• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU I QYTETËTUAR DHE NJERIU I PAQYTETËRUAR

August 27, 2022 by s p

Thanas L. Gjika/

Dallimet midis njeriut të qytetëruar dhe atij të paqytetëruar janë disa, por kësaj radhe po ndalem tek një, që është ndër kryesorët: qëndrimi ndaj gabimeve.

Njeriu edhe pse mund të jetë i ditur, i pasur, i pushtetshëm e i talentuar, është qenie prej mishi e gjaku, pra është qenie që mund të gabojë në rrethana të ndryshme.

Mirëpo njeriu i qytetëruar, kur e ballafaqojnë me faktet për gabimin/ gabimet, që ka kryer tërhiqet, e pranon gabimin dhe kërkon të falur publike. Kurse njeriu i paqytetëruar pasi gabon nuk tërhiqet, nuk pranon të ndryshojë edhe kur ia venë përpara provat e gabimit /gabimeve ai vijon të ngulë këmbë se është i pafajshëm.

Më kujtohet Zoti Bill Klinton kur ishte në apogjeun e tij si President i ShBA-ve, i verbuar prej pasionit kreu një akt të dënueshëm me zonjushen Levinski, kreu akt seksual gojor. Vajza e emancipuar nuk u tulat, por kërkoi ndëshkimin e këtij akti. Presidenti më i fuqishëm i botës u çekuilibrua dhe e mohoi gabimin. Levinski nuk u tërhoq, pa u trembur se mos pësonte hakmarrje iu drejtua Gjykatës. Gjykata e ndodhur para provave bindëse dha vendimin se Presidenti Bill Klinton ishte fajtor. Presidenti i ndodhur para provave bindëse dhe vendimit të Gjykatës e pranoi gabimin dhe i kërkoi të falur zonjushes Levinski.

Gjithashtu ai i kërkoi të falur edhe bashkëshortes së vet. Mirëpo bashkëshortja e tij, Zonja Hillari Klinton, Zonja e Parë e Amerikës, u trondit nga ky gabimi i rëndë i bashkëshortit. Edhe pse ai i kërkoi të falur, ajo nuk deshi ta falte dhe shpalli se do të kërkonte ndarjen prej tij.

Njerëz të mençur, midis cilëve dhe shkrimtari i talentuar e disident Haveli, Presidenti i Republikës Ceke, iu lut ta falte bashkëshortin, të reflektonte dhe ta gjykonte aktin e tij si një gabim njerëzor të kryer nën nxitjen e institkteve, të cilat e errësojnë logjikën njerëzore.

Zonja Klinton pranoi këshillën dhe tërhoqi padijën. Familja nuk u prish.

Thashethemnaja kaloi, jeta vijoi si më parë, por duke marrë një mësim: Edhe njerëzit e pushtetshëm, të pasur e me kulturë janë njerëz, mund të gabojnë, por duhet të pranojnë gabimet dhe t’i dënojnë ato, të tërhiqen dhe të kërkojnë të falur. Po ashtu, kur dikush u kërkon të falur, për një gabim që u ka bërë, njeriu i qytetëruar e fal, pranon të tërheqë kërkesën për ndëshkim…

Kjo ndodhi në Amerikë, por bota e paqytetëruar nuk deshi të merrte mësim.

Në Shqipëri, njerëz të shkolluar, të pushtetshëm e të talentuar bënë gabime gjatë regjimit diktatorial, bënë gabime e krime edhe gjatë tranzicionit, por kur vihen para provave për gabimet e krimet e tyre, ata nuk kërkojnë të falur.

Kështu po vdesin të papenduar shumë shqiptarë që kishin përfituar privilegje gjatë diktaurës dhe tranzicionit, që kishin kryer gabime e krime, kështu po vijojnë të mos pendohen e të ngulin këmbë se nuk kanë gabuar dhe shumë prej mëkatarëve, që janë ende gjallë.

Sy kanë, po nuk shikojnë; veshë kanë, po nuk dëgjojnë; mendje kanë, po nuk u funksionon, pse, sepse janë të paqytetëruar e nuk pranojnë të kërkojnë të falur…

Filed Under: Kulture Tagged With: Thanas L Gjika

KFOR COMMANDER MEETS WITH LOCAL OFFICIALS ACROSS KOSOVO

August 27, 2022 by s p

PRISTINA. – In the course of the week, the Commander of the NATO-led mission KFOR, Major General Ferenc KAJÁRI, met with Mr. Albin KURTI from the Institutions in Kosovo, Mr. Goran RAKIĆ, head of the Serbian List party, and the Mayors of the four northern municipalities of Kosovo.

The KFOR Commander discussed the security situation in northern Kosovo and informed the parties about KFOR’s ongoing activities and efforts to continue ensuring security and freedom of movement and prevent any escalation of the situation. General KAJÁRI said that KFOR remains fully focused on the daily implementation of its mandate – based on the United Nations Security Council Resolution 1244 of 1999 – to ensure a safe and secure environment and freedom of movement for all communities in Kosovo. The KFOR Commander, in line with previous statements, made clear that KFOR troops had not been engaged in training activities with the Kosovo Police and the Kosovo Security Forces, as wrongly stated in some media reporting. He also reiterated that KFOR monitored with concern the roadblocks in northern Kosovo on 31 July and recalled the risk for such a tense situation to turn into violent incidents.

KFOR remains impartial and committed to provide the security framework in which the EU-facilitated Dialogue between Belgrade and Pristina can continue. General KAJÁRI urged the parties to avoid unilateral actions, maintain restraint and refrain from violence.

Filed Under: Fejton

NJË NATË E PAHARRUAR NË KRAJEN SHQIPTARE

August 27, 2022 by s p

“Nata e Diasporës” dedikuar studiuesit dhe gjuhëtarit të shquar Dr.Ismail Doda.

Nga Ramazan Çeka

U nisa me kënaqësi të madhe të marr pjesë në këtë aktivitet, jo thjeshtë si gazetar, por edhe si një bir i kësaj treve, më saktë krahine, ku kanë lindur të parët e mi, ku unë kam origjinen time që është thellësisht shqiptare, por që një vijë e vendosur padrejtësisht e ka ndarë bashkë me disa vise të tjera nga trualli etnik shqiptar.

Kraja është një krahinë që në pozicionin e saj gjeografik duket sikur Liqenin e Shkodrës e ka në prehërin e saj. Ajo është madhështore, jo vetëm gjeografikisht, por dhe historikisht, pasi duke qenë një Malësi, ajo si askush tjetër ka ruajtur me pastërti traditat e lashta shqiptare, por mbi të gjitha Eposin Legjendar Shqiptar.

Në ato lugina, kroje, bjeshkë, për mijëra vjet u ruajtën këto pasuri të mrekullueshme, këto këngë, këto zakone e tradita, për të cilat në gjithë jeten e tij u kujdes për t’i studiuar, dokumentuar e publikuar, Dr. Ismail Doda, profesori i nderuar, mësuesi më i respektuar në trevat shqiptare të Malit të Zi, ai burrë që në këtë krahinë kaq interesante ia kushtoi jeten shqiptarizmës.

Respekti për birin e kësaj krahine dhe vepren e tij ishin motivi që Shoqatat “Kraja” në Amerikë me kryetar z. Sami Kandaqi dhe në Krajë me zonj. MeDina Curra, u frymëzuan që aktivitetin e këtij viti t’ja dedikojnë këtij personaliteti.

Gushti, si një muaj i nxehtë i tërheq njerëzit nëpër plazhe dhe resorte, por mërgimtarët që kanë origjinen nga kjo krahinë, vijnë në vendlindjen e tyre për të organizuar edhe aktivitete të ndryshme, që tanimë, kanë krijuar edhe traditë.

Gjithmonë tematikat e këtyre aktiviteteve janë të bukura e të larmishme, janë pasqyrë e një kulture mijëra vjeçare, por falë organizatorëve ka edhe zgjedhje të bukura e të duhura. E tillë ishte “Nata e Diasporës” në Krajë. Bijtë e bijat e Krajës, familjarët e tyre, nipërit e mbesat, këtë radhë kishin bërë një zgjedhje shumë të veçantë: Nderimin për birin e tyre të shquar, mësuesin e shumë e shumë brezave.

Të gjithë e uronin në këtë “sofër” njëri-tjetrin “Mirë se keni ardhë”, për të nderuar burrin e ditur dhe të shquar Dr. Ismail Dodën, pasi kontributi i tij nuk është vlerë vetëm atë, por gjithë krahinen tonë.

Të kthehemi tek festa kaq e bukur dhe madhështore që freskoi këtë mbrëmje krajane, jo vetëm për spektaklin e organizuar, por për emocionet që përjetohen në vendlindjen e të parëve, e në rastin tonë në këtë krahinë kaq të bukur që quhet Krajë.

Në këtë krahinë ka lindur i pari shqipshkrues i gjuhës së bukur shqipe, humanisti Gjon Buzuku, autor i të parit “Meshar” shqip, por pas 500 vjetëve ka lindur edhe një shqipstudiues, Ismail Doda, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga të gjithë akademikët dhe shkencëtarët albanalogë, duke e pranuar atë në mes tyre, jo si titull honoritik, por si i barabartë, sepse kontributi i Dr. Ismail Dodës për krahinen e Krajës, përkatësisht gjuhës dhe folklorit shqiptar është i paçmuar.

U ndala, por jo gjatë tek figura e Dr. Ismail Dodës dhe nënvizova motivin qytetar e krahinor të këtij aktiviteti, të cilin natyrisht organizatorët nuk e kishin planifikuar si një aktivitet solemn, por si një mbrëmje të bukur, entuziaste, me mall për të gjithë bijtë e saj, për vendas e të ardhur.

“Nata e Diasporës” u përjetua nga të gjithë pjesëmarrësit si një festë madhështore në qendër të Krajës, në Ostros, në qytezën e vogël e të bukur që gjithmonë ka qenë qendra e të gjithë krajanëve.

Kjo sofër bujare dhe tradicionale bashkon ndër vedi njerëz të një origjine dhe të një gjaku dhe ruan një rol shumë të rëndësishëm, atë të ruajtjes së marrëdhënieve të lashta fisnore, të lidhjeve familjare dhe të një mësimi të madh, të edukimit të brezave dhe trashëgimisë së këtyre vlerave.

Kështu pra në këtë spektakël madhështorë, me mall e emocion u pritën bijtë e Krajës, jo thjeshtë si Diasporë, por si ata që me të afërmit e tyre mbajnë të gjallë e të pavdekshme Krajën.

Performancat e mrekullueshme të artistëve të skenës, të këngëve dhe valleve, natyrisht e bënë këtë mbrëmje të nxehtë gushti të këndshme, të gëzuar dhe të freskët.

Interpretimet e këngëtarëve “Mjeshrave të Mëdhenj” Shaban Gjekaj dhe Gëzim Salaj u pasuan nga të mrekullueshmit këngëtarë Hajro Ceka, Vida Kunora, Gentjana Tafili, Myzafer Koliqi, Vesel Pelinku Egzona Salaj, Blerim Marshiqi, Ismet Aloshi, Luigj Lukiqi, etj. shoqëruar nga instrumentisti Ardit Seferi.

Asnjë gjeth nuk lëviste, ku dukej se edhe gështenjat madhështore po tregoheshin indiferente, por zërat e mrekullueshëm përcillnin freskinë e tyre si një fllad që vinte nga Liqeni Legjendar i Shkodrës.

E fillova shkrimin me një farë detyre që i vura vetes për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe e kam për detyrë ta mbyllë me kënaqësinë e madhe që ndjej në këto momente që po shkruaj.

Ishte një udhëtim i paharruar. Çdo udhëtim ka peripeci e vështirësi dhe nganjëhërë sa më shumë që ndodhin, aq më të bukur bëhen.

Kraja nuk është larg nga Shkodra, por të jesh pjestar, grup me gazetaren dhe moderatoren e mrekullueshme të TV1 Channel të Shkodrës, Linda Kavaja Doda, e cila është bijë nga këto krahina, rruga bëhet më e lehtë, por në këtë rast këtë udhëtim na e bënë më të këndshëm këngëtaret e mrekullueshme Vida Kunora dhe Gentjana Tafili.

Surpriza e parë pasi kaluam kufirin në Muriqan erdhi e këndshme për ne në lokalin “Panorama” ku na priti miku im i mrekullueshëm Mirsad Kovaçi, ish kryetar i Shoqatës “Kraja” në Amerikë.

Pak orë më pas na priti organizatori i kësaj veprimtarie, i nderuari Safet Doçi, anëtar i Shoqatës “Kraja” në Amerikë, gjithmonë i gatshëm për vendlindjen, i cili edhe na kishte ftuar dhe për këtë kemi një falenderim të veçantë. Gjithashtu me shumë mirënjohje na pritën edhe Nënkryetarja e Shoqatës “Kraja” në Amerikë zonj. Venera Gjenashaj, si dhe Kryetarja e Shoqatës “Kraja” në Krajë zonj. MeDina Curra, e cila ishte edhe pjestare e organizimit të kësaj veprimtarie artistike.

Spektakli filloj në mbrëmje, ku menjëherë në podiumin e tij u ngjten moderatoret simpatike Fatjona Vukaj dhe Linda Kavaja, të cilat me performancat e tyre eklektrizuan të pranishmit, duke përcjellur emocionet që artistët sollën në këtë skenë.

Në këtë shkrim nuk mund të lë pa përmendur përkushtimin e z. Mirsad Kovaçi që këto ditë bëri të mundur përmes sponsorizimit të tij një këngë kushtuar Krajës, me këngëtaren e mrekullueshme Vida Kunora, i cili u bë edhe shoqëruesi dhe ndihmësi ynë kryesor, duke na qëndruar pranë dhe duke na lehtësuar të gjithë mbarëvajtjen e punës sonë për realizimin edhe filmik të këtij aktiviteti, ku më interesantet ishin intervistat, pasi Mirsadi ishte më i njohur me të gjithë aktivistë e këngëtarë të ardhur nga Diaspora e deri në Shkodër e Ulqin.

Qershia mbi tortë ishte kur në skenë u ngjit personazhi kryesor i mbrëmjes, profesori, ashtu siç e thërrasin të gjithë, mësuesi veteran i shumë e shumë brezave dhe studiuesi i shquar i kësaj treve Dr. Ismail Doda.

Z. Safet Doçi, organizatori i këtij aktiviteti i dhuroi me shumë emocion një çertifikatë “Mirënjohje”, duke i shprehur publikisht me fjalët edhe mirënjohjen e tij: “Jam shumë i emocionuar që në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme më jepet mindësia ta nderoj profesorin, atdhetarin tonë të shquar”.

Me shumë fjalë emocionuese Dr. Ismail Doda mori çertefikatën e mirënjohjes dhe nderoi organizatorët, publikun dhe Krajen.

Gusht 2022

Filed Under: Kulture

Pse libri “E kam në zemër pupullin tem Shqiptar”?

August 27, 2022 by s p

Botimi anglisht Drita – Illyria, New York, 2022, f. 110.

Kush dashuron, gjithmonë jeton ose trashëgimi dhe frymëzim

Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull ”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?

Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.

Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjilli i pestë”, sepse botohen si tërësi:

7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minin;

5 vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986);

fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” (10 dhjetor 1979);

përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me Nënën Tereze gjatë gjithë këtyre viteve, apo “Nëna ime Tereze”, me pesë faksimile apo dorëshkrime burimore të saja në gjuhën shqipe, si dhe shumë fotografi që botohen për herë të parë..

Botimi anglisht ka edhe dy risi:

kapitulli i fundit, Shën Nëna Tereze dhe bashkësia shqiptaro-amerikane, f. 94- 106;

intervista e Avni Spahiut me Nënën Tereze në aeroportin e Prishtinës (1980), f. 1 107 – 109.

Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar që, sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk ka pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;

Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;

Për ta imituar, së paku në mirësi dhe dashuri, në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe.”

Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.

Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.

Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen. Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne nga koha apostolike, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.

Tradita jonë ilire, arbërore, shqiptare, mikpritja dhe bujaria, të begatuara me motive ungjillore, janë gërshetuar mjeshtërisht, hyjnisht në jetën dhe veprën e Shenjtëreshës së jetës dhe të dashurisë, në Shën Nënën Tereze.

Prandaj, 25 – vite pa Nënën Tereze, fizikisht, vite këto të hireve dhe bekimeve me të Lumen dhe Shën Nënën Tereze, për Kishën dhe Popullin tonë.

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar si dhe për botën mbarë!

Prishtinë, 26 gusht 2022 Don Lush GJERGJI

Filed Under: Analiza

VATRA DHE KONTRIBUTI I SAJ NE NGRITJEN E MARREDHENIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE   

August 27, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane këtë vit celebrojnë 100-vjetorin e zyrtarizimit diplomatik. Për shqiptaret është nder dhe privilegj që të kemi mik, shtetin demokratik, i cili u gjend në krah të shqiptarëve në momente vendimtare për kombin shqiptar. Diaspora shqiptare në Amerikë ka patur rol të rëndësishëm në ngritjen e marrëdhënieve politike e diplomatike me përfaqësues të politikes dhe administratës amerikane për interesa të çështjes kombëtare. Ajo që mund të pohohet dhe është për t’u vlerësuar përgjatë këtyre dekadave shqiptarët e Amerikës, edhe pse larg fizikisht, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira e madhe për të kontribuar për vendlindjen ka qene dhe vazhdon të jete e fortë. Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptareve për të bashkërenduar forcat dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kane qenë një zë i forte qysh para zyrtarizimit të marrëdhënieve diplomatike e deri në ditët e sotme. Në këtë proces Federata Pan-shqiptare “Vatra” zë një vend të rëndësishëm në ngritjen dhe kultivimin e këtyre marrëdhënieve ndërkombëtare.

Federata Vatra, qysh në fillesat e saj kur u zyrtarizua në vitin 1912 përpiqej të bënte me dije opinionit publik amerikan dhe shprehte pakënaqësitë në lidhje me padrejtësitë që ju bënë territoreve shqiptare. Më, 17 nëntor 1912 Vatra organizoi një miting të madh në Boston për të kundërshtuar publikisht, ndaj planeve të Aleancave Ballkanike dhe Fuqive të Mëdha për copëtimin që i kanosej të tokave shqiptare. Shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe aleancat e krijuara në dëm të tokave shqiptare, u kundërshtuan nga vatranët dhe pati reagime të forta nga Vatra. Mitingu i 17 nëntorit 1912 u finalizua me një telegram dërguar presidentit të Amerikës, William Howard Taft, ku i kërkonin të ushtronte autoritetin e tij për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi. Po ashtu, Vatra iu dërgoi telegram Perandorisë Austro-Hungareze, Gjermane, Mbretit të Italisë, ministrit te Jashtëm të Rusisë, ministrit të Jashtëm të Francës si dhe Papës në Vatikan. 

Vatra i ndiqte me interes të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri,  dhe më shqetësuesja për t’a në këtë periudhe ishte “Konferenca e Ambasadoreve ne Londër” mbajtur 1912-1913 me përfaqësues ndërkombëtare nga (Britania e Madhe, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia, Franca dhe Italia) . Vendimi i “Konferencës së Paqes në Londër” që përgjysmoi territoret shqiptare u kundërshtua fort nga shqiptaret. Vatra shprehej kategorikisht kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, e cila shprehte pakënaqësitë me organizimin e protestave dhe pati shkrime të shumta në shtypin periodik të gazetës Dielli. 

Me fillimin e luftës së Parë Botërore dukej sikur politika amerikane nuk po interesohej për të drejtat e popujve të shtypur, ndërsa me hyrjen e saj në luftë ngjallte shpresa se kjo fuqi e madhe do të sillte ndryshime në spektrin e gjere gjeopolitik dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1917 Ministri i Marinës së SHBA i bënte thirrje Vatrës të organizojë diasporën shqiptare të Amerikës për të dërguar marinarë shqiptare në flotën e Adriatikut. Shqiptaret iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së ministrit. Në një telegram dërguar presidentit amerikan, në emër të 60 000 shqiptareve që jetonin në Amerikë, Kol Tramara, i deklaronte solemnisht se shqiptaret “do ta quajnë për nder të luftojnë për njerëzinë, lirinë, qytetërimin dhe të drejtat e kombeve të vogla nën flamurin e lavdëruar te Amerikës”. Shqiptarët mbajtën premtimin dhe dërguan më shume se 3000 shqiptar mbi baza vullnetare dhe iu bashkuan ushtrisë amerikane. Shqiptaret pohonin që ky qëndrim është në përputhje me interesat kombëtare dhe e gjykonin se ishte një mundësi e mirë  për të ndihmuar Shqipërinë dhe Amerikën, si dhe për të dëshmuar se janë në anën e amerikanëve.

Me datën 15 mars 1918, Federata Vatra i dërgoi një telegram presidentit të Amerikës, Woodrow Wilson lidhur me protektoratin italian mbi Shqipërinë. Telegrami përshkruan situatën në Shqipëri të vitit 1918 duke marre spunto nga e shkuara historike dhe padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar. AQSH, F. Shoqëritë  Shqiptare  në SHBA, V.1918, D. 15, fl. 1-9, citoj pjesë të telegramit: Kohë mbas kohe, pjesë të Shqipërisë janë shkëputur për të kënaqur pretendimet ushtarake të shteteve fqinje, dhe në qoftë se Konferenca e Paqes do t’i përmbahet principeve të kombësisë, atëherë duhet të ngrejë në këmbë një shtet me dinjitet të madh, me një territor më të gjerë se ky i shtetit të sotëm të Shqipërisë, duke përfshirë edhe qytetet e Prevezës, Janinës, Ohrit, Dibrës, Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës dhe malësitë e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudë.

Lobimi i diasporës shqiptare për të krijuar mundësi komunikimi dhe lidhje me përfaqësues të lartë në SHBA ishin të vazhdueshme. Në një letër të Kol Tromarës drejtuar Mehmet Konicës më 30 korrik 1918 nga Boston, thuhet që Fan Nolit ka zhvilluar një takim shumë të rëndësishëm me Presidentin Wilson dhe i pohonte se, citoj: “Fan Noli u takua me Presidentin Wilson në bordin e anijes “May flower” më 4 korrik 1918, duke qenë i ftuar si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve të Amerikës për të shoqëruar Presidentin në varrin e G. Washingtonit. Ai pati rastin të fliste më se njëherë me Presidentin rreth Shqipërisë. Presidenti Wilson e dëgjoi atë me dashamirësi e interes dhe i tha: “Unë do të jem një zë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe do të përdor atë për të mirë të Shqipërisë”. 

Po ashtu, një tjetër bisede e rëndësishme në interes të çështjes kombëtare është takimi i Fan Nolit me ish-presidentit e SHBA, Roosvelt. Më 25 korrik 1918, Noli pati një bisedë të gjatë me ish presidentin Roosvelt në Klubin Harward të New York-ut. Kolonel Roosvelt i dha këtë mesazh për shqiptarët: “Unë besoj se Pavarësia e Shqipërisë mund të rivendoset nën proteksionin e garancinë e përbashkët të Amerikës, Anglisë, Francës. Unë do të jem i gëzuar sikur të bëja ndonjë gjë që është në dorën time për të arritur këtë rezultat”.                                                                          

Vatra arriti të organizojë dhe dërgoi një delegacion për në Evrope në prag të Konferencës së Paqes të mbajtur në Paris. Shqiptarët synonin të arrinin të mbronin tërësinë territoriale të tokave shqiptare. Shpresohej se ShBA do të ishte një mike pajtuese midis të gjithë kombeve ballkanike, të gatshme për konflikte dhe pas një periudhe të caktuar do të krijonte mundësinë e përcaktimit të kufijve në Ballkan në bazë të parimit të etnive dhe të vetëvendosjes.  

Konferenca e Versajës, organizuar prej 18 janar 1919 – 21 janar 1920 kishte qellim shuarjen e konflikteve me moton dhënia fund e gjendjes së luftës midis palëve të konfrontuara. Konferenca që në fillim u kthye në arenë debatesh midis vetë fuqive fituese për shkak të ndarjes së përfitimeve. Në këto rrethana Shqipëria ishte vendi që rrezikonte copëtimin. Kuvendi i mbledhur në Paris ishte për të vendosur fatet e popujve dhe të territoreve,i cili ndiqej me interes të madh. Pra, fatet e kombeve te vogla, ishin në dore të të mëdhenjve. Përsa i përket diskutimeve të çështjes së Adriatikut dhe rreth Shqipërisë, presidenti Wilson shprehej se memorandumi “ruan në një masë të gjerë unitetin e shtetit shqiptar” kurse kompromisi i 14 janarit “e ndan popullin shqiptar midis tri fuqive te huaja”. Ndërhyrjeve SHBA me qëndrimin e vendosur të presidentit Wilson, i detyroi aleatët evropian të tërhiqen dhe rezultoi shpëtimtare për shtetin shqiptar. 

Përfaqësues të Vatres në Amerikë, me në krye Kosto Cekrezin ishin në kontakte të vazhdueshme me senatin amerikan, me Departamentin e Shtetit dhe me personalitete te ndryshme politike amerikane. 

27 marsi i vitit 1920 është një date e rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro amerikane, ndonëse Shqipëria nuk kishte zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me ShBA. Për here të parë emërohet një përfaqësues i Shqipërisë, një komisioner pranë departamentit te shtetit, (edhe pse nuk kishim marrëdhënie zyrtare diplomatike). Ky ishte një sukses i madhe politik, në te cilin Vatra ishte kontribuues kryesor  për emërimin ne ketë post te rëndësishëm. Komisioneri shqiptar i kërkonte qeverisë Amerikane: njohjen e pavarësisë dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Shqiptarët përpiqeshin të bindnin qeverinë amerikane dhe shefin e diplomacisë amerikane për vendimet e Kongresit Kombëtar  të Lushnjës që përfaqëson vullnetin e palëkundur të popullit shqiptar në harmoni të përcaktimit të SHBA në favor të pavarësisë së Shqipërisë dhe me vendosmërinë e Presidentit Wilson që  e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi.   

Pas kongresit te Lushnjës, i cili u mbajt në janar të  vitit 1920, Vatra i përqendroi objektivin e saj për njohjen e qeverisë shqiptare nga Departamenti i shtetit. 

Një tjetër takim i rëndësishëm me përqendrim të institucionalizimit të Shqipërisë me ShBA ishte takimi i Kosto Cekrezit me sekretarin Amerikan të Shtetit, më 7 prill 1920 ku i kërkonin përkrahje në konsolidimin e shtetit shqiptar nga pala institucionale amerikane. 

Sekretari Amerikan i Shtetit, Colby i deklaronte Cekrezit se duhet të presim dhe pak kohë për njohjen. Takimet vijonin të ishin pjesë e agjendës së përfaqësueseve shqiptarë me përfaqësues të larte mund të citohet takimi me sekretarin e Presidentit, Timulty; drejtorin e punëve të Ballkanit W. D Robbins etj… në vijimësi të takimit, Cekrezi mori përgjigje pozitive nga Robbinson ku i deklaroi se çështja e njohjes “ u vu në udhë nga ana e tij sipas vijave të përgjithshme dhe se ishte përgatitur memorandumi, me anë të cilit i rekomandohet Sekretarit të Shtetit njohjen e Shqipërisë”. 

Vatra me diasporën shqiptare ishin të përqendruar për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi dhe njohjen e Tiranës zyrtare nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Duhet theksuar se, Shqipëria ishte vend i panjohur për popullin amerikan, por falë lobimeve e takimeve me përfaqësues të larte të Shtetit Amerikan, ata arritën të jenë një zë i fuqishëm për interesa kombëtare. Përpjekjet për njohjen e Tiranes zyrtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike janë një rezultat konkret dhe patën rendësi të veçantë për të prezantuar çështjen shqiptare në Departamentin e Shtetit dhe për t’ju bërë të njohur opinionit publik amerikan nëpërmjet medieve dhe më gjerë. Bashkëpunimi dhe investimi i diasporës shqiptare me në krye Federatën Pan-shqiptare “Vatra” ishte aktor kryesor për vendosjen e marrëdhënieve institucionale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, në ketë vit jubilar te 100 vjetorit, mund të thuhet se Vatra dha një ndihmese të madhe së bashku me diasporën shqiptare të Amerikës në interes të kombit, në ruajtjen e trashëgimisë etnike si dhe për koordimin e veprimeve të tyre përkrah të mëdhenjve. Vatra arriti të organizoje diasporën shqiptare nëpërmjet një qendre për të koordinuar nismat si një organizim unik për të përfaqësuar forcat kombëtare dhe me qellim për të ndihmuar aspiratat në ShBA dhe me gjerë. Vatra ia doli me sukses nëpërmjet bashkëpunimit midis shqiptareve dhe me kontakte te vazhdueshme me institucionet e larta amerikane duke qenë një zë i larte për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve duke ndikuar pozitivisht për të përdorur ëndrrën e lirisë në shërbim të vendit ku jetojnë dhe për ti shërbyer kombit.   

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë mban datën 28 korrik 1922 kur shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë e tij, pas vetos së presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson që vuri në Konferencën e Paqes në Paris, për t’i rikthyer pavarësinë Shqipërisë. Ky 100 vjetor shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme për shqiptarët në arenën ndërkombëtare si një prej pikave kulminante për diplomacinë shqiptare në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ShBA. Kontributi i diasporës shqiptare në Amerike ishte mjaft i rëndësishëm gjatë këtij procesi ndërkombëtar, ku padyshim Vatra dhe vatranët ishin aktore të rëndësishëm gjate këtij procesi. 

Filed Under: Politike Tagged With: Paulin Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2092
  • 2093
  • 2094
  • 2095
  • 2096
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT