• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTRIBUT PËR NJOHJEN E KORIFEUT TË KULTURËS SHQIPTARE PJETËR BUDIT – PORTRETI I TIJ NGA “PASCHYERA ET REFYEMIT” – VATIKAN

January 20, 2022 by s p

Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij. – Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin. – Në këtë portret Budi na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë përsa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politiko-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishtërimin e këtyre trojeve. Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shtypshkruara që nga shekulli i XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin. Njëra ndër veprat e shumta albanologjike, është edhe “Paschyera et refyemit” e Pjetër Budit e cila ruhet në signaturën: Racc. Gen. Liturgia. V. 35, int. 3. [Dh. Shuteriqi, K. Ashta, B. Gjoka]. Në këtë vepër, e cila është e lidhur së bashku me dy vepra të tjera të Budit, “Rituale Romanum…” dhe “Cuscthote Mesce…” në faqen 1v ka një portret të Pjetër Budit, të datuar më 24 korrik 1621. Portreti [gravura], është një punim fin, me elementë të shumtë, të cilat paraqesin simbolikë domethënëse dhe të shumëfishtë. Dimensionet e portretit janë: 8.5 x 13.7cm. Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij. Portreti i Budit është i vetmi imazh që është i njohur dhe na është ruajtur deri sot. Është shumë konkret, duke na ofruar pamjen e tij fizike, fytyrën, veshjen, por edhe begatinë e elementeve kulturore, të pasuruar me elemente fetare dhe laike, gjë që e lartëson edhe më shumë këtë emër të nderuar të kulturës shqiptare. Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin, sepse ai në këtë portret na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt, siç shkruhet e njihet deri sot, por ishte me përgatitje të lartë profesionale, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Romë. Hulumtimet arkivore të bëra vitet e fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit /sot Archivio Apostolico Vaticano/ Bibiliotekën Apostolike dhe Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, kanë plotësuar shumë mozaikun e figurës komplekse dhe shumëdimensionale të Pjetër Budit.

Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit në vitin 1566. Studimet e para i mbaroi në Collegium Illyricum, të Zonjës Sonë, në Ankonë. Në moshën njëzetëjëvjeçare shugurohet për prift, [më 1587] dhe i vëhet kryeipeshkvisë së Tivarit në shërbim, për teritoret e Kosovës dhe Maqedonisë [Dardanisë së Lashtë]. Për dymbëdhjetë vjet shërbeu në këto teritore, ndërsa në vitin 1599 emrohet Vikar i përgjithsëm i Serbisë, kurse në vitin 1610 përmendet si kapelan në Shkup, ndërsa në vitin 1615 si kapelan në Prokuple, ku këto territore ishin të banaura me shqiptarë të besimit të krishterë. Në vitet 1616-1618 qëndroi në Romë, ku studioi teologji dhe filozofi dhe në të njëjtën kohë përgaditi për botim veprën e tij “Dottrina Christiana.” Në fund të vitit 1618 dhe gjatë tërë vitit 1619, ishte për pelegrinazh tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela, në Spanjë. Nga fundi i vitit 1619 e deri më 20 korrik 1621 qëndron në Romë, kur emrohet ipeshkëv i Sapës dhe Sardës, përkatësisht i tërë krahinës së Zadrimës. Disa ditë para Krishtëlindjeve, duke kaluar lumin Drin, mbytet në ujërat e ftohta, duke lënë vend për hamendësime se ishte një komplot i pregaditur ndaj tij nga kundërshtarët e shumtë.

Filed Under: Opinion

Si u arrestova në Prishtinë nga policia serbe në Janar 1993

January 19, 2022 by s p

-Në Janar 1993 u arrestova në Prishtinë nga  Policia e Serbisë pse kisha botuar në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës të Shkurtit 1989. Gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993 raportonte për arrestimin dhe protestën e gazetarëve të Rilindjes…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Janar 2022/ Para 29 viteve, gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993  shkruante dhe protestonte për arresimin tim në Prishtinë nga policia serbe…

Në Kosovë në vitin 1989 nga 20 deri 28 Shkurt, për tetë ditë me radhë,  u zhvillua greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva e minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova…

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në Shkurt 1989 isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari e arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 Janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, nga teleksi – e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër Lagjen Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 Janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale të Prishtinës, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 Janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt…

Para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore. “Bujku” ishte gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë…

Filed Under: Emigracion

“Kanuni i Lekës” në Tezën 100 vjeçare të Dr. Martin Ivanaj të përjetësuara në vepra dokumentare

January 19, 2022 by s p

nga Pertefe Leka 

Teza e Diplomës se Dr. Martin Ivanaj mbrojtur në Universitetin Mbretëror të Romës (La Sapienza) me 1921, është një studim për ligjet zakonore në fiset e Shqipërisë së Veriut, Trieshi, Hoti dhe Gruda. 
Tezën e Dr. Martinit, e bëri të ditur vajza e tij, Drita Ivanaj, në një përkujtimore “Diaspora-djep i kujtesës” me kumtesën “My Father Patriot” (organizuar NYC, nga veprimtarja e mirënjohur, Shqipe Malushi dhe botuar në gazetën Illyria, Prill 1994 nga gazetari Isuf Hajrizi).
Vajza e vetme e Dr. Martinit, Drita Ivanaj, kur u kthye në Shqipëri pas viteve ‘90-të, iu përkushtue mbledhjes së dokumentacionit të familjes, të keqtrajtuara nga fashistët italianë më 1939, kur i bastisën shtëpinë, dhe më vonë, kur iu sekuestrua e gjithë pasuria nga shteti i diktaturës. 
Drita Ivanaj, e riatdhesuar pas 54 vitesh, kishte thurur ëndrra për Shqipërinë, gjatë mungesës së padëshiruar. Kur erdhi në Shqipëri, solli me vete projekte që i kishte menduar për t’i zbatuar pasi të rimerrte, çfarë trashëgonte, duke pasë me vete edhe aktin e trashëgimisë nga xhaxhai i saj, Mirashi.
E ngarkuar me shumë përgjegjësi për të evidentuar dy figura të ndritura të drejtësisë dhe arsimit shqiptar, dëshironte krijimin e një qendre kulturore nëpërmjet një Fondacioni me emrin “Martin e Mirash Ivanaj Institut” në Tiranë dhe Neë York, në shërbim të zhvillimit kulturor të rinisë shqiptare.
Për Dritën ishte një maratonë e gjatë lufte për të rimarrë pronësinë e ligjshme dhe njëkohësisht të ligjëronte nga ana juridike ngritjen e Fondacionit që e realizoi në vitin 1995.
Së pari, Drita u kujdes të sillte në Atdhe eshtrat e të jatit, që preheshin për 55 vjet në Turqi, që nga viti 1939, kur u larguan dy vëllezërit, Martin e Mirash. Me rivendosjen e tyre, në një vend të përbashkët, i përjetësoi me Epitafin në pllakën përkujtimore: “Në jetë dhe në vdekje sëbashku për Atdhe”. 
Lidhur me studimin shkencor të babait, ajo shkruan: “U deshën mjaft kërkime përgjat 7 dekadash, për të zbuluar tekstin ekzistues të Tezës në arkivat e Universitetit.” (La Sapienza).”

Martin Ivanaj – Doktor në Jurisprudencë 1921

Këtë e realizoi në fund të viteve 1990, pasi nëna e saj e kishte ruajtur me kujdes Diplomën origjinale të Dr. Martinit.
(për dijeni, Zonja e Dr. Martinit, Profesoresha Giuseppina Pogliotti – Ivanaj, me origjinë italiane, iu përshtat familjes shqiptare mrekullisht, duke krijuar një familje në harmoni sëbashku edhe me kunatin, Mirash. Ajo gëzonte respektin e të gjithëve, e quanin Mbretëreshë.
Vlen për t’u përmendur, veprimi tejpamës i Zonjës Ivanaj, kur fashistët e zbuan nga shtëpia, në atë moment të vështirë, mundi të merrte vetëm disa dokumente dhe flamurin shqiptar, që valonte në ballkonin e shtëpisë. Duke i ditur vlerat historike dhe simboliken e flamurit, e ruajti në udhëtimet e gjata Shqipëri, Itali, SH.B.A. E sot, Flamuri i familjes Ivanaj, i kthyer në Atdhe nga Drita, është vendosur në sallën kryesore të Fondacionit, si dekor, një ndër reliket më të çmuara të trashëguara nga familja)
Me punën e kujdesshme të Fondacionit M. & M. Ivanaj (ngritur mbi themelet e shtëpisë së vëllezërve Ivanaj) dhe të përkthyeses zonja Ilirjana Angoni, Teza 100 vjeçare 1921-2021, gjeti dritën e botimit në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe origjinali në italisht, nga shtypshkronja “Maluka” Tetor 2021… 
Drita në parathënien e Librit, ka përshkruar historinë e familjes fisnore Ivanaj, që daton nga viti 1444, sipas pemës gjenealogjike të regjistruar nga i ati.
Në studimin shkencor, të Dr. Martinit, lidhur me kushtetutën e vjetër, janë të dallueshme vlerat juridike, historiografike, demografike, sociologjike, etnografike… (Dr.Martin Ivanaj, 1888-1940), me origjinë nga Bekaj e Triepshit; student i La Sapiencës për Drejtësi; Kryetar i Gjykatës së Kasacionit i shtetit shqiptar në vitet ‘30-të; kontribues në përmirësimin e legjislacionit shqiptar, si në kodin civil dhe penal, hartues i dy fjalorëve për juristët e rinj. Kishte pikëpamje republikane si mazzinian, ishte shkrimtar e publicist, disa prej shkrimeve, botuar në gazetën “Republika” me vëlla, Mirashin dhe Nikollë Ivanaj) 

Vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj

Dr. Martini, për studimin shkencor shprehet: “Teza e paraqitur prej meje nuk është gjë tjetër veçse frut i vetë përvojave të mija”.
Autori nuk pretendon së në këte tezë të ketë përfshirë gjithë jetën e klaneve fisnore, por është kufizuar në disa dukuri sociale të trashëguara duke bërë ndonjë koment të domosdoshëm pasi “Kanuni i Lekës” nuk ka qenë një ligj i shkruar. 
Në Tezë, Autori ka përfshirë një dokument, ku janë përfshirë vërejtjet ndaj një Frati Shqiptar, i cili ishte përpjekur të grumbullonte këto zakone, të cilat i kishte botuar në revistën shqiptare “Hylli i Dritës” me 1914 .
Në atë shkrim Frati kishte lënë shënimin: “I lutemi çdo famulltari të klaneve Fisnore Shqiptare që t’i krahasojnë këto shënime një për një me ligjet e klanit fisnor të vet dhe të vejnë në dijeni për pasaktësitë dhe ndryshimet që mund të hasen…”
Kështu autori i Tezës, duke e studiuar në detaje përmbledhjen e ligjeve nga Frati, zbulon disa pasaktësi duke theksuar se nuk janë ato zakone në fuqi ndër klanet fisnore.
Origjina e Ivanajve nga Trieshi e bënte më të afërt autorin me njohjen e këtyre zakoneve. Dr. Martini kishte bindjen, siç e shkruan në studimin e tij, se elementët përbërës në Kanunin e Lekës, ishin të përmbledhura shkurt, dhe kishin ngjashmëri me ligjet e Dymbëdhjetë Tabelave (grup ligjesh të hartuara në vitin 451-450 para Krishtit në Romën e Lashtë. 
12 Tabelat formonin themelin e të Drejtës Romake për 1000 vjet, që kishin peshën e autoritetit në tërësinë e shërbimeve)
Dr. Martini, vërejtjet që i bëri shkrimit të Fratit, i ka shkruar dhe firmosur duke i përfshirë në Tezë, për tre institucionet kryesore: Kisha, Familja dhe Martesa. 
Vërejtjet që i bën Fratit, për disa rregulla të Kishës, sikur autoriteti kishtar merrte vendime për ndëshkime të rënda, për abuzuesit ndaj priftit a punonjësve të Kishës. Autori ndër të tjera sqaron se, në raste pakënaqësie a kundërshtie ndaj punonjësve të kishës, eprorët i transferonin punonjësit e tyre, për të evituar ndonjë konflikt, por kurrë të përdornin forcën, ndaj tyre, sepse feja kristiane, që mundi të depërtonte, ishte përshtatur më së miri zakoneve vendore të drejtësisë. 
Për institucionin e Martesës, ngjarja më e gëzueshme e familjes, Frati shkruante se shpenzimet e ceremonive, ishin të paracaktuara për të gjithë njësoj. Në sqarimin e Autorit, shpenzimet për martesat, bëheshin në vartësi të pasurisë dhe miqësisë, që kishte familja fisnore…
Për institucionin e Familjes, Autori, jep më shumë detaje; 
Frati shkruante: “Babai, kishte të drejtë të dënonte me goditje djalin e tij të pabindur, ose ta linte pa trashëgimi…” Duke e mohuar me bindje të plotë ekzistencën e një ligji të tillë, që pranonte këte mizori, Autori e argumenonte se kjo binte në kundërshtim me konceptin për nderin që kanë shqiptarët, lidhur me individët, që mbajnë armë që në moshën 15 vjeç. Ata me armët në brez, kurrë nuk e ulin veten të poshtërohen nga kushdoqoftë.
Në kundërshtim me Fratin, se djemtë që jetojnë së bashku me babain nuk mund të shkëputen… Autori i Tezës shkruan: “…bijtë mund të ndahen nga babai jo vetëm pas vdekjes tij, por edhe përpara duke marrë secili pjesën nga pasuritë e familjes, mundet edhe një i vetëm nga djemtë të kërkojë ndarjen, kur nuk ka dëshirë të jetojë në bashkësi, pavarësisht nëse është i martuar ose jo!” 
Në këte vështrim autori sjellë një risi kur shkruan: “Nëse zakonet nuk do të ishin modifikuar në këtë mënyrë, duke e kufizuar autoritetin e babait, jeta do të ishte e pamundur në këto male, në një shoqëri primitive, ku njerëzit kishin një koncept shumë të larta për lirinë personale…”
Lidhur me risinë që sjell Dr. Martini në modifikimin e ligjeve, kur po mbronte Tezën në Romë, më 1921, përkon me udhëtimin, në Malësi të Madhe, të shkrimtares amerikane, Rose Wilder Lane, e cila vinte si misionare e Kryqit Kuq. Ajo iu përkushtua këtij misioni, për të ndihmuar refugjatët kosovarë që ishin shpërngulur forcërisht nga dhuna serbe.
Ajo e kishte qëndrimin në Shkodër, ku ishte Komiteti i Mbrojtjes…
Shkrimtarja R. W. Lane, përshtypjet e udhëtimit në Veri të Shqipërisë, i përmblodhi në veprën “The Peaks of Shala” ku ndër të tjera, shkruante për një ngjarje, ku kishte qenë e pranishme në një familje fisnore. (çka vërteton risitë që solli Dr. Martini, në modifikimin e ligjeve.) 
Krerët e fisit të mbledhur në atë kuvend, po debatonin me nusen 21 vjeçare, të cilës serbët i kishin vrarë burrin. Ajo kërkonte të ndahej nga fisi dhe të vejnonte me dy fëmijët e saj, në shtëpinë që kishte ndërtuar me të shoqin, i cili e kishte shprehur qëndrimin e tij për të jetuar më vete.
Rose i shkroi fjalët e malësores “rebele”: “Këtë shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim… këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi… me këto duar e kam mbuluar çatinë…”
Krerët e fisit të ndodhur në befasi me qëndrimin e malësorës kurajoze, përballë gazetares së huaj, e pyetën Rose: Si veprohet në vendin tuaj? – Rose në vetvete e miratonte kërkesën e gruas guximtare, por siç shkruante: – “ishte jashtë fuqive të mija të interpretimit, që të flisja…”
Sipas ligjit fisnor, gruaja e ve kishte të drejtë të fliste në kuvend. Kërkesa e saj për të qëndruar më vete, ishte vendim i të shoqit, që kur filluan të ndërtonin shtëpinë së bashku, duke e konsideruar pronën e tyre. (Ky rast përputhet me interpretimin e Dr. Martinit, se djali mund të ndahej nga familja fisnore.)
I Pari i Fisit në atë kuvend, nuk mund të qëndronte indiferent pa e sqaruar misionaren amerikane për debatin. Ai duke iu përmbajtur ligjeve të vjetra, shpjegoi: “Në jetojmë të gjithë bashkë dhe askush nuk mund të thotë se kjo është shtëpia ime… kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë Romanët…”
Megjithatë, Rose mendonte se kjo malësore e re nuk do të jetë kurrë e qetë deri sa të marri pronën e saj… Ky debat me krerët e fisit u bë pjesë e asaj filozofie për Rose, që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit gjë që e frymëzoi Rose W. Lane për veprën madhore të saj “Zbulimi i Lirisë”.
Dr. Martini në këtë studim ka evidentue pozicionin dhe vlerësimin e gruas në jetën fisnore, duke cituar edhe disa studiues të huaj.
Sipas ligjeve zakonore, gruaja ishte e privuar nga e drejta e trashëgimisë. Autori e arsyeton se kjo e drejtë, nuk rridhte nga paaftësia e saj juridike, por nga vetë kushtetuta e klanit fisnor për të ruajtur bashkësinë dhe mosndarjen e pasurisë. Gruaja, nga ana tjetër, ishte fuqiplotë në administrimin e pasurisë brenda shtëpisë, në të gjitha drejtimet. Për këtë, Autori shpreh mendimin, se gruaja ishte objekt i një vlerësimi të madh, duke u mbështetur edhe në studiues të huaj.
V. Montegazza, me 1912, shkruante “…gruaja është e shenjtë dhe mund të përshkojë gjerë e gjatë gjithë Shqipërinë, pa pasur rrezik që t’i bien në qafë…”
Gopčevičh shkruante me 1914, “Malësorja nuk është e interesuar aspak për bukurinë e saj, por vetëm për fëmijët e saj…”
Nga Becker 1879-80 “Shqipëria dhe Shqiptarët”, “Gruaja është më e respektuar në Shqipëri se sa në vendet e qytetëruara… në malet shqiptare, mbrojtja më e mirë që mund të gjejë një udhëtar i huaj, është nga një grua, kur ajo merr përsipër që t’i shërbejë atij si udhërrëfyes… Brenda shtëpisë saj ajo është zonjë absolute dhe i mban me aq krenari çelsat në brezin e saj sa edhe burri mban armët dhe shpesh merr këshilla prej saj, madje edhe për çështje të vështira. Burri që do të vriste një grua do të ishte i çnderuar dhe do të dëbohej nga klani i tij fisnor…”
Dr. Martini në respektin për gruan, miratonte ligjin për martesat larg fisit deri në brezin e 9 dhe 10, “Jo martesa brenda Fisit, në nivelin e quajtur kushërinj, qofshin edhe të tretë dhe të katërt…”
Sipas këtij zakoni, nusja kërkohej në një fis tjetër, ku nuk kishte lidhje gjaku. Këte ligj, Dr. Martini e miratonte “për të ruajtur të pastër, të fortë dhe të qëndrueshme racën dhe mos tjetërsoheshin pasuritë që ata zotëronin…”
Këtë autori e quan “nen të mençur” duke i quajtur këto ligje, hyjnore, që ruheshin edhe më mirë në trashëgiminë e brezave. (mund të ilustrohet me Ciklin e Kreshnikëve… për martesën shumë larg fisit malësori i ri shprehet:
“Se gjithë vashat e Jutbinës, ku janë/ bash si motra qi po m’duken”)
Një tjetër vështrim tjetër për gruan nga autori është, kur gruaja heq dorë nga martesa duke marrë përsipër një mision më të madh të quajtur “Murgëneshë”, “Burrneshë”, “Virgjëreshë” (Murgëneshë dallohet nga misioni i Murgeshës) 
Ky institucion i moralshëm, sipas autorit, e kishte zanafillën në kohë shumë të lashta.
Ky intitucion i jep të drejtën vajzës, të trashëgojë pasuri, të bëjë marrëveshje, të jetë fuqiplotë në hartimin e marrëveshjeve prej saj, të ketë votën në kuvende, ndërsa në drejtim të gjakmarrjes, ajo mbetej grua, edhe pse mund të mbante edhe armë .
Ilustrimi më i përshtatshëm për këtë qëndrim të moralshëm është një personazh historik i njohur Tringë Smajlja, së cilës, At Fishta i ngriti lapidar ne veprën madhore “Lahuta e Malcisë”. Burrnesha si bëri betimin se do të ishte krah luftëtarëve (kur babanë ia syrgjynosën Turqit dhe vëllezërit mbeten në beteja të përgjakshme) veshi çakçirët, ngjeshi armët brezit dhe iu ngjit malit në kulmin e kryengritjes së vitit 1911, duke marrë pjesë në luftime direkte deri në majë të Deçiqit, si luftëtare e sprovuar. Heroina ishte aty, kur ngritën Flamurin e Skënderbeut me 6 Prill 1911. Gjithashtu ajo u dallua në pjesëmarrjen direkte në Kuvendin Historik të Gërçës 10-23 Qershor 1911. Ishte gruaja e parë që mori pjesë në një kuvend historik, duke u trajtuar si e barabartë me hartuesit e Memorandumit që kishte në themel Autonominë e Shqipërisë.
Ajo edhe pas 1912 vazhdoj me armë në dorë dhe të gjithë trashëgiminë e përdori për bamirësi në hapjen e shkollave shqipe, si një traditë e hershme, ku pranë çdo Kishe ndërtohej një shkollë shqipe… 
Në studimin e Dr. Martinit është me rëndësi paraqitja e periudhave historike nëpër të cilat ka kaluar populli Shqiptar i sulmuar ndër shekuj dhe i penguar të përfitojë nga arritjet e popujve të tjerë. Atëhere në këto kushte lind pyetja: Si kanë arritur të ruhen këto ligje të pashkruara!? Këtë Autori e shpjegon me ruajtjen e gjuhës shqipe që nga kohët prehistorike si gjuha ma e vjetër me bazë Indo-Europiane. Gjuha shqipe, sipas Autorit, nuk ka rrjedhur nga gjuhë të tjera dhe si e tillë ka ruajtur ligjet e trashëguara, që janë para Justinianit (Justiniani 482-565, lindur në Dardani, një fshat në jug të Nishit. Ndër Perandorët më të mëdhenj të perandorisë Romake e Bizantine, njeriu më i kulturuar i shekullit të vet, i cili hodhi themelet e të drejtës moderne, i quajtur “Kodi i Justinianit” që edhe sot studiohet në të drejtën Romake.)
Si kanë mundur të mbijetojnë ato ligje të pashkruara mijëra vjeçare pa pasur institucionet përkatëse fizike dhe që vepronin si institucione.
Në këtë administrim, Autori përmend Kuvendin, që kishte pushtetin sovran dhe mblidhesh dy herë në vit, në pranverë e në vjeshtë. Kuvendi ishte Asamblea e Përgjithshme e Popullit, që vendoste për luftën, për paqën, për marrëveshjet dhe kishte rregulla të forta disiplinore. 
Pleqësia, ishte institucioni më i lashtë i përbashkët në shumë klane fisnore, ku zgjidheshin krerët më të mençur dhe të vlerësuar i ngjashëm me Senatin Romak. Gjithë kjo administratë, me Prijësa, Kapedanë, Bajraktarë, Vojvodë… mblidheshin në natyrë, pranë kishave ose xhamive. Si shembull jep një vend ku mblidhej Pleqësia duke kujtuar vendin ku gjindet kisha e Shën Palit, që njihet “Kuvendi i Shën Palit”. I gjithë ky organizim ishte nevojë e imponuar ndër kohëra, nga jeta primitive, por edhe nga pozicioni gjeografik, për mbrojtjen nga një rrezik i jashtëm. 
Nga ky organizim, pasuritë materiale dhe shpirtërore të shqiptarit ishin të garantuara nga gjykata e klanit fisnor, nga Pleqësia. Por sipas autorit, kujdestar i vetëm i pasurive shpirtërore të shqiptarit ishte vetë Shqiptari, i takonte nderit të tij për t’i mbrojtur.
Ky koncept i shqiptarit ndryshonte nga ai që ekzistonte në kombet e tjera të qytetëruara: Sipas atyre ligjeve, “Ai që nuk është në gjendje të mbrojë nderin, është i padenjë të mbrojë emrin e tij…”
Kjo ishte arsyeja pse burri duhej të mbante armë, dhe pse duhej t’i nënshtrohej ligjit të hakmarrjes, kur i cënohej nderi, ose i vritej një i afërm i fisit, i gjakut tij.
Autori Tezës, për konceptin e ligjit të hakmarrjes, përmend disa studiues të huaj, A. Baldacci e Vico Mantegazza, të cilët e kishin quajtur këte ligj “zakon të trishtë”, pa analizuar mjedisin dhe shkakun e lejimit të këtij ligji.
Sipas Dr. Martinit, Hakmarrja i përket legjislacionit të Kanunit, në të drejtën e vet, duke e trajtuar fenomenin si pasojë. Sipas këtij legjislacioni, më parë duhet të njihen shkaqet që e provokojnë hakmarrjen.
Për këtë Autori, përmend ligjet në vendet e qytetëruara, ku vrasja ndëshkohesh me dënim kapital.
Ndërsa sipas Kanunit, institucioni kryesor zbatues i këtij ligji, ishte familja fisnore, Pleqësia, që funksiononte si Gjykatë e Lartë dhe ishin vetë anëtarët e familjes që merrnin vendimin, të cilat ishin më legjitime se sa gjykata e përbërë nga persona të huaj. 
Ata i merrnin vendimet duke e studiuar rastin me gjakftohtësi dhe secili duhej të ishte gjykatës i veprimeve të tij dhe të dallonte krimin nga ndëshkimi.
Nga ligji i hakmarrjes, gruaja ishte e përjashtuar, ajo ishte e vlerësuar në shtëpinë e vet edhe pse nuk trashëgonte pasuri, ajo ishte e lirë të dilte nga shtëpia, të udhëtonte e vetme e pakërcënuar, atë e mbronte ligji.
(Shembull për këtë mund të marrim një nga motrat e Dr. Martinit, e cila ishte e martuar në Malësinë e Mbishkodrës. Shkodranët e përmendnin me respekt rastin kur ajo zbriste shpesh në qytet, vinte e vetme, për të takuar vëllanë, Mirashin, asokohe drejtor i Gjimnazit të Shtetit. Kur i shihnin motër e vëlla duke shetitur në Pjacë, binte në sy Motra me xhubletën madhështore, krah vëllait, (personalitet i nderuar) duke ecur krenar, në qendrën e kulturës shqiptare, por duke sfiduar kështu fanatizmin, ku shumë gra nga dy religjionet, dilnin të mbuluara… 
Një vështrim më vete Dr. Martini ia ka kushtuar ndikimit që kanë pasur sadopak pushtuesit ndër kohra mbi këto ligje të vjetra. Në gjithë organizimin e emërtimeve në Kushtetutën e vjetër, pati ndonjë ndikim të huaj si Vojvoda, Gospodar, Giobari (gjobëvënësi). Nga mbizotërimi Serb, apo nga ndikimi turk si Bajraktar, Kapedan… Megjithatë pushtuesit nuk arritën t’i nënshtronin klanet fisnore të Shqipërisë veriore, dhe as t’iu impononin ligjet e tyre.
Këtë e vërteton dokumenti i Stefan Dushanit, i cili me 1349 nxori ligjin e parë, “Codex Stephan Dusan”, ku e shpallte veten si sundimtar (perandor) i Serbëve, Shqiptarëve…
Autori si njohës i këtij kodi, evidentoi nenin XXXIII të kësaj legjislature, që ndalonte të huajt, të vendoseshin në kullotat dhe fshatrat shqiptare. Një nen që sanksiononte autonominë e klaneve fisnore të Shqipërisë së Veriut… (për dijeni, dy vite mbas Tezës së Dr. Martinit, i vëllai, Mirashi, mbasi e kishte mbrojtur tezen e parë të Literaturës në La Sapienza, me 1923, mbrojti një Tezë tjetër të Laurës në Jurisprudencë me temë: Kodi i Stefan Dushanit shek, XIV…) 
Prof. Mirashi si erudit e poliglot e përktheu lënden nga sllavishtja e vjetër dhe pas një studimi analitik, shkencor, Teza origjinale doli e përkryer. Këtij studimi shkencor, të shkruar për herë të parë, siç e dëshmonte vetë Mirashi në letren që i dërgoi të vëllait në Korçë “Tesi asht mjaft i vështirë se e baj në një fushë në të cilën kurrkush nuk e ka punue…” 
Këtij studimi origjinal analitik-shkencor, i bëri jehonë gazeta e përditshme e Romës “Nuovo Paese” duke vlerësuar me nota të larta, studentin Shqiptar, Mirash Ivanaj!
Sipas Autorit, treva më tipike që ka ruajtur këto zakone të pandryshuara, është Shqipëria Veriore, të cilën e quante “Qendra e Ilirisë Klasike Fisnore” ku as legjionet romake, as hordhitë barbare Sllavo-turke nuk munden t’i dominonin.
Feja kristiane (katolike) ishte fuqia e vetme, që depërtoi, duke iu përshtatur më së miri dokeve dhe zakoneve vendore, qofshin edhe me elemente pagane duke u ruajtur ndaj prurjeve të huaja. (Ishte Perandori i Romës, me origjinë ilire, Kostandini i Madh 274-337, që toleroi krishtërimin në perandorinë e tij)
Këto ligje të përmbledhura, që kanë drejtuar jetën sociale në klanet fisnore të Shqipërisë së Veriut, janë të njohura si “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, shek. XV, (Pali, babai i Lekës kishte zotërimet e tij në rajonin e Dukagjinit)
Pyetja e Autorit – Pse këto klane fisnore të kenë jetuar pa ligje përpara shek. XV, kur nuk kanë pasë ndonjë ndryshim në jetën e tyre sociale që të përligjë një reformë të tillë!?
Ata që e pranonin “Kanunin e Lekës” të shek.15, si fillesë ishin studiues të huaj si E. Barbarich dhe A. Galanti, duke mohuar kushtetutën e vjetër 3000 vjeçare të një shoqërie luftarake.
Ndërsa disa autorë të tjerë kishin mendim tjetër se emri i Lekës rrjedh nga Aleksandri i Madh, i fiseve Ilire, dhe se këto ligje kishin shtrirje edhe në jug. Sipas tyre, këto ligje pagane nuk mund t’i bënte një Princ i vetëm, siç ishte Leka!
Mendimet e studiuesve të huaj, edhe pse të kundërta, argumentimi i Autorit të Tezës, është bindës, duke i paraqitur, si ligje Iliro-Shqiptare dhe pararomake. 
Autori për të vërtetuar se sa fuqi pati ruajtja e gjuhës shqipe në trashëgiminë e ligjeve fisnore, vë theksin në vendimet e Kongresit të Berlinit, që një pjesë të Malësisë, siç ishte Trieshi, ia aneksuan Malit të Zi. Banorët edhe pse i ndanë me kufij nuk e ndryshuan gjuhën mijëra vjeçare. (Ishte xhaxhai i Martinit e Mirashit, Lekë Ivanaj, të detyruar të jetonin të ndarë, bashkohesh në kuvende me shqiptarët, për të kundërshtuar ndaj padrejtësive, që i bëheshin popullit shqiptar. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në “Lidhjen e Prizrenit” dhe në grupime të tjera. Për këtë aktivitet, gjeti edhe vdekjen nga armiqtë malazezë.
Një gjë që më tërhoqi vëmendjen në studimin e Dr. Martinit, ishte një paragraf titulluar: Statistika.
Demografia, megjithëse shkencë e re, është e përfshirë në Tezën e Dr. Martinit, për të vërtetuar se në lëvizjet e banorëve, nga një vend në tjetrin, kudo që shkuan, ruajtën etninë, gjuhën dhe ligjet fisnore. 
Ndër këto lëvizje është përmendur edhe Pali, babai i Lekë Dukagjinit, i cili u vendos në Mirëditë pas vërshimi turk, me statusin social-ekonomik, që kishte në vendin e vet.
Atje, djali i tij Leka, përmblodhi ligjet e pashkruara dhe u bë i njohur me veprën “Kanuni i Lekë Dukagjinit. (në këte lëvizje njerëzish, vlen për t’u përmendur edhe babai i Dr. Martinit, Doda, i cili si armik i betuar i pushtesve, ishte dënuar dy herë me vdekje nga qeveria turke, për pasojë iu shkatërrue pasuria. Djemtë e tij që provuan varfërinë, por me dëshirën për të studiuar në shkolla të larta,e realizuan qëllimin duke punuar njëkohësisht, gjatë studimeve që dijet e tyre t’i venin në shërbim të popullit shqiptar.)
Për këtë Autori jep një informacion duke e paraqitur grafikisht shpërndarjen e popullsisë sipas klaneve, duke krahasuar regjistrimet e studiuesve të huaj, Baldacci, Barbarich, Gopsecevich, të cilët kishin pasqyruar në shifra shpërndarjen e popullsisë në katolikë e muslimanë, për Hot-Grudë-Triesh.
Me një kalkulim të thjeshtë nga shifrat krahasuese, Autori, kishte nxjerrë një mesatare të përafërt. (Kjo i interesonte për të vërtetue se edhe në popullsinë e konvertuar në një tjetër religjion, ligjet fisnore, si normë juridike, nuk ishin ndryshuar…)
Nga kjo rezultonte se: Në Triesh ishin të regjistruar 150 familje me 1500 banorë, të gjithë katolikë, ku shtriheshin në një sipërfaqe me 30 km2… Në Grudë, 400 familje me 4200 banorë në sip. 70 km2, nga këta 2000 katolikë dhe 2200 muslimanë. Hoti me 600 familje me 9500 banorë në një sipërfaqe 120 km2. Nga këta 9440 katolikë dhe 60 muslimanë .Mesatarja e popullsisë për tri krahinat ishte 67 banorë për km2. 
Në ndarjen administrative sipas klaneve, Autori ka evidentue: 40 klanet në Hot-Grudë-Triesh, duke i quajtur, klane të pavarur.
Ndërsa për 5 klanet fisnore të Mirëditës, (ka një risi të rëndësishme), i ka përmbledhur në një Konfederatë. Në këtë administrim të ri, ishin shkrirë postet e klanit fisnor, duke krijuar një post drejtues me Princin suprem, Kapidanin, i cili kishte pushtet administrativ dhe ekzekutiv, por jo legjislativ, duke ruajtur kështu, Pleqësinë, si institucionin më të lartë të përbashkët… 
Këto fakte janë të detajuara në studimin e Autorit duke dhënë gjithë administrimin sipas legjislaturës së Kushtetutës së vjetër.
Ky studim shkencor, mendoj se është me vlerë për demografët e sociologët, e sidomos për albanologët dhe studentët e jurisprudencës, që studiojnë kodet e vjetra, për të bërë krahasimin. Për sa i përket emërtimeve, Autori ka dhënë spjegime të veçanta, për etimologjinë e fjalëve, në shërbim të risisë: “përmirësimi i ligjeve, sipas etapave të ndryshme të historisë.” (marrë nga përkthimi shqip) 
Teza 100 vjeçare dhe shumë studime të tjera të Dr. Martinit, për përmirësimin e Kodit Civil dhe Kodit Penal, gjatë ushtrimit të profesionit, në shërbim të drejtësisë shqiptare, janë me vlerë për juristët e rinj dhe studiuesit e Kodeve të Vjetra.
Këto ligje zakonore të Shqipërisë së Veriut Hot, Grudë, Triesh, Dr. Martini i ka trajtuar nga ana juridike, siç e thekson ai vetë “frut i përvojave të mija…”.
Ndërsa bashkëkohësi i tij Patër Anton Harapi, këto ligje i ka dokumentuar me ngjarje dhe personazhe realë, në kryevepren “Andrra e Pretashit”. Padër Antoni, si misionar, i ka jetuar, zbatuar dhe dokumentuar, Kodet e Malësisë, po në këto zona Hot, Grudë, Triepsh. (shqiptim i P. Anton Harapi)
Dr. Martini dhe Patër Antoni kanë një vitlindje me 1888, por edhe pse ndryshon vendlindja e tyre, Dr. Martini malësor buzë ujërave të Cemit e Patër Antoni shirokas, buzë Liqenit të Shkodrës, të dy si edhe shumë të tjerë e lartësuan Kanunin, ku disa ligje Dr. Martini i quante hyjnore; ndërsa Patër Antoni, duke i qëndruar korrekt Kanunit, me qartësi mendimi dhe shpirtit human i aktivizoi ato ligje, në emën të nderit dhe lirisë, duke i mobilizuar dhe drejtuar burrat e Malësisë në çështjen e bashkimit me shtetin amë. (Kujto memorandumet, peticionet… Demostratat e vitit 1918, në Shkodër të organizuara prej tij)
Me rëndësi për Dr. Martinin, ishte trashëgimia e ligjeve 3000 vjeçare, që ishin ruajtur vetëm prej gjuhës shqipe. Po këtë gjuhë të vjetër e gjejmë të pastër tek personazhet realë në veprën “Andrra e Pretashit”. Aty ku, Gurra Popullore, e pashterrshme, rrjedh natyrshëm në biseda e kuvende, me fjalë të urta, e shprehje të bukura popullore, me poezi si në Ciklin e Kreshnikëve, duke ngritur lart vitytet e bukura të shqiptarëve me të cilat siç thotë autori “Do ta ngrehim madhninë e kombit tonë…” 
Në një mendim janë dy autorët (Dr. Martini dhe Patër Antoni) për ligjin e Hakmarrjes. Në tezën e Dr. Martinit, hakmarrja, si nen i legjislacionit të Kanunit, është dhënë në të drejtën e vet, duke e trajtuar fenomenin si pasojë dhe Institucionin kryesor zbatues, “Familjen Fisnore” që vepronte si “Gjykatë e Lartë” ku secili anëtar ishte gjykatës i veprimeve të tij.
Këtij ligji, Autor i Tezës, i ka bashkëngjitur edhe Faljen, si normë juridike shumë e lashtë dhe si institucion me rëndësi të veçantë që e lartësonte dhe e fisnikëronte malësorin. Me të drejtë, ky ligj, ishte shumë efektiv për kulturën juridike e sociale dhe etikën, në një shoqëri primitive, aq shumë i domosdoshëm edhe për shoqërinë tonë sot. 
Patër Antoni, si njohës në themel i ligjit të hakmarrjes, e dokumentoi ngjarjen e jetuar në veprën ‘“Andrra e Pretashit”, ku dha kontributin njerëzor e shpirtëror duke i dhënë përparësi një zakoni të lashtë fisnor Pajtimit. Si gojëtar i paqtë dhe mendimtar i kthjellët, At Antoni e drejtonte biseden në kuvend, duke i prekur burrat në virtytet që trashëgonin dhe në ligjet që i zbatonin. 
Preludi i veprës zë fill me një andërr, që u shndërrua në një realitet të prekshëm duke përjetësuar në një memorial të lavdishëm virtytet e larta shqiptare, “kishte pasë kenë profeci, të cilën e prita edhe e pa’sh të vërtetueme” P. Anton Harapi.
Nëpërmjet këtij dokumenti, për doket e banorve të Cemit u tregoi brezave “fisnikin’ e madhninë” shpirtërore të shqiptarit. Tregimtari ishte vetë Autori që luajti rolin kryesor, në ndërmjetësimin e dy fiseve në armiqësi, duke realizuar pajtimin si mision humanitar, si një bamirësi dhe Faljen, si normë juridike dhe morale.
Me fjalë zemre, arriti të ulë në një sofër, bukëdhanësit e Triepshit, me të urtët e Grudës: “Kjoshi faqebardhë more Triepsh, Zoti ua mbajtë nderën e burrninë, Ata i pastë Zoti në Lumni, e ne na shtiftë dashtninë e vllaznimin.
Pirolla (i lumtë) i kjoftë edhe Grudës, se tue ma shikjue fjalën e hatrin, ka lanë nderë e i ka zbardhë faqen vetit, kjoshi, pleqnoshi të dyja palët . 
Për të mirë u piftë sot e mbrapa në këte truell e ndër të dy bajrakët…”
Patër Antoni e njihte mirë filozofinë dhe kulturën e Malësorit. Si psikolog e sociolog i vërtetë e kultivonte këtë mendësi mijëra vjeçare, si një filozofi humaniste, që duke i bërë të vetëdijshëm burrat për vendimet, çlironte energji pozitive, duke i dhënë fiseve një produkt të çmuar për vazhdimësi, duke ua përmendur atyre vlerat: “Hoti asht i përmendun për gisht (pushkë) e trimni, Gruda për urti, Triepshi për bukëdhanës…”
Patër Antoni, si luftëtar i vendosur i bashkimit kombëtar u bë udhërrëfyes për malësorët, duke vënë gjithë dituritë e tij, politike, juridike e diplomatike për “me i ngjitë” këto troje me trungun amë, duke parë një dritë në 14 pikat e Wilson-it.
Oratoria dhe forca e fjalës e Patër Antonit në kuvend peshonte rëndë. 
“Na kndej Cemit na përket me luejtë për së gjalli, me dalë e me lypë Shqipninë… se po mbet Shqipnia, Shqipni s’ka si ban pa këta bajrakë të parë, Hot e Grudë e Triepsh…” f. 25
“Ai i pari i Amerikës paska qitë e lypë 14 pika, kur thotë edhe, se kush asht nji gjuhë do të rrijë mënja… e thom se edhe këta bajraktarët tanë do të vijë dita të njiten me Shqipni” f. 26
Malësorët iu përgjigjen menjiherë thirrjes së Patër Antonit. Ata demostruan në Shkodër me 1918, me thirrjet “Hot e Grudë janë betue// Pa gjak malet mos me i lshue//”
Si rrjedhojë u hartua Peticioni (me ndihmën edhe të Fishtës e Gurakuqit) nga 200 pjesëmarrës prej tre Bajrakëve, Paria e tyre firmosi peticionin që ia drejtuan Konferencës së Paqes në Paris dhe ministrave të jashtëm, të fuqive të mëdha (Sh.B.A, Angli, Francë, Itali)
Pasqyrimi i këtij dokumentacioni me persona realë… për çështjet politike e patriotike, i kanë dhënë veprës “Andrra e Pretashit” një tjetër dimension duke zgjeruar kërkesat tek fuqitë e mëdha për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
“Kishim ngrehë në Shkodër nji farë Bashkije të përkohëshme me flamur të Shqipnisë, për Hot, Grudë, Triepsh, në shpënesë, se me zbatimin e 14 pikave të Wilson-it mbas parimit të njinis së gjuhës… me dëshmue shqiptarët për Hot, Grudë e Triepsh…”
Këtë frymë shprese pro amerikane, që përhapi Patër Anton Harapi dhe patriotët e tjerë për bashkimin e natyrshëm të Shqipërisë është edhe sot në vëmendjen e gjithë shqiptarëve, ndaj këtij Aleati të Madh, për të realizuar “Andrrën Shekullore” gjithëkombëtare.

Filed Under: Kronike

LA QUOTIDIENNE (1831) / FJALIMI I MUSTAFA PASHË BUSHATLLIUT PARA NJERËZVE MË TË RËNDËSISHËM TË SHKODRËS : “PREFERONI TË QËNDRONI NËN ZGJEDHËN E PORTËS APO TË MBRONI LIRINË TUAJ?”

January 19, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë

– 19 Janar 2022“La Quotidienne” ka botuar, të hënën e 18 prillit 1831, në ballinë, një shkrim në lidhje me fjalimin e mbajtur nga Mustafa Pashë Bushatlliu para njerëzve më të rëndësishëm të Shkodrës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : ShqipëriShkodër, 5 mars. (Korrespondencë nga Gazeta Augsburgut.)Pak ditë më parë, Mustafa Pasha thirri njerëzit më të rëndësishëm të qytetit tonë, për të marrë mendimin e tyre për raportin që kishte marrë se Veziri i Madh kishte marrë vendimin për fillimin e luftimeve kundër Pashallëkut të Shkodrës. Mustafai iu drejtua këtij kuvendi në një fjalim, pasazhet më të shquara të të cilit janë si më poshtë :“Veziri i madh (e ka fjalën për Reshid Pashën) dëshiron të ndajë territorin tonë. Tashmë, qoftë me kërcënime, qoftë me premtime të rreme, ai ia doli të nënshtrojë nën pushtetin e tij qytetetet e Elbasanit, Tiranës, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe Ohrit. Ju kam thirrur së bashku për t’ju bërë të ditur gjendjen e gjërave dhe për të ditur nëse preferoni të qëndroni nën zgjedhën e Portës dhe t’i nënshtroheni sistemit të ri ushtarak dhe sistemit të ri të taksave, apo të mbroni lirinë tuaj; në këtë rast jam gati të sakrifikoj deri në pikën e fundit të gjakut tim; Më duhet t’ju them se e gjithë forca e Vezirit të Madh përbëhet nga vetëm 16.000 burra. Prandaj nuk është e frikshme dhe nuk duhet të frymëzojë ndonjë frikë serioze.Djali im është vendosur në Dibër me 8.000 burra të fisit të Madganit (Matjanit), gati për të hyrë në fushatë. Boshnjakët, zotërit e Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe një pjesë e Serbisë, më dhanë sigurinë se do të më vinin në ndihmë në luftën që po përgatitet. Unë kam kërkuar një burrë nga çdo familje e pashallëkut tim dhe besoj se jam në gjendje të hyj në fushatë katër ditë pas festës së Bairamit.” Ky ligjërim ndërpritej shpesh nga shenja të qarta pëlqimi. Kuvendi njëzëri deklaroi se duhej luftuar për ruajtjen e pavarësisë së vendit. Mësuam se qytetet e përmendura më lart ishin të pushtuara vetëm nga një pjesë e vogël e ushtrisë së Vezirit të Madh, ai vetë ishte ende rreth Korçës me dhjetë mijë burra.

Filed Under: Histori

ELEMENTE TË SIMBOLIZMIT NË POEZINË E LASGUSH PORADECIT

January 19, 2022 by s p

Dr. Doc. SHERIF SELIMI 

UNIVERSITETI FON – SHKUP

Poetika e simbolizmit paraqet ndoshta problematikën më komplekse lidhur me ndryshimin teorik të simbolizmit në përgjithësi. Ashtu siç ndodh me letërsitë e popujve të tjerë në botë, ku bëhen transformime të ndryshme, po kështu diçka e ngjashme do të ndodhte edhe në letërsinë shqiptare. Procesi i transformimit në letërsinë moderne shqiptare karakterizohet me zgjerimin e tematikës dhe të hulumtimit, pra, vihet në kërkim të formave të reja të krijimtarisë poetike. Një gjë të tillë e mundësojnë kontaktet e poetëve (krijuesve) shqiptarë me lëvizjet letrare, ose fraksionet letrare që paraqiten në kulturat e popujve të mëdhenj të Europës Perëndimore, në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. 

Në një periudhë të ngushtë kohore, në letërsinë europiane paraqiten lëvizje të shumta letrare (simbolizmi, futurizmi, surrealizmi etj.), të cilat në mënyrë radikale i kundërvihen realizmit dhe natyralizmit, kurse vazhdimësinë e kërkojnë me një epokë të mëparshme, që do të thotë – me epokën e romantizmit. Kjo epokë mund të quhet si epoka e pluralizmit letraro-artistik. Duke rënë në kontakt me këto lëvizje, një proces i tillë zhvillohet edhe në letërsinë shqiptare, duke shkuar drejt vizioneve të llojllojshme dhe duke kërkuar mënyra të reja të shprehjes. Por kuptohet se letërsia shqiptare nuk do të zhvillohej me hapa të njëjtë, sikurse edhe letërsitë e tjera të popujve të mëdhenj të Europës Perëndimore.

Nëse marrim parasysh teorinë e Mihail Bahtin-it, pra, duke e shikuar nga aspekti i intertekstualitetit që lidhet me pluralizmin kulturor (Bahtin, Mihail, f. 252-253), natyra e ideve të procesit kulturor lidhet me të gjitha segmentet, duke përfshirë këtu edhe kontaktet ndërgjuhësore. Këto kontakte mund të përdoren edhe në kulturën shqiptare, e cila, sipas pozicionit të saj, nuk e ka pasur problem që të kontaktonte me kulturat tjera, sepse një numër i konsiderueshëm i poetëve të letërsisë shqiptare kanë studiuar nëpër qendra të ndryshme të Europës Perëndimore, si: Asdreni, Noli, Konica, Kuteli, Poradeci etj. Kështu, përmes këtyre kontakteve, letërsia shqiptare do të ishte e hapur për dialog me letërsitë tjera. Edhe kategoria e bi dhe poliliteraritetit, si variant i tyre polidimensional, do të aplikohej në poezinë e poetëve shqiptarë të lartpërmendur.

Sharl Bodler-i është paraprijës i simbolizmit në letërsinë franceze, por gjithashtu merret edhe si modernisti i parë i letërsisë franceze dhe i asaj botërore. Ai është i pari i cili bëri përjashtimin nga utilitariteti i atëhershëm dhe funksioni dekorativ i poezisë. Poezia e Bodler-it ka misionin e vet: “ajo hap dritaren në një drejtim tjetër të botës spirituale, që është e ngjashme me tonën, dhe i mundëson egos të dalë nga kufijtë e vet dhe të shtrihet në mënyrë të pakufizuar. Në këtë proces të shtrirjes fillon dhe përfundon hulumtimi i bashkimit shpirtëror të njeriut”. (Rajmon, Marsel f.92). Sipas kësaj, shihet qartë se simbolizmi europian lidhet me poetin e njohur të letërsisë franceze Sharl Bodler-in, i cili me poezinë e tij hapi dyer të reja në zhvillimin e lirikës franceze dhe asaj europiane në përgjithësi.

Poezia lirike mund të shihet në tri rrafshe: rrafshi emocional – ku shprehet funksioni emotiv; rrafshi figurativ– ku përshkruhen aspektet domethënëse semantike të poezisë lirike dhe rrafshi i njohjes, në të cilin vijnë në shprehje referencialja e lirikës ose funksioni tregimtar. Shtrirja në këto rrafshe paraqet orientimin themelor për zgjedhjen dhe analizën e ashtuquajtur differentia specifica të lirikës, specifikë me të cilën lirika themelon llojin e vet të njohur letraro-artistik, pikëpamjen e vet për botën dhe parimin krijues. (Ќулавкова, Катица, стр.5-6).

Në rrethana të tilla, letërsia shqiptare ka filluar ta artikulojë shprehjen e saj moderne, duke u paraqitur në situata të caktuara të cilat bartin me vete edhe specifikat (elementet dalluese), ndërsa terreni ku është zhvilluar, kuptohet që është një faktor i rëndësishëm. Pra, elementet e para të lirikës moderne shqiptare paraqiten në veprat e Asdrenit dhe Poradecit – posaçërisht te Kolonia Shqiptare e Bukureshtit. Në planin krijues, lirika moderne e zhvendos interesin kolektiv kah shprehja subjektive, nga e përgjithshmja kah personalja, nga retorikja kah emocionalja, dhe kjo bëhet për shkak të vetëdijësimit për pluralizmin estetik të krijuesve. Në këtë drejtim, këto elemente janë më të dukshme te poezia e Lasgush Poradecit, i cili në njërën nga poezitë e tij shprehet:

“Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqen aq fare pak 

Do t’j-a marr që sot e tutje si bilbil parëverak ,

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri…..” (Poradeci, Lasgush, f.51).

Me këto vargje dëshmohet se Lasgush Poradeci largohet nga “mënyra e vjetër e këndimit” dhe do të “këndojë një këngë të re”. Kështu përcjell një mesazh të qartë deri te lexuesi. Pra, ai bën një hap përpara në lirikën shqiptare, pasi poezia e tij karakterizohet nga funksioni i shprehjes emotive, si dhe është e pasur me shumë shprehje figurative. Këto elemente, në mënyra dhe forma tjera, i gjejmë edhe te F. Noli, Migjeni, M. Kuteli, F. Konica etj. Kuptohet se kjo është koha kur në poezinë shqiptare dallojmë mënyra të ndryshme të shprehjes letrare, të cilat janë rezultat i kontakteve dhe i ndikimeve të kulturave të ndryshme europiane dhe më gjerë. Kjo vlen konkretisht për poezinë moderne, ku “liriku bëhet magjistar”, sipas Fridrih Hugos. “Poezia krijohet nga impulset e gjuhës, që nga ana e tyre, duke e dëgjuar zërin paragjuhësor, (që i paraprin gjuhës së menduar) shpie te përmbajtja apo kuptimi, dhe jo anasjelltas. Domethënë, përmbajtja bëhet rezultat dhe ajo është në funksion të fuqisë së zërit, që është i mbifuqishëm në raport me kuptimin.” (Hugo, Fridrih, str.54-55).

Kështu, në fazën e modernizmit në letërsinë tonë vijnë në shprehje mundësitë e  shpeshta  të gjuhës poetike përmes përdorimit të mjetit kryesor stilistik të poezisë së simbolizmit, pra,   sinestezionit. (Речник на книжевни термини,стр.727-728). Sinestezioni nuk është term ekskluziv letrar; ai shënon përzierje të shfaqjeve ose lidhje të dukurive të fushave të ndryshme stilistike. Klasifikimi i tij ka të bëjë me: vizualen, auditiven, olfaktoren, gustativen, taktilen dhe psikikën. Në teorinë e letërsisë quhet edhe si “audition coloree” ose “dëgjim i ngjyrosur” (dëgjim me ngjyra), që e ka bazën psikike dhe biologjike, por, jo rrallë herë është kontestuar dhe i është dhënë drejtim kah mënyra që të trajtohen si “shenja për gjendje patologjike të shpirtit”.  Sinestezioni do të përdorej në realitetin gjuhësor dhe poetik të simbolistëve duke u bërë shenjë e të folurit poetik, si dhe element i poetikës së poezisë gjithëpërfshirëse moderne europiane.

Sinestezioni i takon grupit të figurave semantike, për të cilat është karakteristike ndryshimi i kuptimeve themelore të disa fjalëve të caktuara. Poeti modern ecën nëpër rrugën e matematikanit që lidhet me numrat irracionalë dhe transhendentalë, dhe, sipas operacioneve të veçanta, ndërton botën imagjinare të simboleve matematikore, të cilat kanë logjikën e tyre të brendshme. Sinestezioni arrin funksionin referencial të gjuhës poetike dhe e rrënon logjikën kauzale të botës reale dhe mendimin racional: “Syri na mashtron duke ia veshur lules cilësitë e rrezes së diellit. Veshi na mashtron duke ia veshur valëzimin e zërit ziles që bie. E gjithë vetëdija jonë na mashtron duke bartur cilësitë e veta, kushtet e veprimit të vet ndaj objekteve të jashtme” thekson udhëheqësi i simbolizmit rus, Valerij Bruesov. (Стојменич, Мирослав, 8-12).

Shembuj ku zëri paraqitet si zë artistik vizual ( auditivo-vizual) ose të fotografisë së paraqitur si fotografi tingullore (vizualo-auditive), dhe se si “aromat posedojnë ngjyrë”, gjegjësisht cilësi zanore (auditive-alfaktorike, vizuale-alfaktorike), ka edhe në poezinë e Lasgush Poradecit: “fjalë më shumë të ëmbla”, “aromë e flaktë”, “këngë me vrer, vrer të zi”, “gjuhë e zjarrtë” etj.

Sinestezioni kontribuon për rinovim apo freski të shprehjes poetike. Sipas studiuesve të këtij fenomeni poetik, Gi Misho-s,  Fridrih Hugo-s , Roman Jakobson-it, Svetozar Koleviq-it, Zoran Kravar-it etj., duke i fshirë kufijtë e perceptimit shqisor, sinestezioni, jo vetëm që nuk e përfill përjetimin fragmentar shqisor të botës së paraqitur, por në emër të disa mundësive të pandiera të shpirtit njerëzor, kthehet në shkallën zero të njohjes dhe kështu, gjërat bëhen kategori esenciale dhe produkte të një lloji të caktuar të receptimit sensorik. 

Përmes këtij teksti, tendenca jonë e përforcon bindjen e kritikës imanente të Sabri Hamitit dhe Moikom Zeqos, se në thelb poezia e Lasgush Poradecit është simboliste.

                                                    BIBLIOGRAFIA

  1. Bahtin, Mihail, “Reč kod Dostojevskog” te: Problemi poetike Dostojevskog, Beograd, “Nolit”, 1981. 
  2. Hamiti, Sabri, Lasgush Poradeci : Trashigimi; I – Testamenti poetik i Lasgushit; II – Kështu thoshte Lasgushi , Arti i leximit, Rilindja, Prishtinë, 1983.
  3. Hamiti, Sabri, Arti poetik i Lasgushit, “Drita”, Tiranë, 5 maj 1996.
  4. Hugo, Fridrih, “Struktura moderne lirike”, Stvarnost, Zagreb, 1989.
  5. Konsantinovic, Zoran, “Savremene naucne misao o simbolizmu”, Savremenik (tema simbolizam), Beograd, (XXXIX) maj-juni, 1983.
  6. Michaud, Guy, “Message poetique du simbolisme”, “Librarie Nizet”, 1974.
  7. Ќулавкова, Катица, “Одлики на лириката”, Наша книга, Скопје, 1986.
  8. Rajmond, Marsel, “Od Bodlera do nadrealizma”, Sarajevo, Veselin Maslesa, 1958.
  9.  Речник на книжевни термини, 1986.
  10. Стојниħ, Мирослав, “Подударности и сличности руског и српског симболизма”, у : Српског симболизма (типолошка проучавања), Меħународни научни скуп, Београд 8 – 11 , новембар 1983.
  11. Zeqo, Moikom, Krijime poetike të L. Poradecit, “Drita”, Tiranë, 13 nëntor 1988.
  12. Zeqo, Moikom, “Të dhëna të reja për L. Poradecin”, Bashkimi, Tiranë.

 VEPRA TË CITUARA

  1. Poradeci, Lasgush, “Vdekja e Nositit”, Rilindja, Prishtinë, 1986.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2454
  • 2455
  • 2456
  • 2457
  • 2458
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT