidentohet si komunist,  apo nacionalist i orëve të  para, kurse të  nesërmen shfaqet në kahun e kundërt. Kjo është  një  tymnajë ideologjike e demagogjike që përdoret me fortë se kurrë nga politika aktuale shqiptare e cila si pjellë e atij regjimi e përdor këtë ideologji për pushtet dhe jo për të i shërbyer të vërtetës dhe demokracisë për të cilën ka nevojë shoqëria jonë. Çfar kan dosjet e ish sigurimit? Studime jo të plota tregojnë; se çdo tre ditë një shqiptar ekzekutohej me ose pa gjyqe për motive politike. Çdo javë një i burgosur politik vdiste në  burg nga torturat. Çdo  dy ditë internoheshin tre persona për motive politike.Çdo 2 muaj një i burgosur politik pësonte gjymtime trupore për shkak të keqtrajtimit në hetuesi, burg ose kamp përqëndrimi. Ndërsa 3 milion shqiptar jetonin me frikën e përhershme të persekucionit pa ligje. Lista është e gjatë…Në diktaturë veprohej dhe mbahej në këmbë kjo skemë sundimi: Diktator – Institut Marksist&Leninist – Sigurim i Shtetit. Jo pa qëllim në krye të institutit diktatori  kishte bashkëshorten e tij e cila përveç besnikërisë kishte të drejtën dhe të kontrollit të materialeve që prodhoheshin dhe shpërndaheshin nga ky institut. Mijëra leksione udhëzonin sesi të shtypej mendimi i lirë, ekonomia e tregut dhe si të përgatiteshin kuadro për të mbajtur politikisht diktaturën. Nga ky institut do të shpërndaheshin volume të tëra si brenda dhe jashtë vendit literaturë për sofistikimin e mekanizmit të funksionimit të diktaturës. 

A u dënua ky institucion i krimit në pluralizmin politik? Jo, me keqardhje konstatojmë se lektorë të këtij instituti janë pjesë përbërëse themelore e politikës tridhjetvjeçare pluraliste dhe janë të shpërndarë me funksionet e tyre  si në parti politike, në drejtim të shoqërisë civile, diplomaci apo institucione kushtetuese. Strategjia e këtij institucioni synoi dhe realizoi depersonalizimin e individit dhe shkatërrimin e familjeve fisnike që kishin dhënë gjithçka për kombin, por që  ishin kundërshtarë të regjimit. Stacionimi i strukturës u përqëndrua në veprime psikologjike, fizike dhe ekonomike. Ambienti ku jetonin dhe punonin këta qytetarë, ushtrohej dhunë psikologjike ndaj intelektit dhe përçmohej personaliteti publikisht, qytetarët kundërshtarë të këtij regjimi pavarësisht nga dija, arsimimi apo qytetaria që kishin ata ishin te detyruar te provonin këto trauma përçmime psikologjike e fizike. Organizoheshin të ashtuquajturat mbledhje popullore në të cilat cdo qytetar kundërshtar, atakohej psikologjikisht, ose do të etiketohej me nofkën armik dhe bashkëpunëtor i imperializmit. Një pjese të mirë të popullësisë do t’i  imponohi me ligj të gjunglës dhe votimi. 

Në aspektin fizik individi dënohej me punët më të rënda, nuk lejohej që të punonte në bazë të aftësive, reklamohej me etiketën “dembel”  pavarësisht nga aftësitë që kishte. Individët ishin të detyruar që të mos kundërshtonin asnjë dhunë fizike dhe t’i nënshtrohej asaj. Në planin ekonomik, sado aftësi të kishte për të përmirësuar gjendjen ekonomike, individit i konfiskohej pasuria dhe nuk lejohej të zhvillonte mirëqënien. Metoda e depersonalizimit do të ishte bashkëudhëtar i epokës diktatoriale dhe sa përmendëm më sipër këto trauma dhe tortura ishin të përgatitura po nga ai institut. Dhe zbatoheshin nga ish sigurimi i shtetit.

Së bashku me masat që përmendëm më sipër do të përgatiteshin edhe ligje diskriminuese të aprovuara kundër kundërshtarëve politikë. Si neni 55 e disa të tjerë.

Policia sekrete e quajtur ‘Sigurimi i Shtetit’  në fillimet e pluralizmit do të deklarohej publikisht sikur u dënua, por strukturat e tij ishin dhe janë ende të pacënuara.  Çdo denim në sistemin demokratik bëhet me ligj. Shtojmë se dhe sot ata që kan mbaruar atë shkollë janë deputet në parlamentin aktual. Pra kjo strukturë kriminale ish sigurimi nuk u dënua me ligj.

Kërkesa e shoqërisë shqiptare  insiston në hapjen e dosjeve për të zgjedhur politikanë të pastër moralisht dhe politikisht, apo qeveritar të pastër e të devotshëm për të qeverisur por kjo gjë tek ne nuk ndodh. Stalinizmi-enverist  nuk e lejon, e anashkalon këtë problem madhor të pastërtisë së politikanëve. Dhe këtu në mënyrë të fshehtë apo të hapur, u përmenden dosjet atyre që kërkojnë dekomunistizimin e politikës aktuale, që të ndërtojmë shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës dënon kriminelin që është punëtori i sigurimit e ka krijuar dosjen dhe bashkëpunëtorin që i ka shërbyer kësaj dosje. Por PS dhe PD kërkojnë dënimin e bashkëpunëtorit në krim duke mbrojtur kriminelin që organizoi dhe kreu krimin.

Pa u dënuar strukturat e ‘Sigurimit të Shtetit’ “Institutit marksist-leninist” Komiteti Qendror i Partisë dhe të rretheve” që kanë përgatitur dosjet, nuk mund të shkëputen politikanët nga stalinizmi i tyre, dhe të hapen dosjet.

Të drejtat dhe liritë e njeriut gjatë këtij 31 vjeçari nuk u zbatuan për ish të përndjekurit politikë, të cilët luftuan një gjysëm shekulli për to. Politika e komunistizuar luan rolin më negativ në këtë drejtim. Ajo dezinformon komunitetin ndërkombëtar për këtë shtresë që është 1/3 e popullësisë dhe i sjell asaj dëme të pallogaritshme në integrimin e shoqërisë.  Kjo analizë nuk mund të realizohet me shkrime sporadike gazetash apo botime kujtimesh bruto nga “ kaviet e eksperimentit” komunist apo eksperimentuesit të  cilët  sot shfaqen në shtyp me “lëkurën e qengjit”, por me anë të asaj analize që u përmend më sipër.

Për tu theksuar është  se duhet bërë  një  kategorizim dhe një  vleresim real i pozicionit të gjithsecilit, pavaresisht se numri i bashkepuntorëve është i madh, por i puntorve është më i vogël, dhe kjo do të kërkojë një pune  kolosale. Ky proçes do të  shërbejë  për të krijuar një tablo të  plotë se kush u bë  pjesë e mekanizmit totalitar, (“se antarët e partisë komuniste ishin  pjesa e këtyre strukturave kriminale,”) dhe drejtojnë politikën aktuale dhe sot, sepse e ndiente si pjesë  të  jetës apo për të  arritur një qëllim të caktuar dhe kush u bë  pjesë e tij, sepse gjate  kohës që ai vetë  ndodhej nën trysninë  e dhunës fizike dhe psikike, shihte që prindi, motra, vëllai, fëmija apo një i afërm tjetër ndodheshin në një pozitë  më  të rëndë se ai vetëm se këtij të fundit i kërkohej që  të  bëhej pjesë  e mekanizmit të eksperimentit.  “ spiunët në çdo moment  janë të dëmshëm, por spiunët e burgut janë më të poshtrit” (Referenca e pregaditur nga krijuesit e dosjeve, nga Sigurimi i shtetit). Përsa i përket kësaj shprehje ekzistojnë rezerva sepse ka individë që e kanë bërë këtë poshtërsi sepse me të vërtetë kanë qënë të tillë, por ka patur edhe nga ata që e kanë nënshkruar “ kontratën e njëanshme të spiunit” me Sigurimin e Shtetit për të mos parë fëmijën apo çdo të afërm duke u torturuar nga xhelatët me veshje moderne, por me teknika mesjetare. Ka më shume se 16  vite që A.K. P. Europës ka aprovuar rezolutën për denimin e krimeve të komunizmit, dhe Shqipëria që  vuajti ma shumë se çdo shtet tjeter në Europe hesht ndaj denimit të këtyre krimeve monsturoze dhe çnjerzore, ndaj genocidit të shkatrimit të 30-40% të popullsisë që u masakrua nga këto krime. Megjithse ka dhe një rezolutë të parlamentit shqiptarë të viti 2006 e plurosurn në syrtarët e këtij institucjoni që të denohej krimi komunist si vazhdimi i rezolutës europiane,. Dhe ky Kryeministër e kjo mazhorancë në at kohë opozitë nuk e votuan rezolutën e denimit të krimeve të komunizmit. Sot në pushtet pretendojn të hapin dosjet. Dosjet hapen kur diktatori, institucjonet e krijimit të dosjeve janë denuar moralisht dhe ligjërishtë, e kur të arrihet kjo  nuk  do të lejohet , ping-pongu i politikës aktuale, hapen apo nuk hapen dosjet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Besim Ndregjoni

MISIONARI I SË VËRTETËS…Nderim At Zef Pllumit

September 7, 2022 by s p

Eugjen Merlika/

Thonë se në lashtësi, në një nga vendet e Lindjes, një mbret i ri, i sapo kurorëzuar në moshën njëzet vjeçare, ishte i etur të njihte historinë e njerëzimit. Thirri pranë tij dijetarët e mbretërisë  dhe i ngarkoi atyre detyrën t’a shkruajnë atë. Mbas dhjetë vitesh pune para mbretit u paraqitën dijetarët me një karvan prej njëqind devesh të ngarkuara me rrasa guri, në të cilat ishte shkruar historia. Mbretit i u duk një punë shumë e lodhëshme leximi i tyre e kërkoi përmbledhjen e saj.

Dhjetëvjeçarët kalonin. Historianët e moçëm e pasonin detyrën tek te rijtë. Pakësohej numuri i deveve me rrasa guri por mbreti, tashmë i përthyer nga problemet e qeverisjes e pa entuziazmin e djaloshit njëzet vjeçar, nuk vendoste të mësonte historinë aq shumë të dëshiruar. Në shtratin e vdekjes, me sytë e shuar  dhe flokët e zbardhura, i cëmbonte në tru mendimi se po largohej nga kjo botë pa njohur të shkuarën e saj. Mblodhi si dikur dijetarët e mbretërisë e u kërkoi që, me pak fjalë, t’i bënin të mësonte historinë e njerëzimit. Atëhere më i moshuari i tyre u afrua pranë shtratit dhe i tha: “ Madhëri, njeriu lind, jeton dhe vdes. Kjo është historia e njerëzimit.”

Në këtë hark kohor, në të cilin dy pikat anësore përfaqësojnë ardhjen dhe largimin nga kjo botë, rrjedhin në të gjithë larminë e tyre jetët e njerëzve të cilat, të bashkërenduara nga kode rregullash e ligjesh, bashkohen si vijat e ujit në shtratin e një lumi për të formuar shoqëritë e kombet. Rrjedhat e tyre përfundojnë në detin e gjërë që është njerëzimi e ndërthurja tyre përbën atë që quhet historia e njerëzimit. Çdonjeri prej nesh është një pikë uji në oqeanin e madh të njerëzimit, por jetët dhe personalitetet e njerëzve nuk shëmbëllejnë si pikat e ujit. Ata kanë secili të veçantën e tij, duke filluar që nga pamja e jashtëme për të përfunduar tek bota e brëndëshme e padukëshme e mendimeve, ndjenjave, fantazisë, vullnetit, aspiratave, sendërtimi i të cilave përcakton rolin dhe vendin që secili ze në bashkësinë në të cilën jeton. Ai rol e ai vend janë tregues të jetëgjatësisë së individit në kujtesën e përgjithëshme gjatë jetës dhe mbas fundit të saj tokësor. Ndërsa mbi shumicën e stërmadhe të emrave bie pa mëshirë pluhuri i harresës, mbi pak prej tyre ai nuk ve shtresë, nuk arrin t’i mbulojë.

Një prej këtyre emrave është ai i At Zef Pllumit, jeta tokësore e të cilit u ndërpre në mbrëmjen e vonë të 25 shtatorit, në një nga spitalet më të njohura të Romës, në Polikliniko Gemmelli. Parabola e jetës së tij filloi në mars 1924, një vit fatal për demokracinë shqiptare, në zemrën e Arbërisë së lashtë, në malësinë e Lezhës, ku Skënderbeu thirri Kuvendin themelues të Lidhjes shqiptare dhe përfundoi në kryeqytetin mijravjeçar të botës antike, në Romën e përjetëshme. Ajo qe një varg i gjatë mundimesh, vuajtjesh, dhimbjesh e sakrificash të pafundme që dhuna komuniste pa mëshirë i hodhi mbi shpinë, si orteqet e borës së Alpeve të Shqipërisë, që kur ishte një djalosh i ri e deri sa trupi u kërrus nga pesha e tyre dhe e moshës. Gati gjysma e jetës burrërore të  tij kaloi nëpër burgjet politike të Shqipërisë komuniste.

Ishin ata kampe vdekjeje e pune të detyrueshme, në njëzet vitet e para të diktaturës, tempujt e shqiptarizmit ku ishin mbyllur mëndjet më të vyera e më cilësore që kishte Shqipëria edhe se të kthyera në kavie sprovash nga kriminelë me pushtet, para të cilëve Jozef Mengele ishte një kopje e zbehtë. Prej bisedave të tyre prifti i ri mësonte historinë dhe bëmat e tokës amtare, i depozitonte thellë në kujtesën e tij të pazakontë, për t’i rrjeshtuar më vonë në veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”. Ata njerëz, dikur elita kulturore e kombit, me trupa të shtrembëruara nga torturat, uria e puna shtazore, ishin për te si hojet e bletëve ku ai gjente nektarin e dijes njerëzore dhe substancat e koncentruara të karakterit e të moralit të shqiptarit.

At Zef Pllumi ishte një personalitet shumëplanësh. Ishte prift katolik, i vendosur të predikonte fjalën e Krishtit e të zbatonte mësimet e tij. Ishte një vrojtues i hollë i njerëzve, i jetës e dukurive të saj, cilësi këto që përbënin humusin e mjeshtërisë së shkrimtarit. Por ai nuk ishte vetëm shkrimtari katolik, ishte dhe tribuni i fjalës së lirë, ishte qytetari demokrat që jetonte me problemet e përditëshme të Vendit të tij, që nuk merrej me politikën aktive por e shikonte atë me syun kritik të atdhetarit, të dashamirësit të  fateve të popullit të tij. Si meshtar katolik i takoi të përballonte, së bashku me kolegët e tij, furtunat më të fuqishme që historia bashkëkohore ruajti për Kishën katolike. Besoj se nuk ka  institucion, në botën e diktaturave të shekullit të shkuar, të meritojë titullin e martirit më shumë se Kisha katolike shqiptare. At Zef Pllumi ishte një shërbyes i bindur e besnik i saj. Si i tillë ai e mbajti kryqin mbi shpinë gjatë gjithë jetës. Kalvarin e tij e përballoi me guxim, përvuejtëri, kurajo e stoiçizëm, duke qëndruar në këmbë, pa u rrëzuar, me besim të patundur në ndihmën e Zotit, me shpresën e palëkundur në fjalën e Krishtit. 

Ishte afër të shtatëdhjetave kur rifilloi të predikojë në kishën e Shën Andoit në Tiranë. Në atë proçes të gjatë e të fuqishëm që ishte ringjallja e Kishës katolike shqiptare At Zef Pllumi mbeti një famullitar i thjeshtë, nuk u ngjit në hierarkinë e krijuar rishtas e, thuhet, se marredhëniet me të nuk ishin idilike. Nuk jam në brendësi të atyre marredhënieve, por nuk më duket bindës fakti që një martir me curriculum vitae dhe aftësitë intelektuale të tij të mbetej një famullitar i thjeshtë në një vend si Shqipëria, Kisha katolike e së cilës kishte pësuar valën asgjësuese më shkatërrimtare që kishte njohur në historinë e saj dymijëvjeçare. Të mbijetuarit e asaj vale meritonin më shumë vëmëndje….

Sot Zefi është takuar me etërit e tij shpirtërorë, ata klerikë, atdhetarë e demokratë të masakruar nga komunizmi, që aq shumë ndihmesë i dhanë formimit atdhetar të shqiptarëve e kulturës së tyre. Ai ka shkuar ballëhapët dhe ata e kanë pritur me shumë dashamirësi, mbasi Zefi i vogël, që ata e kishin patur nxënës në bangot e Kolegjit françeskan, e kaloi provën më së miri. Ai arriti në majat e jetës kulturore të popullit të vet dhe amanetin e tyre për të dëshmuar të vërtetën e sendërtoi plotësisht. “Rrno vetëm për me tregue” kishte qënë porosia e atyre që patën largpamësinë të parashikonin tragjedinë e dhimbëshme që do të përplasej mbi Shqipërinë. At Zefi e tregoi atë mbas një gjysëm shekulli, thjesht, pa shtesa e zbukurime, duke na lënë një vepër të pavdekëshme. Në të ai na tregoi historinë tonë të vërtetë, me hollësitë e saj të llahtarëshme, atë histori që, ende sot, shumë kujt në Vendin tonë nuk i vjen për mbarë t’a shohë të shkruar e, aq më pak, të nxënë nga brezat e rinj.  

  Nëpërmjet shkrimeve të tij e faqeve të Hyllit të Dritës, revistës të të madhit At Gjergj Fishta, të cilën ai e ringjalli për lexuesit shqiptarë, At Zefi foli me gjuhën e meshtarit e të martirit të fesë, të apostullit të kulturës e kultivuesit të vlerave të pavdekshme të popullit të vet por, mbi të gjitha, me gjuhën e së vërtetës. T’a respektojmë të vërtetën, mos t’a dhunojmë e shtrembërojmë atë, t’i qëndrojmë besnikë pasqyrimit të saj edhe atëherë kur nuk shkon në dobinë tonë, këta ishin mësimet që At Zef Pllumi na la si porosi nëpërmjet jetës e veprës së tij.

Ai e shpalli dhe e mbrojti të vërtetën në të gjitha format dhe shfaqjet e saj, në shkrime, predikime, biseda e sugjerime për politikën e mbarëvajtjen e shtetit dhe te shoqërisë. Ishte ky parim që e bëri veprën e tij jo vetëm dëshminë më të fuqishme artistike të dikaturës komuniste shqiptare, por edhe bartëse të një mesazhi të fortë moral, jo  vetëm për lexuesin e sotëm por edhe për brezat që do të vijnë.

Prandaj ne sot nderojmë me gjithë zemër kujtimin e tij e ndjejmë një kënaqësi të veçantë kur dijmë se ai pati sodisfaksionin për së gjalli të vlerësohet si “Nder i Kombit”, vlerësim që shpërblen jo vetëm personin, por edhe historinë e tij dhe ndihmesën e dhënë në kulturën e shqiptarëve. Sot Shqipëria e fesë dhe kulturës ka veshur petkun e zisë. Sot ajo përciell në banesën e fundit, në tokën e Shkodrës së lashtë, një bir të saj të shquar, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e saj.

                                                                                                                 Shtator 2007                                                                                  

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Eugjen Merlika

MIGJENI NE REALITETIN E SOTËM SHQIPTAR….

September 7, 2022 by s p

C:\Users\Administrator\Desktop\Migjeni.jpg

HASAN GREMI

Në tërë yllësinë e letërsisë mbarëshqiptare ka edhe meteorë me shkëlqim komete, siç është Migjeni ynë i Madh, i cili ridimensionohet në çdo kohë, sepse në qendër të krijimtarisë së tij trajtoi probleme madhore që mbeten aktuale për cdo periudhë të shoqërisë sonë dhe, me kodin e tij poetik e pasuroi letërsinë shqipe me vlera të reja në pasqyrimin artistik. Prandaj edhe në këtë 80-vjetor të vdekjes ai vjen si përherë i rizgjuar e me mendime të freskëta e gjigante në truallin mbarëshqiptar. Ky poet është një gjeni i letrave shqipe dhe, që t’i afrohesh thelbit migjenian, është diçka gati e pamundshme, si diçka titanike, sepse ai zotëroi hierarkinë e vlerave të mëdha ideore të kohës dhe me dorë mjeshtërore i veshi ato me shëlqim të ri artistik, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Me syrin e një vëzhguesi të hollë e me ndjeshmëri njerëzore të thellë, ai dha peizazhin shpirtëror të kohës së vet, të cilin e derdhi atë epokë në vargje bronci që mbetën monumentale në rrugën e zhvillimit shoqëror dhe letrar. Askush si Migjeni, në letërsinë shqipe dhe rrallë herë në letërsinë ballkanike apo dhe në në atë botërore, nuk e ka goditur me aq forcë nëpërmjet sarkazmës therëse, mjerimin , që po rritej i tejskajshëm në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, deri në atë shkallë, sa njeriu po humbiste trajtat njerëzore dhe po kthehej në një qënie e mistershme. Në këtë realitet kaq të rëndë , e ngjeu penën poeti, për të dhënë drithërimat që perjetonte, bashkë me njerëzit e thjeshtë, atë dhembje të madhe e të llahtarshme. Nën efektin e groteskut, që ndërtoi me mjeshteri artistike, dha skena tepër rrënqethëse, të jetës së përditëshme dhe, me larminë e dritëhijeve që krijojnë figurat artistike nëpër vargje apo në prozë, vizatoi portrete njerëzish realë, me sy të mbërthyer nga trishtimi, të shpërfytyruar nga skamja e rëndë. Në këtë pamje kaq të kobëshme dhe të dhembshme, jo vetëm që e bëri të dukshëm këtë anë të errët të jetës, por edhe kryqëzoi shkaktarin e kësaj plage të thellë e të madhe, rendin sundues të asaj kohe që qeveriste me hipokritët e servilët e tij, të cilët po shkatërronin moralin në tërësi të shoqërisë dhe mjerimi po merrte jetë fëmijësh të pafajshëm dhe moralin e femrës shqiptare. Për këtë realitet të kobshëm e të padurueshëm që po i merrte frymën kombit, poeti klithi me tërë forcën e shpirtit në kryeveprën e tij “Poema e mjerimit” , ku ai shpalos me ngjyrim të fortë emocional hendekun e pabarazisë shoqërore dhe karakterin çnjerëzor të klasës në fuqi, së cilës i çorri maskën, që të bëhej e dukshme e vërteta dhe të ndërgjegjësoheshin njerëzit e thjeshtë për shkaktarin e vërtetë të kësaj tragjedie të rëndë shoqërore, ku gruas i hiqej e drejta për të qenë nënë, e ndërsa nëna s’ kishte me se t’i rriste fëmijët. Malësorja shiste nderin bashkë me qymyrin. Luli i vocërr shkonte zbathur , i veshur keq e i pangrënë, mes dimrit teacart,por me një dëshirë që ia ngrohte shpirtin, të merrte dije e ta ndryshonte atë gjendje të mjerueshme. E kush më fortë se Migjeni ngriti zërin dhe dha me ndjeshmëri dhembjen njerëzore në këto vargje monumentale, me efekt të fuqishëm të hiperbolës , të groteskut e urrjtjes së papërmbajtshme, dha këtë tablo të dramës së rëndë në jetën e njerëzve të thjeshtë që jetonin zhytur në një mjerim të thellë tërë jetën, deri në vdekje?! E japin të qartë vargjet: “… Kafshatë që s’ kapërdihet asht , or vlla mjerimi , / kafshatë që të mbetë në fyt dhe të zë trishtimi, / kur shef figura të zbehta dhe sy të jeshilta, / që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert’ e mpita, / edhe ashtu të mpita mbrapa teje mbesin / të tanë jetën e vet, deri sa të vdesin…. Dhe poeti e mpreh mirë artistikisht ironinë therëse të antitezës, kur jep pamjen e tragjedisë së rëndë të jetës së njerëzve të thjeshtë, në antitezë me zotërinjtë që jetojnë të lumtur në shëlqimin e luksit, e vizaton qartë vargu: “që flejnë në shretënt e lumnisë…” Poeti është biri i kësaj toke klasike malesh dhe mali në krijimet e tij, nuk është me atë hijeshi mahnitëse, me ujëvariat e ylberuara mes gjelbërimit të magjishëm, nuk është vendi i eposit të kreshnikëve të paepur që ndesheshin me rrufetë dhe i ëndërrave të bukura, por poeti në fjalë, përtej mitit shqiptar për malin, qe i pari që e cmitizoi atë duke e tjetërsuar në një metaforë me flakërim të fuqishme, për ta dhënë malin si një hieraki sunduese të pamëshirëshme ndaj njerëve, zotërues, urdhër vënës i pakundërshtueshëm, e kthen atë në një iluzion të turpshëm që i gllabëron vendit relitetin e tij të kohës duke e kthyer atë në një dramë të rëndë çnjerëzore për jetën e tyre. Kjo gjendje e padurueshme e bën poetin që t’i shpërthejë fuqishëm nga thellësitë e shpirtit human, thirrja apostrofike: “Si nuk kam një grusht të fortë…” këtu ai flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore që kishte gllabëruar tmerrësisht shpirtin e shtresës së thjeshtë e cila dukej gati e pathyeshme në atë ngërthim të tmerrshëm e të gjithëanshëm që i kishte bërë jetës. A nuk gjejmë edhe sot këtë mal migjenian të korrupsionit me përmasa gjigante që ka shtrirë tentakulat në tërë jetën e shqiptarëve? …“grusht ndaj malit që s’ bzan”… është politizimi absurd për të përcarë shqiptarët, që të mos jenë të vëmendshën ndaj jetës së tyre të rëndë , por të jenë në shërbim të militantizmit partiak…”…. mali që s’ bzan” është kriminalizimi i realitetit tone, ku krimi lëviz lirshëm kudo dhe merr jetë njerëzish si pa të keq, “…. mali që s’ bzan” është braktisja e tokës mëmë që nuk i mban bijtë e vet, të cilët enden nëpër botë për një jetë më të mirë. Dhe Migjeni vjen i rizgjuar në kohën tonë me idetë etij të mëdha si mund të shpëtohet nga kjo gangrenë që ka mbërthyer kombin. Edhe në skicat, dhe tregimet autori sjell skena reale të jetës së përditëshme të moralit dhe të ekonomisë, nga të dyja shtresat antagoniste shoqërore të kohës së tij, të marra nga jeta e përditëshme, ku përmes simbolit dhe alegorisë, ai nuk la jashtë vemëndes edhe problematikën filozofike të cilën e shtjellon deri në shkallën e ironisë ku ai portretizoi dallueshëm në skicën: “Sokrat i vuejtun, – apo derr i kënaqun?” duke vënë ballëpërballë dy botë, në njërën anë atë të virtytit, vlerat që formojnë moralin e shoqërisë, dhe në tjetrën atë të poshtërsisë që drejtohej nga interesa egoiste dhe të ulëta të mishëruara alegorikisht te një derr. Duket sikur filozofët e ekzistencializmit ; Hajdeger, Hyserli dhe Sarti konkurrojnë në shkrimin e këtij teksti migjenian. Migjeni me një inteligjencë të mahnitëshme beson te utopia, fitoren e së e së resë mbi botën e mykur patriarkale dhe mediokriteti të neveritshëm. Prandaj edhe nuk harron të tundë edhe flamujt e besimit për të ardhmen , e cila kërkon ndryshimin e kësaj bote të perënduar, dhe per këtë ndryshim ka besim te rinia, te energjitë e saj të pashtershme dhe te mendmi bashkëkohor që ajo duhet të përqafojë, se e ardhmja i takon asaj. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: hasan gremi

Kosova më 7 Shtator 1990: Republikë me Kushtetutë

September 7, 2022 by s p

KALENDARI HISTORIK

Drejt Lirisë e PavarësisëKosova para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992/

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2022/  Para 32 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë: Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, Ramajli për median kosovare theksonte se ndonëse për shkak të rrethanave Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme e më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 13 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 14 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 14 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës së vitit 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 14 viteve në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2072
  • 2073
  • 2074
  • 2075
  • 2076
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT