• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mendime për librin e Prof. Thanas L. Gjikës “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re”

September 7, 2022 by s p

Dr. Thoma Qendro/

Leximi i librit “Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e “Dhiatës së Re” (Botimet Jozef 2022) të Prof. Thanas Ligor Gjikës më ndihmoi të kuptoj më mirë traditën tonë rreth përhapjes së krishtërimit në trojet ilire.

Ndonëse nuk jam specialist i mirëfilltë i studimeve biblike, as teolog dhe as historian i Krishtërimit, por po jap disa vlerësime për këtë libër, sepse e njoh lëndën e “Dhiatës së Re” duke qenë se jam marrë me hartimin e botimit të parë të “Biblës” në gjuhën shqipe titulluar Të Shkruomitë Shenjtë, ku bashkova fragmentet e librit Meshari të Gjon Buzukut (botim i SHBNSH, Tiranë, 2010). Po ashtu jam marrë me transkriptimin, përgatitjen dhe botimin me shpjegime gjuhësore të Dhiatës së Re të përkthyer nga Vangjel Meksi e të botuar në Korfuz më 1827 nën redaktimin e Grigor Gjirokastritit prej Shoqërisë Biblike Britanike dhe për të Huajt (botim i SHBNSH, Tiranë, 2016), si dhe të Ungjillit të Shënt Mattheosë nga të njëjtët persona më 1824 (botim i SHBNSH, Tiranë, 2021). Ndërkohë, ashtu si Profesor Thanas Gjika edhe une kam marrë të njëjtin formim filologjik e historik në Fakultetin Histori – Filologji dega Gjuhë Shqipe Letërsi, ku kemi qenë bashkëstudentë.

Paraprakisht e përgëzoj me gjithë zemër autorin si dhe botuesin e bashkëpunëtorin e hartave, z. Aurel Kaçulini, dhe mund të them se studiuesi Thanas Gjika ka bërë një punë titanike, të denjë për një institut të tërë të kompletuar me specialistë të të gjitha fushave të studimeve biblike. Në këtë libër është njëkohësisht puna e filologut, e historianit jo vetëm të fesë, e teologut dhe e filozofit që me argumente logjike nxjerr përfundime të arsyeshme dhe bën sugjerimet përkatëse. Metodologjia e përdorur në këtë studim është për t’u admiruar. Analiza është e përsosur. Përdorimi analitik i mjeteve gjuhësore, i njëjësit dhe i shumësit të përemrave vetorë e të foljeve, i mënyrave e kohëve të foljeve në funksion të ngjarjeve konkrete (sidomos të librit “Veprat” të shën Lukës) që patën ndodhur në praninë ose jo të tij, janë shumë domethënëse.

Hulumtimi dhe udhëtimi logjik që ndjek studiuesi janë interesante dhe mendoj se në një të ardhme ndoshta jo edhe të largët mund të hapin debate teologjike e historike. Unë si shqiptar jam i prirur të ndjek me interes ngjarjet biblike që ndodhin në Shqipëri, dhe si durrsak të shoh me interes ato që kanë ndodhur në Durrës, ashtu si një lezhjan p. sh. do të ishte i interesuar për ngjarjet në Lezhë, etj.

Historia e feve është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e një vendi dhe populli, pasi shpesh ato përcaktojnë edhe zhvillimet shoqërore dhe ekonomike, ideologjike dhe politike, aleancat, miqësitë dhe armiqësitë me popujt dhe vendet e tjera.

Nuk është gjë e lehtë të komentosh në mënyrë krijuese e të sjellësh risi në studimet biblike, me të cilat janë marrë e merren për rreth 2 mijë vite, me miliona studiues të të gjitha fushave e nga të gjitha vendet. Prof. Thanasi e ka arritur këtë. Në veprën e tij ka aq shumë fakte, argumente, gojëdhëna, analiza, përfundime e sugjerime, ngrihen aq shumë çështje, shtrohen aq shumë teza, sa për secilën prej tyre mund të komentosh, të diskutosh e të shkruash edhe shumë më gjatë, e pse jo, një njeri i përkushtuar mund të frymëzohet e të shkruajë edhe studime e monografi të veçanta.

Në pamundësi për t’u marrë me hollësi në një diskutim promovues si ky, do të ndalem shkurt në dy aspekte që trajtohen drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë libër, por që janë të lidhura ngushtë midis tyre:

E para, përforcohet teza se Krishtërimi në Iliri, pra rrjedhimisht në territoret e sotme shqiptare, nuk u importua as nga Greqia dhe as nga Roma, por është me prejardhje apostolike dhe u përhap në të njëjtën kohë me këto vende. Bashkësia e krishterë e Durrësit, p. sh., që ishte një nga qytetet më në zë të antikitetit, u krijua drejtpërdrejt nga vetë apostull Pali gjatë udhëtimeve të tij misionare. Këtë të vërtetë historike Profesor Gjika e ka formuluar edhe në botimet e tij të mëparshme, por në këtë studim edhe më bindshëm.

Nga ana tjetër, puna e shën Palit në trojet ilire ka qenë pranuar edhe nga historianë objektivë të huaj e vendës edhe para studiuesit Thanas L. Gjika, ndonëse ka disa që ende për arsye të ndryshme, të cilët nuk është as rasti dhe as vendi t’i përmend këtu, e paraqesin Krishtërimin në Shqipëri si fe të importuar e të imponuar nga të huajt.

“Historiani italian Danijele Farlati, – shkruan profesor Thanasi, – duke u mbështetur në shënimet e një Menologu greqisht të përkthyer italisht prej Kardinalit të Sirletit, ka shkruar se – Sh. Pali krijoi kishën e Durrësit dhe se kjo kishë në vitet 57-58 kishte 70 familje anëtarë …” (f. 79).

E pikërisht këtë të dhënë Prof. Thanasi e plotëson me argumente e fakte të reja, vlerë e pakundërshtueshme e punës së tij, e pranuar dhe prej studiuesish amerikanë e shqiptarë.

Duke folur për hartimin e dy pjesëve të Letrës kanonike drejtuar Romakëve, pasi analizon me hollësi udhëtimin misionar që kishte bërë Pali në kushtet e asaj kohe (meqenëse Durrësi ishte pikënisja lindore e Adriatikut që lidhte nëpërmjet rrugës tokësore “Egnatia” Lindjen e Mesme, pra dhe Jeruzalemin, dhe nga ana tjetër Romën, nëpërmjet rrugës më të shkurtër detare duke kaluar te gadishulli italik), prof. Thanasi arrin logjikisht në përfundimin se gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar Pali kishte ndalur në një qytet të madh “ku kishte pasur kohë të mendonte e meditonte disa javë. Një ndalesë e tillë ishte kryer në qytetin Dyrrach (Durrës), ku Pali krijoi kishën e krishterë …” (f. 171).

Dhe kjo është krejt e natyrshme, pasi edhe në vendet përreth Ilirisë, në gadishullin italik dhe në gadishullin e sotëm ballkanik, si dhe në vetë vendet e atëhershme hebraike, Krishtërimi sapo kishte lindur e po përhapej në kushte mjaft të vështira, drejtpërdrejt përmes apostujve, ndërsa zyrtarisht nga autoritetet shtetërore përndiqej egërsisht dhe dënohej me vdekje mizore cilido që e përqafonte. Kjo gjë ka qenë pranuar edhe nga historiografia e periudhës komuniste, pavarësisht interpretimit materialist marksist që i bëhet përhapjes së Krishtërimit në Shqipëri. “Gjendja e vështirë e skllevërve dhe e shtresave të tjera të shfrytëzuara krijoi kushte të favorëshme që edhe në Iliri të përhapej krishterimi si fe që u premtonte njerëzve një jetë të lumtur pas vdekjes. Si besim i atyre që vuanin dhe shfrytëzoheshin, si besim i të varfërve dhe i skllevërve, kjo fe e re gjeti në fillim një rezistencë të madhe nga ana e perandorëve dhe e klasës sunduese të qyteteve. Predikuesit e saj bile u persekutuan. Por nga shek. III dhe veçanërisht në shekujt e mëpastajmë rritja e numërit të besimtarëve dhe ndryshimi gradual i përbërjes së tyre sociale ndikoi shumë mbi organizimin e fesë së re si dhe të ideologjisë së saj.” (Historia e Shqipërisë, I, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituri i Historisë dhe i Gjuhësisë,Tiranë, 1959, f. 126).

Së dyti, autori jep hollësi, argumente dhe gojëdhëna të shumta për udhëtimet e Palit. Natyrisht, gojëdhënat nuk janë fakte historike, po kur ato u kanë rezistuar me shekuj tallazeve të ngjarjeve historike, aq më tepër kur përkojnë me këto ngjarje, qoftë edhe pjesërisht, apo simbolikisht, ndihmojnë për të hedhur rreze drite mbi disa të vërteta historike. Në Durrës, p. sh. gojëdhënat për shën Palin, shën Cezarin dhe shën Astin kanë mbetur e gjalla deri sot dhe ato janë të lidhura dhe me faktet historike. Kepi i Palit, i transformuar ndër shekuj në gojën e mbarë popullit në emërtimin Bishti i Pallës apo Bishtpallë, që përmenden edhe në librin që po promovohet sot, është një dëshmi e qartë për këtë. Po kështu për këtë flet edhe fakti që të krishterët durrsakë e të rrethinave të qytetit, e kanë ruajtur ndër shekuj në traditën e tyre kujtimin e shën Astit: emrin e këtij kryepeshkopi martir të Durrësit, që u gozhdua në kryq në këtë qytet nga sundimtari i Durrësit Agrikoli, gjatë përndjekjeve të të krishterëve nga perandori romak Trajan në vitet 97-117 pas K. Emrin e tij e trashëgojnë edhe sot e kësaj dite mjaft durrsakë, ortodoksë apo katolikë. Dhe nuk është rastësi që ky emër përdoret vetëm në Durrës e në trevat rreth tij.

Libri që po promovohet sot i Profesor Thanas Gjikës është i mbushur me hollësi dhe burime dokumentare e gojëdhanore për udhëtimet e Palit nëpër Shqipëri, për qëndrimin, predikimet dhe shkrimet e tij e të bashkëpunëtorëve e shoqëruesve të tij misionarë në qytetet e vendbanimet e trevave ilire. Deri më sot shumë pak është bërë për të hulumtuar e studiuar rreth ngjarjeve të asj periudhe nga studiuesit shqiptarë, siç ka bërë profesor Thanasi. Përshkrimi dhe studimi që ai bën për udhëtimet e Palit, sidomos udhëtimi i tretë që pranohet kanonikisht nga të gjitha Kishat e krishtera, dhe udhëtimi i katërt, për pranimin e të cilit ka edhe debate historike, meritojnë, për mendimin tim, të zënë vend në diskutimet e rretheve teologjike e historike kishtare, sidomos në kolegjet e fakultetet teologjike e më pas, pse jo, ndoshta edhe në organizmat vendimmarrëse të Kishave, siç janë konferencat, sinodet apo koncilet.

Studimi i Thanas Gjikës nuk është thjesht studim mbi Fenë e krishterë, por është një analizë e shumanshme historike, filologjike, logjike, e të dhënave mbi udhëtimet e Palit. Luka, në librin Veprat e Apostujve, të përfshirë në librat kanonikë të “Dhiatës së Re”, përshkruan disa nga vendet ku ka kaluar, qëndruar, predikuar e punuar shën Pali, dhe natyrisht nuk shkruan me hollësi për çdo milje rruge që ai dhe grupi i tij i shoqëruesve patën bërë. Mbushja e këtyre zbrazëtive, sidomos gjatë udhëtimeve nëpër viset ilirike, është detyrë e historianëve shqiptarë që t’i plotësojnë. Pikërisht këtë ka bërë profesor Thanas Gjika dhe shpresoj, që ato të zënë vendin e merituar në historinë e Kishës së Krishterë të Shqipërisë e më gjerë edhe në historinë e përgjithshme të vendit tonë.

Së fundi i shpreh urime dhe përgëzime profesor Thanasit për gjithë veprën e tij, dhe inxhinier Aurel Kaçulinit, për punën e saktë plot pasion që ka bërë në bashkëpunim me autorin e librit, për përcaktimin e vendkalimeve dhe vendqëndrimeve të shën Palit nëpër trojet që i përkasin sot Shqipërisë. Shpresoj, që hartat e përgatitura prej tyre, sidomos ajo e Udhëtimit të tretë e të katërt, të gjejnë vend edhe në botimet e ardhshme biblike shqiptare dhe të huaja.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Thanas Gjika, thoma qendro

Kryeministri Kurti takon Damir Marusic dhe Rachel Rizzo, hulumtues të lartë në Këshillin Atlantik

September 7, 2022 by s p

Prishtinë, 7 shtator 2022/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sot hulumtuesit e lartë në Këshillin Atlantik (Atlantic Council), Damir Marusic dhe Rachel Rizzo.

Përgjatë takimit, u diskutua për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me njohje reciproke në qendër të saj. Kryeministri Kurti dhe hulumtuesit e lartë Marusic dhe Rizzo ndanë këndvështrimet e tyre edhe mbi agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë, pasojat për kontinentin e Evropës dhe sigurinë e rajonit.

Si një nga vendet e para që iu është bashkëngjitur sanksioneve të BE-së, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Federatës Ruse, kryeministri Kurti u shpreh se Republika e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë se është aleate e vlerave demokratike dhe partnere e aleancës euro-atlantike të cilës synon dhe duhet t’i bashkohet.

Me seli qendrore në Washington D.C., Këshilli Atlantik, i themeluar me 1961, është një think-tank amerikan që mbulon fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

Aleks Buda-“Arbitër Elegantum” i debateve historike

September 7, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Sot është përvjetori i lindjes të historianit të njohur dhe “arbiter elegantum” i debateve historike për etnogjenezën e shqiptarëve, Aleks Buda. Vlen të përmendet kontributi i tij për rikonsiderimin historisë së mesjetës arbëre por edhe lidhjes mes ilirëve e arbërëve nëpërmjet kulturës së Komanit.

Kultura e Komanit,thotë Profesor Buda është një hallkë elokuente e kontinuitetit midis banorëve të lashtë dhe vazhduesve arbër; një kulturë me shtrirje kohore që nga shekulli i VII deri në shekullin e IX dhe me një shtrirje territoriale mjaft të gjerë nga alpet shqiptare deri në brigjet jugore të detit Adriatik e në luginën e Vjosës. Kultura e Komanit ishte një kulturë e një popullsie qytetare e fshatare, bregdetare e malore, më rrënjë në traditën antike dhe me novacione, me elementë të trashëguara nga kultura ilire halshatiane e hekurit dhe nga kultura provinciale romake e paleobizantine, ku elementët sllave nuk figurojnë veçse si elementë të izoluara dhe jo si një kulturë kompakte.

Po kështu Profesor Buda mbrojti me pathos karakterin e shtresave sociale mes popullsisë arbëre duke hedhur poshtë teza që shpesh herë riciklohen dhe në të sotmen që i konsideronin arbërit një” popull barinjsh e që rronin në kalibe. “.Dokumentat flasin thotë Profesor Buda për një shoqëri të diferencuar feudale me origjinë shqiptare, siç janë arhondët e Arbërit që mbajnë titujt e lartë të hierarkisë feudale bizantine si panhypersevastë, ata “nobli viri”, kontë, baronë, prelatë, burgencë, ato bashkësi fshatare të cilat sundimtarët bizantinë, anzhuinë etj, i cilësojnë si “burra fisnikë shqiptarë” me emrat e tyre etnikë karekteristikë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dorian Koci

#SiSot, më 7 shtator 2001, ndërroi jetë një prej bas baritonëve më të shquar të Teatrit të Operas dhe Baletit, Lukë Kaçaj, i mbiquajturi “Shaljapini shqiptar”

September 7, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Lindi më 26 shkurt 1924 në Shkodër dhe që në rini, me mbështetjen e arsimtarit dhe të muzikantit shqiptar, Atë Martin Gjoka, do të brymosej në liceun klasik “Illyricum” me parimet bazë të këngës klasike kryesisht religjoze. Pas çlirimit të vendit, i shtyrë edhe nga rrethanat, e pa të udhës braktisjen e trupës së liceut “Illyricum” dhe rreth viteve 1947-1950 punoi pranë Korit të Përgjithshëm të Shtetit e më pas pranë Ansamblit të Ushtrisë, si solist dhe si korist.

Përmes pjesëmarrjes në disa festivale, figura e tij do të kristalizohej si një nga yjet në ngjitje të operistikës shqiptare. Shteti shqiptar, si pjesë e marrëveshjeve me shtetet e lindjes e dërgon për studime të riun Kaçaj të garojë pranë Konservatorit “P.I. Tchaikowsky” në Moskë, ku spikati me talentin e tij. Pas ardhjes në atdhe do të bëhej pjesë e Teatrit të Operas dhe të Baletit dhe pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Kaçajt do t’i ndërpritej karriera artistike në vitin 1973, kur do të dënohej me akt-akuzën “agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”.

Rapsodi plak tek filmi “Skënderbeu”, Don Bazilio tek opera “Berberi i Seviljes”, Gjini tek opera “Mrika” e shumë role të tjera të luajtura prej tij në opera apo në filma te ndryshëm, do të groposeshin gjatë gjithë periudhës së komunizmit. Pas vdekjes, në vitin 2009, dekorohet nga institucioni i Presidentit të Republikës me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Më poshtë, paraqitet Kaçaj në rini, një foto e tij shkëputur gjatë ekzekutimit të rolit të rapsodit plak në filmin “Skënderbeu”, si edhe një kërkesë për shtim burse akorduar në emër të tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: luke kaçaj

The Albanian American community must stand together in solidarity with the people of Kosova

September 7, 2022 by s p

Too many cases of rape go unprosecuted. The Albanian American community must stand together in solidarity with the people of Kosova calling for an end to sexual violence and justice for our survivors.

Join us in rallying for the protection of women & girls and the prosecution of these heinous criminals and predators.

Saturday, Sept. 10th 2022@12PM

801 2nd Ave, New York, NY 10017

Respectfully,

Mark Gjonaj

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2073
  • 2074
  • 2075
  • 2076
  • 2077
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT