• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

O  E  PAHARRUESHME  POETE
ELENA  LULI  (MIRAKAJ)

February 14, 2022 by s p

C:\Users\User\Desktop\FOTO\2021 FOTO\Elena e Gjelosh Lulit.jpg

ELENA LULI (MIRAKAJ)

(1914 – 2001)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Kam kenë mjaft i rij kur e kam njoftë Zonjen Elena, me të cilen Nana ime sa herë e takonte në krye të rruges Marvukaj, do ta ndalonte dhe do të bisedonte me Ate. 

Natyra e Saj joshëse dhe shumë terheqëse më shtyni me e pyet Nanen se, kush ishte kjo grue e re gjithmonë e veshun me tesha të zeza? Dhe Nana më shpjegoj  se Asaj i kanë vra burrin komunistët në mal se asht kenë oficer Gjelosh Luli, i fisit njoftun të Ded Gjo’ Lulit. Ndersa, kjo asht e fisit Mirakaj, me disa të vramë edhe këta. Kjo ka dy vajza me emnat Klara dhe Izabela, njenën ma të bukur se tjetren, janë fise të bukra… Në të vertetë vajzat i njifshe të dyja. Ishin afer me moshen time. Ma vonë më pat tregue Nana se Elenen e njifte që në moshë të re në shkollen e Motrave Stigmatine ku edhe Ajo vazhdonte mësimet, dhe binte në sy per bukurinë e Saj. Nana kujtonte edhe një prirje të Elenës që, Ajo asht kenë vajzë e re, kur ka fillue me shkrue vjerrsha. 

Jeta i solli aq telashe sa vjerrshat e shkrimet u harruene krejtësisht mbas vrasjes së Gjeloshit në 1947 dhe, interrnimeve e burgosjes së Elenës krejt’ e pafajshme, vetem pse ishte e motra e Kol Mirakaj dhe Zonja e oficer Gjeloshit, i vramë në Mal. 

Shumë vonë gati aty mbas viteve 1980, njëditë e pyeta: Zonja Elena, a vazhdon me shkrue edhe tashti? – Ajo buzqeshi dhe tue më dhanë doren miqsisht, më dha me kuptue se vazhdonte me shkrue sa me kalue merzinë. 

Mbas vitit 2000 më erdhi shumë mirë kur z. Eugjen Merlika, kishte ba një shkrim të gjatë dhe kishte vlersue në maksimum permbledhjen e vjershave të zj. Elena Luli, me titullin “Fluturës”, tue vue në dukje vlerat e Saja letrare dhe poetike, gati kur edhe Zonja Elena, po zhdukej nga kujtesa e Shkodranve që e kishin vlersue aq shumë. 

Pak ditë perpara se të nisem per Australi, kam shkue tek e bija Izabela per me takue Zonjen Elena dhe, kemi kalue disa orë bisedë me Ate. Nuk i mbajti lotët kur i tegova se shpejtë iku per Australi. Më mori doren dhe ma shterngoi fort tue më pyet me një dhimbje të thellë në Shpirtë: A thue premton Zoti që të shihemi prap ma vonë? Unë nuk i premtova asgja, sikur t’ ma ndinte zemra se nuk shihemi ma!! 

Vjerrshat e Poetes së paharrueshme Elena Luli xanë vend në shkamijt e groposun të nëntokës sonë Shqiptare. Edhe ato janë të daltueme nder gur! Vlerat e Tyne janë aq sa të mëdha aq, edhe të domosdoshme per edukimin e rinisë sonë, ku Poetja Elena me mjeshtri ka qendisë dallgët e jetës së një grues së vejë me dy vajza jetime. 

Vlerat e atyne poezive kuptohen shumë mirë nga të gjithë ata mija e mija qytetarë që lindën, u rriten dhe u plakën të rrethuem nder tela me ferra, pa asnjë shpresë se do të jetojnë ndonjëherë të lirë. Ja si e shikon jeten Poetja Elena tek vjerrsha “Lutje”:

“Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí” 

Poete Elena Luli e vuen në zemer gjendjen ku ka mërrijtë Atdheu. Ja shka shkruen: 

“E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”), pikrisht aty ku Ajo, nuk pajtohet me shkatrrimin dhe vorrosjen e të gjitha atyne tipareve burrnore dhe të nderueme të Trojeve tona. 

Poetja nuk rri me pa por, e vajton gjendjen e Shqipnisë së mjerueme: 

““Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”).

Ndersa, vlenë me u shpjegue kjartë urrejtja per agjentat e sigurimit, ja nama e Saj: 

“Kurrë ksi djemsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”) E, vazhdon…

Edhe pse Poetja Elena Luli ka psue ate shka mundet me e kuptue kush e ka provue, Ajo deri në fund të jetes i mështetet Zojës së Shkodres, ku asht themeli i edukates:

“Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O Zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”

Shpresa e plotë dhe e palëkundun e një Martirës së Vertetë! 

Vargu ku shihet kjartë madhështia Shpirtnore e Poetes sonë të Paharrueshme. 

Nuk asht e largët jo, koha kur këto Poete do të hyjnë n’ zemrat e Vajzave Shqiptare! Ato do të studjohen nder shkollat Shqiptare, se janë Nanat e Nderueme të breznive të 50 vjetve vuejtje, interrnime e burgosje të masakrave barbare komuniste!  Prej Tyne sot vajzat tona do të mësojnë persekucionin komunist, po ma e randsishmja  asht qendresa e Tyne dhe perballimi i së keqes me krenari dhe nderim të perjetshëm. 

Vlerat morale të Atyne Nanave Heroina asnjëherë nuk i kalbë dheu i Rrëmajit!  

E mos harroni se, Ato ishin ndera dhe lavdia e Shqipes Dykrenare të Kastriotit!

Në kujtim të Poetes së Perjetëshme Elena Luli (Mirakaj), Ja kushton Autori.

Melbourne, 14 Fruer 2022. 

Filed Under: Emigracion

MË  SHUMË SE NJË URIM PËR SHËN VALENTININ…

February 14, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ 

Dikun kam lexuar një kushtim që tregonte “forcën” e dashurisë  me fjalët :”Për  Atdheun  jap  dashurinë , për  dashurinë  jap  jetën”

HYRJE ME RETROSPEKTIVË NOSTALGJIE 

Ne që jemi rritur nën diktaturen komuniste, jemi  rritur jo vetem pa e festuar gjatë atyre dekadave ditën e të dashuruarve , por as emrin dhe kohën shumica e shqiptarëve nuk ja kanë ditur. Por edhe në ato kushte  errësire , kur dashuria e parë duhej të ishte për partinë , enverin e komunizmin , në heshtje dhe nën dritën e “qirinjëve” kanë lindur , lulzuar  e sfiduar kohen mjaftë dashuri , madje edhe dashuri të ndaluara , sepse  në dashninë e të rinjëve e të rejave  hynte në mes biografia e partia… Më kujtohet se sapo kishim filluar të merrnim “erë” nga dashuria , të cilen më shumë e perjetonim me endërra , në pranverë gjenim lule që perbeheshin nga petale (drandafille , lule-shqerra e tjer), dhe duke menduar për dashurinë e një vajze “me emer konkret” i heqnim një nga një petalet e lules  duke thënë më don  s’më don , dhe kur petalja e fundit hiqej duke shoqëruar  fjalen më don , ne beheshim me krahë , duke besuar se fati i dashurisë me vajzen që “ëndërronim” po na buzqesh… Se si na printe ky fat pak rendësi kishte , pasi  një “sentence” dashurie  na “mësonte” se Femra është si hija jote , kur ti e ndjekën ajo iken , dhe kur ti iken ajo të ndjeken… Ndërsa  ishte bërë disi “proverbiale’ thenia se për të zënë një të dashur duhet të shkyesh të pakten një palë  këpucë… Është disi e çuditëshme se edhe pse jetonin në një shtet ateist (në kohën e komunizmit)  ndryshimi i fesë apo besimit të dy të rinjëve  shpesh behej pengesë per dashurin e tyre… , kurse  sot edhe pse feja apo besimi është i lirë , pengesat janë thuajse të papërfillshme..  Gjë që tregon se (në liri) dashuria është ndjeja më e fuqishme nga të gjitha ndjejat , pasi ajo “godet” pernjëherë  zemren , mendjen , shpirtin e trupin…  

NJË HISTORI E SHKURTËR PËR DITË E SHËN VALENTINIT  

Një nga ditët më të bekuara e më të lumtura të çdo viti është 14 shkurti , dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë  dhe  festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj, dashurisë.  Kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga “natyra”) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”:… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” nga kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave romake në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë Romake dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin, (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimit kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, dhe per ketë u ekzekutua  si më sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri para vitit 1991 ka qenë një ditë e ndaluar  në Shqiperinë “komuniste” , por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, “festa” e idhuj të rremë që ishin tamam si të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm…Sot  kohrat kanë dryshuar  dhe data 14 shkurt e çdo viti, (si për çdo qytetar të kësaj bote të qensishme), edhe për ne shqiptarët   është një ditë  e shënuar e një dashurie të vertet, kur zemrat “ndalohen” të flasin me gjuhen e tyre. Të dashuruarit këtë ditë veçse i “furnizojnë” këto zemra të dashuruara  me “zjarr të ri” dashurie. Ndërsa simbole të dukshme të kesaj dite janë dhuratat e ndryshme…, buqetat me lule , drekat e darkat në ambiente intime  e tjer e tjer.. 

Gëzuar 14 shkurtin , ditën e bekuar të  dashurisë. 

Filed Under: Analiza

Krijohet shoqata “Ulqini” shoqata më e re në Diasporën Shqiptaro Amerikane

February 14, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo


Sot në Staten Island u krijua shoqata më e re në Diasporën Shqiptaro-Amerikane e pagëzuar me emrin më të bukur “Ulqini”. Në Staten Island në një nga ishujt e bukur të Nju Jorkut në restorantin “Tratoria Toscana” u mblodhën nismëtarët e kësaj shoqate dhe anëtarë të saj për të krijuar shoqatën “Ulqini”. Kryetari i shoqatës “Ulqini” në New York u zgjodh z.Xhemo Lanica, n/kryetar z.Cano Apaduli dhe sekretare znj.Dina Seferi. Gjatë intervistës që i morëm si TV “Alba Life” z.Lanica ndihej shumë i emocionuar dhe i gëzuar që kishin krijuar shoqatën “Ulqini” dhe tha se së bashku mund t’i shërbejmë Atdheut tonë, të ndërtojmë dhe të kalojmë pengesat e shumta që kemi përpara. Ajo që më preku më shumë gjatë bisedës ishte se si ky djalë kaq i ri në moshen 22 vje çare kishte një mision të qartë në kokë rreth shoqatës “Ulqini” e cila ka si objekt kryesor humanizmin për të qenë në shërbim të njerëzve në nevojë ve çanërisht fëmijëve me Autizëm dhe probleme të tjera shëndetësore. Ne kemi se nga të frymëzohemi vazhdoi z.Lanica, ne kemi shembullin më të bukur në botë shenjtoren shqiptare Nënën Tereza që iu ndodh gjer në fund të jetës së saj njerëzve në nevojë. Shoqata jonë ka gjithashtu obligim për të ndihmuar nxënës që duan të vazhdojnë studimet universitare për rezultatet e shkëlqyera, por nuk ju jepet mundësia.Djali nga Ulqini një qytet i themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga Ilirët fliste një shqipe të kulluar çka më bënte të ndihesha shumë krenare. Ai kishte mbaruar shkollën fillore “Boshko Strugar”, të mesmen në Shkoder në kolegjin turko amerikan dhe universitetin në UMSH në Tiranë, për shkencat politike dhe diplomacinë e jashtme. Ulqini është qytet bregdetar i mahnitshëm i cili laget nga Deti Adriatik dhe posedon një pasuri të madhe kulturoro-historike dhe natyrore.Tek bisedoja për Ulqinin e pamundur të mos më vinte në mendje Gjon Buzuku i kësaj treve shqiptare, përkthyesi dhe përpiluesi i librit të parë të botuar si dhe përkthimit të parë në gjuhën shqipe, një liber liturgjik kishtar i titulluar Meshari. Vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar. Jane këto treva shqiptare të marra padrejtësisht nga pushtuesit e shumtë, por bijtë e shqipes kanë mbijetuar dhe e kanë ruajtur mrekullisht gjuhën tonë hyjnore. Mali i Zi sot ka zv/kryeminister një djalë të ri shqiptar z. Dritan Abazovic, me origjine nga Ulqini i cili është pretedent për kryeministër dhe unë frymezohem prej tij vazhdoi z.Lanica.Në këtë mbledhje me nismëtarët merrte pjesë z.Marko Kepi ish kandidat për këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili I shprehu bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen që do i japi Organizata “Rrënjët Shqiptare”, në të cilën z.Kepi është President i saj. Z.Lanica tha se ishte frymëzuar ta krijonte këtë shoqatë që në kohën e pandemisë ku dilte nevoja e domosdoshme të ishim bashkë dhe të fitonim kundër saj. Shoqata “Ulqini” së shpejti do të ftojë anëtarët, dashamirësit e saj për aktivitetin e radhës dhe në focus do të jetë mbledhja e fondeve për bamirësi në ndihmë të fëmijëve në nevojë.Urime dhe punë të mbarë shoqatës “Ulqini” shoqatës më të re në Diasporën Shqiptaro Amerikane
13 shkurt, 2022Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

PUTINI, KINA DHE NAIVITETI I BOTËS PERËNDIMORE

February 14, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

Ndoshta, duke shpresuar – por ende nuk është e sigurtë – se faza më e mprehtë e krizës ukrainase, në një farë mënyre do të kalohet, ndoshta mësymja ruse nuk do të jetë, ndoshta amerikanët do të gjejnë mënyrën për t’i lejuar Putinit të tërhiqet duke shpëtuar faqen. Pa dyshim, nëse kriza do të zgjidhet, Emmanuel Macroni, në veshjen e dyfishtë të presidentit francez e atij të rradhës së BE, mund të thotë se ka bërë të mundëshmen, me propozimet e tij dhe bisedën me Putinin, për të ndihmuar një përfundim pohenik. Edhe n’emër të Evropës.  

Mbetet fakti që kjo krizë po na mëson shumë ne evropianëve. Gjëja e parë që na mëson është se nuk mund të ketë “autonomi strategjike” të Evropës (është folur shumë mbas tërheqjes rrënimtare amerikane nga Afganistani) pa aftësinë për t’u shkëputur nga kërcënimet e jashtëme. Putini ka vërtetuar se i mban evropianët të kapur prej fyti në sajë të vartësisë (Italia e Gjermania në krye) nga gazi rus. Si mund të kihet autonomi strategjike në epokën e më të madhes ndërvartësie ndërkombëtare?

Ishte një tezë naive liberale ajo, simbas së cilës, me rritjen e ndërvartësisë ekonomike politika e fuqive dalëngadalë do të kishte humbur qëndërsinë që kishte një kohë. Edhe fuqitë autoritare, mendohej, mbasi të ishin futur, fuqimisht në ekonominë ndërkombëtare të tregut, do të zbuteshin, do të pushonin së qëni një rrezik për demokracitë perëndimore.

Për më tepër: në sajë të lidhjeve të ngushta, nga njëmijë fijet e krijuara e të ushqyera nga shkëmbimet ekonomike, shoqëritë e mbyllura, autoritare, do të ishin të detyruara të hapeshin, të humbisnin ose të hollonin trajtat e tyre autoritare. Pikërisht në sajë të asaj teze u vendos pranimi i Kinës në Organizatën botërore të tregëtisë. Dhe është po e njëjta arsye që Rusia pas sovjetike bën pjesë në institucionet prej të cilëve varet “qeveria” e ekonomisë botërore. Kujtojmë se ndërmjet shtrëngesave të kërcënuara nga amerikanët në lidhje me krizën ukrainase – veç bllokimit të shpërnguljes së teknologjive drejt Rusisë – është edhe ajo e përjashtimit nga Swift, rrjeti i kumtimeve financiare ndërkombëtare.

Tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk mjafton të përzihen fuqitë autoritare në pezhishkën e ndërvartësive ekonomike për të zhdukur kërcënimet e luftës. Në të kundërt, dobitë ekonomike që ndërvartësia u sjell atyre fuqive i vënë në gjëndje të fryjnë muskujt, të ushqejnë ëndërrat e tyre rish perandorake, e nëpërmjet tyre të prishin barazpeshat e rendit botëror.

Një zgjim i shëmtuar për Perëndimin e mbi të gjithë për Evropën. Tani mund të masim se çfarë gabimesh kemi bërë n’epokën, tashmë të mbyllur përfundimisht, në të cilën mbas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik e zhdukjes së rrezikut komunist, kemi menduar se nuk do të kishte më pengesa për vendosjen e një rendi botëror në të cilin vlerat dhe institucionet ndërkombëtare (rule of law, demokracia, tregu) mund të bëheshin zotërues. Në vitet Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar dhe në dhjetëvjeçarin pasonjës, “paqja e përherëshme” kantiane dhe “fundi i historisë” hegelian ishin utopi gjërësisht të bashkëndara dhe ushqenin optimizmin evropian mbi t’ardhmen. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që Evropa e ka futur kokën shkujdesur në gojën e luanit, është bërë kaq vartëse nga Rusia. Deri sa – e do të duhen vite, nëse do të jetë e mundur – nuk do t’arrijmë të ndryshojmë n’atë pikë importin e energjisë në mënyrë që të jemi të mbrojtur nga kërcënimet e njërit apo të tjetrit, Evropa nuk do të ketë aftësinë të përballojë krizat e ushqyera nga shemëria e fuqive. Shtohet fakti që, në lëndën e energjisë, Evropa (me përjashtim të Francës) duhet të bëjë llogaritë me tabutë e saj ekologjiste, duke filluar nga ajo që ka të bëjë me energjinë bërthamore.

Është edhe një tjetër mësim që mund të nxjerrim nga kriza ukrainase. Ose, më mirë, më shumë se një mësim bëhet fjalë për një vërtetim. Gjermania, fuqia kryesore ekonomike e Evropës, së cilës i takon natyrisht roli i udhëheqësit politik të Kontinentit të Vjetër, të motorit e të drejtimit të një Evrope të zotuar të pohojë “autonominë strategjike” të saj, nuk ka as aftësinë as prirjen. Nuk ka dëshmi më të mirë se fakti që një ish kançelar gjerman, Gerhard Schröder, është tashmë prej shumë kohësh, në fakt një funksionar në vartësi të Putinit: president i shoqërisë ruse Rosneft, tani është kandidat për Këshillin e administrimit të Gazpromit, shoqërisë së naftës nën kontroll shtetëror. Ndërmjet Vëndeve perëndimore është Gjermania që po jeton me më shumë siklet, duke belbëzuar, përballimin me Rusinë mbi krizën ukrainase. Nuk është vetëm se PSD, partia socialdemokrate, sot në qeveri, është më e filorusja nga partitë gjermane. Është para së gjithash politika e Angela Merkelit së cilës i duhet kushtuar  brishtësia e Evropës. Është mjaft e mundëshme që, nëse kriza ukrainase do të kalohet në një farë mënyre, gazsjellësi  North Stream 2 të vihet në veprim. Vartësia energjitike nga rusët do të shtohet më shumë. Në këto kushte nuk ka më asnjë kuptim të flitet për mbrojtje evropiane. E varrosur ëndërra për t’i dhënë jetë një rendi ndërkombëtar liberal, jemi futur në një fazë ngjitjeje të shemërisë së fuqive. Për sa i përket Evropës duhet të llogarisim si rrethimin dhe trysninë të ushtruar mbi ne nga Aleanca e Madhe ndërmjet dy fuqive më të mëdha autoritare (Kina dhe Rusia), po ashtu edhe kërcënimet e sjellura nga skajshmëria islamike që vijnë nga zonat e paqëndrueshme, Lindja e Mesme dhe Afrika. Kërcënime – me që ra fjala – mjaft shqetësuese: siç tregon dështimi  i zotimit ushtarak evropian për të kundërshtuar belegun islamik në Sahel.

Në pamundësi që në vitet e ardhme të dalë një Evropë e pajisur me një drejtim të përbashkët, evropianët gjinden para një mëdyshje. Ose të mbahet solidariteti më i madh i mundshëm me Shtetet e Bashkuara, duke bashkëndarë mundimin për të kufizuar fuqitë autoritare dhe rreziqet e tjera kërcënuese, por duke rrezikuar edhe kundërgoditjet si pasojë e brishtësisë sonë, ose të shkojmë secili për vete, të shpëtojë kush të mundë.

Me disa Vënde evropiane të gatshëm të kultivojnë iluzionin e asnjanësisë, për të bërë si Zvicra. Madje edhe duke i kërkuar Putinit, ose pasuesve të tij, që t’i mbrojnë nga rreziqet.

“Corriere della Sera”, 8 shkurt 2022    Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Rajon

Dekonspirim letrar i të rezervuarës

February 14, 2022 by s p

(Esse analizë rreth romanit “Prognozë e Rezervuar” e poetes, romancieres dhe psikologes, -Ornela Agastra MULLA).

Nga Raimonda MOISIU 

Ornela Agastra Mulla prezantohet rishtas para audiencës së admiruesve, dashamirësve dhe audiencës së lexuesit të letërsisë, kësaj here jo si poete, por me risinë dhe befasinë e një romanciere bashkëkohore. 

“Prognozë e rezervuar” titullohet romani i Ornelës, dalë nga Shtëpia Botuese “EMAL” Tiranë. Libri i sapobotuar mbërriti para disa ditësh tek unë, bashkë me një autograf  të nënshkruar nga vetë autorja, autograf që tregon lidhjen e herëshme, të fortë dhe unike mes nesh, lindur, rritur dhe ecur ndër rrugët me kalldrëm të lagjes sonë, e cila quhet: “Lagja e Iljas Bej Mirahorit të Madh ose thënë ndryshe, “Lagja e Xhamisë”. Por jo vetëm kaq! Të dyja kemi qenë edhe kolege të gjuhës së huaj në shkollat e qytetit tonë të bukur, Korcës. Botimi i një vepre letrare, qoftë me poezi, roman apo me tregime është përherë nxitje, inkurajim dhe motivim për të forcuar marrëdhëniet mes njerëzvve dhe zhvillimit të intelektit individual, që ekziston midis natyrës, hyjnores dhe shpirtit njerëzor, të përcjella këto përmes rrëfimit artistik, mitikes, reales dhe mendimit filozofik, realitetit të përditshëm vëzhgues dhe analitik të cilat përcaktojnë edhe oringjinalitetin e botës sonë dhe të autores. Që në përzgjedhjen e titullit “Prognozë e rezervuar”, autorja Ornela e sfidon lexuesin dhe e bën atë ta shikojë botën ndryshe, jashtë një bote të fragmentuar në shoqëri dhe egos individuale, kundrejt të fajshmes dhe së pafajshme dhe përkundrejt botës së brendëshme e psikollogjike, përmes moralit e të vërtetës, trazimit dhe komplikimit të ndjenjave. Shkrimtarja Ornela posedon artin mbresëlënës e të rrëfyerit dhe atë të komunikimit psikologjik, depërtimit dhe ndikimit të qartshëm artistik dhe filozofik. Me titullin “Prognozë e rezervuar”, autorja nënkupton energjinë shpirtërore të monologut të ndjenjave dhe përjetimeve, flirton brenda vetes, gjendjes shpirtërore dhe koshiencës së personazheve me detajet e një rrëfimi social-bashkëkohor me bukuri artistike dhe filozofike, ajo zbërthen kontekstin e identitetit dhe mentalitetit njerëzor.   Madje Ornela nuk ngurron aspak të dekonspirojë castet e jetës social-ekonomike e kulturore të shoqërisë, si i përjeton dhe gjykon secili prej nesh, nga vjen e ku mendon të integrohesh, porse ajo interkulon me elementët tradicional të vet-dijes njerëzore, dhe kjo e lejon autoren dhe personazhet e veprës letrare të maturohen, të mësohen  dhe të rriten me realitetin e përbashkët të përvojave jetësore dhe fatet e tyre njerëzore. Ornela Agastra Mulla përdor mjeshtërisht figurat artistike dhe filozofike, thënje të mëncura dhe autorja ndërton mbi imazhin e tyre personazhet, të cilët vet-paracaktohen dhe vet-karakterizohen ndaj prezantimit intim dhe vetëdijes njerëzore. Jeta funksionon në mënyra misterioze dhe përfshin mistere të mbetura thellë forcës së dashurisë e shpirtit njerëzor, ndërsa humbja e një dashurie mund të jetë e vështirë, porse tejkalimi i të gjitha këtyre pengesave për dashurinë e vërtetë do t’ia vlente deri në fund. Autorja Ornela na rrëfen strategjinë për të jetuar e mbijetuar, dhe ajo e bën këtë lojë rrëfyese nëpërmjet të shprehurit artistik dhe filozofik, përmes mitikes, psikikes dhe reales, dhe përmes rrëfimit dhe ndjeshmërisë të realitetit e surrealitetit në të përditshmen e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës. 

Është një roman bashkëkohor dhe struktura e librit është ndërtuar dhe e mirëkonceptuar në 15 –ë kapituj kronologjike, frymëzuesë e letrarë, dhe krejtësisht intelektual. Kapitujt dhe ngjarjet që zhvillohen në to, janë të koordinuara mjeshtërisht dhe ato përcillen përmes rrëfimit të personazheve kryesorë dhe personazheve  të tjerë, por që autorja i mban të lidhur edhe me lexuesin, duke na rrëfyer kështu edhe anën tjetër se dashuria është gjithmonë e dhimbëshme, e bukur dhe mëkatare me kompleksitetin e shpresës dhe krenarisë. Ornela zhbiron dhe “shfrytëzon” me ndjenjë dhe delikatesë ngjyrat e ndjenjave dhe impulsivitetin njerëzor të sfidave, fateve dhe jetës së personazheve. 

Teksa lexon secilin kapitull vemë re se gjatë rrëfimit ndjehesh tejet i/e impresionuar rreth personazheve që janë autentikë dhe sfiduesë, ndërsa rrëfimi për fatet e tyre njerëzore nga kapitulli i parë deri tek i fundit është mjaft tërheqës.   

Jerina Bogdani është një grua e bukur, e fortë, unike, dhe inteligjente me profesion mjeke kardiologe, gjithashtu ajo prezantohet edhe bija e një mjeku mjaft të njohur në vend. Jerina është heroina kryesore e romanit dhe historisë së dashurisë me Enea Danajn, me të cilin u njoh në auditorin e universitetit, e dashuronte atë dhe i besonte vetëm atij, ajo jetonte me ëndrrën që një ditë do të ishin përjetësisht bashkë! Enea Danaj një personazh liridashës, me karakter tejet njerëzor, tradicional, guximtar dhe i sinqertë, që ndjek zemrën e tij dhe respektonte të dashurën dhe të tjerët. Dashuria e Jerinës së bukur dhe Eneas, djaloshit i erdhur nga zonat rurale dhe rritur nën kujdesin mëmësor dhe në mungesë të pranisë së babait, porse dashuronte jetën dhe njerëzit, është një rrëfim i mrekullueshëm me qëndrim të fortë ideo-emocional dhe një histori njerëzore, interesante dhe intensive dashurie. Jerina dhe Enea bien thellësisht në dashuri dhe mbështesin njëri-tjetrin, edhe pse të dy e dinë se lidhja e tyre është sfidë e fortë, por ata vendosin të rrezikojnë bashkë, madje edhe duke mos u përpjekur fare, vecse kur ata e gjejnë veten të kapur në dashurinë e heshtur që lindi mes tyre. Ornela zbërthen mjeshtërisht botën e brendëshme dhe të jashtëme të cilat mbajnë lidhur lehtësisht personazhet, Jerinën dhe Enean me dobësitë dhe të mirat e tyre dhe autorja na përcjell metamorfozën e kompleksit të  emocioneve se besimi dhe shpresa janë drita jeshile për ëndrrën, mundësitë dhe alternativat që të ofron jeta, qofshin ato edhe të parëndësishme në dukje, por nëse përpiqesh t’i realizosh, hera-herës ato kanë ndikimin e tyre në të ardhmen. Përkundrazi, të padrojtur dhe të guximshëm ata i treguan gjithkujt për dashurinë e tyre, duke testuar kështu jo vetëm besimin e njëri-tjetrit, porse edhe besimin e prindërve dhe të njerëzve që i rrethonin. Autorja Ornela penelon personazhe të paharrueshme dhe sjell në vëmendje alegorinë e së kaluarës  në lidhje me të tashmen në kontekstin gjeografik dhe njerëzor historik të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore, të artit të komunikimit dhe vet-transformimit që pëson njeriu brenda vetes kur dashuron.

Romani karakterizohet nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore; romancë, tradhëti dhe inteligjencë që evoluojnë brenda një kornize përgjithësisht psikike dhe reale për cështjet e kompleksitetit të identitetit, prezantimit intim dhe komplikimit të ndjenjave, për shqetësimet e personazheve të veprës nën vëmendjen letraro-artistike të autores, duke shfaqur kështu vizion e saj udhërrëfyes bashkëkohor. 

Autorja sjell në vëmendje personazhin e Rina Danajn,  si pjesa më dominante e njerëzores në roman. Ornela paraqet me hollësi karakterin e një vajzë të re, në të tetëmbëdhjetat, e bukur plot ëndrra e shpresa, porse ka lindur me problem të crregullimit kardiak, c’ka do të ndryshojë rrjedhën e jetës të Rinës, Jerinës, por edhe të prindërve të saj. 

Autorja Ornela ndërrthur fort bukur linja të ndryshme në retrospektivë dhe në kohë të cilat plotësojnë njëra tjetrën, ajo zbulon sekretin e ngjashmërisë të emrit të “Rinës”  me Jerina Bogdanin, paraqet arësyet pse Rina është në dilemë për ëndrrat e saj, si edhe ato linja që paraqesin jetën intime të personazheve brenda realitetit të kohës kur zhvillohet ngjarja, përplasjes së mentaliteteve dhe brezave. 

Ornela sjell edhe një personazh tjetër, atë të Marjana Kananit, personazh interesant, egoiste dhe me komplekse të ndërlikuara, e etur për praninë  mashkullore,  si linja më intensive dhe e rëndësishme e romanit, duke i dhënë audiencës së lexuesve edhe një arësye më tepër për ta lexuar romanin e saj. Autorja e konsideron kohën si qënje njerëzore në tokë dhe ndërton karakterin befasues të Marjanës, e cila në emër të narcizmit, përfitmit moral dhe material, të parasë, egos dhe urisë seksuale lëndon dhe sakaton dashurinë dhe shpirtin e trazuar të Eneas dhe Jerinës. E tillë është Marjana që simpatizon dhe dashuron në vetminë e saj Enea Danajn. Ajo mendon se si ta shkëpusë atë nga Jerina, dhe ta bëjë për veten e saj. Ajo fillon të shtiret dhe manipulojë në disa linja; me argëtim, romancë, tërheqjen dhe energjinë e urisë seksuale të moshës, përpos egoizmit supernatyral, trillit, tekës dhe ambicjes që e karakterizon, për ta shkëputur atë( Enean) nga Jerina Bogdani, nëna e tij dhe familja, komplekse këto të  karakterit të saj. 

Ornela na jep me inteligjencë dhe elokuencë mpleksjen e idesë së egos dhe konceptit social, moral dhe seksual, duke realizuar e potretizuar një personazh me kompleksin e emocioneve kondradiktore që e mbajnë të lidhur Marjanën dhe Enean. 

Abuzimi me seksin është përherë manipulim joshës, plot ankth, pasiguri dhe i frikësuar nga rrethanat, që do të verë në rrezik lidhjen e Eneas me Jerinën, deri në ndarjen përfundimtare të tyre. Tashmë të gjithë e dinë atë cfarë ndodhi me historinë e dashurisë mes Jerinës, Eneas dhe Marjanës, por të paktë ishin ata që dinin të vërtetën e asaj historie. Askush nuk e dinte se cfarë ndodhte brenda botës shpirtërore të Jerinës dhe Eneas, se ndarja i ndryshoi dhe u dha një mësim më tepër si të jetojnë në të ardhmen. Të dy personazhet kryesore Enea & Jerina, pësojnë ndarjen e shpirtit binjak, martesa e detyruar por aspak e dëshiruar e Eneas me Marjanën pësojnë ndryshimet e papritura  dhe të dukëshme që sjellin divorcin mes tyre dhe jetën në emigrim të Eneas dhe fëmijëve. Nga kjo martesë e kushtëzuar lindin dy krijesa tejet të dashura; Rina dhe Klejdi. 

“Prognozë e rezervuar” portretizon edhe një histori të beftë dashurie kaq të ëmbël, të sinqertëë, e maturuar dhe pozitive, sa që i kalon caqet e krijuara në atë të kaluarën ironike; njohja, dashuria dhe martesa e Jerinës me Robertin, është një histori epike dashurie që përcjell ndjesinë e vazhdimësisë së jetës dhe ekzistencës së saj mes dy realiteteve dhe forcës së shpirtit njerëzor. Por Jerina prej kohësh ka mësuar të jetë e forte, që nga dita kur Enea e braktisi dhe vdekja e papritur e Robertit, tronditi rëndë fatin e saj. Ajo vazhdoi të luftojë e të jetojë, të rrisë dhe të edukojë dy fëmijët e saj, Erikën e Dionin, me dashurinë e forcën se ata janë e vetmja mrekulli që i dhuroi Roberti, fati  dhe jeta. 

Dhe pikërisht  në përshkrimin e personazheve  realistikë me  sens të  hollë artistik-filozofik dhe delikatesë femërore  përkundrejt vëshgimit të situatave e ngjarjeve në kohë, të cilat  pasurojnë subjektin  dhe gjuhën e romanit  me ide konceptuale  dhe kreative, inteligjencë emocionale dhe shpirtërore. 

Në kreun e fundit të romanit, Ornela gjurmon alegorinë e së kaluarës me të tashmen, duke vendosur në plan të parë aromën e dashurisë së parë, brenda së cilës ajo qëndronte “e rezervuar” në heshtje, e bukur dhe krenare, dashuri që nuk mund t’i shpëtonte dot kujtimeve, që ishin më të forta se ndjenjat, këtu autorja Ornela vë në dukje të vërtetën e dashurisë dhe moralit në jetë. Ajo që është më interesante në lidhje me personazhet e tjera, të cilët pasojnë në të gjithë romanin, ata dhe autorja jetojnë me fatin njëri-tjetrit me episode krize identeti dhe fatesh njerëzore, që autorja i gërsheton ndjeshëm me pasazhet e tjera dhe bashkëbisedimet me seriozitetin e marrëdhënieve mes vedit dhe karaktereve. Ornela portretizon mjeshtërisht sfidën e mjekut të njohur dhe mjekes kardiologe Jerina Bogdani,  për të bërë më të mirën në emër të dashurisë dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor në një botë të pandershme e  mbytur nga pikëpyetjet ekzistencialiste  që autorja  depërton për të treguar të vërtetat, sado të fshehta të jenë ato.

Herë të thella e herë të shpenguara, kujtimet janë historia e njerëzve të zakonshëm me ambicjet morale e sociale të ndrojtura, për shërimin e botës nga “Karma” për të konturuar mendimet e thella dhe shpresat e fshehta të së ardhmes. Dhe së fundi,  Poetja, Romancierja dhe Psikologja, Ornela Agastra Mulla, me personazhet e romanit dhe fatet e tyre njerëzore do të prekin  vijën e fitorës  në  “fushëbetejën”-e  jetesës e mbijetesës, ekzistencën e dashurisë së “rezervuar” e të shumëpritur  që do t’i motivojë personazhet kryesore të qëndrojnë me këmbët në tokën e kujtimeve  të injektuara nga respekti, malli dhe me romantikën e bukur të tyre, që edhe  përcaktojnë marrëdhëniet e njeriut me to, c’ka na dekonspiron forcën e shkrimtarisë së autores dhe Prognozën e rezervuar të Jetës. 

Postcriptum

Poetja, Romancierja dhe Psikologe Ornela Agastra Mulla ka lindur dhe është rritur në qytetin e bukur juglindor të dijes, kulturës dhe serenatave, Korcës. Është vajza  e një mjeku të njohur stomatolog, dhe nëna e Ornelës ka punuar ekonomiste në një nga ndërrmarrjet industriale të qytetit. Ornela ka mbaruar studimet  për gjuhën frënge dhe ka punuar mësonjëse në qytetin e lindjes, më pas  mbaroi studimet pasuniversitare dhe u diplomua për Psikologji. Pasioni për poezinë dhe muzikën  lindi që në  fëmijëri,  duke mbuluar këndin letrar të  shkollës, në revistën “Pioneri”,   më pas në gazetën “Studenti” dhe “Drita”, dhe pjesëmarrëse në aktvitet muzikore.  Poezitë e para i ka ruajtur me kujdes të vecantë në ditarin e saj, të cilat njohën dritën e botimit në vëllimin e parë me poezi “Malli nuk ka gjumë”.  Ndërsa kësaj here Ornela prezantohet  me risinë dhe befasinë e një romanciere bashkëkohore. Aktualisht ajo jeton, punon dhe krijon në emigracion,  ekzaktësisht në qytetin Gladbeck të Gjermanisë. 

Përvecse krijimtarisë së saj letraro –artistike-muzikore,  Ornela ushtron profesionin e Psikologes pranë Zyrës së të Rinjve dhe Familjes në Bashkinë e qytetit Gladbeck, Gjermani. 

Romani “Prognozë e Rezervuar” nis me dashurinë e Eneas dhe Jerinës dhe përfundon po me dashurinë e e përjetëshme të  Eneas, sepse është dashuria ajo që të çon në lumturinë shpirtërore, atëhere kur ajo është dashuri e vërtetë dhe e sinqertë. 

Raimonda MOISIU

Author/Freelancer

Jacksonville, Florida USA

Shkurt, 2022

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2400
  • 2401
  • 2402
  • 2403
  • 2404
  • …
  • 2769
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT