• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tjetërsimi i shesheve historike në Vlorë, vepër antikombëtare

September 1, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

Për Vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është adhurim hyjnor, shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim, që ndryshon rrjedhën e historisë, kur  tradhëtarët e nxjerrin Atdheun në Pazar, ose kërcënohet liria nga pushtuesi i huaj. Mbi të gjitha Vlora është Frymë guximi dhe Atdhetarizmi. 

Çvendosja, ndryshimi, zhdukja e simboleve nga vendet historike, që kanë të bëjnë me themelimin e shtetit të parë shqiptar dhe luftërat e tij heroike për liri e pavarësi nuk janë tallje, apo teka të një njeriu mendjemadh, mburravec e kokëbosh, që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët. Për Vlorën kjo do të thotë t’i zhdukësh apo tjetërsosh historinë e saj unike, traditën, trashëgiminë, frymën patriotike që vlonjati e ka të rrënjosur në gjak. Do të thotë të godasësh në zemër krenarinë kombëtare, të kthesh simbolet e themelimit të shtetit shqiptar, Sheshin e Flamurit, dhe atë të Pavarësisë në Skelë, në lodra, që çvendosen gjithandej, duke ndërtuar simbole të reja betoni pa kuptim, pa lidhje me ngjarjet, mesazhet patriotike e të kthesh flamurin kombëtar në një leckë pa vlerë. Këto veprime përbëjnë një akt të qëllimshëm antishqiptar . 

Vlorën koha e solli të jetë kryezonjë e historisë moderne me dy ngjarje që i vunë vulën shtetit të ri shqiptar dhe vazhdimësisë së tij: Shpalljen e Pavarësisë dhe Luftën e Vlorës më 1920. Sheshi i Flamurit ishte një ansambël i plotësuar me Varrin Monumental të Babait të Kombit, Ismail Qemalit, Monumentin e Ushtarit të Panjohur, Shtizën e Flamurit, Monumentin Madhështor të Pavarësisë, kompleksin e rrallë me katër sferat (topat) që përfaqësonin Shqipërinë etnike me katër vilajetet e saj dhe shatërvani që hijeshonte gjithçka rreth e qark. Gjithë hapsira nga Monumenti gjigand i Pavarësisë ishte e hapur dhe harmonizohej me kodrinën përballë, ku ndodhen Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Heroike të Vlorës më 1920 dhe atyre të Luftës së Dytë Botërore.  Po ç’bëri KM-ja ynë me rilindasit e rinjë!? Rrafshoi piedestalin e Monumentit të Pavarësisë 17 metra të lart, e vendosi mbi “rrota” si shtëpi arixhiu, aty rrotull dhe po nuk i pëlqeu të mund ta çvendosë sërish. Zhduku ansamblin e sferave, katër vilajeteve, simbol i Shqipërisë etnike, amanet i përjetshëm i rilindasve,  me një mendjelehtësi dhe urrejtje të çuditëshme. Ndërpreu lidhjen organike të Monumentit të Pavarësisë me Varrezat e Dëshmorëve, duke ndërtuar një ngrehinë me kollona betoni për stacion autobuzi. Në një intervistë, Muntaz Dhrami, i vetmi nga tre skulptorët mbetur gjallë, do të deklaronte plot trishtim: “…vetëm unë jam gjallë, por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e Monumentit të Pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosjeje, që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin. Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzovalleje …”

Ndërhyrja në sheshin “Pavarësia,” në Skelë,  paraqet një rrëmujë rrathësh betoni pa kuptim. Piramida e dheut, gropa para shtëpizës, ullinjtë e portokallet azmatike, pishat mbërthyer në hekurishte, lisharse e tubo kalamajsh, një kolonadë betoni 200 metërshe, të çojnë në një botë tjetër, që nuk kanë kurrfarë lidhje me Shtëpinë Muze, ku vendosi selinë, qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e “gjallë,” nga ajo kohë e papërsëritshme. U zhduk pa dhënë asnjë shpjegim monumenti i luftëtarit aq të dashur për vlonjatët, Isa Boletini. Ndërtimi së shpejti, duke filluar nga vija e ujit e ndërtesave shumë të larta, fshin nga pamja këtë shtëpizë dykatëshe, që do të duhet busull për ta gjetur në të ardhmen. Shtëpia Muze, zoti KM, duhet të ishte kryeqendra e Sheshit Pavarësia: gjithçka tjetër duhet të vihej në funksion të saj. Ishte rasti (Kjo do të ndodhë!!!) kur mund të ndërhyhej, duke ndërtuar një kompleks muzeal, që i mungon Vlorës e Shqipërisë, në përputhje me arkitekturën e kohës, që të pasqyronte luftën me pushkë e penë të rilindasve tanë nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë me kryengritjet dhe heronjtë e shumtë. Kjo nuk ndodhi prandaj mendoj, që shndërrimi i këtij sheshi është vepër antikombëtare. 

Sheshi tjetër i përçudnuar, është ai para Bashkisë. Para se të fillonte Lufta e Vlorës, organizatorët e kryengritjes i dërguan Ultimatum gjeneral Piaçentinit ( godina e bashkisë sot) dhe kërkuan që trupat italiane të largoheshin nga qyteti dhe rrethinat brenda 48 orësh, ndryshe do të sulmoheshin e do të hidheshin në det. Tekstin e Ultimatumit e përgatiti Avdul Kuçi, jurist, dhe deputet.  (Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi si kriminel lufte, me vdekje.) Ultimatumi iu dorëzua  italianëve nga luftëtari Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Ky gjest i rrallë trimërie e burrërie të trondit dhe sot. Shqiptari trim, që përfaqësonte një ushtri vullnetarësh prej 4.000 vetësh, i kërkon gjeneralit të ushtrisë prej 20.000 vetësh, me armët më moderne të kohës të largohej menjëherë ndryshe pushka do të vendoste drejtësinë. A nuk të mahnit ky veprimt? A nuk të bën krenar, si vlonjat, si shqiptar!? Por në atë shesh mungon simboli, mungon historia, mungon dëshmia, mungon Selim Mallkeqi, luftëtarët e Vlorës dhe mesazhi: Këtu i thonë Shqipëri, i thonë Vlorë! Japim jetën po Vlorën nuk e lëshojmë! Sa herë që njerëzit të kalojnë nga ai shesh të mos harrojnë kurrë ata trima, që mundën një perandori të kohës vetëm me vullnetin dhe dashurinë për atdheun, flamurin dhe lirinë. Doni ta mbani gjallë patriotizmin dhe historinë zoti KM? Doni të dini si luftuan vlonjatët për flamur e për atdhe? Doni që mesazhi i dashurisë për atdheun i Luftës së Vlorës të nderohet e lartësohet? Ndërtoni një monument për luftëtarin trim, Mehmet Selimi mbi kalin e tij, me fustanellë e qylaf, në sup mavzerin dhe në dorë ULTIMATUMIN, duke dhënë mesazhin e përjetshëm: Vlorën nuk e japim! Për Vlorën e derdhim gjakun lumë! Hiqi ato shkallë e pllaka betoni se edhe në Surrel nuk shkojnë e jo në Vlorë, ku çdo pëllëmbë tokë flet për trimëri e heroizëm. Ke ende kohë të korrigjosh e sjellësh në gjendjen e mëparëshme Sheshin e Flamurit e të plotësosh Sheshin e Pavarësisë në Skelë. Nëse jo, jam i sigurt, që herët ose vonë pasardhësit e vlonjatëve, që shkruan faqet heroike të historisë së Shqipërisë, do të kuptojnë se Atdheu është para partive të kuqe apo blu dhe drejtuesve të tyre sharlatanë, të korruptuar dhe delirantë. Ata do të rindërtojnë Sheshin e Flamurit siç ishte madje do ta plotësojnë me ndërtimin e sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri, do të ndërtojnë kompleksin Muzeal te sheshi Pavarësia dhe do të ngrenë monumentin e Mehmet Selimit para sheshit të Bashkisë. Kjo do të ndodhë sepse gjaku i vlonjatëve dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim.   

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja

EDISONI, FROJDI, BETHOVENI, AINSHTAJNI…

September 1, 2022 by s p

Prof.Dr. Ylli Pango

(Të Parët)

…Llampat u përmirësuan shumë pas tij. Çfarë s’u bë me to. Që nga llampa verbuese, projektorë, ekrane televizorësh…Ku s’u futën llampat. Edisoni zbuloi atë më të thjeshtën. Pas mijëra eksperimentesh…Më të thjeshtën…por të parën…

…Frojdizmi u ripa e u rinovua. U korigjua dhjetra herë pas vdekjes së Frojdit.Lulëzuan dhe neofrojdistët. ( me Frojd brenda). U revizionua e gjithë teoria.

Pati dhe që e hodhën poshtë…Po ai foli i pari.Tronditi gjykime e paragjykime. Besime e bindje. Mënyra të menduari. Moralin e Psikologjinē. E fëmijës. Të birit. Të bijës…Të mbarë familjes. Të një shoqërie të tërê…

…Muzika e Bethovenit, nuk ju dukej muzikë njerêzve tê salloneve. Parive të shoqêrise e të artit aso kohe. Ç’ishte kjo zhurmë. Ky gjëmim. Krejt ndryshe nga ajo çka njihej a quhej me “përkufizim”, muzikë…Ishte kundër çdo rregulli e kornize.

Më vonë e njohën. Kuptuan. Paskej qenë gjeni. Simfonitë e tij-pavdekësi

…Për Ainshtajnin po i kursej rradhët. Ka ende shumica që nuk e përtypin dot…

…Shumë hēngrën bukë pas tyre, prej tyre. Me përpunimin, “nënproduktet”, derivatet e veprave të tyre. Me dekada. Me shekuj…

Të tjerë, (konsumatorë), pak me vonesë, por u ndriçuan edhe ata. Panë qartë. Kuptuan. Ose së paku përfituan.

…Ama kur gjithshka para syve të verbuar, të mbuluar, ishte kaçubishte e ferra, ishin ata që e hapēn rrugën e re. E pastruan. E ndriçuan. E çanë me tru e me forcë vullneti. Me gjeninë e tyre të pamposhtur…

…Nuk duhen mohuar as të tjerē që rrahēn e rirrahēn pas tyre, udhët e hapura syresh. I bēnë bulevarde. Autostrada…

…Ama të parët ishin prapë ATA

Nuk është kollaj të jesh I Pari. Duhet me qenë i rrallë. I çmuar. Super.

Të tjerët janë pasues. Të shumtë

Prandaj mos e lëshoni ashtu kollaj si ndër ne, atë:” Ai është gjeni…”( edhe i vogël pa le)…

Shumë shumë ca njerëz, janë talente. Nuk janë aq të shpeshtë edhe talentet. Janë më të veçantë se të zakonshmit. Krijojnë a interpretojnë muzikë të bukur. Bëjnë zbulime shkencore( më të vogla). Japin ide. Përsosin teknikat…Edhe këta janë të rrallē. Por ja aq të rrallë sa gjenitë.

…Gjenitë dalin një herë në shekull.

E fusin tërë njerëzimin në rrugë të reja zhvillimi…Janë gjigandë…

Bëjnë Epokë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ylli Pango

KËRKESA DHE MOSPRANIMI

September 1, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Ajo që bën një komb nuk është të folurit e së njëjtës gjuhë, dhe as përkatësia së njëjtës prejardhjeje etnografike, por të kryerit së bashku të veprave të mëdha në të shkuarën dhe dëshira për të kryer të tjera të tilla në t’ardhmen”.

Ernest Renan (1823 – 1892), filozof e historian francez

Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit”, në një shkrim të datës 21 gusht 2022 me titull: “ Neo-otomanët refuzojnë kërkesën e Shoqatës “Trojet e Arbërit”për Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren, por Shqiptarët do t’a vendosin atë në Prizren”, me të cilin njofton opinionin publik të gjithë trevave shqiptare brënda e jashtë kufijve të Shteteve shqiptare dhe njëkohësisht edhe Mërgatën shqiptare në të gjithë botën, për një vendim të autoriteteve të Qendrës për Trashëgiminë kulturore në Prizren dhe Këshillit përkatës të saj, se i është përgjigjur në mënyrë johenike kërkesës së asaj Shoqate për të patur lejen e atij institucioni për të vendosur në territorin e qytetit të Prizrenit Muranën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Autori i shkrimit, historiani Nue Oroshi, nuk sjell në njoftimin e tij, tekstin e plotë të mospranimit të kërkesës së Shoqatës nga autoritetet përkatëse të Prizrenit. Pa këtë, që do t’ishte tepër i rëndësishëm në vlerësimin e atij vendimi, nuk mund të jepet një gjykim i saktë rreth kësaj kundërshtie ndërmjet Shoqatës “Trojet e Arbërit” dhe Qëndrës për Trashëgiminë kulturore e Këshillit përkatës të qytetit të Prizrenit. Do t’ishte me interes të posaçëm për të gjithë shqiptarët, të njiheshin nëpërmjet fjalëve tekstuale të vetë atyre zonjave e zotërinjve, ligjërimin e atij vendimi që përbën në tërësinë e tij, një absurditet të pakonceptueshëm për cilindo njeri që flet gjuhën shqipe. 

Mendoj se është detyrë parësore e atyre nëpunësve të emëruar të Qendrës e Këshillit për Trashëgiminë kulturore të qytetit historik të Prizrenit, të dalin me një deklaratë të hapur, në të cilën të shpjegojnë, shkoqur e hollësisht, arsyet përcaktuese të vendimit të tyre, që tejkalon shumë rëndësinë e tyre si organe t’emëruar nga Bashkia e qytetit e ndikon në të gjithë opinionin mbarëshqiptar për lemerinë e llahtarën që bart në vetvete e që përcjell në ndërgjegjet vetiake e kombëtare të secilit shqiptar atdhetar. Ata zonja e zotërinj duhet të jenë të vetëdishëm për vlerat e qytetit që përfaqësojnë e trashëgimin  e tij në fushat kulturore e historike.

Pikërisht ato vlera e ajo trashëgimi mendoj se kanë qënë përcaktuese në nismën e lëvdueshme të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që, me ndihmesën e saj financiare, të sjellë n’atë qytet një tjetër simbol që e lidh me pjesën më të ndritur të historisë shqiptare e figurën e Gjergj Kastriotit, si personaliteti më madhor i saj. N’atë nismë, simbolikisht dhe idealisht, vendoset një lidhje ndërmjet dy shekujsh, atij të pesëmbëdhjetit e atij të nëntëmbëdhjetit, që janë karakterizuar nga dy epope, përmasat e të cilave kanë përcaktuar majat më të larta të shprehjes së vlerave më qenësore të kombit shqiptar e të vetë shqiptarizmës si filozofi, si ide e si program. Këta shekuj, në kujtesën historike të shqiptarëve, u binjakëzuan me emrat e Krujës e të Prizrenit.

Nëse epoka e Gjergj Kastriotit, me periudhën 1443 – 1478, shënoi në historinë evropiane qëndresën shqiptare kundrejt prirjes së perandorisë më të fuqishme të kohës, për të sulmuar Evropën dhe qytetërimin e saj, duke përfaqësuar të vetmen mburojë të tyre, me përfundime të papërfytyrueshme përsa i përket rezultateve në mbrojtjen e kontinentit dhe flijimeve të pashmangëshme të vetë shqiptarëve, Lidhja e Prizrenit 1878 – 1881 nxori në pah një tjetër epope edhe se jo në përmasat e së parës, as si synim dhe as si përfundim. Rëndësia e saj u përcaktua nga mbrojtja e tokave shqiptare nga synimet grabitqare të shteteve fqinjë, të përkrahur nga Evropa mosmirënjohëse që “harroi” shpejt flijimin shqiptar për mbrojtjen e qytetërimit të saj. Lidhja e Prizrenit qe e para përpjekje e vetëdijshme e shqiptarëve në historinë e tyre, për të pohuar së bashku vlerat e tyre si bashkësi historike, etnike, gjuhësore, territoriale, duke kërkuar vëndin e tyre të merituar në fushën kontinentale. Si e tillë ajo mbeti njëlloj e shkruar me gërma t’arta në historinë e popullit tonë, për të cilën jemi krenarë e ballëlartë edhe sot, mbas 141 vitesh. Ajo epope pati si far ndriçues të veprimtarisë së saj të shkurtër pikërisht figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, figurë që frymëzonte të gjithë udhëheqsit e Lidhjes.

Me gjithë stuhitë historike që kanë përcaktuar fatin tonë kombëtar, të detyruara nga fuqi më të mëdha se sa mundësitë tona  për qëndresë, ne si shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë bashkësi të mëdha e më pak të mëdha shqiptarësh kudo që ndodhen, duhet t’a ndjejmë vehten pjestarë të të njëjtit komb, të së njëjtës histori. Si të tillë një nga vlerat tona njerëzore që duhet të na karakterizojnë është nderimi i ynë për të shkuarën tonë, për bëmat e saj të hidhura apo më pak të hidhura, heroike apo më pak heroike, të lumtura apo të trishtuara, të urta por edhe të marra, sepse të gjitha ato përbëjnë atë përvojë që mbetet pasuria e jonë e përbashkët. Mund të jetojmë në Vënde të ndryshme, apo në trevat shekullore tonat, mund të fitojmë të tjera shprehi e të tjera mendësi, simbas mjediseve në të cilët gjindemi, por nuk duhet të harrojmë vetitë tona qenësore të trashëguara, ato që kanë përcaktuar ecjen tonë të përbashkët në hullitë e historisë.

Vendimi i Qëndrës për Trashëgimi kulturore në Prizren më duket se nuk shkon n’atë drejtim. Mospranimi për të gjetur një copëz toke ku të vendoset falas Murana e Gjergj Kastriotit, jashtë çdo lloji argumenti shpjegues që mund të jepet, mbetet një dhunim i hstorisë sonë, i vlerave të saj, i trashëgimisë së saj. Si i tillë ai fyen botën shpirtërore të cilitdo pjestari të kombit tonë, sepse ai godet në zemrën tonë, në figurën më të ndritëshme me të cilën janë njëjtësuar në ëndërrat e idealet e tyre dhjetra breza bashkatdhetarësh tanë. Aq më tepër e dhimbëshme bëhet kjo dukuri, nëse i përgjigjet pohimit të Kryetarit të Shoqatës “Trojet e Arbërit” që padit “neo-otomanizmin” e një pjese të qytetarëve të Kosovës së pavarur si arsyen kryesore të mospranimit të kërkesës së Shoqatës. Po të jetë kështu, ai vendim mospranimi nuk mund të mos zgjojë tek cilido shqiptar atdhetar një zemërim të brëndshëm që del nga thellësitë e zemrave e ka nevojë të shprehet me fuqi e vendosmëri, si një protestë kombëtare kundër një mendësie që nuk duhet të gjejë vënd në shllimet tona, në synimet, në jetën tonë, sepse do të përbënte turpin tonë të shekullit të njëzetenjëtë. 

Mund të ketë individë që mund të kenë mendësi larg shqiptarizmës e parapëlqime të tyre vetiake të hapura apo të fshehta. Është e drejta e tyre t’i ushqejnë apo t’i shprehin ato, por është e papranueshme që të ketë institucione në shtetet shqiptarë që të marrin vendime e qëndrime kundër shqiptare, madje të arrijnë deri në fyerje të vlerave më të larta të vetë kombit.

Le të shpresojmë se Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Ministrive të Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës e asaj të Kulturës, Rinisë e Sporteve, do të ndryshojë atë vendim të turpshëm e do t’i kthejë qetësinë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Uroj me gjithë zemër të jetë kjo zgjidhja m’e mirë, mbasi pështjellimi i autoriteteve të huaj në këtë katrahurë nuk t’i sillte asgjë të mirë e të dobishme dinjitetit tonë kombëtar dhe aftësisë për të zgjidhur vetë problemet tona, qoftë edhe në raste të këtilla, kur më e pakta arsye e shëndoshë do të detyronte përshkimin e rrugës së duhur. Ai pështjellim do të përkeqësonte përfytyresën tonë, tashmë të lënduar nga një tridhjetëvjeçar demokrature jo të hijshme.

                                                                                                   Gusht 2022     

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

BOTA SHUMËPOLËSHE DHE VLERA E VIJËS ATLLANTIKE

August 31, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

Siç ritheksoi Mario Draghi në takimin e Riminit, pjesëmarrja e jonë e ndërlidhur, pa rezerva mendore n’aleancën atllantike, i përgjigjet si interesave tona si vlerave të një shumice italianësh që, deri më sot, nuk ka pranuar alternativat e demokracisë liberale: duke kuptuar për të tillë atë qeveri të përzjerë që ndërthur mbrojtjen (të papërsosur sa të duash) e të drejtave vetiake e të institucioneve të përfaqësimit.  

Atllantizmi, që nga fundi i luftës së Dytë botërore, ka qënë siguri paqeje për Vëndet perëndimorë dhe qëndrueshmërinë demokratike. Ka përbërë kornizën politiko – ushtarake brënda së cilës ka mundur të zhvillohet njënjësia evropiane dhe banorët e pjesës perëndimore të kontinentit të Vjetër kanë qënë në gjëndje të punojnë për të krijuar kushtet e mirëqënies së përbashkët n’Evropë. Por atllantizmi është një krijesë e brishtë, subjekt i rrezikut të shpërthimit. Kërcënimet vijnë nga jashtë, nga pushtetet autoritare, dhe nga brënda, nga ata që në Perëndim urrejnë mënyrën e jetesës perëndimore, ekonominë e tregut, demokracinë.  

Në rrafshin e jashtëm atllantizmi është i kërcënuar nga rënia relative e fuqisë së Shteteve të Bashkuara, nga ngjitja e Kinës, nga imperializmi rus, nga hapësira e shtuar e manovrave të fuqive mesatare autoritare (si Turqia dhe Irani), shkurt nga ajo që për shumë vetë është ardhja e pashmangëshme e rrëmujës që shumëpolarësia sjell me vehte.

Ka të drejtë Vittorio Emmanuele Parsi (në Revista e Politikës) kur vëren  se nëse më së fundi Rusia – bashkëpuntore e dobësimit të mbështetjes evropiane ukrainasve – do të dilte fituese n’Ukrainë, NATO, me gjasë, nuk do t’i mbijetonte gjatë mundjes. Dhe fundi i saj do të përkonte me fundin e atllantizmit.

Pastaj janë trysnitë e brëndëshme. Kush n’Evropë është i frikësuar nga ndikimi i qëndrueshëm i Trump-it mbi partinë republikane, i trëmbet pasojave që brejtja e demokracisë amerikane do të kishte për demokracitë evropiane. Edhe se, duhet thënë, se Shtetet e Bashkuara zotërojnë gjithsesi kundërtrupa mjaft të fuqishëm për t’i qëndruar kthimeve mbrapa të mundëshme e kështu shpresohet.

Kundërshtarët perëndimorë të atllantizmit janë të dy llojeve. Ai më i përhapuri është edhe m’i pagdhenduri: janë ata që shfaqin kundëramerikanizëm dhe kundërshti për demokracinë liberale (vetëm një demokraci e rreme, simbas pikëpamjes së tyre). Por ka edhe një formë më të hollë të kundër-atllantizmit. Paraqitet, në dukje, si i paanshëm politik, vesh rrobet e realizmit politik dhe objektivitetit shkencor. Është qëndrimi i atyre, simbas të cilëve jemi të pranishëm në një ndeshje fuqish ndërmjet perandorish dhe atllantizmi është dora e gjatë e perandorisë amerikane. Ata nuk shprehin parapëlqim për Rusinë apo Kinën. Por thonë se në thelb perandoritë janë të barabarta, dhe në garim janë thjesht projekte të kundërta perandorake në shërbim të interesave të secilës prej tyre. Gabojnë, kur shohin në veprim projekte të kundërta perandorake? Jo nuk gabojnë. Por thonë vetëm gjysmën e së vërtetës. E thënë kështu, gjysma e së vërtetës është baraz me një gënjeshtër. Sepse perandoritë – edhe nëse mund të përcaktohet “perandori” shkurt hegjemonia ndërkombëtare amerikane – nuk janë aspak të barabarta. Simbas përpjestimeve e duke mbajtur parasysh ndryshimet e gjëndjeve historike, ndërmjet Amerikës dhe veprimtarisë së saj në botë nga njëra anë e Rusisë e Kinës nga ana tjetër, ka një hapësirë të barabartë  me atë që, në gjysmën e parë të Shtatëqindës, Montesquieu zbulonte ndërmjet perandorisë së krijuar nga Anglia (tokë e lirisë, simbas filozofit francez) dhe perandorisë despotike ruse t’atyre kohëve.

Është afërmëndsh që Amerika është e zotuar në një shemëri me të tjerat fuqi të mëdha e që mbron pozitat e forcës që ka fituar në botë. Por kufizimi në pranimin e faktit që perandoritë garojnë mes tyre , do të thotë shtirje se nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet rendit ndërkombëtar  të krijuar nga Shtetet e Bashkuara dhe imperializmat autoritarë. Mund edhe t’a quani “rend liberal” atë me drejtim amerikan nëse ju duket një shprehje që nxjerr në pah zëmërbutësinë e tepërt perëndimore. Por mbetet fakti që  i ngjizur (edhe se me kundërshti të pashmangëshme e me çmimin e aq gabimeve) nga shoqëria e hapur perëndimore, rendi ndërkombëtar me drejtim amerikan  është rrënjësisht i ndryshëm nga “paqet perandorake” ruse ose kineze.   

Muri i Berlinit nuk shërbente për t’u ndaluar gjermanëve perëndimorë që të arratiseshin në Lindje. Dhe afganët e gjorë që binin nga aeroplanët n’aeroportin e Kabulit vitin e shkuar nuk donin të shpëtonin se ishin duke ardhur amerikanët. Donin të shpëtonin se amerikanët po iknin. Ka diçka hipokrite në mënyrë të vagëlluar tek ata që i vënë në të njëjtin rrafsh të gjitha perandoritë, ose t’ashtuquajturat perandori. Asnjëri prej tyre, në fakt, nuk do të donte të jetonte nën regjime alla Putin apo Xi Jinping.

Ndoshta, siç thonë disa, për shkak të gabimeve perëndimorë ose të ardhjes së botës shumëpolëshe, atllantizmi është i dënuar. Nëse kjo do t’ishte e vërtetë çfarë duhet bërë? Si do t’i a dalim ne evropianët? Ka ndonjë që mendon se Evropa mund të qëndronte më këmbë vetëm nëse do t’a dëshironte. Por cila klasë drejtuese, ju lutem, do të duhej të kishte drejtuar një Evropë pa mbështetjen amerikane, të detyronte njënjësimin politik dhe mbrojtjen evropiane? Ndoshta Gjermania mund të mishëronte këtë drejtueshmëri? Të shihet me kujdes. Megjithëse historia është përsëri “në lëvizje”, simbas formulës së historianit Arnold Toynbee, Gjermania nuk është e gatëshme të marrë përsipër nderet dhe detyrat e kësaj drejtueshmërie. Pa drejtueshmëri Evropa nuk mund të shpresojë në vetëmjaftueshmërinë politike. Evropa na duhet pa tjetër, por një autonomi e saj e plotë politiko-strategjike nuk është sot e konceptueshme.

Atllantizmi dhe shoqëria e lirë perëndimore mbeten të lidhur me një fije të dyfishtë: simul stabunt, simul cadent. O mbijetojnë sëbashku o bien sëbashku. Le t’a kujtojmë  në këtë fushatë zgjedhore që të gjithë (rusët të parët) vërejnë me kujdes duke hamendësuar që Italia është hallka m’e dobët e zinxhirit atllantik. Në çdo rast lajmërimet për vdekjen e atllantizmit janë të parakohshëm. Loja është e hapur dhe parashikimet të pasigurtë.

“Corriere della Sera”, 29 gusht 2022     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste

Qyteti…

August 31, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Aleksandri quhet i madh jo se dikush e ekzagjeron. Arritjet e tij ushtarake nuk kanë rival në Histori. Nëse Aleksandri nuk do të kishte qenë një figurë historike, por një personazh filmash, të gjithë kritikët do të kishin thënë se historia është për të qeshur; një djalë nga një vend i vogël që sulmon një perandori me një ushtri sa një pjesë e madhe e ushtrisë perandorake, duke ecur nga Greqia në Afganistan, duke pushtuar Afganistanin (gjë që asnjë nga superfuqitë e ditëve të fundit nuk e ka arritur), duke luftuar elefantët në Indi; të ecësh nëpër një shkretëtirë dhe të mos humbasësh kurrë një betejë është e vështirë të besohet.

Megjithatë, përveç ushtrisë, trashëgimia e tij shpesh është anashkaluar. Filipi shpiku dhe Aleksandri vuri në zbatim konceptin e “shtetësisë”.

Deri në kohën e tyre, perandoritë pushtuan njerëz të tjerë dhe, më së shumti, bënë përpjekje për të integruar klasën sunduese.

Filipi dhe Aleksandri e ndryshuan këtë. Ata ndërtuan qytete me popullsi të përzier, banorët e të cilëve kishin një interes të madh për të mbajtur status quo-në. Filipi e kishte prezantuar konceptin duke zgjeruar sundimin maqedonas në territorin jomaqedonas. Filipi ndërtoi qytete të reja, krijoi infrastrukturë të shkëlqyer për të tërhequr njerëz. Por risia e tij ishte se ai u dha banorëve të drejta qytetare për të fituar mbështetjen ose në rastin më të keq neutralitet. Në këtë mënyrë ai u përpoq të integronte në mbretëri popullsi të ndryshme (nga Maqedonia, Iliria, emigrantë nga Greqia jugore, trakë etj.). Aleksandri e zgjeroi konceptin në të gjithë perandorinë e tij. Ky është fillimi i konceptit “kasa – kasolle – cita -qytet” dhe “qytetësi” që romakët trashëguan përmes Aleksandrit dhe e përhapën.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2084
  • 2085
  • 2086
  • 2087
  • 2088
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT