• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festa që më kujton Nanën

July 9, 2022 by s p

Bajram Mjeku/

Sa herë ofrohet ndonjë festë apo event familjar, është e pamundur të mos e kujtosh Nanën, më saktë shenjtërinë e njerëzimit në këtë botë.

Lidhja midis Nanës dhe fëmijës mbetet gjithmonë e veçantë dhe dashurinë për nanën e ka të vështirë ta portretoj secili njeri, qoftë edhe ne që e njohim zejen e shkrimit. Vjen një moment i vështirë e thua; asnjë gjuhë amtare në botë nuk ka leksik aq të pasur për të shprehur ndjeshmërinë dhe dashurinë për nanën!

Me lexuesit e mi, dua të ndaj një episod të jetës time në prag të festës, por që nuk do të bëj ndonjë “zbulesë”, pasi secili nga brezi im i ka përjetuar këto episode siç i kam përjetuar unë.

Në prag të festave, nana ime kujdesej fort për pastërtinë e trupit të secilit nga ne fëmijët dhe sa herë më fuste në banjo, përdorte një refren që më është ngulitur fort në kujtesë:

– Nuk ia vlen të kesh vetëm shpirtin e pastërt, pa e patur edhe trupin!

Ceremonia e larjes nuk bëhej sa për të thënë, por zgjaste disa minuta dhe në prag të festave ishte edhe më e veçantë. Edhe sikur të isha larë një orë më parë, ajo e përsëriste këtë, për respekt të festës dhe për dashurinë ndaj Zotit. Në fillim me duart e saj provonte ujin mos ishte tepër i nxehtë, pastaj vazhdonte pastrimin e trupit tim me shumë pasion, ashtu siç është pasionante dora e nanës mbi trupin e fëmijës së saj.

Nana ime ishte një besimtare e devotshme, por jo “pompoze”, duke lëshuar zë që ta dëgjojnë të tjerët se i lutej Zotit. Kam ndjesinë se derisa lutej në këtë mënyrë, lutjet e saj ishin më kuptimplote dhe më të fuqishme, derisa në këtë pjesë vazhdoj ta admiroj derisa të jem gjallë.

Mbas ceremonisë së larjes, e veçantë ishte edhe ajo e veshjes. Nanat e brezit tim nuk mbanin parfime të ndryshme siç përdoren sot, por arkat e tyre ku i mbanin të palosura rrobat tona, mbanin erë mollësh dhe ftonjësh dhe këto erëza të ëmbla nuk i zëvendëson asnjë parfim i kohës sonë.

Ditën e Bajramit të Vogël, do t’ia dedikoj nanës time dhe lutjet e mia nuk do t’i bëj pompoze, ashtu siç nuk i bënte nana ime e mirë. Lutjet e mia për shpirtin e saj do t’i ndjej vetëm Zoti…

Filed Under: Fejton Tagged With: Bajram Mjeku

KODORKOVSKI: “ME PUTININ TË GJALLË NUK KA PAQE. TË BISEDOHET NUK KA KUPTIM”

July 9, 2022 by s p

Nga ANDREA NICASTRO/

KIEV – Mihail Kodorkovski mendon më të keqen e mundëshme për Vladimir Putinin dhe është e lehtë të kuptohet përse.  Më 2003 ishte njeriu më i pasur i Rusisë dhe Putini, atëherë president, e shkatërroi me një sërë dënimesh për mashtrim, mos pagim taksash, qarkullim parash të pista. Kodorkovski përfundoi dhjetë vite në burg e pastaj në mërgim. Duke shtrydhur atë, Putini i dha shëmbullin të gjithë  pasanikëve të tjerë mbas sovjetikë: kush e ngre kokën e humb atë. Në Londër që nga viti 2015 ish oligarku rus mbetet kundërshtari rus më me ndikim, kontaktet e tij e njohja e mekanizmave të brëndëshme të Kremlinit e kanë kthyer në një nga analistët më të ndritur të putinizmit. 

Kodorkovski, kur do të mbarojë kjo luftë?

“Kur Putini të ketë arritur përfitimin më të madh që fuqia e tij i premton ose kur të fillojë të humbasë si pasojë e fuqisë që e kundërshton”.

E nëse, në sajë të armëve perëndimore, Ukraina do t’a zbrapste mësymjen?

“Putini do t’a bindëte popullin e tij se sidoqoftë ai ka fituar”.

A është e mundur? 

“Opinioni publik rus, si shumë të tjerë, e ka kujtesën të shkurtër. Synimi i shpallur nga Kremlini, në fillim ishte ndryshimi i regjimit në Kiev. Tashmë është bërë Donbasi. E të gjithë në Rusi i besojnë. Të ndryshojë përsëri shpjegimi nuk do t’ishte problem.”

Propagandë apo jo, sidoqoftë a do të vijë paqja?

“Deri sa Putini të jetë i gjallë, jo. Kufiri i 2500 kilometrave do të jetë gjithmonë i nxehtë, siç ishte muri i Berlinit. Nëse Putini do të pranonte një armëpushim, do të shpërthente një tjetër luftë sa më shpejt. Vëndet Balltike dhe Polonia janë synimet e tij të ardhshëm. Prandaj duhet përmbajtur me forcë. Bisedimet nuk kanë kuptim.”

Një rrymë mendimi e mishëruar nga Kisinxheri  nuk është n’atë mëndje.

“Kisinxheri dhe njerëzit e tij nuk e kuptojnë se me kë kanë të bëjnë: Putini nuk është një politikan, është një kriminel që ka shkrirë fatin e tij me atë të Shtetit.”

Pastaj?

“Nga e shkuara e tij në Kgb, shërbimi i fshehtë, Putini ka ruajtur përçmimin për jetën njerëzore. Për të qytetarët janë vetëm vegla të Shtetit. Ndërsa nga psikologjia e tij kriminale rrjedh se do të ndalohet vetëm kur të kuptojë se ka para vetes ndonjë më të fuqishëm se ai”.

Duke arsyetuar kështu mbërrihet në përballimin bërthamor.

“Atomikja do të ishte më shumë një problem se sa një dobi për Putinin. Gjeneralët rusë nuk duan të proçedohen për kriminelë lufte, NATO do të mund të përgjigjej duke vënë në shënjestër pikërisht Putinin dhe, mbi të gjitha, asnjë “i marrë i dobishëm” në botë nuk do t’a mbronte më. Putini ka frikë të shpallë mobilizimin e përgjithshëm për të mos gjindur popullin kundër. Merret me mënd sa don të përdorë bombën atomike”.

A keni njoftime mbi sëmundjen e carit?

“Zëra. Edhe sikur t’ishte, nuk më ngushullon. E dij se lufta do të shkojë gjatë. Vetëm një thyerje ushtarake mund t’a shkarkojë. Kështu ka qënë gjithmonë në historinë ruse”.   

A pritej kaqë vështirësi për të mbizotëruar në Ukrainë nga ana e “fuqisë së dytë ushtarake në botë”?

“Duke përjashtuar arsenalin bërthamor, Rusia nuk është aq e fuqishme. Dhe po e vërteton. Shtetet e Bashkuara dhe Kina po e kuptojnë me qetësi. Rezervat janë ende të pakufishme, mund të fitojë mbi Ukrainën, por ka treguar se “putinizmi” nuk funksionon. Rrethi i tij i tregon atë që ai don të shohë e ndërkaq vjedh ç’është e mundur, si ai nga ana tjetër. Është naive të presësh efektshmëri nga këta njerëz.”

Juve deshët t’i shisni naftë Kinës. Tani e bën Kremlini për t’i ikur sanksioneve perëndimore.

“N’atë çast, teknologjia ruse ishte më e pëparuar se sa ajo kineze. Për Moskën do të kishte qënë një dobi strategjike. Sot nuk është më kështu. Putini i flet Kinës me kësulë në dorë. E do të shkojë gjithënjë e më keq. Për çsstin sanksionet perëndimore kanë kufizuar ndikimin e agjentëve të Putinit mbi politikën perëndimore, por nuk kanë plagosur ende ekonominë ruse. Ndërsa në afatet e mesme, do të pengojnë rritjen teknologjike e do të gjymtojnë pritmëritë e Vëndit”.

Bllokimi i  mallrave i detyruar nga Lituania në enklavën e Kaliningradit, a mund t’a shtynte Putinin të zgjeronte luftën?

“Nuk e shoh të fillojë një mësymje tjetër, por mendoj se do të verë në provë NATO-n. Nëse NATO nuk do të kundërveprojë do të jetë fillimi i fundit për Aleancën. Pa siguri përgjigjeje NATO-ja nuk ka kuptim”.

Si është e mundur që të gjithë oligarkët ukrainas i kanë qëndruar besnikë Zelenskit?

Është një zgjedhje aq ndjenjësore po aq sa dhe pragmatike. Të jesh i pasur dhe kozmopolit nuk  do të thotë të mos jesh i lidhur me Vëndin tënd. Pastaj, afaristët ukrainas kanë frikë se, pavarësisht nga ajo që u premton Putini sot ai, në çdo çast, mund t’u a xhvasë ndërmarrjet, siç ndodhi me mua. Kanë më shumë mundësi të bëjnë biznes në një Ukrainë të pavarur”.

“Corriere della Sera”, 29 qershor 2022   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

LE PETIT BLEU DE PARIS (1919) / INTERVISTA ME KAPITENIN SELAUDIN BLLOSHMI NË PARIS : “JA ÇFARË KËRKOJMË NGA FUQITË E MËDHA…”

July 9, 2022 by s p


Selaudin Blloshmi (1892 – 1929)
Selaudin Blloshmi (1892 – 1929)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Korrik 2022

“Le Petit Bleu de Paris” ka botuar, të hënën e 28 prillit 1919, në ballinë, intervistën me Selaudin Blloshmin (Salahedin ose Selahudin) në Paris, asokohe kapiten i batalionit shqiptar të këmbësorisë bashkangjitur shtabit të përgjithshëm francez të gjeneralit De Fourtou në Shkodër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria

E kaluara e saj. Rolin i saj gjatë luftës. Pretendimet e saj.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Është një detyrë mjaft e ndërlikuar ajo që aktualisht konsiston në mbledhjen nga burime të autorizuara të pretendimeve të popujve që pretendojnë pavarësinë e tyre.

Të gjithë popujt pretendojnë diçka: disa sepse luftuan përkrah nesh; të tjerët sepse nuk luftuan kur mund të kishin marrë armët kundër nesh.

Ka nga ata që, si jugosllavët, luftuan fillimisht në radhët e një ushtrie armike të Antantës, pastaj erdhën për të zënë vendin e tyre përkrah aleatëve tanë. Kjo larmi situatash, ky ndërlikim arsyesh, etnografike dhe ekonomike, kontriboi jo pak për të vështirësuar punën e Konferencës, e cila dëshiron – shpjegohet – të prononcohet vetëm me mençuri dhe me njohuri të plotë të kauzës.

Burimet e informacioneve nuk mungojnë. Përkundrazi, ndoshta ka shumë. Dokumentacioni vjen ne te gjitha format. Fatkeqësisht, për të njëjtën pyetje, mendimet ndonjëherë janë shumë kontradiktore. Është një luftë e zjarrtë interesash, duke mbrojtur njëri kundër tjetrit me argumente, vlera e të cilave nuk del gjithmonë me qartësi absolute.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kam pasur tre ditë më parë vizitën e kapitenit Salah Eddin Blloshmi (Salahedin ose Selaudin Blloshmi), i batalionit të pushkatarëve (këmbësorëve) shqiptarë, i bashkangjitur shtabit të përgjithshëm të gjeneralit De Fourtou, komandant në Shkodër të Shqipërisë.

Ky oficer flet gjuhën tonë me një pastërti të skajshme dhe vetëm një theks shumë i vogël zbulon origjinën e tij të huaj.

E dëgjova me kujdesin më të madh. Unë, si të thuash, kam stenografuar deklaratat e tij, të cilat kufizohem t’i riprodhoj këtu, pa ndryshuar asgjë.

“— Shqiptarët, më tha ai, kërkojnë drejtësi.

Ne jemi një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, pasardhës të vërtetë të pellazgëve, të së njëjtës racë, që flasin të njëjtën gjuhë dhe në një masë të madhe besojmë një fe autonome. Ne e luajtëm rolin tonë dhe kontribuam në fitoren e Aleatëve, për këtë arsye e konsiderojmë veten të drejtë të kërkojmë nga drejtësia e Fuqive të Mëdha lirinë dhe pavarësinë e plotë të vendit tonë shqiptar në përputhje me parimet e kombësive për të cilat Antanta dhe Amerika luftuan me lavdi.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Roli i shqiptarëve, për shembull, në Kosovë, pati një ndikim real në rezultat. Në të vërtetë, batalioni i parë i pushkatarëve shqiptarë të Korçës, i cili bashkëpunoi në mënyrë të lavdishme në sulmet kundër austriakëve në Shqipëri, bëri shërbime shumë të mëdha. Ai pati, për më tepër, nderin që të përmendej shkëlqyeshëm në urdhrat e ushtrisë nga gjenerali Henrys, komandant i ushtrisë franceze së Lindjes (Orientit). Me këtë citim, gjenerali Henrys e renditi batalionin shqiptar ndër regjimentet më të mirë francezë. Për më tepër, mund të thuhet se, falë revolucionit shqiptar të vitit 1918, shqiptarët që sulmuan nga pas austro-bullgarët në Kosovë, lehtësuan hyrjen e trupave franko-serbe në këtë rajon.

Shqiptarët nuk mund të duronin më dominimin austro-bullgar, prisnin me padurim ofensivën e aleatëve për t’i dhënë goditjen vendimtare pushtuesve të tyre dhe për t’u çliruar.

Nëpërmjet shërbimeve dhe sakrificave të bëra përkrah aleatëve, ne kemi të drejtë të zëmë vendin tonë mes atyre që luftuan për parimin e kombësive.

Shqipëria është një vend pjellor, i pasur me miniera dhe pyje, që kërkon vetëm të zhvillohet.

Populli i saj ka cilësi serioze morale mbi të cilat mund të mbështetemi. Ai është i virtytshëm, trim, besnik, madhështor, inteligjent dhe liberal.

Pavarësisht asaj që kemi vuajtur për mijëra vjet, ne kemi ruajtur gjuhën tonë, kostumet tona kombëtare, zakonet tona. Turqit, për pesë shekuj, duke na shtypur nën tiraninë e tyre, na ndaluan edhe përdorimin e idiomës sonë kombëtare. Nga ana tjetër, ata lejuan serbët, grekët dhe rumunët të hapnin shkolla për të propaganduar përdorimin e gjuhës së tyre. Në pamundësi për të folur gjuhën tonë, paraprakisht ishim të mundur politikisht nga propaganda e popujve të tjerë të privilegjuar.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi të gjithë elementët e nevojshëm për të qeverisur dhe administruar vendin tonë.

Ne kemi shtetarët tanë, ministrat tanë, mjekët tanë, avokatët tanë, inxhinierët tanë, oficerët tanë. Specialistët tanë janë më të shumtë se ata të qeverive ballkanike në kohën e pavarësisë së tyre.

Ne kërkojmë vetëm të jetojmë në marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, të ruajmë paqen me kushtin e vetëm që ata të na lënë të qetë dhe të na kthejnë krahinat shqiptare, popullsia e të cilave vuan nën dominimin e tyre.

Jemi larg mendimit për të besdisur Italinë, përkundrazi presim shumë prej saj, sepse e njeh shumë mirë vendin tonë. Por ajo nuk kënaqet me aq. Ajo kërkon ekzekutimin e Traktatit të vitit 1915 dhe pretendon Vlorën, një qytet krejtësisht shqiptar.

Me këtë aneksim, ajo do të na mbyllte Adriatikun, do të ndalonte lundrimin tonë të lirë në të gjithë botën, do të asgjësonte tregun tonë dhe me këtë masë të pakujdesshme do të rrezikonte rindezjen e zjarrit në Ballkan.

Shqipëria nuk ishte kurrë e lumtur. Në shekullin e 15-të, kur kombet e tjera ballkanike ishin të shtypura (të mundura), vetëm populli ynë luftoi heroikisht për të frenuar valën turke që kërcënonte të pushtonte Evropën.

Sot, duket se na injorojnë. A do të lejojnë fuqitë e Antantës që ne të sakrifikohemi ?

Vendi ynë pretendon vetëm të drejtën e zhvillimit të lirë, nën strehën e drejtësisë dhe ligjit.”

Në pretendimet shqiptare përshkon një hidhërim i thellë ndaj fqinjëve, të mëdhenj apo të vegjël. Ekziston një energji disi e ashpër, pothuajse një kërcënim.

Kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por edhe për popujt e tjerë ballkanikë, gjë që e bën shumë të vështirë zgjedhjen e zgjidhjes përfundimtare që duhet miratuar.

Eugène Destez

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Shtetet e Bashkuara kërkojnë drejtësi për vëllezërit Bytyqi

July 9, 2022 by s p

ZERI I AMERIKES : https://www.zeriamerikes.com/a/6650735.html

08 korrik, 2022


Ambasada amerikane në Beograd, i bëri thirrje të premten Serbisë që të ndriçojë vrasjen dhe të mbajë përgjegjës autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, në vitin 1999.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane thuhet “sot bëhen 23 vjet që kur tre shtetasit amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u ekzekutuan në njësitë e paraburgimit të policisë së posaçme serbe. Ka kaluar edhe një vit dhe familja e pikëlluar Bytyqi nuk ka gjetur përgjigje. Edhe një vit dhe sistemi serb i drejtësisë ende nuk ka mbajtur askënd përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm lufte”, thuhet në komunikatë në të cilën nëvizohet se “ne nuk do ta harrojmë këtë krim dhe i bëjmë thirrje Serbisë edhe një herë që të mbajë përgjegjës ata që e kanë kryer dhe e kanë fshehur vrasjen”.

Të tre vëllezërit Bytyqi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç – Guri, ndaj të cilit, siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Filed Under: Analiza

Tirana dhe Shqipëria na dhanë një shembull të demokracisë në veprim

July 9, 2022 by s p

Nga Harry Bajraktari

Me mijëra vetë u mblodhën për protestën “Shqipëria në rrezik” të drejtuar me sukses nga Prof. Dr. Sali Berisha. Nuk ka demokraci pa një opozitë të fuqishme. Protesta e djeshme tregoi se shqiptarët nuk do të pranojnë që t’u shkelen të drejtat, nuk do të pranojnë skandalet e korrupsionit që po zbulohen çdo ditën e që dëshmojnë përzjerjen e zyrtarëve të lartë socialistë. Nuk do të pranojnë shtrenjtimin e papërballueshëm të jetesës në një kohë kur bizneset me lidhje politike pasurohen me ndihmën e pushtetit. Nuk do të pranojnë një qeveri që bën aleancë me Beogradin, për Ballkan të Hapur që përjashton Kosovën dhe interesat kombëtare shqiptare në rajon. Këto politika vërtet që e vendosin Shqipërinë në rrezik sepse vendi po zbrazet nga emigracioni. Rinia dhe profesionistët vazhdojnë të largohen. Shqiptarët nuk duhet të rrinë heshtur e mënjanë. Duhet të ngrenë zërin. Të organizohen e mobilizohen për ndryshim politik. Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka një opozitë të fortë dhe nuk ka ndryshime në qeveri e pushtet. Pas gati 10 vitesh, te Edi Rames në krye të qeverisë dhe ku partia e tij mban gjithe pushtetin, koha ka ardhur për ndryshim. Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit

Filed Under: ESSE Tagged With: harry bajraktari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2170
  • 2171
  • 2172
  • 2173
  • 2174
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT