• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966

July 1, 2022 by s p

Dr.Lulzim Nika/

Vitet 1960-70, shënojnë kulmin e luftës së dy superfuqive për të treguar fuqinë ushtarake dhe shtrirjen e ndikimit të tyre ne gjithë globin (siç ishte rasti i Kubës dhe pushtimi i Çekosllovakisë nga ana e BRSS-së). SHBA-të në mënyrë të veçantë vëzhgonin zhvillimet politike në Jugosllavi, duke u angazhuar në pengimin e rrymave pro BRSS-së. Alekasander Rankoviqi, personaliteti i dytë më i fuqishëm në partinë Komuniste të Jugosllavisë, pas Tito-s, i cili nga shumë kush konsiderohej edhe si pasardhës i Tito-s, që Jugosllavinë do ta anëtarësonte në paktit e Varshavës. Në korrik të vitit 1966, me Vendimet e marra nga Josip Broz Tito në Plenumin e Brioneve, Rankoviqi shkarkohet nga postet e tij udhëheqëse në Federatën Jugosllave, ngase Tito në vazhdimësi, rrezikun e shihte nga Serbia e Madhe me përkrahjen e BRSS–së. E kaluarën hegjemoniste e Serbisë dhe pozicionimi i Rankoviqit në strukturat më të larta dhe më të rëndësishme në udhëheqësin e Federatës Jugosllave, diktatori Tito ishte i rrezikuar nga A. Rankoviqi, i cili me ndihmën e rusve do të vihej në krye të Federatës Jugosllave. Rankoviqi njihej për brutalitetin e pa parë ndaj popullin shqiptarë të Kosovës, duke sajuar edhe aksionin e grumbullimit të armëve vetëm e vetëm për të ushtruar dhunë dhe presion ndaj shqiptarëve për t’i lëshuar trojet e tyre stërgjyshore dhe për t’ia mësyrë Turqisë. Ky qëndrim fashist dhe shkatërrues ndaj shqiptarëve ka qenë i shprehur në të gjitha segmentet e jetës: ekonomi, shëndetësi, arsim, punësim etj., duke i përdorur të gjithë mekanizmat shtetërorë për të shkatërruar ekonomikisht, politikisht dhe kombëtarisht. Këtë fakt e pohon edhe vetë kreu i asaj kohe, diktatori J. B. Tito, i cili, duke folur në Kongresin IX-të të LKJ, ndër të tjera, kishte theksuar edhe këtë: “Jugosllavia e Re ka ndërmarrë masa të rëndësishme për të mënjanuar gjendjen e vështirë në Kosovë… Aktiviteti që u zhvillua në Kosovë lidhur me Plenumin e Brioneve, krijoi një atmosferë, me kërkesën që statusi i Kosovës të avancohet në Republikë, një kërkesë shumë e drejtë si populli i tretë më i madh në Jugosllavi, e cila ide u përkrah edhe nga inteligjenca shqiptare e Kosovës. I pyetur për vite që po i trajtojmë, Ukshin Hoti kishte deklaruar: ”Ç’është e vërteta qysh pas viteve 1968 edhe udhëheqja politike e Kosovës ka qen e bindur që edhe Kosova duhet të jetë Republikë në Federatën Jugosllave, mirë po ajo nuk kishte as forcë dhe nuk ishte as e aftë për ta bërë një gjë të tillë … dhe këtë akt madhorë e lanë në duart e të tjerëve që të angazhohen për ta kërkuar Republikën e Kosovës.

Këto dokumente të shërbimit inteligjent amerikan dëshmojnë për dhunën dhe brutalitetin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë, nga ana e shtetit jugosllave. Po ashtu dokumentet e shërbimit inteligjent amerikan tregonin edhe interesimin e shtetit amerikan për reformën kushtetues të viteve ‘70 e në veçanti për ngritjen e statusit të autonomisë së Kosovës. Kjo dëshmon së SHBA-të ndikuan drejtpërdrejtë në politiken Jugosllave, për pengimin e ardhjes në pushtet të rrymave radikale, që ndihmoheshin nga BRSS-ja. Njëra nga përpjekjet e pengimit të forcimit të rrymave radikale dhe anëtarësimin e Jugosllavisë në Paktin Ushtarak të Varshavës është edhe formimi i Lëvizjes së Mosinkuadrimit, me përkrahjen e amerikanëve ku njëri nga ideoret e kësaj lëvizje ishte edhe vetë diktatori Tito.

Filed Under: Histori Tagged With: Lulzim Nika

JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!

July 1, 2022 by s p

Ilmi Plaka/

Ju rrëfej vuajtjet e babait tim Shaban Plaka 20 vjet në burgjet komuniste; vuajtjet e gjyshes time Hanko Plaka, që humbi tre djemt e saj: një dëshmor e dy të tjerë të burgosur politik nga diktatura; vuajtjet e nënës time, Behije Plaka, që më lindi një muaj pasi u burgos babai; Ju rrëfej si e njoha tim atë pas hekurave të burgut; vuajtjet e një fëmije bir “kulaku”; si u rrita e u burrërova me damkën e “armikut të popullit”, pa të drejtën e triskës së frontit për 46 vjet, deri kur erdhi demokracia.

Takimi i parë me babanë

Ishte një ditë pranvere e vitit 1949. Sapo kisha mbushur pesë vjeç. Nëna ime Behija, më veshi me rrobat më të mira që kisha dhe më tha se bashkë me gjyshen time do të niseshim për rrugë.

Nuk e dija fare se ku do tëshkonim, por u gëzova shumë kur vesha rrobat e mira dhe do të nisesha për shëtitje, kështu e kuptoja unë në atë kohë. Mbaj mend çdo detaj, qysh kur me vishte nëna me kujdes. Mbaj mend edhe gjyshen, që kishte mbledhur disa trasta dhe po i mbushte me ushqime e rroba.

U nisëm heret në mëngjes. Pasi ecëm mëkëmbë një rrugë të gjatë, u ulëm të pushojmëpak dhe me ne u bashkua edhe nusja e dajës dhe kushëriri im. Nëna më afroi në prehër dhe nisi të më tregojnte se ku do të shkonim. Më tha se do tëkalonim disa qytete e fshatra, shumë fusha e male. Do të shkonim në një vend që quhej Kuçovë, të cilin e dëgjoja për herë të parë. Pastaj vazhdoi të më tregonte se aty do të gjenim babain tim.

U emocionova shumë. Nuk e kisha takuar kurrë në jetë babain tim. Unë linda një muaj pasi babai ishte arrestuar. Kisha dëgjuar nga nëna e gjyshja shumë rrëfime për të, por nuk e njihja babain tim. Nuk e kuptoja dot, pse unë, si fëmijë, nuk kisha një baba, sepse shokët e mi e kishin.

Kisha arritur të kuptoja, se babai të mbron. Kur e pyesja nënën, se pse unë nuk kam baba, ajo më thoshte: – Ti e ke babain, por është diku larg, duke punuar që të na sjellë para për të blerë bukë.

Ecëm me këmbë disa orë dhe mbërritëm në qytet, në Elbasan. Pritëm atje disa orë, derisa erdhi një makinë. Hipëm mbi karrocerinë e saj dhe ecëm për disa orë. Ndaluam në një qytet tjetër, pastaj zbritëm pritëm disa orë, derisa erdhi një makinë tjetër. Pas disa orë shtë tjera udhëtimi mbërritëm në një vend tjetër që më dukej aq larg, sikur ishim në fundin e botës.

Zbritëm nga makina me nënën dhe gjyshen, bashkë me kushëririn tim dhe nënën e tij. Atje më mori nëna afër dhe më tha se do të takonim babain… Nuk e harroj kurrë. Ecëm edhe pak prej kuna la makina dhe ndaluam.

Ishtë një vend i rrethuar me tela me gjemba, rreth shtatë– tetë metra të lartë. Gjyshja u afrua te porta dhe diçka bisedoi me një polic. Qëndruam pak minuta dhe para nesh u shfaqën gjashtë burra. Aty afër nesh kishte edhe disa familje të tjera që qëndronin në heshtje. Askush nuk fliste. Pas pak minutash na urdhëruan të futeshim tek porta.

Brenda telave me gjemba, ishte një tjetër rresht, po me tela me gjemba. Ishte një si koridor i vogël, aty ku na thanë të qëndrojmë… Përballë nesh u shfaqën ata gjashtë burra.

– Nisu! – më tha nëna. Shko e takojë babanë!

Unë u nisa me vrap, por në mes të rrugës ndalova. Nuk e dija cili nga ata të gjashtë burra ishte babai im. Pas pak, babai u shkëput, e u nis drejt meje dhe unë e kuptova. Shkova e iu hodha në qafë. Më pushtoi me perqafime duke qarë me dënesë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë.

Nuk e di se sa kemi qëndruar me babanë. Nuk foli gjatë me nënën e gjyshen, por veç me mua. Më thoshte: – Po ti je rrit’, je bërë burrë.

Dhe sytë i kishte gjithnjë me lot. U përqafova sërish me babanë dhe u ndamë. Morëm rrugën e kthimit. Gjyshja qante thuajse gjithë rrugës. Nëna qëndronte e heshtur, ndërsa unë isha shumë i gëzuar, sepse tani e dija se me të vërtetë kisha baba.

U kthyem në shtëpi pas dy ditësh, sepse udhëtimi i kthimit ishte i vështirë. Fjetëm jashtë një natë, pastaj të nesërmen ecëm thuajse gjithë ditën me këmbë. U lodha shumë, por isha gjithashtu shumë i gëzuar se doja tëkthehesha në fshat e t’iu tregoja shokëve se edhe unë kisha baba.

Kur u kthyem në shtëpi i pyeta sepse babai rrinte aq larg shtëpisë dhe çfarë pune bënte atje. Gjyshja më mori afër dhe nisi të më tregojë se babai im, Shaban Plaka, ishte dënuar me burg, që do të thoshte se ishte i ndaluar të dilte nga ata telat me gjemba dhe se për shumë kohë nuk do të mund të vinte në shtëpi, ndaj dhe ne do të shkojmë ta shohim atje. Nisën të më tregojnëmë tepër për babain dhe mbaj mend një detaj, kur nëna më tha, se babai punonte me lopatë në kanal.

Ishte ai takim, që m’u duk se me rriti menjëherë. Bisedat me nënën e gjyshen gjithashtu më mësuan të vërtetën. Më porositën dhjetra herë që bisedat që bënim të mos i tregoja jashtë shtëpisë. Nuk kaloi shumë kohë dhe nisa ta kuptoj se isha ndryshe nga fëmijët e tjerë, sepse babai im nuk ishte si baballarët e shokëve të mi.

Përballja me diktaturën komuniste

E nisa këtë rrëfim me ngjarjen e rëndësishme të fëmijërisë time, takimin e parë me babain tim. Kjo është ngjarja që e kujtoj edhe sot si një ndër ditët më të bukura edhe pse shpejt do ta kuptoja, se e gjithë jeta ime do të ishte aq e mundimshme, bashkë me nënën time Behijen, gjyshen Hankon dhe babain tim të burgosur, Shaban Plaka e xhaxhain, gjithashtu të burgosur, Ibrahim Plaka.

Do të përpiqem të sjell në kujtesë historinë e jetës time, vuajtjet dhe mundimet e familjes sime të madhe e të vogël, edhe ato të fisit Plaka. Një fis i madh, që i vuajti 45 vitet e diktaturës me ndëshkimet më të rënda, mënjanimin nga të gjithë me damkën demaskuese kulakë, por kurrë nuk u nënshtrua dhe i bëri ballë me dinjitet atyre kohërave të vështira.

Do ta tregoj jetën time ashtu siç e jetova, me vuajtjet e hidhërimet, me përpjekjet e pafundme për t’i mbijetuar persekutimit të egër nga diktatura komuniste. E ndjej detyrim, që të shkruaj kujtimet e një jetë të vështirë, në mënyrëqë fëmijët e mi, nipërit e mbesat, por edhe të rinjtë e Shqipërisë ta njohin historinë e viteve të diktaturës komunite, t’i njohin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur dhe të patjetërsuara, sepse është një ndër kohët më të vështira që ka kaluar vendi ynë, që nuk duhen harruar për të mos u rikthyer.

Përveç babait tim, në atë kohëu burgos edhe xhaxhai im Ibrahimi, në vitin 1947.

Bashkë me nënën e gjyshen shkonim gjithashtu edhe të xhaxhai për t’i çuar ushqime dhe veshje. Pas takimit të parë me babain, nëna me gjyshen më merrnin në çdo takim që kishim. Kështu njoha çdo burg të Shqipërisë. Më pas, kur u rrita, shkoja vetëm herë pas here për të takuar babain e për t’i çuar ushqime dhe veshje.

Kur kthehesha në shtëpi që pothuajse ishte boshatisur e kishte mbetur vetëm me muret e zhveshur, e kisha shumë të vështirë ta besoja se dikur ajo kullë kishte qenë plot me njerëz që prisnin e përcillnin miq dhe begati që vinte nga puna e palodhur e të gjithëve.

Më vonë, e kam kuptuar se babai im Shaban Plaka, kishtë në zotërim disa hektarë tokë, përmes të cilave siguronte të ardhura të mjaftueshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të ndihmuar banorët e zonës. Dikur, nëna dhe gjyshja kishin jetuar në kushte shumë të mira.

Një ditë, gjyshja më tregoi tokat e babait, të cilat nuk ishin më tonat, sepse i kishin sekuestruar. Atëherë nisa të kuptoj pse mua më thërrisnin “biri i kulakut”. Mësova se babai kishte hyrë në burg, sepse akuzohej si “armik i popullit”. Këtë fjalë unë e kisha dëgjuar në shkollë. E dija se ishte një fjalëfyese dhe kur mëtregoi gjyshja të vërtetën, unë u mërzita shumë. Nuk arrija dot ta kuptoja mirë në atë kohë, por nuk e harroj ndjesinë e keqe që m’u krijua. Më dukej se unë nuk do të isha kurrë si fëmijët e tjerë.

Megjithatë, nëna me gjyshen më kanë rritur me shumë kujdes dhe dashuri. Edhe pse mbetëm pa asnjë burim të ardhurash, madje u bëmë shumë të varfër, e gjenin mënyrën që të më mbanin sa më mirë të mundeshin.

Filed Under: ESSE Tagged With: ilmi plaka

“MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”

July 1, 2022 by s p

Luljeta Progni/

Historia e medias shqiptare është një rrugëtim që tregon përmasën e lirisë së shoqërisë tonë gjatë një shekulli e gjysmë. Sfidat e fillimeve janë ndër më të vështirat, pasi i përkasin kohës kur Shqipëria ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Në një vend ku nuk kishte shkolla në gjuhën amtare, ku thuajse e gjithë popullsia ishte analfabete, përpjekjet e para për të botuar një gazetë shqiptare, ishin në kufijtë e së pamundurës. Megjithatë, në atë kohë të zymtë, arbëreshët e Italisë, e më pas të tjerë patriotë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, do të bashkonin përpjekjet për të nisur historinë e medias shqiptare.

Në kapërcyellin e shekujve, përmes betejash të jashtëzakonshme, do të niste të konsolidohej media shqiptare, e cila do të kthehej në pararendëse të zhvillimeve historike të Shqipërisë. Revistat dhe gazetat e fundit të shekullit të XIX dhe fillimeve të shekullit të XX patën një kontribut shumë të rëndësishëm për fatet e vendit, për momentin historik, pavarësinë e Shqipërisë. Media do të kalonte nëpër disa etapa të rëndësishme zhvillimi, për t’u kthyer në një institucion emancipues të shoqërisë shqiptare, që po dilte e verbuar prej rreth 500 vitesh pushtimi nga Perandoria Osmane.

Sfida e medias në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, ishte përballja me elitën politike qeverisëse, e cila në mungesë të tolerances për raportimin e paanshëm, kishte tendencën për të krijuar raporte jo miqësore me median. Gjithsesi, në vitet ’30 media përjetoi kohët më të lavdishme, ndonëse u deshën sakrifica të mëdha nga gazetarët dhe botuesit, të cilët njëkohësisht ishin edhe elita e intelektualëve shqiptarë. Më pas do të vinte një moment i errët në historinë e Shqipërisë, kur kjo elitë të asgjësohej nga diktatura komuniste.

Në vitin1944 do të fillonte përmbysja e elitës, vrasja e intelektualëve ku përfshiheshin edhe gazetarët, për t’u zëvendësuar me të paaftët, që do të viheshin në shërbim të regjimit diktatorial, për ta kthyer propagandën në armë vrasëse për fjalën dhe mendimin e lirë, me qëllim nënshtrimin e shoqërisë shqiptare nën diktaturën komuniste. Kjo është pika e kthesës, që i dha goditjen fatale zhvillimit të medias dhe elitës intelektuale shqiptare. Gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, media u drejtua nga strukturat më të larta të partisë-shtet, duke e humbur tërësisht rolin e saj informues dhe raportin me të vërtetën.

Pas rrëzimit të diktaturës komuniste, në vitin 1990 rikthehen përpjekjet për median e lirë. Padyshim që sfidat do të ishin të vështira pas një periudhe të errët 45-vjeçare, ku media e lirë nuk kishte ekzistuar. Liria e fjalës nuk mundi ta ndryshojë mendësinë e vjetër të pushtetarëve për ta përdorur median. Tranzicioni i gjatë, i shoqëruar nga mungesa e kulturës demokratike, si nga politika ashtu edhe shoqëria shqiptare, nuk ka bërë të mundur krijimin e një mjedisi të përshtatshëm, që media të luajë rolin e saj kryesor në informimin transparent të publikut dhe garantimin e standardeve të demokracisë, siç ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara. Por, pavarësisht të gjithë problemeve që ka ende media në Shqipëri, shumë gazetarë kanë lënë gjurmë në profesion dhe kanë vazhduar misionin e tyre, ndonëse janë përballur me dhunën e pushtetit, fyerjet e kërcënimet.

Filed Under: Politike Tagged With: Luljeta Progni

“Nuk mund të ketë paqe pa të vërtetën dhe pajtimin”

July 1, 2022 by s p

Ambassador Yuri Kim

🇦🇱 | “Ishte një nder të takohesha me përfaqësuesit e atyre që i vrau apo persekutoi diktatura komuniste. Disa prej tyre i kisha takuar gjatë vizitës sime në burgjet e Spaçit dhe Tepelenës, si dhe në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Patëm një bisedë të gjatë mbi atë çka kishin përjetuar familjet e tyre, komunitetet e tyre dhe vetë ata. Ata kërkojnë drejtësi (jo hakmarrje), integrim dhe destigmatizim të vërtetë, njohjen e vuajtjeve të tyre dhe dëmshpërblim, si dhe një përkujtimore të thjeshtë për mbi 6000 personat të cilët u vranë nga komunistët, trupat e të cilëve kurrë nuk u gjetën për t’iu kthyer familjeve të tyre. Është e lehtë të kuptosh dhimbjen dhe kërkesat e tyre. Ne shpresojmë që autoritetet do t’i përmbushin me shpejtësi dhe ndershmëri angazhimet e tyre, përfshirë përfundimin e detyrës për hapjen e dosjeve të Sigurimit. Nuk mund të ketë asnjë shfajësim apo justifikim për mizorinë e regjimit komunist dhe drejtuesve të tij apo për “nostalgjinë” e pavend për ditët e komunizmit. Nuk mund të ketë paqe pa të vërtetën dhe pajtimin. Zoti i bekoftë dhe i shëroftë ata që kanë vuajtur. Faleminderit Besim Ndregjonit, Adrian Katit, Shpëtim Stermasit, Fatbardha Mulletit, Lavdie Nelës, Ylli Komtit, Hajri Elezit, Armando Agollit, Ardian Elezit dhe Luigj Gegës që nuk u dorëzuan kurrë. Dhe i falenderoj që më dhuruan fotot e Musine Kokalarit dhe Havzi Nelës – heronj të vërtetë të Shqipërisë”. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim.

Burimi: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=400861822068981&id=100064355006850

Filed Under: Opinion Tagged With: Yuri Kim

Mesazh i Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Prof. Dr.Rifat Latifi lidhur me vaksinimin kundër COVID-19

July 1, 2022 by s p

Të dashur qytetarë,

Kosova është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit kundër COVID-19 në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ekipet tona të vaksinimit, kanë dhënë deri tash mbi 1.8 milionë doza të vaksinës, ndërsa rreth 1 milionë qytetarë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Ajo që kemi parë ditëve të fundit, ku rastet e COVID-19 janë rritur, na dëshmon të gjithëve se pandemia nuk ka përfunduar dhe ne kemi ende rrugë për të bërë deri në fundin e saj.

Variantet e reja dhe zbehja e kujdesit ndaj virusit, përbëjnë një rrezik real për ne dhe familjet tona. Sidomos për ata që nuk janë vaksinuar ende. Kjo mund të sjell vështirësi të tjera për personelin shëndetësor dhe të kthejnë pamjet dhe përjetimet e rënda në spitalet tona.

Prandaj, na duhet patjetër ta rrisim kujdesin, për të evituar kthimin e kufizimeve të rënda, të cilat nuk i do askush nga ne, por që në situata të caktuara imponohen.

Jemi në stinën e pushimeve verore dhe vendi ynë pret që ditëve dhe javëve në vijim, shumë mërgimtarë të vijnë në Kosovë, për t’u bashkuar me familjet e tyre dhe për të ndarë momente gëzimi dhe përjetime të ndryshme me të gjithë ne.

Ata do të vijnë në shtëpitë, familjet dhe në vendin e tyre të dashur dhe ne, si gjithmonë, i mirëpresim.

Ju lusim që t’i shfrytëzoni mundësitë e ofruara në vendet prej nga vini dhe të vaksinoheni. Nëse se keni bërë këtë, do t’u ofrojmë çdo mundësi që vaksinën te merrni në Kosovë, për të pasur pushime të rehatshme e të shëndetshme.

Qytetarë të dashur,

Kosova, falë angazhimit të institucioneve tona dhe përkrahjes së miqve tanë, ka vaksina të mjaftueshme për çdo qytetar që është apo që mund të vjen këtu. Për të gjitha moshat dhe kategoritë e popullatës. Por, kemi nevojë që thirrjes për vaksinim t’i përgjigjeni me përgjegjësi.

Mos ta harrojmë faktin, se përkundër suksesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, ka ende vende ku vaksinimi është i ulët. Prandaj, më të sigurt, do të jemi vetëm atëherë kur secili nga ne, e bën atë që duhet bërë përballë virusit: zbatimin e masave të kujdesit dhe vaksinimin e plotë. Për ta parandaluar infeksionin, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet.

Me përuljen më të madhe, ju lus që për shëndetin tuaj dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, të vaksinoheni, me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, në mundësinë e parë.

Shëndeti është vlera më e madhe për çdo njeri prandaj ta vlerësojmë, ruajmë dhe të kujdesemi për të!

Ju faleminderit!

Filed Under: Politike Tagged With: Rifat Latifi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2188
  • 2189
  • 2190
  • 2191
  • 2192
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT