• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAMILJE NË POEZI…

January 29, 2022 by s p

-nga Visar Zhiti-

Por vajzat, ah, vajzat, pasi ra perandoria komuniste dhe në Shqipëri ndërroi sistemi, botuan postume librin e atit. Dhe Luçia na dhuron botimin e tretë të poezive, gjithmonë të plotësuara.

E shfletojmë aty, nuk durojmë. “Princi” kishte punuar mrekullisht. Poezitë, edhe variantet e tyre në dy diakektet, edhe në italisht, përkthyer nga vetë Zorba, po edhe hermetikët italianë, Ungaretti, Quasimodo, Montale… nobelistë dy të fundit e poetë të tjerë. Foto bardhë-e-zi si fati.

Është mallengjyes çasti kur Luçia fillon të na thotë përmendësh vargje të të atit, i shoqi i saj, z. Kalaj tregon ndonjë episod nga jeta, djali i tyre më me pasion kujton gjyshin. Edhe Eda ime tregon për gjyshin e saj, që ka qenë i burgosur bashkë me Zef Zorbën në kënetën e vdekjes, atë të Maliqit.

Shfletoj librin. Shoh parathenien e studiuesit, Prof. Ardian Ndreca, esenë e Kadaresë, studimin e Sabri Hamitit, shkrimin emocional të Stefan Çapalikut, që e ka njohur autorin, ka një foto me të dhe ai na e paraqiti së pari këtë poet “Me buzë të ngrira në gaz”. Bashkohem dhe unë si lexues me vlerësimet e tyre me mënçuri dhe ndjenjë.

Diçka kam thënë në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, pak, shumë pak, aq sa ç’kisha informacion.

Zef Zorba është poet i veçantë, ai diti të shkruajë heshtjen folëse në kohën e zhurmave të mëdha, të padurueshme e shpesh të tmerrshme, ai sfidoi me poezinë e thellë brenda krahërorit hermetik të tij, kur jashtë të gjithë librat dhe gazetat ishin me poezi për Partinë dhe rendin dhunues që kishte vendosur ajo. Metafora e Zorbës është dhimbje e thellë që kërkon dritë. Poezitë e tij janë brilantë që ndriçojnë më mirë në errësirë…

Kur dolëm, edhe pse larg, ne e ndjemë, ishim me poetin tonë Zef Zorba…

Filed Under: LETERSI

SOT NЁ DITЁN E LINDJES KUJTOJ NJERIUN E MIRЁ URAN KOSTRECI

January 29, 2022 by s p

NGA DALIP GRECA*

Tё nderuar miq dhe tё afёrm tё poetit Uran Kostreci; Ndjehem i privilegjuar qё mё bёtё pjesё tё kёtij takimi pёrkujtimor siç ndjehem me fat qё rrethanat jetёsore mё takuan dhe mё miqёsuan me njeriun e mirё Uran Kostreci.Boshllёkun qё na la Urani ёshtё i ndjeshёm dhe i pazёvendёsueshёm.Ky boshllёk ndjehet edhe nё Vatrёn Shqiptare tё Amerikёs, ku Urani ishte pjesё aktive. Ai mbetet jo vetёm njё simbol i qёndresёs antikomuniste tё burgjeve tё diktaturёs, por dhe njё antikumunist qё nuk bёri kompromis deri nё fund tё jetёs sё tij, duke mbetur nё kujtesё tё kohёs si njё kampion Lirie. Me Uranin u takuam 23 vite tё shkuara nё Nju Jork. Ishte nje takim i rastёsishёm nё njё nga kafenetё shqiptare nё Bronks, Nju Jork. Nё tavolinat ku ulej Urani do tё gjeje pёrherё shqiptarё tё mirё dhe antikomunistё. Ai u printe debateve duke u dalluar pёr qёndrim tё ashpёr ndaj tё majtёve por nuk kursente as nga krahu i tij, kur bёhej fjalё pёr interesa kombёtare. Antikomunizmi ishte dhe mbeti deri nё fund pjesё e jetёs dhe karakterit tё tij. Urani ndjehej mirё mes vatranёve dhe aty kalonte pjesёn mё tё madhe tё kohёs. Vatranёt e vjetёr, idealistё e çmonin, e dёgjonin e ia respektonin mendimet. Vatra ishte shtёpia e tij. Aty pushonte,mes librave lexonte e shfletonte, shkruante e rishkruante sontetet. Duke qenё se me shtёpi isha jo larg Vatrёs shkoja pasditeve dhe bisedoja gjatё me Uranin, flisnim pёr Letёrsinё, pёr gazetarinё, pёr jetёn. Jo rrallё, veçanёrisht nё ditё tё shёnuara e ftoja nё shtёpi dhe ai vinte me dёshirё. Madje, kishte raste, veçanёrisht nё ditёlindjet e fёmijёve, kur ai nuk mungonte dhe nuk vinte duarbosh. I ruajmё me dashur librat-dhuratё tё autorёve italianё, me dedikim nga ai, kartolinat, siç ruajmё edhe librat e Uranit.Fёmijёt e mi e dёgjonin me dashur dhe dhimbje kur ai rrёfente jetёn e tij tё vёshtirё nё burgje, dёnimet dhe ridёnimet nё biruca, rebelimet e tij, dhe koha kalonte pa u ndjerё. Dhe netёt mbylleshin me leximin e poezive mё tё fundit tё shkruara prej tij. Shpesh herё Urani na lexonte me zё sontet tё saposhkruar dhe kёrkonte mendim. Nёse i bёje njё vёrejtje tё argumentuar ai tё falenderonte dhe ditёn tjetёr sillte variantin e ri. Kur i mbushej mendja bёnte bashkё disa sonetet dhe i sillte vetё nё redaksinё e gazetёs “Illyria” nё Manhattan, ndёrkohё qё gjatё rrugёtimit me tren i kishte bёrё disa ndryshime, sёrish ulej nё redaksi e rikorrigjonte, lёmonte vargjet, por pasi kthehej nё Bronks sёrish telefononte, dhe ose kёrkonte ndyshime vargjesh a fjalёsh, ose lutej qё t’ё mos ia botonim nё atё numёr sepse do tё bёnte ndryshime pёr numrin e ardhshёhёm. Ai ishte redaktor i vetёvetes.E tregova kёtё detaj sepse Urani ishte i pёrkorё nё gjithçka publikonte dhe nuk kёnaqej lehtё. Ai ishte njё mjeshtёr i vёrtetё i sontetit dhe nuk i falte vetes asnjё teknikalitet fals a tё pasakatё.Kjo mёnyrё komunikimi ka vijuar me Uranin edhe kur ai ishte nё Tiranё dhe ne botonim sontete nё gazetёn Dielli. Tё fundit shёnim qё kam nё iboxin e fb i takon 3 marsit 2020. Citoj:” Vёlla Dalip, tё uroj gjithё tё mirat e tё falenderoj pёr ciklin me sonete qё kishe publikuar… Rrofsh….Njё favor tё lyp: tek soneti MEDITIM, strofa e parё, vargu i katёrt, shto fjalёzen- “do “. Pra duhet: PO NUK DO JENE ATA QE SHOH TANI…”PёrqafimeUraniJa kёshtu ishte Urani,kёmbёngulёs deri nё perfeksion.Sa jetoi nё Nju Jork, ai nuk mungoi nё veprimtaritё e Vatrёs, por edhe tё organizatave tё tjera e personaliteteve nacionalistё; si tek Pёrkujtimoret e Heroit tё 7 Prillit, Gjeneral Abaz Kupit, por shpesh herё, kam pas nderin qё sё bashku me tё tjerё bashkatdhetarё ta shoqёroja tek varri i Mit’hat Frashёrit, siç ishte rasti me akademikun e Kosovёs Zekerija Cana, me tё tjerё personalitete. Ai nuk mungoi as nё demonstrimet e mёdha pёr pavarёsinё e Kosovёs, demonstrime pёr tё Drejtat e Çamёrisё para OKB, protestat kundёr korrupsionit tё qeveritarёve socialistё para Kombeve tё Bashkuara etj… Urani botonte nё tё dyja gazetat e komunitetit, Dielli, qё e kishte jatak, por dhe Illyria qё kishtё njё lexues mё tё shumtё nё numёr. Tek Dielli shfaqej edhe si autor kronikash, korrespondecash, recesionesh,dhe shpesh si pjesё e Vatrёs, si pjesё e bordit tё saj nё takimet qё organizoheshin nё seli.Vatra i pat sponsrizuar librin me sonete. Nё 100 vjetorin e Gazetёs sё VATRЁS, DIELLI, Urani ishte tepёr aktiv. Mori pjesё sё bashku me familjen e vёllait, Hasanit nё sesionin shkencor kombёtar. E kujtoj pёrmes njё fotografie ulur mes dy mbesave. Nё numrin e Diellit qё rinisi nё atё 100 vjetor pas njё ndёrpreje prej 2 vite e gjysёm, Urani ishte autor i reportazhit qё pasqyronte veprimtaritё 100 vjeçare tё gazetёs Dielli. Ai nuk do tё mungonte as nё 100 vjetorin e Vatrёs, duke u kthyer enkas nga Tirana.Kthimin e Uranit nё Tiranё ne miqtё e tij tё Nju Jork-ut e pёrjetuam si njё boshllёk tё thellё, por i premtuam atij se distanca nuk do tё na ndante. U pёrpoqёm ta mbanim premtimin, sa mundёm. Kur vonoheshim tё lidheshim, ai i binte telefonit:- Ku tё ka vёllait Ty,-vinte zёri i ngrohtё i Uranit nga Tirana. Sa herё vinim nё Tiranё takoheshim e çmalleshim me Uranin. Takimet tona organizoheshin tek Piazza. Njeriu i mirё Uran Kostreci dinte t’i vlerёsonte njerёzit. E kuptonte lehtё falsitetin, shtirjen, servilizmin nga sinqeriteti. Kur Urani tё thoshte mik, kur ai ta njihte nё thelb karakterin, ta kthente shumёfishin e respektit qё i jepje atij. Sjell nё vёmendje njё rast: Kur ndёrroi jetё im atё nё shtator 2018, unё njoftova miqtё pёrmes fejsbukut. Gjendja shёndetsore nuk mё lejoi tё udhёtoja nga Nju Jorku.Urani e kishte parё njoftimin, kishte pajtuar njё taksi, dhe jo vetёm kishte shkuar nё qytetin e Lushnjёs pёr tё ngushёlluar nёnёn, vёllezёrit dhe motrat e mia, por kishte ndjekur kortezhin nё fshatin e Lindjes , 2 orё larg qytetit, pёr t’i hedhur njё dorё dhe’. Mirёnjohe i dashur Uran!Ende ruaj nё inboks-in e fejsbukut mesazhin e tij: “Vёlla Dalip- edhe njёherё tё ngushёlloj pёr tё mirin Babain Tuaj .Unё nuk e pata njohur Rexhepin nё gjallje tё Tij po pamja nё foto e atij njeriu mё formoi bindjen se Ai ka qenё tёrё jetёn i ndershёm, i vuajtur, i pёrkushtuar, njeri i sakrificёs.Ai,pёr mendimin tim ka qenё fshatari tipik namusqar shqiptar,modeli i tё cilit gjendet rrallё nё kohёt e tanishme. U ndjeva mjaft i lehtёsuar nё shpirt qё hodha njё dorё dhe’ mbi varrin e atij njeriu qё besoj se pёrfaqesonte shqiptarin tonё tё traditёs.Ngushёllime!Urani Tiranё, 4 shtator 2018Ja ky ishte Urani….. Tё dshur miq tё UranitMendoj se Uran Kostreci do tё mbetet pёrjetёsisht nё kujtesёn e shqiptarёve si njё simbol i mirёsisё dhe karakterit tё fortё, njeriu qё jetёn e vet e sakrifikoi pёr t’na treguar se sa vrasёse, sa mashtruse dhe e pashpirt ishte diktatura komunniste shqiptare. Pushoftё nё Paqё Legjanda antidiktaturё , simboli i Lirisё dhe i demokracisё, Uran Kostreci!

Dalip Greca

Nju Jork, 28 Janar 2022

*Pёrshёndetja ime dёrguar organizatorёve tё veprimtarisё tё 28 Janarit 2022 -Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit- Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Elbasan.

Filed Under: Politike

Kadare si një kauzë celebrimi

January 29, 2022 by s p

Gezim Basha/

Ismail KADARE, u bë sot 86 vjeç, me një jetë letrare e cila, unanimisht dhe globalisht, konsiderohet si një “cause celebre” për lexuesit seriozë të çdo gjuhe dhe kulture. I pari shkrimtar Shqiptar që shkeli çdo kufizim të kulturës amtare, Kadare krijoi një univers letrar në sinkron të plotë me tendencat e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Në nje moshë fare të re, ai u shfaq në anën gjeniale të shkrimit letrar. Kreshendoja e Kadarese e shenon kulmin e saj të parë me vellimin e tij të tretë poetik, “Shekulli Im,” për të vazhduar pastaj me shfaqjen e tij meteorike në prozën e gjatë. Trajektorja e tij në prozë, në mënyrën më atipike të mundshme, nisi nga pika e një lartësie të pambritur më parë, me botimin e romanit, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur,” një kuazi-pastish tronditës i romaneve të brezit të humbur dhe atyre “Noir,’ për tu mbyllur së fundi me “Kukulla” një kryevepër mbi trashegiminë amnore që e formon bazorelievin e nënës duke eksploruar me detaje të paharueshme sensore tabletën e shqetësimit Prustian mbi gjurmët e kohës. II“I bekuar” ta strukturojë ngrehinën e ti letrare brenda një shoqërie pak a shumë primitive ku shpesh dënimi i tjetrit shihet si shkak për zbavitje, Ismail Kadare, për një kohë të gjatë, është goditur hapur dhe pas shpine, por vepra e tij është gjeja më e imunizuar nga vërshimi i llumit. Në kontrast me kete Turp Shqiptar, askush ne Perendim nuk e lidh vepren e Kadarese me “gjedhet,” vulgare te Realizmit Socialist. Ja disa vleresime për të nga disa autoritete globale për ekselencë akademike në studimin e letersisë: “Pak e vështirë të besohet,” thotë romancieri dhe kritiku amerikan, John UPDIKE, “por prej Shqipërisë primitive vjen njëri nga përdoruesit më të mençur të teknikave të modernizmit dhe postmodernizmit.” Ne vepren e tij seminale Fjalori I Termave te Letersise (Dictionary of Literary Terms)—nje reference e pazevendesueshme ne shkollen anglosaksone—ne hyrjen per romanin, studjuesi Britanic J. A. Cudon, shkruan, “Romancieri I jashtzakonshem Ismail Kadare eshte jo vetem shkrimtari me i madh Shqiptar, por edhe njëri prej romancierëve më të shquar të kohës sonë.”David Bellos, profesor i Princton University—autoriteti ndoshta më i shquar Anglo-Amerikan i letërsisë në frengjisht—shprehet se leximi i Kadaresë ta sjell botën në formën e saj letrare, si një përzierje mjeshtërore e mitit dhe folklorit, populluar pastaj me portrete mëndjesh moderne nga realitete lokale, të dhëna me një humor sa të zhveshur po aq mjeshtëror.”James Wood i Harvard University, i konsideruar si zëri më autoritar i kritikës letrare amerikane, mahnitet nga humori i ngrohtë i rrëfimtarit si radikal i pafajshëm tek “Kronikë në Gur,” teksa admiron ironinë e koncentruar tek “Koncerti” dhe “Pasardhësi.” IIIPoezia e Kadaresë—pak e studiuar edhe pse ofron shumë për të kuptuar atë gjëndje të veçantë mendore që fermentoi prozën e tij—solli botën urbane me një emancipim ideor, gjuhësor dhe stilistik të vrullshëm. Kur në poezinë Shqipe femra ende quhej “vashë,” Kadare solli botën dinamike të metrove dhe aeroporteve ku ndarja mbetet, “po aq e moçme dhe njëkohësisht e re.” Ai, edhe ne poezite e ndjeshme të dashurisë, bënte me finesën e një mëndjeje skajshmërisht të mprehtë, aludime që godisnin vdekshëm vulgaritetin e kulteve. Konsideroni vargjet e mëposhtme, Më dhimben statujat që rinë në shi, Oh, mbi pjedestale është mërzi…Teksa CNN jepte këto ditë pamjet e kufirit Ukraino-Rus ku ushtaret pozicionohen midis ledheve të dëborës, njëri prej analistëve nxitoi t’a lidhë gjithçka ndodh me ambicien e Putinit për t’a shndruar Moskën në Romën e tretë, duke më kujtuar dy strofa nga poema e Kadaresë, “Shqipëria dhe Tri Romat,” botuar 46 vjet më parë, kohë kur Kadare e shihte Mekën e komunizmit si maskim të profecive pravosllave. Për Romë të tretë, Moskën mbajnë Ata,Dhe Romë të katërt Thonë murgjit s’ka! Ah profeci sllave, Trockij Manastir, Botës seç i dhatëNjë mesazh delir…Të habit fakti se të vetmit kritikë që i kuptuan përmasat e gjenisë së Kadaresë përmes poezisë, prej mbi 50 vjet nuk jetojnë më. Ata mbeten dy: David Smaillov, një botues Rus që shkroi parathënien e përmbledhjes së tij të parë me lirika në Rusisht në vitin 1960, dhe i ndjeri Drago Siliqi, perfaqsuesi më i shquar, dhe ndoshta i vetëm i kritikës letrare praktike në shqip, prej viteve 60-të e më pas. I pari vë në pah tendencat moderniste të Kadaresë, prirjen e tij të brendshme për ta injoruar socrealizmin, i dyti ngashnjehet nga ngulmimi Kadarean për të kërkuar të rënë me eksplorime eksperimentale lirike. IVVazhdon te mbetet masivisht i pakuptuar dhe shpesh i sulmuar nga hjekës lugjesh të pabesa—produkte të mjera të një kulture inferiore dhe ende të izoluar. Tipologjia e sulmuesve te tij eshte aq e larmishme saqe perfshin tërë mercenarët dhe psikopatët e çdo ngjyre, një amalgamë ku përfshihen nja dy akademikë “trukokallë” nga Prishtina, të mbetur në paradigmën vulgare të historicizmit serbo-kroat, dhe disa persëritës litanish nga Tirana që guxojnë ti ofrojnë shkrimtarit receta morale për të shkruar letërsi skematike. Ka ndër ta madje edhe ish-doganiere te kontrabandes se viteve 90-te, tashme “historianë” antikomunistë në biznesin e te folurit pa doganë. Vepra letrare e Ismail Kadarese e ngriti gjuhën Shqipe në majat e letërsisë planetare—një kauzë legjitime për celebrimin e arritjes më të madhe të shkrimit në tremen e asaj “gluhës sonë” siç pat thënë dikur Buzuku në vetminë e famullisë së tij, 500 vjet më parë.

Filed Under: Kulture Tagged With: GEZIM BASHA, Ismail Kadare

POST MORTEM- Kurt Kola, simboli i kalvarit, një jetë që sfidoi Gulagun komunist me zë, zemër dhe penë

January 29, 2022 by s p

Albert Vataj/

Kurt Kola simboli i qëndresës së burgjeve dhe internimeve të diktaturës komuniste nuk është më. Ka ndaluar hapat e tij të rëndë ai burrë shtatlartë, rruga e të cilit ka nisur në ferrin komunist që kur ishte ende fëmijë, për të rendur sfidues deri në fillimditën e sotme 29 janar 2022 kur ju dorëzua vdekjes. Është fikur ai zë buçitës, që nuk heshti kurrë, ai zë që kumboi e kushtroi për të mos pranuar të hesht. Pena e tij denoncuese nuk shkruan më, as zemra nuk troket më në atë kraharor gjëmues. Në atë kurajë simbol, ka mbetur vetëm kujtesa e betejave të bëra, luftrave të fituara, zjarreve të ndezura. Më mbetet të them se humba një mik të mirë.Referuar një njoftimi paraprak në profilin e tij në Facebook për librin “Tranzcioni neokomunist në Shqipëri”, që kishte publikuar, e telefonova për ta takuar, por ai kishte disa ditë në spital dhe më premtoi se do takoheshim sapo të dilte. Nuk e takova dhe më ka mbetur vërtetë peng. E pata mik të mirë për shumë vite. E kam intervistuar disa herë dhe kam punuar me kolegun Ilir Vata në gazetën “Liria”, organ i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, drejtuar prej tij, gazetë të cilën Kurt Kola e mbështeti dhe e suportoi, duke e shndërruar atë të në një tribunë të vërtetë të fjalës së lirë, një strehë prehjeje dhe denoncimi për të gjithë të përndjekurit, hallet dhe dertet e të cilëve gjetën dyer të mbyllura dhe injorime të vazhdueshme, madje edhe atëherë kur në pushtet ishte e djathta, ajo e djathtë që pati si kalë beteje, rehabilitimin e shtresës së përndjekurve politikë. Pavarësisht mundësive të kufizuara, ai u përpoq të bënte maksimumin për mbrojtjen dhe përfaqësimin e shtresës së Ish-të Përndjkurve Politikë, deri edhe në ngujimet e urisë dhe kacafytjet me regjimet postkomuniste, regjime që s’mundën të ishin veçse zgjatime të diktaturës së burgjeve, persekutimeve, vrasjeve politike, kampeve të punës së detyruar. Ndoshta nuk arriti të bënte sa duhej dhe sa donte ai, por nuk u spraps nga përpjekjet, nga denoncimi i krimeve të komunizmit, duke qenë gjithnjë një pishtarë që driti në natën e errët të manipulimit, denigrimit dhe mospërfilljes së shtresës së përndjekurve. Kurt Kola nuk ju dorëzua diktaturës, burgjeve, mureve të qelive, torturave dhe makinacioneve të Sigurimit të Shtetit, por i’u dha sëmundjes në një betejë të konsideruar fituese, por që pati fund fatal. Kurt Kola, njoftoj i biri Bilali, është ndarë kështu nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një vepër vlerash dhe kontributesh. Ishte prezent për vite të tëra, duke bërë maksimumin për të qenë një zë kushtrues, në aktivitetin e ngjeshur sa kohë drejtoi ish të përndjekurit. Politika, edhe pse u rrek dhe arriti të përdorte të persekutuari, sërish bëri fare pak të dëmshpërblyer dhe rehabilituar këtë shtresë. Kurt Kola ishte kudo duke bërë maksimumin, duke qenë një përfaqësues dinjitoz i të përndjekurve, duke shtytur tej caqet e kufizuara nga politika për rolin e të përndjekurve. Ai ka vite që është larguar nga roli aktiv i të qenit aty ku duhej, për të bërë sa të mundej për të përndjekurit, ne media dhe gazeta, por mbi të gjitha përmes librave të tij, të “Ëndërra burg”, “Në Shqipërinë Burg” dhe “Tranzcioni neokomunist në Shqipëri”, në të cilët ai flet për kalvarin e tij nëpër burgje, Golgotë që nuk ishte vetëm e tij por e të gjithë atyre që ishin kundërshtarë të regjimit komunist.Sot ai nuk është më, por emri dhe vepra që la do të mbeten një shënjim identiteti dhe dinjiteti i një njeriu që luftoi sa ishte gjallë dhe vdiq duke u ndeshur me pleqërinë dhe sëmundjen. Ish-të Përndjekurit Politikë kanë humbur një zë të fuqishëm përfaqësimi, një vullnet të paepur përpjekjesh, një penë denoncuese që skaliti me shpirt dhe kujtesë kalvarin.Shpirti jot u shpërbleftë me dritën e parajsës miku im Kurt Kola!

Filed Under: Politike Tagged With: ALBERT VATAJ, KURT KOLA

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN

January 29, 2022 by s p

Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: organizimin e mësimit shqip në Michigan, përpjekjet e prindërve për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve, gjuhën shqipe si një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësia e fëmijëve me dy gjuhë dhe gjuhën shqipe si trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare.

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN

Si fillim, dua t’ju falenderoj për këtë intervistë, për interesin që ju shprehni ndaj gjuhës sonë. Do të ishte një mrekulli të kishim një shkollë, por aktualisht kemi vetëm një klasë të gjuhës shqipe, e cila zhvillohet në Kishën e Shen Palit, Rochester Hills këtu në Michigan. Në vazhdimësi, janë bërë përpjekje nga bashkëatdhetarët tanë këtu, për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të tyre. Në disa qytete të ndryshme këtu në Michigan, janë hapur klasa të gjuhës shqipe. Për mua është viti i tretë që jap mësim. Fëmijët mësojnë alfabetin, si të shkruajnë dhe si të lexojnë gjuhën tonë të bukur, marrin njohuritë elementare të komunikimit të përditshëm.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, TEKSTI BAZË:  ABETARJA E PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË

Në klasën e gjuhës shqipe mësimi zhvillohet për moshën 8-16 vjeç, një herë në javë, dy orë. Kohëzgjatja e mësim dhënies është 9 muaj, shtator – maj. Teksti bazë është  Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e Shtëpisë Botuese “Pegi”. Do të ishte shumë më frutdhënëse po të zhvillohej mësim 2-3 herë në javë, por fëmijët përveç shkollës, angazhohen edhe në aktivitete të tjera sportive e artistike dhe e kanë të pamundur më shumë. Praktikimi i gjuhës shqipe në familje është shumë i rëndësishëm, kjo është pika e dobët që unë diskutoj gjithmonë me prindërit. Fëmijët që kanë ecuri të mire, kalojnë në nivelin e dytë në vitin pasardhës. Materiali për këtë klasë është marrë nga libri “Gjuha Shqipe” për klasën e dytë, por pjesërisht e jo i plotë, sepse duhet përshtatur me nivelin e njohurive të marra nga fëmijët.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha, është një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Ruajtja e gjuhës përbën në mënyrë absolute një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, dhe përbën elementin parësor kombformues. Asnjë komb nuk mund t’iu mbijetojë kohërave pa një gjuhë të tijën. Nëpërmjet gjuhës shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën, traditat e me rradhë. Një popull që nuk ruan, zhvillon dhe përcjell gjuhën e tij ndër breza, herët a vonë, është i destinuar të zhduket.

A KANË PRINDËRIT INTERES  TË MADH QË FËMIJËT E TYRE TË MËSOJNË GJUHËN SHQIPE ?

Kjo pyetje ngre shumë pikëpyetje brënda kokës time, kryesisht për të ardhmen, nëse do të kemi një shkollë të mirëfilltë të gjuhës shqipe apo jo. Është folur shpesh për këtë, pasi komuniteti shqiptar në Michigan është shumë i madh, dhe shkolla shqipe shihet prej shumicës së prindërve si e domosdoshme për fëmijët e tyre. Të shpresojmë që në një të ardhme të afërt të konkretizohet në vepër dhe jo të mbetet thjesht një bisedë rreth tavolinës. Vullneti për një bashkëpunim të mirë e frutdhënës mes prindërve e nxënësve nuk mungon, por që të jem e sinqertë, faktori “Kohë” e zbeh pak atë. Shumica e prindërve janë shumë të zënë me punë, sidomos në këtë periudhë. Koha u mungon të gjithëve, duhet të vraposh që të kapësh kohën. Megjithatë, është për tu vlerësuar shumë, që pavarësisht kësaj, prindërit kanë një interes shumë të madh që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Në rrethanat e emigrimit jashtë vendlindjes, gjuha është faktor kyç në mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën e tij dhe mos asimilimin. Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit, përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shume faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri. Ndihet një mungesë e theksuar e vetëdijësimit të një pjese të konsiderueshme të prindërve shqiptarë, për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtar jashtë shtetit. Shumë familje shqiptare emigrante janë në dilemë se: a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe apo jo? Njëra prej arsyeve të shpeshta është se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se dygjuhësia është pengesë dhe ngarkesë për ata, gjë që për mendimin tim nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi, fëmijët që flasin dy gjuhë kanë një zhvillim më të theksuar të intelektit të tyre dhe rritje të ndjenjës së krenarisë kombëtare. Në lidhje me teknologjinë…, është e dhimbshme ta them, por sipas mendimit tim, efekti i saj te fëmijët është shumë negativ. Pjesën më të madhe të fëmijëve i sheh të lidhur ngushtë me internetin, ku shpeshherë marrin informacion që më shumë i dëmton se i ndihmon. Interesi për të lexuar libra, çka ndikon shumë pozitivisht në formimin e tyre, është tepër i zbehtë. Pandemia po ashtu, ka dhënë efektin e saj negativ, si kudo tjetër. Kur përhapja e saj ishte në pikë kritike, jemi detyruar të ndërpresim mësimin komplet. Shpëshherë fëmijët vazhdojnë të mungojnë për këtë arsye, kur ata vetë ose një pjesëtar i familjes së tyre është infektuar. Normal që kjo ka pasojat e veta, por shpresojmë dhe lutemi që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe jeta në tërësinë e saj t’i kthehet normalitetit.

GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE

Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes. Gjuha është elementi kryesor dhe më i rëndësishëm që mban gjallë një komb. Nëpërmjet gjuhës, manifestohen kultura, traditat dhe zakonet e tij, ç’ka përbëjnë trashëgiminë kulturore shpirtërore kombëtare. Që të ndihemi dhe të identifikohemi shqiptarë, duhet që gjuhën shqipe, të dimë ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave. Duke e ruajtur dhe përcjellë ndër breza gjuhën e bukur shqipe, ne kemi ruajtur identitetin, kulturën dhe krenarinë tonë kombëtare, e si rrjedhojë kjo bën që të jemi më të nderuar e më të respektuar përballë kombësive të tjera, por mbi të gjitha ndaj vetvetes tonë, të parëve tanë si dhe brezave që do të vijnë.

KUSH ËSHTË VERA IVANAJ, FORMIMI, KARRIERA, POZICIONI, ANGAZHIMET…

Unë jam nga një fshat i vogël por shumë i bukur i qytetit të Lezhës, Ishull Shëngjin, i cili rrethohet nga lumi Drin, deti Adriatik, Laguna e Kunes dhe qyteti i Lezhës, me kalanë e Skenderbeut në sfond. Zoti më ka bekuar që të rritem dhe edukohem nga dy prindër vërtetë të jashtëzakonshëm, malësorë të ndershëm e  fisnikë, Gjok dhe Gjyste Ivanaj, të cilëve do t’iu jem mirënjohëse gjithmonë, duke u munduar t’iu ngjaj sa më shumë. Në vitet 70-të, kur Shqipëria përjetonte kulmin e ferrit të diktaturës komuniste, e cila depërtonte thellë si një hije e frikshme në çdo familje shqiptare, ata pavarësisht kësaj, si mua edhe vëllezërit e mi, na rritëm me shumë dashuri. Gjithmonë na thonin; “Kurrë mos harroni se kush jeni dhe nga vini”. Si malësorë e katolikë të devotshëm, na mësuan se si ta duam njëri tjetrin, vendin, gjuhën, zakonet e traditat e të parëve. Shkollën fillore, 8-vjeçare dhe gjimnazin i kam kryer në qytetin e Lezhës. Kam kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori Filologji në degën Gjeografi. Jam diplomuar në Master Shkencor për Trashëgimi Kulturore po në të njëjtin Universitet. Mbetet një peng për mua që nuk arrita të studioja në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë si dy vëllezërit e mi, piktorë të mirënjohur, Nikolin e Frederik Ivanaj, por gjithsesi e kam ushtruar pikturën me shumë pasion. Kam punuar gjithashtu edhe në gazetën e pavarur “Koha Jonë” në Lezhë dhe në Tiranë. Vitet e fundit para se të vija në Shtetet e Bashkuara, kam punuar në Ministrinë e Kulturës në Tiranë për një periudhë disa vjeçare, fillimisht si asistente e zëvendësministrit të kulturës dhe më pas, po në këtë ministri, si specialiste e trashëgimisë kulturore. Aktualisht, përveçse përpiqem t’iu mësoj fëmijëve gjuhën tonë të bukur shqipe, punoj si Sekretare e Kishës së Shen Palit në Rochester Hills, si dhe në një kompani shqiptare shumë të suksesshme, NIKO’S Home Design Center. Pasionet e mia janë piktura, natyra dhe udhëtimet. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, vera ivanaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2434
  • 2435
  • 2436
  • 2437
  • 2438
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT