• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bajo Topulli (1873-1930) në 95 vjetorin e ndarjes nga jeta

July 24, 2025 by s p

95 vjet nga ndarja nga jeta e heroit Bajo Topulli. Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, organizator e drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908, Hero i Popullit.Bajram Topulli i njohur si Bajo Topulli lindi në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, kurse shkollën e mesme dhe Normalen e Lartë në Stamboll në vitin 1895. Ne të njëjtin vit u emërua mësues gjimnazi në Trapezunt dhe pas një viti në Erzerum. Të njëjtën detyrë ushtroi edhe në qytetin e Selanikut.Në vitin 1904 u emërua nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit.

Në vitin 1906, ai themeloi çetën e parë që veproi në rrethin e Korçës, duke organizuar aksione kundër pushtuesve osmanë dhe bandave greke. Aksioni më i njohur ishte ai i Gurit të Çapit, ku u vra peshkopi Foti, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristo Negovanit.

Për shkak të ndjekjeve osmane, në vitin 1906 Bajo Topulli dhe i vëllai Çerçiz Topulli shkuan në Sofje e Bukuresht, ku morën mbështetje financiare nga kolonitë shqiptare për luftën e armatosur te çetave. Në vitin 1907 udhëtoi në SHBA, ku u ndihmua po ashtu nga diaspora shqiptare.

Si delegat në Kongresin e Manastirit, kontribuoi në vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë viteve 1908–1910, u angazhua në hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe në Gjirokastër, Janinë, Korçë dhe qendra të tjera të vilajeteve shqiptare. Në vitin 1910, u emërua inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe më pas prefekt në qytetet Izmir, Bursa e të tjera.

Pas kthimit në atdhe në qershor 1925, u emërua kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës,të cilën e drejtoi për tre vjet.Gjatë mandatit të tij, ai ndërmorri një varg reformash të rëndësishme që kontribuan në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe funksionimin e institucioneve. Gjithashtu ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionere tregtare në Shqipëri, e cila u quajt“Dele”. I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër në nderim te figures së tij.

Burimi nga: Lefter Dilo, Myslim Islami, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 2729-2730.

Foto: wikipedia.org

Marrë nga: Muzeu Kombëtar

Filed Under: Kronike

Absurdi në romanet e Ylljet Aliçkës

July 24, 2025 by s p

Arben Iliazi/


Epokat më produktive nga ana intelektuale e kreative kanë qenë epokat e çlirimit të gjithmbarshëm të individëve nga ato fije që i lidhin me vlerat dhe marrëdhëniet tradicionale. Vlerat letrare afirmohen vetëm duke i parë si shkatërruese të disa skemave, në të cilat kalonte (detyrimisht) edhe arti shqiptar i kohës deri para viteve ‘90. Si talent që spikati menjëherë, Ylljet Aliçka e kuptoi qysh në fillimet e para se atij i binte barra të bënte veprën e vet pasqyrë të jetës shoqërore e individuale të bashkëkohësve të tij.

Librat e tij ishin një sfidë e hapur ndaj botimeve molisëse që propogandoheshin me të madhe. Krijimet e tij shkuan te lexuesi si një dëshmi artistike e problemeve të mëdha shoqërore që brenin Shqipërinë në tërësi, ndaj edhe patën një sukses që rrallë ishte parë . Shkrimtari Ylljet Aliçka ka shkruar për kohën të cilën e ka jetuar, duke ndërtuar artistikisht një realitet tjetër, ku ngjyrat janë nuanca të ftohta, kryesisht të gjitha nuancat e grisë, ndonjëherë ngjyrë me pak shpresë.

Është një prozë e zbulimit së brendshmi të realitetit, të shoqërisë, botës, mentalitetit, shpirtit të individit shqiptar.

Proza e tij shënon, në letrat shqipe, një veçanti të padiskutueshme në sendërtimin e një realiteti artistik të përveçëm, me vlera të modernitetit, me rrëfime që i referohen një sistemi unik njësish dhe rregullash.

Në krijimtarinë e tij ka një grishje të përlotur për mirëkuptim universal.

Ylljet Aliçka ka nisur të botojë letërsi në vitin 1996. Libri i tij i parë është një përmbledhje me tregime. Në vitin 2000, ai botoi romanin “Kompromisi”, i cili do ta rendiste ndër autorët interesantë në letrat shqipe pas viteve ’90. Në vitin 2003 botoi përmbledhjen me tregime “Parrullat me gurë”, i cili do të ekranizohej më pas nga regjisori Gjergj Xhuvani. “Parrullat me gurë” është një ligjërim letrar shumëkuptimësh metaforik, që përcjell të gjallë forcën shkatërruese e thërmuese të sistemit totalitar mbi personalitetin njerëzor. Kjo vepër është pasqyrë e një realiteti absurd, ku personazhet ndihen si të mbyllur në çark. Rrëfimi vjen në një ndërthurje organike të natyrshme, i pasur me aluzione e metafora, e herë i përshtatur në tekste, që ngacmojnë emocionalitetin e lexuesit. Situatat absurde krijohen në një realitet absurd.

Aliçka goditi në shënjestrën që të tjerët nuk mund ta arrinin ose, më saktë , nuk e shihnin dot. Në këtë libër shpaloset spektakli masiv i komunizmit, qëllimi i të cilit ishte poshtërimi i personalitetit njerëzor, në një formë të atillë që nuk është parë në historinë e Evropës.

Ngjarjet zhvillohen në një shkollë fshati. Të gjithë ishin të detyruar t’u bindeshin urdhrave që vinin nga lart. Në qendër të tregimit është historia e një mësuesi të ri që përballet me absurditetin e propagandës.

Mësues Andrea ka një lidhje dashurore me mësuese Dianën. Nxënësit dhe mësuesit ishin të detyruar të shkruanin me gurë parulla nëpër kodra, duke i thurur lavde regjimit në fuqi. Andrean, që kundërshton urdhrat, e transferojnë dhe më pas e arrestojnë.

“Tregim ku kupton se ideologjia s’është veçse një guaskë boshe”, shkroi asokohe Pierre Hazan në “Le Temps”.

“Parrullat me gurë” të Aliçkës kanë një frymë oruelliane. Është një kujtesë nga e kaluara dhe një paralajmërim për ato shoqëri ku rritet kontrolli i qeverisë ndaj gjuhës. Mesazhi i Aliçkës na kujton se, nëse do të ngërthehemi nga propaganda, kemi humbur veten tonë.”, shkruante shkrimtarja amerikane Heather Walsh, në “Fringe”.

Në qoftë se despotizmi komunist nuk do të mbështetej në parrulla, që e ndihmuan aq shumë për t’i shtuar forcën tërheqëse, athere ndjesia ndaj tij do të ishte më pak e mprehtë. Nuk është për t’u habitur që spektakli i totalitarizmit, sidomos ai i formës komuniste, ka bërë aq shumë për të mbjellë dyshime në mendjen e njerëzve, ndaj atyre vlerave e simboleve mbi të cilat mbështetej humanizmi liberal perëndimor për një kohë të gjatë . Libri u botua dhe ribotua në shumë vende të botës.

Shkrimtar me një akumulim të gjithanshëm jetësor, ideor e professional, Ylljet Aliçka trajtoi në librat që pasuan më pas, si: “Rrëfenjë me ndërkombë tarë ” (2006), “Koha e puthjeve” (2009), “Valsi i lumturisë ” (2012), “Metamorfoza e një kryqyteti”,(2019) etj. Çdo marrëzi të absurdit shqiptar, çdo dëmtim dhe ves, duke kujtuar që ato që ne kemi para nesh, janë thjesht dështimet, marrëzitë dhe veset tona. Ngjarjet që përshkruhen në këto vepra i ngjajnë imazheve të kaleidoskopit, të cilat duken gjithnjë të ndryshme në çdo rrotullim, megjithëse kemi përpara ngaherë të njëjtën gjë. Rastësitë, peripecitë, fati ose fatkeqësitë, mund të jenë të shumta, megjithatë ndodh si me cipat e sheqerit: duken si një pafundësi figurash të çuditshme, të ngjyrosura ndryshe, por në fakt janë të brujtura të gjitha nga i njëjti brumë.

***

Shkrimtarët, në tërësinë e tyre, ndikojnë shpesh në sjelljen e publikut. Sepse ne jetojmë në epokën e një profanizmi kulturor. Janë po ato rryma ndjenjash dhe mendimesh që kanë përfshirë intelektualët të cilët, në mënyra dhe nivele të ndryshme, kanë përfshirë edhe një numër të madh personash, të cilët nuk pretendojnë të jenë intelektualë por, megjithatë, reagojnë ndaj urgjencave të kohës. 

Libri “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, kur u botua në vitin 2006, pati një impakt të fortë në opinionin publik. Autori u përpoq të demitizojë rëndësinë e ndërkombëtarëve ndaj vendit tonë, nënshtrimin dhe që shoqërohej me një lloj kompleksi inferioriteti butaforik.

Autori apelon që ne të kulturohemi dhe të dalim nga bota jonë e vogël, të rigjejmë kulturën tonë. Vepra synon të lidhë sa më shumë shqiptarët me vendin e tyre, në sajë të vjegave të kujtesës afektive. Kredo të tilla nuk janë abstarksione luksoze. 

Aliçka e ka vënë gjithë talentin e tij në shërbim të frymës morale të shoqërisë shqiptare, duke nxitur kombin të përqafojë e të dhurojë vetveten dhe për t’iu kundërvënë të tjerëve me gjuhën, artin, me filozofinë dhe kulturën e tij. 

Në kaosin e lirisë, nga krenia fatale rrjedh pashmangshëm shpërbërja e tërësisë shoqërore. Shkrimtari Aliçka u kujtoi solemnisht shqiptarëve vlerat universale, duke luajtur një rol me peshë në historinë tonë shpirtërore. Duke e lidhur progresin moral të shqiptarëve me progresin e tij intelektual e krijues, duke u vendosur në truallin e mbrojtjes së lirive dhe në atë kulturor të formimit të individëve. Është tundimi për të vendosur shqiptarët në një shkallë vlerash, ku të mos e ndiejnë veten inferiorë përballë perëndimit.

“Metamorfoza e një kryeqyteti” ka për objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet 70 deri më sot. Mbrapa personazheve janë njerëz realë, të cilët për imagjinatën e lexuesve që kanë jetuar vitet e diktaturës janë gati-gati të prekshëm si njerëz realë, i urrejnë, i përçmojnë apo i duan ata, varësisht nga eksperiencat jetësore personale.

“Valsi i lumturisë” është një roman fiksion për bazuar mbi historinë e famshme të familjes Popa (Tota), që u “ngujua” në bodrumet e Ambasadës Italiane, para rënies së sistemit diktatorial.

***

Në masën e stërmadhe të produkteve letrare që ka përfituar shoqëria jonë, vetëm disa prej tyre janë përcaktuar të admirohen nga të gjithë dhe të arrijnë statusin e mbijetesës.

Shoqëria shqiptare ka mësuar nga Aliçka disa gjëra, të cilat nuk do t’i harrojë:

-Gjithmonë fantazia e shkrimtarit ushqehet nga një pjesëmarrje e shumëllojshme shoqërore e kulturore, në rrethanat e komunikimit dhe të asocacionit.

-Epokat më të mëdha të arritjeve intelektuale dhe krijuese janë gjithmonë epoka trazirash, sepse shpërbërja e kohezionit shoqëror e moral nuk është tjetër veçse ana e çlirimit të individit krijues.

-Në veprat e shkrimtarit Ylljet Aliçka ndeshim pikëpamjen racionaliste për problemin e lirisë, ashtu siç shfaqet ai në arritjet kulturore. Thelbësore në krijimtarinë e tij është vizioni i një shoqërie që zien nga ana intelektuale, që bën me këmbëngulje një vetëanalizë kritike e që ka një shpërthim të pandërprerë të shprehjes individuale, duke shpëtuar nga grushti i hekurt i traditës, anëtarësisë dhe tribalizmit. 

-Heronjtë protagonistë në veprat e tij arrijnë pikën e vet më kulturore, athere kur shpallin armiqësinë e tyre të patundur kundrejt të gjitha formave të ndërvarësisë shoqërore e morale. 

-Aliçkaj e merr të mirëqënë pikëpamjen se liria e individëve është vendimtare në çdo periudhë përparimi intelektual.

-Veprat e mëdha të artit dhe të letërsisë nuk krijohen nga organizmat anonime. Ato janë rezultate konkrete të punës së individëve.

Ne mund të pranojmë se në arritjen e një vepre të madhe letrare ka një shkallë relativisht të lartë të veçimit e mbylljes në mendjen e shkrimtarit. 

Ka një ndërvarësi shumë të rëndësishme midis artistit dhe qytetit të tij, krahinës, fesë, ndikimeve të tjera të larmishme të mjedisit ku jeton, e që i japin veprës së tij frymëzim e kahje.

-Ylljet Aliçka, në mënyrë të padiskutueshme, krijoi në një periudhë individualizmi shoqëror e moral, e parë në pikëpamje të çlirimit nga kufizimet dhe simbolika e së kaluarës. Ajo u bë përherë e më tepër një epokë e sterilitetit kulturor, e “dobësimit të nervave’, e lëngimit filozofik.

-Është gjithashtu me vend të vërejmë se 

as liria e individit, as arritjet individiuale nuk mund të shihen të shkëputura nga rrethanat e bashkësisë. Këto nuk janë rrethana të kufizimit mekanik, por të atyre stimujve dhe vlerave që njerëzit duan t’i shprehin kur mundohen për veprat e tyre e kur duan të mbrohen kundër agresionit pa fre nga jashtë. Kjo nuk do të thotë se mohojmë rolin e individit, as realitetin e dallimeve midis individëve. Vetëkuptohet, kjo do të thotë se nuk pranojmë argumentin e trashë të determinizmit shoqëror, sipas të cilit veprat krijuese të individëve nuk janë tjetër veçse pasqyrim i intresave të grupit dhe kërkesave të grupit.

-Perspektivat dhe motivet nxitëse të mendjes krijuese të lirë, dalin nga bashkësi qëllimesh. Artisti mund t’i ndryshojë ato, t’u japë trajtë tjetër. T’u japë atë intensitet e pamje që nuk e ka dhënë kush tjetër më parë , dhe që nuk do ta japë as në të ardhmen, por gjithsesi ai nuk është i shkë putur nga burimi i frymëzimit të tij.

Secili nga ne, edhe më i shtanguri e i pa gojë, edhe më i druajturi, në qendër të një bote imazhesh…sado intensive e të sublimuara, dallon se mënyrat e shfaqjes së dhuntisë krijuese janë mënyra universale të asaj që rrjedh vetë, e megjithatë diktohet me vetëdije, e që ne e njohim (ose kujtojmë se e njohim) si jetë . 

***

Ylljet Aliçka, është një nga shkrimtarët më të përkthyer në 14 gjuhë të ndryshme të botës.

Librat e tij janë përkthyer në frëngjisht, polonisht, anglisht, italisht, e etj, e së fundi në gjuhën esperanto. Ai është autor i disa skenarëve me të cilët është vlerësuar dhe me çmime.

Ka botuar në gjuhë të huaj: “Les slogans de pierre”, përmbledhje me tregime, Francë. “Kompromisi”- Poloni, “I slogani di pietra”- Itali, “Balkan blood, Balkan beauty”, SHBA. Në fushën kinematografike është mjaft i njohur me skenarët e filmave: “Parullat”, bashkëprodhim franko-shqiptar, Kronikë provinciale, bashkëprodhim franko-italo-shqiptar; Ndodhi shqiptare. Është vlerësuar me mjaft çmime letrare e kinematografike, si: çmimi “Teramo”, Itali; çmimi i dytë, “Arts et Lettres de France”, Francë; medalje bronzi nga “Academie Internationale de Lutece”, Francë, ; “Penda e Argjendtë”, në prozë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, ; çmimi i parë, si skenari më i mirë, “Festivali i filmit shqiptar”, etj.

Mund të jetë një imazh i 1 person

Filed Under: LETERSI

Ekuacioni i vetmisë moderne

July 24, 2025 by s p

Anila Prifti/

Nuk është e lehtë të flasësh për vështirësitë që ke, edhe kur e di mirë se janë aty. Edhe unë, pas kaq shumë vitesh si gazetare, i kam mbajtur për vete shumë gjera. Nuk i kam ndarë as me miqtë, as me familjen. Ndoshta për të mos u dukur e dobët, ndoshta për të mos i ngarkuar të tjerët. Është një lloj mbrojtjeje që e krijon vetë, me vetëdije. Në punën time si gazetare, duke ndjekur historitë e të tjerëve, më ka rënë në sy një gjë që përsëritet: të gjithë kanë vështirësi, por shumë pak flasin për to. Shumica mësohen t’i përballojnë vetëm, pa zë, sepse njerëzit kanë frikë nga ngarkesa emocionale e tjetrit. Frika i bën të mbyllen, t’i shmangen atij që është në nevojë.

Por nuk është vetëm frikë, ka edhe shumë turp. Turpi për të treguar se nuk je mirë, se nuk po ia del, se po dobësohesh. Kur ke folur një herë dhe nuk të kanë kuptuar, më pas më mirë e mban për vete. Është më e thjeshtë të marrësh gjithçka mbi supe sesa të përballesh me keqkuptimin ose, edhe më keq, me indiferencën. Dhe kështu, dalë-ngadalë, tërhiqemi nga njëri-tjetri, dhe kjo shtyrje kthehet në mënyrë jetese. Vetmia më e rëndë është pikërisht kjo: të jesh mes njerëzve dhe të mos kesh asnjë që të afrohet me të vërtetë.

Jeta është e shkurtër; mbajtja për vete nuk të forcon. Në fund, nuk është vuajtja ajo që na lodh me shumë, por largësitë që krijojmë vetë, nga frika ose krenaria.

Mos harro kurrë: kjo është vetmia më e keqe që mund të njohë njeriu.

Filed Under: ESSE

The Hidai “Eddie” Bregu Scholarship in Albanian and Southeastern European Studies

July 24, 2025 by s p

Nëse njihni studentë me origjinë shqiptare në DePaul ju lutem shperndani lajmërimin tonë për bursat e reja Hidai “Eddie” Bregu në Studimet Shqiptare dhe të Europës Juglindore.

The Hidai “Eddie” Bregu Scholarship

in Albanian and Southeastern European Studies

Three awards of $3000 each

o Open to DePaul Albanian heritage speaker students

o Application deadline: August 18, 2025

o Students may apply via Scholarship Connect: https://depaul.academicworks.com/opportunities/54995

The Department of Modern Languages & The Hidai “Eddie” Bregu Program in Albanian Studies invites applications for The Hidai “Eddie” Bregu Scholarship in Albanian and Southeastern European Studies. This scholarship is made available by the generosity of Hidai “Eddie” Bregu, donor, and namesake of the endowed Albanian Studies Program at DePaul University.

Applicants must be DePaul Albanian heritage speaker students at the College of LAS or Albanian heritage speaker students from other DePaul Schools and Colleges who have taken already Albanian Studies classes in the past or have declared the Albanian and Southeastern European Studies Undergraduate Certificate.

All applicants must fulfill at least one of the following criteria: 1) Enroll in an Albanian Studies course or have already taken a minimum of one Albanian Studies 4-credit or 2-credit hours course (FLAC:ALB395) 2) Have a demonstrated engagement in Albanian American Associations within and beyond DePaul University and/or The Southeastern European Student Associations at DePaul University 3) have volunteered or attended the public events organized by the Hidai “Eddie” Bregu Lectures in Albanian Studies at DePaul University 4) have conducted or plan conducting research or extracurricular projects related to Albanian (-American) and/or other Southeastern European cultures and topics in the Chicagoland area.

The scholarship is merit-based, but preference goes primarily to students who are enrolled or plan to enroll in FLAC in Albanian Studies (ALB395), and students who have already declared or plan to declare The Albanian and Southeastern European Studies Undergraduate Certificate. Scholarship recipients who have distinguished themselves by demonstrating academic achievement in Albanian Studies classes can be considered for future iterations of the scholarship.

For questions regarding the Scholarship and The Albanian and Southeastern European Studies Program, please contact Program Director Dr. Gazmend Kapllani: gkapllan@depaul.edu

What is FLAC?

FLAC (Foreign Language Across Curriculum) in Albanian Studies is a supplementary two-credit course that allows Albanian language heritage students who have taken in the past or are currently enrolled in an ALB English content course taught in English to practice the Albanian language in an academic setting and enrich their knowledge with a focus on Albanian language, history, and culture. FLAC courses are not as intensive as four-credit courses and will meet less frequently, in-person and/or online. There is flexibility to accommodate students’ schedules and needs. The discussion-based course has the structure of a Book Club, where readings may be in English, while content discussions will be mainly in Albanian.

Heritage speakers of Albanian who have declared the Undergraduate Certificate in Albanian and Southeastern European Studies can choose to complete two 2-credit FLAC courses in Albanian language instead of one of the required 4-credit hour electives in English.

Who is an Albanian heritage speaker?

When we refer to Albanian language heritage speakers, we typically mean a person who has learned Albanian informally, typically by being exposed to it at home, as opposed to having learned it formally in a school setting. Albanian may be their native tongue – the language they identify as their primary language – but more often than not, their Albanian heritage language becomes secondary to English, the language in which they receive their formal education and with which they interact the most in their daily life outside the home.

For more information and to apply for the scholarship follow the link: https://depaul.academicworks.com/opportunities/54995

For more information about DePaul Albanian and Southeastern European Studies visit: https://catalog.depaul.edu/…/albanian-and-southeastern…/

Filed Under: Komunitet

Çamëria në pasqyrën e ndërgjegjes europiane dhe shqiptare

July 24, 2025 by s p

Alket Veliu/

Në ceremoninë përkujtimore Vel’d’Hiv, Paris, 16 korrik 1995 Jacques Chirac mbajti një fjalim historik ku pranoi për herë të parë rolin e shtetit francez në bashkëpunimin me pushtuesit nazistë, dhe theksoi se kombet që nuk përballen me të shkuarën, nuk mund të ndërtojnë të ardhmen: “Europa nuk mund të ndërtohet mbi harresë. Ajo ndërtohet mbi kujtesë, drejtësi dhe pranim të së vërtetës.” Janë fjalë që u thanë për viktimat hebreje të deportuara nga shteti francez. Por tingëllojnë po aq të vërteta edhe sot, për një tjetër popull që u fshi nga harta pa emër dhe pa varr: shqiptarët e Çamërisë. Në Europë janë kërkuar ndjesa. Janë pranuar krime. Janë ngritur muze dhe memoriale. Vetëm Çamëria nuk ka marrë as drejtësi, as kujtesë. Vetëm viktima pa varre dhe një heshtje që vret.

Në fund të vitit 1944, mijëra shqiptarë çamë, banorë autoktonë të krahinës së Çamërisë, u dëbuan me dhunë nga tokat e tyre në Greqinë veriperëndimore, u masakruan, u zhveshën nga pronat dhe nuk u lejuan më kurrë të kthehen. Për dekada, Greqia mohoi edhe ekzistencën e tyre, ndërsa Shqipëria, vendi ku u strehuan nuk e trajtoi kurrë institucionalisht këtë padrejtësi historike.

Çamëria: E vetmja që mohohet nga të gjithë

Por Çamëria nuk është e vetmja plagë e këtij lloji në historinë e kontinentit tonë. Europa ka përjetuar dëbime, spastrime, shkatërrime etnike dhe mohime të të drejtave. Disa u pranuan dhe u përballën. Të tjerat mbeten të harruara. Çamëria është rasti më ekstrem sepse është i vetmi rast në të cilin viktimat nuk lejohen as të vizitojnë vendlindjen e tyre. Raste edhe pse jo identike por me ngjashmëri me dëbimin e çamëve po i paraqes në një tabel krahasuese për të kuptuar më mirë si janë trajtuar nga shtetet e përfshira në konflikt. Ajo që bie ne sy është fakti që Shqipëria është shteti i vetëm në Europë që jo vetë nuk ka marë në mbrojtje bashkëkombasit e vet dhe të kërkojë rikthimin e tyre por as nuk ka marë asnjë hap për kujtesën historike të kësaj pjese të popullit shqiptar. Shtetet e mëposhtëme kanë ndërmarë hapa istitucional duke dialoguar dhe kërkuar drejtësi. Kanë miratuar ligje dhe kanë ngritur institucione të posaçme shtetërore për të dokumentuar krimet e kryera dhe për të trajtuar me dinjitet të dëbuarit. Ndërkohë Shqipëria ka vetëm një ligj të mbetur në letër, që njeh genocidin ndaj shqiptarëve në Çamëri dhe një rezolutë për Çamërinë e cila nuk zbatohet.

Tabela 1👇🏻

Falja: një standard europian i ndërgjegjes që Greqia nuk e ka përmbushur për Çamërinë

Duke marë shkak nga letra e ambasador Luan Rama, drejtuar autoriteteve greke, të cilëve u kërkon të njohin krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Çamëri si dhe të kërkojnë falje për këto krime, ashtu si ambasadori dua të sjell në vemendjen e publikut që liderët më të fuqishëm të Europës kanë kërkuar falje publike për krime që i kanë kryer shtetet e tyre:

Tabela 2 👇🏻

Pra, Europa e sotme nuk i harron krimet e djeshme, madje i dënon ato me kurajo ndërsa Greqia ende sot, mohon, hesht dhe nuk kërkon ndjesë. Por sipas Presidentit aktual gjerman Steinmeier (në ceremoninë e faljes për gjenocidin në Namibi Berlin 2021) nuk ka pajtim pa drejtësi: “Kujtesa është pjesë e drejtësisë. Dhe pa drejtësi, nuk ka pajtim.”, mesazh i qartë për vlerat europiane të cilin duhet ta adaptoj dhe lidershipi i sotëm grek.

Kujtesa institucionale: muze, memoriale, kurrikulat shkollore.

Kujtesa institucionale është e rëndësishme në historinë dhe identitetin e një populli. Më poshtë do të shikoni që shtetet e përmendara më lartë i kanë kushtuar rëndësi të veçantë ndërtimit të muzeve për të ruajtur kujtesën kombëtare dhe edukimin e brezave. Por muzeu është edhe një diplomat i heshtur ndërkombëtar. Ai tregon para vizitorëve të huaj një rrëfim të strukturuar të historisë së kombit, një mënyrë për të njohur dhe respektuar atë që një popull ka përjetuar. Shqipëria ende nuk ka një muze të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe Kosovës.

Gjermania: Muzeu Federal i të Dëbuarve në Berlin (2021)

Italia: Muzeu Julian-Dalmat në Romë dhe Dita e Përkujtimit (10 Shkurt)

Polonia: Muze për Kresy Wschodnie

Bosnja: Memoriali i Srebrenicës dhe muze në kantone të ndryshme

Ukraina: Arkiva digjitale për Holodomorin dhe zhvendosjet nga lufta

Shqipëria: Asnjë muze, janë vetëm varrezat e Kllogjerit pa status të njohjes zyrtare nga shteti shqiptar.

Çështja çame nuk përmendet në asnjë tekst shkollor të historisë. Nuk ka asnjë kapitull në kurrikulën zyrtare, asnjë dokumentar shkollor i mbështetur nga Ministria e Arsimit.

Kujtesa ruhet vetëm në gojën e të mbijetuarve dhe në punën e shoqërisë civile ndërkohë, ndryshe ndodh në vendet e tjera ku shteti ka rol kyç në këtë fushë.

Gjermania, Italia, Polonia, Bosnja dhe Ukraina kanë ngritur muze, memoriale dhe programe edukimi për viktimat e dëbimeve, Shqipëria ka bërë asgjë për Çamërinë.

Tabela 3 👇🏻

Heshtja e orkestruar shqiptare

I solla rastet e mësipërme – Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Bosnjën, Ukrainën – jo për të krahasuar plagët, por për të kuptuar çfarë duhet të kishte bërë shteti shqiptar ndër këto 81 vjet.

Në një çështje kaq thelbësore kombëtare, ku kemi të bëjmë me një padrejtësi historike të kryer nga një shtet fqinj është detyrimi i shtetit shqiptar të marrë rolin udhëheqës dhe përfaqësues në çdo forum diplomatik, ligjor e ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame.

Shtetet që përmendëm nuk janë udhëhequr nga parimi i keqardhjes por nga detyrimi kombëtar dhe shtetëror ndaj bashkëkombasve të vet.

Ato nuk heshtën në takime bilaterale, as në rezoluta parlamentare, as në institucionet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ato ngritën ligje të posaçme që mbrojnë të drejtat e të dëbuarve, trashëgiminë e tyre kulturore dhe të drejtën për kompensim moral e material.

Ato ngritën muze, memoriale, institute dhe komisione parlamentare.

Në rastin e Bosnjës, u krijua deri Ministri për të Zhvendosurit me Forcë.

Në Shqipëri, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.

Asnjë ligj.

Asnjë strategji.

Asnjë muze.

Asnjë tekst historie.

Asnjë përfaqësim diplomatik për çështjen çame.

Në vend të një shteti që udhëheq, kemi patur për 81 vjet një shtet memec, që hesht.

Në vend të një kombi që flet për të vërtetën, kemi një shoqëri që ndonjëherë turpërohet nga viktima e vet.

Heshtja e shtetit shqiptar nuk është mosdije. Është heshtje e orkestruar.

Heshtje për të mos prishur “balancat” me Greqinë.

Heshtje për të ruajtur “stabilitetin”.

Heshtje për të mos prekur integrimin.

Por kjo heshtje nuk është pa kosto. Është mohim i një detyrimi kushtetues dhe moral.

Çështja çame është e drejtë që i përket çdo shqiptari, por është peshë që duhet ta mbajë me dinjitet shteti.

Ka ardhur koha që kjo heshtje të marrë fund.

Ka ardhur koha që shteti shqiptar të flasë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT