• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË FENER DIOGJENI PËR UDHËN E SË ARDHMES

December 2, 2024 by s p

Kosta Nake/

(Publicistika e At Gjergj Fishtës, Vepra 10, Botimet “Gjergj Fishta”, 2012)

Një komb si ky yni, i dalë pushtimi dhe mendësia osmane, i ndodhur në vijën ndarëse me Lindjes dhe Perëndimit, jo vetëm duhej të mbronte pavarësinë, por edhe të orientohej sa më shpejt në zgjedhjen e udhës së ardhmërisë. Në momente kaq vendimtare Shqipërisë nuk i kanë munguar mendjet e ndritura që mund të ndiznin fenerët e diturisë e kulturës dhe të kishin guximin për t’i ngritur lart, edhe atëherë kur dukej se drita natyrale e diellit ishte e mjaftueshme. Një prej tyre ishte At Gjergj Fishta që kulmoi me “Lahutën e Malsisë”, por jo vetëm. Publicistika e tij te “Hylli i Dritës” dhe “Posta e Shqipnisë” në një pjesë të konsiderueshme të saj, është marrë posaçërisht me fatet e atdheut.

Vëllimi 10 i Veprave hapet pikërisht me një të tillë: “Udha që do të ndjekim.” “Udhët e mbara e shkollat e mira janë agimi i parë i qytetnisë.”(f.12) Një trajtesë të veçantë për arsimin përbën shkrimi “Reforma arsimore në Shqipëri” (f.361) me paralajmërimin që duket aktual edhe sot: “Po s’vumë rend e rregull në arsim, prap kombi ka me langue në errësirë të padijes e të barbarisë.” (f.363)

Ideja e zhvillimit të arsimit do të ketë një theks të veçantë te shkrimi “Gjuha shqipe” me deklarimin e qartë: “Pa gjuhë shqipe nuk ka Shqipni” (f.54) dhe me kërkesa strikte për administratën shtetërore. Një Shqipëri pa bishta e pa gjalma nëpër këmbë, një Shqipëri me një qëllim kombëtar, kërkonte mbështetjen te inteligjencia që duhej të organizohej, të studionte aspiratat e kombit, të ndërtonte një progam për të shfrytëzuar të potencialet që kishte vendi. Kjo qasje ndaj pasurive intelektuale trajtohet në shkrimin “A jemi kund gjallë?” (f.145)

Shkrimi “Shqipnia” e vështron të ardhmen nga një pikë tjetër që ngrihet në nivelin e një programi politik: “Ma së pari, për me qytetnue përnjimend Shqipnia, duhet njëherë që këtu të sigurohet jeta, nderi e gjaja e secilit… Së dyti, duhet që populli shqiptar të ketë një liri të plotë për me zhdrivillue fuqitë e veta mendimtare e fizike në doni të vet e të shokëve. Së treti, lipset të shestuemit e të rregulluemit e jetës shoqnore mbi parime të qytetnisë perëndimore.” (f.25-26) Jeta, nderi e gjaja rimerren sërish edhe në rrafshin filozofik te shkrimi “Kur do të bashkohen shqiptarët?” (f.45)

Një komb duhet të ketë një simboli identifikimi dhe ky është flamuri. Ky simbol shpaloset te shkrimi “28 Nandor”: “Ky flamur ka fuqinë me lidhë tok zemrat e të gjithë shqiptarëve.” (f.164)

Një komb duhet të ketë një fener të vetin në udhën e tij dhe Fishta vazhdoi me të njëjtën frymë të rilindasve. Te shkrimi “Pas 450 vjetësh ai thekson: “Për me u ngjallë me jetue Shqipnia, duhet që ma parë, të ngjallet shpirti i Skënderbeut ndër zemra të të gjithë shqiptarëve. E shpirti i Skënderbeut ka qenë ky: fe, dashtni ndaj atdheut, shpresë e gjallë në veprim, gajret e trimni në rreziqe, besë e burrni në fjalë e në punë.” (f.32-33) Figura simbol e Skënderbeut rimerret edhe te shkrimi “Skënderbeu e shqiptarët” ku e përcakton Heroin tonë Kombëtar si “fatos të lirisë dhe pavarësisë së kombeve, ideali i lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë.” (f.34) Kurse te shkrimi i gjatë “Shqiptarët e të drejtat e tyne” (f.329) Skënderbeu vështrohet përmes një prizmi eseistik duke e pranëvënë me Aleksandrin e Madh dhe Jul Cezarin për vlerat ushtarake dhe qëndresën në kohë.

Në dy shkrime të njëpasnjëshme Fishta shpjegon nevojën e bashkimit të shqiptarëve “pa ndërlikim besimi e partie, para atdheut e para ligjit ta mbajnë veten vetëm shqiptarë…” (f.43)

Te shkrimi “Shteti dhe besimi” (f.48) Fishta shton edhe dy elementë të tjerë programorë: besimin dhe familjen. Familja do të rivendoset në fokus te shkrimi “Programi ynë” (f.226) me kërkesën për përparim e qytetërim të saj si “themeli i parë i shoqnisë njerëzore”, me shtrimin e problemit në rrafshin ekonomik, sepse familja duhet të ketë pasuri të mjaftueshme “për një gjallim të qetë në këtë botë” dhe për edukatën e familjes si parakusht për edukimin e fëmijëve. Rolit të familjes në edukimin e fëmijëve do t’i rikhtehet te shkrimi “Prind të mirë” ku nënvizohet “Prindët janë si një pasqyrë në të cilën fëmija këqyret orë e çast edhe si pa dashtë.” (f.238)

Filed Under: Komunitet

VATRA LONG ISLAND DHE SHKOLLA SHQIPE GJERGJ FISHTA FESTUAN DITËN E FLAMURIT KOMBËTAR

December 2, 2024 by s p

Sokol Paja/

Long Island, New York, 1 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” festuan me hijeshi e madhështi festën më të rëndësishme të shtetit shqiptar, pavarësinë e shpallur në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i “Vatrës” Long Island, N.Y. Dr. Paulin Marku u shpjegoi të pranishmëve rëndësinë e aktit të pavarësisë së Shqipërisë në historinë kombëtare dhe rrugëtimin historik e diplomatik të Ismail Qemalit e firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë. Rapsodët e komunitetit Prof. Besim Muhadri, Sadri Muriqi e Robert Dakaj emocionuan të pranishmit me këngë patriotike kushtuar Atdheut e flamurit kombëtar. I ardhur te Vatra nga Shqipëria, Prof.Primo Shllaku vlerësoi në fjalën e tij Vatrën dhe mërgatën shqiptaro-amerikane për veprimtaritë e tyre patriotike, bashkimin dhe fuqinë komunitare e kombëtare që vjen prej ruajtjes së traditave kulturore e gjuhës së pastër e të bukur shqipe. Prof. Dr. Luigj Gjoka në fjalën përshëndetëse vlerësoi aktin e pavarësisë si ngjarjen më madhore në historinë kombëtare dhe përpjekjet e shenjta të diplomatëve, intelektualëve, heronjve e luftëtarëve shqiptarë për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e Shqipërisë. Poetja nga Kosova, Vlora Ademi, Prof. Besim Muhadri, romancieri Prend Ndoja e studiuesi Hamid Alaj përshëndetën aktivitetin kulturor e patriotik duke theksuar rëndësinë që zë në historinë tonë kombëtare shpallja e Pavarësisë, Nëntori historik i shqiptarëve, organizimet patriotike kushtuar ditës së Flamurit Kombëtar në komunitetin shqiptar në Amerikë, rëndësia e bashkimit të shqiptarëve, bashkëpunimit dhe dashurisë mes tyre për të ruajtur amanetin historik të etërve që themeluan shtetin modern shqiptar dhe trashëgimin ndër breza të vlerave më të çmuara të kombit shqiptar. Themeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” zonja Fabjola Gjinaj prezantoi punën edukative, patriotike dhe kulturore me fëmijët shqiptarë dhe shprehu mirënjohje për prindërit që mbështesin pa kursim shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Festa e flamurit kombëtar në Long Island vazhdoi me aktivitete muzikore dhe recital i nxënësve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” të përgatitur me përkushtim dhe dedikim nga mësuese Fabjola Gjinaj e prezantuar nga Klaudio Turkaj: “Për mëmëdhenë” këndoi Olivia Kokona, “Sa të dua o Shqipëri”- recitoi Ajla Durra, “Atdheu ynë i shtrenjtë” -recitoi Wendi Bilali, “Duaje atdheun tënd” – këndoi Alisia Durra, “Shqipnia” – recitoi Aleks Qepuri, “Nëntori” – recitoi Wendi Bilali, “Valle e Tropojës” – kërcyen nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Gjuha shqipe” – recituan Bojken dhe Era Bajraktari, me vargje të krijuara nga poeti Prend Ndoja recitoi Domenik Shabani, “Zemra rreh për Shqipërinë” – këndoi Emeli Marku, “Për atdheun” – recituan tre vëllezërit Dritëroi, Shqiptari dhe Albin Mulaj, “Gjuha shqipe” – recitoi Alisia Durra, “Ti Shqipëri me jep nder” – recitoi Kamila Marku, “Mora fjalë” – këndoi Uarda Bilali, “Për flamurin” – recitoi Klea Bilali, “Vallja e Pavarësisë” – kërcyen nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, “Shqipëri o nëna ime” – këndoi Klea Bilali, “Xhamadani vija-vija” – këndoi Aleks Qepuri, “Vargje për Flamurin Kombëtar” – recitoi Emeli Marku.

Gazetari i përkushtuar i komunitetit shqiptar në Amerikë z.Nazim Salihu “Noli Tv” filmoi aktivitetin kulturor e patriotik duke regjistruar në memorien e komunitetit një aktivitet të shkëlqyer atdhetar.

Filed Under: Politike

Faktorët shoqërorë: identitetet, ideologjitë, kombet dhe nacionalizmi

December 2, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Shtetet dhe grupet mund të hyjnë në konflikt ose të bashkëpunojnë për shumë arsye që kanë të bëjnë me motive apo konflikte të shkaktuara nga politika ndërkombëtare, mjedisi ekonomik apo impulset psikologjike dhe kulturore. Në këtë rrafsh ideologjia ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht që nga Revolucioni Francez. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore u duk sikur idealizmi liberal po ndërhynte në marrëdhëniet ndërkombëtare me një politikë më të ndjeshme. Idealizmi liberal tentoi të vendoste parimet mbi veprimet dhe ngatërroi moralin në marrëdhëniet ndërkombëtare me moralitetin universal qe përputhej me vetë interesat e fituesve të Luftës së Parë Botërore. Pasojat e kësaj ngatërrese ishin të mëdha. Shekulli XX u mbizotërua nga përplasja globale e rrymave ideologjike, si liberalizmi, komunizmi dhe fashizmi. Në fillim përplasjet e fashizmit me komunizmin e më vonë edhe me liberalizmin shkaktuan Luftën e Dytë Botërore. Pas saj për gjysmë shekulli me radhë përplasja e liberalizmit me komunizmin i karakterizoi marrëdhëniet në rrafshin ndërkombëtarë. Kjo periudhë e ndau botën në bllokun komunist me në krye BS dhe në bllokun demokratik të udhëhequr nga Amerika. Kjo ndarje e botës u shoqërua nga ajo që u quajt Lufta e Ftohtë e cila mbizotroi boten deri në vitet 90-të dhe ruajti balancat midis fuqive të globale. 

Ideologjia mund të jetë një formë e identifikimit të një grupi të caktuar njerëzish të përfshirë në një botëkuptim. Ata mund të nxisin skeptikët ndaj kësaj ideologjie drejt grindjeve të cilat mund të rezultojnë edhe me konflikt. Në regjimet totalitare ideologjia serviret si një plan i së ardhmes, ku gjërat do të jenë më mirë. Burimi dhe baza e ideologjisë së gjithanshme është një ideologji e përpunuar nga ideologë, siç u konsideruan në regjimin komunist Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini dhe të tjer udhëheqes. Kjo e konsideruar si ideologji e vetme e trajton shoqërinë si një të tërë, pa shumëllojshmërinë e grupeve sociale të interesit, të mjeteve dhe të formave të pronësisë private dhe mbi të gjitha e çvesh njeriun nga personaliteti individual i tij. Të gjitha vlerat individuale i dedikohen partisë dhe udhëheqësit. Ideologjia e nënshtron individin dhe e shkëput atë nga realiteti ekzistues i zgjidhjes së nevojave të përditshme dhe e vë atë në pozitën e luftës për “shoqërinë e ardhshme”. Kjo idologji në themel ka luftën e klasave si forcë lëvizëse. 

Në të kundërtën e kësaj është ideologjia e lidhur me shoqërinë pluraliste për vetë rolin pajtues të politikës. Këto shoqëri, që ruajnë vlerat e civilizimit, lejojnë ideologji të ndryshme në territorin e tyre në format e alternativave. Alternativat mund të paraqiten ideologji të tilla si, liberalizmi, liberalizmi modern, neoliberalizmi, neokonservatorizmi, socialdemokracia, etj. Këto janë për zhvillime dhe ndryshime të rendit ekzistues, të lidhura si me realitetin e ditës, ashtu edhe me të ardhmen. Ideologjia e kufizuar, në dallim nga ideologjia e gjithanshme, favorizon individualitetin dhe pavarësinë personale. Ajo merr trajtën e kulturës së përbashkët, e cila në mënyrë të veçantë, përfshin disa gjykime rreth formës së qeverisjes. Këto të fundit përfshihen në atë që quhet kulturë politike. 

Identiteti si nocion është mjaft kompleks dhe shumëdimensional. Ai nuk është një nocion statik, por dinamik. Kjo nënkupton se asnjë formë e identitetit nuk është e kompletuar apo tërësisht e qëndrueshme. Identiteti nuk mund të vështrohet si një ngjitje, por pak a shumë strukturë e integruar simbolike me përmasa kohore, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e cila u ofron kompetenca të rëndësishme individëve, siç është sigurimi i vazhdimësisë dhe i konsekuencës. Individët për nga natyra kanë shumë identitete, që mund të jenë të pajtueshme me persona të tjerë në një situatë të caktuar, por që në situata të tjera me personat e njëjtë mund të kenë identitete të ndryshme. Për shembull, identiteti gjeografik mund të jetë i njëjtë me një person tek i cili mund të jetë i theksuar një identitet i besimit të ndryshëm. Në disa vende evropiane janë bërë gjë normale identitetet e dyfishta ose të shumëfishta. Në vitet 1950 dhe 1960 shumë njerëz që jetonin në Jugosllavi ndiheshin krenarë që i kishin rezistuar Bashkimit Sovjetik në vitin 1948 dhe kishin krijuar një sistem ekomonik që u dukej premtues. Në vitin 1990 pjesa më e madhe e njerëzve në Jugosllavi e ndjenë se identitetet e tyre si serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë u bënë më të spikatur se identiteti i tyre si jugosllav. Identiteti etnik shpesh shërben si bazë për mobilizime dhe organizime. Shumë identitete janë gjithashtu të bazuara në vlera të veçanta, besime ose interesa. Me anën e identitetit kombëtar pjesëtarët e një kombi bëhen të ndjeshëm në raport me pjesëtarët e kombit tjetër. Identiteti kombëtar si një pikënisje e formësimit të shteteve kombëtare kryesisht janë të ndërtuara mbi mite dhe histori të mëhershme të vendeve të veçanta. Shtetet e ndërtuara mbi bazë të miteve të identitetit janë të prirura që të futen në konflikte të mëvonshme, pikërisht me vendet kundrejt të cilave kanë shfaqur agresivitet më herët, me qëllim të nxjerrjes në sipërfaqe të identitetit të tyre. Në shprehjet e përditëshme popullore shtetet ndahen në dy kategori; shtetet e mira, paqësore dhe shtetet e këqija agresive. Perceptimi i parë është se shtetet e mira dhe paqësore janë shtete me demokraci liberale, ndërsa shtetet e këqija janë shtete të cilat drejtohen nga udhëheqja autoritare dhe kryesisht janë agresive.Tipike sot Serbia që identitetin e tyre e kanë ngritur në dem të kombeve të tjera. Siç nuk është e thënë të jetë e vërtetë se kuptimi i demokracisë si përfaqësim i shumicës dhe meqë natyra njerëzore nuk është agresive, atëherë rrjedhimisht demokracitë nuk janë agresive. Problemet më të mëdha janë krijuar me ngritjen e nacionalizmave dhe të rikthimit të ndërgjegjes nacionaliste në disa vende pas rënies së komunizmit. Nacionalizmi vepron si një forcë integruese politike, kur një populli apo një kombi i duhet ta afirmojë vetveten ndaj një tjetri. Ai fiton legjitimitet të paprekshëm aty ku ai ecën në rrugën e çlirimit prej një sundimi të huaj, duke u stilizuar kësisoj si një çështje e shenjtë. Shtetet e rrënjosura kombëtare në Perëndim duhet të zgjidhnin çështjet e lëvizjeve për autonomi në krahinat e tyre, ndërsa popujt në Lindje ndeshen akoma me lëvizjet nacionaliste. Evropa nuk e ka kapërcyer akoma epokën e nacionalizmit. Përvoja historike evropianiste prodhoi më shumë luftra se paqe, shkatërrime se zhvillime, humbje jetësh njerëzore se lumturi e prosperitet. Për shekuj, Evropa u shndërrua në arena betejash midis vet vëndeve europiane. Vetëm nga viti 1870 deri në vitin 1945 Franca e Gjermania u përleshën tre herë me njëra-tjetrën, me pasoja tepër tragjike. Prandaj koha kërkoj një zgjidhje tjetër, jo si kopje e të tjerëve dhe jo si të mëparshmet. Nevojitej një Evropë tjetër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pamvarsisht lekundjeve të fundit,  janë dhe do të vazhdojnë të mbeten edhe në shekullin e 21-të e vetmja superfuqi, me të cilën sot dhe për disa dhjetëvjeçarë të tjerë nuk do të mund të krahasohet asnjë fuqi tjetër e madhe, në asnjë nga dimensionet që përbëjnë elementët bazë të pushtetit të një fuqie globale. Amerika në dallim nga vendet e tjera është se amerikanët e duan me shpirt lirinë, të cilën shumë europianë e marrin si diçka të natyrshme, ose e quajnë naive apo cinike, madje deri në një fantazi amerikane. Perceptimi i përgjithshëm i një lufte në Shtetet e Bashkuara është krejt i ndryshëm nga ai që kanë europianët për të. Në Shtetet e Bashkuara, një luftë që zhvillohet prej tyre perceptohet dhe paraqitet shpesh në media si një ngjarje heroike, ku Amerika, me gjithçka që ajo përfaqëson, tregon se çfarë është e aftë të bëjë. Ndërsa për Europën, për shkak të historisë së saj, një luftë evokon qytetet që i shkatërrohen dhe civilët e pafajshëm që i vriten. Amerika është i vetmi vënd në botë që eksporton liri. Kurdoherë që rasti historik e ka kërkuar, SHBA kanë qenë të gatshme të paguajnë çmimin më të lartë për t’u ardhur në ndihmë të shtypurve, madje edhe në shtete që i kanë dashur asaj të keqen. Ndërsa luftrat e Ballkanit të pas Luftës së Ftohtë nxorën në pah mungesën e unitetit në radhët e Evropës dhe forcen e Amerikes, sepse Evropa nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj Jug-Lindor. Këtë e treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë, ku Amerika ishte faktori shumë i rëndësishëm për zgjidhjeve krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Evropës. Amerika ka rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe ushtarake dhe rolit të saj në shumë aleanca.

Pasi amerikanët bënë zgjedhjen e tyre në votimet presidenciale, bota tani pret të shohë çfar do të marrë përgjegjësinë për të ardhshme. Tani do të prijë Donald Trump me shpresën e tij të amerikanizmit, jo globalizmit.  Gjatë administrates Biden, vlera e ndikimit global të SHBA-së u vu në pikëpyetje. Fuqitë rajonale po shkojnë secila në rrugën e vet, regjimet autokratike po bëjnë aleancat e tyre dhe luftërat shkatërruese në Ukrainë e Lindjen e Mesme(Gaza) po ngrenë pyetje të pakëndshme për vlerën dhe rolin e Washingtonit. Presidentit Trump tani i duhet të punojë në një botë që përballet me rrezikun më të madh të konfrontimit mes fuqive të mëdha, që nga Lufta e Ftohtë, pasi luftërat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dhënë fund. Trump gjatë fushates deklaroi se është koha që të “rikthehemi tek paqja dhe të ndalojmë vrasjen e njerëzve”. Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, në Floridë ai iu drejtua turmës së entuziazmuar të mbështetësve; “Nuk do të pushoj derisa të kemi arritur një Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë, që fëmijët tanë meritojnë dhe që ju meritojeni”. 

New York Dhjetor 2024

Filed Under: ESSE

DITA E LIRISË KOMBËTARE…

December 2, 2024 by s p

Alfons Grishaj*/

*Fjala e mbajtur në Teqenë e Bektashiane me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Të nderuar klerikë, Baba Eliton (Zoti i shtëpisë), Myfti Ledion Cikalleshi, Bilal Demneri-Kryetari i Këshillit Xhamisë, Mondi Rakaj – Kryetari Degëve të Federatës Pan-shqiptare Vatra. Të dashur motra dhe vëllezër Vatranë dhe besimtarë të Teqesë Bektashiane Taylor, në emër të Vatrës, respektivisht Kryetarit Berisha, dhe në emrin tim,ju uroj nga zemra Ditën e Flamurit! Pas shekujsh robëri, Dita e Mvetësisë, çliron dhe dalton kulmin e historisë popullit tonë. Dita e Pavarësisë u dha shqiptarëve mundësinë për të krijuar shtetin e tyre, ku patriotët e mëdhenj, burrat e mençur shqiptarë shfrytëzuan momentin shpërbërjes Perandorisë Osmane, lëngimin e saj që përpëlitej në grahmat e fundit të ekspancionit dhe lavdisë ngritur me zjarr e hekur.

Disa muaj para se të formohej shteti i parë shqipëtar…me, 28 Prill 1912, u krijua (nga mendimtarë të mëdhenj Noli-Konica), Federata Pan-Shqiptare Vatra, duke shënuar kështu një kthesë të madhe historike. Për mendimin tim, kjo ngjarje, si dhe luftërat e malësorëve të veriut me Dedë Gjoluli, Isa Boletinin etj…i paraprinë themelimit shtetit parë shqiptar, udhëhequr nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi me shokë…Për të ngritur flamurin në Vlorë, u mblodhën dyzet delegatë nga të gjitha anët me në krye Ismail Qemalin. Çakejt e Turqisë, Serbisë, Italisë dhe Greqisë, ishin të pafuqishëm për t’a ndalur uraganin e thirrjes madhe kombëtare.

Akti i Shpalljes Pavarësisë, shkrojtur në shqip nga Luigj Gurakuqi (diktuar nga Ismail Qemali), u firmos nga 40 firmëtarë. Në faqen e parë, firmosën 34 anëtarë me në krye, Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra etj…Në faqen prapa, firmosën gjashtë firmëtarë, ku ndër to dhe Mustafa Kruja.

Pse u la dita e Shpalljes Pavarësisë me, 28 Nëntor 1912, dhe nuk u la për një datë tjetër? Burrat e mëdhenj shqiptarë e fiksuan këtë datë për të evokuar legjendën e Kastriotit, që me, 28 Nëntor 1443, ngriti flamurin në Krujë,flamur që u bë simboli i identitetit shqiptar në shekuj. Të gjithë heroizmat u bënë nën valvitjen e këtij flamuri. Të gjitha betejat për liri patën mbulojë e frymëzim flamurin kombëtar. Dardania luftoi për këtë flamur dhe e mbrojti me gjak. Viti 1968, shënoi kulmin e shpërthimit të demonstratave në Dardani. Dobrica Qosiq, ulurinte: “Po ua lejuam flamurin, ata do të kërkojnë republikën, shtetin dhe madje bashkimin me Shqipërinë.” Flamuri kombëtar i parapriu betejave të UÇK-së. Ky flamur është hapur anë e kënd planetit, duke bashkuar shqiptarët kudo, si dhe neve sonte në këtë tempull të shenjtë që u themelua nga patrioti i madh dhe besimtari mistik, Baba Rexhepi.

Jo rastësisht, ne do shohim që në Deklaratën e Pavarësisë, pas Ismail Qemalit, janë dy figura emblematike fetare: Dom Nikoll Kaçorri dhe Myfti Vehbi Dibra (Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë), ku më vonë nën përkujdesjen e të madhit, Imam Vehbi Ismaili, u mblodhën shkrimet e legjendës Dibra, duke parë dritën e botimit në Michigan, me titullin, “Ç’urdhëron Kurani?” Pra, populli shqiptar me mëkëmbësit e Zotit në tokë (që ishin dhe patriotë), udhëhequr nga liderë civilë atdhetarë, ditën t’a gjejnë rrugën mvetësisë që ne e festojmë me kaq gëzim e krenari. Kjo është dhe një përgjigje për nacionalistët e shartuar në komunizëm, të cilët pyesin: “Ç’u duhet institucioneve fetare të merren me Ditën e Flamurit?”

Por, siç e dimë të gjithë, shejtani ka fytyrën e njeriut! Fetë janë bosht i qytetërimeve në themelimin e shteteve, siç janë të theksuara dhe në kushtetutën e parë të shkruar në botë: Kushtetuta Amerikane. Injorantët e internetit dhe pse mund të jenë shkolluar, janë defiçitarë në pregaditjen e tyre intelektuale. Bash këta humbës të mëdhenj shpirtëror dhe intelektual, mundohen që boshllëkun shpirtëror, injorancën e lindur t’ua implementojnë tjerëve si bosht arsyeje dhe progresi?!

Shqiptarët nuk janë ashtu siç i përshkrovi një bejtaxhi nga ndonjë nevojtore mediatike shqiptare, i cili shprehet: “Shqiptarët nuk kanë fe, por vetëm interesaxhinj ku mund t’a ndryshojnë fenë sa herë t’u lypet nevoja!” Unë i përgjigjem këtyre shëmtirave mediatike: feja nuk qëndron në prehërin e internacionalizmit proletar, sepse aty qëndrojnë varrmihësit e besimit, shpikësit ateizmës, shkatërrimtarët e të bukurës dhe hyjnores.

Brenda feve abrahamike, ka një të vërtetë të pakontesueshme: ka vetëm një Baba!

Ai është Abrahami (Ibrahimi). Nuk është rastësi, që fetë abrahamike janë rreth katër miliard e kusur…Prandaj, shqiptarët e kanë kuptuar më bukur se askush tjetër në botë formulën e Zotit, formulën e bashkëjetesës dhe paqes. Ndaluni për një moment dhe mendoni…si po përhapet shqiptarizma dhe flamuri saj nëpër botë…sikur të ishim 300 milionë shqiptarë! Shikoni në çdo trevë, flamuri shqiptar ka kapërcyer hipokrizinë politike të liliputëve të rastit që na servirin paçavure në beze! Vëllezër dhe motra, pa dyshim, ky është bekimi i Zotit! Rrufjanët po tërbohen dhe kërkojnë t’a bëjnë sorrën pëllumb të paqes, për t’a larguar fronin e shqiptarit nga Zoti.

Po ua përsëris me plot gojë: askush nuk mund t’a ndalë kombin më të vjetër të planetit të rifitojë fronin e vet të harruar, sepse ky është vullneti i Zotit! Prandaj tradhëtarët e vegjël që nuk njohin fe e atdhe, që mbeten peng i territ dhe sajesave ireale, i siguroj se, besimi dhe patriotizmi i vërtetë i ka vënë dhe do i vë përfundi hipokrizinë, patriotizmin e rremë, ateizmin e tyre të shëmtuar. Ngaqë janë njerëz që nuk njohin rregulla hyjnore e civilizuese, që nuk njohin hierarki, brum shoqëror, biles, as nënë dhe baba, janë të destinuar të ngelen përjetë, specie inferiore!

Vëllezër e motra, sot ne përkulemi me nderimin më të madh para kolosëve të vërtetë atdhetarë e fetarë që valvitën flamurin e identitetit kombëtar në Vlorë!

Siç dihet, luftërat për liri e demokraci nuk bëhen vetem, prandaj në këtë përvjetor të flamurit, gjej momentin të kujtoj dhe falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi të rinj dhe të vjetër si: Kolec Ndoja, Mondi Rakaj, Dritan Mishto, Elmi Berisha, Col.Dritan Demiraj, Kujtim Qafa, SimonQafa, Besim Malota, Ekrem Bardha, Dom Fran Kola, Franz Llesh Grishaj, Julian Çefa, Imam Shuajb Gërguri, Baba Eliton Pashaj, Mynyr Nazifi, Toni Kastrati, Mehmet Kadria, Skënder Myrtezani, Gëzim Nika, Adem Malellari, Iris Halili, Ruki Kondaj, Mirela Kanini, Novruz Nazarko, Eduard Aliko, Sokol Paja, Eduard Aranitasi, Paulin Marku, At Theofan Koja, Ylli Dosku, Milaim Tahiri, Ndrek Tonaj, Rafael Floqi, Gani Vila, Efi Qeleshi, Gjon Buçaj, Genc Kortça, Pashko Camaj, Paulin Mernaçaj, Drita Vushaj, Marjan Cubi, Ilir Cubi, Zef Balaj, David Balaj, Bashkim Musabelliu, Tasim Ruko, Anton Raja, Mons.AngeloMasafro, Kujtim Funiqi, Gjok Deçkaj, Dritan Haxhia, Dom Ndue Gjergji, Dom Fred Kalaj, Thanas Gjika, Ben Pllumi, Dalip Greca, Elio Ahmetaj, Mentor Maksutaj, Nusret Pllana, Ela Prifti, Naum Prifti, Naser Rugova, Endri Filipi, dhe gjithë vatranët në përgjithësi…Dhe në veçanti, falemnderoj vëllaun tim (në Parajsë) Eduard Grishaj, dhe gruan time Mirela Grishaj, që prej mëse 30 viteve më kanë përkrahur, duke qenë pothuajse në të gjitha momentet kyçe, dramatike e gëzime!

Lavdi heronjve që luftuan dhe luftojnë për këtë flamur që hijeshon alemin!

Rroftë populli shqiptar I kudondodhur !

Rroftë Vatra!

Ju faleminderit për ardhjen dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Filed Under: Opinion

Buxhelë nuk kemi, humoristë sa të duash!

December 2, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Përvjetoret e shkrimtarëve janë seanca spiritizmi, ku shpirti i të ikurve vjen në përmjet kujtesës, duke qenë element substancial i saj. Më 2 dhjetor mbushen 18 vjet që shkrimtari i shquar Qamil Buxheli komunikon me të gjallët, qoftë për të verifikuar testamentin e tij letrar, qoftë për të parë atë që nuk mundi ta shihte në të gjallë. Kjo është një e vërtetë që u përket shkrimtarëve të vërtetë. Vdekëtarët e rëndomtë, po të perifrazonim Homerin, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes. Vdektarët e pazakontë si Qamil Buxheli patjetër mund ta luajnë.

Të shkruash për Qamil Buxhelin është një sipërmarrje e vështirë dhe me risk, pasi pesha specifike e tij është e madhe. Qamil Buxheli është një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë, vepra e të cilit, ndonëse e shkruar në shekullin e XX-të, ka fituar vlera të përjetshme në historinë e letërsisë shqipe. Prodhimi letrar i Qamil Buxhelit është i madh. Krijimtaria e tij letrare është shumë e hershme dhe shumëdimensionale, në aspektin e gjinive letrare. Ai ka dhënë kontribut në të gjitha gjinitë letrare, në epikë, humor e satirë, lirikë, dramatikë e publicistikë. Qamil Buxheli është mjeshtër i fjalës së shkruar, por është edhe nxitës për të parë dritën në fytyrën e njëri – tjetrit. Ky shkrimtar përherë mëton të na kumtojë se të keqen e kemi në mesin tonë. Vepra e tij, po të lexohet me kujdes, na tregon rrugën, por jo me patetizëm e partishmëri.

“Buxheli përfaqësonte shtyllën më solide të satirës në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi. Nga një anëtar potencial për Byronë Politike, ai shkelmoi të gjitha ambiciet komuniste dhe iu fal shkrimtarisë të humorit, asaj zeje shpesh të përbuzur, por të shëndetshme që mban gjallë prushin e jetës”, shkruan shkruan regjisori dhe dramaturgu i shquar Pë llumb Kulla. (P. Kulla: Një shkrimtar si Qamil Buxheli, Gazeta Tema 19 janar 2024).

Kundruar sipas veprimtarisë letrare mund të themi se personaliteti letar i Qamil Buxhelit është ndërtuar në tri periudha. Pra Buxheli është krijues i tri periudhave letrare historike, apo i tri sistemeve politikë, historikë e socialë, dhe të githë sistemeve u ka qëndruar stoik. “Qamili u lind më 8 shkurt 1924 në Pandalejmon, një fshat ky piktoresk majë kodre, me Butrintin në horizont, që të ngjan si një lloj porte për të hyrë pastaj në gjerdanin e universit të Çamërisë, të shtrirë mes malit e detit, me shumë fshatra e qytete, që vazhdojnë me bukuri të rrallë, deri tutje në Artë e Prevezë, përkëtej e matanë kufirit politik të Shqipërisë. Kjo trevë e bekuar për nga natyra, e begatë, me histori lokale dhe kombëtare, ishte vendlindja biologjike, por edhe tërheqja e fortë shpirtërore, që nuk njohu mbarim për shkrimtarin, ku e lidhnin kujtimet e të gjallëve dhe të ikurve, gëzimet dhe dramat, endërrat dhe zhgënjimet”…, shkruan Prof. Ymer Çiraku. (Y. Çiraku, gazeta Dita, 29 janar 2024: Shkrimtari i shquar humorist Qamil Buxheli)

Fillimisht Buxheli mendonte se ishte një politikan, një reformator social, që u radhit në luftë në moshë rinore, së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij. U angazhua si pjesë e rinisë komuniste në jetën politike të kohës gjatë shkurtit 1942 – prill 1943. Më 16 prill doli partizan, ndërsa në korrik 1944 ishte komisar politik i Çetës së Rinisë, prefektura Gjirokastër. Sekretar organizativ i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste Gjirokastër 1944-1945, anëtar e sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste etj. Po në atë vit, 1944, plagoset në një pritë nga zervistët grekë. Ndërsa në vitin 1947 e përjashtuan nga PPSH.

Që në luftë Buxheli nisi të shkruante vjersha, por edhe përralla, të cilat vetë autori i kujtonte me nostalgji. Qysh në vjershat dhe elegjitë e para u dukën shkëndijat e talentit që po vinte, një talent jo si të tjerët. Fatet e shokëve të tij të luftës ishin të jashtëzakonshme, të pabesueshme. Lufta ishte “Ferrparajsa” e Qamil Buxhelit, që do t’i jepte brumin për shumë vepra.

Në vitet e hershme të rinisë, kur ishte 18 vjeç, si pjesëmarrës i betejave të Mezhgoranit, ka shkruar poezi me figuracion të pasur, siç është ajo kushtuar Asim Zenelit (korrik 1943), e cila u bë këngë me titull “Një zë po del nga Gryk’e Mezhgoranit”, dhe “Kënga e Ali Demit” (1944).

Me një jetë jo egoiste dhe të pastër, në vitet pas çlirimit të vendit, Q. Buxheli ishte i gatshëm për të sakrifikuar në rrugën e letërsisë, duke hequr dorë nga politika. Në vitin 1955 shkoi për studime letrare në Moskë, të cilat i përfundoi në Institutin e Lartë Letrar “Maksim Gorki” në vitin 1960. Gjatë studimeve në “Gorki”, megjithë sprovat e sukseshmë në publicistikë, ai po rendëte i dalldisur drejt satirës dhe humorit. Pas kthimit në Shqipëri në vitet e para merret me publicistikë si redaktor i “Zërit të Popullit”, kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”, kryeredaktor i revistës “Ylli”. Nuk i interesonin postet shtetërore e politike.

“Punët e politikës janë si ato të femrave. Femra ose të jepet shpejt, ose merret nëpër këmbë, ose braktiset po aq shpejt”, do të shkruante Buxheli pak vite më vonë. Xhorxh Oruelli ka thënë se: “një shkrimtar s’mund të jetë anëtar besnik i një partie politike”. Buxheli nuk mund të bëhej një funksionar i lartë regjimi. Ishte tjetër brume. Tjetër materie. Ishte në lidhje dashurie me fantazinë, me trillin, ishte dashuruar me letërsinë deri në vdekje. Tallej me gënjeshtrën dhe ngadhënjeu mbi të me buzëqeshjen e tij. Po të perifrazonim akademikun dhe filozofin e shquar italian Umberto Eko (1932-2016), mund të shpreheshim se: “Arti i tij kishte pushtetin për ta bërë të dashur shëmtinë”. Prof. Ymer Çiraku, shkruan: “Q. Buxheli bën pjesë ndër ata intelektualë, i cili, mes karrierës zyrtare (që e kishte të ofruar në nivelet më të larta të kohës) dhe misionit letrar, pa mëdyshje, iu përkushtua tërësisht këtij të fundit, i cili, dihet se aso kohe, përcillej edhe me mjaft konseguenca, po të kemi parasysh se çdo shkrimtari i kërkohej ta realizonte veprën e tij sipas klisheve të realizmit socialist. Madje në letërsi, ai iu përkushtua specifikisht zhanrit të humorit dhe satirës, që përbën një vështirësi më vete suplementare.”

Krijimtaria letrare e Buxhelit pas luftës fillon me një vëllim përshtypjsh udhëtimi, “Në Kinën e popullit” (1949). Por fantazia e tij nuk kishte cak. Pasi kish kaluar provat tragjike të jetës, epizmin e luftës, hipokrizinë e idealeve e doktrinave, ju afrua portave të rënda të satirës dhe humorit me natyrshmëri dhe sinqeritet, duke shpërfillur peshën e rrezikut. Në vitin 1960 mbrojti diplomën me romanin “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, i cili u botua me rekomandim të Komisionit Shtetëror të provimeve.

“Kali i mbretit dhe kalorës të rinj”, kjo vepër e rinisë së hershme të autorit, që vezullon me një bukuri të tejdukshme, ishte preludi i asaj që do të vinte më pas. “S’ka nevojë të pish tërë fuçinë që të marrësh vesh se ç’verë është” – shkruan autori. “Kali i mbretit dhe kalorës të rinj” është konsideruar si portret i jashtëzakonshëm real i jetës provinciale shqiptare, vulgaritetit dhe madhështisë boshe, si satirë e pamëshirshme e zyrtarëve mehmurë, të korruptuar e mendjeshkurtër të një province, duke i gërshetuar me ngjyrime sa apokaliptike aq dhe absurde. “- Ç’zanat ke? -Tani partizan. Bam këtu, e bam atje…”. Studiuesi i njohur prof. Josif Papagjoni, shkruan: “Mbaj mend se kur kam lexuar librin e tij me tregime “Një ndodhi në plazh”, (1962) apo novelën tjetër “Komandanti dhe ushtari”, (1968), qeshja me vete rrugëve si budalla, kaq të forta ishin mbresat e ndodhive dhe personazheve të tij në atë plazh ku shkonin mijëra vetë, të veshur e të zhveshur (sigurisht plazhi i Durrësit). Një galeri e vërtetë karakteresh, ku humori lëvizte aq bukur në shpengimin e vet, te fjalët dhe dialogët humoristikë, te situatat e krijuara, me njerëz nopranë e të çuditshëm, snobë dhe të paditur, zyrtarë me huqe e katundarë me një thes turpesh e paragjykimesh. I gjithë ky vëllim ka në thep të hostenit një shoqëri dhe një Shqipëri që ecte jo pa vështirësi në rrugën e kulturimit të saj, një Shqipëri ende e vjetër, ende fshatarake, ende nën trysninë e normave mesjetare të trashëgueshme”. (Josif Papagjoni : Qamil Buxheli, më e bukura mendje e humorit, Ex libris, 29 janar 2024).

Më vonë pasuan veprat: “Tregime humoristike”, 1962, “Varka e të dymbëdhjetëve” (1964),“Rrugë të tërthorta”, dramë 1966, “Komandanti dhe ushtari”, novelë 1968, “Stafeta e kuqe”, 1969, “Faraonë dhe firaunë”, tregime humoristike, 1969, “Dueli”, dramë 1963, “Kur qesh tërë qyteti”, roman humoristik, 1970, “ I pazëvëndësueshmi”, komedi, 1972, “Pjesë të zgjedhura”, 1972, “Karriera e zotit Maksut”, roman satirik, “Kameleoni në hall”, 1978, “Perënditë bien nga fiku”, 1979, “Abeli, unë dhe Paganini”, Satirë humor 1984, “Maratona e vdekjes”, roman 1983, “Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash”, 1997. “Nusja nga Europa”, 2002. “Amanetet e Kasandrës”(2004).

Buxheli qëndroi në xhunglën e realizmit socialist si një martir, si Humori i tij ishte kurora e artë, e praruar, rrezatuese, e epokës së hirtë, me vulgaritetin dhe skamjen e përditshme, të zhytura në hipertrofi kronike.

Duket sikur krijimtaria, gjith jeta e tij, është një betejë për fjalën e lirë. Ai nuk jetoi për opinionin e tjerëve, ndryshe do ishte i vdekur përjetësisht dhe askush nuk do kujtohej për të. Buxheli në asnjë rast nuk i ndrydhi apo kontrolloi ndjenjat dhe fantazinë e tij, duke i lënë të zhvilloheshin të lira në tekat e tyre. Me veprat e tij ai u jepte njerëzve një shpresë…Lum ai që kishte gjith ata armiq, se ndryshe nuk mund ta dimë a do ta kuptonte vlerën e vetes. Buxheli ishte një antikonformist i lindur, i dhembshur, njerëzor, i thjeshtë. Tallej me euforinë, krenarinë boshe dhe fodullëkun e zyrtarëve të çdo rrangu. Nuk kishte asnjë detyrim për të qenë konformist e lajkatar i regjimit.

Buxheli erdhi me furi si një shkrimtar novator, atipik, i kulturuar, sqimatar dhe popullor, dhe kurrë nuk u përpoq të bënte moral me krijimet e tij. Nuk i ndau kurrë idetë nga vlerat, duke sjellë një formë mendore të veprimit. Të gjitha mjetet letrare i vuri në punë me nikoqirllëk në laboratorin krijues, me një pikëpamje të qartë mbi vendin e tij midis vlerave modeste të letërsisë. E vuri talentin e tij në shërbim të morfologjisë shoqërore, të aspekteve të jetës shoqërore që i kundërviheshin njëri-tjetrit, duke bërë qartë dallimin mes subjektit dhe objektit.

Në humorin dhe satirën e Buxhelit miti ia ka dorëzuar armët arsyes dhe kjo ngjarje do të shënonte fillimin e letërsisë moderne satirike në Shqipëri, duke e futur individin brenda botës shoqërore ku jetonte.

“Ai ishte vërtet një figurë e pazakontë e humorit dhe satirës, më i miri prej nesh – tregonte Dritëro Agolli – një vesvesli i pashoq që gjithmonë hapte telashe. Me një stil të shkëlqyer sfidant e përbuzës, ironik deri në sarkazëm, polemist i pashoq, sarkazma e tij ishte një dush i ftohtë për regjimin, kundër cinizmit të gjyqtarëve dhe burokracisë shtetërore. Ai kishte një tallje therëse, plagosëse, që të trulloste duke qeshur”.

Përtej euforisë dhe vetëlëvdatave, me të cilat merreshin një aradhë e tërë shkrimtarësh shqiptarë, Buxheli vërejti një tjetër realitet të trishtë, dhe iu qas me ndjeshmëri e dhimbje, si rrallëkush deri atherë. Iu qas me idealizëm, për të rregulluar diçka, jo me mburrje e poza e ndjenjë madhështie.

Ai popullonte me personazhe tronditës hapësirën e humorit dhe satirës, me një guxim prej të marri, sa shpesh njerëzve të udhëheqjes u ngriheshin leshrat e kokës përpjetë. Personazhet e tij ishin magjepsës, të çuditshëm. Sa realistë, aq dhe groteskë, të gdhendura nga një dorë mjeshtri. Ai krijoi mitin e njeriut të veçantë shqiptar, duke ndriçuar anë të ndryshme të karakterit të tij.

I bindur dhe i ndërgjegjshëm për artin e tij, Qamil Buxheli nuk u bë kurrë një shkrimtar i parapëlqyer i regjimit. Talenti nuk e lejonte të bëhej një “guru” i socrealizmit, megjithëse mori goditjet e para. Satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.

Kësisoj Buxheli ka jetuar gjithmonë në pragun e rreziqeve. Në pushtetin komunist kontrollohej çdo veprimtari shoqërore, e në veçanti aktivitet e shkrimtarëve dhe intelektualëve, sepse ata përbënin rrezikun më të madh për sistemin socialist.

Satira , në një mënyrë ose në një mënyrë tjetër, do ta vinte përdoruesit e saj Qamil Buxhelin, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën.

“Pushteti totalitar në filozofinë e vet, e refuzonte oponencën, ose e pranonte atë vetëm si lustër demagogjike dhe të orientuar. Vitet që erdhën më pas, treguan pikërisht se shkrimtari, pati jo pak konseguenca, që u shfaqën me heqje veprash të tij nga qarkullimi, me kritika në forumet e larta partiake të kohës, me shkarkime nga funksione zyrtare, e deri dy herë largime nga vendbanimi në Tiranë”, shkruan Prof. Ymer Çiraku .

Në ndeshjen shekullore mes satiristëve dhe politikës amorale, dihet se kush fiton. Në komunizëm ironitë nuk janë të lehta. Njerëzit e klikës elitare komuniste (të njohur për mungesë humori) nuk e duronin dot talljen me fenomenet që vetë ata i kishin prodhuar.

Lloji i satirës buxheliane në një Shqipëri distopike dhe të dhunshme, ku ironitë dhe sarkazmat nuk ishin të lehta, padyshim do i zemëronte autokratët politikë, por duhet thënë se është fat që mbeti gjallë e shëndosh e mirë.

Megjithëse ai u përpoq që ta shmangte censurën, duke gjetur mënyra indirekte për të kritikuar fenomenet sociale, politikën dhe shoqërinë shqiptare, rrallë ia doli, pasi stili i tij ishte eksperimental dhe absurd.

Buxheli krijoi kundërshtarë shumë të mëdhenj, por megjithatë ai vazhdoi të shkruante. Askush nuk e merrte me mend se ky shkrimtar i zakonshëm, me një qësëndi të ngecur në cepin e buzës, do të zinte vend nderi në letërsinë shqipe, kur horizonti i letërsisë ishte mjaft i vrenjtur. Diktatura mund ta kishte futur edhe në burg, por nuk e bëri këtë gabim, se do do të rezultonte fatal karshi opinionit publik, për një shkrimtar kaq popullor e të dashur. Kësisoj diktatura zgjodhi t’i heqë kurajon krijuese.

Por u gabuan. Buxhelit nuk ia hoqën dot nga koka kurorën si patriark i humorit dhe satirës shqiptare. Ai kishte llogaritur çdo gjë. Edhe sikur të ishte në rrethin e fundit të Ferrit. Gjersa e lanë gjallë ai do të jetonte, bashkë me krijimtarinë e tij.

Qamili ishte një nga shkrimtarët e lënë në hije që nuk pushoi kurrë së shkruari dhe ëndërruari. Pikërisht te ëndërrimi ishte liria e tij. Kështu përsosi stilin e tij të bukur, pasuroi gjuhën, duke bërë një letërsi të një lloji tjetër, sa hijerëndë, aq dhe të bukur e të hijshme, duke i dhënë risi e dimension të ri klimës letrare të kohës. Shkrimtari Vangjush Saro, i cili e ka njohur mirë këtë realitet, shprehet: “Buxheli ishte Gjenerali i humorit shqiptar, megjithëse u përpoqin t’i hiqnin gradat. Të flasësh për humorin dhe satirën shqiptare nuk ka se si të mos përmendësh yllin e satirës shqiptare në disa dhjetëvjeçarë, Qamil Buxhelin. Vlera e krijuesve të humorit qëndron te mbajtja gjallë e flakës së revoltës, që mbron moralin përmes satirës…”

Krijimtaria e Qamil Buxhelit ishte evropiane dhe homogjene. Ai ishte vendimmarrës në fatin e letërsisë që do të krijonte. Zot i vlerave të tij letrare, pavarësisht nga furtunat ideologjike që u ngritën para tij. Punonte ditë e natë për të gdhendur karakteristikat e personazheve të tij, me seriozitet e përkushtim, i lirë dhe shkumëzues, pavarësisht nga kritikat e mediokërve anonimë.

E gjith jeta e tij ka qenë një dedikim i plotë ndaj letërsisë dhe së vërtetës. Ishte shembulli i shkrimtarit që sakrifikoi gjith jetën për të modernizuar humorin shqiptar dhe për t’i dhënë atij një dimension tjetër, si dhe për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të gjente udhën e lartësimit shpirtëror dhe ringritjen morale.

Buxheli ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet sociale shqiptare të kohës së tij, duke zbuluar elementet universale të shoqërisë, e prandaj, vepra e tij u flet edhe lexuesëve të sotëm si një e dhënë faktike. Në ditët e sotme shkruhet shumë pak letërsi e zejes së humorit e satirës. Edhe ajo që shkruhet është e një cilësie mjaft të dobët. Po të perifrazonim veprën e Buxhelit “Dostojevsk nuk kemi, idiotë sa të duash” (Tiranë , 1997), mund të shpreheshim: Buxhelë nuk kemi, humoristë sa të duash!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 610
  • 611
  • 612
  • 613
  • 614
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT