• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ

February 24, 2026 by s p

Hysen S. Dizdari

Studiues i historisë dhe filatelisë/

Në muaj shkurt të këtij viti u botua në italisht nga shtëpia botuese italiane “Edizione Pergamena” një vepër e re me rëndësi historike për kombin shqiptar me titull: “Skënderbeu , Shqipja që frenoi Perandorinë Otomane “. Kjo vepër është shkruar nga dy autorë të shquar italianë: Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá. Ajo që të bie në sy që në fillim të kësaj vepre është puna e madhe kërkimore e shkencore e dy autorëve nëpër arkivat e bibliotekat italiane dhe evropiane si në Romë, Napoli, Firence, Bari, Venecia, Vjenë , Berlin, Paris etj.

Kjo vepër e tyre është mbështetur në burime të rëndësishme arkivore, dokumentare e historike, por edhe në një bibliografi të pasur me veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj kushtuar Skënderbeut si: Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka, Fan Noli, Kristo Frashëri, Giammaria Biemi, Franz Babinger etj.

Autorët e shquar, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, sjellin para publikut italian, shqiptar e evropian një vepër të re, të shkruar me dashuri dhe me dije, një histori të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ndryshe nga autorët e tjerë italianë e të huaj, duke e parë Skënderbeun jo vetëm si hero i kombit shqiptar, por edhe si hero të kombit italian dhe si hero edhe të kombeve të Evropës. Pësmes luftës së tij 25 vjeçare, Skënderbeu e mbrojti jo vetën vendin e tij, Shqipërinë, nga pushtimi i ushtrisë otomane, por edhe vendet fqinje, midis tyre edhe Italinë, po dhe Evropën. Me të drejtë dy autorët theksojnë se Skënderbeu është hero i kombeve të Evropës.

Ja me sa përkushtim, dashamirësi e fisnikëri shkruhet në hyrjen e librit: “Skanderbeg shqipja që frenoi Perandorinë Ottomane” (faqe -3), në formë “dedikimi”:

“Juve o popull shqiptar që jeni mbartës të emrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, jo vetëm në librat e historisë, por në gjak dhe në shpirt. Ju jeni mbrojtësit e flakës së tij. Nuk keni pasur nevojë as për këtë libër, as për ndonjë tjetër, për të njohur madhështinë e heroit tuaj. E keni mbajtur në jetë gjatë shumë shekujve heshtjeje, duke murmuritur gjestet e tij në këngët e baballarëve tuaj dhe të gjyshërve tuaj. E keni sjellë me vete nëpërmjet Adriatikut, duke e bërë zemrën dhe shpirtin e komunitetit tuaj në mërgim. E keni bërë tuajën kurajën e tij, Shqiponjën e tij e bëtë simbol të qëndrueshmërisë suaj të paepur. Juve, që jeni trashëgimtarët e gjallë të tij, jua dedikoj këtë vepër jo si një leksion, por si një homazh të përulur dhe të thellë të një miku italian, që duke parë përtej detit tonë të përbashkët, ka parë dritën e një gjiganti, dhe ka mbetur i mrekulluar.

Edhe gjithë atyre që, në Itali e në Shqipëri, e takojnë për herë të parë këtë emër nëpërmjet faqeve të këtij libri.

Ky libër nuk është vetëm një tregim i betejave të kohëve të vjetra. Është një ftesë për një udhëtim për zbulimin e një prej figurave më të jashtëzakonshme që Kontinenti ynë ka dhënë. Ju uroj që të zbuloni, ashtu siç kam zbuluar unë, që historia e Skënderbeut nuk është vetëm kronikë e një luftëtari, por mishërim i idealeve që nuk njohin kufij si lufta për liri, mbrojtja e shtëpisë së vet, dinjiteti i një populli që refuzoi të dorëzohet.

Shpresoj që në përfundim të këtij udhëtimi, do të keni mundësinë që ta dashuroni dhe respektoni atë, jo vetëm si hero i një kombi, por si një simbol universal i gjithë atyre gjërave që shpirti njerëzor mund të kryej përballë mundësive të pamundura. Si italian e shkrova këtë libër i shtyrë nga ndjenja e detyrës dhe admirimit. Detyrës që të kontribuoj në vendosjen e një heroi kaq madhështor në vendin që i takon në pantheonin evropian.

Admirimin për një njeri që nuk ishte vetëm Babai i Atdheut shqiptar, por edhe mbrojtës, që në një moment të errët të historisë, mbrojti pikërisht kufirin tonë bregdetar. Historia e tij i përket Shqipërisë, por trashëgimia e tij shpirtërore është pasuri e mbarë Evropës. Urojmë që Shqiponja e tij të fluturojë gjithmonë lart në kujtesën e përbashkët, duke bashkuar brigjet tona me një përqafim e respekt vëllazëror.”

Vepra e dy autorëve italianë, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, e ndriçon në rrafshe të ndryshme dhe në mënyrë mjaft të plotë historinë e Skënderbeut, që nga marrja peng në oborrin e sulltanit, çlirimi i Krujës më 28 nëntor 1443, luftën e betejat e tij fitimtare mbi ushtrinë otomane, marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Napolit, Venedikun dhe Papët e Romës. Në ketë vepër dy autorët kanë analizua mirëfilli dhe strategjinë që përdori Skënderbeu për t’i arritur fitoret në betejat kundër ushtrisë otomane shumëfish më të madhe, në forca dhe mjetet më moderne të shek. XV. Vepra “Skënderbeu Shqiponja që ndaloi Perandorinë Otomane” përmban 15 kapitujt të cilët e shpalosin historinë e Skënderbeut në një varg të dhënash e faktesh:

Kapitulli -1:Shqipëria e princave. Familja Kastrioti dhe sistemi osman i vasalitetit.

Kapitulli -2: Peng në Edirne. Jeta e Gjergjit të vogël në oborrin e sulltanit.

Kapitulli- 3: Shkëndija e kthimit. Lidhja e pa ndërprerë me atdheun e tij..

Kapitulli -4: Çlirimi i Krujës. Rrëfimi pothuajse mitik kthimi i tij.

Kapitulli -5: Përkrenarja e Dragoit. Heqja dorë nga islami dhe kthimi në krishterim dhe përkrenarja ikonike.

Kapitulli -6 : Lidhja e Lezhës kryevepra diplomatike.

Kapitulli -7: Lufta në male. Një analizë e detajuar e taktikave të tij.

Kapitulli -8: Rrethimi pa fund. Rrethimi epik tri herë i Krujës.

Kapitulli -9: Përplasje titanësh.

Dueli i tij personal me gjeneralët e ushtrisë osmane.

Kapitulli -10: Ndihma nga Roma. Marrëdhënia me Papët.

Kapitulli -11: Miqtë dhe armiqtë. Marrëdhënia me Venedikun dhe ndihma e mbretërisë Napolit.

Kapitulli -12: Një Mbret pa kurorë. Roli i tij si udhëheqës i pa diskutueshëm.

Kapitulli -13 :Beteja e fundit. Vdekja e tij nga sëmundja.

Kapitulli -14: Pas Skënderbeut. Rënia e qëndresës dhe shtegtimi në Itali.

Kapitulli -15: Përse u “harrua “ ai. Një analizë përse figura e tij ra në margjinat e historiografisë evropiane.

Përfundim: SHQIPONJA ENDE FLUTURON!

Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Itali, e kudo në Evropë, në SHBA, në Kanada e në Australi u është shumë mirënjohës dy autorëve të shquar italianë të kësaj vepre: ALDO DIOMEDES dhe CLAUDIO DI GIÁ, për punën e tyre të çmueshme kërkimore dhe shkencore, për ta sjellë para publikut italian, shqiptar, evropian e botëror këtë vepër me vlerë, kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Më mban shpresa se brenda vitit 2026 kjo vepër do ta shohë dritën e botimit edhe në gjuhën e Atdheut të Skënderbeut, në gjuhën shqipe, dhe do studiohet e do të shfrytëzohet si burim i rëndësishëm për njohjen e mëtejshme të jetës dhe të veprimeve të Skënderbeut.

Filed Under: Histori

KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”

February 24, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. CILA ËSHTË PLATFORMA ELEKTORALE E ADRIAN DOKOS? PSE DUHET TË VOTOJË ELEKTORATI PËR JU?

Platforma ime është e thjeshtë: të mbrojmë cilësinë e jetës në Lewisville dhe ta planifikojmë të ardhmen me përgjegjësi. Lewisville po rritet shumë shpejt dhe familjet e ndiejnë çdo ditë: më shumë trafik, shqetësime për sigurinë, kosto më të larta dhe frikë reale që qyteti mund të humbasë karakterin dhe ngrohtësinë që e bëjnë “shtëpi”. Unë kandidoj me katër përparësi kryesore:

Komuniteti dhe familja në radhë të parë: vendimet e qytetit duhet të bazohen te nevojat reale të banorëve—lagje të sigurta, shërbime të mira dhe një komunitet i bashkuar.

Siguri publike dhe rrugë më të mençura: rrugë më të sigurta, qarkullim më i rregullt dhe hapa praktikë që përmirësojnë reagimin e emergjencave.

Rritje e zgjuar, jo mbingarkesë ndërtimesh: zhvillimi duhet të jetë i balancuar, transparent dhe të mbrojë lagjet dhe bizneset lokale.

Udhëheqje e përgjegjshme dhe përballueshmëri: kujdes me taksat dhe buxhetin, stabilitet financiar dhe mbrojtje për pensionistët dhe familjet me të ardhura fikse.

Njerëzit duhet të votojnë për mua sepse nuk po kërkoj një titull. Po kërkoj mundësinë për të shërbyer. Si biznesmen në Lewisville prej shumë vitesh, kam mësuar të dëgjoj njerëzit, të menaxhoj buxhetin dhe të zgjidh probleme me qetësi e përgjegjësi. Dhe një pjesë e madhe e frymëzimit tim vjen nga komuniteti ynë—sidomos nga Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane dhe Albanians for America, të cilat më kanë dhënë energji, besim dhe motivim për të hyrë në shërbimin publik.

2. CILI ËSHTË ANGAZHIMI JUAJ POLITIK NË TEKSAS DHE NË ZONËN KU KANDIDONI DHE NJË THIRRJE PËR SHQIPTARËT QË T’JU MBËSHTESIN?

Angazhimi im është për zgjidhje lokale, jo për politikë partiake. Në Këshillin Bashkiak vendosen gjëra që ndikojnë përditë: siguria publike, rrugët, zhvillimi urban, buxheti dhe shërbimet e qytetit. Unë kandidoj për Lewisville City Council, Place 3, që do të thotë se përfaqësoj gjithë qytetin, jo vetëm një lagje. Fokusi im është shumë praktik: rrugë më të sigurta dhe zgjidhje reale për trafikun, zhvillim i balancuar që mbron lagjet, transparencë dhe komunikim i qartë nga Bashkia, disiplinë financiare dhe përballueshmëri për familjet dhe pensionistët. Kjo fushatë është bipartiake dhe e bazuar te komuniteti. Në nivel qyteti, rezultatet vijnë kur njerëzit punojnë bashkë, jo kur ndahen me etiketa.

Për shqiptarët në Teksas dhe kudo në Amerikë: zëri ynë ka peshë. Ne e dimë ç’do të thotë punë, sakrificë dhe shërbim. Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane dhe Albanians for America e kanë treguar se kur jemi të bashkuar, bëhemi më të fortë. Prandaj, i ftoj bashkëkombasit: vullnetarizohuni, kontribuoni, ndani mesazhin dhe dilni të votoni. Le të tregojmë se shqiptarët janë shembull i integritetit, familjes dhe udhëheqjes.

3. KANDIDIMI DHE RËNDËSIA E POZICIONIT KU KANDIDONI. KU E BAZONI SUKSESIN E GARËS TUAJ?

Këshilli Bashkiak është një nga pozicionet më të rëndësishme lokale sepse prek drejtpërdrejt jetën e përditshme: sigurinë, rrugët, zhvillimin ekonomik, buxhetin dhe mënyrën se si rritet qyteti. Këto nuk janë politika “në letër”—janë vendime që njerëzit i ndiejnë menjëherë. Suksesin e kësaj gare e bazoj te: marrëdhëniet e ndërtuara prej vitesh me banorët e Lewisville, përvoja ime e shërbimit dhe angazhimit komunitar, qasja “dëgjo më parë” dhe bashkimi i njerëzve rreth zgjidhjeve dhe një fushatë me energji të fortë nga poshtë-lart, ku mbështetja e Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikanebdhe Albanians for America ka qenë një forcë e vërtetë motivimi dhe frymëzimi.

4. NJË SHQIPTAR QË KANDIDON PËR NJË POZICION TË RËNDËSISHËM SI ZË I FUQISHËM QYTETAR—CILAT JANË NDJESHMËRITË TUAJA?

Ndjeshmëritë e mia vijnë nga vlerat shqiptare të BESA-s (mbajtja e fjalës), familja, puna e palodhur dhe respekti për komunitetin. Jam thellësisht i vetëdijshëm se kur një shqiptar hyn përpara në shërbimin publik, nuk ka të bëjë kurrë vetëm me një person – kjo pasqyron sakrificat e prindërve, krenarinë e një komuniteti dhe shembullin që japim për brezin e ardhshëm. Unë jam i ndjeshëm ndaj: drejtësisë dhe përfshirjes për të gjithë banorët, mbrojtjes së familjeve nga kostot në rritje dhe kushtet e pasigurta, sigurimit që qeveria e qytetit të mbetet transparente dhe e përgjegjshme, sigurimit që rritja të mos fshijë identitetin e lagjeve.

Dhe ndiej një përgjegjësi të fortë për të përfaqësuar Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane të vendosur në Lewisville, qytetin të cilit do t’i shërbej, me dinjitet – duke treguar se ne kontribuojmë jo vetëm përmes biznesit dhe punës, por edhe përmes lidershipit dhe shërbimit qytetar.

5. SI PO SHKON FUSHATA? CILA ËSHTË STRATEGJIA PËR FITORE, MARRËDHËNIE PUBLIKE DHE BINDJEN E ELEKTORATIT “GRI”?

Fushata po ecën mirë—po ndërtojmë ritëm me takime direkte, pjesëmarrje në evente komunitare dhe komunikim të vazhdueshëm me banorët. Strategjia jonë është e bazuar te besimi: Derë më derë dhe biseda në lagje: të dëgjojmë banorët dhe të fitojmë mbështetje familje pas familjeje. Angazhim me biznese lokale dhe komunitetin: të jemi aty ku njerëzit takohen dhe flasin për problemet reale. Mesazh pozitiv dhe me zgjidhje: pa negativitet—vetëm hapa praktikë dhe përgjegjësi. Koalicion i fortë komunitar: shumë mbështetës nuk janë “politikë”, por duan që qyteti të shkojë në drejtimin e duhur.

Elektorati “gri” kërkon sinqeritet dhe stabilitet. Ne i bindim me tema që prekin jetën reale: siguri, trafik, zhvillim i mençur dhe përballueshmëri. Dhe e bëjmë me respekt, sepse në një qytet, sot mund të mos biesh dakord me dikë, por nesër e ke komshi. Për PR-in, besueshmëria është gjithçka—dhe këtu vërtet dua të theksoj se mbështetja dhe frymëzimi që vjen nga Qendra Kulturore Shqiptaro-Amerikane dhe Albanians for America e ka forcuar shumë mesazhin dhe energjinë e fushatës.

6. KUSH ËSHTË ADRIAN DOKO?

Unë jam bashkëshort, baba, sipërmarrës dhe banor i Lewisville. Familja ime ka drejtuar Parma Pasta Pizza në Lewisville për më shumë se 25 vjet, duke u shërbyer mijëra fqinjëve. Kjo përvojë të mëson empati, përgjegjësi dhe si të dëgjosh. Profesionalisht, kam punuar në role që kërkojnë planifikim, siguri dhe lidership, duke përfshirë: Kryetar (Komiteti i Inovacionit) për Planin e Vizionit Lewisville 2035. Me punë që lidh inovacionin me përfitimin publik të botës reale. President i AUVSI Lone Star chapter 501 c6 (Association for Uncrewed Vehicles International), Organizata më e madhe jofitimprurëse e dedikuar për avancimin e sistemeve autonome.

Udhëheqës (FAAST) i Ekipit të Sigurisë së Administratës Federale të Aviacionit. Pilot i çertifikuar nga FAA dhe edukator i komunitetit i fokusuar në siguri. Role udhëheqëse në iniciativat e aviacionit, sigurisë dhe teknologjisë me punë që lidh inovacionin me përfitimin publik të botës reale. Themelues i Imperial Aerial, një firmë konsulence hapësinore e specializuar në lëvizshmërinë ajrore dhe mbledhjen e të dhënave ajrore duke përdorur sensorë dhe ngarkesa të ndryshme për të ofruar zgjidhje për industrinë. Hobitë e mia sillen rreth vullnetarizmit në komunitet dhe projekteve që i ndihmojnë të rinjtë të shohin mundësi në të ardhmen. Motoja ime është: “Qëndrimi juaj përcakton lartësinë tuaj”. Njerëzit që më njohin do të thoshin se cilësitë e mia janë qëndrueshmëria, afrueshmëria dhe një etikë e fortë pune e formuar nga familja ime dhe e përforcuar nga vlerat e komunitetit shqiptar.

7. CILA ËSHTË PREJARDHJA JUAJ FAMILJARE? HISTORIA E EMIGRIMIT NË SHBA.

Historia e familjes sime është historia e zakonshme e emigrantëve: Babai im, Mentori, erdhi në Paterson, New Jersey në vitin 1968 për të ndërtuar një jetë të lirë dhe më të mirë përmes punës së palodhur. Prindërit e mi u larguan nga Ohri, Maqedonia e ish-Jugosllavisë gjatë një periudhe shumë të vështirë, duke kërkuar siguri, dinjitet dhe mundësi. Vlerat që Amerika përfaqëson. Si shumë familje emigrantësh, ne filluam me shumë pak, por punuam pa pushim. Pastaj hapëm Tony’s Pizza në River Street, ku vendi ynë ndihmoi bashkatdhetarët tanë të gjenin vende pune dhe vendbanim. Biznesi i restoranteve u bë më shumë sesa një mjet jetese – u bë një urë lidhëse me komunitetin. Ne u koordinuam me Fondin e Përbashket Shqiptare nën udhëheqjen e Faik Istrefit dhe drejtuam autobusët për të mobilizuar komunitetin tonë për demonstrata paqësore për çlirimin e Kosovës në Uashington DC dhe New York. Amerika nuk na dha vetëm mundësi, por na dha një vend ku të përkasim.

Kjo është arsyeja pse shërbimi publik ka rëndësi për mua. Kjo fushatë është mënyra ime për të nderuar sakrificat e prindërve të mi dhe për t’i treguar brezit të ardhshëm – veçanërisht shqiptaro-amerikanëve – se ne mund të kontribuojmë në çdo nivel: në biznes, në udhëheqjen e komunitetit dhe në poste të zgjedhura. Dhe gjithmonë do ta njoh rolin e Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane të Teksasit dhe të “Shqiptarët për Amerikën” në atë udhëtim – duke i bashkuar njerëzit tanë, duke inkurajuar përfshirjen qytetare dhe duke na kujtuar se të bashkuar, ne mund të arrijmë çdo gjë. Bashkimi bën fuqi! www.adriandoko.com

Filed Under: Politike

Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan

February 23, 2026 by s p

Screenshot

Që nga zbritja e tyre nga shpellat e Karpateve në tokat ilire, të gjitha falangat dhe të gjitha regjimet serbe, të ndihmuara nga Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia e Shkencave, kanë bërë çdo gjë të mundur për ta zhdukur kombin shqiptar. Kjo është planifikuar edhe me shkrim, me projekte konkrete, si ai i Vasa Çubriloviqit, “Dëbimi i Shqiptarëve (Iseljavanje Arnauta)”.

Aty shkruhet qartë, ndër të tjera, se “Ekzistenca e kombit serb varet nga mosekzistenca e kombit shqiptar”. Prandaj sot mund të thuhet lirshëm se “Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan”. Armiku i përbetuar që synon zhdukjen e kombit shqiptar nuk është vetëm Serbia, por edhe Rusia me vasalët e saj. Vetëm Amerika mund t’u dalë përballë dhe t’i frenojë.

Orientimi pro-amerikan i popullit shqiptar bazohet në përvojën historike; Amerika ka qenë gjithmonë në anën e shqiptarëve. Presidentja e Kosovës përfaqëson popullin e Kosovës, prandaj bashkëpunimi i saj i ngushtë me administratën e Presidentit Trump është detyrë parësore dhe obligim shtetëror. Nuk ka zgjedhje tjetër.

Pjesëmarrja e Kosovës, e përfaqësuar nga Presidentja Osmani, në Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti Trump ka rëndësi të jashtëzakonshme, me legjitimitet të lartë ndërkombëtar, të barabartë me të gjitha shtetet anëtare, edhe me ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. 

Presidenti Trump jo vetëm që i tha Presidentes Osmani se ajo po bën një punë të shkëlqyer, por e siguroi atë se nëse Kosova dhe Serbia nuk shkojnë mirë, një telefonatë e vetme do të mjaftonte dhe ai do ta zgjidhte konfliktin. Kjo deklaratë publike e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën.

Poashtu shumë i rëndësishëm ishte edhe takimi të nesërmen në Departamentin e shtetit me Sekretarin e Shtetit Amerikan Marko Rubio. Ky takim tregon se Amerika ka interes të veçant për Kosovën.

Është e qartë se Presidenti Trump e vlerëson lart Presidenten Osmani dhe preferon të bashkëpunojë me të në të mirë të dy shteteve tona. Ky është një mesazh i qartë për opozitën e Kosovës se SHBA e mbështet rizgjedhjen e saj.

Ata që e kritikojnë qasjen e saj dhe afrimin me Presidentin Trump nga zilia, duke theksuar interesin e saj për rizgjedhje, janë të pavlefshëm. Ajo po vepron në interes të Kosovës. Nëse interesi i shtetit përputhet me interesin e saj personal, nuk ka asgjë të keqe.

Edhe ata që nuk e pëlqejnë Presidentin Trump dhe nuk pajtohen me politikat e tij dhe për këtë e kritikojnë Znj. Osmani, si gazetari i njohur gjerman Michael Martens, nuk kanë lidhje me realitetin. Presidenti Trump është zgjedhur nga populli amerikan dhe do ta udhëheqë shtetin më të fuqishëm në botë edhe për tre vjet, duan apo nuk duan ata.

Deklaratat e Presidentit Trump në takimin e Bordit të Paqes janë një goditje e fortë ndaj politikave agresive, raciste, fashiste dhe hegjemoniste serbe në Ballkan. Shpresat e tyre për dobësimin dhe shkatërrimin e Republikës së Kosovës po shuhen dita-ditës. Të kapluar nga urrejtja ndaj shqiptarëve dhe nga budallallëku politik, i pret një vuajtje e përhershme.

Si Presidente e Kosovës, znj. Osmani e ka detyrë të bashkëpunojë edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Por ajo duhet të ketë shumë kujdes në afrimin me të. Ai është një politikan i korruptuar dhe intrigant që nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e saj. Ai sheh vetëm interesin e tij personal.

Për më keq, Edi Rama është një pro-serb i theksuar dhe minues i të gjitha arritjeve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Përpjekjet e tij të hapura për rehabilitimin e shtetit gjenocidal serb nën udhëheqjen e kriminelit Vuçiq, ndarjen e Kosovës dhe vendosjen e Shqipërisë nën dominimin serb përmes projektit famëkeq “Ballkani i Hapur” janë shumë të rrezikshme. 

Shanset e znj. Osmani për ta distancuar atë nga përqafimi i tij me kriminelët serbë janë minimale ose inekzistente.

Ai ishte ndër kryesorët që e bindi ish-Presidentin Thaçi për krijimin e Gjykatës Speciale kundër Kosovës. Përpjekjet e tij për ta rehabilituar veten me kritika ndaj gjykatës, përfshirë edhe lutjen e tij ndaj Trumpit kinse për ta shpëtuar Thaçin, janë të kota — një farsë. Trump nuk ka ndonjë interes të madh për ta bërë këtë, por edhe po të kishte, vështirë se do të mundte, sepse kjo gjykatë nuk varet nga SHBA-të.

Presidentja Osmani, së bashku me Kryeministrin Kurti, përfaqësojnë vlerë kombëtare dhe shtetërore. Ata janë shpëtimtarët e Kosovës nga rreziku i shkatërrimit pas shpalljes së pavarësisë — liderë të shpresës dhe të ardhmes. Mendoj se është në interes të shtetit të Kosovës që ata të vazhdojnë së bashku në udhëheqjen e vendit. 

Partitë opozitare duhet të ndryshojnë dhe të punojnë shumë për t’u bërë konstruktive dhe të shpresojnë të marrin pushtetin. Testi i tyre i parë për të treguar se në të ardhmen do të orientohen drejt zhvillimit të demokracisë, ndërtimit dhe forcimit të shtetit, është vota për Presidenten Osmani. Ata deputetë që bojkotojnë parlamentin dhe largohen nga vendi i tyre i punës gjatë votimit janë kundër interesave të Republikës së Kosovës.

Bisedimet për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës do të intensifikohen gjatë javës së ardhshme. Nuk ka asnjë kandidate të kualifikuar dhe unifikuese që i afrohet aftësisë së Presidentes Osmani për ta kryer me sukses këtë detyrë të rëndësishme. Vlerat e saj të pamohueshme, të shoqëruara me mbështetjen amerikane, dhe veçanërisht mbështetjen e popullit të Kosovës, e bëjnë rizgjedhjen e saj të pashmangshme.

Agim Aliçkaj,                                                                                                                                           Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane,                                                                                                                                          Me 21 shkurt, 2026

Filed Under: Ekonomi

Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar

February 23, 2026 by s p


Historia, Kuptimi, Evolucioni — dhe Çështja e së Ardhmes

Nga Cafo Boga, MDY – 21 Shkurt 2026

Pak flamuj kombëtarë në Evropë janë aq vizualisht të fuqishëm — apo aq emocionalisht domethënës — sa flamuri i Shqipërisë me sfondin e kuq dhe shqiponjën e zezë dykrenare. Dizajni i tij është i thjeshtë, kontrasti dramatik, ndërsa simbolika e tij shtrihet nëpër shekuj. Por çfarë përfaqëson në të vërtetë? Nga e ka origjinën? Dhe nëse shqiptarët do të bashkoheshin ndonjëherë politikisht përtej kufijve aktualë, a duhet të ndryshojë ai flamur?

Të kuptosh flamurin shqiptar do të thotë të kuptosh udhëtimin e një simboli — nga perandoria te rezistenca e deri te shtetësia.

Origjina: Mesjetare, jo Mitike

Shqiponja dykrenare nuk e ka origjinën në Shqipëri, as në lashtësinë ilire. Edhe pse motive të ngjashme shfaqen në kultura të lashta të Lindjes së Afërt, emblema mori kuptim të qartë politik në Perandorinë e vonë Bizantine, ku simbolizonte sovranitetin perandorak dhe autoritetin mbi Lindjen dhe Perëndimin.

Nga Bizanti, simboli u përhap në Evropën mesjetare. Sundimtarët serbë e adoptuan; carët rusë e përfshinë në heraldikën perandorake; ai u shfaq edhe në Perandorinë e Shenjtë Romake. Në këto kontekste, ai shprehte legjitimitet dinastik dhe ambicie perandorake.

Transformimi i tij shqiptar ndodhi në shekullin XV me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Qoftë si trashëgimi e familjes Kastrioti, qoftë si ndikim bizantin — apo një kombinim i të dyjave — shqiponja e zezë dykrenare mbi sfond të kuq u bë flamuri i rezistencës kundër zgjerimit osman. Në duart e shqiptarëve, ajo pushoi së përfaqësuari perandorinë dhe u shndërrua në simbol të unitetit, sfidës dhe sovranitetit.

Kur Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912, i njëjti flamur u ngrit sërish — duke lidhur rezistencën mesjetare me shtetin modern.

Kuptimi i së Kuqes dhe së Zezës

Në heraldikën mesjetare, e kuqja simbolizonte guximin dhe trimërinë; e zeza përfaqësonte autoritetin dhe qëndrueshmërinë. Kombinimi i tyre synonte të projektonte forcë — jo tragjedi.

Vizualisht, e kuqja dhe e zeza përbëjnë një nga kombinimet më të fuqishme në vexilologji. Dizajni është i fortë, i dallueshëm dhe i qëndrueshëm. Me kalimin e kohës, shqiptarët i shtuan ngjyrave edhe kuptime emocionale — sakrificë, qëndresë, mbijetesë — por themeli i tij ishte fuqia dhe sovraniteti.

Simbol i Përbashkët, Shprehje e Veçantë

Shqipëria nuk është e vetmja që përdor shqiponjën dykrenare. Serbia, Mali i Zi dhe Rusia përdorin variante të rrënjosura në traditën perandorake bizantine. Historikisht, ajo është përdorur edhe në Perandorinë e Shenjtë Romake.

Megjithatë, këto versione ndryshojnë dukshëm. Në Rusi, Serbi dhe Mal të Zi, shqiponja është pjesë e stemave të ndërlikuara — e kurorëzuar dhe e shoqëruar me mburoja apo simbole monarkike.

Shqipëria ruajti diçka të rrallë: një formë minimaliste — shqiponjën e zezë dykrenare mbi sfond të kuq — pothuajse të pandryshuar që nga koha e Skënderbeut. Ajo nuk evoluoi në një emblemë heraldike të shtresëzuar. Mbeti e drejtpërdrejtë në formë dhe e fokusuar në simbolikë. Kjo vazhdimësi i jep asaj qartësi të veçantë.

I njëjti simbol, narrativa historike të ndryshme.

Simbolika dhe Perceptimi Ndërkombëtar

Simbolet kombëtare komunikojnë përtej kufijve. Një flamur i qëndrueshëm sinjalizon vazhdimësi dhe besim; një ridizajnim i papritur sinjalizon shkëputje ose transformim.

Shtetet që bashkohen shpesh ruajnë simbolet e vjetra për të forcuar legjitimitetin. Flamuri shqiptar ka mbijetuar mbi pesë shekuj në vazhdimësi simbolike dhe më shumë se një shekull si flamur zyrtar i shtetit. Kjo qëndrueshmëri forcon njohjen dhe identitetin e tij.

Ajo që i jep fuqi një simboli nuk është origjina ekskluzive, por thellësia e identifikimit dhe qëndrueshmëria në kohë.

Çështja e Bashkimit

Nëse shqiptarët do të bashkoheshin ndonjëherë politikisht përtej kufijve aktualë, a do të duhej të ndryshonte flamuri?

Historikisht dhe simbolikisht, ka pak arsye për ta bërë këtë. Shqiponja e kuqe dhe e zezë tashmë funksionon si emblemë bashkuese për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Çamëri (në Greqinë e sotme) dhe në diasporë.

Zëvendësimi i saj do të ndërpriste një vijë simbolike që shtrihet nga Skënderbeu deri te pavarësia e vitit 1912. Një flamur nuk është thjesht një shenjë administrative; ai është një enë e kujtesës kolektive.

Nga Arbëreshët te Diaspora Moderne

Historia e flamurit shqiptar është edhe historia e një populli që e mbajti atë përtej atdheut.

Pas vdekjes së Skënderbeut, shumë shqiptarë u vendosën në Italinë e Jugut, ku komunitetet arbëreshe ruajtën gjuhën dhe identitetin për shekuj. Shumë kohë para se Shqipëria të rishfaqej si shtet në vitin 1912, shqiponja mbijetoi në kujtesën e diasporës.

Nga fshatrat arbëreshe të Siçilisë dhe Kalabrisë deri te komunitetet shqiptare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, flamuri kuqezi ka shërbyer si një atdhe i bartshëm. Ai shfaqet në festivale kulturore, tubime fetare, dasma dhe festa të pavarësisë — shpesh përpara se institucionet formale të arrijnë në ato komunitete. Në diasporë, shqiponja nuk debatohet si heraldikë; ajo përqafohet si përkatësi.

Kjo vazhdimësi — nga rezistenca mesjetare te prania globale — mund të jetë argumenti më i fortë për ta ruajtur atë. Flamuri shqiptar nuk është thjesht emblema e një territori. Ai është simboli i përbashkët i një kombi që përballoi ndarje, migrim dhe kohë — por mbeti i njohshëm për vetveten.

Një Simbol që Qëndroi

Shqiponja shqiptare kaloi nga tradita perandorake te heraldika familjare e deri te rezistenca, përpara se të bëhej flamur kombëtar. Ky evolucion është forca e saj.

Një komb mund të trashëgojë një simbol.

Por sapo një popull e përvetëson atë, ai bëhet i tiji.

Shqiponja kuqezi përfaqëson unitet, qëndresë dhe sovranitet. Fuqia e saj nuk qëndron në një lashtësi mitike, por në vazhdimësi — dhe vazhdimësia është një nga format më të forta të legjitimitetit që një komb mund të zotërojë.

Filed Under: Analiza

ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 

February 23, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

(Fjala e lexuar në aktivitetin e veçantë të organizuar nga Fondi Humanitar, “Trieshi” në Nju Jork, me 22 shkurt, 2026, për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e shquar të Dr. Athanas Gegajt në fushë të ndryshme të krijimtarinë së tij patriotike dhe publicistike).  Përfshir rolin e tij si editor i gazetës Dielli dhe bashkëpunëtor i ngushtë i revistës Hylli i Dritës; angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura të diasporës anti-komuniste shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si françeskan. 

                                                                     ————————-

Falënderimet e mia Fondit Humanitar “Trieshi” dhe Kryetarit Gjon Gjokaj për ftesën në këtë tubim përkujtimor kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr. Athanas Gegajt në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë dhe kulturës shqiptare. U kërkoj ndjesë për mos mundësinë e pjesëmarrjes me ju në këtë aktivitet me rëndësi për komunitetin shqiptaro-amerikan, për Malësinë e Madhe dhe për mbarë shqiptarinë.

Për fat të keq, unë nuk e kam njohur Dr. Athanas Gegajn, por kam dëgjuar shumë fjalë të mira për të, kryesisht, nga persona të komunitetit shqiptaro-amerikan që e kanë njohur mirë Dr Gegajn, disa prej të cilëve edhe kanë bashkpunuar me të.  Sipas tyre, ai ishte i lidhur ngusht me intelektualët dhe me patriotët më të dalluar shqiptarë në SHBA dhe më gjërë. Në kontekstin e diasporës, figura e tij shpesh përmendet krahas veprimtarëve më të dalluar të gazetës Dielli dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, e cila që në kohën e Nolit e të Konicës ka luajtur rol kyç në artikulimin e interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara në Washington. Si redaktor i gazetës Dielli, Athanas Gegaj është dalluar me shkrime dhe studime në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ka nga ata që thonë se me kalimin në amshim të Fan Nolit më 1965 dhe me largimin e Athanas Gegajt si Kryeredaktor i Diellit, Vatra dhe Dielli nuk kanë shkëlqyer më si në kohën e tyre. Publicistika e tij prej vitesh lidhej ngusht me përpjekjet për ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi të drejtat e shqiptarëve, në përputhje me misionin prej disa dekadash të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Të nderuar pjesëmarrës!  Në një kohë kur historia shqiptare shpesh relativizohet, e më shumë shtrembërohet për arsye politike, ose lihet në heshtje të qëllimshme, ne shqiptarët e lirë në botën e lirë, jemi të detyruar moralisht dhe kombtarisht të flasim qartë dhe shpesh për figura që regjimi komunist i kishte shpallur “armiq”, por që historia dal-nga-dal, për fat të mirë, po i rehabiliton si patriotë të vërtetë. por jo siç duhet dhe siç meritoinë.  Një ndër ta është edhe Athanas Gegaj. 

Në vazhdën e figurave si Fan Noli dhe Faik Konica, si Kryeredkator i gazetës Dielli për nja një dekadë, ai e kishte kuptuar se diplomacia publike dhe ndikimi në opinionin amerikan ishin thelbësore për mbijetesën e Shqipërisë si shtet i pavarur. Por ajo që e bën figurën e tij të veçantë, është qëndrimi i tij i prerë kundër regjimit të vendosur nga Enver Hoxha pas vitit 1944 në Tiranë. Ndërsa Shqipëria u izolua pas prishjes me Yugoslavinë (1948), me Bashkimin Sovjetik (1961) dhe më pas edhe me Kinën, Gegaj e denoncoi publikisht shndërrimin e vendit në një shtet totalitar të izoluar edhe nga bota perëndimore.  Ai nuk e pranonte tezën se komunizmi ishte “mbrojtje e pavarësisë kombëtare”, siç e paraqiste regjimi.  Përkundrazi, ai argumentonte se izolimi ekstrem, shkatërrimi i elitës intelektuale dhe përndjekja e klerit dhe kundërshtarëve politikë të komunizmit, ishin goditje direkte ndaj identitetit historik të Kombit shqiptar. Në këtë kontekst, zëri i tij ishte pjesë e një rezistencë e fortë intelektuale në mërgim, e cila u përpoq të mbante gjallë narrativën e Shqipërisë perëndimore dhe demokratike. 

Bazuar në disa prej shkrimeve të Dr. Athanas Gegaj, si Kryeredaktor i gazetës Dielli për pothuaj një dekadë, Gegaj dallohej si njëri ndër më anti-komunistët qqë ka shërbyer në atë post.  Një element thelbësor i rolit të tij politik dhe gazetaresk ishte kundërshtimi i hapur ndaj regjimit komunist të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë dhe dhe në mbarë trojet shqiptare. Si shumë intelektualë të mërgatës, ai e konsideronte komunizmin si një deformim të aspiratave kombëtare dhe si një izolim fatkeq të Shqipërisë nga Perëndimi dhe nga bota.  Me gojë dhe shkrime, Athanas Gegaj nuk heshti përballë padrejtësive të komunizmit. Ai mbrojti me bindje idenë se liria politike dhe dinjiteti kombëtar janë të pa-ndashme.  Në një periudhë kur Shqipëria u izolua nga regjimi komunist, ai zgjodhi të flasë, të shkruaj dhe të veprojë — duke e konsideruar heshtjen si bashkëfajësi me regjimin e krimeve në Shqipëri.

Është fakt historik se historiografia zyrtare e periudhës komuniste, por edhe e tranzicionit 35-vjeçar, “post-komunist”, pas shembjes së Murit të Berlinit, vazhdon të heshtë për figura si Athanas Gegaj.  Historiografia zyrtare në Tiranë dhe  në Prishtinë, në shumicën e rasteve, vazhdon të minimizojnë kontributet e figurave të diasporës, si Athanas Gegaj, ndërsa çdo kritikë ndaj regjimit komunist — nga figura të dalluara të diasporës anti-komuniste ndaj regjimit të Enver Hoxhës — e kanë etiketuar gjithmonë, si “propagandë armiqësore”, ndaj Shqipërisë.  Në disa qarqe të caktuara si Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës, kjo heshtje e turpshme institucionale vazhdon edhe sot pas “shembjes”, zyrtare të komunizmit duke lënë në harresë shumë prej atyre që për dekada punuan për çështjen shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara: nga Washingtoni, New York-u, Bostoni e Detroiti dhe anë e mbanë Amerikës. Edhe Athanas Gegaj i përkiste atij brezi të pas Luftës së II Botërore, që e kuptoi se beteja për Shqipërinë dhe për shqiptarët nuk zhvillohet vetëm brenda kufijve etnikë të saj, por duhej të zhvillohej edhe në qendrat e vendim-marrjeve globale, siç ishte Amerika.  Megjithse sot klasa politike shqiptare, kryesisht, e edukuar nën sistemin komunist – ndodh që gjithnjë shpreh nostalgji për regjimin komunist enverist – ndërsa, njëkohësisht, merr kredinë për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë, pas shembjes së Murit të Berlinit me 1989.

Duhet bërë e qartë se kur flasim për orientimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të pranojmë  — ne këtu në Shtetet e Bashkuara dhe ata në Tiranë e Prishtinë — se themelet morale e politike të këtij orientimi perendimor nuk janë ata, por që idetë e lirisë e të demokracisë perëndimore janë mbajtur gjallë për dekada, me radhë të parë nga diaspora anti-komuniste e pas luftës në Amerikë – pikërisht, nga patriotë si Athanas Gegaj.  Ata ruajtën idenë e një Shqipërie të lirë, demokratike dhe të lidhur me Perëndimin, sidomos, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur brenda Shqipërisë komuniste, kjo ide ishte e ndaluar për pothuaj një gjysëm shekulli sundim të regjimit sllavo-komunist të Enver Hoxhës. Athanas Gegaj nuk ishte “armik i Shqipërisë”.  Por ai ishte kritik i zoti, i një regjimi të dështuar e kriminel që zhduku më të mirët dhe më të edukuarit e Kombit. Dhe sot, kur Shqipëria e Kosova synojnë konsolidimin demokratik, është e padrejtë që zëri i Athanas Gegajt dhe të tjerëve si ai, të mbetet në hije si në kohën e Enver Hoxhës.

Zemra më dhemb si shqiptaro-amerikan – që edhe pas 35-vjet tranzicion – përjetojmë një anashkalim zyrtar nga historiografia shqiptare të këtyre figurave të Kombit, si Athanas Gegaj të cilët për një gjysëm shekulli ia kushtuan jetën dhe veprën e tyre, një Shqipërie të lirë e Demokratike, i njohur edhe për rolin e tij në historiografinë shqiptare. Nga Frank Shkreli – Dr. Athanas Gegaj: Gjergj Kastrioti-Skënderbe shembull i pavdekshëm i popullit shqiptar | Gazeta Telegraf

Kjo deklaratë — e dij se thirrje të tilla bien në veshë të shurdhët — nuk është vetëm një akt kujtese për veprimtarinë dhe kontributin e Dr. Athanas Gegaj. Por është një thirrje për një rishikim serioz nga entet akademike e historike shqiptare, të figurave të diasporës antikomuniste shqiptare në përgjithsi: Hapje të plotë të arkivave dhe trajtim objektiv dhe të paanshëm të debatit historik mbi kontributin e tyre, duke bërë një vlerësim institucional të pa-anshëm për ata që mbrojtën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.  

Uroj që ky tubim sot këtu në Nju Jork të shënojë fillimin e një interesimi më serioz se deri tani të akademikëve dhe historianëve shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë, jo vetëm për Dr Athanas Gegaj por edhe për të tjera figura të njohura politike e kulturore të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore, të harruar dhe të përjashtuar nga historiografia zyrtare shqiptare. Ata duhet të jenë të ndërgjegjëshëm se heshtja e deritanishme zyrtare e tyre dhe e enteve shqiptare akademike që ata përfaqësojnë, por edhe e universiteteve në Shqipëri e Kosovë, d nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e shëmtuar e padrejtësisë historike dhe bashkfajsi që ato ente ndajnë me ish regjimin komunist.  

Për ata atje në Atdhe, ashtu siç është edhe për ne këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kujtesa e këtyre burrave të Kombit, si Dr Athanas Gegaj, është një akt drejtësie dhe detyrim kombëtar!  Urimet e mia Fondit Humanitar, “Trieshi”, për oganizimin e këtij tubimi në kujtim të njërit prej burrave më të nderuar të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, Dr Athans Gegajt. Qofshi të nderuar ju bashkvendas të tij për këtë përkujtim dhe ju pjesëmarrës aty në këtë përkujtim historic për jetën dhe veërimtarinë e Dr Athanas Gegajt. U lumtë!

Frank Shkreli

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT