• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA CIKLI “SI PO VARFEROHEN SHQIPTARET” OSE “PERSE PO MARRIN RRUGET E BOTES…”

September 4, 2022 by s p

Zef Preçi/

Filozofia e vjeter romake “cirk edhe buke” ose vetem cirk eshte aktuale edhe ne ditet e sotme… Lajmi i meposhtem kaloi si pa u vene re, por nuk ka dyshim se nuk do te kaloje pa u shoqeruar me nje fature “te kripur” mire per qytetaret qyqare te Shqiperise. Dmth nuk duhet te kete dyshim asnjeri se oligarkia me ndihmen e pushtetit te vene nen kembet e saj apo ne simbioze me te nuk ndalet pa pushtuar cdo meter katror te mbetur te trojeve publike dhe private dhe pa grabitur cdo qindarke te buxhetit te shtetit dhe borxhit publik qe rritet perdite ne emer te zhvillimit te vendit… Po sikur ishim ne lufte me krizat? Prej disa dy vitesh vendi yne “qeveriset” me dekrete qeveritare (akte normative te z. Rama); me kercenimi krize energjitike, pandemie, rindertimi, shpronesimi, etj qe justifikojne paligjshmerite e veprimeve te qeverise dhe bashkise; me shpenzime kolosale per rindertimin mbas termetit, qe nuk po perfundojne ndertimet e premtuara duke pergatite zgjedhjet administrative te 2023 per t’i shite si “dhurate te partise” edhe pse jane financuar nga taksat e qytetareve te varferuar shqiptare; me shpenzime lluksi qe kulmuan me in-halecionin prej derrase ne oborrin e brendshem te godines se kryeministrise te shpallur keto dite; me tendera te cuditshem sekrete sidomos ne shendetesi por qe gllaberojne dhjetera miliona euro; me copa Shqiperie sidomos ne bregdetin e Jugut qe “strategjiket” e qeverise i ndajne pa frike midis tyre; me incerneratore qe “pa ju dridhur qerpiku” po djegin vetem taksat e qytetareve, e ndoshta edhe diktojne edhe hetimet qe nuk dihet nese kane filluar apo jo ndaj eksponteteve politike qe kane gatuar kete corbe korruptive, etj. E tash po na vjen edhe projekti i stadiumit “Arena biss”, gjoja konkursi, “fort i nderuar” tenderi/kontrata, etj. qe ne cdo shoqeri normale, per kohen qe jetojme nuk mund dhe nuk duhej te ishte perparesi e qeverisjes, as qendrore dhe as lokale… Aq me pak ne nje Tirane te murosur ne te kater anet dhe perhere e me pak te jetueshme, te mbytur nga ndotja, sa edhe reporti perkates mjedisor nuk publikohet fare prej nja kater a pese vitesh…

“Mjerimi s’don meshire,

Por don vetem te drejte” – shkruante Migjnei nje shekull me pare, thirrje kjo qe tingellon aktuale edhe sot…

Filed Under: Ekonomi

Imazhi i Arbërisë Mesjetare në Evropë

September 4, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Betejat ushtarake të Gjergj Kastriot-Skënderbeut kundër osmanëve ndikuan në imazhin e Arbërisë dhe arbërëve në Evropë. Ilustruesi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit, botimit të dytë në gjermanisht është miniaturisti dhe piktori gjerman Jost Amman, (1539-1591). Gravura më e rëndësishme e Jost Ammanit në këtë botim të vitit 1578 të Frankfurtit është ilustrimi i një beteje të osmanëve në muret e Krujës. Në një nga këtë gravurë kemi pasqyrimin e qytetit të Krujës si një qytet mesjetar europian ku në sfond dallohen disa kisha, arkitektura antike, tempuj me kolonada, ndërtesa monumentale me harqe dhe stil gotik, muret me kontraforte, porta e madhe e hyrjes, në pjesën kulmore të kompozimit gravuror mbi një tjetër kullë të rrumbullakët ngrihet pak i anuar në shtizë një flamur i madh me shqiponjën dykrenare, flamuri heraldik i Skënderbeut.[1] Jost Amman nuk ka qenë në Arbëri por nëpërmjet imagjinatës së vet përmes leximit të veprës së Barletit pikturon një qytet të tipologjisë europiane të kohës. Ky vizatim i Amman nën ndikimin e frymës humaniste përforcon një proces historik më të hershëm që kishte filluar në territoret e Arbërit. Në brigjet e Adriatikut lindor evolojnë qendrat urbane në qytete republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike ballkanase fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj.

1-Moikom Zeqo. Gravuristi Jost Amman, Skënderbeiada e artit. Drita. – 1 prill, 2007.

Filed Under: Histori Tagged With: Dorian Koci

PËRVJETORË  DHE  STRATEGJI

September 4, 2022 by s p

“Nuk është e paktë koha që na është dhënë, është e shumtë ajo që kemi humbur” – Seneka

Nga Eugjen Merlika

Kaluan dhjetë vite nga ai mëngjez i ngrohtë i 26 korrikut të 1996-ës kur, nga një breshëri automatiku, ndërroi jetë drejtori i përgjthshëm i burgjeve të Shqipërisë, Bujar Kaloshi. Vitet kaluan por emocioni dhe dhimbja mbetën të njëjta për ata që e panë të rritej e të burrërohej në kampin e Gradishtit, por jo vetëm për ta. Kujtimi i tij mbeti i gjallë edhe për ata që e njohën në atë kohë që shërbeu në një detyrë sa të vështirë aq edhe delikate.

Bujari ishte bir i kampeve të internimit, të atyre qëndrave që hierarkia komuniste i kishte projektuar për të varrosur jetët, shpresat dhe ëndërrat e breznive të pasardhësve të atyre që nuk e kishin dashur komunizmin. Mallkimi e gjëma do të rëndonin pa mëshirë deri në “pafundësi”, deri sa të jetonte sistemi.

Bujari ishte një nga të parët fëmijë që lindnin në kampet e Lushnjës, te cilat kishin zëvendësuar Tepelenën në strukturat makabre të strategjisë së shfarosjes të “klasave të përmbysura”. Rridhte nga një familje e njohur e Dibrës. Babai i Tij, Xhevdeti, ishte një kollos me fuqi proverbiale për brezin e tij. Nëna e tij, Shkurta, ishte një grua e heshtur dhe e urtë. Ishin nga ata njerëz, pragmatikë e guximtarë,  që e merrnin jetën ashtu si t’u vinte, pa i bërë lak problemeve të saj, por duke u përleshur çdo ditë me to. 

Në kushtet tejet të vështira të jetesës  ky çift nxori në jetë katër fëmijë, i rriti me mund e sakrifica, me mungesa nga më të ndryshmet, por me një pasuri të madhe si trashëgimi: shëmbullin e ndershmërisë vetiake e të respektimit të normave shoqërore të moralit njerëzor. Bujari qe i pari e mbi shpatullat e tij të njoma, që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, rënduan më shumë sakrificat sepse ai deshi të marrë një pjesë të barrës së prindërve.

Në Gradisht, ku Bujari u rrit, u shkollua e filloi punën, jetonin shumë t’internuar që kishin qenë pjesë e elitës intelektuale të Shqipërisë. Prej tyre ai huazoi etjen për dije, dëshirën për librat, për horizontet e pakufishme të kulturës. Këto bënë që, në thellësi të qënies së tij, të kultivohej një farë idealizmi të cilin e nxori në dukje dhjetori  1990 kur ai, me të gjithë entuziazmin rinor u zhyt në betejën për fitoren e demokracisë. Rasti e solli që shpejt të njihte Dr. Sali Berishën e rezultati qe një besë e fortë, si ato të qëmotit. Këtë besë e mbajti dhe e mbrojti deri në frymën e fundit, deri në mëngjesin tragjik të 26 korrikut 1996.

Bujar Kaloshi nuk u fut në PD me llogari për të ardhmen, me synimin për të fituar pozita, para e privilegje. Ai u fut me entuziazmin dhe naivitetin e idealistit, të të riut që mendonte se kishte ardhur çasti fatlum i fitores së lirisë mbi tiraninë, të ndershmërisë mbi poshtërsinë, të së mirës mbi të keqen. Në ata çaste ai nuk mori parasysh rreziqet, nuk u tremb, nuk bëri shumë llogari për veten, por shkoi përpara duke ushqyer në përfytyresë pamjen e ndryshuar të Shqipërisë së re, të Shqipërisë demokratike dhe evropiane. Atij iluzioni ai i fali gjithshka, forcat, guximin, vullnetin, shqetësimet e mendimet, besimin në të ardhmen. Kjo qe merita e tij më e madhe, qe plazma që formonte personalitetin e tij gjithënjë në rritje.

Ndoshta ishte ky personalitet që shtyu Kryetarin e atëhershëm të Shtetit të ngulmonte t’a bindëte Kaloshin të pranonte detyrën e komandantit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë. Burgjet kishin qënë vëndet më tipike e shëmbullore të laboratorit të përbindshëm të diktaturës komuniste, dëshmitarët më elokuentë të krimit pa cak të regjimit. Emërimi në krye të tyre të një djali të ri të rritur në internim ndoshta ishte një nga gjetjet më të mira të Dr. Berishës në atë kohë. Kaloshi e mori përsipër atë detyrë dhe ajo u bë për të sinonim i qënies së tij. Qe korrekt e i guximshëm në zbatimin e asaj detyre. Në rrugën e tij hasi mjaft pengesa e vështirësi të mëdha që trashëgoheshin nga praktikat e vjetra dhe njerëzit e tyre. U përpoq të ndryshojë stil pune e njerëz e, gjatë këtij misioni, krijoi miq e armiq. Bujari ishte i ndërgjegjshëm për këtë, por për të ishin të huaja kompromiset e pandershme dhe shkelja e idealeve. I qëndroi me fanatizëm besnik kësaj rruge, por duke nxjerrë në pah edhe vetitë e tij njerëzore. Punën e tij e kryente me një besim të madh tek partia ku bënte pjesë, tek politika e saj, tek drejtuesi i saj. Ndonjë miku të së shkuarës që i shprehte mosbesimin e tij për veprimet dhe politikën e PD-së i përgjigjej me frymën e besimit në shmangien e të metave dhe të optimizmit për t’ardhmen….

Pranvera dhe vera e vitit 1996 ishin të ngarkuara me tension të lartë. Në mars kishte ndodhur atentati në supermarketin VEFA në qendër të Tiranës, ku humbi tragjikisht jetën Vera Dume, një vajzë që vinte nga një tjetër vënd internimi, nga Grabiani, ku kish kaluar, e dënuar, pesëmbëdhjetë vite të jetës së saj. Vendi jetonte në dehjen e fitimit të parave pa mundim. Pjesa më e madhe e kursimeve të shqiptarëve ishin grumbulluar në kompanitë “rentiere”, që premtonin e jepnin interesa marramendëse. Votimet e qershorit, me parregullsitë e tyre dhe tërheqien e socialistëve në ditën e votimit, nuk ndihmuan në kthjellimin e ideve. Shqiptarët përkundeshin në ëndërrat e pasurimeve të lehta dhe i ngjanin udhëtarëve të Titanikut, që vazhdonin të dëfreheshin nën tingujt e orkestrës, ndërsa anija mbytej.

Krimi i organizuar, mbas fitimeve prrallore në sajë të trafiqeve të paligjëshme, kërkonte t’imponohej në jetën shoqërore e politike. Vrasja e Bujar Kaloshit ishte shprehje e kësaj prirjeje dhe paralajmëruese ogurzezë e kataklizmës, që do të vinte mbas disa muajsh, me shëmbjen e Shtetit dhe kthimin e Shqipërisë në vitin zero.

Nga ato kohë të zymta kaluan dhjetë vite. Bujari, Vera e të tjerë viktima të terrorizmit shqiptar mbeten ende plagë të hapura jo vetëm për familjet e tyre, por për të gjithë ata shqiptarë që duan t’a shohin Atdheun e tyre  një vend normal, në gjëndje të frymëzojë besim e shpresë. Drejtësia shqiptare nuk arriti dot t’u japë qytetarëve qetësinë e të jetuarit në një Vënd ku krimi dënohet dhe viktima mbrohet e dëmshpërblehet.

Sot përsëri re të zeza lundrojnë në qiellin e Shqipërisë. Kuvendi i saj, zemra e veprimtarisë politike të Shtetit, na paraqet një pamje tepër trishtuese: në vend të njerëzve të përkushtuar çështjeve të përparimit të Atdheut e arritjes së synimeve madhore të tij, shohim “politikuca” profesionistë të interesave vetiake që, në emër të Kushtetutës, janë gati të ligjësojnë paudhësitë më të mëdha, që nuk njohin as parimet më fillestare të edukatës njerëzore, që tempullin e vullnetit politik të popullit të tyre e kanë kthyer në një treg, ku hyhet e dilet simbas qejfit, ku flitet si të vijë për mbarë larg kodit etik të domosdoshëm, ku tregohet fuqi fizike në vend të argumentave.

Seanca e fundit e Kuvendit, me pamjet e saj skandaloze të një huliganizmi tepër të rëndomtë, është një faqe turpi për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Shokët deputetë të Opozitës duhet të mbajnë parasysh se, për fat të keq, përfaqësojnë jo vetëm një pjesë të shqiptarëve që i kanë votuar, por dhe një pjesë të imazhit të Shqipërisë në botë. Ai Kuvend, i kthyer në një stallë derrash nga një dhunë e pajustifikuar, nuk nderon asnjërin prej nesh e besoj se asnjë prej nesh nuk e meriton këtë paraqitje. Më shumë dëshpëruese bëhet kjo gjëndje kur vihet re se këtë skandal, në kufijtë e vandalizmit më të keq, e shkaktojnë deputetë relativisht të rinj në moshë.

I kam besuar me bindje idesë se ndërrimi brezor do të sillte normalitetin në politikën shqiptare. Me keqardhje të thellë konstatoj se paskam gabuar, se këta të rinj, sot drejtues të partive të Opozitës, nuk i lenë asgjë mangut etërve të tyre shpirtërorë. Madje këta janë më agresivë (kush guxonte të fyente apo t’i turrej Kryetarit të Kuvendit në kohën e diktaturës?) ndoshta sepse jetojnë në një tjetër periudhë ku kolltuku nuk mund të jetë i përhershëm, siç ishte për brezin parardhës. Këta “zotërinj”, që evokojnë vazhdimisht 1997-ën si një medalje trimërie në biografinë e tyre, a thua se flasin për kohën e Skënderbeut, harrojnë se ai vit, me bëmat e tij të zeza, mund të krahasohet vetëm me “vitin e mbrapshtë” 1914, për dëmet që i ka shkaktuar Shqipërisë. Ata dy vite na kanë larguar më shumë se gjithë historia jonë nga rruga e zhvillimit dhe qytetërimit. Një përsëritje e përvojave të tyre do të ishte një goditje fatale e projekteve të integrimit të Shqipërisë n’Evropë.

Duke kujtuar me dhimbje të thellë sot Bujar Kaloshin, martirin e rënë në mrojtje të idealeve të demokracisë shqiptare, uroj që fundi i tij tragjik të zgjojë tek secili prej nesh zërin e ndërgjegjes, vetëdijen e përgjegjësisë para fateve të Vendit tonë.                                 

                                                                                                                  Gusht 2006

Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

#SiSot, më 2 shtator 1925, u themelua Banka Kombëtare e Shqipnis me qëndër në qytetin e Durrësit

September 2, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Kjo bankë vinte si një nevojë e menjëhershme pas Pavarësisë së vendit, kohë kur në tregun shqiptar kishin filluar të shfaqeshin filiale bankare të shteteve të ndryshme, të cilat kryesisht kishin shtrirje lokale dhe nën patronazhin e bashkive përkatëse. Bisedimet për krijimin e Bankës Kombëtare filluan që në vitin 1921, kur pjesë përbërëse e monitorimit të krijimit të bankingut shqiptar do të bëheshin ekspertet më të mirë të kohës të dërguar nga Lidhja e Kombeve. Eksperetet e panë të udhës që Banka Italiane do të mundej më mirë të ishte tutori i krijimit të bankingut shqiptar dhe për këtë arsye, nisën bisedimet dypalëshe që u finalizuan pas 4 vjetëve me hapjen e bankës. Për palën shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Mufid Libohova dhe për atë Italiane Mario Alberti. Komiteti Administrativ do të kishte qendrën në Romë dhe paraja që do të emetohej në shkurt të vitit 1926, do të ishte “frangu i arit”, me nënfishat e tij, “lekë”. Kapitali i bankës do të ishte 12.500.00 franga ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve. Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë. Vetëm në vitin 1938, pala Italiane që mbizotëronte në terma aksionesh, vendosi që godina e re e bankës duhet të ndodhej pranë kryeqytetit dhe jo më në Durrës, në një ndërtesë të projektuar nga arktitekti Morpurgo.

Më poshtë, dy imazhe të Bankës Kombëtare të Shqipnis, përkatësisht në vitet 1928, dhe 1940, një relacion i shkurtër mbi bankingun shqiptar, si edhe dekretligji për krijimin e bankës.

Filed Under: Ekonomi

Armiq për vdekje – Ngjarje e vërtetë

September 2, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Kanan Seiti, një ish-i dënuar politik po martonte nipin e vet. -Shyqyr që ja arrita kësaj dite! Lermë o zot, të rroj dhe ca kohë,- thoshte me vete, me sytë e përlotur. Pinte nga pak, shikonte çiftet që kërcenin, këndonin, krejt të shpenguar dhe zemra i bëhej mal. Muzika u ngrit deri në qiell dhe në hyrje të lokalit ia behën njerëzit e nuses. U vendosën përballë me krushqit e djalit dhe ahengu u ngrit disa shkallë më lart. I ra në sy një burrë i moshuar me kasketë, por ende i fortë, energjik, shtatlartë, kockëgjerë, trupmbushur, me një hundë të madhe në formën e tehut të sëpatës, me kostumin fringo, këmishë të bardhë, kollare të kuqe dhe këpucët lustrafin, që udhëhiqte vallen. Burri u shkëput nga vallja, nxorri një tufë pesëmijëshe nga portofoli prej lëkure dhe për disa çaste daroviti çiftin, duke tërhequr vëmendjen e gjithë të pranishmëve. Kanani e shoqëroi me sy deri sa u ul, përballë tij, dy-tri karrige më tej. Ishte e pamundur të gabonte. Ai ishte Balil Gozhina, ish partizan, ish prokurori i diktaturës, avokat i njohur tashmë siç i kishin thënë. Balili nxori një puro, i preu me nge majën me biçakun e vjetër me këllëf briri, e ndezi me një çakmak të florinjtë, thithi fort puron, filloi të shpërndaje shtëllunga tymi të bardhë gjithandej, duke parë gjindjen me një lloj krenarie të shtirë. Kananit iu shua gjithë hareja, që e kishte kapluar në fillim… 

Në kohën e luftës njerëzit e tij ishin rreshtuar me Ballin ndërsa ata të Balilit me Partinë. Pas lufte komunistët u grabitën gjithçka dhe i lanë të jetonin në një kasolle pranë shtëpisë së tyre. Edhe kaq e keni shumë si armiq të popullit, u kishin thënë. Burrë e grua rropateshin në ndërmarrjet bujqësore. Aty nga vitet shtatëdhjetë hapnin toka të reja sipas udhëzimit të partisë: “Ti bëjmë malet e kodrat pjellore si fushat.” Në pushim, duke ngrënë drekën (sikur më shtyu shejtani, tha më vonë) bukë misri, qepë e ca kokrra ullinj, foli pa të keq: – Pse i hapin këto skërka për tokë buke? Këtu mezi rriten shkurret e jo të bëhet gruri e misri? 

Gjashtë muaj në hetuesi, pyetje e tortura nuk pranoi dhe nuk firmosi asgjë. Akuza: Sabotim me qëllim i ekonomisë popullore. Ndërkohë “lajmi’ mbërriti edhe në hetuesi. Gruan dhe fëmijët ia degdisën në fshatrat e Lushnjës…  Atëherë vendosi:  -Bjemë një letër të bardhë ta firmos. Shkruaj ç’të duash mbi të!- i tha prokuror Balilit. Tashmë e kishte marrë ferra uratën dhe çdo rezistencë ishte e kotë. Dymbëdhjetë vjet u dënua, që i bëri kokërr më kokërr në miniera. Shenjat e torturave dhe mundimeve i kishte ende në trup. Balili kërkonte të shmangte vështrimin e kundërshtarit por Kanani vazhdoi ta shikonte ngultas. “ Si ka mundësi që këta njerëz të jenë në krye përsëri?!” iu drejtua vetes. Kishte parë ish hetues, prokurorë, spiunë, drejtues burgjesh, madje edhe ministra të kohës së diktaturës, që kishin zënë vende kyçe në parlament, ministri dhe në majat e shtetit. “ Të paktën të kishin kërkuar falje për të gjitha të zezat që na bënë, pa për drejtësi nuk bëhet më fjalë.” I hipi gjaku në kokë, por u mundua ta mbajë veten: 

– Balili je zotrote? Prokurori që më dënoi me 12 vite burg për një fjalë goje?

– Ai jam. Të dënova se shkele ligjet e shtetit! Vet pranove e firmose… erdhi aty për aty përgjigja harbutërisht. Kajtazi e humbi gjakftohtësinë, u ngrit në këmbë dhe thirri: “ Për ç’ligje e firmë flet?! Po më ngordhe në dru, more kriminel, më more jetën, më le fëmijët jetim me babën gjallë, më internove vëllezër e motra për një fjalë goje…” Vazhduan të grindeshin me zë të lartë, duke qëndruar secili në të tijën. Balil komunisti, u bë si i marrosur. Nuk ishte mësuar ish-prokurori, tashmë avokat i dëgjuar,  t’a kundërshtonin e jo më ta akuzonin haptaz me zë të lartë si kriminel e vrasës. Kishte bërë ç’kishte dashur dhjetëra vite me fatin e njerëzve dhe ja tani po e turpëronte në mes të dasmës një hiç, një palo ballist.

-Mba gojën kulish ballisti!- shpërtheu Balili. –Ah, kur s’të vrava atje në hetuesi! Vuri dorën në brez dhe kapi revolverin, relike nga koha e luftës.

“Fute në b… atë o Balil, e mbaje shtrënguar, se mua nuk më trembe dot dje e jo sot! Leri këto, e mos u prish dasmën njerëzve se nuk ta kanë borxh!- u përgjigj ish i dënuari politik, duke menduar se ai diskutim në dasmë duhej mbyllur. 

– Ah, nuk ma paske më frikën mua ti more tradhëtar ëë? Shkoi e vate koha ime ë? Po unë të vras tani, ja këtu mu në mes të dasmës. Për ideal të partisë! 

Fliste dhe shkumbëzonte, duke përhapur gjithandej nga protezat që i lëviznin, copa të mëdha pështyme, përzjerë me qepë e thërrime buke. E bardha e syve filloi të merrte të kuqen e gjakut, si atëherë kur jepte dënimet me vdekje, e pushkatonte me dorën e tij armiqtë e partisë. Hoqi nga rripi i mezit revolen dhe ia drejtoi. Kanani sa dëgjoi: – Të vras tani!- ngriti vetullën i habitur, por vetëm kaq. Nuk mundi të thoshte asnjë fjalë. Dy krisma njëra pas tjetrës ja bënë kokën copë, duke ja shpërndanë trutë gjithandej. E shpuar tej e tej nga plumbat, koka iu var mbi gjoks dhe gjithë trupi u shemb mbi tavolinë, duke stërpikur me gjak dasmorët e tmerruar. Një njollë e madhe filloi të përhapej dalëngadalë, duke skuqur mbulesën e bardhë të tavolinës. Gratë ia dhanë ulërimës. Balili dyllë i verdhë, me duart që i dridheshin, vendosi koburen në tavolinë, pa nga njerëzit, që pasi dëgjuan krismat, lanë vallen të tmerruar dhe deklaroi: S’jam fare pishman. Këtë gjë duhet ta kisha bërë kohë më parë…

                                                                        

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2080
  • 2081
  • 2082
  • 2083
  • 2084
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT