• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Lezha gjatë Mesjetës së Hershme (shek.V-X), një periudhë e cilësuar deri në shek. XIX si Mesjeta e Errët”

July 26, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Jemi në shekullin V, kur Lezha (Lissus), ashtu sikurse qytetet e tjera të rajonit, përjetoi rënien e strukturave romake dhe kalimin nga Antikiteti i Vonë drejt Mesjetës së Hershme. Si pjesë e provincës së Prevalit nën Perandorinë Romake të Lindjes ose Bizantine, qyteti u prek nga sulmet e përsëritura barbare, si ato të Hunëve dhe Ostrogotëve, që sollën dobësim të mbrojtjes dhe braktisje të pjesëshme urbane. Sidoqoftë, në këtë periudhë, Lezha konsolidohet si qendër e rëndësishme peshkopale, duke u përfshirë në rrjetin kishtar të kohës. Jetesa qytetare fillon të tkurret, ndërsa u forcua karakteri mbrojtës i qytetit dhe u rrit rëndësia e strukturave kishtare. Shek. V përfaqëson pikërisht fazën e tretë kur fortifikimi mbi Akropolin e vjetër ilir merr formën e një kështjelle të mirëfilltë dhe faza e katërt lidhet me ndërtimet përforcuese të bëra në shek. VI. Gjatë shek. VI, Lisi ishte një ndër tre qytetet kryesore të Provincës së Prevalit me qendër Shkodrën [1]. Këtë të dhënë e ndeshim në veprën “Synecdemus ose Synekdemos” të gjeografit bizantin, Hierokliu [2]. Pavarësisht trazirava të mëdha të kohës, Lisi na paraqitet si një qytet ende i populluar dendur, qendër e rëndësishme administrative, seli peshkopate dhe nga pikëpamja ekonomike, një qendër aktive zejtare-tregtare [3]. Mirëpo, në vitin 592 [4], gjatë “Dyndjes së popujve”, Lezha pëson një goditje dërrmuese, sepse pushtohet nga barbarët sllavë [5]. Kjo e dhënë pasqyrohet në një dokument kishtar, në të cilin thuhet se Papa Gregori I ngarkon me detyrën e kryepriftit në Kishën e Skillaçit (Ecclesiae Scyllacinae) (pranë Catanzaro), Gjonin, ipeshkvin e arratisur lezhjan (Lissitan), meqë Lezha mbahej e pushtuar nga armiqtë [6]. Pushtimi sllav duket se ka zgjatur së paku deri në vitin 599 [7] ose deri në fillim të shek. VII [8], sepse pushteti bizantin u rivendos në Prevalis në vitet 599-600 dhe ipeshkvi i Lisit ishte në selinë e tij në vitin 602 [9].

Pavarësisht se periudha e pushtimit sllav ishte shumë e shkurtër, ajo i shkaktoi qytetit humbjen e shkëlqimit të tij, të rëndësisë dhe të dendësisë që kishte pasur në Antikitet [10]. Ka disa të dhëna, qoftë edhe të tërthorta, që flasin për një tkurrje të ndjeshme të qytetit në shek. VII — VIII dhe për përqendrimin e hapësirës së tij të banuar kryesisht në lagjet e poshtme buzë Drinit, një zonë, që në këtë kohë del e rrethuar me mure të përforcuar me kontraforte dhe kulla katërkëndëshe, gjurmët e të cilave ruhen edhe në ditët e sotme [11]. Pikërisht në fund të shek. VII ose në fillim të shek. VIII, periudhë në të cilën burimet historike janë shumë të pakta, Anonimi i Ravenës, në veprën e tij me titull, “Cosmographia”, vë në dukje qytetin “Lisson” midis qyteteve të Ilirikut, në bregun e Adriatikut, në veri të Dyrrahut [12]. Me fuqizimin ekonomik të qytetit [13] dhe riorganizimin administrativ të Perandorisë Romake të Lindjes, që u bë në shek. VIII [14], krahas fortifikimit të qytetit me mure të fuqishme rrethuese, pikërisht sipër kodrës, ku më parë kishte qenë Akropoli i Lisit antik, u ndërtua kështjella e Lezhës [15]. Në pjesën më të madhe të saj, muret rrethuese të kështjellës që shohim sot i përkasin pikërisht kohës së rindërtimit të bërë nga Perandoria Romake e Lindjes në fund të shek. VIII [16].

Të gjithë muret e kësaj faze të pestë ngrihen mbi substruksione më të hershme, që u përmendën më lart. Kështjella e Lezhës njihet si një nga fortesat kryesore të Themës së Durrësit dhe duke qenë se mbronte kufirin e saj verior, kujdesi nga ana e Perandorisë Romake të Lindjes për mirëmbajtjen e fortifikimeve të këtij qyteti në Mesjetën e Hershme, por edhe atë të Mesme, ka qenë i vazhdueshëm [17]. Burimet historike dhe rezultatet e shumta arkeologjike dëshmojnë në mënyrë të qartë dhe të argumentuar jo vetëm vijimësinë etno-kulturore të qytetit të Lisit nga Antikiteti i Vonë ilir në Mesjetën e Hershme, por edhe karakterin qytetar të ekonomisë së tij [18]. Vijimësia etno-kulturore e qytetit të Lisit, nga ilirët te arbërit, dëshmohet qartë nga varret dhe objektet e shumta të zbuluara në “Qafën e Kalasë” në vitet 70 të shek. XX [19], por sidomos gjatë ekspeditave të fundit arkeologjike, që janë zhvilluar po në të njëjtin lokalitet, i njohur si “Nekropoli mesjetar i Lezhës”, i cili është një nga varrezat më të rëndësishme që përfaqësojnë “Kulturën e Komanit [20].” Me pak fjalë, Lezha bënte pjesë në të ashtuquajturën “Epiqendra e ngjizjes së kombësisë shqiptare” së bashku me Durrësin, Krujën, Shkodrën, Vlorën dhe më pas Beratin [21].

Gjatë Mesjetës së Hershme Lezha ishte pjesë e Perandorisë Romake të Lindjes dhe qyteti funksiononte si një qendër rajonale, shumë e fortifikuar dhe e angazhuar në tregtinë dhe zejtarinë e rajonit. Vlen për t’u theksuar se është pikërisht periudha e shek. VIII-IX, që konsiderohet si faza më kulminante e rritjes së zhvillimit të qytetit, periudhë në të cilën popullsia vendase bëri përpjekjet e para për konsolidimin e vetëqeverisjes dhe të vetëmbrojtjes së qytetit [22]. Po ashtu, shek. IX shënon ringjalljen ekonomike dhe administrative, por sidomos kontrollin e kështjellës së Lezhës nga arbërit dhe rigjallërimin e kulturës arbërore në qytet, çka dëshmohet qartë edhe nga Nekropoli mesjetar [23]. Nga ana tjetër, pikërisht gjatë shek. IX, jo vetëm Lezha, por i gjithë rajoni ishte nën kërcënim të shpeshtë nga forcat e jashtme. Piratët myslimanë të njohur kryesisht si saraçenë (arabo-berberë), që vepronin nga bazat e tyre në Afrikën Veriore dhe më vonë nga bazat e tyre në Siçili, filluan të shënjestronin shumë shpesh territoret përgjatë Adriatikut [24]. Pasi pushtuan qytetin Taranto në vitin 839 dhe më pas Barin më 841, arabët e kërcënuan nga themelet pushtetin e Perandorisë Romake të Lindjes në detin Adriatik [25]. Pavarësisht se Lezha, në ndryshim nga Budva dhe Kotorri [26], nuk ishte një objektiv kryesor i tyre, këto bastisje periodike ndikuan ndjeshëm në sigurinë e qytetit dhe në tregtinë me zonat përreth. Kjo, sepse në shek. IX, në buzë të detit afër Shëngjinit besohet se ndodhej një kështjellë, që shërbente si bazë për piratët arabë, prej së cilës më vonë mori emrin fshati “Saraçinopoli [27].”

Në “Regjistrin e Kadastrës Veneciane dhe Koncesioneve për Rrethin e Shkodrës të viteve 1416-1417”, si kryetar i fshatit të sipërthënë “Saraçinopoli në Mede” përmendet Benko Saraçinopoli, i madhi, dhe si banor, Benko Saraçinopoli, i vogli [28]. Fjala “Saraçen” dhe mbrapashtesa e saj “polis (greqisht = qytet)”, lë për të kuptuar se në kulmin e zhvillimit të tij, Saraçinopoli ka qenë një vendbanim mjaft i populluar. Z.Shkodra e ka identifikuar fshatin Saraçinopoli me vendin e quajtur “Saraxhin”, rrënojat e të cilit sipas tij, duken akoma nën Fushën Dushkaj në breg të Kënetës së Kakarriqit (sot, Fusha e Torovicës, pjesa pranë Malecaj – P.Z.) dhe emri i këtij fshati i kujton fiset arabe saraçene, të cilët në shek. IX, pasi kaluan nga pjesa jugore e Italisë, zbarkuan në bregdetin tonë në dy pika: rrethet e lumit Bunë dhe në afërsi të Sarandës, ku qëndruan për një kohë të shkurtër [29]. Ndërsa, K.Luka e ka lokalizuar këtë vendbanim dhe pikën detare plaçkitëse të saraçenëve te “Kodra e Saraxhinit” ose “Kodra Saraxhin”, në Malin Kolaj, midis Shëngjinit dhe Velipojës [30]. Me siguri gjatë shek. IX, Lezha, e bashkë me të, Shkodra dhe Ulqini, do të kenë pësuar dëme të mëdha nga inkursionet plaçlitëse të piratëve saraçenë, që niseshin me anije nga baza e tyre detare.

Vetëm falë këmbënguljes së perandorit Bazili I, i cili angazhoi në Adriatik flotën e fuqishme të Perandorisë Romake të Lindjes, saraçenët u shpartalluan gjatë rrethimit që kishin ngritur në Raguzë (866-868) dhe pak më vonë, pasi Bazili I organizoi një mësymje të kombinuar me perandorin Ludvig II, saraçenët do të dëbohen nga brigjet e detit Adriatik [31]. Në shek. IX-X, qyteti i Lezhës fillon të përmendet në burimet historike me një emër të ri, Elis, dhe hyn në një etapë të re të zhvillimit të tij të pandërprerë historik [32]. Kjo është periudha e fuqizimit të tij ekonomiko-social dhe periudha kur marrëdhëniet feudale zgjerohen shkallë-shkallë si rrjedhojë e krijimit të shtresave feudale vendase [33]. Në këtë kohë qyteti zgjerohet dhe riforcohet me një sistem të fuqishëm muresh rrethimi, ndërsa sipër kodrës mbizotëruese te tij, mbi rrënojat e mureve të Akropolit antik u ngritën të larta dhe të pamposhtura muret e kështjellës arbërore te Lisit, që F.Prendi dhe K.Zheku e cilësojnë si bërthama më e fortë e qëndresës së tij gjatë shekujve të Mesjetës [34]. Me pak fjalë, që në shek. IX-X, Lisi merr pamjen e një qyteti tipik arbëror, me një sistem të dyfishtë fortifikues: “Qyteti-kështjellë [35]” dhe këtë sistem madhështor mbrojtës ai do ta ruajë dhe mirëmbajë, siç del nga burimet arkivore veneciane, deri në pushtimin osman [36]. Emri i Lezhës del i shënuar në një burim kishtar të fillim shek. X dhe bëhet fjalë për listën e peshkopatave të formuluar në kohën e perandorit Leoni VI (886-912) midis viteve 902 – 907 dhe prandaj nuk është një rastësi aspak e çuditshme që një monedhë e këtij perandori është gjetur gjatë punimeve restauruese në muret e Akropolit antik të qytetit [37].

Pikërisht në fillim të shek. X, ishte koha kur Perandoria Bullgare nën Car Simeonin I (893–927) përbënte një sfidë të rrezikshme për autoritetin bizantin në Ballkan [38]. Fushatat ushtarake të Simeonit, i cili vlerësohet si sundimtari më i lavdishëm i shtetit të parë bullgar [39], zgjeruan dhe forcuan ndikimin e tij në pjesë të ndryshme të Ballkanit të kontrolluar deri atëherë nga Perandoria Romake e Lindjes, duke vënë nën rrethim edhe vetë kryeqytetin e saj, Kostandinopojën [40]. Pavarësisht se Lezha nuk u pushtua drejtpërdrejt nga bullgarët, edhe ajo u ndikua nga kjo luftë rajonale për pushtet. Qyteti me rrethina vijuan të ishin nën autoritetin e Perandorisë Romake të Lindjes, pasi ajo kërkonte të stabilizonte dhe të mbronte territoret e saj perëndimore. Perandorët bizantinë e menaxhuan Lezhën dhe qytetet e tjera bregdetare nëpërmjet një rrjeti zyrtarësh ushtarakë dhe administrativë për të siguruar kontrollin e plotë mbi vendet strategjike përgjatë Adriatikut. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, Lezha ka të ngjarë të ketë përjetuar një ndikim të madh nga fiset dhe udhëheqësit vendas arbër, të cilët arritën të ruajnë një farë autonomie brenda Perandorisë Romake të Lindjes. Ndërkohë që administrata bizantine qeveriste zyrtarisht rajonin, udhëheqësit dhe familjet arbëre vendase kishin pushtet të konsiderueshëm në çështjet praktike, veçanërisht në zonat më malore dhe të largëta përreth Lezhës.

Në gjysmën e parë të shek. X, qyteti bashkë me kështjellën të emëruar “Elison”, përmenden nga vetë Kostandini VII Porfirogjeniti (905-959), perandor i Perandorisë Romake të Lindjes dhe shkrimtar [41]. Në fund të shek. X, pas një periudhe relativisht të qetë, autoriteti bizantin në Lezhë kërcënohet sërish nga rreziku bullgar. Në vitin 998, cari i Perandorisë së Parë Bullgare, Samueli, udhëhoqi personalisht një fushatë të madhe ushtarake kundër Dioklesë (Duklja) dhe Kroacisë, me qëllim për të parandaluar një aleancë midis tyre dhe Perandorisë Romake të Lindjes [42]. Në përpjekjet e tij për të zgjeruar dhe konsoliduar pushtetin e tij, Samueli mori nën kontroll territore të ndryshme, që ishin nën ndikimin ose kontrollin bizantin, dhe Lezha ishte një prej tyre. Pushtimi i tij i qytetit në vitin 998 ishte pjesë e një fushate më të madhe ushtarake, që nuk synonte vetëm dobësimin e sundimit bizantin në rajon, por edhe vendosjen e një pranie të fortë bullgare. Asokohe, Perandoria e Parë Bullgare, e cila kishte pushtuar pjesën më të madhe të Europës Juglindore, shtrihej nga Deti i Zi në lindje dhe deri në detin Adriatik në perëndim, nga lumi Danub në veri dhe deri në Detin Egje në jug [43]. Sidoqoftë, Perandoria Romake e Lindjes nuk hoqi dorë nga Lezha dhe as nga rajonet e tjera të pushtuara nga car Samueli.

Në fillim të shek. XI është vetë perandori Bazili II, i cili vjen në Lezhë [44]. Ky i fundit, ishte armiku më i tmerrshëm i car Samuelit dhe si pasojë e akteve barbare që kreu në luftën e tij kundër bullgarëve, ai u bë i njohur me apelativin “Βουλγαροκτόνος (Vrasësi i Bullgarëve).” Në konfliktin e përgjakshëm midis dy perandorëve të fuqishëm, Samuelit të Bullgarisë dhe Bazilit II të Bizantit, burimet historike nuk ofrojnë të dhëna të qarta mbi qëndrimin e popullsisë së Lezhës. Kjo mungesë njoftimesh lidhet me faktin se Samueli, në fushatat e tij, nuk ndërhyri drejtpërdrejt në strukturat e brendshme të administrimit të qytetit, duke respektuar në thelb format bizantine të qeverisjes. Në këtë kontekst, për banorët e Lezhës dhe rrethinave të saj, të dy perandorët mund të jenë perceptuar si pushtues të huaj. Për aq kohë sa nuk cenohej autonomia lokale dhe ruhej njëfarë vetëqeverisjeje, rëndësia e përkatësisë ndaj një kurore perandorake apo tjetrës ishte, ndoshta, më shumë çështje formale sesa reale. Thelbësore për ta ishte ruajtja e rendit të brendshëm dhe vazhdimësia e jetës së përditshme…

BIBLIOGRAFIA:

1- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 9.

2- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 78-79.

3- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 203-204.

4- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 53.

5- A.Meksi, Të dhëna për historinë e hershme mesjetare të Shqipërisë (fundi i shek. VI — fillimi i shek. XI), në: Iliria, Nr. 19-1, Tiranë: 1989, f. 114; S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 31-33; M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 56.

6- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 64; E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për Mesjetën, f. 189.

7- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 120.

8- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 8.

9- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 120.

10- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 11.

11- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 204.

12- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 67.

13- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 9-12.

14- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.

15- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

16- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 97.

17- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, f. 124.

18- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 12.

19- F.Prendi, Një varrezë e kulturës arbërore në Lezhë / Une nécropole Haute-Médiévale albanaise à Lezha, në: Iliria, vol. 9-10, 1979, f. 123-170.

20- E.Nallbani & L.Buchet, Lezha (Lissus), de l’Antiquité tardive au haut Moyen Âge : topographie du site et espace des morts, në: Mélanges de l’École française de Rome. Moyen-Age, Tome 120, n°2. 2008. Les destinées de l’Illyricum méridional pendant le haut Moyen Âge, f. 239-261; G.Hoxha, Lissus dans la basse Antiquité, në: Épire Illyrie, Macédonie…, f. 86-87.

21- N.Ceka, Ilirët: deri te shqiptarët, f. 467.

22- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 95.

23- N.Ceka, Koha dhe vendi i formimit të arbërve në Mesjetë, në: Iliria, Vol. 37, 2013, f. 131.

24- P.Cabanes, O.Chaline, B.Doumerc, A.Ducellier & M.Sivignon, Historia e Adriatikut, f. 142-143.

25- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 45.

26- P.Cabanes, O.Chaline, B.Doumerc, A.Ducellier & M.Sivignon, Historia e Adriatikut, f. 143.

27- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 48.

28- Regjistri i Kadastrës dhe i Koncesioneve për Rrethin e Shkodrës 1416-1417, Përgatitur për botim nga Injac Zamputi, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH (Instituti i Historisë), Tiranë, 1977, f. 102, fl. 94/a.

29- Z.Shkodra, Mbi emrin e Shëngjinit në kohën e vjetër e të mesme, në: Lissus, 2, Tiranë: “8 Nëntori”, 1969, f. 108, Shënimi nr. 2.

30- K.Luka, Gjeografia toponomastike në dy Kadastrat e Shkodrës në shek XV, në: Studime filologjike, Tiranë: 1976, nr. 1, f. 137-188; nr. 2. f. 129-178.

31- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 165.

32- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kukturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f.12.

33- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

34- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 207.

35- F.Prendi, Vazhdimësia etno-kulturore e Lisit deri në Mesjetë, në: Lis, Nr. 6, (Përgatitur nga Muzeu Historik i Lezhës), Lezhë: Lisitan, 1993, f. 13.

36- F.Prendi & K.Zheku, Vazhdimësia etno-kulturore iliro-arbërore në qytetin e Lisit / Continuité ethnoculturelle illyro-albanaise dans la ville de Lissus, në: Iliria, vol. 13, n°1, 1983, f. 207.

37- G.Hoxha, Sguardo storico sulla diffusione del cristianesimo e sulla situazione ecclesiastica della diocesi di Lezha lungo i secoli, në: Studia Albanica, XXXIX, Tirana: 2006, f. 67.

38- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 175-181.

39- F.Schevill, Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, f. 95.

40- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 151-164.

41- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 96.

42- I.Ivanov, Tsar Samuel Against Emperor Basil II: Why Did Bulgaria Loose the Battle With the Byzantine Empire at the Beginning of the 11th century, në: Studia Ceranea, Vol. 1, 2011, f. 205-212.

43- J.V.A.Fine, The Early Medieval Balkans: A Critical Survey from the Sixth to the Late Twelfth Century, f. 195.

44- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, f. 124.

Filed Under: Emigracion

Roza Eshkenazi, mbretëresha e “rebetikos” dhe lidhja e saj me shqiptarët

July 26, 2025 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

“Këngët çame” (tsamiko), të kënduara nga Roza Eshkenazi dhe disqet e saj të publikuara nga BALKAN PHONOGRAPH RECORD-USA të drejtuara nga Ajdin Leskoviku, janë dokumente unike të historisë sonë muzikore

I. Këngëtarja greke me origjinë hebreje Roza Eshkenazi (1895-1980) është tashmë një fenomen muzikor botërisht i njohur, emri i së cilës lidhet me interpretimin e muzikës urbane të qyteteve greke e turke, që kulmon me stilin muzikor të quajtur “rebetiko”, i cili prej vitit 2017 është edhe pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s.

Shih https://ich.unesco.org/en/RL/rebetiko-01291

Rebetikoja është një dukuri muzikore dhe kulturore e lidhur drejtpërdrejt me këngën dhe vallen e përhapur fillimisht ndër shtresat urbane të qyteteve. Këngët rebetiko sot përbëjnë referenca të paçmueshme për zakonet dhe traditat e një mënyre të caktuar jetese.

Roza ka interpretuar rreth 350 këngë, (ndër to 300 këngë në disqe për COLUMBIA dhe HMV), disa thonë më shumë, e disa më pak, por ajo që është e rëndësishme është fakti që ajo i ka vënë vulën stilit “rebetiko”, ashtu si e madhja Ella Fitzgerald stilit Jazz në muzikë. Sipas Charles King, këngët e Rozës ishin kolona zanore e një bote në të cilën njerëzit kishin lindur e jetuar në mjerim, ishte një version egjenian i bluzit, i kënduar në greqisht dhe turqisht.

Repertori i saj përfshinte këngë popullore, sidomos nga Greqia, Smirna (Izmir), Armenia, Izraeli, dhe të traditës sefardike në Spanjë etj. Në repertorin e saj janë edhe disa këngë të trashëgimisë muzikore epirote dhe çame. Biles një ndër dy këngët e para që ka regjistruar në disk, njera ishte kalamatiano dhe tjetra tsamiko. Në autobiografinë e saj, ajo kujton kohën kur ka regjistruar dy këngët e para në disk: … sapo e dëgjova këtë, më mori malli… po hidhja valle nga gëzimi… do të bëja një disk! Ia tregova menjëherë ku banoja. Të nesërmen erdhi bashkë me Salonikiós-in, sepse atëherë punonin bashkë, dhe sollën një mandolinë të vogël, sepse Toúntas luante në mandolinë, për një provë. Të thoshin: “Do të këndosh një këngë kalamatiano.” “Çfarë është kalamatiano?” pyeta. Nuk dija fare çfarë ishte, ishte hera e parë që e dëgjoja. Salonikiós më tha: “S’ka rëndësi nëse nuk e di çfarë është… do ta mësosh, dhe do ta këndosh bashkë me një tsamiko.” “Tsamiko…?” thashë, “as atë nuk e di çfarë është. Për Zotin, nuk e di çfarë është një tsamiko…” Dhe fillova të qaj! “Do ta mësosh,” më thanë, “do ta mësosh, dhe do t’i këndosh shumë bukur, sepse ke një zë të mrekullueshëm.” Dhe në fakt e mësova, shumë shpejt, dhe pas pak kohe, në kompani, në Columbia, në fabrikë, këndova “Mantili kalamatiano” dhe “Koftin Eleni tin elia” – zoti Toumbakáris e mban mend mirë, ishte aty në atë kohë. Ajo ishte disku im i parë, me një këngë në një anë dhe tjetrën në anën tjetër.

Një tjetër këngë çame është “U mbush Parnasi plot me re”, siç shkruhet në kopertinën e diskut. Edhe pse kënga nuk është kënduar në shqip, promovimi prej Roza Eshkenazit i traditës çame është jo vetëm një shkollë interpretimi e kësaj muzike, por dhe një nderim që i bëhet kësas trashëgimie brenda korpusit të këngëve që ajo ka kënduar. Në këtë mënyrë, kontributi i saj i bashkohet atij të kompozitorit Nikos Skalkotas (1904- 1948), që ka shkruar vallen “Tsamiko”, nr. 21 nga vepra “36 valle greke” për orkestër, apo “Tsamiko” të Christos Leontis (1940-2023) etj.

Teksti më poshtë:

U mbush Parnasi plot me re

Në fshatra bën shtrëngatë.

Ti, moj Dhjamandë, ku po shkon

vetëm në këtë natë?

Po shkoj të gjej ujët që s’vdes

ilaç pavdekësi

T’ia jap atij që kam sevda,

që vdekja mos t’i vijë

Συννέφιασε ο Παρνασσός

Βρέχει στα καμποχώρια

Και σύ Διαμάντω νύχτωσες

Που πάς αυτή την ώρα

Πάω γι’ αθάνατο νερό

Γι’ αθάνατο βοτάνι

Να δώσω της αγάπης μου

Ποτέ να μην πεθάνει

Tipike për melodinë e kësaj kënge që vjen nga tradita çame në muzikë është thjeshtësia melodike modale e ndërtuar mbi 5-6 nota, me një tingull nëntonik, marrëdhënia mes solistes dhe korrit, kjo një formë antifonike arkaike, e ngjashme me vallet shkodrane të shtregullave etj.

•Këngën e dëgjoni falë koleksionistit Ilia Piperi, falenderoj për përkthimin prof. Aristotel Spiro.

II. Referuar biografisë zyrtare të Roza Eshkenazit, në vitin 1955 regjistroi rreth 40 këngë në Stamboll me shqiptarin Ayden (Ajdin) Leskovikun.

Shih: https://www.gazeteduvar.com.tr/…/bir-istanbul…

Asllani, vëllai i Selim Leskovikut, klarinetistit të shquar të sazeve të Shqipërisë së Jugut, në USA, përgjatë viteve 1940-1950 me shtëpitë e tij diakografike MI RE RECORD dhe BALKAN PHONOGRAPH RECORDS punoi me një rrjet të gjerë muziktarësh shqiptarë, greke, armenë, bullgarë e turqishtfolës në Nju Jork dhe promovoi regjistrime të bëra si në vend dhe jashtë, veçanërisht në Stamboll, duke përfshirë këtu një shfaqje të shkëlqyer të Rosa Eskenazi dhe Udi Hrant. Edhe pse tregu i muzikës shqiptare ishte një treg i vogël, Ajdini promovoi disqe me muzikë popullore të regjistruara në Nju Jork dhe Tiranë, për bashkatdhetarët e tij.

Shih https://www.discogs.com/label/239867-Balkan…

Siç shohim në foton e diskut me titull “Këngë dhe valle greke” të interpretuara nga Roza Eskenazi, ajo qendron në qendër të orkestrës. Në të majtë të fotos, më këmbë është Ajdin Leskoviku dhe personi me violinë është Sabri Fehimi, vëllai i kryekëngëtares Hafize Leskoviku. Është një foto historike me plot kuptimin e fjalës, ku gjenden së bashku mjeshtrat e muzikës ballkanike ng Shqipëria, Greqia, Turqia, Armenia etje. Ky disk i financuar dhe promovuar nga Ajdin Leskoviku përmban këto këngë e valle:

Krahu A

1. EJA QË TË RRIMË BASHKË – çifteteli

2. AMANE ÇIFTETELI ALLA / STIL STAMBOLLI

3. KALOI MESI I NATËS – Kalamatiano

4. SA HERË MË KE GËNJYER – Kalamatiano

5. BAM BUM MITRUA – Kalamatiano

6. MINORE IZMIRI

Krahu B

1. THUAJA S’KE Ç’HUMBET – Çifteteli e shtruar

2. ATHINUSHE – E shtruar

3. HANËMKAT E BUKURA – Çifteteli

4. MARIKA NË ATHINË – Karsilama

5. S’DUA TË MË MARRËSH NUSE – LËRMË – Zejbeke

6. SADO TË RËNDA QOFSHIN PRANGAT – Zejbeke

Këto sa shkruam, janë vetëm një hyrje e thjeshtë në kuptimin e larmisë kulturore të muzikës ballkanike pas hyrjes së veglave të temperuara evropiane në muzikën popullore të vendeve të caktuara. Mbetet akoma shumë për të hulumtuar në repertorin e gjerë të Roza Eshkenazit për të parë të tjera përkitje mes kulturave tona.

E them këtë pasi flitet se Roza ka bërë turne koncertesh edhe në Shqipëri në vitet 1930,, gjë që mbetet për tu parë më tej. Shih https://www.thenationalherald.com/born-to-sing-the…/

Akoma më tepër hulumtime kërkon veprimtaria unike e Ajdin Asllan Leskovikut dhe e kompanisë së tij Balkan Phonograph Records.

Veprimtaria e Roza Eshkenazit vijon të ngjall kureshtje në çdo kohë. Në vitin 2008, regjisori Roy Sher realizoi dokumentarin My Sweet Canary, një bashkëprodhim ndërkombëtar që ndjek tre muzikantë nga Greqia, Turqia dhe Izraeli në kërkim të historisë së Rozës. Filmi doli në pranverën e vitit 2011.

Historia shqiptare e Rozës është më e reja syresh!

Filed Under: Sofra Poetike

Në përvjetorin e shtatë të ndarjes nga jeta, sot në mëngjes vendosëm lule të freskëta te varri i Adem Demaçit, Bacës Adem, në Prishtinë

July 26, 2025 by s p

Albin Kurti/

Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. 28 vjet në burg – i pathyeshëm, i palodhshëm, i pandalshëm. Pas secilës burgosje e dënonin më shumë, e mbanin më gjatë: fillimisht 3 vjet, pastaj 10 vjet, mandej 15 vjet!

Adem Demaçi ishte mendja e fuqishme dhe zëri i guximshëm i cili si askush tjetër i artikuloi interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësuesi, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri ai ishte luftëtari.

Si luftëtar i mendimit dhe i fjalës së lirë dhe si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut, më 4 dhjetor 1991, me nismën e deputetes Doris Pack, Parlamenti Evropian ia dha Adem Demaçit, Çmimin “Sakharov”. Ai i kishte kaluar plot 28 vite në burg, krahasueshëm me fituesin e parë të Çmimit “Sakharov”, Nelson Mandelan, aktivistin jugafrikan që kishte qenë 27 vite i burgosur. Njësoj sikur Mandela në Afrikën e Jugut, Adem Demaçi do të kundërshtonte apartheidin dhe segregacionin e Serbisë në Kosovë, edhe si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në vitet 1991 – 1995. Në fjalimin e tij kur e mori çmimin Sakharov Adem Demaçi tha ‘’logjika e blloqeve e bllokon logjikën’’ ai angazhohej për bashkëpunim dhe paqe, Adem Demaçi ishte kështjella që e donte urën dhe luftëtari që e donte paqen.

Përveç kontributit të pamatshëm për çështjen kombëtare, nga ditët studentore në vitet e ‘50-ta e deri te përfaqësimi politik i UÇK-së në vitet e ‘90-ta, Adem Demaçi la edhe shumë vepra të shkruara. Gjeneratave të reja iu sugjeroj që leximin ta fillojnë me librin “Dashuria kuantike e Filanit” pastaj me “Libër për Vetëmohimin” dhe sigurisht me “Gjarpërinjtë e Gjakut”.

Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim. Ai e dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Ai është veprimtari më unik që kemi pasur sepse është veprimtari më autentik që mund ta imagjinosh. Prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend.

Filed Under: Politike

Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë

July 26, 2025 by s p

Alket Veliu/

Ka të vërteta që janë fshehur jo me heshtje, por me fjalë. Për dekada me radhë, çështja çame nuk është heshtur thjesht ajo është deformuar. Në emër të stabilitetit, diplomacisë apo integrimit, janë ngritur teza të rreme që kanë shërbyer për të justifikuar një nga padrejtësitë më të mëdha të shekullit XX në Ballkan: spastrimin etnik të shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1944–45.

Në këtë cikël, rrëzojmë një e nga një tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë. Sepse drejtësia kërkon kujtesë, dhe kujtesa kërkon të vërtetën.

Teza # 1

“Çamëria nuk ekziston. Është një term i shpikur.”

Kjo është një nga format më të rafinuara të mohimit. Nuk sulmon drejtpërdrejt popullsinë çame apo kërkesat për drejtësi, por mohon vetë ekzistencën e Çamërisë si realitet historik, gjeografik dhe kulturor, duke pretenduar se është një “konstrukt modern shqiptar”, ose “një shpikje nacionaliste”.

Faktet historike dhe burimet zyrtare e rrëzojnë këtë tezë në mënyrë të pakundërshtueshme.

1. Emri “Çamëri” është i lashtë, jo i shpikur

– Rrjedh nga lumi Thyamis (sot Kalamas), emërtim që në gojën e banorëve shqiptarë është shqipëruar natyrshëm në “Çam”.

– Shtesa “-ëri” është prapashtesë tipike e gjuhës shqipe për emër krahinor (si Shqipëri, Labëri, Toskëri etj).

– Emri “Çamëri” është përdorur gjerësisht nga vetë osmanët, nga udhëtarë europianë dhe nga vetë çamët në dokumentet e shekujve XVIII-XIX.

– Vetë grekët e përdornin në dokumente si Tsamouria për të përshkruar Thesprotinë.

– Në dokumentet europiane: “Tsamouria”, “Chameria”, “Chamland”

2. Përdorimi në burime osmane dhe dokumente shtetërore

– Regjistrimet osmane të shekujve XVII–XIX për Vilajetin e Janinës, Sanxhakun e Margëlliçit dhe të Paramithisë, përdorin emrin “Çamëri” për të përshkruar këtë krahinë të banuar nga shqiptarët myslimanë dhe të krishterë.

– Në fermanët dhe defterët osmanë, emri Çamëri identifikon një krahinë me karakter të veçantë etnik dhe administrativ.

3. Burime europiane që përmendin Çamërinë

Janë të shumta burimet europiane dhe greke që përmendin Çamërinë. Po paraqesim disa prej tyre:

– Johann Georg von Hahn (1854) – “Albanesische Studien” – përdor emrin “Tsamouria” si zonë shqiptare në Epirin e Poshtëm.

– William Martin Leake (1835) – “Travels in Northern Greece” – përshkruan Çamërinë si një krahinë shqiptare me dallime etnike dhe gjuhësore nga grekët.

– Edward Lear – Journals of a Landscape Painter in Albania (1851) “Beyond Paramythia lies Chameria, the region of the Muslim Albanians.” (përshkrim gjatë udhëtimit të tij në vitin 1848)

– Henry Fanshawe Tozer – Researches in the Highlands of Turkey (1869): “The Chams, a division of the Albanian race, inhabit the region known as Chameria, south of Janina.”

– Edith Durham – The Burden of the Balkans (1905). Durham përmend çamët dhe Çamërinë si pjesë e shtresës së pasur etnografike shqiptare në Epir.

– Leon Rey (arkeolog francez) – Rapports archéologiques sur l’Épire (1924): “La région de la Chamerie est habitée par des Albanais musulmans…”(Çamëria është e banuar nga shqiptarë myslimanë…)

– George Finlay – History of the Greek Revolution (1861): “The Cham Albanians of Epirus resisted the revolutionary movement of the Souliotes…” Finlay përmend “Cham Albanians” dhe Chameria në kontekstin e luftërave të shekullit XIX.

– Aravantinos, Panagiotis (grek) – Χρονογραφία της Ηπείρου (Kronografia e Epirit) (1856) – Edhe pse është historian grek, përdor shpesh emrin Tsamouria (Τσαμουριά) për të përkufizuar zonat përreth Filatit dhe Paramithisë si një njësi gjeografike dhe etnike më vete. Ky është një fakt shumë domethënës, sepse tregon se edhe burime greke para 1945 e njohin dhe përdorin këtë emër në mënyrë të zakonshme.

– Hartat austro-hungareze, osmane, gjermane dhe franceze të shek. XIX identifikojnë Çamërinë si zonë e veçantë etnografike me shumicë shqiptare.

– Reportet e Konsullatës Austro-Hungareze në Janinë (vitet 1890–1912). Raportet flasin qartë për Çamërinë (Chamerien) si krahinë ku flitet shqip dhe ku shumica e popullsisë është myslimane shqiptare. Këto raporte ruhen në Arkivin e Vjenës (Haus-, Hof- und Staatsarchiv).

– Publikime britanike dhe amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Oficerët britanikë të SOE dhe diplomatët raportojnë për: “The Cham issue in Thesprotia… The Chameria region remains volatile due to ethnic cleansing carried out by EDES forces.” (Rajoni i Çamërisë mbetet i paqëndrueshëm për shkak të spastrimit etnik të kryer nga forcat e EDES-it.)

– Vijmë në vitet ‘91-‘92, gjatë vizitave të ish-kryeministrit grek Konstantinos Micotaqis, pranon të diskutojë për pronat e çamëve, pra ai e pranon ekzistencën e çamëve dhe pronave të tyre në Çamëri.

4. Emri “Çamëri” përmendet edhe në dokumentet shqiptare zyrtare para vitit 1944

– Në Kongresin e Lushnjës (1920) dhe në memorandumet e shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, përmendet qartë “Çamëria” si një krahinë shqiptare nën pushtim grek.

– Në tekste shkollore, letra diplomatike, e deri në traktate ndërkombëtare, termi “Çamëri” ka qenë pjesë e diskursit zyrtar.

5. Nëse Çamëria nuk ekziston — si ka mbijetuar vallja çame?

– Vallja “Çamiko”, e njohur në rrethinat e Janinës, Filatit, Paramithisë, Pargës e më gjerë, është një vallë tradicionale shqiptare e Çamërisë, e trashëguar brez pas brezi. Ajo ka ritmin, lëvizjen dhe motivin e një populli të lidhur me tokën dhe dinjitetin. Vetë emri i saj – Çamiko – është dëshmi gjuhësore dhe etnografike që emri Çamëri ka ekzistuar, ka jetuar, dhe është kënduar. Përpjekja për ta paraqitur si vallë “greke” është pjesë e të njëjtit proces të përvetësimit dhe mohimit të kulturës shqiptare në Epir.

Pas vitit 1945, Greqia filloi një proces shtetëror të zhdukjes së identitetit çam:

– U ndërruan emrat e fshatrave dhe qyteteve me emra grekë.

– U ndalua përdorimi i termit Çamëri në tekstet zyrtare dhe mediat greke.

– U ndalua me ligj të flitet shqip në Çamëri.

– U ndërtua një narrativë që pretendon se termi është “shpikje shqiptare”.

Çamëria ka ekzistuar si krahinë historike, gjeografike dhe etnokulturore për shekuj me radhë. Emri i saj është dokumentuar në dhjetëra burime osmane, europiane dhe greke. Mohimi i këtij emri është një akt politik, që synon fshirjen e kujtesës historike të një populli autokton shqiptar, dhe përbën pjesë të projektit më të gjerë të harresës dhe asimilimit.

Filed Under: Histori

Lëreni të qetë gjuhën shqipe…

July 26, 2025 by s p

Virgjil Kule/

Lëreni të qetë në punët e veta shekullore gjuhën shqipe. Ajo nuk ka nevojë për gjimnastika fonetike që rreken të vërtetojnë gjëra që nuk janë të nevojshme të vërtetohen. Ashtu e kemi gjetur, vibrante. Nuk e kemi shpikur ne. E kemi në përdorim, jo në pronësi personale. Lum ai që di ta përdorë saktë në komunikim me bashkëkohësit. Gjuha shqipe qëndron në majën e Olimpit dhe që atje ka mposhtur çdo rrebesh frenues dhe ka pështytur pa zhurmë çdo barbarizëm që i ka rrezikuar strukturën. Është vetëlëvruar me dhe pa alfabet, ka fuqi përthithese të njëjtë me fuqinë përjashtuese. Nuk pretendon të jetë mbi gjuhët e tjera të vjetra dhe as nuk i mohon ato. Është mbretëreshë absolute në territoret ku flitet. Ka potenciale të pashfrytëzuara përtej njohurive të sotme të shqipfolësve me kulturë mesatare.

Nëpërmjet saj mund të shprehësh çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo koncept. Me dy dialektet e saj kryesore, ashtu si shqiponja me dy krerë, ajo kontrollon çdo shkelje territori si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Çka i vyen e mban, kurse çka nuk i duhet ose ia rrezikon strukturën, e flak tutje. Magjia e saj qëndron pikërisht te mekanizmi i saj i brendshëm përthithës dhe përjashtues. Ky mekanizëm është vetëpërsosur në shekuj. Si funksionon ai? Si ka mundur që në sajë të këtij mekanizmi dhe pa asnjë përkrahje të mbijetojë në shekuj gjuha shqipe? Ja, kjo është enigma e vërtetë e gjuhës sonë të bukur. Lum kush e zbulon. Do t’ia dimë shumë për nder sepse në rrethanat e presioneve të sotme, do të na mësojë si ta ndihmojmë ecurinë e mëtejshme të gjuhës shqipe.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT