• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMOVOHET VEPRA E POETIT LUIGJ ÇEKAJ (POST MORTUM) NË 1 VJETORIN E NDARJES NGA JETA*

January 2, 2022 by s p

*Mëhill Velaj – Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë fjalimi në ditën e lamtumirës së poetit Luigj Çekaj.

Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në emrin tim personal dhe të familjes sime, shpreh ngushëllimet më të përzëmërta e të sinqerta familjes Cekaj, për humbjen e babait, bashkëshortit shembullor dhe gjyshit fisnik, i shpreh ngushëllimet komunitetit shqiptaro-amerikan, Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Shoqatës Atdhetare “Rrënjët” për humbjen dhe ikjen në amshim të patriotit, atdhetarit, shkrimtarit veteran ndër breza. Për dekada me radhë Luigj Cekaj ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme, shqiptari i respektuar dhe i nderuar, shqiptar dhe patriot i devotshëm, në komunitetin shqiptaro-amerikan, Vec kësaj, Luigj Cekaj është shkrimtar e poet mjaft i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, poet i dhimbjes e dashurisë të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Andaj i shpreh ngushëllimet e ngrohta e të sinqerta edhe komunitetit të shkrimtarëve, poetëve dhe krijuesve brenda e jashtë Shoqatës, kudo në Diasporë, miqve dhe gjithë të dashurve që e rrethonin, për humbjen e njeriut dhe mikut të tyre. Me rastin e 20-Vjetorit te themelimit SHSHSHA, nuk do jenë në mesin tone se iken në amshim; Agron Fico, Dedë Elezaj dhe kesaj kolone te heshtjes po i bashkangjitet dhe Luigj ÇEKAJ. Ne sot po i japim Lamtumirën poetit dhe shkrimtarit Luigj Cekaj, Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, qysh prej themelimit të saj. Dhe në mbledhjen e parë të themelimit të Shoqatës u vendos që shkrimtari dhe poeti Luigj Cekaj të zgjedhet Sekretar i saj, detyrë që kreu denjësisht për disa mandate. Poeti Luigj CEKAJ ishte atdhetari i mirë, pasionanti i letërsisë, që ia kishte rrëmbyer zemrën dhe mendjen, qytetari dhe intelektuali që mes lavdisë e penës së tij nuk harroi kurrë të vinte mjeshtërinë e krijimtarisë së tij artistike dhe shpirtërore, por me modestinë e një heroi të heshtur, ngriti urën jetike mes shpirtit dhe ikjes së heshtur në ameshim. Për Luigjin gjatë këtyre ditëve kanë shkruar shumë krijues të SHSHSHA-së dhe dashamires si; Ekolana ÇEKAJ-Mundija(Vajza e te ndjerit), Don Pjeter Popaj, Gjeke Marinaj, Adnan Memeti, Gjeto Turmalaj, Dalip Greca, Keze Zylo, Mark Koliqi Shkreli etj,etj.. Poeti Luigj Cekaj, ishte ai djaloshi shkodran, që në moshë ende të njomë u përball me njollën absurde e të prekurve politikisht, persekutimin dhe arrestimin, si biri i të arratisurit politik, Kolë Cekaj. Pasionant dhe dashamirës i letërsisë, mundësia për të botuar i jepet vetëm me ardhjen e demokracisë. Ka kontribuar si redaktor i poezive në gazetën “Besa”, Shkodër. Emigroi në Amerikë me statusin e emigrantit politik, autor i disa vëllimeve me poezi dhe punoi për revistën “Trojet Tona”, gjithashtu punoi në revistën “Jeta katolike”,organ i Kishës Katolike Shqiptare,”Zoja e Shkodrës. Veprat e botuara të Shkrimtarit e Poetit Luigj Cekaj; “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998. “Unë vij nga Shkodra”, publicistikë, 2004. “Nënë, ti hije e kaltër prej loti”, poezi, 2010. Lamtumirë mik, patriot, koleg, atdhetar, poeti martir i Demokracisë, Shqiptar i Fismë dhe i Devotshëm. Po e lexoj një poezi; Ndër Sytë e POETIT (Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ që u nda nga jeta 5 Janar 2021) Nga Mëhill Velaj Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë, Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë, Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmeendur, Vajton për zemrën e poetit, Që mbytet nga heshtja, Ndërsa nata lexon mijëra fjalë, Me gjuhën e engjujve të lashtë që veç poetët i kuptojnë! Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak, Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket, Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi i plagëve në tokën mëmë, Kroi i lotëve shterri fjalët, Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!

*Mëhill Velaj Stamford, CT USA 6 Janar 2021 Prehu në PAQE! Të qoftë dheu i lehtë! I përjetshëm kujtimi e vepra e tij!

Filed Under: LETERSI

KONFERENCA E BUJANIT DHE REZOLUTA IDEOLOGJIKE PËR VETËVENDOSJE DHE PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË

January 2, 2022 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Konferenca e Bujanit, e mbajtur nga 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944, paraqet një ngjarje të rëndësishme nga lufta antifashiste nacional-çlirimtare, në të cilën u konfirmua e drejta e shqiptarëve për vetëvendosje dhe për bashkim me Shqipërinë, por mbi konceptin ideologjik të imponuar nga komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë, që kishin përvetësuar luftën antifashiste, gjë që nuk mund të përfundonte ndryshe pos me një ripushtim tjetër nga jugosllavët, siç ndodhi në të vërtetë.Mbledhja e Konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjin it, ku morën pjesë 49 delegatë (43 shqiptarë, tre serbë, dy malazias dhe një turk) që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj të rreshtuara në kuadër të Frontit Antifashist Nacional-çlirimtar të Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit. Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar), ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar), Xhevdet Doda (anëtar).Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në konferencë, ku pos tjerash thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është nji anë, e cila popullohet në pjesën ma të madhe nga popullsia shqiptare, e cila, si gjithmonë, dëshiron edhe sot të bashkohet me Shqipërinë. Prandaj, e ndjejmë për detyrë ta vëmë në dukje rrugën e vërtet në të cilën duhet të ecë populli shqiptarë për të realizuar aspiratat e vehta. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshi i Dukagjinit, asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”.Konferenca e Bujanit si dhe rezoluta e saj, duhet parë si një koncept ideologjik të të majtës shqiptare, të dirigjuar nga komunistët jugosllavë, që në njërën anë kishte për qëllim kundërvënies së krijimit të shtetit shqiptar me përkrahjen e fuqive të boshtit në tetor të vitit 1943 në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Dytë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që anuloi okupimin e Shqipërisë nga fashistët italianë dhe riktheu pjesën më të madhe të tokave shqiptare të pushtuar nga serbët, grekët dhe malaziasit në vitin 1912, dhe në tjetrën anë, kishte për qëllim që ta pengojë konfirmimin e idesë së bashkimit shqiptar në kuadër të koncepteve demokratike, siç i parashihte edhe Karta e Atlantikut, për të cilën u angazhua NDSH-ja dhe forcat tjera nacionaliste sado të shkapërderdhura gjatë dhe mbas luftës, të cilat dështuan ngaqë u mungoi përkrahja e Perëndimit, i cili, në Konferencn e Jalltës ishte pajtuar për ruajtjen e Jugosllavisë së Versajës nën formatin e AVNOJ-it, të imponuar nga Titoja. Kjo u pa më së miri me zhvlerësimin e saj, në Konferencën e Prizrenit, më 10 korrik 1945, kur koncepti i “luftës së përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë”, pasi që forcat partizane jugosllave të kenë depërtuar në Kosovë, me pajtimin e Enver Hoxhës me Titon në nëntor të vitit 1944 dhe, në rrethanat e një shtetrrethimi dhe të gjendjes së luftës, nën pretekstet e shfaqjes së “kundërrevolucionit”, t’i kenë qëruar hesapet me të gjitha forcat patriotike që luftuan aleancën komuniste shqiptaro-jugosllave, siç ndodhi në Drenicë, Tivarë dhe gjetiu, ku u vranë rreth 50 mijë shqiptarë. Pra aleanca ideologjike midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, solli ripushtimin e Kosovës, ndërsa “e drejta për vetëvendosje” do të kthehet në “deklarim për bashkim me Serbinë”!Edhe përkundër epilogut tragjik, formula ideologjike e bashkimit shqiptar, e inspiruar nga Konferenca e Bujanit, vazhdoi të shfaqej edhe në vitet e gjashtëdhjeta, të shtatëdhjeta e deri vonë, e rinkarnuar në iredentizëm ideologjik, anipse kërkesa për Republikën e Kosovës, e kishte zhvendosur nga binarët e legjitimitetit politik në të cilët do të vendosej procesi i shtetndërtimit të Kosovës, i cili do të përmbyllet më 17 shkurt 2008.

Filed Under: Kronike

Sfida jonë me të rinjtë: a dimë t’i inkurajojmë?

January 2, 2022 by s p

Agim Baçi/

Drejtori i North College, John Tapene, në Zelandën e Re, kohë më parë gjeti një mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikonte me të rinjtë e vendit të tij, teksa iu drejtua atyre që të hiqnin dorë nga argëtimet pa kuptim, nga kërkesa pa fund ndaj prindërve dhe të tjerëve, dhe t’i kthejnë sytë nga guximi i hapave të tyre për të ecur vetë në jetë, nëse duan një jetë apo një shoqëri më të mirë.Një thirrje e tij na sjell të gjithëve në vëmendje një çështje madhore për të gjitha shoqëritë, teksa gjendemi përballë rrezikut të një shkërmoqjeje marrëdhëniesh mes brezash. Por, në fakt, a dimë ne t’i inkurajojmë sot të rinjtë që ata të guxojnë në jetë të gjejnë vetë rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të moralshme dhe me virtyte? A jemi të shqetësuar se me çfarë merren ata? A jemi sot në gjendje të flasim hapur për atë çka i shqetëson dhe për mënyrën se si duhet ta shohin jetën? A jemi sot në gjendje të mbajmë marrëdhëniet e lidhura mes brezave?Po të shohim lajmet, po të ndjekim shqetësimet e mësuesve të fëmijëve tanë, mund të kuptojmë shpejt se pothuajse të gjithë jemi dorëzuar nga pak nga përpara kërkesave të pafundme nga ana e fëmijëve për veshje, për pajisje elektronike, për udhëtime, për teka pa fund – pra për gjithçka materiale. Në nxitim të përditshmërisë sonë, shumë pak u flasim atyre për jetën tonë të mëparshme. U kërkojmë shumë pak të komunikojnë me gjyshërit, e aq më pak edhe me fqinjët. “Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, gjej një punë, vizito një të sëmurë, bëj detyrat e shkollës dhe pasi t’i kesh mbaruar, lexo një libër. Vendi yt nuk detyrohet të të sigurojë ambiente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë vetëm të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vetë jetën. Ti i detyrohesh botës diçka”, shprehej Tapene, duke ngritur disa nga çështjet që tashmë janë të përbotshme. Por kjo çështje e ngritur nga neozelandezi Tapene, si njeriu që kontakton çdo ditë me nxënësit, prej kohësh është ngritur edhe nga psikologë dhe filozofë. Kështu, neuropsikologu i famshëm grek, Nikos Sideris, në librin e tij lidhur me komunikimin me fëmijët, vë në plan të parë komunikimin që duhet të bëjnë prindërit dhe jo psikologët.Sipas Sideris, janë prindërit ata që duhet t’u tregojnë fëmijëve atë që mundet dhe atë që nuk mundet apo që nuk duhet ta kenë, si dhe të jenë gjykues ndaj asaj që shfaqin fëmijët në përditshmërinë e tyre. “Është e dëmshme për vetë fëmijën, nëse imagjinata e tyre do të diktojë qëndrimin e prindërve”, shprehet Sideris, duke kërkuar nga prindërit që bashkëbisedimin me fëmijët e tyre ta shikojnë edhe si një bashkëbisedim me veten, si një rritje tjetër. Sideris vë re në librin e tij, duke iu referuar përvojës si psikolog, se shumë prindër nuk janë të qartë kur u thonë fëmijëve “Mos!”, ose “Jo!”, duke inkurajuar dyzimin.Ndërkaq, filozofi spanjoll Fernando Savater sugjeron që t’u mësojmë fëmijëve se pasojat që vijnë nga liria për të vepruar nuk mund të mohohen apo zhduken sipas qejfit. Sipas Savater, Liria nuk është për të pasur çdo gjë, por për të pranuar pasojat në të mirë apo në të keq, në varësi të asaj që na ka ndodhur apo që nuk arritëm të bënim. Ky moskomunikim ka bërë që prindërit dhe fëmijët e sotëm të mos diskutojnë asgjë, madje as ato gjëra, të cilat i prekin çdo ditë apo do t’i prekin në të ardhmen, sidomos kur të jenë në pleqërinë e tyre.Duhet ta pranojmë që kjo sfidë nuk është aspak e lehtë por, të paktën, ne kemi detyrë t’i inkurajojmë fëmijët që të guxojnë të gjejnë rrugën e tyre, duke marrë përsipër detyrimet e tyre për një jetë dinjitoze. T’u mësojmë se të gabosh është njerëzore, por që të kërkosh falje është edhe më njerëzore. T’u mësojmë se udhëkryqet në jetë merren kur ke një dorë pranë, kur mundesh që të shohësh tjetrin në sy, dhe kur e kupton që je pjesë e një shoqërie ku ke detyrimet e tua për ta bërë më të mirë. E sidomos t’u themi se, jeta pa dorën drejt tjetrit rrezikon të ketë pasojë vetëm vetminë dhe zhgënjimin.

Filed Under: Komente

Antropologjia kulturore e dështimit: Egocentrizmi dhe modeli shoqëror

January 2, 2022 by s p

Analizë/ Dr. Eugent Kllapi/

Modeli i orientimit tonë shoqëror ka dështuar. Ai nis nga ne, po nga shumë rrethana që si pasoja bëhen shkaqe. Modeli jonë shoqëror nis nga ‘egocentrizmi’.Pse egocentrizmi jonë po rrënon vetë shoqërinë, pra, pse dëshira e egocentrizmit tonë për të qënë edhe më të arrirë po na bën edhe më pak të arrirë? Me një fjalë pse jemi në kontradiksion dhe në udhëkryq?Karakteristikë për Ballkanin, dhe sidomos për shqiptarët është natyra e saj krenare dhe lëvduese. Krenaria, besa dhe nderi kanë ecur krah për krah që nga kohët e hershme deri tani. Por nga ana tjetër, paralel me ligjësitë morale janë krijuar ligjësitë juridike.Besimi, krenaria dhe nderi duken sikur nuk kanë lidhje me këtë ndryshim, megjithatë ato varen kryekëput me ligjin si marrëveshje e kontratë shoqërore. Njëkohësisht dhe paralel kemi ecur me dy kahe, edhe nga ligji i shkruar, edhe nga fjala e dhënë.Fjala e dhënë tiparet e saj i ka nga absolutizmi, në besimin ndaj mbretit, Zotit, të parit të krahinës, mikut. Fjala e dhënë është në kundërshtim me fjalën e shkruar. Si burim mitologjie nga antikiteti.Më shumë se mbretit, apo të parit, kjo mënyrë protoike vendoset atëherë kur njerëzit nuk kanë një referencë për të drejtuar jetët e tyre, për këtë duhet të ngrejnë një marrëveshje (marr-vesh) midis personave, grupeve, komuniteteve. Por në kushte të tjera kjo marrëveshje ndryshohet ose humbet.Fjala e shkruar e ndan besimin përkundrejt normave, kundrejt cdo personi, humbet kuptimi i centralizimit, para ligjit janë të gjithë njësoj, pra decentralizohet egocentrizmi, krenaria, nderi.”Pa e parë me firmë e vulë nuk besoj” thoshin latinët e zgjuar dikur që bënë perandori por sidomos Republike.Nderi këtu i takon atij që është me të drejtën e ligjit të shkruar, jo me atë që ka fituar sfidat për të qenë krenar.Egocentrizmi do kuptuar si dëshirë përsosje individuale dhe shoqërore. Ky njeri pikënisje dhe pikëmbërritje ka arritjen e vetvetes, qendra e vetvetes dhe e pikëvështrimit e tëhuajtjes shoqërore, është dhe duhet të jetë vetëm ai.Nga kjo krijohet një situatë ku narcizmi, ose mendjemadhësia e njeriut të munguar në vete, apo krenaria si burim indetiteti kur nuk kemi gjë tjetër apo nga ana tjetër përmbushjeje, stimulohet gjithmonë mbi normën e lejuar shoqërisht nga morali dhe mbi realitetin, nga pushteti.Egocentrikët(egoja-uni=vetja vihet në qendër) duan të ngrejnë një imazhologji për veten, falë njerëzve që njohin, falë gjithë shoqërisë, dhe kjo pompon faktin që ai duhet ta mburrë vetveten që ta justifikojë atë përballë të tjerëve. Vetja është ai cka të tjerët presin rreth tij.Imazhi i tij vlen, mendja e tij është më e mira, trupi më i bukur, cdo gjë rreth tij më sipëror në mendime dhe veprime.Ky njeri nuk krijon dot një hapje me të tjerët, për të gjithë të huajt janë armiq ose rivalë të rrezikshëm. Ndërveprimi shoqëror edhe pse duket e mirë është centriste ku modeli flak shancet e barabarta dhe njeriun individual që ka dicka për të dhënë. vlerat hierarkizohen kategorikisht në mënyrë vertikale.Shqiptarët nuk e kuptojnë dot rivalitetin nga dypolariteti i theksuar politik dhe kulturor, por të gjithë i shikojnë si kundërshtarë të rrezikshëm që prekin ekzistencën dhe identitetin e tyre.Në qoftë se s’je i një ane politike je i një tjetri, në qoftë se nuk je autoritar, patriarkal, të japësh diktat, atëherë automatikisht nuk je.Motoja është si në antikitetin e lashtë, ‘’unë jam dhe prandaj do kërkoj me cdo kusht dhe forcë që unë të mbijetoj’’, kjo me cdo lloj sakrifice.Absolutizmi i shtoi me anë të fesë dhe qendërsimit të Zotit, po dhe të mbretit, një ‘’unë s’jam dhe gjithcka është Zoti’’. Iluminizmi i shtoi një ”unë s’jam po e gjej veten nëpërmjet tjetrit”, vëllazërohem, kërkoj të bëhem nëpërmjet të tjerëve, përfshihem.”Ligji jam unë(mbreti)”Kjo duket absurd në shoqërinë e sotme falë dhe egocentrizmit të kohës së monizmit.Rrjedhojave të këtij modeli qendërsues të vetes i shtohet fakti që mangësia e zbatimit të ligjit ngre lart ligjin e pashkruar dhe ligji i pashkruar ndikon në moszbatueshmërinë e ligjit. Të gjitha tiparet e tribaliteti fisnor paraqiten në këtë situatë. Me forcën që njerëzit duan ligjin e shkruar do të tërhiqen për nga ligji i pashkruar zakonor. Me forcën që zakoni do kërkojë të afrohet rreth një shoqërie zakonore njeriu do të dojë të bëhet modern se atë ka si majë qytetërimore megjithëse do zakonin dhe traditën. Këtu ai është në udhëkryq.Modeli në kapitalizëm has në disa probleme të tjera. Problemi në kapitalizëm është se ligjin e bën materiali, ideali është mposhtur(si prirje në fazat e para të kapitalizmit, klasik), nuk ka rëndësi cfarë dijesh ke, rëndësi ka cfarë statusi dhe prone ke arritur nëpërmjet dijes ose jo, po nuk ke arritur je asgjë dhe me dije.Ideali jo në kuptimin Marksisto-Leninist, pasi ideali nuk ka lindur dhe ka mbarruar te Marksizmo-Leninizmi sic janë propaganduar dhe gënjyer në një iluzion brezi i kaluar, por ideali në kuptimin e ideve madje dhe ideologjive. Roli, dinamika e kohës dhe e situatave është më e intesive.Cdo gjë rrethrrotullohet rreth parasë. Problemi fillon përsëri te egocentrizmi.Në botën psikologjike ai që ka dhe do t’i ketë të gjitha, nuk ndjen gjë për atë që s’ka.Në krenari dhe pushtet njeriu harron se si ndihet tjetri që nuk ka bukë, parajsa nuk përputhet me ferrin, por ai që nuk ka bukë duhet ta nderojë krenarin, të gjithë janë në ferr, po duan parajsën.Në një situatë ku egoja do të mbizotërojë mbi ligjin kemi që qendërsimi i pushtetit të krijojë qendërsimin e ekonomisë, tjetri është i përjashtuar. Kjo edhe në kuptimin si të konkurrencës, si të vlerave, si të personalitetit, si dinjitetit apo vetë krenarisë.Në këtë situatë egocentristët konsumohen nga egocentristët, të gjithë sulmojnë të gjithë, të gjithë nuk i duan të gjithë, të gjithë kanë frikë prej të gjithëve, të gjithë armiq të të gjithëve, të gjithë ia kanë me hile njeri-tjetrit për të arritur majat e pushtetit dhe krenarinë, të gjithë gënjehen me njëri-tjetrin dhe janë në një botë gënjeshtër, të gjithë e duan lumturinë më të madhe se të tjetrit. Të gjithë të gënjeshtërtit flasin për të vërtetat dhe indetifikohen në to. të gjithë nuk dëgjojnë dhe të gjithë duan të ulërasin.E vërteta është ekuivalentuar me të gënjeshtërtën falë egocentrizmit.Ata që kanë shumë kapital kërkojnë dhe më, pasi kjo lloj konkurrence të fut në ankth dhe në paranojë, frikë dhe dhunë.Në kushtet e konkurrencës njeriu bëhet agresiv dhe dhunues sipas studiuesve, pasi ndjen rrezik dhe do siguri që nuk e ka, nuk ka rëndësi cfarë lloje dhune kryhet po egocentrizmi e stimulon këtë dhunë.Mirëpo qasja e njohjes me anën e tjetrit është ndryshe, ajo është përbashkuese, të gjithë ekzistojnë falë të gjithëve, të gjithë kontribuojnë me të gjithë për të arrirë qëllimet e tyre, të gjithë bashkëveprojnë me të gjithë, këtu ndodh decentralizimi i pushtetit dhe i njeriut egocentrik, të gjithë janë në paqe me të gjithë, nuk kërkojnë eliminim por bashkëjetësë.Në këtë qasje është ligji i shkruar, ligji është njësoj për të gjithë, koncepti i fjalës së dhënë, nderit, besës, humbet pasi ligji kujdeset për të gjithë në qoftë se zbatohet njësoj.Nga ana tjetër, në vazhdën e centralizimit të pushtetit ndodh centralizimi i ekonomisë, qendërsimi i njeriut.Egocentrizmi e ul produktivitetin e reales, objektivitetit, të vërtetës dhe me anë të imazhit do të përsoset sepse kërkon me cdo kusht, kjo kërkohet nga të gjithë të jenë me cdo kusht, imazhi është a-ja dhe zh-ja e arritjes së njeriut, kjo i mungon.Imazhi krijon një botë paralele midis asaj që nuk je dhe nuk do të jesh dhe asaj që mund të bëhesh dhe mund t’ia arrish.Ky iluzion i jep prioritet orientimit, atëherë njeriu shkëputet nga bota normale dhe krijohen kushte për botë anormale psikotike (rast është psh., dhe facebook, telefoni, mediat, tubimet, reklamat etj).Njeriut në këto kushte as ia ndjen fare se cfarë realiteti ndodh, po cfarë realiteti ëndërrimtar mund të ngrejë, ai fle dhe zgjohet me ëndrra, është në ethe njësoj si në sëmundje për ëndrrën, përjeton ëndrra dhe është gjithmonë në ëndërr, në ethen e parasë apo të pushtetit, ndaj mikut, mikes, familjes, shokut, shoqërisë, nuk ka rëndësi.Për të bota duhet të jetë ajo ëndërr dhe ëndrra për të është e gjithë bota, nuk ka më botë tjetër reale megjithëse jeton realisht.Monopolizimi i jetës së përditshme është orientimi kryesor i jetës së shoqërisë në qoftë se ky lloj njeriu kthehet model për shoqërinë, ashtu si po ndodh dhe sot në Shqipëri.Njeriu në të shumtën e rasteve nuk është ai që duket sikur është, ai është i modeluar nga të tjerë faktorë që ndikojnë jashtë tij, nga një lloj shtyse e jashtme, në qoftë se kjo shtysë kthen kokën nga qendërsimi kemi një shoqëri centriste.Ndikon kultura, rolet, situatat, kushtet, autoriteti, sistemet politike etj. Ku vërehet kjo; ai që ka pushtet politik do akoma më, ai që ka pushtet ekonomik i thith të gjitha burimet financiare, ai që ka pushtet intelektual do të gjitha sukseset. Ai që ka pushtet familjar do të shpërdorë atë dhe të gjitha pushtetet e familjes, të tjerët nuk kanë si AI, qoftë dhe me dhunë dhe vrasje sic po ndodhin në këto kohë, ai që ka pushtet miqësor do ta shpërdorë atë, qoftë duke e instrumentalizuar.Rrugës për në lagje shikon modele bisnesesh të vogla me orientim të tillë. Kjo duket kur futesh dhe një palë atlete bëjnë 70 mijë lekë, megjithëse janë të përdorura. Në treg po të shkosh e njëjta gjë, janë të përdorura po janë firmato.Një palë pantallona bëjnë 30 mijë lekë, i gjithë tregu i bën pantallonat 30 mijë lekë, i gjithë qyteti, vendi.Të gjitha produktet me të njëtjat cmime. Periferia i shtrenjton akoma dhe më cmimet, të gjithë synojnë për fitimin maksimal dhe të gjithë përqendrohen përkundrejt mallit në një pikë referimi, të gjitha farmacitë tek spitali, të gjithë serviset përqendrohen te Ali Demi në Tiranë, të gjitha byrektoret në rrugët ku ka kalimtarë nga rrethet etj. Nga ana tjetër pantallonat te tregu i byrekëve, dhe farmacinë te pantallonat nuk e gjen dot.Të gjithë me master shkencor dhe të gjithë letrarë si dikur ushtarë, të gjithë të njëjtë pavarësisht se duam të jemi të ndryshëm.Humb si koncepti i diversitetit dhe i shpërndarjes, sepse nuk ka të tillë po ka qëllim centrist, të fitojë sa më shumë të jetë e mundur, sepse kështu është mirë dhe kështu bëjnë të gjithë, është marrëveshje e heshtur. Tipike për shoqëritë fisnore.Në një aspekt tjetër imazhologjia krijon shumë burime njohjeje. Ai person egocentrist që ka një punë dhe shumë burime ka oferta për më shumë punë, ai kërkon akoma më tepër imazh, njohje fuqi, dhe i do të gjitha burimet. Një grup i vogël njerëzish marrin të gjitha burimet, të gjitha punët, të tjerët nuk kanë asnjë punë.Ata që kanë punët nuk mund dot t’i bëjnë të gjitha, i bëjnë pjesërisht, dhe asnjë punë në rregull.Paradoksalisht të shumtët janë të papunë dhe kërkojnë me ngulm punët që nuk bëhen në rregull, ata janë mbase të aftë po nuk u jepet mundësia, mundësia i jepet atij që i bën pjesërisht dhe i thith të gjitha.Dija është kusht për decentralizimin e pushtetit, zakonisht ata që nuk kanë dije kërkojnë centralizimin e pushtetit, ndodh që ata që s’kanë dije i kanë të gjitha, ata që kanë dije nuk kanë asgjë dhe asnjë burim, kështu që humbasin mundësinë. Si në mesjete me statuse të përcakuara, si në monizëm edhe sot e njëjta gjë.Kjo po ndodh dhe në Shqipëri, të paaftit që duan pushtet i kanë kapur pikat kyce, po jo vetëm ato, i kanë shumëfishuar punët, burimet, ofiqet, paratë, pushtetin dhe janë në konkurrencë të ethshme e presion të paparë kundrejt shumësisë që duan t’ia marrin punën apo t’ia eliminojnë. Për më tepër idioti urdhëron dhe ka pushtet maksimal mbi të zgjuarin, amatori kundrejt profesionalit.Edhe i dituri që nuk i përshtatet këtij modeli përjashtohet. urrehet. Kështu që sheh intelektualë me tipare ego-centriste që thithin cdo burim qoftë pronësor, ideor, ofiqe e pushtet dhe të tjerë të zhdrejtësuar.Në fushën ekonomike do të doja të përmendja një thënie legjendare; ’’Problemi nuk është mbledhja e të ardhurave, problem është shpërndarja e të ardhurave!’’ Ky është problem jonë ekonomik.Ai që ka, e ka bërë monopol apo oligopol, ekonomia zhytet në disa duar, leku si GDP është, po varet se ku ai xhirohet, miliarderi lekun e ka e e shfrytëzon, por si tip egocentrist dhe indiferent as që do t’ia ndjejë për atë që s’ka, nuk do diversifikim të ekonomisë, ai do akoma më se është në presionin e dy tre të tjerëve si ai.Ndodh si në krizën ekonomike greke 2008, që miliarderi paratë e veta i ka në Zvicër, populli në brenga. Apo SHBA më 1929, 2008.Ashtu si ndodhi në 1997 me paratë e fajdeve, ku të gjithë llogarisnin si të bëheshin miliarderë.Por monopoli orienton cdo gjë rreth ekonomisë, i bën presion dhe e heq nga konkurrenca tjetrin, ai vendos cmimet si grosisti dhe i thotë dhe tregtarit, ti pantallonat do i bësh 30 mijë lekë, atletët 70, kartat e telefonit do t’i mbash sa dua unë, tokën do ta marr unë, kulturën do ta zhvleftësoj unë, unë do ta hipi në kurriz dhe ti do të pranosh për një modernitet më të mirë teatër, rrugë, bisnese, hapësirën publike, hapësirën tregëtare, hapësirën politike, hapësirën shoqërore, gjithcka, unë të orientoj që ti të bësh si dua unë.Të gjitha do të t’i bëj pak e nga pak falë dhe politikës egocentrike, por radha ty si qytetar do të vijë kur të dua unë që të të vijë ty.Ti ekziston falë meje dhe mëshirës sime, unë po bëj gjithcka për vendin dhe kam hap vende pune, kompani, mirëqënie për kombin që e drejtoj unë, unë jam Zot, dhe ju asgjë, unë jam dhe mëshirplotë dhe humanist në emër të pushtetit tim.Unë jam ligji, unë jam Zoti në tokë për ty, prandaj ekzistoj!Unë duhet të kem që ju të ekzistoni. Kjo pra është qasja egocentrike. Kurse ”shpërndarja e të ardhurave” është qasje ku rrethrrotullohet paraja dhe egocentrizmi vdes, decentralizimi i shtresave fillon, mirëqenia rritet, pasuria shpërndahet, jeta gëzohet, duan më shumë fëmijë, nuk duan emigracionin, kujdesen sa për veten dhe tjetrin, se ekzistojnë falë tjetrit.Pushteti politik krijon një qasje thuasje të njëjtë. Ai që ka pushtet dhe në rivalitet kundërshtues ka akoma më, do akoma më shumë, ata që s’kanë s’kanë fare, ndodh që shoqërisë i janë shterur të gjithë mekanizmat e pushtetit, politika ka gjithë mekanizmat e saj. Për siguri e kthen në dinasti dhe establishment, pra qasje fisnore me tipare krahinorizmi dhe patriarkalizmi.Dy botë të ndara.Por dhe brenda kampeve politike, vetë partitë, degët etj. Ai që është i fortë eliminon të gjithë dhe nuk ia ndjen se e zhduk nga skena politike, ai që i ka, i ka të gjitha pushtetet, parlamentin, prokurorinë, gjykatën, organizatat, partinë, shoqërinë, ajrin, tokën, diellin, bukën, djathin, drogën, bananet, mollën, barin që vjen, plehrat etj, ai i corienton të gjitha.Nuk ka rëndësi cfarë kahu politik ka, ai është Zoti, ai është ligji se kështu jemi falur falë egocentrizmit tonë. Tipar i një kulti individi turmash.Egocentrizmi, sa do pushtet, fshihet nën maskën e nënshtrimit, ndodh që prirja sadisto-mazohiste është shumë e preferuar në qasjen egocentrike, si në pushtetin politik dhe në atë shoqëror, intim, miqësor, familjar etj, sa udhëheqës, shefa, drejtorë, edhe servil të përulur.Tiparet e egocentrizmit sjellin një model të një shoqërie me prirje psikopatike dhe skizofrenike. Zhvillohet absurdi, njeriu paradoksal sa një njeri i gënjeshtërt që e barazon atë me të vërtetën, realen, kjo tëhuajtje e mendimit con në siptoma të rrezikshme të sjelljes shoqërore, sa brutale me dhunë, aq dhe ëndërrimtare po me dhunë në mendjen e cdo njeriu me veten. Një njeri i shpërdorur sa pompoz.Kryefamiljari do të mbizotërojë e mos të diversifikojë marrëdhëniet edhe në aspektin familjar. Nga humbja e këtij pushteti ai dhunon deri në aktin ekstrem pasi i humb egoja dhe qendërsimi i pushtetit nga ku rrjedh identiteti i tij personal e për më tepër në konkurrencën e këtij lloji ai ndihet në udhëkryq.Si shoqëri duan të ngrejnë një imazh të paqenë se jemi të paplotësuar dhe falë këtij imazhi rrojmë, dhunojmë dhe nuk ndjejmë, frikësohemi deri në paranojë. Jetojmë për t’u dukur, për tjetrin, për t’i mbushur mendjen se ekzistojmë ashtu si duam, gënjejmë njëri-tjetrin dhe gënjehemi, dhunojmë dhe dhunohemi, poshtërojmë dhe poshtërohemi. Sa më shumë duan të përparojnë, degjenerohemi. Sa kërkojmë të jemi të vërtetë, me atë forcë anojmë nga gënjeshtra. Sa duam të jemi të arrirë bëhemi më pak të arrirë, praktikisht jemi në kontradiksion dhe udhekryq.

Filed Under: Analiza

“Open Balkan” një dështim pa bekimin e BE

January 2, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ketë asnjë sukses, kurrfarë iniciative, as “Open Balkan”, pa nismën dhe bekimin e Bashkimit Europian! Ideja, mëpastaj iniciativa mbi “Open Balkan” si nismë rajonale ka aq të meta sa hapësira e bashkëpunimit rajonal ka pak mundësi. Nuk mund të ketë sukses një nismë e cila i prinë një shtet si Serbia, me një agresitivitet politik e diplomatik ndaj Republikës së Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Ndaj Kosovës haptas minon shtetësinë në cilëndo rrethanë që mundet e specifikisht me veprimet rreth ‘ҁ’njohjeve’, haptas konteston identitetin shtetëror duke mbajtur në kushtetutën e tyre Kosovën si krahinë të pjesë të tyre, pra, në disa rrethana njeh Kosovën si territor por jo edhe Republikën e Kosovës si shtetësi, e të tjera aspekte aspak fqinjësore. Pastaj, në Bosnjë e Hercegovinë përmes përfaqësuesve serb, tenton të shpërbëj territorialisht tek pjesa e ‘Republika Srpska’. Si dhe kërcënimet e kohë-pas-kohëshme kundrejt Malit të Zi herë politikisht e herë përmes kishës ortodokse. Pra, mesa duket, në Ballkanin perëndimor nuk mund të ketë asnjë sukses kurfarë iniciative pa nismën dhe bekimin e Unionit Europian. Fundja që nga krijimi i Unioni Europian (UE-së) janë kultivuar politikat e fqinjësisë së mirë, dhe katër parimet bazë, prandaj dhe, shtetet më të fuqishme të UE-së, krijuan ‘Procesi i Berlinit’, por në rastin tonë, duke kujtuar gjitha këto arsye dhe veprime armiqësore nga ana e Serbisë, e bën pothujse të pamundur bashkëpunimin korrekt dhe real. Nisma “Open Balkan” do vazhdojë më tej të jetë e kundërshtuar nga tre vendet e Ballkanit perëndimor, por së fundëmi në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë, presidenti i Maqedonisë së Veriut zotëriu Pendarovski, shprehu haptas dilemat e tij rreth kësaj nisme!. Por, mbi nismën e tillë që udhëhiqet nga Serbia, më pas nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, nuk duhet harruar se këta janë veҁ aktorët në skenën teatrale-politike si rezultat edhe të një lloj frustrimi që UE-ja ka stagnuar në tretmanin e duhur e të barabartë, karshi vendeve të Ballkanit perëndimor. Brishtësia politike apo dhe fragjiliteti brenda shteteve anëtare të UE-së, karshi Ballkanit perëndimor, ka ecur deri në stadin e stabilitetit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve por jo edhe në avancimin në prosperitet e mirëqenie më të mirë të qytetarëve të vendeve brenda Ballkanit, madje heshturazi për Kosovën kanë krijuar një lloj skllavërimi modern në Europë, sepse duke qenë të lirë por me kufizim qarkullimi për ‘Europianët e rrinjë’!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2478
  • 2479
  • 2480
  • 2481
  • 2482
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT