• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“POROSIA E KULLËS” LIBRI ME AUTOR DR. PASHKO R. CAMAJ U PËRURUA NË NJË TAKIM LETRAR TË ORGANIZUAR NË FAKULTETIN E EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË

June 28, 2025 by s p

Universiteti “Fan S. Noli” – Korçë/

📖Në Universitetin “Fan S. Noli” u përurua libri i autorit, dr. Pashko R. Camaj me titull “Porosia e kullës”, në një takim letrar të organizuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Onufri”.

🎓Takimin e hapi përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në takim: pedagogë dhe studentë të FEF, poetë, shkrimtarë e dashamirës të librit, si dhe të ftuar të tjerë. Ai i njohu ata me dr. Camajn jo vetëm si autor i librit, por edhe si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York, SHBA.

✴ Në fjalën e saj, dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho theksoi se nëpërmjet porosisë së Kullës, malësorët dhe shqiptaro-amerikanët në përgjithësi të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe në Amerikën e largët. Ajo tha se ky libër emocionues është një rrëfim mbresëlënës i jetës së autorit. Realizimi i ëndrrës amerikane dhe malli, dashuria e dhimbja për atdheun e të parëve.

✴ Vlerësime për librin përcolli edhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri, i cili u ndal edhe në disa momente të veçanta nga puna me autorin, duke e çmuar për talentin dhe modestinë që e karakterizon.

✴ Më pas, pedagogu, dr. Ilir Shyta u ndal në disa momente të veçanta të këtij libri me përmbledhje tregimesh të vërteta mbi përvojat që autori, motrat, vëllezërit dhe të afërmit e tij kanë kaluar nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.

🙏Falënderime të sinqerta përcolli për këtë organizim edhe vetë autori dr. Pashko R. Camaj, i cili në këtë takim u nderua edhe me dy vlerësime të veçanta. Një vlerësim nga Klubi i Shkrimtarëve “Bota e re”, Korçë, si dhe nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, ku Dekania i dorëzoi atij Certifikatën e Vlerësimit me këtë motivacion: “Në vlerësim të kontributit të tij të vyer profesional dhe angazhimit të plodhur publik, që kanë ndihmuar në rritjen e vlerave të komunitetit shqiptar në SHBA. Si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, dr. Camaj ka dëshmuar përkushtim të veçantë ndaj ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në Diasporë”.

✴ Takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit, të cilët treguan interes për shkrimin e këtij libri dhe rrëfimet e autorit, duke sjellë edhe momente nga jeta e përvojat e tyre larg atdheut.

🤝Autori, dr. Pashko R. Camaj dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri zhvilluan më pas një takim edhe me rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ku diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në të tjera veprimtari.

Filed Under: Politike

SHKRIMTARI DARDAN HAMIT GURGURI PËR PLAGËT E MËDHA TË ÇAMËRISË

June 28, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ /

(Rreth romanit “Çami, te Guri Polar”)

Për fatin tragjik të copëtimit të Shqipërisë dhe fatin e shqiptarëve të shpërndarë anë e kënd botës, historia thuajse e ka thënë fjalën e saj. Kurse letërsia, me gjithë përpjekjet e deritanishme, ka ende shumë për të bërë. Ta trajtosh rrugëtimin e atdheut dhe popullit të tij artistikisht, natyrisht që është një veprim me vlera të mëdha, pasi aty përfshihet edhe ana emocionale, përjetimet dhe bota e brendshme e individit, drama, vuajtjet shpirtërore e fizike që ai kalon, gjykimet për ato që ndodhin e deri edhe karakteri i tij, dashuria për vendlindjen, për të afërmit, nostalgjia e malli, deri dhe krenaria për të parët, ëndrrat e shpresat për ditë më të mira etj. Prandaj, masa e njerëzve, përveç atyre që ka mësuar nëpër shkolla, ka nevojë dhe i mirëpret librat që letrarisht bëjnë fjalë për ngjarje sa të dhimbshme, ashtu dhe të gëzueshme, a figura përfaqsuese të dala nga gjiri i popullit, si ata që kanë pasur peshë e ndikim në to, ashtu dhe ata të zakonshmit, por që thjeshtësisht e pa bujë, kanë manifestuar vletrat e larta të shqiptarëve ndër shekuj. Ja pse njeriu ndien respekt për këdo që krijon vepra të tilla, ku ndjenja kombëtare shpaloset me gjithë vërtetësinë dhe madhështinë e saj. E ca më shumë kur këto vepra kanë për autorë, shkrimtarë si i nderuari Hamit F. Gurguri që atdhedashurinë e ka treguar në të 65 librat e tij, apo siç bën edhe te ky romani i botuar tash së fundi me titull “Çami, te Guri Polar”. Pra, një bir Dardanie që jeton prej mbi tre dekadash në Suedi, merr si temë për librin e tij, plagën e pambyllur të Çamërisë. Autori ka zgjedhur që këtë roman ta shtrijë afërsisht në harkun e një shekulli dhe t`i ndajë ngjarjet pak a shumë, në dy treva: Çamëri dhe vendet Nordike, kryesisht Norvegji e Suedi. Duke e lexuar atë, të krijohet nga faqja në faqe, bindja se ke të bësh me personazhe dhe histori të vërteta, gjë që pasi e pyeta, ma pohoi dhe ai vetë. Në pamjen e parë, na paraqiten pjesëtarët e dy familjeve me emër të nderuar si në Pargë, ashtu edhe në Janinë. Ato janë me mbiemrat Naçi dhe Vironi dhe nderohen ngado, jo vetëm për ndershmëri, dashuri për vendin e tyre, por edhe për kulturën që kanë. Irena, e shoqja e Mihal Naçit dhe nëna e Albulenës dhe Naumit, ka studiuar në Paris dhe është mësuese e gjuhës frënge dhe historisë antike në gjimnaz. Kurse Baba Bekë, sheh i Teqesë Sufi, është i ati i Hajredinit që ishte dashuruar e martuar me vajzën e Irenës. Mirëpo, sido që këto familje pa paragjykime fetare, i kishin të gjitha për të bërë një jetë normale, përsëri e kishin atmosferën politike kundër, pasi Traktati famëkeq i Lozanës, i çelte rrugë dëbimit të viteve 1923 -25, të dhjetramijra çamëve, si myslimanë për Turqi, në shkëmbim të grekëve që jetonin atje. Kjo ndarje, kishte sjellë si pasojë edhe rreshtimin e shqiptarëve sipas fesë, në ushtri kundërshtare; pra shqiptari i regjimenteve greke, i drejtonte pushkën shqiptarit të ushtrisë turke, çka solli dhe vrasjen e Naumit në betejën e Izmirit dhe varrosjen e tij larg atdheut nga ushtari muhaxhir kosovar Naim Nikshiqi që luftonte për turqit, i cili si amanet i dërgoi letrën nënës së tij, Irenës. Kështu i qe vrarë asaj i ati për shkollën shqipe e më pas i shoqi në luftë me turkun. “Në atë shtëpi – sikurse shkruan autori – ishin afër vdekja dhe lindja, si dy binjakë!” Por kështu, do largohej para kohe nga kjo jetë edhe vetë profesoresha, pasi kur e caktuan si përkthyese me delegacionin që kishte ardhur për zbatimin e marrëveshjes për shkëmbim, nuk e duroi dot urrejtjen dhe hiletë që ata tregonin ndaj popullsisë epirote edhe pse ajo ua kishte renditur fije për pe historinë e tyre dhe njerëzit e shquar që Çamëria kishte nxjerrë. Nuk kishte duruar krekosjen e pacipë të kriminelit Napoleon Zervas i cili në prezencë të Ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, mburrej se kishte urdhëruar që të qëllohej me artileri anija me refugjatë çamë të përzënë drejt Turqisë, ku kishte shpëtuar vetëm mbesa e vogël e cila shoqërohej nga gjyshi Bekë që vetë u mbyt. Djali i Albulenës, Naumi i vogël, që e kishte rritur dhe edukuar gjyshja, kur Italia sulmon Greqinë, kapet rob më vonë nga gjermanët, teksa ishe nënoficer në ushtrinë greke dhe përfundon në kampin e Përqendrimit, në fillim në Gjermani, ku i fiksojnë në krah Nr. 71881, e pastaj në Norvegji. Shkrimtari na i ka dhënë me ngjyra të gjalla, sikur i ka përjetuar vetë, si mundimet e pafund të të burgosurve, ashtu dhe peripecitë e arratisjes së një grupi prej dymbëdhjetë vetësh, mes të cilëve ishte edhe Naumi. Terreni jashtëzakonisht i vështirë, i ftohti i papërballueshëm, urija e llahtarshme, rreziku i ndeshjes me patrullat apo kafshët e egra, ankthi nga e panjohura për ditë e ditë të tëra, bënë që gjysma e grupit të vdisnin atje mbi dëborë. Ja si shkruan ky autor për këtë marrshim të tmerrshëm, mbi dëborën e trashë: “Ecnin më ngadalë, asnjëri nuk po fliste… Në bazë tëtë hapave që bënin, dukej qartë se atyre iu bashkua edhe një tjetër bashkudhëtarë, dëshpërimi”. Por më në fund, arritën të kalonin në Arjeplug të Suedisë neutrale, ku gjetën njerëz guximtarë me shpirt të madh që i pritën dhe i mbrojtën si djemtë e tyre. Naumi këtu u shkollua dhe doli inxhinier. Ai u martua me një vajzë besnike, infermieren same Ida dhe kur mësoi nga një letër nga Melisa, komshia që u ishte gjendur në çdo situatë familjes së tij, se atje në Epir, Irena kishte mbyllur sytë dhe shtëpinë ua kishte marrë një oficer grek, vendos të qëndrojë përfundimisht në Suedi, tek ata njerëz që e donin dhe kishin bërë aq shumë për të. Në roman ka shumë ngjarje dhe ato gërshetohen mjaft bukur nga autori. Aty, vdekjet pasojnë njëra – tjetrën, por edhe solidaritet njerëzor manifestohet deri në detaje të vogla. Ata i qëndrojnë pranë dhe e ndihmojnë me gjithë shpirt atë që ka nevojë apo është në vështirësi. Duke u treguar tërësisht i drejtë, Hamiti, shkruan se kur ushtari vret të burgosurin jugosllav Millosh Banjac, që gaboi rrugën ku do të merrte qysqitë me të cilat do të thyenin gurët, komandanti urdhëron që sot të mos punohet se nuk ka kuptim dhe rojat i lejojnë ata që t`i bëjnë me dërrasa një arkivol. Pra edhe atyre u kishte mbetur një fije njerzillëku. Po ashtu, oficeri kujdestar i thotë Naumit që të bëjë dy ditë pushim, ngaqë i kishte ardhur lajmi i vdekjes së Irenës që ai e kishte si nënë. Hamit Gurguri, na e jep ashtu siç ka ndodhur edhe rolin shpesh të ulët e mizor që luajtën si disa kapo nga të burgosurit, ashtu edhe disa myftinj shqiptarë në kohën e shkëmbimit të çamëve me grekët e Turqisë. Për këtë autor, janë të huaja, fyerjet, sharjet, mllefet ndaj kujtdo. Ato le t`i nxjerrë si konkluzione vetë lexuesi. Për të ka rëndësi që brenda kuadrit të një romani, të na japë një shekull të tërë, aq të trazuar, ku u ndesh e mira me të keqen, dredhitë e Fuqive të Mëdha ndaj një populli nga më të vjetrit, të një populli që kishte dhënë kontributin dhe gjakun e vet edhe për lirinë e Greqisë, por që ajo nuk ia diti kurrë. Romani “Çami, te Guri Polar” është shkruar me një gjuhë fare të thjeshtë, për ta kuptuar i madh e i vogël, dardan apo çam qoftë ai. Për t`i ngulitur mirë në tru fjalët e profesoreshë Irenës se “Luftën nuk e dua… Këto viset tona, ani se nuk e deshën kurrë luftën, … ne na ndoqën luftërat, zaptuesit, herë na vinin nga veriu, nga lindja e herë nga perëndimi. Asnjeri, kurrë, asnjë nga ata nuk na solli të mirë… Asnjëherë… Sollën fatkeqësi të zeza, gjakderdhje, plaçkitje e mjerim…” E më tej vijon: “Si duket, burrat e djemtë në këto vise janë jetëshkutër”. Dhe fare mirë e tregoi këtë edhe ajo që bënë grekët pas çlirimit, me ata 23.000 burra, gra, fëmijë, pleq e plaka që pasi ua dogjën shtëpitë dhe u morën bagëtitë e gjithë ç`kishin, i nisën drejt Shqipërisë. Irena, ky personazh mjaft simpatik, me kohë e shihte se: “O Zot, si njëjtë përgjakshëm vepron në Kosovë me vëllezër tanë, Mbretëria e Jugosllavisë. Metodat e qëllimet të njëjta!” E për fat të keq, këtë e shohim edhe sot e kësaj dite, kur po ngjallen teoritë e Vasa Çubrilloviçit, formuluar qysh në 7 mars 1937 në platformën e ndyrë shoveniste për “Dëbimin e shqiptarëve”, nga ana e Gebelsit të Ballkanit Aleksandar Vuçiçit. Prandaj, të ngremë pa drojë para gjithë botës, zërin tonë të bashkuar e të fuqishëm, në mbrojtje të të drejtave tonë të nëpërkëmbura, si bij të Kombit më të vjetër të Evropës. Ky është edhe mesazhi që autori i nderuar Hamit Gurguri, kërkon të japë me këtë roman mjaft interesant që e ka vërtitur ndër duar për njëzet vjet rresht.      

Filed Under: LETERSI

KONFERENCA SHKENCORE KOMBËTARE – ÇËSHTJA ÇAME

June 28, 2025 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Histori, Kujtesë dhe Ndërgjegje Kombëtare

Në kuadër të Muajit të Çamërisë, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të njohur të historiografisë shqiptare, të cilët trajtuan me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi akademike një nga plagët më të thella të historisë kombëtare shqiptare – Çështjen Çame.

Në hapje të konferencës, Alket Veliu, Drejtues i Fondacionit, theksoi se “Çështja Çame nuk është thjesht një histori e mohuar, por një padrejtësi e gjallë. Kjo plagë nuk është mbyllur sepse drejtësia nuk është vënë. Kërkojmë njohjen dhe respektimin e të drejtave humane të shqiptarëve të Çamërisë.”

Z. Veliu në fjalën e tij thekson: ‘Është koha që të hapet një dialog i vërtetë historik, mes studiuesve dhe institucioneve akademike të të dy vendeve ndaj dua te perserit kerkesen tone ndaj shteti shqiptar: per ngritjen e nje komisioni te perbashket historianesh grek dhe shqiptar per te ndricuar kete pjese te erret te historise tone. Nëpërmjet fakteve dhe dokumentave historik te ndertohet qasja e duhur politike ndaj kesaj çeshtje.

Vetëm përmes njohjes së verteted dhe krimeve të ndodhura ndaj shqiptarëve çamë, dhe dënimit moral dhe historik të tyre, mund të sigurojmë që ato të mos përsëriten më.’

Akademik Pëllumb Xhufi solli një analizë të hollësishme të raportit mes shtetit shqiptar dhe Çështjes Çame, duke vënë në dukje përgjegjësinë institucionale në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.

Prof. Hamit Kaba, Drejtor i Institutit të Historisë, foli mbi dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë si një akt i paramenduar nga shteti grek dhe dëshmi e një politike sistematike të spastrimit etnik.

Dr. Ledia Dushku trajtoi dimensionin njerëzor përmes punës kërkimore mbi rrëfimet e të mbijetuarve të shpërnguljes dhe dhimbjes që mbartin edhe sot duke vendosur theksin te kujtesa për këtë çështje.

Dr. Maringlen Kasmi solli në vëmendje bashkëpunimin e Napolon Zervas me forcat gjermane gjatë viteve 1943-1944 dhe ndikimin që pati kjo në tragjedinë çame, duke ofruar një trajtim historik të thelluar.

Hajredin Isufi përqendroi referatin e tij mbi rolin e shqiptarëve të Çamërisë në luftën antifashiste, duke dëshmuar se viktimat e genocidit ishin edhe pjesëmarrës aktivë në rezistencën kundër pushtimit.

Vetëm përmes kujtesës historike dhe dënimit moral të padrejtësive, mund të ndërtojmë një të ardhme që garanton se tragjedi të tilla nuk do të përsëriten më.

Filed Under: Histori

“Em dash”, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja

June 28, 2025 by s p

Irida Xhura/

ChatGPT-ja është tashmë pjesë e përditshmërisë së gjithkujt që ka nevojë të hartojë një mesazh, një shkresë, një e-mail apo edhe thjesht të gjejë përgjigje për pyetjet që i lindin. Pavarësisht përpjekjeve për të ndërgjegjësuar të rinjtë mbi disavantazhet e përdorimit të shpeshtë të ChatGPT-së, duket se kjo është kthyer në një luftë me mullinjtë e erës. Ja ku gjendemi sot përballë shkrimeve të përsosura nga ana drejtshkrimore, përgjithësisht të sakta nga ana gramatikore dhe sintaksore, por me një veçori të pazakontë për gjuhën shqipe nga ana e pikësimit.

A e keni vënë re që në shkrimet e gjeneruara nga ChatGPT-ja shfaqet shpesh kjo shenjë pikësimi (—)?

Kjo shenjë quhet em dash, sepse ka gjerësinë e shkronjës “M” në shtypjen tradicionale. Përdorimet më të zakonshme të saj janë:

Për të theksuar një ndërprerje ose pauzë në fjali:

Ajo ishte gati ta thoshte të vërtetën — por u tërhoq në çast.

Për të futur informacion shtesë ose për të zëvendësuar kllapat/presjet:

Vëllai im — ai që jeton në Gjermani — do të vijë për vizitë javën tjetër.

Në fund të fjalisë, për të treguar ndërprerje:

“Nëse do të kisha kujtuar të—”, ajo heshti papritur.

Kjo shenjë pikësimi nuk ekziston në sistemin standard të gjuhës shqipe dhe, për të qenë korrektë me përdorimin e saj, duhet të zëvendësohet me shenjat e mëposhtme:

Shenjat e pikësimit që zëvendësojnë shenjën em dash në shqip:

1. Presja (,)

Përdoret për të futur informacion shtesë në fjali.

Shembull me em dash:

Motra ime — më e vogla në familje — është shumë e talentuar.

Në shqip me presje:

Motra ime, më e vogla në familje, është shumë e talentuar.

2. Kllapat (())

Përdoren për të futur sqarime shtesë, më neutrale ose informuese.

Shembull me em dash:

Vëllai im — ai që jeton në Itali — po vjen për pushime.

Në shqip me kllapa:

Vëllai im (ai që jeton në Itali) po vjen për pushime.

3. Pikë e presje (😉

Përdoret për të ndarë dy ide që lidhen, por janë të pavarura.

Shembull me em dash:

Ai kishte vetëm një dëshirë — të kthehej në shtëpi.

Në shqip me pikë e presje:

Ai kishte vetëm një dëshirë; të kthehej në shtëpi.

4. Pikë (.)

Kur fjalia ndahet plotësisht për të theksuar idenë.

Shembull me em dash:

E dinte çfarë donte — nuk kishte më dyshime.

Në shqip me pikë:

E dinte çfarë donte. Nuk kishte më dyshime.

5. Vizë e zakonshme (-)

Përdoret kur nuk ka mundësi teknike për të shtypur em dash.

Shembull:

Ai — ndryshe nga të tjerët — nuk foli asnjë fjalë.

Ai – ndryshe nga të tjerët – nuk foli asnjë fjalë.

Pse është e rëndësishme të respektojmë shenjat e pikësimit të gjuhës shqipe?

1. Për të ruajtur normat gjuhësore standarde

Gjuha shqipe ka një sistem të kodifikuar të drejtshkrimit, ku përfshihen edhe rregullat e pikësimit. Ky sistem siguron që:

Tekstet të jenë të kuptueshme dhe të qarta për të gjithë lexuesit;

Të shmangen keqkuptimet ose interpretimet e gabuara;

Të ruhet uniteti i gjuhës së shkruar në libra, dokumente, shkolla, media etj.

2. Për të shmangur huazimet e panevojshme gjuhësore

Shenja të tilla si em dash (—) i përkasin kryesisht anglishtes dhe gjuhëve që përdorin një sistem tjetër pikësimi. Në shqip:

Em dash-i nuk është pjesë e sistemit standard;

Përdorimi i tij krijon ndjesinë e një “huazimi” të panevojshëm dhe të panatyrshëm në një tekst shqip.

Filed Under: Sociale

PLAKJA, NUK ËSHTË DORËZIM POR ZGJEDHJE

June 28, 2025 by s p

Nga Margarit Done/

(Mbi Tregimin “Të plakesh bukur” të autores Irena Dragoti)

Në tregimin emocional dhe mjaft domethënës të Irena Dragotit “Të plakesh bukur”, lexuesi përballet jo vetëm me një rrëfim personal, por dalëngadalë ai natyrshëm merr formën e një ese poetike dhe filozofike që bën vetë autorja mbi një nga proceset më delikate, unikale dhe të pashmangshme të jetës, plakjen. Dragoti nuk e koncepton plakjen si një rënie fizike apo një fund i funksionit të vet qenies, por si një “stacion” shpirtëror, një evoluim të brendshëm që meriton t’i jepet kuptim, vëmendje dhe mbi të gjitha, dinjitet.

Thelbi i tregimit sillet rreth idesë që plakja nuk është dorëzim, por zgjedhje. Nëna e autores, që përfaqëson një brez të tërë grash shqiptare të periudhës para viteve ’90, vendos të heqë dorë nga përkujdesja estetike, jo sepse është e dëshpëruar apo e dorëzuar, por sepse ndien se ka hyrë në një kapitull të ri të jetës, ku bukuria nuk matet më me buzëkuq, por me urtësi, paqe të brendshme dhe thjeshtësi.

Në këtë kuptim, plakja merr kuptimin e një “arti” jetese, një forme të vetëdijshme të të qenurit, ku koha nuk është më një armike që rrëmben rininë, por një aleate që gjurmët e jetës, përvojën e saj i kthen në mençuri.

Dragoti na mëson se në një botë që glorifikohet rinia të pranosh moshën me dinjitet, eshte disi e sakrifikueshme. Nëna e saj nuk është një grua që thjesht plaket. Ajo plaket “bukur”, me kujdes për hijeshinë e brendshme, me vështrim të kthjellët, me role të pranuara me zemër, jo të imponuara nga shoqëria.

Gjithë tregimi është i ngarkuar me simbole të fuqishme që do, sdo janë tregues të ketij intinerari shpirteror dhe psikologjik. Heqja dorë nga buzëkuqi, simbolizon kalimin e një gruaje nga një jetë ku ajo “konkuronte”, ndoshta edhe pa vetëdije, me bukurinë e jashtme, drejt një etape ku forca dhe bukuria shpirtërore bëhen qëllimi. Ngjyrat bezhë dhe gri që zëvendësojnë të kuqen, shprehin paqen, pranimin dhe neutralitetin e një etape ku emocionet janë më të qeta, më të balancuara. Rutina e shtëpisë, kafeja me mikeshat, qokat me të shoqin, këto nuk janë thjesht zakone të një pensionisteje, por faza të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të brendshëm.

Rrudhat dhe thinjat pa ndihmën e kremrave, janë dëshmi e guximit për të jetuar me të vërtetën e trupit, jo për t’i shpëtuar saj.

Ndoshta një femër dhe jo mashkull si unë mund të hynte më thellë e bukur ne brendesi te këtyre tregues e kuptimplotë femërorë. Por simboli më i fortë është vetë NËNA. Ajo është figura qendrore, modeli i një njeriu që nuk ka nevojë të dëshmojë më asgjë, që pranon çdo etapë të jetës si pjesë të natyrshme të rrugëtimit të njeriut. Do të dëshiroja të ndalesha pak tek këndvështrimi thelbësor, specifik dhe filozofik mbi plakjen. Kjo per dy arsye: e para se dhe autorja vetë ne nje pjese te tregimit hedh dritë per këtë kendveshtrim delikat dhe e dyta: mendimi im do t’i sherbej sadopak apo do plotesojë apo ezauroje deri diku këtë temë nevralgjike shoqerore dhe ndoshta aktuale e bashkekohore.

Tregimi e trajton plakjen si një filozofi jete. Nëse për shumëkënd plakja është një dënim, një humbje, një zbrazëti, për Dragotin ajo është një ngjitje në një kodër ku pamja bëhet më e gjerë, një mundësi për të parë me më shumë qartësi jetën, për të zgjedhur të mos zotërosh më, por të kuptosh. Ky vizion i transformon vitet e fundit të jetës në një fazë delikate siç është faza e lirisë, të lirë nga frika, dëshira për të provuar, apo nga nevoja për t’u pëlqyer të tjerëve. Autorja e sheh nënën e saj si model të këtij stadi filozofik,një shenjtore e heshtjes e qetësië, e durimit dhe e mençurisë. Ajo nuk lufton kohën, por bashkëjeton me të. Ajo nuk ka iluzione për rininë, por përqafon të tashmen me përmbajtje e vlerë.

Kjo lloj “plakjeje e ndërgjegjshme”, që nuk i druhet as hijes së vet, përbën një formë të lartë të pajtimit me vetveten, një “marveshje” e kuptueshme dhe e thellë paqeje me veten dhe botën. Dragoti arrin të ndajë me lexuesin ndjesinë se plakja nuk është një fund, por një kthim tek vetja, një rrugë drejt qetësisë dhe ndriçimit të brendshëm. Krahasimi me figura si Jane Goodall apo Santiago i Hemingway-t e thekson idenë që plakja është përballje me pasionin jo me dorëzimin, dhe që trupi mund të lodhet, por shpirti mund të mbetet i ndritshëm.

Tregimi mbyllet me një mesazh që i kapërcen kufijtë e rrëfimit personal: “Uroj të plakesh bukur!” Kjo nuk është vetëm një dëshirë për jetë të gjatë, por një shpresë për një jetë me kuptim, me ndërgjegje, me pranueshmëri të vetes në çdo fazë të jetës. Në fund të fundit, të plakesh bukur është të mos e përkufizosh më veten sipas pasqyrës, por sipas asaj që ke dhënë, kuptuar dhe falur. Nëna e Irena Dragotit nuk është thjesht një figurë prindërore, por një ikonë e model i një filozofie jetese që tregon se edhe në kohë të vështira, njeriu mund të mbetet i bukur në shpirt dhe të bëhet dritë për të tjerët.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 439
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT