• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kohëra apokaliptike…Poezi nga Lulëzime Malaj

March 9, 2022 by s p

Kohëra apokaliptike..
( Periudha Covid-19)

E frikshme kërkëllim’ e zvargur e vdekjes,
Rrota që shtrydhin brinjët universit,
Tronditem prej kufomave të hedhura,
Në hambarin e anijes pirate të shekullit!

E frikshme të shoh botën gjunjëzuar,
Në luftën e heshtur, të ligësht, tragjike,
Duket sikur njerëzit ecin pa kokë,
Ç’pikëllim i madh, kohëra apokaliptike!

M’ngjan me dhomat e gazta t’Holokaustit,
Ku m’shoqërojnë sy të trembur, të trishtë.
Maska krejt, ndonëse s’janë karnavalet.
Kambanore që shungullojnë përditë!

E bortë mbulesa nderur meridianeve,
E trisht’, e largët drita tej në horizont,
Kukuvajka s’i ndahet çatis’ sime përnatë,
Bëj ta përzë, po s’e përzë dot!

I frikshëm ky planet i pushtuar nga “murtaja”
Që kukamçefti luan ngutur, në panik,
Më vjen ta braktis këtë bot’ të mbrapsht,
Mirëëë, po ku të ik?!
———————————————-

Unë Pa Ty….

Qytetin, e rreh dendur shiu dhe unë,
Kërkoj gjurmët e puthjeve në këtë urë,
Në gjethet e thata që mbushin parqet,
E ngjasojnë me fokus në një diçiturë.

Në piklat e shiut vështroj lotët e tu,
Vjeshtën që ti e doje e kam marr’ inat,
Kur hedh hapat e kuqërrem’ të imiton ty,
Dhe kthehet në këngë a pikturë në art!

Ec’ vetmuar nën çadër në këtë park,
Që duket se po rrëzon çatinë qielli!
Buzëqeshjen tënde kërkoj nëpër shi,
Oh.., s’është i nevojshëm të dalë dielli!

Qyteti më ngjan me një muze të trisht’
I braktisur, pa kryevepra, pa korniza ar,
Dhe unë pa ty mbledhur si një dorë,
Që i kan’ vjedh’ unazën me margaritar!
————————————————–
Ti s’ishe kryevepër, as perëndi…

Ngjyrave, ju bëra ca kombinime në palet’
Skicova mbi telajo të brishtat konture,
Ju dhashë formë flokëve të tu të gjatë,
E t’i lidha kurorë nënë, siç i mbaje dikur!

Te plastika e fytyrës, eh, aty ndalova!
Gjeta buzëqeshjen që s’qeshje kurrë,
Por kur peneli zbriti mbi dorë,
Mu duk e ngrohtë ajo lëkurë…

Drithëruar e mora duarve telajon,
Lotët ranë mbi të, sikur i shtynin stuhitë.
T’pikturosh portretin tënd, s’është aq e lehtë,
S’mundem të pikturoj mrekullitë!

Dukej se dhe ti, dënesje tok me mua
Befas, si drit’ humbe dhe s’të kapa dot!
Ehhhh! Ti s’ishe kryevepër, as perëndi,
Po, kompozim i thjeshtë, më unik në botë!

Filed Under: LETERSI

Kosova, grup ndërinstitucional për integrim në NATO

March 9, 2022 by s p

– U inicua formimi i grupit ndërinstitucional për integrimin Republikës së Kosovës në NATO. Ky grup synon të intensifikojë punën dhe të bashkërendojë veprimet për realizimin e aspiratës shtetërore të Republikës së Kosovës për integrime Euro-Atlantike; të përforcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe të avancojë praninë e Kosovës në mekanizmat tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes/
PRISHTINË, 9 Mars 2022-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:
Mbledhja e 67-të e Qeverisë
Prishtinë, 9 mars 2022
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 67-tën me radhë.Në të këtë mbledhje, miratimin e kabinetit qeveritar e mori formimi i grupit ndërinstitucional për integrimin Republikës së Kosovës në NATO, dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, Programi kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2022-2026, dy projektligje, emërimi i bordeve të dy ndërmarrjeve publike, pezullimi i vizave hyrëse për qytetarët e Ukrainës, propozimi i anëtarëve për Organin e Shqyrtimit të Prokurimit Publik, Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës, dhe vendime të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në përputhje me zotimin e Qeverisë për reformë substanciale në drejtësi, që siguron pavarësi të sistemit gjyqësor e prokurorial nga ndikimi politik, në këtë mbledhje u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Koncept Dokumenti për Ekspertët Gjyqësorë.
U inicua formimi i grupit ndërinstitucional për integrimin Republikës së Kosovës në NATO. Ky grup synon të intensifikojë punën dhe të bashkërendojë veprimet për realizimin e aspiratës shtetërore të Republikës së Kosovës për integrime Euro-Atlantike; të përforcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe të avancojë praninë e Kosovës në mekanizmat tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes.
U miratua nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për “Statusin e Forcave” (SOFA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe nisma për lidhjen e marrëveshjes teknike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë.
Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe Programi kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2022-2026, që ka për qëllim përcaktimin e masave dhe prioriteteve të institucioneve shtetërore për zbatimin e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht regjimin e vizave hyrëse në Republikën e Kosovës për shtetasit e Ukrainës. Me këtë vendim Kosova do të vazhdojë përcaktimin në përkrahje të koalicionit mbështetës për kundërshtimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe do të lehtësojë strehimin e të gjithë atyre shtetasve të Ukrainës që zgjedhin si vendstrehim të tyre Kosovën.
Qeveria ndau 7.149.864 (shtatë milionë e njëqind e katër dhjetë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, masa 2.4 – Mbështetja e Eksportit. Këto mjete do të alokohen dhe transferohen në programin përkatës sipas listës së përfituesve të përzgjedhur në bazë të kritereve të përcaktuara për projektin “Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport”, përkatësisht te “Programit të Granteve të Përputhshme”.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është miratuar vendimi për fillimin e procedurave për blerjen e objekteve të ambasadave të Republikës së Kosovës në Uashington, ShBA dhe në Londër, Mbretëri të Bashkuar.
Miratimin e mori edhe Projektligji për pyjet, i cili rregullon planifikimin, mbrojtjen, shfrytëzimin e produkteve drunore dhe jo-drunore, pronësinë, përgjegjësinë e organizatave dhe detyrat e institucioneve pyjore, financimin publik dhe hulumtimet mbi pylltarinë dhe mbikëqyrjen e këtij sektori në Republikën e Kosovës.
Është miratuar vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, si dhe kandidatët për kryetar, zëvendëskryetar dhe anëtarë të Komisionit Kosovar të Konkurrencës.
Miratimin e kanë marrë edhe vendimet për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike NPH Infra Kos dhe emërimin e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava në Gjilan.
Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar, miratimin e ka marrë Rregullorja për pranimin, vlerësimin dhe disiplinën e nëpunësve të lartë drejtues.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Programi për Zyrën e Çështjeve të Komuniteteve. Me qëllim mbështetjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Republikën e Kosovës.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë Nr. 03/34 i datës 07.10.2020 , sipas të cilit znj. Elizabeth Katherine Gowing është nominuar përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon nën mbikëqyrjen e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Qeveria ka miratuar pesë vendime që kanë të bëjnë me shpronësimin e pronave për interes publik:
– Vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave dhe zotëruesve të interesit që preken nga ndërtimi i “Poligonit Kryesor të Trajnimeve për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës” në Babaj të Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Çerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës;
– Vendimi përfundimtar të shpronësimit për interes publik të pronave ish shoqërore dhe të cilat preken nga ndërtimi Objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren; dhe renovimi i ish objektit të “Jugobanka” në Mitrovicë për nevoja të Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
– Anulimi i vendimit përfundimtar të shpronësimit për interes publik Nr.08/47 të datës 02.09.2015 dhe vendimit 02/73 të datës 05.02.2016, që kanë të bëjnë me shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronave të Ndërmarrjeve Shoqërore “Auto Moto Kosova” dhe “INA Zagreb”. Ky vendim do t’i hap rrugë evitimit të gabimeve dhe inicimit të ri për shpronësimin e këtyre pronave për nevoja të ndërtimit të objekteve qeveritare.
– Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e “Rrugës Shtetërore” në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit, pikë kalimi kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
– Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit të cilat gjenden brenda lokacionit të “Aeroportit të Gjakovës” dhe të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në përputhje me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2022 dhe të analizës së planifikimeve të prokurimit nga agjencitë buxhetore, është miratuar vendimi për ndryshime dhe plotësime të listës së artikujve për përdorim të përbashkët dhe që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit.

Filed Under: Emigracion

Kosova pezullon përkohësisht vizat për qytetarët e Ukrainës

March 9, 2022 by s p

Prishtinë, 9 Mars 2022 – Gazeta DIELLI/

Me kërkesën e ministres së Punëve  të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla-Schwarz, kabineti qeveritar ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave hyrëse ndaj shtetasve të Ukrainës që do të hyjnë në Republikën e Kosovës.

Kërkesa e ministres Gërvalla-Schwarz, vjen si rrjedhojë e situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak dhe vazhdimit të invazionit nga Federata Ruse.

“Bazuar në gjendjen e krijuar, kërkojmë që ta vlerësoni mundësinë që, për arsye humanitare, Qeveria e Republikës së Kosovës ta pezullojë përkohësisht regjimin e vizave për shtetasit e Ukrainës”, është shprehur Gërvalla-Schwarz në mbledhjen e qeverisë.

Shefja e diplomacisë ka thënë se ky vendim do të lehtësoj sadopak gjendjen e qytetarëve të Ukrainës të cilët po detyrohen të largohen nga shteti i tyre.

“Duke iu referuar situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, konsiderojmë se pezullimi i regjimit të vizave ndaj shtetasve ukrainasë do të kontribuonte pozitivisht në hyrjen ose kalimin e tyre transit në territorin e Republikës së Kosovës.” ka thënë ministrja Gërvalla-Schwarz.

Ditë më parë me inicimin e MPJD-së, qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainasë.

Gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse.

Filed Under: Mergata

KUSHTETUTA DOGMATIKE MBI KISHËN “LUMEN GENTIUM” – DRITA E POPUJVE

March 9, 2022 by s p

Don Lush Gjergji/

Kjo Kushtetutë është përpunar gjatë dy viteve, kryesisht 1962-1963, dhe si temë bazë ka Kishën. Më 4 dhjetor 1962 kardinali belg Suenens-i, me pëlqimin e papës Gjoni XXIII, kishte propozuar punën rreth këtij dokumenti në dy drejtime: Ecclesia ad intra – Kisha në brendi ose në vetvete, dhe Ecclesia ad extra – Kisha në botë. 

Gjëja e parë shumë e rëndësishme është definimi dhe përcaktimi i Kishës si mister – mysterion greqisht, i Jezu Krishtit për shëlbimin e mbarë njerëzimit, sipas planit dhe përcaktimit hyjnor. “Drita e Popujve – Krishti – do t’i shëndrisë nga fytyra e Kishës të gjithë njerëzit duke i shpallur Ungjillin çdo kreatyre, siç dëshiron ngrohtësisht Koncili i tubuar në Shpirtin Shenjt””(krh. Mt 16, 15), Dokumentet Konciliare, DRITA, 1992, LG 1, fq. 9/. 

Çka dëshiron Koncili  Dytë i Vatikanit? Që drita e Jezu Krishtit ta ndriçojë mbarë botën bashkëkohore, duke nënvizuar dy pika të fesë: shëlbimin e njeriut dhe të njerëzimit; karakterin misionar – shpallës të veprës së Jezu Krishtit, të shëlbimit, nëpërmjet Kishës. 

Risia në vazhdimësi ishin harmonizuar mirë për t’iu ikur dy skajshmërive: tradicionalizmit dhe progresizmit. Kjo gjë duhet të vazhdojë nëpërmjet zhvillimeve teologjike dhe baritore. Para Koncilit të Dytë të Vatikanit Kisha paraqitej më shumë në aspektin apologjetik – mbrojtës ndaj protestantizmit dhe modernizmit, ose edhe në rolin sulmues kundër komunizmit, ateizmit dhe indiferentizmit. 

Skema e re mbi Kishën kishte këto pjesë:  

Misteri i Kishës – Populli i Zotit (LG 9-17); 

Hirearkia e Kishës dhe posaçërisht mbi episkopatin (LG 18-29); 

Populli i Zotit – laikët (LG 30-38); 

Thirrja e përgjithshme në shenjtëri në Kishë (LG 39-42). 

Nga kjo skemë bazë u përpunuan tetë kapitujt e Kushtetutës, ku si qendër bartëse është kjo: Misteri i Popullit të Zotit dhe Korpi i Krishtit në Shpirtin Shenjt (LG 9; 3, 4, 7). 

Domethënia konkrete e kësaj, Kisha është mister, manifestimi historik i planit të Zotit për shëlbimin e njeriut, apo si thoshte bukur Shën Cipriani: “Populli i mbledhur nga bashkimi i Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt”. 

Nga kjo që është thënë Kisha paraqitet si realitet kompleks apo i përberë, si bashkësi dhe sakrament, si Popullii i ri i Zotit, me kolegjin ipeshkvor në krye me Papën autoriteti më i lartë i Kishës katolike. 

Kuptimi i misterit, sakramentit të Kishës (krh. LG 1-8), është shenjë e gjallë, e dukshme dhe reale që dëshomn, ofron, dhuron, mundëson shëlbimin që Zoti ia jep njeriut. Kjo është vepra e Jezu Krishtit, nëpërmjet mishërimit të tij, si “shenjë” e pranisë së Zotit në mesin e njerëzve. Kështu së pari Jezu Krishti është “sakrament” i Atit në Shpirtin Shenjt, sepse natyra e tij njerëzore është “sakrament” – zbulim i pranisë dhe veprimit hyjnor. 

Pas mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, të ngriturit e tij në qiell, Ai më nuk është i pashëm, dukshëm në mesin e njerëzve. Prania dhe veprimi i tij vazhdon nëpërmjet Kishës me fuqinë e Shpirtit Shenjt. 

Kisha si Populli i ri i Zotit i tubon të gjithë ata që besojnë dhe jetojnë me Jezu Krishtin e ngjallur, me këto veçori: 

  • Kryet e Kishës është vetë Jezu Krishti; 
  • Bijtë dhe bijat e Zotit janë të gjithë të pagëzuarit; 
  • Ligji i jetës së re të hirit është dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit; 
  • Kisha ushtron detyrën e kripës, dritës, tharmit të shëlbimit në botë; 
  • Kisha, si edhe Jezusi, ka dy dimensione, natyrore – njerëzoren, dhe mbinatyroren apo hyjnore; 
  • Kisha është një, si edhe vetë Zoti, dhe ka për qëllim shenjtërimin dhe shëlbimin e të gjithëve; 
  • “Detyra e Kishës është ta dhurojë Zotin njerëzve dhe njerëzit Zotit” (kardinal J. Ratzinger). 

     

    Kristologjia parakonciliare kishte dy pjesë kryesore: apologjetika dhe dogmatika. Me ngjalljen e teologjisë biblike, si edhe rizbulimin dhe rivlerësimin e Etërve të Kishës, doli në dritë pasuria dhe bukuria e madhe teologjike mbi Kishën, sidomos ajo e Shën Palit, që e paraqet dhe kupton atë në prizmën e Korpit të Krishtit. 

     

    Kështu vjen në spikamë plani i amshuar i Atit, i cili zbulohet, dhurohet dhe konkretizohet në Birin, me fuqinë, pjesëmarrjen dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. Ati është Ai që në provaninë hyjnore ka premtuar dhe dërguar Birin, i cili shëlbon, dhe Shpirti Shenjt shenjtëron, vazhdon zbatimin e veprës së Jezu Krishtit – shëlbimin e njerëzimit. 

     

    Kështu në një mënyrë është krijuar kristologjia e re, e cila në qendër e ka Zotin, planin e shëlbimit, që zbatohet në Jezu Krishtin, vazhdohet në Kishë, gjithë me fuqinë, praninë dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. 

     

    Kjo kristologji i jep mundësi dhe hapësirë edhe njeriut, antropologjisë së krishterë, që njeriu është dhe duhet të jetë bashkëprotagonist dhe pjesëmarrës aktiv në veprën e shëlbimit. 

     

    Kristocentrizmi pa dyshim është edhe njeriu-centrizëm, sepse këto dy të vërteta Hyji dhe Njeriu në Jezu Krishtin janë tërësisht të harmonizuara dhe të përsosura, gjë kjo që mundëson krijimin e botëkuptimit të personalizmit të krishterë. 

     

    Kjo kristologji është shtylla e ekleziologjisë së Koncilit të Dytë të Vatikanit, një ndër risitë dhe të arriturat e mëdha të kohës sonë. 

     

    Shërbimet në Kishë 

     

    Karizmat apo dhuratat e Shpirtit Shenjt janë të llojllojshme dhe në shërbim të bashkësisë – Kishës në botë. 

     Struktura ministeriale e Kishës katolike është: 

     

    Ministeri i rregulltë – nga shugurimi treshkallor: diakonia, meshtarët, ipeshkvinjët, që kanë karakter sakramental. 

     

    Ministeri i caktuar – lektorët dhe akolitët, që kanë shërbime në liturgji. 

     

    Ministeri i fakteve – të cilat i cakton vetë bashkësia, si katekistët, animatorët e liturgjisë dhe të këndimit kishtar, veprimtarët pastoral dhe të bamirësisë. 

     

    Meshtaria e përgjithshme e të gjithë të pagëzuarve dallohet nga meshtaria ministeriale, e cila pranohet dhe zbatohet nëpërmjet Urdhërit të Shenjt dhe që in persona Christi kremtojnë sakramentet, sidomos Eukaristinë. 

     

    Ipeshkvi –  Episcopus “mbikëqyrësi i shpirtrave tanë” (krh. 1 Pt 2, 25; LG 18-20), ai që ka meshtarinë e plotë të Jezu Krishtit dhe si i tillë është apostulli i tij dhe kreu i Kishës vendore. 

     

    Meshtari – “presbyteros” – më i vjetri, si bashkëpunëtorët e ngushtë  të ipeshkvit në shërbim të Kishës (LG 28). 

     

    Diakonat – shërbëtorët e veprave bamirëse në bashkësinë e krishterë (LG 29). 

     

    Laikët në Kishë 

     

    Një kapitull krejt i ri është ai mbi laikët në Kishë. Koncili Dytë i Vatikanit është i pari që pas dymijëvjetorit të Kishës katolike i ka dhënë rëndësi të posaçme laikëve apo shekullarëve. Shprehja “laik” vjen  nga greqishtja laios dhe domethënë popull, ai që i përket popullit. Ky emërtim nuk përdoret aspak në Besëlidhjen e re, në tekste biblike, por vetëm në shekujt e parë të krishterimit, sidomos në mesjetë, për t’i dalluar besimtarët e thjeshtë dhe të rëndomtë nga ata që i përkasin hirearkisë kishtare dhe janë të kushtuar. 

     

    Kuptimi i dytë i laikatit apo shekullarëve është botëkuptimi natyror dhe tokësor i njeriut, aty-këtu edhe në kundërshtim me Ungjillin e Krishtit dhe fenë e krishterë. 

     

    Kuptimi i tretë i laikatit është ky: jam laik, nuk njoh, nuk di, nuk merrem me këtë çështje apo tematikë, nuk është lëmia apo kompetenca ime. 

     

    “Të gjithë besimtarët përpos anëtarëve të Urdhërit Shenjt dhe shtresës së rregulltarëve të pranuar nga ana e Kishës, d. m. th. besimtarët të cilët pasi që me pagëzim janë bashkuar në një trup me Krishtin, janë bërë Populli i Zotit…” (LG 31). 

     

    Edhe ata, si dhe hirearkia kishtare, njerëzit e shuguruar dhe të kushtuar, kanë të njëjtin synim: shëlbimin e tyre dhe të botës. 

     

    Detyrat e laikëve në Kishë janë: 

     

    Pjesëmarrja në meshtarinë e Jezu Krishtit nëpërmjet flijimeve, lutjeve, jetës dhe dëshmisë së krishterë; 

     

    Misioni profetik – shpallja dhe dëshmia e Ungjillit, katekizimi nëpërmjet jetës dhe shërbimeve në bashkësinë e krishterë; 

     

    Shërbimi mbretëror – që të jenë në botë, por jo edhe si bota, por të përkujdesen për “Mbretërinë e qiellit” – shëlbimin dhe jetën e pasosur. 

     

    Kushtetuta “Lumen Gentium”  trajton edhe të krishterët katolikë dhe jokatolikë, si dhe ata që nuk janë të krishterë, por besojnë në një Zot, hebrenjët dhe myslimanët, duke hapur rrugë për dialogun ekumenik mes të krishterëve, dhe dialogun ndërfetar me të tjerët (Krhs. LG 14-15). 

     

    Prishtinë, 8 mars 2022               Radio Maria – Kosovë                   Don Lush GJERGJI 

Filed Under: ESSE

“Rusia do ta humbas LUFTËN, por edhe peshën gjeopolitike”

March 9, 2022 by s p

*Gjeneral  Piro AHMETAJ/

Kam ndjekur me vëmendje, përgjegjësi dhe përkushtim shtesë dinamikën e luftës në Ukrainë: “Disa dhjetra konferenca të Atlantic Council, institucione dhe personalitete elitare të sigurisë në Washington DC, Bruksel, Munich Security Conference, Qendrën Marshall, Gjermani, Londër, Kolegjin e NATO-s, Romë, etj“!

Kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e “tallavasë mediatike”, pasi, përtej modestisë së tepëruar, nuk kam patur kohë të shpërdoroj me shterpësinë e mendimit të “kuvendarëve të emëruar“; dalldisjet e analistëve të gjithëditur, apo rambo-sekserëve të vetë(de)graduar Gjeneral, që shkumosen (Po/Jo) dhe shkundin shkopin e strategut mbi harta me skenarë, avion, tanke, “bunkerë atomik dhe rezerva strategjike për ditët e qametit“,  duke e shpjeguar kështu, luftën për Ukrainën, nga studio “milionerësh trudhjamosur me konceptet e Luftës së Dytë Botërore, në mos, atyre më herët!

Në disa opinione, e kam theksuar, por e përsëris edhe më qartë peshimin/vlerësimin tim strategjik: “Rusia, sigurisht ka aftësi ushtarake për të fituar, ndoshta edhe disa beteja (objektiva rajonale), por në planin afatgjatë do ta humbas LUFTËN për pushtimin e tërësisë territoriale të një kombi martirësh, Ukrainës.

Po ashtu, e sigurt që edhe do të gjynjëzohet në përballjen me fuqinë e zgjerimit të demokracisë, kredibilitetin dhe interesat e AleancësTransatlantike (USA & NATO & BE).

Mbi këtë llogjik, sjell në vëmendje se, me një shpejtësi si asnjëherë më parë, ShBA, UK dhe vendet e BE-së e rrethuan Rusinë me embargo ekonomike dhe masa shtrënguese diplomatike”, ndërsa vijojnë të “mbështjellin Ukrainën” me mbështetje të gjithanshme, përfshi dhe asistencë ushtarake nga SHBA, UK, Poloni, vendet e tjera të NATOs, përfshi Republikën e Shqipërisë, Suedinë, etj. 

Thënë këto, jam i bindur se, bashkë me humbjen e Luftës për pushtimin e tërësisë territoriale të një vendi sovran, Rusia po diskreditohet tashmë në sytë e botës së qytetëruar. Prandaj, bashkë me LUFTËN do të humbas edhe rolin dhe peshën gjeopolitike në Botë, përfshi Ballkanin perëndimor, Mesdhe, etj.   

Kështu, sjell në kujtesë kërkesën e fortë të Kryeministrit të UK: “Përjashtimin e Rusisë nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB”; Më tej, 141 vota PRO rezolutës dhe 37 kombe që po ashtu votuan për ta paditur Rusinë e Putinit për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare.

 

Edhe në planin ushtarak, Presidenti, Ai edhe Komandanti i Përgjithshëm i FAU, si dhe elita e Gjeneralëve të Ukrainës po aplikojnë një “strategji të mënçur dhe të suksesshme” në përdorimin e përshkallëzuar të fuqisë operacionale, si dhe duke e futur kështu makinerinë luftarake të Rusinë në “kurthin e një lufte të gjatë”, të papërballueshme, rraskapitëse dhe humbëse për Rusinë. 

Po ashtu, NATO po demostron solidaritet, kohezion, mbështetje, si dhe një nivel të lartë përgjegjshmërie mes 30 vendeve. Ndërsa SHBA dhe NATO po përshkallëzojnë planet e gadishmërisë së lartë dhe masat e deterrancës duke demostruar fuqinë ushtarake të pakonkurueshme, jo vetëm në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, por para së gjithash, garantimin e tërësisë teritoriale të 30 vendeve anëtare të NATO-s (Artikulli 5)! 

Ka një “mankth” të ricikluar nga mëndjet e ndryshkura për të panikosur njerëzimin:  “Nëse Putini do shtypë, apo jo butonin e kuq të armëve bërthamore, për t’i bërë gjëmën e madhe njerëzimit”. Përgjigja  relaksuese edhe për “Putinistët e thekur dhe kokat e nxehta” mbetet një JO e fortë. Kjo pasi gjithësesi besoj që elitat mëndjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë nuk do të lejojnë që historia e kombit të tyre të damkoset përjetësisht si një shtet terrorist. 

Për më tepër, besoj fortë se Ukraina do jetë edhe “fillimi i fundit për Putinin e marrosur nga ambiciet Staliniste”, i cili erdhi në pushtet nga KGB (një makineri edhe më kriminale se SS-Nazistë), dhe po e përmbyll karrierën politike me gjakun e qytetarëve të Ukrainës dhe Rusisë, çka do ta  damkos atë përjetësisht në sytë e  botës së qytetëruar.

Në shtesë, pasojat e luftës gjakatare “për pushtimin e Ukrainës”, i gjej si një mësim i madh për institucionet Globale të Sigurisë (SHBA, OKB, NATO, BE, etj), për “t’i shkundur ato nga heshtja me kosto të lartë”, si dhe për të parandaluar hapjen e vatrave të tjera të luftës barbare. 

E siell në kontekstin e pëpjekjeve për stabilitetin afatgjatë të rajonit të Ballkanit perëndimor, shpresoj shumë që kjo luftë do të shërbejë si një këmbanë e fortë arsyesh racionale edhe për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja & Sllovakia) për ta njohur paraprakisht si dhe hapur rrugën e procesit zyrtar të anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në NATO.

Po ashtu, sjell me mirënjohje në vëmëndje “thirrjen shpresëdhënëse” të Kongresmenit të SHBA, Ritchie Torres, drejtuar Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, citoj: ”deri sa Rusia vazhdon të sillet si aktor iracional dhe Serbia po fuqizon edhe më tej marrëdhëniet me Rusinë, është e rëndësishme të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën të anëtarësohet në NATO”. 

Thënë sa më sipër, do i këshilloja faktorët shtetërore dhe aktorët e përgjegjshëm politik të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, që: “humbja e fuqisë së Rusisë, rrjedhimisht edhe të peshës së Serbisë në rajon, është një rrethanë e fortë gjeopolitike në përqasjen e 2 shteteve të pavarura një komb i vetëm”, si dhe për të integruar masat shtetërore në dobi të njohjes nga 4 vendet e sipërpërmendura, dhe jo vetëm, për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarë Kombëtare në rajon, mesdhe, etj!  

Së fundmi, pa asnjë paragjykim politik dhe përtej luftës turpëruese për vulën dhe bravat, në këtë përballje me të keqen, Republika e Shqipërisë ka bërë gjënë e duhur, pasi e ka dënuar me forcë luftën barbare në Ukrainë, është rreshtuar me solidaritet dhe kohezion të pakushtëzuar në krah të vlerave të qytetërimit Euroatlantik, (ShBA, NATO-s & BE), po kontribuon në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha dhe me kapacitete modeste në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës, për anëtarësimin e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës në NATO, si dhe mbrojtjen e stabilitetit, vlerave demokratike dhe interesave gjeopolitike në Ballkan dhe më gjerë”.

Zoti e bekoftë paqen, demokracinë, si dhe partneritetin strategjik të Repoublikës së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleancën Transatlantike (NATO)!

Nga: Gjeneral * Piro AHMETAJ,

Seinor Expert për SK dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut,Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2368
  • 2369
  • 2370
  • 2371
  • 2372
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT