• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U organizua “Dita e Librit” në Shoqatën “Skënderbej”

October 19, 2021 by s p

Nga Veri Talushllari/

Shoqata “Skënderbej”USA, që ka në radhët e saj ushtarakët shqiptarë, familjarë dhe miq të tyre, është një nga shoqatat më aktive të komunitetit tonë në NY dhe NJ. Në radhët e kësaj shoqate janë disa krijues e studjues, që edhe këtu, në emigracion, gjejnë kohë e mundësi të tregojnë vlerat krijuese e intelektuale nëpërmjet shkrimeve e botimeve. Të dielën, më 17 tetor, në një mjedis të këndshëm në Forest Hills, ajo organizoi “Ditën e Librit”, për promovimin e librave të anëtarëve të saj, botuar kohët e fundit. Petrit Xhaferi erdhi me dy botime. Romani “Medeti”, sjell të gjallë dhe me humor një copëz nga jeta në repartet e ushtrisë shqiptare në vitet ‘50-60 shekullit të kaluar, ku luan me konfliktin komandant-komisar dhe krijon situata të gjalla, reale e që të bëjnë të mbash buzën në gaz. Po ashtu Petriti ka botuar kohët e fundit një fjalor për udhëtarë shqip- anglisht-gjermanisht, aq i nevojshëm në këto kohë.Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri diskutimi për librin “ Mërgata Legjendare e Amerikës” e studjuesit Shefqet A.Saliu, libër për të cilin kjo gazetë ka shkruar pak kohë më parë. “ Mërgata…” e Saliut është një vepër voluminoze dhe shumë e rëndësishme për komunitetin tonë dhe Emigracionin Shqiptar, pasi përfshin Historinë e tij të shtrirë në tre shekuj, që nga fillimet e tij në vitet 1800 e deri në ditët tona. Një studim që i mori autorit 15 vite punë kërkimore, i bërë me kritere të rrepta shkencore, por i shkruar me penë e shpirt shkrimtari, duke e bërë librin të lehtë në të lexuar. Kol.(R) Gëzim Mustafaj, Prof. Asoc., Dr. i shkencave ushtrake, u përgëzua nga shokët dhe kolegët për botimin e librit” Lufta e Kosovës dhe NATO”. Folësit në takim vlerësuan nivelin shkencor dhe analizën e thellë të kësaj ngjarjeje të madhe historike për popullin shqiptar, që kulmoi me krijimin e shtetit të dytë shqiptar në shekullin që shkoi. Libri është një vështrim i gjerë politiko- ushtarak i Operacionit “Forca Aleate”, që i dha fund robërimit të pothuaj gjysmës së popullsisë dhe teritorit të shqiptarëve, një padrejtësie historike të fuqive të mëdha europiane, genocidit shtertëror dhe tentativës për spastrim total etnik të kombit shqoptar në Kosovë nga regjimi kriminel i Milosheviqit. Prof. Mustafaj, që ka qënë pjesëmarës aktiv në këtë ngjarje si ushtarak me funksione të rëndësishme në njësitë e kufirit Shqipëri- Kosovë, na ka dhënë një përshkrim të detajuar të zhvillimit të Operacionit, vendit dhe rolit të UÇK-së në këtë histori, lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe, krimet e tyre ndaj popullsisë së paarnatosur shqiptare. Libri, i shoqëruar edhe me harta të operacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese, si dhe me një ditar luftarak, është një pasuri e shtuar e bibliotekës së Luftës së Kosovës, Operacionit çlirimtar e shpëtimtar të NATO-s, si dhe heroizmit të bijve e bijave të popullit shqiptar të rreshtuar nën flamurin tashmë legjendar të UÇK-së. Në takim u fol për libra e krijime poetike,letrare e studimore të krijuesve të tjerë, anëtarë të Shoqatës, si poetes së njohur Ilirjana Sulkuqi, autorit të këtij shkrimi, studiusve Mihal Jano e Engjëll Zerdelia, krijuesit Dhimitër Golemi etj. Folësit, Bujar Hasani, Haxhi Sejdarasi, Fatmir Kalemi, Gëzim Shentolli, Përparim Seitaj, Dirka Xhakolli etj, vlerësuan faktin që përtej problemeve, halleve e streseve të jetës së përditëshmë, si emigrantë, anëtarët e Shoqatës SKËNDERBEJ gjejnë kohë dhe forca për punë krijese, për krijime letrare dhe kërkime shkencore, dhe uruan e premtuan që ky të mos jetë takimi i fundit i kësaj natyre.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Veri Talushllari

Kosova mirënjohje për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it

October 19, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim mikpritës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári/

 PRISHTINË, 18 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mikpritës komandantin e ri të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Ai i uroi suksese Gjeneral Majorit në detyrën e re dhe shprehu mirënjohjen për rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

U bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, të komunikimit të ndërsjelltë dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Komunikimi i afërt dhe koordinimi ndërinstitucional u cilësua si domosdoshmëri për garantimin e sigurisë në vend, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovë dhe KFOR-it. 

Gjatë takimit, Gjeneral Major Kajári gjithashtu e uroi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për organizimin e mirëfilltë të zgjedhjeve lokale, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, e cila është vendosur në Kosovë para 22 vitesh në pranverën 1999,  prej 15 Tetor  2021 ka komandant të ri Gjeneral Majorin e Ushtrisë Hungareze, Ferenc Kajári, i cili mori detyrën nga  Gjeneral Majori Franco Federici – pasuesi i Gjeneral Majorit Michele Risi që përfundonte misionin operacional 1-vjeçar në 13 Nëntor 2020.

Në vitin 1999 të lirisë së Kosovës – hyrjes së farcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it,  komandanti i parë ishte Gjenerali Britanik Michael Jackson.Para 22 viteve, në 24 Mars 1999, nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s-KFOR-it,  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ende pa kaluar tre muaj Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit… Për këto ngjarje historike atëherë kam raportuar edhe nga minutat e para të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me aviacion luftarak edhe nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin e sillnin lirinë e paqen në Kosovë…

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Albin Kurti, Kfor

Një ditë në qëndrën kulturore në Clearuatër, Florida

October 19, 2021 by s p

Reportazh nga FADIL SHEHU/

Shkuam këto dite vjeshte në qëndrën kulturore në qytetin Clearuatër ,Florida. Aty ku salla plot ajër e dritë gumëzhin përherë nga zërat gazmor të fëmijëve të moshave të ndryshme, të komunitetit shqiptar të disa qyteteve, në shtetin e Floridas. Ishin në punë e sipër të provave për koncertin që do të shfaqet në prag të festave të Nëntorit, organizuar si gjithmonë nga dega Vatra Tampa Bay. Banorë të komunitetit shqiptar të qyteteve Largo, Clearuatër, Saint Petërsburg, Sarasota, Dunide, Kandrysaj, sjellin në këtë folezë arti, fëmijët e tyre, për të mësuar këngën dhe vallen e bukur Shqiptare. Një pjesë e tyre vitet e fundit kanë çuar fëmijët në shkollën shqipe hapur në qytetin Clearuatër, nga dega Vatra dhe vatranët e tjerë. Disa metra më tej, në “barkun” e stërmadh të sallës, shohim këngëtarin, aktorin, “Mjeshtër i Madh” Frederik Ndoci, i cili u mëson fëmijëve intrumentat që ata kanë për zemër. Por këtë herë në këtë reportazh do të nxjerim në pah vlerat që mbart  trupa e ansamblit të këngës dhe valles shqipe,“Shqiponjat ”. Nën tingujt e muzikës popullore, çdo njeri prej fëmijëve kërkon të harmonizojë këtë me lëvizjet plot finesë që ofrojnë vallet e bukura Shqiptare. Të drejtuar nga balerina Milena Kullaj, e cila udhëheq reshtin e valltareve kërkohet përqëndrim, harmonizim i lëvizjeve me ritmin e muzikës në sfond, ku përballë tyre ndodhen mjaftë shikues, pjesa më e madhe janë prindër  të  fëmijëve artistë. Fare mirë mund ti etiketojmë si spektatorë të momentit. Ata vijnë këtu nga qytete të ndryshme floridiane, duke sjellë fëmijët të cilët shpalosin me shumë dashuri vlerat që ata mbartin. Njeri prej tyre është Genci Kullaj, i cili së bashku me bashkëshorten e tij Ana, që më parë ka drejtuar shkollën shqipe, hapur nga Dega Vatra, Tampa Bay dhe vatranë të tjerë në qytetin Clearwatër. Genci njihet nga komuniteti i qyteteve të sipër përmëndura si “doktor” i  makinave. Ashtu si vite më parë në Tiranë dhe këtu në shtetin e Floridas, ai ka hapur pikën e servisit të tij. Klientë  të  tij nuk janë vetëm shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia , Mali i Zi, madje dhe nga kombe të tjera. Ata shprehen se: “Tek Genci shkojmë me dëshirë, pasi profesionalizmi i tij si mekanik na bënë të besojmë për rregullimin e defektit që ka makina. Gjithashtu çmimet ai nuk i ka të “kripura” si në servise të tjerë”. Jo pak herë ai është i pranishëm, në këtë qendër jo vetëm si prind i balerinës dhe drejtueses së ansamblit, Milenës, por edhe si njeri aktivist i Vatrës, me vlera humane e shpirt të madh. Edhe  sot kur fëmijët artistë vazhdojnë provat e valleve dhe  këngëve, ai u ka ofruar drekë, me financimet e veta. Në pushim gjejmë kohën e bisedojmë  nga afër me Minelën, e cila prej më se pesë vitesh njihet si valltare e talentuar e Ansamblit “Shqiponjat”. Flet thjeshtë, pa bujë për vlerat e reja interpretuese që ka fituar tashmë ky ansambël, duke u bazuar jo vetëm në vallet  ekzistuese perla shqiptare, por duke i pasuruar motivet e reja të krijuara enkas sipas zonave e krahinave shqiptare. Eshtë pikërisht ky ansambël, të cilin dy vite më parë e kemi parë direkt në festivalin e valleve mbarë shqiptare, me pjesëmarrjen e ansambleve nga mjaftë shtete këtu në Amerikë, dhe dy  ansamble ardhur nga Kanadaja. Ishte ky një event i rëndësishëm artistik, një festival mbresëlënës, ku urimet dhe falenderimet ia kushtonin në veçanti organizatorit, drejtuesit të festivalit Ardian Kraja. Por si një “qershizë mbi tortë”, mbrëmjet e këtij festivali i zbukuroi më shumë prania e mbretëreshës së valles shqiptare, “Nder i Kombit” Liliana Cingu, e cila surprizoi  spektatorët me interpretimet e valleve shqipe. Krahas vlerësimeve që u bënë për ansamblet pjesëmarrëse, valltarë dhe koreograf të veçantë, në fund festivali juria nderoi këtë artiste të madhe me trofeun “Shqiponja e Artë e Festivalit”. Milena i ka ende të freskët në kujtesë arritjet e këtij ansambli. Ajo kujton me nostalgji vitet kur u ngjit për herë të parë në skenë. Ishte vetëm shtatë vjeç. Ende dhe sot ajo punon me pasion në motive të reja valle duke i përvetësuar dhe më mirë në shtëpi nën shoqërimin e pianos, këtë instrument që e ka shoqëruar në vite Milenën si artiste.  Ndonëse vazhdon kolegjin në qytetin Clearwatër, ajo sërish gjen kohën për vete dhe Ansamblin, për të përvetësuar sa me mjeshtëri motivet burimore të valles shqipe, duke ia transmentuar me shumë pasion artistëve të vegjël. Nëse do ktheheshim pak në retrospektivën e viteve të ecurisë së këtij ansambli të sukseshëm, të kujton dhe vlerësimet e  bëra ndaj tij në festivale të ndryshme, ku më të përhershmit janë Festivali Ballkanik me pjesëmarrjen e Ansambleve nga Kroacia, Bullgaria, Rumania, Kososva, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Greqia, i cili  zhvillohet për çdo stinë Pranvere në qyetin e bukur, qerpik oqeani Saint Petërsburg, në Florida. Një tjetër festival me vlera botërore është dhe Festivali Botëror i valles me pjesëmarrje të vendeve si Spanja, Italia, Kosova, Indonezia, Meksika, Porto Riko, Vietnami, Irlanda etj, festival që zhvillohet në qytetin Xhenksovil po këtu në Florida. Kurrësesi nuk mund të harrosh arkitektët që krijuan dhe lartësuan vlerat e këtij ansambli, ku do veconim punën e palodhur disa vjecare të koreografes Rovena Kafilaj dhe valltareve me përvojë, dhe më pas drejtuese të tij si Greata Kraja, Anisa Papadhima, Fanika Janku. Po kështu portretin simpatik të këtij ansambli e zbukuron prania e çiftit balerinë veteran tashmë në skenë Gëzim dhe Ardiana Radani. Madje Gëzimi është njëkohësisht Kryetarë i lidhjes së krijuesve dhe artistëve në Florida. Gjithçka ka bërë në ecurinë dhe sukseset që mbart ky ansambël duke arritur me meritë në këtë lartësi ku ndodhet aktualisht, çdo njeri prej pjestarëve dhe dashamirësve të tij shprehet me fjalë respekti e mirënjohje për ndihmën e pakursyer, në drejtim të sponsorizimit për drejtuesit e Fondacionit Shqiptar në Tampa Bye, Ardian Kraja, Eri Pasko, Imelda Pojani. Një tjetër emblemë mbresëlnëse që shfaqet çdo çast në ecurinë e këtij ansambli qëndrojneA person holding a microphone

Description automatically generated with low confidence

 sakrifica, përkushtimi i prindërve të fëmijëve në veçanti të nënave të tyre, të cilat vijnë me fëmijët dhe largohen kur përfundojnë provat. Të tilla janë Violeta Marku nga Shkodra me tre fëmijët e saj, Ermelinda Thanasi nga Berati me dy fëmijët e saj, po kështu Lola Bako nga Pogradeci me dy vajzat e saj, Resida Troqe nga Vlora me vajzën e saj, Brixhilda Gjekaj nga Malësi e Madhe…Ndërkohë provat vazhdojnë sipas programit. Janë momente gërshetimi lëvizjesh midis ritmit të muzikës dhe lëvizjeve në vallet e Tropojës, Librazhdit, Tiranës, Mirditës, Myzeqesë, Dropullit etj. Eshtë ky program të cilin trupa e ansamblit do manifestojë në koncertin e festive të Nëntorit, i cili për çdo vit organizohet nga dega Vatra me qëndër në Tampa Bay, me kryetar Isuf Spahiaj. Eshtë ky event i mirëpritur nga vatranët dhe mbarë komuniteti Floridian.Tashmë drejtuesit e Ansamblit “Shqiponjat” kujdesen që pjestarëve të tij, të mos  u mungojë as”maja e gjelpërës”,pasi do të jetë ky ansambël që do të përfaqësoj artin shqiptar ne Fetivalin Ballkanik, në prag pranvere në qytetin Sain Petërsburg, dhe në Festivalin Botëror të valles, që do të zhvillohet në Xheksonvill. gjatë stinës së pranverës. Ndërkohë një tjetër eveniment i rëndësishëm mendohet të zhvillohet për herë të dytë në stinën e Verës, Festivali Mbarëshqiptarë, në qytetin Clearwatër me pjesëmarrjen e ansambleve shqiptare nga disa shtete këtu në Amerikë dhe Kanadaja, ku padyshim midis pjesëtarëve të jurisë do të jetë “Nder i Kombit” Liliana Cingu, e cila aktualisht jeton në Toronto Kanada. Në epilogun e udhëtimit të reportazhit tonë doja të citoja fjalë të thëna nga gjigandi i valles Shqiptare, pjesë e intervistës që unë zhvillova pak muaj më parë se i madhi “Nder i Kombit” Besim Zekthi të ikte nga jeta. (Botuar në librin tim të pestë me tiull PIEDESTAL  me 360 faqe, botuar në muajin Korrik të këtij viti.) Ja çfarë thotë Ai për të bukurën vallen shqipe,:”…Të kultivojmë të rruajmë si sytë e ballit, vallen e bukur shqiptare, sepse është piedestali i kulturës së kombit tonë. Meqë e kemi këtë piedestal, të jepet shansi, fati ta ruash dhe verselitësh këtë pasuri të pashtershme. Arti është i bukur…është JETA.                      C:\Users\Alberto\Downloads\Desktop\10603365_709775285726196_3728555226941939267_n[1].jpg

                                                                 FADIL SHEHU.    FLORIDA .                    

                    ( 9 fotot jane pjese e festivalit ne Clearuater )                                                            A group of women sitting on a staircase

Description automatically generated with medium confidenceA group of people posing for a photo

Description automatically generatedA person and person sitting at a table

Description automatically generated with medium confidenceA person in a white dress dancing

Description automatically generated with low confidenceA picture containing text, book

Description automatically generatedA picture containing floor, indoor, person, dancer

Description automatically generatedA group of people posing for a photo

Description automatically generatedA group of women in white dresses

Description automatically generated with low confidenceA person holding a microphone

Description automatically generated with low confidence

Filed Under: Komunitet

AT GJERGJ FISHTA, PATRIOTI I MADH PENDARTË I KOMBIT SHQIPTAR

October 19, 2021 by s p

Nga Marash GILAJ */

Të shkruash një monografi për një kolos si At Gjergj Fishta është një sipërmarrje sa e guximshme aq edhe patriotike e vlerësuese. Kjo do të thotë të bësh një studim shkencor të gjërë, të hollësishëm deri në detaje. Është gjithë jeta e një njeriu të përkushtuar ndaj kombit dhe fesë. Kësaj ia ka arritur me sukses historiani dhe publicisti i mirënjohur i Malësisë së Madhe, Z. Ndue Bacaj. Me thjeshtësinë që e karakterizon autorin, ai pohon se ndihet i vogël para kësaj figure madhështore, prandaj, veprimtarí të tilla duan guxim, vullnet, durim, kohë dhe punë të madhe për të gërmuar e mbledhur gjithë materialin e nevojshëm. Këto karakteristika nuk i mungojnë autorit të kësaj vepre dhe këtë e tregon më së miri libri i tij i gjashtë që do të lexoni. Më tej autori i librit thotë se këtij patrioti, mendimtari e veprimtari të shquar i kemi një borxh të madh që rëndon “si guri i pendesës” mbi ndërgjegjën tonë. Dhe se ky borxh duhet paguar.

Që nga tituli i librit, “At Gjergj Fishta, patriot i madh, pendartë i kombit shqiptar” tregon se autori i ka dhënë vlerësimin e parë shumë të merituar. 

Duke lexuar librim do të mësojmë se At Gjergj Fishta e donte shumë kombin dhe fenë. Për këtë flasin veprat e tij në shumë fusha. 

Lahuta e Malcisë, si vepra më e madhe e shkruar në vargje, është krahasuar me Iliadën e Homerit, shoqërohet edhe me shumë vepra të tjera në poezi, që së bashku me veprën kryesore shkojnë në rreth 50 000 vargje. Ai na ka lënë edhe 700 faqe të shkruara në prozë, thotë autori. Gjergj Fishta nuk ishte vetëm poet, ai njihet si publicist, diplomat, filozof, psikolog, dijetar e fetar. Ai ishte poliglot, njihte dhe fliste 5 gjuhë të huaja. Në moshën 16 vjeç shkruan vjershat e para. Kur u bë 23 vjeç, celebron meshën e parë. Nga monografia mësojmë se ai kryesoi Kongresin e Manastirit, më 1908, kur u vendos për alfabetin që do të përdorte Shqipëria. 

Ai njihet si symbol i binomit Fe e Atdhe, na thotë autori i librit. 

Ka themeluar e botuar revista si: “Hylli I Dritës” apo “Posta Shqipëtare. Ka qënë bashkëthemelues i gazetës “Ora e Maleve.” Lufta e tij në mbrojtje të kufinjve të atdheut, e gjen pjesëmarrës në Konferencēn e Paqës në Paris më 1919. 

Është interesante, kur mëson se Fishta ishte edhe arkitekt i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, pjesëmarrës në Konferencën e Bukureshtit për sheshimin e mosmarrëveshjeve ballkanike. Këto veprimtari dhe të tjera tregojnë gjithanshmërinë e tij në shërbim të kombit. 

Pa dashur të futem në hollësi të librit dhe të shuaj kureshtjen e lexuesve po vazhdoj të përmend shkurtimisht vetëm disa gjëra kryesore. Duke lexuar librin më në thellësi, mësojmë se Fishta ishte edhe piktor apo themelues teatri.

Edhe pse i ndaluar e i mohuar nga regjimi, malësorët, sado të pashkollë që ishin, dinin përmendësh qindra vargje të Lahutës së Malcisë. At Gjergj Fishta, siç na thotë autori, ka marrë shumë vlerësime, medalje, bile është propozuar edhe për çmimin “Nobël.”

Sidoqoftë, po t’i referohemi një thënie të A. Ajnshtajnit, i cili thotë: “Vlera e njeriut duhet të matet me ato që jep dhe jo me ato që merr”, del se At Gjergji dha shumë, por mori pak dhe për këtë, vlera e tij rritet edhe më shumë, nëse duam dhe dimë ta vlerësojmë.

Shumë studiues, historianë e shkrimtarë vendas apo të huaj kanë dhënë vlerësimet e tyre për këtë figurë që na bën krenar të gjithëve. Nuk mungon midis 40 vlerësuesve, që rreshton autori, as mohuesi i veprës së tij, Ismail Kadare, i cili e shpërfill dhe e denigron. 

Me të drejtë, autori ankohet dhe bën thirrje që kjo figurë kaq e madhe, kaq patriote, me një aktivitet dhe prodhimtari letrare për t’u admiruar e pasur zili, por e kritikuar dhe e lënë në heshtje nga regjimi hoxhist, duhet rivlerësuar, me të gjitha meritat që i takojnë, duke e përjetësuar emrin e tij tek ndonjë shesh, rrugë apo shkollë në Malësi të Madhe, në tabanin ku “mbështeti” Lahutë… E pse jo, edhe busti i tij, nuk duhet të mungojë. Pse duhet të tregohemi kaq mosmirënjohës ndaj një figure si At Gjergj Fishta? A nuk na mbush me krenari vepra e tij? Të mos dish historinë e kombit tend, do të thotë të mbetesh përherë fëmijë. Kur historia harrohet ajo përsëritet, kanë thënë njerëzit e urtë. Siç duket, ne shqipëtarët, (sunduesit tanë, më saktë) pasi e mohuam këtë figurë madhështore për gati 50 vjet, ende nuk e kemi vënë në piedestalin që meriton. Këtë e kanë bërë sunduesit tonë që punuan si Judë për vendin e tyre. Fjalët dhe veprat e Fishtës janë dhe mbeten aktuale edhe për ditët që jetojmë sot. Figura e Gjergj Fishtës i bën nder kombit, ia lartëson vlerat jo vetëm në sy të shqipëtarëve, por edhe të botës. Njerëz si ai lindin rrallë.  Duke përfunduar mendimet e mia shkurtimisht për këtë vepër dhe personazhin e saj, dua t’i uroj Z. Ndue Bacaj që pena e tij të mos pushojë së shkruari për patriotë të ngjashëm me Fishtën e madh dhe probleme të tjera që shqetësojnë kombin. Falemnderit që ma dhatë këtë mundësi. 

Libri është botim i një cilësie shumë të lartë nga Shtepia Botuese FIORENTIA -Shkodër dhe është sponsorizua nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” Michigan-SHBA. 

*Redaktor i librit 

Shkodër, me 18 tetor 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Marash Gilaj, Ndue Bacaj

PËRSE DY LIBRA PËR FISHTËN BRENDA NJË VITI AKADEMIK?

October 19, 2021 by s p

Dr. Tonin Çobani/

Unë kam shtruar këtë pyetje para vetes sime dhe sot po kërkoj ta ndaj atë me ju, paraprakisht duke ju falënderuar për organizimin e promovimit të dy librave që kanë bashkautorësinë time me Don Ndue Ballbanin. Por unë nuk do të ndalem te bashkëpunime me Don Ndoun që ka nisur këtu në Zagrep me librin “Frang Bardhi dhe relacionet e tij” (2006)…

  1.  

Dhe pyetja më e zgjeruar do të ishte: Mos vallë dy libra brenda një viti akademik janë sa për të përkujtuar 80-vjetorin që ka qenë vjet dhe 150-vjetorin e Lindjes së Gjergj Fishtës që i takon të jetë viti 2021?

Vite më parë kur po punonim për botimin e veprës së Fishtës (Gjergj Fishta, Vepra letrare në 10 vëllime), unë u ngarkova me dy prej tyre (Drama 1, Drama 2), vëllimet 5, 6. Dhe mbeta i kënaqur me punën time, sepse bëra bashkë veprat dramatike të Fishtës që kishin mbërritur si botime të shpërndarë andej këndej dhe bëra një pasthënie të thukët me titull “Fishta dramaturg”, që u përfshi si pjesë fundore e të dy vëllimeve. Kisha marrë si postulat, thënien e Faik Konicës për Fishtën, se “shkroi poezi, drama, komedi… dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm.”   

Por shumë shpejt e kuptova se mungonte një diçka thelbësore në punimin tim. Mungonte teatri i Fishtës, se aktorët gjendeshin: humoristë të mprehtë dhe aktorë të pasionuar ka pasur gjithmonë në Shkodër. Duheshin regjisorë, skenografë, me pak fjalë, specialistë dhe organizatorë të shfaqjeve e pikësëpari një tekst dramatik, që është shumëçka për artin e skenës. Dhe Fishta poet-dramaturg e kuptonte mirë këtë. Ndërkohë që studionte tragjeditë e Shekspirit dhe përshtaste mjeshtërisht për mjedisin shkodran (dhe shqiptar) komeditë e Molierit, duhej të gjente ose të bënte vetë punën e regjisorit dhe të skenografit deri atë të organizatorit të shfaqjes. 

Kështu, pra, tekstet dramatikë të Fishtës duhet të kalonin provën e skenës dhe të ballafaqimit me publikun si dhe të kritikës së artit, ndoshta, duke filluar me recensionet e Fishtës vetë në revistën “Hylli i Dritës” dhe në gazetën “Posta e Shqipërisë”, të drejtuara prej tij. 

Ajo që unë do të deja të  theksoj me këtë rast është se edhe sot e kësaj dite prova e skenës dhe ballafaqimi me publikun mungon fare ose është i papërfillshëm për tekstet dramtike të Poetit Tonë. Me përjashtim të ndonjë shfaqjeje (“I ligu për mend, sipas Molierit”), vënë në skenë nga TK i Prishtinës (2017) dhe nga Teatri Migjeni i Shkodrës (Gomari i Babatasit – 2018), si dhe një tjetër, (Shfaqja G) e Teatrit Shqiptar të Shkupit (2017), asnjë pjesë tjetër dramatike, shkruar nga Fishta, nuk është ngjitur në skenë gjatë këtyre 30 vjetëve. Numërojmë disa që mund të ngjiteshin në skenë me sukses edhe në ditët tona: Juda Makabe, Jerina, Ifigjenia, Odisea,  Vllaznia, Barinjtë e Betlehemit, Luigji Gonzaga, Shqiptari dhe Shqiptarja e qytetrueme… Teatri i Gjergj Fishtës numëron gjithsej rreth 40 pjesë teatrore, duke vënë kështu themelet e teatrit në gjuhën shqipe, që nuk janë gjë tjetër, veçse themelet e Teatrit Kombëtar të shqiptarëve. Por me keqardhje konstatojmë se shumë prej pjesëve teatrore të Fishtës nuk janë ruajtur. Dhe ato që janë ruajtur mund të pohojmë me plotgojë se janë shpërfillur prej kompanive teatrove amatore e profesioniste, prej teatrove kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës.  Kaq për librin e parë “Teatri i Gjergj Fishtës”. Për librin e dytë: “At Gjegj Fishta: Vende-Vite-Vepra” do të lexoj për ju një ese: “Fishta ynë”.

II. 

Sot, kur emri i Gjergj Fishtës, Fishta ynë, ka zënë vendin e merituar në Panteonin e Shkrimtarëve tanë, shtrohet çështja: kur themi “Fishta ynë”, a është njësoj sikundër themi “Naimi ynë”, “Migjeni ynë”, “Lasgushi ynë”, apo nënkuptojmë diçka tjetër? Dhe çfarë do të ishte kjo diçka tjetër?

1.

Diçka tjetër do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë”, si do të donin disa: “Fishta i jonë”. Kjo do të thoshte që Fishta të ishte vetëm i gegërishtfolësve; do të thoshte të mbetej i paintegruar meritueshëm në programet shkollore; do të thoshte, më në fund, të përdorej emri dhe vepra e tij për të mbajtur ndezur një debat tanimë të vjetruar midis gjuhës së toskëve dhe të gegëve, çfarë do t’i binte ndesh thelbit programatik të veprës fishtjane që është skalitur në 2-vargshin:  

“Bini, toskë, ju, bini gegë!\ Si dy rrufe, që shkojnë tue djegë!”.

2. 

Diçka tjetër do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë”, si do të bënin disa: “Pader Gjergji i jonë”. Kjo do të thoshte që Fishta të konsiderohej vetëm i shqiptarëve katolikë apo, më pak, vetëm i Provincës Françeskane Shqiptare. Këtu dua të sqarohem, sepse për shkak të këtij formulimi kam pasur shumë përballje hapurazi dhe kulisave (apo me pseudonime). Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend t’ia zhvesh Fishtës zhgunin e fratit, asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend t’ia shkul Fishtën Provincës Françeskane apo Kishës Katolike dhe kulturës që përfaqëson ajo në Shqipëri. Por kur themi “Fishta ynë”, nënkuptojmë se ai nuk mund të jetë vetëm i një province, por i të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë dhe pavarësisht nga religjioni. Përndryshe do t’i binim ndesh thelbit të shqiptarizmës së Fishtës që ka gjetur kuptim në thënien e tij proverbiale: 

“Besë, nder e burrni shqiptare\ E mos na lashtë Zoti pa myslimanë”. 

Dhe kjo është formuluar në Konferencën e Paqes në Paris, kur disa diplomatë ia kishin me hile trojeve shqiptare kur propozonin një Shqipërizë edhe më të vogël se sa është sot, një Shqipërizë që të përfshinte vetëm trojet e populluara prej shqiptarëve katolikë.

3. 

Por edhe kur disa thonë “Fishta ynë” dhe nënkuptojnë “Fishta i tyre” ia kanë me hilera Fishtës dhe thelbit përmbajtësor të veprës së tij: 

Një i huaj, që nuk ka mundur ta shijojë veprën e Fishtës në origjinal, mund të ketë një mendësi të tillë; 

Një intelektual i sotëm, që nuk është ulur për të lexuar qoftë edhe një prej veprave të Fishtës pa qenë i paragjykuar për vlerat e saj, mund të këtë një mendësi të tillë; 

Një qytetar çfarëdo, që për shkak të propagandës 50-vjeçare antifishtjane nuk ka mundur të krijojë një kontakt të vetin me veprën e Fishtës, mund të ketë mendësi të tillë. 

Gjithsesi, mund të kenë mendësi të tilla individë me shije të ndryshme leximi, por jo institucionet akademike e shtetërore, shkollat publike të të gjitha niveleve dhe përgjithësisht media. 

Këta institucione të tranzicionit, asgjë mangut nuk i lënë viteve të diktaturës kur mohohej krejtësisht vlera e një poeti, një thelb i së cilës shpërthente me vargun e tij blasfemik: 

“O Perëndi, a ndjeve? Tradhtarët na lanë pa atdhe… ”.

4. 

Por edhe kur disa të tjerë  thonë “Fishta ynë” dhe me të kuptojnë një pronë të vetën, të cilën mund ta përdorin për kredibilitet të ideve të tyre kinse bashkëkohore, sigurisht që jo vetëm Fishta dhe kultura shqiptare janë të tradhtuara, por të gjithë ata që e quajnë veten sadopak shqiptarë duhet të vënë duart në kokë me kuje.

5.

Diçka tjetër e pranueshme do të ishte ta artikulonim këtë “Fishta ynë” dhe të mendonim thjesht: “Kultura jonë”, sikundër mendojnë të gjithë popujt e qytetëruar për shkrimtarët e tyre, të cilët për një periudhë kohe, sado të shkurtër, kanë qenë pjesë e jetës intelektuale të vendit, ndoshta, ashtu siç e konsiderojnë serbë e malazez Njegoshin, poetin e vet kombëtar, pavarësisht se ç’mund të mendojë një kushdo tjetër për vlerat ideo-artistike të veprës së tij letrare.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Tonin Cobani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2784
  • 2785
  • 2786
  • 2787
  • 2788
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT