• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FIGURA E DR. IBRAHIM RUGOVËS, PORTRETI I NDRITUR I KOSOVËS

January 26, 2022 by s p

Dr. Sadik Elshani

Më 21 janar u ben 16 qëkur dr. Ibrahim Rugova kaloi në botën e amshuar. Është kjo një ditë për të reflektuar për jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës. Gati të gjithë qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e partive politike në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare e vlerësojnë lart figurën e dr. Rugovës, por për fat të keq ende ka individë (vetje) që ende mundohen ta njollosin këtë figurë të ndritur, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë shqiptarisë. Në këtë shkrim do të mundohem që të flas diçka për figurën e dr. Rugovës, por edhe t’u drejtohem kritikave të pabaza të bëra nga disa individë inatçorë.

Dr. Ibrahim Rugova, prijës guximtar e largpamës


Paraqitja e dr. Ibrahim Rugovës në skenën politike të Kosovës ishte një dukuri e paparë gjer atëherë në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike. Gadishulli që kishte përjetuar drama, tragjedi njerëzore, luftëra e dhunë të pandërprerë, thuaja gjatë tërë historisë së tij, nuk ishte mësuar të ndeshej me një qëndresë (rezistencë), lëvizje paqësore. Por ja që dr. Ibrahim Rugova solli diçka të re, solli nëe qasje të re, rezistencën paqësore, rezistencën këmbëngulëse burrëore – zgjodhi forcën e parimeve të larta morale mbi forcën e vrazhdë fizike. E mospërfillën pushtuesin, e refuzuan nënshtrimin dhe ngritën institucionet, shoqërinë paralele. Me këtë qasje, strategjinë, filozofinë e tij politike ai e kishte projektuar pavarësinë e Kosovës, qëllimin përfundimtar, ëndrrën e popullit të Kosovës. Pra, ky është rugovizmi: filozofia politike, strategjia e dr. Ibrahim Rugovës për të arritur pavarësinë e Kosovës. Armiku ynë, siç kishte bërë gjithmonë, zgjodhi rrugën e dhunës, rrugën e krimit, gjenocidit. Barbarizmi nuk mund ta përqafojë qytetërimin dhe vërtet është shumë e vështirë që barbarizmi të luftohet, mposhtet me mjete paqësore. Por, kohërat tani kishin ndryshuar, Europa dhe bota përparimtare ishin zgjuar nga indiferenca e tyre, sepse armiku ynë, dikur miku i tyre, e kishte mbushur kupën me krimet e tyre barbare e çnjerëzore.  Dr. Rugova ishte bërë simboli, flamuri i kësaj lëvizje dhe me forcën e personalitetit, intelektualizmit të tij e bëri të ndjeshme, e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, e gëzoi përkrahjen dhe mbështetjen e demokracive, fuqive më të mëdha botërore. Por, çka është edhe më e rëndësishme, ai e gëzonte përkrahjen, dashurinë, respektin e pakufishëm të popullit të vet. Udhëheqësi i zgjedhur në mënyrë demokratike që e gëzon respektin dhe përkrahjen e popullit të vet, do ta gezojë edhe përkrahjen, mbështetjen e botës përparimtare. Qyteterimi europian e botëror që i mbështeti, që i përqafoi vlerat e larta intelektuale e njerëzore të këtij biri të Nënë Terezes, sikur u pajtua që të bënte diçka për popullin, vendin e këtij njeriu që mishëronte paqen, mirëkuptimin, harmoninë në mes të popujve dhe jo dhunën. Me përkrahjen ndërkombëtare, luftën e Natos dhe të shqiptarëve, kjo qasje e re solli diçka që nuk kishte mundur të realizohej më herët – solli pavarësinë e Kosovës. Të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës vazhdimisht kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e tyre, Kosova ka patur burra shumë më trima e më të zotë se “komandantët” rrahagjokës: Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Galica, Shaban Polluzha e shumë të tjerë, por ja që nuk munden t’i arrinin synimet e tyre. Nuk ka nevojë që të zgjatemi më tepër këtu se të tjerat i ka thënë dhe do t’i thotë historia.

Dr. Rugova nuk ishte një Shenjt, Profet, njeri i përkryer, por ishte udhëheqësi i duhur, në kohën e duhur, në çastin vendimtar, në vendin e duhur. Kishte shumë kohë që vendi ynë e priste një prijës të tillë, të mençur e guximtar. E quajtën Gandi i Ballkanit. por ai ishte edhe Moisiu i Ballkanit, Moisiu i shqiptarëve. Ai nuk i priu popullit të tij drejt tokës së premtuar, sepse ata ishin në tokën e premtuar, në tokën e tyre – ai i priu popullit drejt fitores së lirisë, heqjes së prangave të robërisë shekullore. Iishte i begatuar me tipare shumë njerëzore, kurrë nuk e ka fyer askend, nuk e ka sharë askend, nuk e ka kërcënuar askend, nuk ka folur keq për askend, edhe pse të tjerët e sulmonin vend e pa vend. Nuk ishte një udhëheqës mendjemadh e fjalëbosh, por gjithmonë i qetë, një intelektual i brumosur me ndjenjat e atdhedashurisë dhe i edukuar me një frymë liberale përendimore, i armatosur me forcën e argumentit, të vërtetës, fakteve – shembëllturë e intelektualit të angazhuar.  I kishte ngarkuar vetes një qëllim, një mision të lartë e fisnik: të mos merrej me të tjerët, por vetëm me çështjet, interesat madhore të Kosovës dhe të kombit tonë. Këtë mund ta bënte vetëm një intelektual, humanist me shpirt fisnik e zemër të gjërë si dr. Rugova, njeri qe ia njeh shpirtin e popullit te vet.

Rrahagjokësit dhe njeriu i urtë

Ka shumë rrahagjokës që ende jane duke e kritikuar rrugën e tij paqësore, që nuk ishte nënshtruese, por sfiduese, këmbëngulëse, formoi një shoqëri të qytetëruar, ndërtoi një shtet paralel, si përmendëm më lart, dhe që u kurorëzua me fitore. Por, në hapësirën shqiptare dhe atë ballkanike gjatë gjithë historisë ka patur vetëm dhunë. Në shoqëritë ku mbizotëron kulti i ekzagjeruar i mashkullit, në shoqëritë “macho”, në shoqëritë ku njerëzit vuajnë nga sindromi i heroit, njerëzit e urtë, të mençur e të sjellshëm si dr. Rugova, quhen frikacakë, tuca. Përkundrazi, është e kundërta. Bukur e ka thëë shkrimtari libanezo – amerikan, Khalil Gibran (1883 – 1931): “Sjellja e mirë dhe të qenit njerëzor, nuk janë shenje e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri”. Rrahagjokesat duhet ta dinë se Kosova nuk kishte ushtri, tanke, aeroplanë – forcat tona ishin shumë të pabarabarta me ato të armikut tonë. Duhej hulumtuar, gjetur një rrugë tjetër. Ne patëm kohe për njëqind vjet që të çliroheshim, por nuk mundem vetëm me forcat tona, duhej një përkrahje, ndërhyrje ndërkombëtare.

“Mjerë ai vend ku përçmohen mendjet e lartësohen muskujt” – ka thënë shkrimtarja italiane, Sveva Casati Modignani (1938). Për fat të keq, ai vend është vendi ynë. Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur se në një shoqëri, vend të tillë ende ka njerëz në pozita politike dhe nëpër institucionet shtetërore, kulturore e akademike që mundohen ta përdhosin veprën e dr. Ibrahim Rugovës. E kritikonin dr. Rugovën për durimin e tij, por populli ynë dhe shumë popuj të tjerë e kanë një shprehje: I duruari, i fituari.

Praktika, realiteti dhe historia i dhanë të drejtë dr. Rugovës

Kundërshtarët politik të dr. Rugovës mendojnë se Kosova e kishte një armatë të armatosur gjer në dhëmbë: radhë të pafund të tanksave, aeroplanë me motora të ndezur në pistë që vetëm prisnin urdhërin e dr. Rogovës, por ja që ai nuk po e jepte atë urdhër. Udhëheqësi i mirë kujdeset për popullin e vet dhe nuk luan bixhoz me fatin, jetën e tij. Nuk mund të bësh thirrje për luftë kur nuk je i përgatitur për luftë, pa armë e pajisje luftarake – kjo do të ishte vetëvrasje për Kosovën. Ishte një ballafaqim si ai rrëfimi biblik për Davidin dhe Goliathin. Davidi nuk e kishte forcën e Goliathit, por duhej gjetur një rrugë tjetër për mposhtjen e tij. Pra, në rastin e Kosovës, duhej që të siguroheshin përkrahje e aleanca me fuqitë botërore. Edhe dr. Rugova e ka ditur shumë mirë që Serbia nuk largohet nga Kosova pa forcë. Po ku ta gjeje atë forcë, sepse vetëm forca jonë nuk ka qenë e mjaftueshme?! Edhe atij me siguri i është vërtitur nëpër mend vargu i Migjenit: “O, si nuk kam një grusht të fortë”. Dhe e gjeti atë grusht: intervenimi ushtarak i NATO-s, pa lene anash as luftën e UÇK-së. Vetëm grushti ynë nuk ka mundur ta nokautonte Serbinë. Udhëheqësi i mirë e përcepton, e vlerëson drejt dhe me largëpamësi një situatë të caktuar. Një rast kyç për fatin e Kosovës ishte Konferenca e Rambujesë. Kosova e nënshkroi marrëveshjen, ndërsa Serbija, jo. Ky ishte një signal i qartë për ndërkombëtarët se Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës. Serbia e bënte të kundërtën, kishte grumbulluar forca të shumta ushtarake në kufirin e Kosovës. Po të mos e kishte nënshkruar këtë marrëveshje Kosova, ndërsa Serbia do ta kishte nënshkruar, atëherë përfundimi do të ishte krejt ndryshe. Dr. Rugova ishte për nënshkrimin e menjëhershëm, ndërsa z. Hashim Thaçi isht kundër, por më vonë e nënshkroi. Ndërsa Albin Kurti ishte kundër kësaj marrëveshje. Udhëheqësi i mirë gjykon me gjakftohësi dhe merr edhe vendime të vështira. Serbia po i vazhdonte masakrat, dhe ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo nxitësja finale për intervenimin e NATO-s. Ata që e kanë kritikuar dhe ende po e kritikojnë dr. Rugovën vetëm janë duke e bërë më qëllime dashakeqe për ta zbehur figurën e tij të ndritur. E kanë të kotë se historia dhe realiteti kosovar i kanë dhënë të drejt dr. Rugovës. Nëse dikujt nuk i ka pëlqyer politika e dr. Rugovës, përse nuk i aknë themeluar partitë e tyre dhe ta linin anash dr. Rugovën e t’i prinin popullit? Populli e përkrahu dr. Rugovën dhe qasjen e tij për zgjidhjen e problemit të Kosovës. I kanë propozuar prof. Rexhep Qosjes që ta merrte drejtimin e LDK-së, por ai kishte refuzuar. Tani ai nuk ka kurrëfarë të drejte morale që ta kritikojë dr. Rugovën dhe politikën e tij të guximshme e largpamëse. Në një emision debatues, “Pressing”, të TV7, opinionisti Isuf Thaçi u shpreh se dr. Rugova e zgjodhi rrugën e poshtërimit. Nga ato që u cek më lart dhe vetë rrjedha e ngjarjeve historike, mundja e Serbisë dhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, tregojnë qartë se dr. Rugova kishte të drerjtë. Në të njejtin emision edhe profesori universitar i filozofisë, Blerim Latifi, u shpreh se me rrugën e Rugovës Kosova do të gëzonte vetëm një autonomi. Dr. Rugova gjithmone, në të gjitha intervistat dhe deklaratat e tij ka ngulur këmbë vetëm për pavarësi. Kosova sot është shtet i pavarur dhe jo krahinë autonome e Serbisë, fal shumë faktorëve, por një nga faktorët kryesorë është politika e guximshme e largpamëse e dr. Rugovës. I ceka këta dy individë, por për fat të keq ka edhe shumë të tjerë që mendojnë si këta. Ka shume konflikte në botë ku po derdhet gjak, siç u shpreh dr. Latifi për Kosovën, por NATO nuk po ndërhyn ushtarakisht, ende këto zona të konfliktit nuk i kanë arritur qëllimet e tyre, sepse nuk e kanë një prijës te kalibrit të dr. Rugovës. Zotin Isuf Thaçin dhe profesor Blerim Latifin askush nuk po e ndalon që me “trimat” e tyre ta kalojnë urën e Ibrit dhe ta bashkojnë Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Nëse e paskëshim patur forcën për ta çliruar pjesën dërmuese të Kosovës, pse nuk e paskemi forcën për ta futur Veriun e Kosovës nën kontrollin e qeverisë së Kosovës? T’i gjykojmë gjërat me pjekuri e jo me inate e kritika dashakeqe.

Të ndjekim rrugën e Rilindjes sonë Kombëtare

Periudha e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtaria e lëvizjes së dr. Rugovës janë dëshmi të qarta se, asnjë qëndresë e armatosur nuk mund të jetë e suksesshme pa patur përkrah një lëvzje të drejtë e të fortë politike, gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, që gëzon edhe përkrahjen e gjërë ndërkombëtare. Intelektualët nuk duhet të heshtin përpara sfidave të vështira që po kalon Kosova e kohëve të fundit – nuk duhet të bëhen peng i politikës së ditës dhe të ambicieve të tyre të sëmura për pushtet, duke e përçarë popullin, madje duke nxitur edhe dhunë. Ngjarjet e viteve të fundit në Kosovë janë duke pasqyruar qart se Kosovës sot po i mungon një intelektual, një politikan i kalibrit të dr. Rugovës. Po ndihet dukshëm mungesa e prijësit emblematik të Kosovës, udhëheqësit që rrezatonte vlera kombëtare e mirësi njerëzore. Njerëzit si dr. Rugova rrallë paraqiten në jetën publike e politike të një vendi, një populli të vogël dhe kam frikë se për një kohë të gjatë nuk do të kemi një njeri të përmasave, autoritetit të tij.

Në figurën e dr. Ibrahim Rugovës politikanët shqiptarë e kanë një shembull të mirë për ta ndjekur. “Finis coronat opus” (fundi e zbukuron veprën) kanë thënë latinët e vjetër – vetëm shikone ceremoninë e varrimit të dr. Rugovës. Në kohën e dr. Rugovës Kosova ndryshe trajtohej e jo si sot, qe dita ditës është duke rënë poshtë e me poshtë përkrahja e saj ndërkombëtare.

Philadelphia. 21 – 24 janar, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Fejton Tagged With: Sadik Elshani

Televizioni dhe mjerimi moral i shqiptarëve

January 26, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Jeta kulturore-shpirtërore-argëtuese e shqiptarëve sot është një katastrofë. Mundësitë e ofruara janë: shtëpi-kafene-punë dhe punë-kafene-shtëpi, përjashto një numër të vogël që me paratë e prindërve bëjnë jetë nate. Në darkë shqiptari pas një vakti me kos apo një “lugë” gjellë të mbetuar nga dreka, shtrirë në divan, fillon e gëlltitë si ëmbëlsirë deri në mesnatë programet televizive. Me hir o me pahir ndjek lajmet në njëzetë kanale, që japin kronika për kriminelë e hajdutë, qeveritarë të korruptuar, aksidente rrugore, vrasje në familje, vrasje me pagesë, përleshje bandash, madje edhe numrin e të vdekurve nga përplasja e trenave në Indi, apo përmbytjet nga shirat në ishujt Bali e Mozambik. Shto mbi këto bëmat, llogjet e këshillat e neveritshme për gjithçka, madje edhe përtej Shqipërisë, të kryeministrit të gjithëditur, që është pilaf e nuk i mbyllet gryka gjithë ditën  nëpër televizione e kuadri bëhet i plot. 

 Sikur të mos mjaftonin lajmet e pilaf-kryeministrit, pesë ditët e javës në shumicën e televizioneve do të shikosh rracën e poshtër të gazetarëve miliarderë alias opinionistëve, të një shtetit të rreckosur, mbuluar nga varfëria e krimi, që tallin rrapin e trapin nja dy orë të mira, duke gënjyer, dezinformuar, të bëjnë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë sipas kërkesave e porosive të atyre që i paguajnë. E vetmja gjë e sigurt nga këto cirqe televizive (me ndonjë përjashtim) është që urrejtja dhe varfëria midis shqiptarëve rritet e rritet deri në pafundësi. Është një megasistem i gjithë propagande, (harrojeni rastësinë) i ngritur nga parallinjtë e politika, ku analistët miliarderë iu tredhin trutë shqiptarëve, të mos dinë ku është e keqja e të ngrihen kundër saj. Kjo lloj propagande dhe disa emisione televizive si do e shohim më poshtë, ia kanë dalë t’i shndërrojnë shumicën e shqiptarëve në pula, që kur i zë flama, nuk orientohen dot e ecin kuturu, derisa ngecin në ndonjë bodrum,  gardh a shkurre e aty presin ngordhjen. 

Pastaj vijnë ato emisione të papërshtatshme, në çdo orë të ditës e të mbrëmjes, që pa hezitim do t’i emërtoja fëlliqësira, lapërdhira e kurvërira. Ato japin modelin më të zi të arritjes së suksesit, famës e të jetës  prrallore. Për këtë mjafton një trup i bukur dhe nxjerrja në shesh e të gjitha hireve, të mbuluara shpesh me gjethe ulliri dhe më tej si një automat, të kryesh veprime dhe të flasësh ato fjalë që t’i kanë mësuar më parë ustallarët e emisionit. Si mundet tridhjetë apo dyzetë femra njëherësh të dashurohen në një çast me një njeri që e shohin për herë të parë, t’i qepen, e ta bëjnë “telef” Princin (i pari tuaf, i sotmi pelivan) e të shpikin mijëra marifete, nga “krevati” te “dollapi” që ta bëjnë për vete? Në këtë emision zgjidhen vajza e djem me bukuri fizike të admirueshme. Shumë prej tyre kur fillojnë e flasin janë aq budallanjë e të papërgjegjshëm sa vërtetë ndjen keqardhje e mëshirë. E vetmja vlerë mbetet bukuria fizike, e nxjerrë hapur në shitje, që sigurisht nuk mjafton për tu marrë si model i jetës për të rinjtë.

Emisioni “Përputhen” është një tjetër gallatë. Qëllimi aty është të gjesh dashurinë, dmth njeriun me të cilin do të kalosh jetën. Dashuria midis mashkullit e femrës është diçka hyjnore, është si të vdesësh e të ngjallesh sërish, të prekësh ferrin e të jetosh parajsën, është bekim nga Zoti. Kur kjo ndodh aty flet zemra dhe shpërthen lumturia. Njerëzit nuk llapin e zihen por këndojnë, nuk ecin e zvarriten por fluturojnë. Në praninë e ekranit, të një dyzine njerëzish e mijëra të tjerëve që të ndjekin vështirë, që këto të ndodhin. Në “Përputhen” mund të shikosh modelin më të shëmtuar të femrës teleshmëne, llafazane me një fjalor rruge të papranueshëm për një emison televiziv. Një dyzinë djemsh bukuranë, duke pritur të thirren në takim, shndërrohen  nga sektori i femrave në lolo e gaztorë, ( njëra madje do vetëm fëmijë nga një mashkull i bukur dhe aq.) rrotullojnë sytë në orbita rrethore nga akuzat e ofendimet, që u adresohen, duke zhvilluar dialogë kilometrikë me një shqipe për të vajtuar e që nuk kanë lidhje me dashurinë. Aty mund të shohësh gjithçka, po dashuri të rinjsh jo. Ka thjesht shfaqje teatrale, zënka banale, pazare të shumllojshme miushësh e miushesh. 

Është dhe emisioni i “Fratellos” i motivuar gjithsesi, se fiton 100.000 euro. Mund të dalësh me brekë po edhe pa to, mund të bësh seks në vaskë për hir të spektaklit, (të fitosh mijëra ndjekës, që diskutojnë e bënë vërtetë apo me gjasme) të fërkohesh me partneren e re në çdo cep të mundshëm, të bërtasësh si dikur në rradhën e vajgurit, të llomotitësh e mjaullish gjithë ditën e perëndisë si maçokët e macet majë çatisë. Shpesh, në këto emisione televizive më qyqarët, e më të leqendisurit paraqiten të ashtuquajturit opinionistë gra e burra, që nuk janë të gjithë rrota djathi apo karroce. Këta të dhimbsen, sepse për hir të pagesës që marrin, duhet t’i japin vlerë e justifikojnë emisionin dhe shumë djem e vajza jashtë standardit e moralit shoqëror. Në dreq të venë ato para, nëse kanë pak sedër, kur e kuptojnë, që aty luhet keq e shpifur, ndërsa dëmi, që i sjellin këto emisione shoqërisë shqiptare, veçanërisht rinisë i kalon kufijtë e të pakorrigjueshmes. Veç propagandës për të paraqitur një Shqipëri ndryshe nga e vërteta mjerane, në këto emisione televizive shuma e parave të hedhura e harxhuara është marramendëse. 

PS. Pjesa dërrmuese e rinisë shkollore e studentore, me politikat arsimore qeveritare të ndjekura deri sot, e kalojnë ditën në kafene, duke parë celular ose ëndërruar sesi do të gjejnë një mënyrë për t’ia mbathur nga Shqipëria. Sikur paratë e “Përputhen,”  “Princit” dhe “Fratellos” që nuk deklarohen kurrë ( janë miliarda lekë) të shkonin në pasurimin e bibliotekave të shkollave e universiteteve, në organizimin e festivaleve të ansambleve artistikë, të teatrove, të kampionateve sportive të ndryshme, në konkurse historie, letërsie e gjeografie, pse jo dhe bukurie, midis shkollave apo universiteteve, në vend të këtyre emisioneve pocaqi, do të kishim mijëra të rinj e të reja të aktivizuara në veprimtari sportive e kulturore gjithëvjetore, plot dëshira dhe të shëndetshëm. Me pak kujdes, e dashuri për njerëzit e të ardhmen e Shqipëris kjo realizohet. Eksperiencë për këtë ka.


Filed Under: Emigracion

Vetem te bashkuar mund te ndalojme Skavicen

January 26, 2022 by s p

Ferzileta Gjika/

Po bëj një përpjekje modeste për të folur në emër të dibranëve me shpresën për të rritur ndërgjegjësimin se ndërtimi i Digës së Skavicës nuk është thjesht nocion i sakrificës së njerëzve për zhvillimin kombëtar, por paraqet dilemën për komunitetet lokale të Dibrës qe nuk jane konsideruar ne vendimarrje ne lidhje me projektin famekeq te Skavices. 

Sipas Komisionit Botëror për Digat (WCD, 2000: 1-2), “konfliktet mbi digat janë më shumë se konfliktet për ujin. Ato janë konflikte mbi zhvillimin njerëzor dhe vetë jetën.”

Janë mbi 35 fshatra që do të mbulohen me ujë, dhe mbi 60,000 persona të prekur nga diga e Skavicës do të shpërngulen. Ankesat e tyre shpërfillen dhe protestat e tyre thjesht njihen si grupe të vogla që shkaktojnë trazira politike. Miratimi i një dige të madhe si ajo e Skavicës, pa marrë parasysh zërat e banorëve autoktonë, reflekton idenë se qeveria e zotëron këtë pasuri kombëtare pasi qeveria është ajo që ka për detyrë ta konsiderojë me krenari këtë si një fitore. Kjo ka një ndikim indirekt në atë që qeveria mund të pretendojë kontroll mbi pasuritë kulturore, historike, identitetin e nje rajoni në emër të shumicës. Zhvendosja e detyruar si dhe shpronësimi në rastin e ndërtimit të digave dalin si justifikim për të mirën e përbashkët. Edhe pse ka shumë mënyra të tjera për të marrë energji duke përdorur energjinë diellore, apo energjinë e erës, ndërtimi i digave të mëdha spikat si mekanizmi më me kosto efektive në programin e qeverisë. Ndërtimi i digës së Skavicës nuk ka një vlerësim të qartë për rezultatet mjedisore, e lëre më pasojat socio-kulturore. Për banorët vendas të Dibrës, jeta e të cilëve është jashtëzakonisht e lidhur me tokën, ujin dhe burimet natyrore, zhvendosja e detyruar është më e madhe se humbja e aseteve financiare, si traditat, historia, kultura dhe identiteti i tyre. Fatkeqësisht, komunitetet lokale të prekura janë gjobitur për të ndërprerë fuqinë për të protestuar. Historitë e ankesave të tyre mbahen të pashfaqura nga mediat e kontrolluara nga qeveria dhe qe nuk ia vlen t’i kushtohet vëmendje.

Diga e Skavicës shquhet si një nga konfliktet famëkeqe mes qeverisë shqiptare dhe banorëve vendas të Dibrës, për trajtimin e padrejtë të komuniteteve të prekura dhe për të krijuar dëme të pakthyeshme mjedisore. Ndikimet që rezultojnë përfshijnë shkatërrimin e të gjithë Dibrës si rajon dhe heqjen e Dibres nga harta e Shqipërisë, duke shkatërruar kështu të gjithë komunitetin dibran, dhe identitetin e tij.  Zëri i komunitetit nuk është dëgjuar, dhe as qe jane permendur se eksistojne ne planet e Skavices. Per ironi qeveritaret kane permendur komunitetin e Kukesit qe kane marre leje, dhe kane rene dakord per ndertimin e Skavices, duke injoruar eksistencen e 34 fshatrave te Dibres qe do te fundosen nen uje.  Ju bej thirrje jo vetem komunitetit te Dibres por te gjithe shqiptareve qe te ndalojne ndertimin e hidrocentralit te Skavices. Ne nuk duam t’i zëvendësojmë shtëpitë tona me digën e Skavicës. Nëse humbim Dibrën dhe humbim një pjesë të Shqipërisë, përgjithmonë. Kjo tokë është shtëpia jonë, kultura jonë, historia jonë identiteti ynë. Kjo tokë ruan mjedisin natyror, speciet e ndryshme dhe pyjet. Të parët tanë janë kujdesur mirë për të dhe ne do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Sot duhet të jemi të gjithë të bashkuar për të luftuar Projektin e Digës së Skavicës në Dibër të Shqipërisë. Ftoj komunitetet lokale, ambientalistët, studiuesit, mbrojtësit e të drejtave të njeriut së bashku me të gjitha organizatat mjedisore kundër projektit të Skavicës. 

Si komunitet i Dibrës, ne bëjmë thirrje që çdo studim i digeve të reja të përfshijë mundësi të shumta për kontributin e publikut, idealisht shumë përpara se të kalojë në procesin zyrtar të rishikimit të qeverisë. Mundësitë e shumta për kontributin publik do t’i lejojnë publikut shqiptar të ekspozojë çdo supozim të gabuar në lidhje me vlerësimet e kërkesës dhe ofertës, si dhe çdo problem tjetër mjedisor dhe ekonomik, qoftë afatshkurtër apo afatgjatë.

Sipas shumë ekspertëve të energjisë së rinovueshme, sistemi i erës dhe diellit jane menyrat me te avancuara si mënyrat më të mira të energjisë së rinovueshme duke ruajtur mjedisin dhe duke shpëtuar lumenjtë dhe tokën tonë.

Mbështetja për një digë si ajo e Skavices duhet refuzuar në mënyrë të konsiderueshme nëse popoulli shqiptar duhet të mbaj vetë barrën e ndërtimit të digave, si tatimpagues për të shlyer kredinë.

Kur zëri i dibranëve nuk është dëgjuar dhe është shuar qëllimisht, ky eshte nje shqetesim kombetar dhe nuk i perket vetem Dibres. Vleresimi dhe konsiderimi i ideve dhe strategjive midis të gjitha organizatave dhe individëve që kontribuojnë në projektin Stop Diga e Skavicës, eshte mjaft rendesishem per vete urgjencen e problemit ne fjale. Këto kompetenca thelbësore kontribuojnë në suksesin e të qenit lider për të bashkuar njerëzit për të njëjtin qëllim për projektin Stop Skavica.

Dibra është në kërkim të një udheheqesi resilient që mirëpret mundësitë për të deleguar dhe gjetur mënyra për t’i përfshirë të gjithë në procesin e vendimmarrjes dhe për të vlerësuar ndryshimin. Udhëheqësit resilient dëgjojnë dhe udhëheqin me compassion dhe intuitë, dhe vlerësojnë qëllimshmërinë në lidhje me aksesin dhe disponueshmërinë për reagime. Drejtuesit proaktivë krijojnë një mjedis të sigurt dhe mbështetës duke nxitur pune krijuese dhe produktive ku dibranët ndihen të motivuar dhe të vlerësuar.

Është detyra jonë si dibranë vendas, të mbrojmë tokën, shtëpinë, historinë, kulturën, identitetin dhe vendin tonë. I ftoj të gjithë drejtuesit intelektualë dibranë të jenë të guximshëm, novatorë, të ofrojnë ndihmë, t’u ofroni kohën atyre në nevojë. Përforcimi i te gjitha lidhjet eksistuese ne planin e mbrojtes se lumit Drin i Zi, dhe krijimi i rrjeteve të reja me organizata të tjera të ngjashme mjedisore, krijimi i një platformë dhe një plani për të ndjekur dhe dokumentuar të gjithë hapat krijon nje domosdoshmeri urgjente. Niveli i ndikimit të komunikimit përcaktohet nga aftësia jonë për ta përdorur atë.

Sfida per ndalimin e Skavicës, ekspozon domosdoshmërinë e zhvillimit të një pune te mirfillte dhe të koordinuar mes të gjithë njerëzve. Gjatë periudhave të tilla te veshtira, është e domosdoshme që organizatat të ofrojnë hapësira të sigurta për të gjithë njerëzit për të diskutuar çështjet që i prekin. Fleksibiliteti dhe komunikimi janë mënyra kyçe për të forcuar qëndrueshmërinë individuale dhe të përbashkët, midis të gjithë anëtarëve dhe midis organizatave. Lidershipi intelektual mund të tregojë një përkushtim të vërtetë ndaj burimit të tij më të mirë – popullit tonë të Dibrës dhe ta dijë se këta njerëz duhet t’u besojnë vendimeve tuaja.

Filed Under: Kronike Tagged With: Firzileta Gjika

Asgjë e re

January 26, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

The New Despotism është një libër i shkruar nga Lordi Hewart, Kryegjykatës i Anglisë, dhe i botuar në Londër gati 100 vjet më parë. Hewart e përshkruan këtë “despotizëm të ri” si “për të nënshtruar Parlamentin, për t’iu shmangur gjykatave dhe për të bërë vullnetin, ose kapriçon, e ekzekutivit të pakufizuar dhe suprem”.
Ajo që i jep despotizmit të ri efektivitetin e veçantë është ndërlidhja e tij me humanitarizmin, thotë Robert Nisbet në librin Twilight of Authority, në vitet 1960.
Por është edhe kapaciteti për të hyrë në detajet më të vogla të jetës njerëzore që e bën të suksesshëm këtë lloj despotizmi.
Diçka e tillë ka filluar hapur tashmë në procesin e kthimit të Shqipërisë në një shtet të vërtetë socialist despotik siç ishte viteve më parë. Despotizmi i ri me gënjeshtrat mashtruese që thuhen mjaft shpesh për t’u besuar, krimet e legalizuara dhe çnjenjëzimi ndërhyrës (patronazhist) në jetën e individit siguron djepin e tij deri në varr. Arsyeja e vetme që pranohet ky dado-statizëm është premtimi i një bote më të mirë bazuar në parimet humanitare. Nëse qeverisë i jepet carte blanche, ajo bëhet tepër ndërhyrëse dhe tepër e zellshme në kauzat e saj, duke rezultuar në një formë totalitarizmi të mbajtur nga dhuna dhe frikësimi, ndërkohë që duhet të jetë përgjegjësia individuale për mbajtjen nën kontroll të fuqisë kolektive – sepse qëllimi nuk justifikon mjetin.
Despotët e sotëm hedhin dyshime mbi humanitarizmin; ata skllavërojnë në mënyrë kriminale secilin, cilindo dhe të gjithë, deri në detajet më të vogla të jetës njerëzore; përdorimi i humanitarizmit si mbulesë për axhendën funksionon shumë mirë, i lejon njerëzit të ndihen mirë ndërsa marshojnë pa e ditur drejt skllavërisë socialiste. Fatkeqësisht, shumica mashtrohen lehtë.
Disa nga mizoritë dhe shkeljet më të mëdha të lirisë kanë ardhur nga një zell i tepruar ose një despot shtypës në emër të “humanitarizmit”. Thuhet se fjalët më të frikshme që mund të dëgjojë liria janë: “Unë jam nga qeveria dhe jam këtu për të ndihmuar”, thoshte Ronald Reagan.
Dominimi alternativ i një fraksioni mbi një tjetër, i mprehur nga fryma e hakmarrjes, e natyrshme për mosmarrëveshje partiake, e cila në epokën e fundit solli kaq shumë tmerre, është në vetvete një despotizëm i frikshëm. Çrregullimet dhe mjerimet që rezultojnë gradualisht i bëjnë njerëzit të priren për siguri dhe prehje në pushtetin absolut, dhe herët a vonë shefi i ndonjë fraksioni mbizotërues, më i aftë ose më me fat se konkurrentët e tij, e kthen këtë prirje për qëllimet e lartësimit të tij, mbi rrënojat e Lirisë publike. Vetëm për shkak se diçka përkufizohet si njerëzore nuk e bën atë të tillë, ashtu si përdorimi i vetëm i duhur i qeverisë është mbrojtja e jetës, lirisë dhe pronës së individit.
Despotët brenda qeverisë, që i përdorin postet për pasurim personal, kanë nxjerrë mashtrimin dhe tradhtinë në dritë që njerëzit të shohin dhe të zgjedhin se cila nga dy kauzat është e drejtë dhe fisnike; liria apo shtypja.

Filed Under: ESSE

Turqishtja në shkolla

January 26, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Në një studio televizive pashë që po grindeshin për futjen e gjuhës turke në shkollë. Duhet apo nuk duhet? Kështu e ashtu etj. Na lidh kjo apo ajo me Turqinë etj. M’u kujtua breznia ime që u dërrmuam pas rusishtes sikur të kishim gjetur parajsën aty. Si përfundim një brezni e tërë e djegur për faktin se prirjet tona ishin nga gjuhët e Perëndimit. Por jo vetëm ne, sa e sa breza para nesh. Dhe kjo u vertetua me rënien e diktaturës. Rusishtja sot është një relike në kujtesën tonë. Në fakt turqishtja është strategji e pushtimit ekonomik që Erdogan e ka për rajonin duke investuar në rikthimin e Perandorisë Otomane në sensin ekonomik. Dhe këto inisiativa nuk janë asgjë tjetër veçse përkulja e kurrizit për shkak të atyre gjoja investimeve, pasi qeveritë e deritanishme kanë dështuar në ekonominë e tregut. Shqiptarët nuk kanë paga të mjaftueshme të vetndërtojnë, nuk kanë të ardhura të mjaftueshme të financojnë apo të marrin kredi bankare. Nëse i kanë, përqindja e popullatës është shumë e ulët në raport me të tërën. Kjo edhe për shkak të informalitetit, korrupsionit, rryshfetit. Para se të shkumoseni tani duke u bërë palë, se duhet apo turqishtja në shkollat tona? Bëni diçka tjetër, reformoni arsimin. Binanë, në mënyrë të atillë që studenti shqiptar të jetë i barabartë me atë europian. Pasi sot shqiptarët nuk dinë sa duhet gjuhën shqipe. Madje e kanë bastarduar atë. Huazimet kanë arritur kulmin. Reformoni karabinanë se rrezik 60% e mësidhënësve kanë diploma të rreme, ose fallso. Nuk e kanë idenë se çfarë është pedagogjia. U vini veshin prirjeve të të rinjëve se aty është ezistenca shqiptare. Jo tek tekat e Edi Ramës që do t’i bëj qejfin Erdoganit. Apo tek ekstaza e Berishës dikur mbi dashurinë kineze. Dhe e fundit, arsimi nuk ka të bëj as me lidhjet fetare apo mendësitë fetare, është laik, i pavarur.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2441
  • 2442
  • 2443
  • 2444
  • 2445
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT