• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERSEKUTIMI NGA DIKTATURA KOMUNISTE I FAMILJES PATRIOTIKE TË ILIA DILO SHEPERIT

September 10, 2021 by s p

Sokol Paja

Eduard Margarit Dilo, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli organi i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York persekutimin familjar prej regjimit komunist, torturat, përndjekjen, izolimin dhe burgosjen. Në një rrëfim dhënë Editorit të Diellit Sokol Paja, z.Dilo tregon me detaje persekutimin e tmerrshëm mbi familjen e tij, përndjekjen nga sigurimi i shtetit dhe përplasjet me udhëheqësit komunistë të diktaturës.

HISTORIA E PERSEKUTIMIT TË FAMILJES DILO

Qëndrimi patriotik i familjes së Ilia Dilo Sheperit dhe Aristidh Rrucit nga ishte gjyshja ime Sava Rruci, tashmë është  i njohur në opinionin shqiptar. Megjithëse familja ime në kohën e luftës së dytë botërore ishte një nga bazat kryesore ku strehoeshin udheheqesit e luftëtarëve të lirisë, kryesisht nxënës të gjyshit tim Ilia Dilo Sheperi, megjithëse shtëpia jonë në Sheper është nga të parat që u dogj nga pushtuesit, nuk mund t’i shpëtonte persekutimit të eger të klikës së krimineleve që morën pushtetin në fund të vitit 1944. Po t’i qëndrojmë besnikë të vërtetes dhe dokumentave vëmë re se spastrimet që beri klika e krimineleve që e sundoi popullin shqiptar për afro 50 vjet, nuk mund të linte jashtë këtij genocidi familjen e Ilia Dilo Sheperit. Pse? Se familja DILO SHEPERI ishte një familje patriote që nuk mund të bashkëpunonte me agjentët serbo-sllavë që morën pushtetin. Le t’u referohemi fakteve: Kur E.Hoxha do të formonte Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Clirimtare kërkoi një takim me Jani Dilon në Tiranë. Me formimin e Shtabit të Përgjithshëm i tha Enveri, kemi nevojë për një komandant të aftë dhe të zotërojë disa gjuhë të huaja për të biseduar me të huajt, prandaj kam menduar për ty. -Do të luftoja me kënaqësi me ju, po jo të zbojmë italianin e të biem jugosllavin a rusin këtu, jo të braktisim Kosovën e t’ua dhurojmë serbëve ju përgjigj Jani. Ky qe takimi i fundit me shokun e tij të vjetër të shkollës, në Gjirokastër e në Korçë, të cilit do t’i buzeqeshte fitorja e luftës. Marreveshja e Mukjes, pa u tharë mirë boja, u hodh poshtë me ndërhyrjen e jugosllavëve…Lufta civile filloi.  Çmimi i saj, jo vetëm për humbësin por edhe për fituesin, do të ishte shumë i rëndë. Ata që fitonin qenë armiqtë e kombit shqiptar.

SI NISI HAKMARRJA E KOMUNISTËVE

Në Nëndor 1944, pasi qeveria e E.Hoxhës hyri në Tiranë, Qirjako dhe Margarit Dilo-s ju ndalua të punonin në vendet e punës ku kishin punuar, përkatesisht Qirjakua kryetar i zyrës së Hipotekave në Ministrinë e Financave dhe Margariti kryetar i zyrës së ndërtimeve në Ministrinë Botore. Ata, të brumosur me një kulturë perëndimore, dorëzuan punën dhe zyrat ku punonin. Që të mund të jetonin filluan të mirreshin me tregti. Aktiviteti u ecte mbarë dhe përballonin shpenzimet e jetesës për familjen prej 12 vetash që jetonin në atë kohë në Tiranë. Në Mars 1946 flasin në Komitetin Ekzekutiv Qirjakon dhe Margaritin dhe u njoftojnë se duhet të largoheshin menjëherë për në Sheper familjarisht. Urdhëri ishte i prerë; në qofte se nuk largoheshin për dy ditë do të  arrestoheshin. Po në këtë kohë, Koçua që shërbente si ushtar në Komandën e ndërlidhjes në Tiranë, transferohet në postën kufitare të Peshkopisë. Familjarët u larguan për në Shepër, ku u strehuan në kaliven që kishte shpetuar pa u djegur nga lufta. Filluan të mirreshin me bujqësi per të mbijetuar. Në Qershor të atij viti flasin në Gjirokastër Mihalin dhe Margaritin. Mihalin e emërojnë veteriner në Ndërmarrjen Blegtorale të Qarkut, kurse Margaritin Ing. në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Qarkut. Me këto emërime gjëndja ekonomike e familjes ndryshoi shumë dhe filluan rikonstruktimin e kalives që jetonin pjestarët e familjes në Sheper në kushte të kënaqeshme për kohën.

JANI DILO DËNOHET ME VDEKJE PREJ KOMUNISTËVE

Në vitin 1947 shteti, në listen e armiqve të dënuar me vdekje në mungesë shpall dhe emrin e Jani Dilo-s (një nga eksopentet e Ballit Kombëtar). Organet e partisë dhe të sigurimit i thirren vëllezërit e tij Qirjako dhe Margarit dhe u kërkuan që të bindnin Janin që të kthehej në Shqipëri. Ata u përgjigjën se nuk kishin marrëdhënie me Janin dhe nuk e dinin se ku ndodhej. Në Tetor të vitit 1947 arrestojnë në Gjirokastër Margaritin dhe pas 40 ditë dhe netë  tortura të tmerrshme, në një gjyq me dyer të mbyllura në një nga sallat e burgut në kala, nga një gjykatë ushtarake e dënojnë me dy vjet heqje lirie si sabotues i zgjedhjeve të 1946, prishës i marrëdhënieve me Jugosllavinë, agjent i angloamerikanëve etj. Burgun e kreu në kalanë e Gjirokastrës, tharjen e kënetave në Myzeqe dhe Maliq e Vloçisht të Korçës. Ishte 85 kg.  kur e arrestuan dhe doli 42 kg nga burgu. Mbaj mend nga vegjelia shënjat që kishin lënë xhelatet me hekur të skuqur në trupin dhe gjymtyrët e tim Ati. Në vitin 1948 arrestojnë Qirjakon dhe e torturojnë për tre ditë dhe netë në postën e policisë në Topovë ( Zagori). Akuza: armëmbajtje pa leje dhe fshehje e florive të Aristidh Rrucit. Në pamundësi për të siguruar dëshmitarë për armën që vetë sigurimi kishte futur në strehën e kalivës ku mbante bagëtinë familja e Qirjakos dhe meqënese floritë u gjeten në familjen e sojit të komisarit të Degës Punëve të Brëndshme, Qirjakon e liruan. Në vitin 1950 Margariti fejohet me Nënën time Viktori Xhamballo, motër e dy dëshmoreve: Pano Xhamballo udhëheqës me rëndesi në Luftën Nacional Çlirimtare (vrarë në Mirditë më 1 Shtator 1944 në pabesi dhe rrethana misterioze) dhe e Spiro Xhamballos pushkatuar nga gjermanët në kampin e Prishtinës. Kur u mësua fejesa e Nënës time, u thirr në Gjirokastër nga Mihal Bisha, ish  Sekretari i Komitetit Partisë në atë kohë dhe Prokurori Subi Bakiri dhe iu bë presion që të prishte fejesën. Meqënëse Nëna ime nuk pranoi të prishte fejesën ju kërcënuan se bashkë me të Dilos do të luftonin dhe atë. Dhe “nëna parti” e mbajti fjalen jo vetëm për Të, por dhe për neve fëmijët e saj.

DËNIMI I KOÇO DILOS

Në vitin 1970 arrestojnë në Fier për tentim arratisje për në Greqi Koço Dilon, djalin e vogël të Ilisë. Pas 105 ditësh torturash klandestine e dënojnë me 10 vjet burgim. Burgun e kreu në Spaç të Mirditës. Theksoj se në çdo arrestim dhe burgim që bëhej në familjen tonë na sekuestronin çdo gjë: deri tek rrobat e trupit, ato pak ushqime që kishim dhe pjesë nga ambjentet e shtepisë ku jetonim, si dhe pajat e vajzave të pamartuara.

VITET E FËMINISË SË EDUARD DILOS

Një tmerr që uroj të mos e kalojë asnjë fëmijë në planetin që jetojmë. Në vitin që u linda unë, në fshatin tonë u krye kolektivizimi. Babai im nuk vendosi të bëhej anetar i kooperativës bujqësore për arësye se ishte i sëmurë, pra i paaftë për të punuar. Nuk kundërshtoi marrjen nga koop. bujqesore të tokës edhe të atyre pak bagëtive që kishte familja. Filluan masat ndëshkimore që diktatura filloi të ushtrojë kundër prindërve të mi dhe ne fëmijve të vegjël; – na u pre kontigjenti i drithit që shteti jepte për çdo pjesëtar familjeje në atë kohë dhe më von me krijimin e furrës së bukës, nuk na lejohej fare blerja në të.  Nuk na lejuan të mbanim dhi ose lopë. Disa nga kuadrot që u vendosën në drejtim të kolektivizimit dhe pushtetit në fshat dhe më von në krahinë ishin ekstremistë që nuk i ndeshëm në jetë kur u rritëm në asnjë vend të Atdheut. Mbaruam  shkollat e mesme ne fëmijët e “armikut të popullit”(kështu i cilësuar nga “nëna parti” dhe sigurimi i shtetit) Margarit Dilo, duke u strehuar në të afermit tanë në qytete të ndryshme. Një parantezë këtu: me dekonspirimin e dosjeve, kam në dispozicjon përndjekjen  që na behej nga sigurimi i shtetit neve pjesëtarve te familjes Dilo. Këtu e gjej shpjegimin e përjashtimeve që më janë bërë nga bangat e shkolles në vitet e gjimnazit, por falë rrjetit të madh familjar që patëm në qytete të ndryshme dhe më strehuan munda ta mbaroj shkollën e mesme. E nisa në Fier, shkova në Tiranë, Gjirokastër, dhe e perfundova në Fier. Dua të vë në dukje dashurinë me të cilën më rrethonin shokët dhe shoqet e shkollës, dashurinë dhe kujdesin mësuesëve dhe mësueseve të mirë që asnjëherë nuk më diferencuan nga nxënësit e tjerë. Ky kontigjent i ndershëm pati kurajon të evidentojë talentin që vinte re te kjo gjeneratë e familjes DILO. Por, kudo dyer të mbyllura për të vazhduar shkollën e lartë. Nëna ime me deftesat e maturës të fëmijëve të saj, me rezultate shumë të larta, nuk la derë pa trokitur, nuk la shok të vëllait të saj (funksionare të lartë partie dhe shteti në atë kohë ) pa takuar por megjithë pritjen e mirë nuk mundi të siguronte një vend në auditoret e universitetit për fëmijët e saj. Për hir të së vertetës dëshmoj: Pas takimit që pati me një nga shokët e Panos, funksionar i lartë partie, përgjigjen e mori nga gruaja e tij funksionare e lartë dhe kjo, në një letër që i dërgonte organizata bazë e partisë së Zagories. Në këtë letër kërkohej që neve fëmijët e Viktorisë të na grumbullonin në fshat dhe po të mos bindeshim të na shpinin në Spaç ku kishim xhaxhanë. Për fat të mirë kjo letër, nga postjeri, ra në duart e kushëririt tim të parë funksionar partie në atë kohë në Zagorie. Kjo letër sot eshtët në arshiven tonë familjare bashkë me shumë karakteristika “të nxira” dërguar në ndërmarrjet ku punonim nga dhendurrët e soit të saj, funksionarë partie në atë kohë në Zagorie. Kudo në Shqipëri pati njerëz të ndershëm që u dhimbsej Atdheu, njerëz që pavarësisht se militonin në parti ose kishin vende drejtuese nuk pajtoheshin në ndërgjegjen e tyre me padrejtësitë që bëheshin. Me ndryshimin e sistemit, jo vetëm që na treguan për përndjekjen që na bëhej por na dhanë dhe këto ” karakteristika”.

ZHVARRIMI I ESHTRAVE TË ILIA DILO SHEPERIT

Në vitet 1970, si rezultat i ashpërsimit të luftës së klasave në Shqipëri, pati një organizim të emigracionit të jashtëm për të përmbysur bandën kriminale që sundonte popullin shqiptar. Shkaqet e dështimit të kësaj inisjative tani janë bërë të njohura publikisht. Duke dështuar kjo inisjative, emigracioni i jashtëm veproi në disa nga legatat shqiptare duke u sjellë atyre shqetësime. Rast ideal për zonjën dhe zotërijtë funksionare për të goditur familjen DILO. Pse?

Se ata mediokër kujtonin se në një përmbysje pushteti familja jonë do të hakmerrej për krimet që kishin kryer karshi saj. Sigurimi i shtetit, sipas urdhërave të këtyre funksionareve, akuzoi xhaxhanë tonë Jani Dilo si një nga krerët e këtyre lëvizjeve. Ka folur pjestarë të familjes sonë dhe u ka kërkuar që të bindnin Janin për t’u kthyer në Shqipëri. Si peng arrestojnë në Fier xhxhanë tim Koço Dilo, me akuzën se ke ndërmend të arratisesh. Në hetuesi Koçon dhe jashtë përgatitën opinionin se do ta ekzekutonin. Jani, njeri me potencë në shtetin ku jetonte, i dërgon një letër E.Hoxhës, M.Shehut dhe një kopje në familje ku sqaron qëndrimin e tij politik dhe kërkon nga ata që të mos keqtrajtojnë familjen.

SIGURIMI I SHTETIT PRESIONE NË FAMILJE DHE IZOLIMI I PLOTË I SAJ

Vdes në këtë kohë në moshën 62-vjeçare Babai im. Partia dhe sigurimi ndaluan bashkëkrahinasit të mirrnin pjesë në ngushëllim e varrim, ndaluan gjithashtu hapjen e varrit. Familja jonë hapi vetë varrin dhe arkivoli u përcoll për në vorreza nga ne pjestarët e familjes. Megjithëse fëmijë, kam ndihmuar në hapjen e varrit të Babait tim dhe kam mbajtur mbi supet e njoma arkivolin e tij. Pangopësia kanibaliste e atyre monstrave, se njerëz nuk mund t’i quajmë, që ishin në krye të partisë dhe pushtetit qoftë në  bandën kriminale që sundonte vendin apo në krahinë e fshat arriti deri atje sa të xhvarrosnin dhe të hiqnin zvarrë eshtrat e Gjyshit tim Ilia Dilo Sheperi. Xhaxhai im Qirjako Dilo, njofton E.Hoxhën për këtë vandalizëm dhe i vë në dukje se sakrilegj (ngacmimi i të vdekurit) është i ndaluar që nga krijimi i njerezimit në tokë. Letra i ra në dorë E.Hoxhës dhe ai dergoi një anëtar të Komitetit Qendror për të verifikuar. Për 10 vjet rresht u zhdukën në mosha jo të vjetër bijtë dhe bijat e Ilia Dilo Sheperit. Për 10 vjet rresht kjo familje hapi vetë varret për familjarët dhe mbi supet e tyre mbajti arkivolet e të afërmve. Një detaj për të njohur brezi i sotëm Shqipërinë dhe shqiptarët e atyre viteve; kur vdiq në Fier bija e I.D.Sheperit Viktori Dilo, sot “Mesuese e Merituar”, kortezhi që e shoqëroi trupin e saj kur e nisëm për në Sheper, ishte shumë i gjatë dhe kurorat të shumta. Në Sheper kur neve familjarët kaluam me arkivolin mbi supe përpara shtëpisë së Kulturës, nga autoparlantet e saj buçiti kënga”…kjo është shpata që u rri te koka, gjith’ armiqve që ka bota”.

FARKËTIM I “NJERIUT TË RI KOMUNIST” ME NDJENJA KANIBALISTE”

Arrestojnë në këtë kohë në Nivan ( Zagori), Enrik Qirjako Dilon, duke e shtrirë në shesh dhe  goditur, katër kriminelë- operativi, polici i zonës dhe dy spiuna. Ky akt sa i ulët dhe i poshtër u krye në sy të Nënës së tij plakë Ifi Harito Dilo, të motrës dhe të vllait të Enrikut. Të prangosur me tel me gjëmba para se ta hipnin në” gazin e degës punëve të brendshme”, i grisën këmishën për të penguar gjakun që i rridhte nga duart e mos t’u lëroste makinën. Pas dy muajsh torturash çnjerëzore në birucat e degës punëve të Brëndshme në Gjirokastër (duke përdorur dhe elektroshok), e degdisën në spitalin psikiatrik të Elbasanit.

FILLIMET E DEMOKRACISË, VRASJA DHE MASAKRIMI KUFOMËS NË PRAGUN E SHTËPISË TË NËNËS KALIOPI DILO

Në vitin 1991, në grupin e afaristëve shqiptaro-amerikanë ftuar nga shteti shqiptar ishte dhe xhaxhai ynë Dr.Orest Dilo M.D. Ai i premtoi shtetit shqiptar se do të ivestonte kapitale të rëndësishme në Atdheun e tij. Me t’u kthyer në Amerikë ai dergoi një  komision specialistësh në Shqipëri për të bashkërenditur aktivitetin e investimeve. Në këtë kohë në Sheperin tonë një dorë e fshehtë me pseudonimin “dora e zezë ” shpërndante trakte ku theksohej hakmarrja që do të bëhej në qoftëse përmbysej shteti. Në këto lista ekzekutimi ishte emri i Nënës plakë Kalopi Dilo që jetonte e vetmuar në trojet e Familjes Dilo. Një natë të errët në fundin e Janarit të vitit 1991 një bandë kriminelesh ekzekuton tek pragu i shtëpisë Nënë Kalopin. Një ekzekutim që ngjason me epokën kur njeriu ishte në barbarizëm; ekzekutim me goditje me shkopij, nxjerrje syshë dhe prerje kokë me thikë. Për të humbur shenjat, përdorën dhe acidi në kafkë. Punonjësit e degës së punëve të Brëndshme dhe hetuesi që morën pjesë në kqyrjen dhe ekspertizën deshën ta mbulonin krimin me vdekje klinike dhe ngrenia e kafkës nga qeni i shtëpisë. Por falë insistimit të popullit të fshatit dhe krahinës për të zbuluar ketë krim të paparë gjatë gjithë ekzistences së jetës në ketë krahinë dhe nga deklarata e mjekut të zonës se kafka nuk është ngrenë nga qeni por është përdorur acid për zhdukje gjurmësh, u bë e mundur kapja e kriminelëve. Në një gjyq të zhvilluar në Gjirokastër në atë kohë pati tendencë për lenien të lirë të krimineleve. Por, në sajë të presionit që pati nga salla ku kishte dhe ish punonjës të drejtësisë të atij regjimi, gjykata u detyrua të japi dënime nga 2-14 vjet për pjestarët e grupit.

SHTYPI I KOHËS E TRAJTOI KËTË VRASJE ME TËMËN “ADOLESHENTËT DHE ETHET E FLORIRIT”

Për të ardhur keq: A quhen adoleshentë 40-vjeçarët dhe 25-vjeçarët? A mund të kenë mbetur flori në një shtëpi që është bastisur dhe sekuestruar disa herë nga arma e sigurimit të shtetit? Në shtëpinë e Nënë Kalopit u gjetën vetëm 2000 lek të vjetra. Pas një viti me ndërhyrjen e një funksionari shteti që mbulonte “drejtesinë “, kriminelët u lanë të lirë. Me daljen e ligjit për lëvizjen e lirë të njerëzve, pjesa dërrmuese e pjestarëve të Familjes se Ilia Dilo Sheperit emigruan në shtete të ndryshme. Të etur për dije, atë privim që patën në Atdheun e tyre për t’u arësimuar, brenda mundesive të emigrimit u perpoqen ta realizojnë në shtetet ku shkuan. Për fëmijet e tyre benë çdo sakrificë që të uleshin në bangat e auditoreve të universiteteve, dhe ja arritën qellimit.

Sot në dy kontinente japin kontributin e tyre intelektual 11 bij dhe bija të këtij fisi. Neve brezit që na u mohua e drejta e studimeve universitare dhe e botimit në ato fusha ku kishim talente, jemi krenarë që me daljen në emigrim i realizuam këto objekiva.

NJË MESAZH SI FORMË PAQËTIMI

Përfitoj nga rasti të përcjell mesazhin tim për popullin shqiptar dhe brezat që vinë: Kthej kokën pas dhe me kujtohen porositë e prindërve, xhaxhallarëve, hallave…Kohët do të ndryshojnë bij dhe bija por kini parasysh: Që vendi të eci përpara duhen: edukim, edukim, edukim dhe tolerancë. Mos u bëni të liqve atë që na bënë neve ata se dhuna bie dhunë dhe është produkt barbarizmi.

Filed Under: Featured Tagged With: Eduard dilo, Ilia Dilo Sheperi, Sokol Paja

Dritë-hije shqiptaro-amerikane mbi çështjen Berisha

September 10, 2021 by s p

Valentin Lumaj *

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit, nuk përfaqëson mendimin dhe qëndrimin e Vatrës dhe të asnjë organizate apo subjekti ku autori bën pjesë.  

[Partia Demokratike po kalon nje knock-down akut. Sali Berisha dhe forcat e vërteta të djathta kanë dy rrugë: ose të mblidhen bashkë dhe të rrëzojnë renegatin Basha dhe të rifitojnë integritetin e Partisë Demokratike, ose le të mblidhen dhe t’i bëjnë një funeral dinjitoz Partisë Demokratike, t’i japin nderimet e fundit me të gjitha respektet siç e meriton, dhe në epitafin e “gurit të varrit” të shkruajnë: “E themeluan disa heronj shqiptarë dhe e vranë disa shqiptarë tradhëtarë”. Ky do të ishte një fund mëmë nder sesa të lejojnë të tërheqin zvarrë apo përçudnojnë partinë dhe vlerat që ajo mbart. Mbas këtij funerali, lirisht ajo çka mbetet me në krye Bashën le të quhet “Partia e Hapur George Soros”].  Kur Amerigo Vespucci në vitin 1497 apo me herët Christofer Colombus ne vitin 1492 ishin “amerikanët” e parë që zbuluan kontinentin e ri apo ‘Botën e re”, shqiptarët me një shtrirje të gjerë në gadishullin Ilirik, kishin kaluar me kohë periudhën e ndritur të civilizimit dhe të organizimit shoqëror apo të themelimit e vetëdijes kombëtare me shtetin modern të Gjergj Kastrotit-Skënderbeut. 500 vitet në vazhdim do të punonin për  amerikanet, të cilët sot e për shume dekada jane qendra e zhvillimit ekonomik dhe shembulli më i mirë i aplikimit të lirive dhe të drejtave njerëzore.

Ndersa shqiptarët vërtiten për shumë shekuj ne rrethin vicioz te vetëkënaqësisë të të qenit autoktonë, por të mbeshtjellë me dy tipare shkatërrimtare siç janë korrupsioni i brendshëm dhe vasaliteti ndaj të huajve. Korrupsioni, sikrse gjarpëri i cili ngihet duke ngrënë bishtin e vet, ka çuar Shqipërinë në një varfëri ekstreme të vazhdueshme dhe ekonomi të pazhvilluar, ndësa nëpërmjet vasalitetit apo nënshtrimit ndaj të huajve, shqiptarët kanë humbur në vazhdimësi territore dhe kanë “ngrënë” kokën njëri-tjetrit.

Për më shumë se 100 vjet,Shqipëria dhe Amerika kane pasur mardhënie të shkëlqyeshme në mes tyre, ku shqiptarët shohin tek Amerika mikun e tyre më tëmire, ndërsa amerikanët tek ne, partnerin strategjik. Megjithatë, shqiptarët në përgjithësi dhe me shumicë shqiptaro-amerikanët i ka mbërthyer nje ngërç, mëdyshje apo dyshim, kjo në lidhje me vendimin e Sekretarit të shtetit Amerikan Blinken duke shpallur ish-presidentin shqiptar Sali Berisha “non-grata” dhe akuza ndaj tij për korrupsion dhe si sgjatim i këtij vendimi vjen edhe vendimii Lulzim Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar. Nga këndi im i vështrimit qe vjen nga një horizont shumë mëi gjerë se i politikës dritëshkurtër shqiptare të ditës, si një demokrat i bindjeve te djathta dhe konservatore, pa pasur asnjë interes peronal apo mëri personale me askënd në politikën shqiptare por I mbruajtur nga eksperienca e jetës time ne dy sistemet politike ne Shqipëri, por edhe të përmirësuar nga eksperienca dhe angazhimet  mbi 20 vjeçare në Amerikë, do të mundohem si shqiptaro-amerikan qe të shpjegoj këto dy vendime të sinkronizuara në “të dyja anët e medaljes”, me dëshirën për të mos ia “ngrënë” hakun” askujt. Si shqiptar, për mua Sali berisha është një hero, një lider karizmatik, hipnotizues nga më të rrallët shqiptarë, emblemë e njeriut punëtor dhe qëndrestar, kryetari historik i Partisë Demokratike, njeriu që i priu demokratëve shqiptarë në qindra mitingje në rrugë e sheshe, gjithmonë në kërkim të së drejtës dhe më të mirës për shqiptarët.

Progresi dhe arritjet më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, kanë firmën dhe vulën e Sali Berishes. Nga ky kontekst, i cili mund të jetë shumë më i zgjeruar se kaq, Sali Berisha i tejkalon caqet e një individi të aftë, të dijshëm apo të famshëm dhe merr tiparet e një institucioni më vete ose e thënë më qartë, Berisha është një aset kombëtar i shqiptarëve. Në shekuj shoqëria shqiptare ka prodhuar shume figura të ndritura dhe heronj, të cilët kanë kryer vepra dhe punë të mira për kombin e tyre, dhe po shqiptarët për arsye meskine, mospërputhje idesh dhe botëkuptimesh dhe me se shumti nën influencën e të huajve, i kanë perbaltur dhe shkatërruar, duke shkatërruar kështu pjesë të dritura të historisë së tyre. Shqiptarët si një komb i vogel, kurrë nuk duhet që ta kenë luksin që të shkatërrojnë produktin e vet apo “vrasin” heronjt e vet. Sali Berisha është një aset kombëtar dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe të ruhet. Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Berishën nga grupi Parlamentar i PD-së, në një farë mënyre legjitimon vendimin e DASH, por pa fakte dhe prova nga asnjëri institucion dhe i bazuar vetëm ne nënshtrim dhe vasalitet të plotë ndaj të huajve, qofshin këta hungarëzë apo amerikanë dhe në kundershtim të plotë me luajalitetin ndaj demokratëvë shqiptarë.Kjo e bën  vendimin eLulzim Bashes kryekëput të gabuar në të gjitha aspektet, si në atëligjor ashtu edhe atë moral apo ideologjik.

Në rrafshin ligjor, vendimi i tij personal është në kundërshtim të plotë me statutin e Partisë Demokratike dhe si i tillë eshte i pavlerë. As ai, as Kryesia e Partisë e as grupi parlamentar nuk e kanë atë fuqi të marrin njëvendim  të tillë. Vetëm Këshilli Kombëtar me votim dhe mazhorancë absolute mund të përjashtojë një deputet të zgjedhur me votë të lirë nga populli. Vendimi i tij është më shumë si i dalë nga zyrat e partisë së Punës apo asaj Socialiste të Edi Ramës sesa një vendim i njëkryetari të një Partie e cila pretendon se përfaqëson idealete shenjta demokratike, parti e cila ka shembur diktaturën 30 vite më parë. Për më tepër, vendimi i tij, i arsyeshëm apo jo, por i marrë nën presionin dhe influencen e faktorëve të huaj jo shqiptarë, cënon në mënyrëdirekte integritetin tij dhe të partisë që ai drejton dhe padit për një shitje për interesa vetjake të sovranitetit të organizatës më të madhë shqiptare përfaqesuese e shtresave të djathta.  Në rrafshin moral Lulzim Basha ka dalë i dështuar dhe i pafytyrë, hipokrit dh i pabesë. Kjo jo vetëm ndaj Berishës por ndaj Partisë tonë që ai drejton dhe të gjithë anëtarësisë së saj. I gjithë suksesi karrierës  se tij në politikëka prapavijën dhe mbështetjen e Sali Berishës pa të cilën mbështetje ai do të kishte mbetur një përkthyes i rëndomtëlokal.

Papritmas në momentinmë të vështirë, Luli kthehet ne “djalin plangprishës”, qengji kthehet në ujk, dhe kur Luli ja bën këtë“atit” të tij politik, mjerë demokratët e thjeshtë çfarë të presin prej tij. Në mëse 8 vite, qyshse Berisha dha dorëheqjen mbas humbjes së tij, Partia demokratike ka qenë në një rënie të lirë, një parti pa vision, pa frymë, pa demokraci të brendshme, pa zgjedhje të ndershme brenda partisë. Në këto 8 vite, Partia Demokratike ka njohur vetëm humbje, ka prodhuar të njëjtin kryeministër (pasi të metat e PD-së zgjodhën Ramën, jo sukseset e Ramës) dhe të njëjtin kryetar opozite njëkohësisht, një paradoks ky alla-shqiptar apo alla-turk. Thotë populli “I mbyturi të mbyt”. Lulzim Basha, ne këtë plejadë humbjesh spektakolare, ka marrë me vete zvarrë edhe Paprtinë Demokratike.Për të vetmen arsyepër të mbijetuar apo pluskuar si i ndyrë mbi ujërat dhe gjakun e pastër demokrat, Lulzim Bashaka eleminuar rrugës kundershtarët e tij brenda partisë, Sokol Olldasin, Jozefina Topallin, Astrit Patozin etj, së fundmi, Edit Harxhin, Agron Shehajn, apo Fatbardh Kadilin dhe në aktin e tij final makbethian, kërkon të fundosë edhe liderin historik Sali Berishën, shtyllën e vetme dhe të fundit të sëdjathtës shqiptare. Lulzim Basha harron se ai nuk gëzon asnjë mbështetje të ndershme të demokratëve, përjashtoj këtu atë të servilëve apo jeniçerëve, harron se rrënjët e Sali Berishës shtrihen thellë në bazën e Partisë Demokratike, tek ata të cilën nuk kanë folur akoma porse fjala e tyre do të jetë vendimtare, tek shumica absolute e diasporës, por më së miri Berisha i shtrin rrënjët tek e vërteta dhe integriteti i tij.

Vendimi i Lul Bashës, fundos veten e tij dhe Partinë Demokratike por jo Sali Berishën. Në fakt ky vendim pastron Berishën nga të gjitha dyshimet; Berisha po të kishte vrarë, do të dilte në pension me “nder” sikurse doli Gramoz Ruçi, po të ishte komunist do të ishte në pushtet sikurse janë pinjollët e nomenklaturës, po të ishte i korruptuar do të kishte oligarkët mbrapa sikurse i ka Rama, po të ishte i pabesë do të ishte akoma kryetar partie sikurse është Lulzim Basha.

Megjithate me dhimbje e shkruaj se Partia Demokratike po kalon nje Knock-doën akut. Sali Berisha dhe forcat e vërteta të djathta të kanë dy rrugë: ose të mblidhen bashkë dhe të rrezojnë renegatin Basha dhe të rifitojnë integritetin e Partisë Demokratike, ose le të mblidhen dhe t’i bëjnë një funeral dinjitoz Partisë Demokratike, t’i japin nderimet e fundit me të gjitha respektet siç e meriton, dhe në epitafin e “gurit të varrit” të shkruajnë: “E themeluan disa heronj shqiptarë dhe e vranë disa shqiptarë tradhëtarë”. Ky do të ishte një fund më më ender sesa të lejojnë të tërheqin zvarrë apo përçudnojnë partinë dhe vlerave që ajo mbart. Mbas këtij funerali, lirisht ajo çka mbetet me në krye Bashën le të quhet “Partia e Hapur George Soros”. 

Ky vendim, sikurse edhe vendimi i DASH, siç e kam thënë edhe më pare e nxjerr Berishën edhe më te fortë. Shpjegimin për këte të fundit e kam shtjelluar më poshtë.

Si amerikan,në çdo rast dhe rredhanë e kam për detyrë që të jem përkrah dhe në mbrojtje të politikës dhe interesit amerikan. Kur vendosa që të bëhem qytetar i Amerikës, jam betuar se do jemi besnik vetëm ndaj Amerikës dhe se heq dorë nga luajaliteti ndaj çdo vendi tjetër, përfshi këtu edhe vendin nga vij, Shqiperia. Nga ky kontekst, do të jem gjithmonë luajal ndaj çdo vendimi qe merr Senati, Kongresi apo Shtëpia e Bardhe, sigurisht këtu nuk përfshij vendimet e njëanëshme personale apo te segmenteve të dala jashtë orbitës së kontrollit të Shtëpisë së Bardhë.

Po si amerikan, aktin e sekretarit Blinken e konsideroj si një akt të pastër politik, për sa kohë nuk ka prova për këto akuza.Akuza të ngjashme me këto të Blinken për Berishën u bën katër vite më parë edhe nga partia e tij për Presidentin Trump, këto, spekulime të lidhjeve korruptive dhe bashkëpunimit të Trump me Rusinë apo Ukrainën. Kishte edhe “dëshmitarë dhe prova“. Si rezultat Kongresi amerikan votoi për pezullimin e Presidentit Trump. Por investigimet provuan se akuzat ishin të gjitha të pavërteta dhe Senati aprovoi pafajësinë e Presidentit Trump. Ky rast, në perceptimin tim, ngjan si dy pika uji me rastin Berisha. Po ti jepet kohë kësaj çështje, edhe Berisha do të dalë i pafajshëm.

Prandaj si amerikan, dua qe të qartësoj shqiptarët se përshtjellimi i krijuar së fundmi nga vendimi i sekretarit Blinken, më shumë se një politikë amerikane është një vendim i marrë nën influencën e të tretëve, në këtë rast Soros, i cili,bazuar në të dhëna të faktuara, në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane, ka qenë jo pak aktiv në rrëzimin apo humbjen e Presidentit Trump. Soros shpenzoi mbi $50 milionë dollarë për të rrëzuar Presidentin Trump në 2020, duke financuar kandidatët demokratë, dhe duke mbledhur shumat e dhuruara për organizatat ekstremiste Antifa dhe Black Life Matters, shuma arrin ne mbi 200 Milione dollare, këto enkas për te rrëzuar Presidentin Trump. Duke u bazuar në një artikull të FORBES tëdatës 21 Korrik 2021, Soros ka qene një mbështetës i vazhdueshëm iPartise Demokratike amerikane, i cili deri mësot ka dhuruar mbi 16.8 Miliardë dollarë për këtë parti.

Bazuar mbi keto të dhena, nuk eshte e veshtirë që të kuptohet se influenca e George Soros mbi Partine Demokratike apo Departamentin e Shtetit është e padiskutueshme.

 Po ashtu vetë sekretari i shtetit Blinken, përflitet për lidhje të ngushta dhe miqësi familjare me filantropin Soros tëcilat fillojnë nga i ati, Donald Blinken, ish ambassador i Amerikës ne Hungari.  Sipas gazetës Hungarian Spectrum, në vitin 2015 arkivat e (Shoqerise se Hapur) ne Universitetit Qendror Evropian (CEU) te George Soros u pagëzuan me emrin “Vera dhe Donald Blinken”, si vlerësim për kontributet e mëdha financiare të dhuruara nga këta të dy.

Ne një artikull te World Tribune të datës 21 Qershor 2021, thuhet se:“lidhjet familjare të Sekretarit të shtetit Anthony Blinken dhe George Soros i kanë rrenjët e thella…Blinken me shumë se punën e Departamentit të Shtetit po bën punën e Soros”.

Po ashtu në një artikull te dates 30 Nentor 2020 të gazetës Hungary Today, shkruhet: Donald dhe Vera Blinken, kanë ndihmuar financiarisht Universitetin Qëndror Evropian te Soros si dhe arkivat e Shoqerisë së Hapur. Gjithashtu në atë artikull thuhet: “…emërimi i Anthony Blinken si Sekretar i Shtetit është një lajm i madh dhe i gëzueshem për George Soros”.

Këto janë vetën disagrimca faktesh nga gazeta prestigjoze, të cilat hedhin dritë mbi ate të cilën Presidenti Berisha mbron pafajësinë e tij se vendimi i Sekretarit të Shtetit është influencuar nga filantropi Soros. Në fund të fundit, njerëzit dhuhet që të gjykojnë me faktet që janë mbi tavolinë. E vërteta  eshtë se deri tani kemi fakte te donacioneve miliarda dollarëshe të Soros për Partine Demokratike, lidhjeve miqësore Blinken-Soros, lidhjeve miqësore Rama-Soros, Kontrollin e OJQ-ve nga Soros. Eshtë fakt përplasja dhe armiqësia Berisha –Soros. Po ashtu,është e qartëse Berisha si njohës i shkëqyeshëm i gjeo-politikës rajonale me influencën e tij në viset shqiptareështë pengesë e planeve dhe projekteve të Sorosit. Nga ana tjetër përveç akuzës se Sekretarit të Shtetit, nuk kemi asnjë fakt që implikon Berishën  me këto akuza, prandaj për sa kohë mungojnë këto fakte, unë guxoj të jem një shën Tomë që “pa e vënë gishtin në plagë, unë nuk besoj”.

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit, nuk përfaqëson mendimin dhe qëndrimin e Vatrës dhe të asnjë organizate apo subjekti ku autori bën pjesë.      

Filed Under: Analiza Tagged With: Berisha, USA-SHQIPERI, Valentin Lumaj, Vatra

DEMOKRACIA DHE DEMOKRATURA

September 10, 2021 by s p

Nail  Draga

Demokratura, do të thotë diktatura në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për subjektët politike, ku përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare. Madje përvoja e deritashme dëshmon se  në skenën politike pluraliste është i pranishëm egozmi, autokracia e atavizmi duke i trajtuar subjektët politike si pronë private apo e një grupi të caktuar individësh,  veprim që krion paknaqësi sepse janë menanjuar individët me vlera profesionale, meritokraci e autoritet shoqëror, që ka ndikuar në dekompozimin e skenës politike  dhe te kohezionit të elektorati votues shqiptar  që nuk është në favor të realizimit të drejtave  qytetare e kombëtare sipas standardëve ndërkombëtare

Për  demokracinë vazhdimisht është shkruar duke e vlerësuar ate si nivelin më të lartë të drejtave qytetare e lirive të njeriut, që ka të bëjë me  shtetet demokratike, ndërsa e kundërta ka të bëjë me shtetet në ish kampin socialist, që për qytetarët ishte koncept i imagjinuar, sepse aty në vepër ishte diktatura e proletariatit e cila pati pasoja të mëdha për qytetarët e vendeve përkatëse. Por, më falimentimin e socializmit si rënd shoqëror dhe komunizmit si idelogji, edhe në këto vende me aplikimin e pluralizmit politik, demokracia e munguar u bë realitet, me formimin e subjektëve të ndryshme politike, duke demontuar dhe demaskuar sistemin monist. 

Demokracia e pakonsoliduar

Por, në sajë të mungesës së përvojës politike, si dhe të ambicieve lideriste, egoizmit dhe interesave personale e klanëve të ndryshme, demokracia filloi të humbi vlerat e saja,duke qenë një farsë demagogjike, sepse në praktikë filloi të jetë e pranishme demokratura që nënkupton diktaturën në demokraci. Ky koncept dhe kjo qasje në rrethana të reja shoqërore, paraqet pengesën kryesore për demokracinë funksionale, sepse vazhdojmë të jetojmë në periudhën e tranzicionit, përkatësisht të demokracisë së pakonsoliduar, e cila është e pranishme jo vetëm në hapësirën etnogjeografike shqiptare, por në tërë vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, me pasoja për qytetarët e vendëve përkatëse.

Nga monizmi në pluralizëm

Për rreth pesë dekada në monizëm cekëj me të madhe se pushteti buron nga populli dhe i takon atij të qeverisë. Madje kanë ekzituar edhe parulla të ndryshme që më ndryshime të vogla ishin identike në të gjitha vendet e ish kampit socialist. Por, të gjithë jemi dëshmitarë, për mungesën e të drejtave dhe lirive të njëriut, për të shprehur mendimin e lirë, sepse pasojat ishin skandaloze, nga dënimi e deri të internimi si armik i popullit. Dhe një epitet i tillë ka pasur pasoja për familjarët dhe të afërmit e tyre dekada me radhë, sepse ideologjia komuniste si bazament kishte diktaturën e proletariatit. Ndërsa me rastin e dështimit të komunizmit -monizmit si teori dhe ideologji praktike me shëmbjen e Murit të Berlinit me 8 nëntor 1989, për qytetarët e vendeve të ish kampit socialist filloj një frymarrje e re e cila kishte munguar rreth pesë dekada. Informacionet për vujatjet e qytetarëve në ato vende në emër të ideologjisë komuniste, janë tragjike dhe të paimagjinueshme për botën normale. Fakti se vetëm gjatë periudhës së diktaturave komuniste janë eliminuar rreth  100  milion qytetarë të popujve e shtresave të ndryshme sociale, është dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar falsitetin e sistemit të tillë. Praktikën e shëmtuar të “gulagëve” në ish Bashkimin sovjetik, u trashëgua përmes kampeve të internimit në Shqipëri, duke qenë modeli me monstrum i diskriminimit të qytetarëve në emër të ideologjisë së kohës, dhe luftërave të klasës, pasojat e të cilës janë edhe në ditët tona.

Për ne shqiptarët që kemi jetuar jashtë shtetit amë-Shqipërisë, në mungesë të informacionit nuk kemi pasur  të dhëna të drejtpërdrejta, andaj nuk e kemi kuptuar realitetin e kohës së diktaturës në Shqipëri(1944-1991). Ishte kjo koha e ndryshimit të sistemit shoqëror, me bazamentin ideologjik që në praktikë   ishte  ndër me të egrat në kampin socialist në Evropën Juglindore. Dhe nuk ka pasur si të ishte ndryshe, kur në emër të konceptit ideologjik u eliminuar vlerat intelektuale, shoqërore  dhe ato kombëtare, në emër të luftës klasore që ishte në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Demokratura dhe shqiptarët

Demokratura, do të thotë diktatura në demokraci, që manifestohet në pluralizëm, duke dëshmuar mungesën e demokracisë së brendshme, me pasoja për skenën politike. Në këtë aspekt përjashtim nuk bën as hapësira etnogjeografike shqiptare sepse në sajë të mungesës së përvojës politike pluralizmi u keqkuptua, duke menduar se do të eliminoheshin mënjëher defektet e monizmit. Ishte ky një iluzion, sepse në kuadër të partive të reja në skenën politike pluraliste u zgjodhën individë të cilët keqpërdorën pozitat e tyre udhëheqëse, duke shpalosur vlerat autokratike, me favore personale dhe klanëve të ndryshme. Një qendrim i tillë, me kalimin e kohës ndikoi në formimin e fraksioneve brenda partive, që më pas ndikoj në ndarje definitive duke formuar subjektin tjetër politik. 

Egoizmi, virus i demokracisë 

Një dukuri e tillë  legjitimoj formimin e subjekteve të veçanta politike, duke dëshmuar dekompozimin e skenës politike, dukuri që është e pranishme kudo në vendet e ish kampit socialist ku përjashtim nuk bën as Mali i Zi.

Në vend që dallimet e ndryshme brenda partive të eliminoheshin duke debatuar dhe gjetur konsenzus, lideret partiak nuk ishin të shqetësuar për përçarjet e brendshme partiake, përkundrazi ishin të gëzuar se po iu largoheshin të padegjueshmit, përkatësisht konkurentët brenda partisë. Madje, ka pasur raste kur konkurentët i “këshillonin” se nëse nuk iu pelqen formoni partinë tuaj, sepse pluralizmi ofron një mundësi të tillë. Kemi të bëjmë pikërisht me individët të cilët vuajnë nga virusi i  egoizmit, që me sjelljet e tyre autokratike, janë bërë të dëmshëm për subjektin politik dhe elektoratin votues  të cilin e përfaqësojnë.

Pluralizmi brenda shqiptarëve 

Nëse analizojmë këtë dukuri të shqiptarët në Mal të Zi, paraqet çështje për hulumtim të veçantë, sepse kemi të bëjmë me një popullatë numërikisht të paktë dhe në hapësirë të vogël, por numër relativisht të lartë të partive politike. Nga themelimi i partisë së parë politike LDMZ(1990), me pas janë themeluar parti tjera: UDSH(1993), PPD(2001), FORCA(2005), BDSH(2006), ASH(2006), PD(2011), LDSH(2016) etj., që janë shumë për një popullsi e elektorat të vogël.  

Shkaku kryesor  i paraqitjës së  ndarjeve apo frakcioneve brenda partiake, ka qenë në mungesë të  funksionimit  të demokracisë së brendshme partiake, sepse udhëheqësit e tyre kanë pasur qendrime egoiste, autokratike dhe ambicie  të sëmura lideriste. Veprimi i tillë ishte nihilist sepse nuk janë  vlerësuar kuadrat e brendshme, ndërsa nga ana tjetër nuk janë përpjekur për të  ofruar kuadra më integritet personal e profesional, e sidomos intelektual,  por ishte e kundërta duke i injoruar e larguar ata të cilët i kanë vlerësuar si konkurent të tyre në të ardhmën. 

LDMZ- model i veprimit autokratik

Rasti i LDMZ, paraqet rast për hulumtim sepse nga Lëvizje Kombëtare që cilësohej në vitin 1990, u degradu aq shumë duke u tkurrur vazhdimisht, duke mbetur pas tridhjetë viteve në nivelin e një OJQ-eje. E dhëna se kryetari i saj ishte në krye të kësaj partie për 29 vjet, mbetet rast i veçantë në pluralizëm, sepse kudo janë mbajtur zgjedhje dhe ndryshuar udhëheqësit, që janë në favor të subjektëve por edhe të pluralizmit politik, por këtu një dukuri e tillë ishte e panjohur, që ishte shkak i zhgënjimit të elektoratit votues shqiptar. Kemi të bëjmë me rastin tipik të demokraturës e cila është e dëmshme dhe me pasoja për çdo subjekt politik dhe qytetarët në mjedisin përkatës, që nuk është në favor të parimeve demokratike.

Vlerësimi në prezantim e përfaqësim

Hapja e subjektit politik nuk duhet të trajtohet si çështje formale por obligim ndaj antarësisë dhe elektoratit votues. Nëse në fillim të pluralizmit janë bërë gabime në sajë të pa përvojës politike, me pas përgjegjësia bie mbi forumet partiake, duke respektuar profesionalizmin e dëshmuar, meritokracinë dhe autoritetin shoqëror.

Në këtë aspekt çështja e kandidimit të individëve  në listat zgjedhore për këshilltar apo deputet duhet të jetë e hapur duke iu mundësuar të kandidojnë edhe individë të tjerë, e jo të jenë të rezervuara vetëm për disa persona, sipas shijes së kryetarit të partisë. Në këtë aspekt duhet të respektohet rotacioni duke iu dhënë rast  edhe të tjerëve. Vetëm në ketë formë do të respektohej parimi i vlerësimit partiak edhe për të tjerët në procesin e përfaqësimit dhe të prezantimit, sipas parimeve  të demokracisë pluraliste.

Autokracia si demokratura

Përfundimidht, për të gjithë duhet të jetë e qartë se për jetëgjatësinë e  subjektëve politike duhet të ekzistojë demokracia e brendshme, si rezultat i shprehjes së vullnetit në zgjedhjen e organëve partiake përmes procesit të votimit, në mes disa kandidatëve, e jo përmes aklimacionit, që paraqet demokraturën, përkatësisht autokracinë. Po ashtu duhet të percaktohet mandati i limituar(një plus një mandat), duke qenë  parim demokratik.

Duhet të eliminohet koncepti autokratik, një herë kryetar gjithmonë kryetar, duke kriuar kultin e personalitetit, si personin e vetëm dhe të pazëvendësueshëm. Përvoja e deri tashme dëshmon se një logjikë e tillë është  disfatiste me pasoja në kohezionin e eletoratit votues të subjektit politik që  është dëshmuar në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Demokratura, Nail Draga

Koço…

September 10, 2021 by s p

Gezim Zilja

  • Mos na rri kaq larg, pi një kafe me popullin,- dëgjoj një zë të njohur.
  • O Koço, nuk të pashë. Do ulem pa tjetër.-  Ora nuk ka shkuar ende shtatë, lokali është bosh, po Koçua e ka filluar ditën e punës.
  • O Pëllumb! Edhe kafe, raki për presorin!- iu drejtua pronarit. E kuptoj që çdo kundërshtim është fare i kotë. 
  • Më thanë që të erdhi djali nga Anglia,-  hapa muhabet.
  • Erdhi ore erdhi, po çe do që erdhi. Katër vjet kisha pa e takuar.  Nuk ndenjën në shtëpi, se unë jam akoma me mobiljet e Enverit. Ndenjën në hotel. Po vend kishim se unë vetëm me plakën jetoj.- Kishte një mllef të madh Koçua, që donte ta zbrazte. 
  • Po nipin e kishin marrë me vete?-  buzëqesha kot. 
  • E kishin marrë ore, e kishim marrë, po çe do. Nuk na njihte fare. Le që nuk e la e ëma të afrohej me ne!?
  • Po si kështu?
  • Na morën me plakën një darkë andej nga lokalet e shtrenjta, anës detit, po çe do. E bëri det me peshq e prodhime deti po nuk më shkonte poshtë. Më ngelën sytë te nipçja se e takoja për herë të parë. Po nusja….
  • E nga e ka nusen?
  • Nga fshatrat e Fierit. E ka gjetur vet atje në Angli. Po nuk më la ta përkëdhelja nipçen. Aman more, kanë kanë nënë e babë vetë këto gra a ç’dreqin kanë ?- shpërtheu Koçua. –S’vura gjë në gojë. Nja dy dopio i ktheva se më mërziti ajo m.. laleshke. Në shtëpi na solli djali. I la dhe njëqind euro në dorë gruas. Atje janë mbi komodinë edhe sot e kësaj dite. Plaka u vjen ndonjëherë rrotull por ia kam bërë benë se po i preku me dorë, do t’ia thyej brinjët,- hoqi në zemër, duke lëshuar një “uuufffff” të tejzgjatur. Mu bë se dhe deti atje tej e ndjeu psherëtimën, u drodh, e ndaloi valët për një çast. Duhej pa tjetër të ndërroja temë.

Dy vjet më parë Koçua u nda nga shoku i fëmijërisë Musai, që shkoi në Kanada. Qe një ndarje e vështirë. Ai i la amanet, që me kafen e mëngjesit, të porosiste dy gota, një për Musanë dhe një për vete. Pëllumbi ia sillte çdo mëngjes pa folur. Koçua e cikte gotën, e thoshte: – Të paça o byrazer!- Kthente një gllënkë nga e tija dhe pastaj nga e shokut. Kur u ula, vura re, që çuditërisht mbi tavolinë ishte vetëm një gotë. Kjo ishte arsye për të ndërruar muhabet. E ngacmova: – Koço! Po ç’ne një gotë? Sikur…-  Ngriti sytë e thellë, që ende nuk e kishin humbur blunë e detit, kaloi dorën mbi flokët e rralluar, pastaj mbi fytyrën e pa rruar dhe mu drejtua gjithë seriozitet:

  • E kam lënë o presor. Doktori më tha që e kam copë mëlçinë. Kjo që shikon është e Musait. Si thua ti, të mos e pi?! Po e kam amanet ore dhe amanetin nuk e tret dheu. E rrëkëlleu me fund dhe mu drejtua: -Hë si thua tani?- 
  • Tani,- i thashë,- Musai nuk do të mërzitet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ese, Gezim Zilja, Koco

Mjaft më me përçarje

September 10, 2021 by s p

Sadik Elshani

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm është e drejta e jonë e ligjshme që na është mohuar padrejtësisht nga të tjerët. Bashkimi kombëtar duhet të jetë në qendër të vëmendjes, përpjekjeve tona, duhet të jetë synimi ynë përfundimtar, kurorëzimi i ëndrrave të brezave të tërë të atdhetarëve tanë që tërë ia kushtuan çështjeve madhore kombëtare. Edhe nga shtrati i vdekjes akademik Mark Krasniqi na porosiste, na linte dëshirën e tij të fundit, amanitin e tij: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Si do të arrihet dhe kur do të arrihet bashkimi kombëtar, kjo çështje varet nga shumë faktorë, të jashtëm dhe të brendshëm. Në ndërkohë duhet ta ulim kokën e të punojmë, të ndërtojmë dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë dhe të përpiqemi që vëllezërit tanë në Çamëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Sanxhak, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore e kombëtare. Në këtë shkrim të shkurtër nuk dua të përqëndrohem në rrugët sesi mund të arrihet bashkimi kombëtar, këtë do ta bëj në një shkrim tjetër më të zgjeruar, të cilin ka kohë që e kam ravijëzuar (skicuar). Ka shume rruge, forma, ecuri për ta arritur ëndrrën shumëshekullore të shqiptarëve: bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Por, bashkimi kombëtar kurrë nuk do të ndodhë nëse shqiptarët e ndjekin rrugën e mbrapshtë të përçarjes. Pra, hapi i parë drejt një bashkimi kombëtar është që t’i lëmë anash zënkat meskine, intrigat e përçarjet e pakuptimta me njëri-tjetrin – dukuri të shëmtuara që janë duke e dëmtuar rëndë kombin tonë. E për fat të keq, kombi sot shumë keq na është përçarë. Ndoshta ende nuk e ka arritur atë shkallën alarmante, por nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur, dëshiruar: përçarje në të gjitha nivelet, nga shoqatat, institucionet, organizatat e ndryshme e gjer në nivelet më të larta ndërshtetërore, Kosovë – Shqipëri. Përçarje në trojet tona etnike, përçarje në diasporën shqiptare. Ndoshta disa përcarje nëpër shoqata, organizata, grupime bashkatdhetarësh në shikim të parë na duken të parandësishmë e që nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, por në të vërtetë janë shenja, simptome të një sëmundjeje të rëndë që kanë kapluar edhe nivelet më te larta shtetërore, institucionet më të larta arsimore e shkencore: universitetet dhe akademitë e shkencave. Prandaj, edhe këta politikanë, këta udhëheqës partiakë e shtetërorë nuk kanë pikur nga qielli, por kanë dalur nga gjiri i kësaj shoqërie.  Shoqëria e shëndoshë, e bashkuar nxjerrë prijës që bashkojnë, ndërsa shoqëria e përçarë nxjerrë përçarës. Edhe diaspora shqiptare që jeton e vepron, që është pjesë e shoqërive të përparuara demokratike përendimore, nuk është immune ndaj këtyre dukurive negative. Ja, edhe këtu në ShBA, në diasporën shqiptaro – amerikane që jeton e vepron në shtetin më demokratik të botës, po ndodhin përçarje nëpër shoqata e organizata të ndryshme. Para ca javësh u bë e njohur në shtypin e diasporës se një përçarje ka ndodhur në Pan – Albanian American Congress – PAAC (Pan Kongresi Shqiptaro – Amerikan), një grupim i formuar vetëm disa muaj më parë nga njerëz të edukuar, veprimtarë të dalluar shumëvjeçarë të bashkësisë sonë, me qëllimin për t’i promovuar vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve. Në këto raportime u bë e njohur se dy anëtarë janë përjashtuar nga kryesia, ndërsa këta dy anëtarë në faqën e PAAC -ut njoftojnë se Bordi Themelues i Kongresit i ka përjashtuar kryetarin dhe një anëtar të kryesisë. Nuk i di rrethanat e kësaj përçarjeje, kush ka të drejtë e kush është gabim – kjo ka pak rëndësi, sepse nuk kam ndërment t’i shes mend, moral askujt, nuk dua ta luaj rolin e gjyqtarit, arbitrit. Emrat nuk janë me rëndësi, sepse ne i kemi emrat tanë vetjak (personal), por para kombit e botës jemi vetëm, shqiptarë. Por, ajo që është shqetësuese është fakti se një grupim i vogël njerëzish të shkolluar, të përkushtuar që veprojnë në një shoqëri demokratike nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ata që janë atdhetarë, që punojnë për kauzat e larta të kombit e atdheut duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, gjuhën e kompromisit – gjuhën e atdhedashurisë. Është krejt normale që për cështje të ndryshme të ndieshme të diskutohet, të argumentohet, të debatohet, të ketë mendime ndryshe e mospajtime,por në fund interesat e atdheut, kombit duhet të mbizotërojnë mbi ato personale. Njerëzit e arsyeshëm gjithmonë e gjejnë një gjuhë të përbashkët, arrijnë në një kompromis të pranueshëm nga të gjitha palët. Pse të përfundojmë me zënka, përçarje?! Shqiptari shqiptarin nuk e ka armik, por vëlla. Për fat të keq, edhe Vatra, njëra nga organiztat më emblematike të historisë sonë kombëtare, po ballafaqohet me një dukuri të tillë. Edhe në këtë rast nuk dua as ta fajësoj e as ta mbroj asnjërën palë të përfshira në këto debate të brendshme. Por, kjo nuk është mirë. Shoqatat, organizatat, grupimet e ndryshme në diasporë, që veprojnë në shoqëritë, shtetet demokratike e me përvoja të gjata qytetarie duhet të jenë shembull për të mirë për të gjitha institucionet shoqërore, arsimore, kulturore e shtetërore në trojet tona etnike. Të jenë shembull sesi duhet organizuar e vepruar për të mirën e kombit. Rrushi e sheh rrushin e piqet – thotë një fjalë e urtë e jona. Dikush duhet të shërbejë si shembull. Të mos e zhgënjejmë popullin tonë, sepse ai shpreson dhe pret shumë nga diaspora shqiptare. T’i japim shpresë popullit e t’i tregojmë botës se edhe ne jemi të zotët që të krijojmë një shoqëri të përparuar, të ndërtojmë institucione serioze dhe shtet të qëndrueshëm e ligjor. Zënkat, përçarjet duhet të jenë shumë shqetësuese për të gjithë,sepse janë shenja të një shoqërie kaotike, të sëmurë. Prirjet tona për zënka meskine, arrogancë e kapadaizëm, përçarje, janë duke u pasqyruar qartë edhe në nivelet më të larta të dy shteteve tona shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Sot, kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie shumë më të mira, më të ngrohta, më të përzemërta me presidentin e Serbisë sesa me kryeministrin e Kosovës. Ka absurd më të madh se ky, ka nevojë për ndonjë koment më tepër?! Dhe këto marrëzira po ndodhin pikërisht në këto çaste kyçe kur të gjithë duhet te jemi të bashkuar për ta forcuar shtetësinë e Kosovës, përparuar gjendjen, përmirësuar pozitën e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, por jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë e Kosovës. Në rrethana të tilla është e pamundur që të kemi një vizion të qartë për të ardhmen, një strategji të përbashkët kombëtare. Nga këto përçarje janë duke përfituar vetëm armiqtë tanë. Bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet me shqiptarë të përçarë. Mjaft më!

Philadelphia, më 9 shtator, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: komuniteti shqiptar, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2850
  • 2851
  • 2852
  • 2853
  • 2854
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT