• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELMI BERISHA: GAZETA “DIELLI”, URIME DITËLINDJA E 113-TË!

February 15, 2022 by s p

“Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston 113 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë gëzimi e krenarie për Vatrën, vatranët e çdo shqiptar. “Dielli” i Vatrës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i diasporës, “Dielli” i kombit shqiptar vazhdon të ndriçojë, shkëlqeje e vezullojë edhe në shekullin e dytë të themelimit të tij. Ditëlindja e gazetës Dielli përbën gjithmonë një ngjarje kulminante mediatike, kulturore, historike, patriotike e politike në diasporën shqiptare të Amerikës e më gjërë. Në këtë ditë të shënuar për “Dielli”-n tonë të bukur e të shtrenjtë, nga zemra ju shpreh mirënjohjen time më të thellë: analistëve, studiuesve, gazetarëve, historianëve, politikanëve, bisnesmeneve e veprimtarëve kombëtar që nuk kursejnë asgjë për të ndihmuar “Dielli”-n me eksperiencën dhe ekspertizën e tyre të vyer. “Dielli” erdhi si nevojë shpirtërore, informuese, kulturore dhe patriotike për shqiptarët e Amerikës duke vazhduar pa u ndalur në misionin e tij të shenjtë patriotik. Sot “Dielli” është kthyer në një ndër mediat më të nderuara dhe serioze në botën shqiptare. “Dielli” sot është një emër potent në botën e komunikimit dhe informimit masiv. Me veprimtarinë atdhetare, “Dielli” është kthyer në një monument historik, një memorie e çmuar kombëtare, një dritë e pashuar në qiellin e kaltër të shqiptarisë. “Dielli” ka vlera të pazëvëndësueshme në historinë e kombit tonë pasi ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim dhe Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në këtë ditë speciale për “Dielli”-n përkujtojmë, shprehim falenderim, mirënjohje e konsideratën më të veçantë editorëve të “Dielli”-t ndër vite duke filluar nga: Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi, Loni Kristo, Andrea D. Elia, Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj, Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa, Dalip Greca e deri te Sokol Paja. Mirënjohës kurdoherë dhe i përulur me nderim si unë, çdo vatran e çdo shqiptar përpara kontributit tuaj të vyer e punës së jashtëzakonshme që është gdhendur në historinë e mrekullueshme të kombit tonë. Në këtë ditëlindje të veçantë për gazetën “Dielli” kam një thirrje të hapur për të gjithë vatranët, për shqiptarët e Amerikës dhe për çdo shqiptar kudo në botë që të kontribuojë në mbajtjen gjallë të kësaj gazete, këtij pishtari të pa shuar atdhedashurie dhe kësaj pasurie të çmuar historike, mediatike, kulturore dhe patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës. Kontributi për “Dielli”-n është kontribut për atdheun, për historinë, kulturën dhe për kombin tonë. Gëzuar përherë “Dielli” ynë. Shkëlqefsh e ndriçofsh në shekuj të shekujve.
Mirënjohës
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA
New York, 15 Shkurt 2022

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Gazet Dielli

VAJZA ME GERSHETA

February 14, 2022 by s p

Pellumb Lamaj/

Pak nga pak,ashtu pa u kuptuar,ditet ndjekin njera tjetren dhe muaji Majit i le vendin Qershorit….. Qershori eshte muaji ku te burgosurit ,sidomos moshat e vjetra fillojne e ndjejne ngrohtesine e motit. Diellin e shikojme me shume dhe rrezet e tij qe perplasen ne shkembinjte e zhveshur e te gervishur nga grykat e galerive ku rrekete e acidit dhe squfurit kane krijuar gropa ne forme honesh Danteske,kane filluar te arrijne edhe ndertesen prej betoni te kampit e te burgosurit,pasi kane hequr zhelet e Dimrit,mundohen te marrin ngadonje rreze Dielli ashtu ulur neper shkallet dhe qoshezat e nderteses qe i shembellen nje vendi ku jane mbledhur leprozet per t’u izoluar e denuar perjetesisht nga bota qe i rrethon… Por Qershori ka te fshehur dicka magjike per keta fatkeq…dhe kete te fshehte e mesova dhe une kur shkova ne burgune e Spacit nga nje bashkevuajtesi im….. Shiko- me tha nje dite ai Kane dale siper per te pare vajzen me gersheta… dhe duke qeshur ,me beri me shenje t’a ndiqja… Kur shkuam ne katin e dyte te nderteses,pasi vetem prej andej mund te dalloje boten e lire qe na ndante, me beri me shenje me nje levizje te kokes drejte faqes se malit perball kampit… Kurioz hodha veshtrimin ne horizont dhe ne cast dallova silueten e nje femre me floket gersheta qe i ngjitej faqes se malit si nje Sorkadhe e here here, ndalej te shplodhej e me veshtrimin drejte kampit ,ulej ne ndonje gur … Eshte Beatricja – me tha duke qeshur bashkevuajtesi,nje dhurate e Zotit …. Eshte viti i dyte qe kalon ketej ne kohe Vere…ndoshta eshte ndonje studente qe vjene me pushime ne fshatin e saj…. Gjate veres ne ate rruge te ngushte ecnin vetem dhite dhe bariu qe i shoqeronte, dhe prania e Beatrices ne ate faqe mali ishte nje dhurate nga Zoti per te burgosurit, nje Beatrice,nje shtojzovall…..atje tej telave me gjemba dhe ushtareve qe na mbanin ne shenje me automatiket dhe mitralozet e tyre ku lirine e shikonim, por nuk mund t’a preknim , dhe prania e saj, ishte padyshim nje mesazh magjik per ne ne ate Lugine Vdekjeje…. Jeta vazhdon….. Vajza ishte shdruar ne nje magji per te gjithe,vajze,moter,shoqe a mikeshe dhe per disa qe ishin me te rinje, te cilet i kishin rrembyer nga bangot e shkolles, duke ju vrare barbarisht enderren e moshes, ishte nje zjarr dashurie qe edhe pse pertej telave me gjemba, digjej e digjej pambarim…. Dhe kur Ajo zhdukej ne horizont midis shkembinjeve, fytyrat e te burgosurve papritur ngryseshin e ne heshtje, futeshin neper dhomat e tyre,shtriheshin ne dysheket e kashtes,mbulonin fytyren me ndonje zhele dhe vetem nje Zot e di se c’monolog mermeritej ne ato caste sublime nga ku muza e plagosur kerkonte vetem arratine…. Eh , nisa te psheretij…….ku ka arritur urrejtja njerezore, ky eshte ferr i i vertete, ferri komunist e jo ai imagjinar i Dantes.. Dhe s’ka si te ndodh ndryshe me kete bande bolshevike qe i ka gllaberuar te gjitha, por qe eshte e denuar te vuaje ,te perpelitet e te haje dhe pjellen e vet ngaqe nuk dashuron dot ….. Dhe u nisa drejte dhomes time per te perfunduar shqiperimin e nje poezie te CARDUCCIT Pema ku ju zgjatni Te dliren dore E blerta Shege Ngjyre gjak lulezon E vetme large botes E gjitha bleron Qershori e ringjall I jep drite , e ngroh Ti lule jetes time E rrahur , e pathare Ti lule pa lulezuar E fundmja dashuri mall. Jeton ne token e ftohte Jeton ne dheun skllav As Dielli s’te gezon S’ta fal dashurine zjarr… Dhimbjet, vuajtjet, shpresat, gezimet , zhgenjimet jane pjese e jetes se njeriut, por urrejtja njerezore qe ka pllakosur popullin tim, i ka kaluar kufijte e imagjinates….. Mbulova koken me batanie e u luta per te gjithe bashkevuajtesit e mi….. Zot, ruajua deshiren, shpresen dhe zjarrin per jeten se vete i ke prure ne kete bote – dhe ashtu ne perhumbje, mbulova koken me batanie dhe fluturova ne krahet e vargjeve rebele per tu ndier sado pak i lire , larg atij realiteti ku hija e vdekjes na rrinte permbi koke… I gjithe ne rrjete U katandis globi Detet,oqeanet Qielli vet Vall si duron Zoti E sheh nga siper Si kryqezohen E perpeliten Bijte e vet .@ Spac 1983 Ditari i Burgut

Filed Under: LETERSI

KRONIKA E EKSODIT TË PAPËRFUNDUAR SHQIPTAR…

February 14, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/


Eksodet e mëdha shqiptare, nga ato që njohim (pas vdekjes së Skënderbeut dhe rrënimit të diktaturës komuniste në Shqipëri), kryesisht lidhen me disfatat e mëdha historike të shqiptarëve, siç ishte ajo e para pas ripushtimit osman të Shqipërisë nga fundi i shekullit XIV dhe, kjo e fundit, nga jeta gjysmëshekullore nën diktaturën më të egër komuniste që njohu bota. Nëse mund të thuhet se eksodi i parë përfshiu fisnikërinë shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ushtarakëve që ishin pjesë e luftës çlirimtare të Skënderbeut kundër osmanëve gjatë një çerek shekulli dhe u strehuan në Itali si pjesë e një shtrese që kishte formim të caktuar shoqëror dhe kulturor, gjë që këtë e vazhdoi edhe në rrethanat e reja, eksodi i dytë, ai nga viti 1990 e këndej, përfshiu shtresën proletare dhe qytetarinë e shpronësuar nga dinjiteti elementar, atë që rëndom kishte jetuar në rrethanat e një Gullagu komunist të krijuar nga diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës, shtresë kjo të shumtën me tru të shpërlarë, që ikjen nga diktatura e konsideronte çështje ekzistenciale.Edhe pse kanë kaluar mbi tridhjetë vjet nga eksodi shqiptar, përmasat tektonike të të cilit edhe më tutje vazhdojnë saqë etninë shqiptare e kanë sjellë deri te gjendja e “murtajës së bardhë”, përkundër asaj se shkaktari i saj kryesor shfaqet faktori ideologjik që si bartës kryesor pati diktaturën komuniste të Enver Hoxhës që Shqipërinë në emër të “idealeve komuniste” duhej ngrënë edhe bar gjë që vendin e ktheu në një kamp përqendrimi me njeriun e varfër dhe të zhvlerësuar, pra kësaj së keqe nuk i ishte dhënë anamneza e plotë në përputhje me shkaktarin e vetëm – atë ideologjik ngaqë shumë studiues i takojnë asaj mendësie. Megjithatë monografia e Afrim Krasniqit “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, e botuar së voni nga Instituti i Historisë i Studimeve Albanologjike në Tiranë, paraqet një kronikë të aktit të fundit të shthurjes së kësaj diktature në rrethanat kur tranzicioni tashmë kishte përfshirë shumë nga vendet e ish bllokut komunist (nga Polonia, Gjermania Demokratike, Çekosllovakia, Rumania e të tjera), ndërkohë që garda e fundit komuniste në Tiranë po përpiqej që tranzicionin e pandalshëm pra kur diktaturat ktheheshin në sisteme shumëpartiake, përpiqej që pluralizmin partiak ta maskonte me “pluralizmin e mendimeve”, siç doli nga takimi i gushtit i vitit 1990 i R. Alisë me disa intelektualë të Tiranës, të cilët, nuk patën guxim që kësaj formule t’ia jepnin përgjigjen siç ia dhanë vendet tjera ish komuniste, por lejuan që edhe atë që do të shfaqet “tranzicion shqiptar”, në zgjedhjet e para “të lira”, të vitit 1991, të fitojë Partia e Punës e Shqipërisë, e transformuar në Partinë Socialiste. Natyrisht se kronika e kësaj ngecjeje, apo sabotimi shqiptar të pluralizmit drejt tranzicionit, pasqyrohet mirë në monografinë e Afrim Krasniqit. Duke ndjekur rrugën e dokumenteve, autori në katër kapitur jep kronologjinë e këtij zhvillimi që hapi kthesën historike. Kështu, në kreun e parë paraqiten zhvillimet politike dhe gjendja në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 1990, nga protestat e para sociale të janarit 1990, pastaj të ndikimit të rastit “Popaj” në ambasadën e Italisë në eksodin e atij viti e deri te hyrjet në ambasada në atë të RDGJ-së. Në kreun e dytë pasqyrohen ngjarjet e korrikut dhe kriza e “Pushtimit të ambasadave” me gjithë ato që përcollën këtë zhvillim nga hyrja në ambasadat perëndimore e deri te largimi i refugjatëve nga Shqipëria, me çka përfundimisht u thye “miti i mashtrimit komunist për Shqipërinë lule në Adriatik”, e të ngjashme, siç propagonte Enver Hoxha nëpërmes grupeve marksiste-leniniste nëpër botë, që kryesisht i shërbenin Beogradit dhe Moskës për të mbajtur nën anatemë edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për Republikën e tyre në kuadër të federatës jugosllave. Në kapitullin e tretë bëhet fjalë gjerësisht për rrolin dhe pozicionin e ambasadave dhe shteteve në krizën e korrikut 1990, ku pasqyrohen edhe pozicionet e këtyre vendeve rreth zgjidhjes së krizës së refugjateve, me ç’rast edhe pjesës më të madhe të tyre iu lejua largimi i organizuar nga Shqipëria, largim ky që pastaj, mori përmasat e një eksodi të pambikëqyrur që vazhdoi për vite dhe ende vazhdon në forma të ndryshe. Monografia përmbyllet me kapitullin rreth përpjekjeve të regjimit për rivendosjen e kontrollit në vend, ku pasqyrohen gjithë ato zhvillime që udhëheqja e lartë partiake e vendit (nomenklatura komuniste e kohës) u mundua që eksodin, nëpërmes fushatave denigruese, ta shfrytëzojë për të fshehur shkaktarin e vërtetë të krizës – sistemin. Me këtë rast, jepen edhe të dhëna rreth burgosjeve dhe masave të tjera, që regjimi i atëhershëm ndërmori ndaj atyre që përpiqeshin që të largoheshin nga vendi, për në liri, nëpërmes rreziqeve të mëdha, ku edhe shumë prej tyre nuk ia dolën… Në tërësi, monografia e A. Krasniqit, paraqet një faktografi të caktuar, atë të krizës së ambasadave, që ia hapi rrugën në njërën anë tranzionit shqiptar me shumë e shumë vështirësi dhe në tjetrën anë, eksodit shqiptar, ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve, me pasoja tepër të rënda për vetë Shqipërinë, po edhe për ata që u detyruan të braktisin vendin për një jetë më të mirë dhe liri, paçka se shumë prej tyre humbën atdheun përgjithmonë…

Filed Under: Ekonomi

Pronë dhe lot…

February 14, 2022 by s p

Lindita Komani/


Ndoqa një kronikë televizive të përqendruar tek një vajzë e vogël, shtëpia e së cilës u rrafshua në mënyrë brutale nga qeveria në sytë e banorëve dhe të gjithë teleshikuesve që ndiqnin nga ekranet televizive dhe atyre të kompjuterëve apo celularëve.Ishte e dhimbshme te shihje vajzen sesi qante me gjithe zemer, me lot te nxehte, të pashtirur dhe me fjalë autentike fëmije përpiqej të përshkruante dhimbjen që po përjetonte. Ishte një gjetje gazetareske, nëse mund të cilësohet kështu, që këtë ngjarje të rëndë për kryeqytetin tonë ta përcillte tek publiku në këndvështrimin e femijes.Në komente që lexova online kronika cilësohej deri edhe si abuzive ndaj fëmijës dhe manipulative ndaj publikut. Me fjalë shatra-patra, gjysmë shqip, gjysmë pa kuptim, përmendej që banorët e 5 Majit ishin zaptues. Familja tek e cila fokusohej kronika ndodhej në atë truall që në vitin 1989 dhe shtëpia që ata kishin ndërtuar mbi truallin, ende nuk ishte legalizuar. Ata nuk kishin nënshkruar aktmarrëveshjen me qeverinë dhe kanë ndjekur rrugën gjyqësore për të mbërritur tek e drejta e tyre.Por cila është e drejta? Në rastet e shqyrtuara deri më sot, sidomos ato të zonës së Astirit dhe të 5 Majit që u shoqëruan edhe me protesta të rëndësishme të banorëve, vëmendja ka qenë vetëm në gjysmën e të drejtës, në marrëdhënien e banorëve të shtëpive të ngritura në këto zona pas 1990-s me qeverinë që ka planifikuar rrafshimin e banesave. Mbetet ende një enigmë si për mua që po shkruaj, por besoj edhe për shumë të tjerë që ndajnë të njëjtin mendim, sesi është adresuar pse jo edhe zgjidhur gjysma tjetër e së drejtës, ajo e pronarëve të këtyre trojeve që i kanë trashëguar ato me tapi nga paraardhësit e tyre, por të cilët nuk i kanë gëzuar as edhe një ditë të vetme, për shkak se ato janë zaptuar nga migrantë që kanë ardhur nga zona të tjera të vendit.Pamundësia për t’i gëzuar trojet në vite është shprehur deri edhe në mungesën e të drejtës që pronarët deri edhe ta shkonin nëpër mend që t’i afroheshin truallit, se po ta bënin mund të hanin plumb kokës. Teksa shihja vajzën e vogël dhe u përlota bashkë me të, vrisja mendjen se pse në gjithë këtë diskutim publik që është bërë për temën e shembjes së shtëpive, apo më gjerë shndërrimit të lagjes “5 Maji” në Tirana Riverside (shih artikullin e Citizens Channel: https://citizens-channel.com/…/shnderrimi-i-lagjes-5…/) nuk permenden fare pronarët e hershëm të trojeve.Janë kompensuar ata në kuadër të procesit të legalizimit?Po për rastet e shtëpive që nuk janë legalizuar, pronësia në dorë të kujt ka qenë? Do të jenë të përfshirë ata në sipërfaqet e banimit që do të shpërndahen në ndërtesat e reja që do të ngrihen në “Tirana Riverside”?Më bën përshtypje heshtja e pronarëve si në këtë rast ashtu edhe tek Astiri. Njoh të tillë që kanë pasur jo me mijëra por me dhjetëra mijëra metra katrorë dhe banojnë në shtëpi shumë modeste edhe sot e kësaj dite se nuk kanë marrë asgjë nga ajo që iu takonte, jo të gjithë tokat gjë për të cilën as që bëhet fjalë, por qoftë edhe sipërfaqe modeste mbi të cilën të ndërtojnë diçka për të rimëkëmbur ekonominë familjare.Si është e mundur që mediat nuk i japin fare vëmendje pronarëve të deri 1944-ës? Edhe ata kanë fëmijë të vegjël që ndoshta nuk dalin me lot në sy para mediave, por lotët i kanë po aty, bashkë me prindërit e tyre, të cilëve brenda në shpirt mund t’u rritet vetëm mëri dhe urrejtje për padrejtësinë që iu bë në 1944 dhe vazhdon t’u bëhet edhe sot, 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e gati 80 vjet që prej se kur i shpronësuan me dhunë, i dëbuan nga tokat e tyre e shumë të tillë madje edhe i përndoqën se kishin qenë të pasur.
Kush ia do të mirën njerëzve më të pasur? Jo thjesht atyre që janë disi më të pasur por më të pasurve mes të pasurve. Pse duhet t’i duhet e mira njerëzve më të pasur? Dhe a është kjo mirëdashje një nevojë për ekzistencën e shoqërisë? Pasuria e përqendruar në duar të caktuara është zhvendosur me hir a me pahir në duar të tjera në kohë pushtimesh apo ndryshimi regjimi me dhunë. Historia e shkruar dhe e pashkruar është dëshmitare për të. Dhuna mund të jetë ushtruar individ mbi individ, grup shoqëror mbi grup tjetër shoqëror, pushtet shtetëror mbi një grup të caktuar shoqëror, pushtues mbi një shtet të tërë apo grup të caktuar shoqëror brenda tij. Si reagon individi ndaj kësaj lloj dhune ushtruar për shkak të pronës dhe pasurisë? Si reagon shoqëria? Si reagon shteti? Le të kujtojmë të shkuarën tonë të afërt që është ende e fiksuar fort në kujtesën e bashkëkohësve. Në vitin 1944 pronarët, si ata të mëdhenjtë me prona marramendëse, ashtu edhe ata të vegjlit dhe sidomos ata që ishin shpallur armiq të pushtetit që sapo ishte vendosur e mund të kishin sa për të mbajtur familjen e tyre, u shpronësuan me akte të rënda që kanë mbetur thellë të ngulura në kujtesën e njerëzve. Ata përjetuan dëbimin nga shtëpitë, ose mbylljen në një apo dy dhoma brenda shtëpisë së tyre që do të mbushej me të huaj, trajtimin si kriminelë, me përbuzje dhe deri me tortura, marrjen e sendeve të luajtshme me vlerë, sidomos florinjve dhe bizhuterive dhe nevojën për të fshehur ç’të mundnin. Me shitjen e sendeve me vlerë që kishin arritur të fshihnin, një pjesë kanë arritur të mbijetojnë në vite të tëra ose momente të rëndësishme të jetës. Nuk mjaftoi zhveshja nga pasuria, vrasja, burgosja dhe internimi për një pjesë të mirë të tyre, por me emrin e goditur, si të pasur të kohës së shkuar, u përndoqën edhe fëmijët dhe nipërit e mbesat e pronarëve. Ndërkohë pasuria e tyre zyrtarisht u shtetëzua, por jozyrtarisht ajo u akumulua në duart e pronarëve të rinj, drejtuesve të sistemit diktatorial, të cilët pronësi mbi toka nuk kishin dot në Shqipëri, sepse sistemi që vendosën vetë nuk ua lejonte, por krijuan një realitet brenda këtij shteti që njihej me emrin Bllok. Ende sot mbetet e paqartë se ç’lloj pasurie vunë ata në vitet e regjimit komunist, pasuri në para dhe sende të luajtshme me vlerë. Përflitet se kanë pasur llogari bankare dhe shtëpi jashtë vendit, ku e jetonin pasurinë dhe luksin që nuk u lejohej në Shqipëri, por këto mbeten vetëm në nivelin e legjendave urbane. Ata i mbuluan mirë gjurmët dhe vijuan një jetë në pasuri edhe pas ndryshimit të sistemit, ndonëse jo më drejtpërdrejt e në dukje në krye të tij. Cila ishte baza e kapitalit që mundësoi fillimin e ekonomisë private në 1991? Thuhet se kanë qenë paratë që Partia e Punës në orët e fundit të jetës së saj hodhi në qarkullim tek njerëzit e vet të besuar, për të nisur biznese e për të siguruar përmes tyre mbarëvajtjen e pasurisë së nëndheshme të krerëve të saj. Nuk ua mori njeri pasurinë këtyre krerëve, nuk i zhveshi njeri nga pronat, nuk ua pengoi njeri fëmijët, nipërit dhe mbesat që të jetonin krejt normalisht në shoqërinë postkomuniste. Por sigurisht që asnjë njeri nuk mund ta zhveshësh nga një pasuri për të cilën nuk ka dijeni në dispozicion. Ky është edhe kuptimi i sekretit të madh të krerëve të pushtetit komunist.Ngjashëm me atë që ndodh me heshtjen brenda grupeve mafioze, heshtja e krerëve të regjimit komunist lidhur me ç’pasuri u grabit nga të pasurit e para 1944 dhe ç’pasuri u vu nga krerët e regjimit në periudhën 1944 – 1990, bëri që shqiptarët e varfëruar në ekstrem nga ky regjim e që nisën një jetë të re pas rënies së tij u gjendën para asgjësë, pa as edhe një lloj prone përveçse orendive të shtëpive në të cilat banonin dhe i përkisnin shtetit. Tri masa me rëndësi parësore u morën për të nisur regjimin e tranzicionit në Shqipëri, të cilin tashmë vlen ta konsiderojmë si të tillë, jo thjesht tranzicion por regjim tranzicioni. Përmes tyre qytetarëve të Shqipërisë iu dha një bazë për të mundur të nisnin ekzistencën në kapitalizëm. Kush jetonte në banesa shtetërore do të mundej t’i blinte ato me çmime modeste edhe për kohën. Kush jetonte në fshat përmes ligjit 7501 u bë me tokë. Të dyja këto masa u morën në kurriz të atyre që kishin titujt e pronësisë mbi tokën para 1944-ës. Askush prej tyre nuk e kishte fuqinë që ta ndalonte këtë zhvillim. Përsëri me masa ligjore shtetërore u ligjërua shtypja e së drejtës së tyre për pronën që kishin trashëguar. Sikur të mos mjaftonin këto dy masa të para, ndodhi edhe migrimi masiv i popullsisë nga fshatrat në qytete dhe nga qyteti në qytet e sidomos në kryeqytet, proces i cili u shoqërua me zaptimin, i cili u legalizua përmes procesesve të legalizimit. Janë dashur 30 vjet që një pjesë e pronarëve të arrijë që me mundim, me gjyqe pas gjyqesh e me qëndrim në dyert e institucioneve të administrates shtetërore, të marrë pjesërisht kompensim për pronën tokë që ka pasur dhe që është e vetmja që ka mbërritur në ditët e sotme. Gjatë këtij kalvari një pjesë e mire kanë qenë të detyruar të bëjnë lëshime e kompromise, për të mbërritur të paktën tek një pjesë e pronës. Pushtetarët e rinj përmes procesit të lejeve të ndërtimit si dhe kthimit e kompensimit të pronave, por edhe proceseve gjyqësore në gjykata, kanë gjetur mënyrën sesi të hyjnë në trashëgiminë e këtyre njerëzve.Do të ishte me interes që të dihej:Sa pronarë e trashëgimtarë të pronarëve të 1944 me prona kudo në Shqipëri ekzistojnë sot? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse përmes saj mund të kuptohet forca negociuese që mund të ketë ky grup shoqëror sot.Sa prej tyre kanë arritur të marrin pronën e tyre, plotësisht apo pjesërisht? Në ç’mënyrë e kanë marrë pronën? Dhe ç’pjesë të saj u është dashur të sakrifikojnë për të fituar tjetrën? Për këtë hulumtimi duhet bërë pa emra e mbiemra që të mund të shprehen lirisht dhe kështu të kuptohet qartë madhësia e korruptimit të regjimit të tranzicionit. Kështu do të mund të fitohej edhe një përfytyrim i skemave të plota e të sakta që janë përdorur për të rifituar pronën përmes zhvillimit të saj në lartësi.Kur e kanë marrë pronën? Akumulimi i parasë në ekonomi duket se e ka përshpejtuar procesin e zgjidhjes së çështjes së pronave në zona të rëndësishme të kryeqytetit ose në zona bregdetare, sepse ky akumulim ka bërë të mundur që interesi për zhvillim të ishte aq i madh sa një mori grupesh interesi të angazhohej që prona të jetësohej duke ngritur kulla ose zona rezidenciale. Dhe kjo duket se do të vazhdojë edhe më tej.

Filed Under: Analiza

Paligjshmëria “pjell” paligjshmëri!

February 14, 2022 by s p

Alma Liço/

Janë me të vërtetë të trishtueshme pamjet e atyre qytetarëve që në emër të urbanizimit të zonës, po u prishen shtëpitë dhe bizneset e ndërtuara me punë dhe mund. Për më tepër në mes të dimrit dhe tëpadëmshpërblyer në mënyrën dhe masën e duhur.

Por përtej këtyre emocioneve të natyrshme, analiza për këtë që po u ngjet atyre të ngratëve duhet të fillojë ca më herët. Nënë Liza dhe nënat e tjera që sot janë bërë viktima të këtij “projekti” urban, para dy ose tre dekadash zbritën nga fshatrat e tyre, zabtuan toka dhe në abuzim të plotë ndërtuan mbi to shtëpitë e tyre, një ose disa katëshe. Madje edhe bizneset.

Nuk menduan për asnjë moment të vetëm se ajo që po bënin nuk ishte e drejte, pasi vetëm pushtuesit zabtojnë toka. Nga ana tjetër, shteti që duhet të merrte masa për të ndalur këtë paligjshmëri, nuk veproi aspak, duke dhunuar kësisoi të drejtën kushtetuese të pronarëve për trashëgimin e saj.

Dhe rezultati…shembje…rrafshim……më pare Astiri… sot 5 Maji…nesër diku tjetër.

Një veprimtarie cila që në krye të herës nisme abuzim dhe grabitje, është vështirë të ketë vazhdim të suksesshëm, ku të respektohet të drejtat e të gjithë personave të përfshirë.

Shteti bandit i cili ka lejuar të ndërtosh pa leje, për më tepër në një truall që nuk të përket, nesër vijon me paligjshmërinë kushtetuese duke ta legalizuar atë… dhe pasnesër pa asnjë ekuivok vjen e ta shemb.

Në një vend ku qytetarët nuk respektojnë ligjet dhe shteti nuk kryen funksionin për të detyruar institucionet e tij,si dhe qytetarët t´i zbatojnë ato, do kemi kurdoherë nënë Liza që do vajtojnë mbi gërmadhat e shtëpive të shembura, si dhe ish-pronarë të dorëzuar para këtij banditizmi të këtyre përmasave,  që enden dëshpërimisht gjykatave pa gjetur asnjëherë të drejtën kushtetuese tëtrashëgimit të pronës.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2399
  • 2400
  • 2401
  • 2402
  • 2403
  • …
  • 2769
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT