Sokol Paja/
Long Island, New York, 1 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” festuan me hijeshi e madhështi festën më të rëndësishme të shtetit shqiptar, pavarësinë e shpallur në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i “Vatrës” Long Island, N.Y. Dr. Paulin Marku u shpjegoi të pranishmëve rëndësinë e aktit të pavarësisë së Shqipërisë në historinë kombëtare dhe rrugëtimin historik e diplomatik të Ismail Qemalit e firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë. Rapsodët e komunitetit Prof. Besim Muhadri, Sadri Muriqi e Robert Dakaj emocionuan të pranishmit me këngë patriotike kushtuar Atdheut e flamurit kombëtar. I ardhur te Vatra nga Shqipëria, Prof.Primo Shllaku vlerësoi në fjalën e tij Vatrën dhe mërgatën shqiptaro-amerikane për veprimtaritë e tyre patriotike, bashkimin dhe fuqinë komunitare e kombëtare që vjen prej ruajtjes së traditave kulturore e gjuhës së pastër e të bukur shqipe. Prof. Dr. Luigj Gjoka në fjalën përshëndetëse vlerësoi aktin e pavarësisë si ngjarjen më madhore në historinë kombëtare dhe përpjekjet e shenjta të diplomatëve, intelektualëve, heronjve e luftëtarëve shqiptarë për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e Shqipërisë. Poetja nga Kosova, Vlora Ademi, Prof. Besim Muhadri, romancieri Prend Ndoja e studiuesi Hamid Alaj përshëndetën aktivitetin kulturor e patriotik duke theksuar rëndësinë që zë në historinë tonë kombëtare shpallja e Pavarësisë, Nëntori historik i shqiptarëve, organizimet patriotike kushtuar ditës së Flamurit Kombëtar në komunitetin shqiptar në Amerikë, rëndësia e bashkimit të shqiptarëve, bashkëpunimit dhe dashurisë mes tyre për të ruajtur amanetin historik të etërve që themeluan shtetin modern shqiptar dhe trashëgimin ndër breza të vlerave më të çmuara të kombit shqiptar. Themeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” zonja Fabjola Gjinaj prezantoi punën edukative, patriotike dhe kulturore me fëmijët shqiptarë dhe shprehu mirënjohje për prindërit që mbështesin pa kursim shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Festa e flamurit kombëtar në Long Island vazhdoi me aktivitete muzikore dhe recital i nxënësve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” të përgatitur me përkushtim dhe dedikim nga mësuese Fabjola Gjinaj e prezantuar nga Klaudio Turkaj: “Për mëmëdhenë” këndoi Olivia Kokona, “Sa të dua o Shqipëri”- recitoi Ajla Durra, “Atdheu ynë i shtrenjtë” -recitoi Wendi Bilali, “Duaje atdheun tënd” – këndoi Alisia Durra, “Shqipnia” – recitoi Aleks Qepuri, “Nëntori” – recitoi Wendi Bilali, “Valle e Tropojës” – kërcyen nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Gjuha shqipe” – recituan Bojken dhe Era Bajraktari, me vargje të krijuara nga poeti Prend Ndoja recitoi Domenik Shabani, “Zemra rreh për Shqipërinë” – këndoi Emeli Marku, “Për atdheun” – recituan tre vëllezërit Dritëroi, Shqiptari dhe Albin Mulaj, “Gjuha shqipe” – recitoi Alisia Durra, “Ti Shqipëri me jep nder” – recitoi Kamila Marku, “Mora fjalë” – këndoi Uarda Bilali, “Për flamurin” – recitoi Klea Bilali, “Vallja e Pavarësisë” – kërcyen nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, “Shqipëri o nëna ime” – këndoi Klea Bilali, “Xhamadani vija-vija” – këndoi Aleks Qepuri, “Vargje për Flamurin Kombëtar” – recitoi Emeli Marku.
Gazetari i përkushtuar i komunitetit shqiptar në Amerikë z.Nazim Salihu “Noli Tv” filmoi aktivitetin kulturor e patriotik duke regjistruar në memorien e komunitetit një aktivitet të shkëlqyer atdhetar.