• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË THUASH TË VËRTETËN KUR ÇDO GJË ËSHTË E RREME

December 28, 2024 by s p

Shpendi Topollaj/

(Rreth librit “Polemika” të Uran Butkës)

Sa herë mundohemi të zbulojmë se çfarë nuk shkoi si duhet gjatë këtyre viteve të tranzicionit tonë, pra të kalimit nga diktatura e egër komuniste në demokraci, krahas plot arsyetimeve shpesh subjektive, dua të besoj se në një pikë jemi në një mendje: na mungon kultura, pse jo edhe kurajua për ta shprehur lirshëm mendimin tonë për zhvillimet politike dhe sidomos për të debatuar me tolerancë, pa hipokrizi dhe me respekt për gjykimin e tjetrit. Pra, ne ende jemi larg të kuptuarit të asaj që personazhi i Balzakut Etien Lusto te romani i tij “Iluzionet e humbura” i drejtohet Lysienit: “Polemika i dashur, është piedestali i njerëzve të shquar”. Natyrisht që këtu ndikojnë karakteret, temperamentet, mentalitetet, simpatitë e përkatësitë partiake dhe sidomos interesat e njerëzve në përgjithësi dhe të historianëve, politikanëve dhe opinionistëve në veçanti. Fakti që edhe pas më shumë se tetëdhjetë vjetëve, vijojnë me të njëjtat pasione e mllefe, sherrnajat komunistë e ballistë, plot të pa qëna apo trajtime tendencioze, ndikuar nga falsifikimet e historiografisë së kohës që lamë pas, çka ende e mban të përçarë popullin tonë, i jep plotësisht të drejtë At Gjergj Fishtës që thosh se “Porsa nisim nji punë të re, / Të part` qe prishim jemi ne”. Dhe për të mos e lënë këtë punë që të prishet më tej, nuk ka rrugë tjetër përveç nxjerrjes së të vërtetave në dritën e diellit, mbështetur në dëshmi autentike dhe sidomos me dokumente të pakundërshtueshme. Kuptohet që në Shqipëri nuk kanë munguar ata burra e gra, pra intelektualë që e kanë pasur të palëkundur përgjegjësinë atdhetare për të mos i fshehur bindjet e tyre të formësuara pas daljes nga pluhuri i arkivave dhe që nuk i janë larguar edhe ballafaqimit me këdo që nën arsyetimin se ka të drejtë të mendoj ndryshe, ngatërrojnë e çorodisin lexuesit apo dëgjuesit. Dhe njëri nga këta, ndofta nga më të shquarit është kolonjari i papërkulur, bir i njërës nga familjet më atdhetare, zoti Uran Butka, sikurse duket qartazi edhe te libri i tij i botuar tash së fundi “Polemika”. Jo se nuk i kemi ditur shumë gjëra apo nuk kemi abstraguar rreth tyre, por historia nuk shkruhet për të glorifikuar apo kënaqur interest e ndonjë force politike fituese apo të ndokujt që etja për lavdi e bën të besojë se meriton të ulet me perënditë në sofrën e Olimpit, pasi ajo sikurse thosh Victor Hugo “…është jehona e të shkuarës në të ardhmen” dhe si e tillë duhet të mbështetet vetëm mbi të vërteta. Por të vërtetat duke qenë për rreth pesëdhjet vjet të kyçura në hekura, nuk i kanë shërbyer historisë, veçse e kanë ngatërruar më tepër atë. Prandaj sot në demokraci, kur kështjella e arkivave i ka portat e hapura, dhe prej saj kanë dalë, ashtu kokëforta sikurse janë, dokumentet e gjithçkaje ka ngjarë, është jo vetëm e gabuar, por edhe shumë e dëmshme të vazhdosh të mbrosh falsifikimet e bëra. Fatkeqsisht, të tillët, jo vetëm nuk kanë burrërinë të shfaqin pendesë, por, paradoksalisht u është vënë detyra për ta rishkruar atë histori. Pikërisht me këta, polemizon Uran Butka në artikujt e tij, të përmbledhur te ky libër që duhet të jetë njëkohësisht edhe shembulli sesi duhen parë dhe trajtuar qëndrimet e veprimet politike në Shqipëri që kanë të bëjnë me doktrinat, Kombin, luftën nacional – çlirimtare, varësinë nga të huajt, lirinë, demokracinë, sovranitetin, diktaturën dhe luftën për pushtet prej nga derivoi si lufta civile, ashtu dhe ajo e klasave. Ai ndalet në polemikat e tij, te disa momente të rëndësishme, si Mukja, Konferenca e Pezës, Kongresi i Përmetit, Lufta për çlirimin e Tiranës, etj. dhe nxjerr sheshit këmbënguljen e disa historianëve për t`i mbetur besnik përrallave të historiografisë komuniste. Tash së fundi më ka rastisur të lexoj dhe të shkruaj për librat e Gjet Tarazhit, Luan Dodes dhe profesorit Kosovar, 87 vjeçarit Ymer Berbati, të cilët me dokumente dhe dëshmi autentike, merren me të shkuarën dhe e ndriçojnë atë mësë miri. Duke lexuar librin e zotit Butka, menjëherë vëren një përputhje absolute mes tyre, mbi rolin e jugosllavëve si në krijimin, ashtu edhe në drejtimin e Partisë Komuniste Shqiptare, gjë që e zeza mbi të bardhë, pranohet nga vetë udhëheqësit komunistë, deri tek Enver Hoxha. Po ashtu, me dokumente zbardhet terrori dhe krimet e bëra dhe të pranuara prej tyre në momente “sinqeriteti” komunist, deri urdhërimet për shpalljen e luftës ndaj Organizatës së Ballit Kombëtar, apo dekorimin me ndonjë plumb kresë për shokët që Hoxha i quante rivalë ose që kërkonin bashkimin me Kosovën, si fjala vjen Mustafa Gjinishi me shokë. Jap vetëm një shembull për ilustrim mes shumë të tillave: E. Hoxha i shkruan Liri Gegës (pushkatuar dhe ajo me të shoqin kur qe shtatzënë): “I thashë Fadilit ta vrasë (Zai Fundon), pa marrë parasysh asnjë rrethanë”. U interpretua si internacionalizëm shkuarja e dy Brigadave partizane për të nënshtruar me vrasje, raprezalje, djegje e plaçkitje lëvizjen nacionaliste në Kosovë, ku vriste shqiptari – shqiptarin. Mbahej sehir kur në Jugosllavinë e Rankoviçit, zbatohej teoria famëkeqe e Ilia Garashaninit “Naçertanje”, pra “Rekrutimi”, “Mbi zhdukjen e arnautëve” të vitit 1844 apo ajo që e torri më tej Vasa Çubrilloviçi. Për më tepër Enveri urdhëronte Brigadat e Divizionit të I – rë: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kujfijve pa treguar as më të voglën tolerancë”. E fshehën ose heshtën për masakrën e Tivarit, ku u pushkatuan gati 4000 djem nënash shqiptare pa asnjë faj dhe që mbetet një njollë e madhe turpi. U mohua fakti që Enveri i lutej Titos që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë. Maskohej se gjoja po shtonin vigjilencën ndaj synimeve të UDB – së, kur burgosnin ata burra që arratiseshin dhe vinin në atdheun amë. Dhe sa shqiptarë u dënuan me dhe pa gjyq, se fundja edhe kur formalisht gjyqi bëhej, gjithçka jo vetëm ishte paravendosur, por edhe na kujton atë historinë e Risheljesë që i tha gjyqtarit mizor Labordmo: “Më jepni dy rreshta të shkruara nga një njeri të cilin do e bëjnë të pafajshëm, kurse unë do të gjej argumente për ta dënuar me vdekje”. Dhe a nuk ngjau kështu me dy poetët e talentuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi që u pushkatuan për poezitë e tyre? Ndaj Urani nuk harron të theksojë rolin negativ që luajtën dhe ekspertët për fundosjen e këtyre njerëzve, sikurse qe dhe rasti i gjyqit të Astrit Delvinës i cili thosh “Asgjë nuk dua, veçse të jetoj një ditë i lirë”. Dorëshkrimi i tij “Humnera e Plutonit” bazuar në sofizmat e pandershme të ekspertëve Mici dhe Moja që deklaronin se nuk kishte asnjë hero pozitiv, ishte i mjaftueshëm për ta akuzuar atë si ultrareaksionar që paskej dashur të përmbysë pushtetin popullor. Në shkrimet e tij Uran Butka jep fakte rrëqethëse të disa prej atyre që më pas u bënë udhëheqës të Shqipërisë si Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu të cilët bashkë me Komandantin u shndërruan në xhelatë deri të fëmijëve të mbyllur në kampet e Përqendrimit, si ai i Tepelenës dhe jo vetëm. Por nga ana tjetër, ai di të bëhet apologjet i intelektualëve që regjimi nuk i duronte që nga Ismail Kadareja e deri te shkodrania Marie Shllaku që e shkuan në plumb se e donte Kosovën të bashkuar, të pushkatuarit e bombës në ambasadën sovjetike, ku nuk ngurruan t`i merrnin jetën edhe shkencëtares së mençur Sabiha Kasimati me shokë, Musine Kokalarin që e çoi jetën në vetminë dinjitoze, baba Kamber Prishtën, Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin e plot të tjerë, pa përmendur se çfarë ka bërë ai për t`i dhënë vendin që i takon në Panteonin e Nderit një intelektuali dhe politikani atdhetar të përmasave të parrokshme si Mit`hat Frashëri që i shkruante nga Gjeneva mikes tonë të madhe Edith Durham se “Ne jemi të bindur se edhe hija e një protektorati italian do të jetë fatale për të ardhmen e Shqipërisë dhe zotërimi i Vlorës është i barazvlefshëm me skllavërimin e vendit” . Uran Butka në polemikat e tij nuk fyen askënd, duke ecur kështu në gjurmët e polemikave të viteve tridhjetë dhe tregohet aq objektiv sa nuk mohon as vendin që zë lufta nacional – çlirimtare, as heroizmin e partizanëve, dhe as krimet e disa pseudonacionalistëve si Xhaferr Deva, Halil Alia, Xhelal Staravecka etj. Edhe brenda partisë së tij apo si përfaqsues i popullit në Kuvendin e Shqipërisë, Urani shfaq karakterin e tij të pacënuar, më pëlqen të them sërish: prej kolonjari. Ai kur mendon tjetërsoj, nuk ngurron të deklarohet kundër mendimeve të imponuara qoftë edhe nga kryetari, edhe pse e di që nuk do të kandidohet përsëri si deputet i atij Kuvendi. Për të vlen ajo sentenca që ai ka nxjerrë si mësim nga Konferenca e Mukjes se “Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një Kombi”. Dhe ky mirëkuptim në kushtet e demokracisë tonë të brishtë, vjen kur e shkuara shkruhet siç ka ngjarë, pasi mbetet gjithmonë aktuale ajo thënia e bashkëautorit të Enciklopedisë franceze, Denis Diderot se “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë është e rreme”.

Filed Under: Komente

STRADIOTËT- MERCENARËT ARBËR TË EVROPËS 

December 28, 2024 by s p

Studim nga Rafael Floqi 

undefined

Flamur i Stradiotëve 

Stradiotët, ishin trupa ushtarake me origjinë arbërore, arvanitase dhe greke që hynë fillimisht në shërbimin ushtarak venedikas gjatë luftërave të Republikës me Perandorinë Osmane në shekullit të pesëmbëdhjetë, dhe ishin ndër pionierët e taktikave të kalorësisë së lehtë në ushtritë evropiane në epokat e hershme moderne. 

Këta luftëtarë, u kishin shërbyer më parë bizantinëve dhe feudalëve shqiptarë. Fillimisht ata gjetën strehim dhe punësim në fortesat veneciane të Napoli di Romagna, Corone, Modone dhe Malvasia në Peloponez. Më vonë ishin edhe mes forcave të vendosura në pronat veneciane në Trau, Shebenik, Castellonuovo dhe Zara në Dalmaci dhe ishujt e Korfuzit, Zantes, Qefalonisë, Kretës dhe Qipros. Ata u futën gjithashtu në Itali nga venedikasit në vitet 1470 dhe morën pjesë në luftërat në Itali në pjesën më të madhe të shekullit të 16-të, jo vetëm pro Venedikun, por edhe për Napolin por edhe për punëdhënësit e tjerë. 

Ishin pikërisht në sajë të këtyre luftërave, që stratiotët patën ndikim në Itali dhe në perëndim, kryesisht nga stili i luftimit dhe taktikat e tyre. Stradiotët ishin të armatosur dhe luftonin si një kalorësi e lehtë në të njejtën mënyrë si zhvilloheshin luftërat mes bizantinëve, sllavëve, shqiptarëve dhe forcavet osmane. Ata mbanin shtiza, dhe një pallë të gjatë, topuza dhe kama dhe ishin të veshur me një përzierje të veshjesh ushtarake orientale, bizantine dhe perëndimore. Stradiotët vazhduan traditat ballkanike të luftës së kalorësisë, e cila përdorte sulme goditëse, pritat, tërheqjet e shtirura, kundërsulmet dhe taktika të tjera pak të njohura  në ushtritë e kohës në Perëndim.

Gravurë e shek të XVI

Një numër shkrimtarësh bashkëkohorë dhe historianësh të mëvonshëm, kanë rrëfyer veprimtaritë aktivitetet e stradiotëve në Itali dhe në perëndim. Disa prej këtyre autoriteteve madje pretenduan se stradiotët ishin të rëndësishëm në rikthimin e taktikave të kalorësisë së lehtë në ushtritë perëndimore. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, trupat e stradiotëve e zgjeruan shërbimin e tyre në ushtritë e qyteve evropiane si Milano, Genova, si edhe të atyre të shteteve Spanja, Franca, Perandoria e Shenjtë Romake dhe Anglia.

Paraqitja e stradiotëve

Në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, kompanitë e stradiotëve u sollën në Itali dhe shërbyen në konfliktet e armatosura të Venecias në tokë. Ata hynë në shërbim në Itali në momentin vendimtar në periudhat në të cilën sistemi ushtarak i shteteve italiane, si dhe kur pavarësia e tyre, po kërcënohej nga ushtritë transalpine në fund të shekullit të 15-të. Një vëzhgues, i Marino Sanutos i përshkroi kështu stradiotët dhe ardhjen e tyre në Venecia: 

 “Më 22 Prill [1482] mbërriti anija e parë e kalorësve e cila mbante shtatë stradiotë nga Corone, të cilët, kur zbritën në Lido, parakaluan sipas mënyrës së tyre të mësuar para turmës së pamësuar e cila mrekullohej me shpejtësinë e kuajve të tyre dhe të shkathtësinë e kalorësve… Stradiotët janë nga Greqia dhe mbajnë pelerina të gjera dhe të gjatë kapele, disa veshin korse; ata mbajnë një heshtë në dorë dhe një topuz dhe i varin një shpatë ana e tyre? Lëvizin si zogj dhe rrinë pandërprerë mbi kuajt e tyre..Janë mësuar me plaçkitjen dhe grabitjen e shpeshtë të Peloponezit. Ata janë kundërshtarë të shkëlqyer të turqve. Ata i organizojnë bastisjet e tyre shumë mirë, duke goditur armikun papritur? Ata janë besnikë ndaj zotërinjve të tyre. Ata nuk marrin të burgosur, por përkundrazi u presin kokat kundërshtarëve të tyre, duke marrë një dukat sipas zakonit të tyre për kokë”.

Memorialisti francez, Philip de Commines, i përshkruan stradiotët që luftuan francezët në Betejën e Fornovos. Marchal de Gie i dërgoi fjalë mbretit se kishte kaluar malet dhe se pasi dërguan një grup kuajsh për të zbuluar armikun, ata ishin kapur nga estradiotët, njëri prej tyre i quajtur i Lebeuf u vra. Stradiotët i prenë kokën, dhe e vendosën mbi një shtizë, dhe e çuan tek drejtuesi i tyre dhe kërkuan një dukat. Këta stradiotët janë të së njëjtës natyrë si Genetaires [kalorësia e lehtë spanjolle] ata janë të veshur si turq edhe në kalë edhe në këmbë, veçse nuk mbajnë çallma mbi krye. Ata janë një popull i kalitur, ushqeheshin gjatë gjithë vitit mbi kuajt e tyre. Ata kishin ardhur të gjithë nga Greqia, nga vende të zotëruara nga venecianët, disa nga Nauplion, të tjerë nga Shqipëria nga Durrësi, dhe kuajt e tyre janë të mirë dhe janë të gjithë nga Turqia…I pashë të gjithë gjatë mbërritjes së tyre të parë në Venecia, dhe ata u grumbulluanr në një ishull.

Sipas shumicës së burimeve, stradiotët mbanin pak ose aspak armaturë. Nëse e bënë, ishte zakonisht tunika prej liri të mbushura ose këmisha me zinxhir. Autorët bashkëkohorë tregojnë se ata ishin të veshur dhe të blinduar si turqit, përveç se nuk mbanin çallmë.

Origjina e emrit “stradiot”

Ka dy versione të emrit stradioti janë cituar nga burimet, ndërsa studiuesit kanë debatuar se cili nga këta versione është i saktë. Sipas disa autoriteteve, emërtimi stradiotto dhe stradioti (shumës) janë variante italiane të stratiotes ose stratiotai janë greke që në përgjithësi do të thotë “ushtar”, por në kohën e mëvonshme bizantine nënkuptonte kalorësin që zotëronte një feud ushtarak (pronoia). Autorë të tjerë pohojnë se emri stradioti erdhi nga rrënja italiane strada (rrugë) dhe se termi stradiotto nënkuptonte një endacak ose udhëtar, duke treguar kështu një kalorës ose luftëtar i gabuar. 

Shumica e autorëve modernë, si dhe një numër i mirë i autorëve të hershëm kanë treguar se stradiotë ishin shqiptarë. Kjo është e vërtetë në një masë të caktuar, por duhet kualifikuar. Një autor grek bëri një studim për emrat e stradiotëve që gjenden në dokumentin më të gjerë të materialeve që kanë të bëjnë me stradiotët dhe zbuloi se rreth 80% e emrave ishin me origjinë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër me origjinë greke. Ky hulumtim zbuloi se me të vërtetë shumë nga emrat ishin shqiptarë, por një numër i mirë i emrave veçanërisht të oficerëve, ishin me origjinë greke, si Palaiologos, Spandounios, Laskaris, Rhalles, Comnenos.

Pse shqiptarët u bënë stradiotë 

Historia e shqiptarëve meriton një studim më vete. Tërhequr nga shpata, ari, stolitë dhe nderimet, ata lanë malet e tyre kryesisht për t’u bërë ushtarë. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ata gjendeshin në Qipro, në Venecia, në Mantova, në Romë, në Napoli dhe Siçili, dhe deri në Madrid, ku shkuan të paraqesin projektet dhe ankesat e tyre, kur kërkonin barut apo pension për vitet e shërbimit, gjithmonë të gatshëm për luftë. Në fund edhe kur Italia gradualisht i mbylli dyert e saj për ta, ata u zhvendosën në Vendet e ulëta, Angli dhe Francë gjatë Luftërave ndërfetare si ushtarë-aventurierë që ndiqeshin kudo nga gratë, fëmijët dhe priftërinjtë e tyre.

Ky përshkrim dhe të tjerat nuk marrin parasysh se shumica e stradiotëve nuk vijnë nga vetë Shqipëria, por nga pronat veneciane në jug dhe në qendër të Greqisë, që është Monemvasia, Modone (Methone), Corone, Napoli di Romagna (Nauplion), Mani dhe Lepanto (Naupaktos). Shumica e stradiotëve që hynë në Itali në fund të shekullit të 15-të dhe në fillim të shekullit të 16-të, së bashku me familjet e tyre, kishin lindur në Peloponez, paraardhësit e tyre kishin emigruar atje në fund të shekullit të 14-të dhe fillimi i shekullit të 15-të. Ata ishin vendosur në Greqinë Jugore të ftuar nga despotët bizantinë të Moresë, Theodore I Palaiologos (1384-1407) dhe Theodore II Palaiologos (1407-1443). Venecianët filluan të vendosin shqiptarë në Napoli di Romagna (Nauplion) në rajonin e Argos. Me rënien e shtetit bizantin më 1453 dhe shpërbërjes së Despotatit të Moresë nga lufta civile në vitet 1450 dhe 1460, gjithnjë e më shumë stradiotë shqiptarë dhe grekë gjetën strehim dhe punësim tek venecianët. Venedikasit i përdorën gjithnjë e më shumë ata si trupa në konfliktet e tyre me osmanët në Greqi dhe Levant në gjysmën e dytë të 15 dhe gjatë gjithë shekullit të 16-të.

Me kalimin e kohës, venedikasit futën disa prej këtyre stradiotëve në forcat e tyre në Itali. Një shkrimtar grek ka vlerësuar se numri i stradiotëve shqiptarë dhe grekë që u vendosën në territoret veneciane dhe në Itali arrinte në 4500 burra, së bashku me familjet e tyre ishin rreth 15.500. Nëse njëri përfshin ata që u vendosën në Italinë Jugore dhe Sicili, numri arrin në rreth 25.000.

Një faktor i dytë në punësimin e gjerë të stradiotëve nga Republika e Venedikut ishte ekonomia. Paga e stradiotëve ishte më e ulët, të paktën deri në vitin 1519, se ajo e mercenarëve perëndimorë, qofshin ata italianë, zviceranë, gjermanë apo të tjerë.

Stradiotët nuk ishin mercenarë në kuptimin e saktë të fjalës

Stradiotët nuk ishin mercenarë në kuptimin e saktë të fjalës, ata ishin refugjatë që ruanin veten dhe familjet e tyre në mërgim me a aftësitë e tyre luftarake. Kudo që ishin në garnizon ose të dislokuar, i sillnin familjet e tyre dhe i vendosën në vend ose afër vendit të tyre të detyrës. Në të vërtetë, stradiotët dukej se vlerësonin nderimet dhe privilegjet mbi pagën. Stradioti në fakt  kërkonte favore në formën e paradave dhe titujve dhe qeveria e kursyer veneciane ishte shumë i lumtur t’ua jepte atyre. Këtë e dëshmojnë titujt e drejtuesve të tyre të grumbulluar dhe ndjenjat e shprehura në poezitë që merrej me bëmat e tyre. si në greqisht ashtu edhe në italisht, Ata vlerësonin gjithashtu të drejtën për të praktikuar besimin e tyre të ritit grek, qoftë ortodoks apo uniat.

Faktori i tretë në preferencën veneciane në përdorimin e stradiotëve ishin trupat e taktikat dhe metodat e tyre jo të zakonshme të luftimit, të cilat mund të përdoreshin në mënyra të ndryshme. Taktikat e kalorësisë së lehtë të stradiotit përputheshin me ato të spahiut (feudalit) osman dhe akinxhinjve, kalorësisë (së parregullt), e cila i bëri ata që të ishin një pasuri për Venedikun në garnizonet e tij të Ballkanit dhe zotërimet e tij levantine, që u ruajtën mirë pas shekullit të 16-të. Në Itali dhe gjetkë në Evropën Perëndimore ata u treguan të dobishëm në skautizëm në zbulim dhe në sulmin e forcave në çrregullta ose në tërheqje, siç shihet në përshkrimet e mësipërme. Sipas studimit më të rëndësishëm të ushtrisë veneciane, “Ata vlerësoheshin, veçanërisht, për bastisjen e thellë në vendin e pushtuar nga armiku ku mundësitë për plaçkë ishin më të mëdha…” 

Merkur Bua

 Edhe shtete të tjera i zbuluan këto mjete taktike dhe filluan t’i tërheqin stradiotët nga shërbimi venecian me pagesë ose kushte më të mira shërbimi. Sipas Comines dhe të tjerëve, Franca nën Louis XII rekrutoi rreth 2000 stradiotë në 1497; rreth dy vjet pasi forcat franceze në Itali u ndeshën në Fornovo. Në mesin e francezëve ata ishin  të njohura si estradiotë dhe arguletë. Napoli nën sundimin spanjoll, i rekrutoi gjithashtu stradiotët në fund të 15-të dhe në fillim të shekullit të 16-të. Hyrja e parë e stradiotit në shërbimin napolitan ose spanjoll ka ndodhur në shek  1470 në vazhdën e një revolte në Mani nën Korkodil Kladën. Një anije napolitane i mori rebelët dhe i solli në territorin napolitan, ku së bashku me refugjatët shqiptarë nën djalin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin, morën pjesë duke nxitur një revoltë në rajonin e Himarës. Pas dështimit të kësaj kryengritje, shumica e njerëzve të Kladasit dhe Kastriotit, së bashku me refugjatët e tjerë nga  Himara, iu shërbeu spanjollëve në Itali. Spanja vazhdoi të punësojë stradiotë në shekujt 16 dhe 17, kryesisht në Napoli dhe gjetkë në Itali. Zona më e rëndësishme e rekrutimit për këto trupa ishte Himara.  Meqenëse Spanja dhe Napoli ishin të lidhura me Perandorinë e Shenjtë Romake përmes  personit të Karlit V në gjysmën e parë të shekullit të 16-të, stradiotë u gjetën shpejt  duke u shërbyer Habsburgëve jo vetëm në Itali, por edhe në Gjermani dhe Holandë.  Ndër ata që u dalluan në shërbimin e Habsburgëve dhe u bënë kalorës të  Perandoria e Shenjtë Romake ishin kapitenët Jakov Diassorinos, Gjergj Basta, vëllezërit Vasilikos dhe i padyshimti Merkur Bua. Buas iu dhanë tituj si nga venecianët dhe francezët. 

Mercur Bua ishte një kapiten stratiotësh shqiptar aktiv në Itali. Babai i tij ishte Pjetër Bua, prijës i shqiptarëve të Moresë në shekullin XV. I lindur në Nauplia në 1478, Merkur Bua u zhvendos në Venecia në 1489 pas vdekjes së babait të tij dhe mori pjesë në fazat e rëndësishme të Luftërave Italiane në shërbim të Republikës së Venedikut, Dukës së Milanos Ludovico Sforza, e mbretërisë së Francës, Perandorit Romak të Shenjtë Maximilian dhe pastaj përsëri Venecias. Për veprat e tij Mbreti i Francës Louis XII e shpërbleu me titullin e nderit Kont i Aquino dhe Roccasecca. 

Henriku VIII punësoi edhe stradiotë në Francë dhe  Angli, veçanërisht nën kapitenët Thoma Bua të Argos, Theodore Lukisi dhe  Antoni Stesinos. Në fund të shekullit të 16-të, megjithatë, numri i kompanive stradiote të punësuara në ushtritë italiane dhe të tjera perëndimore u pakësuan. 

Regjimenti himariot

Në shekullin e tetëmbëdhjetë u ngritën institucione të reja ushtarake që zgjatën traditën e legjioneve ballkanike në Venecia dhe Napoli. Dy formacionet kryesore të përbëra nga trupat ballkanike ishin Reggimento Cimarrioto veneciane dhe Reggimento Real Macedone napolitane. Reggimento himariot u organizua gjatë luftërave Kandiane dhe Moreane nga venecianët, ndërsa Reggimento Real Macedone u formua menjëherë pas themelimit të Mbretërisë së pavarur të Napolit në 1734. Këto trupa të reja ishin të armatosur në atë mënyrë që njihej si “alla shqiptare”. Arma e tyre kryesore e zjarrit ishte një musket i gjatë i njohur si dyfeku ose karafili. Një komplet pistoletash plotësonte pushkën dhe mbante një këllëf me fishekë për të gjitha armët e zjarrit. Armët e dorës përfshinin një shpatë, ose një jatagan ose një shpatë tradicionale ballkanike palla, e cila kishte një formë të ngjashme me një thikë. Këto plotësoheshin nga të paktën një kamë. Kostumi dallues i këtyre trupave përbëhej nga një fustan i bardhë- fustanella ose një tunikë e gjatë me ngjyrë të errët (ferrmele), çorape të gjata (kaltsa), mokasina (opinga) dhe një mantel bariu (kapa/ guna). Kjo veshje bazohej në veshjen fshatare dhe ishte e zbukuruar me qëndisje dhe krahë të argjendtë, simbole të luftëtarit. 

Krijimi i formacioneve të kalorësisë së lehtë, i huazuar nga traditat e stradiotëve, si dhe ato të genitourëve spanjollë  (genitaires) dhe husarëvet hungarezë, zëvendësuan stradiotët në shumë ushtëri evropiane dhe më vonë përdorimi i armëve të zjarrit i dha fund rëndësisë së tyre. 

Filed Under: Histori

Seton Hall professor joins global theological congress, meets Pope Francis

December 28, 2024 by s p

Staff Reports December 27, 2024

Ines A. Murzaku, Ph.D., professor in the Department of Religion and director of the Catholic Studies Program at Seton Hall University, participated in the International Congress on the Future of Theology: Legacy and Revisioning held Dec. 9-10 at the Pontifical Lateran University in Rome. The gathering, organized by the Dicastery for Culture and Education, brought together theologians, scholars, and educators from around the world to explore the future of theology and its relevance to the modern world.

Murzaku was deeply inspired by Pope Francis’ address that opened the event, during which the Holy Father shared profound reflections on theology’s role in contemporary society. For Murzaku, the experience was made even more memorable by the opportunity to engage personally with the Pope, an encounter that left a lasting impression.

Sharing her reflections, Murzaku said the Holy Father’s address profoundly moved her. “He likened theology to light—a force that works quietly and humbly to illuminate the Gospel of Christ. Just as light cannot be contained, theology too must transcend the confines of books and academic discourse; it must be lived and enacted in the world.”

Murzaku explained that Pope Francis emphasized the necessity of a practical and transformative theology, one that fosters a dynamic relationship with God and encourages critical rethinking of how we approach faith and reason. He spoke about the importance of theology being accessible and relevant to those in the midst of life’s pivotal moments. In particular, the Pope highlighted the struggles often encountered in middle age, such as existential questions and personal crises, and suggested that theology can provide the guidance needed during these times of uncertainty.

“Middle age is a time when professional and personal stability may be accompanied by profound challenges,” Pope Francis observed. “Theology, in such times, can serve as a compass, helping to renew their search for meaning. Let theology become a welcoming space… where seekers can rediscover their path.”

The Congress also tackled critical issues such as the integration of interdisciplinary perspectives—drawing from fields like literature, music, and science—and the geographical and cultural diversity within theology. One of the most compelling discussions for Murzaku was the Pope’s call for greater inclusion of women in theology. The Pope stated, “An all-male theology is an incomplete theology,” urging the Church to expand the participation of women in theological scholarship and practice.

The Holy Father’s vision for theology was clear: it must move beyond oversimplification and embrace complexity, serving as a guiding light in an often-divided world. “Theology,” Pope Francis concluded, “should help us rethink how to think,” fostering a discipline that inspires new ideas and approaches.

Rev. Gerald Buonopane, Ph.D., vice provost for academics and Catholic identity at Seton Hall, praised Murzaku’s participation in the event, noting its importance for both her and the university. He added, “By doing so, Dr. Murzaku spotlights Seton Hall University to the global theological community. The words of the Holy Father that theology is not confined to ‘books or academic discourse’ but needs to be lived out in the world ring true here at Seton Hall by the university’s infusion of the Catholic intellectual tradition.”

Reflecting on her experience, Murzaku said, “There is much to unpack in the Holy Father’s message, requiring both time and thoughtful reflection. True theology speaks to both the mind and the heart, harmonizing intellect and compassion—which I believe to be an imperative to which all educators are called.”

Read the Address of the Holy Father to Participants at the International Congress on the Future of Theology: Legacy and Revisioning here.


Featured image: Ines A. Murzaku, Ph.D., met and conversed with Pope Francis during the International Congress on the Future of Theology: Legacy and Revisioning in Rome from Dec. 9-10. (Photo courtesy of Vatican Media)

Filed Under: Emigracion

Shpirti publik dhe llogaridhënia e atyre që na drejtojnë

December 28, 2024 by s p

Agim Baçi/

A mund të bëjë gjithçka një qeveri, nisur vetëm nga fakti se është votuar nga shumica? Politologu dhe esteti britanik Roger Scruton ishte i idesë se përveç rezultatit zgjedhor, një qeveri duhet ta qëndrojë si e pranueshme për publikun duke funksionuar përmes një shpirti publik dhe një komunikimi me qytetarët – një komunikim ku të mos synohet që ndaj tyre të krijohet vetëm bindja apo që ndaj tyre të funksionojë vetëm marrëdhënia demagogjike. Sipas Scruton, qeveria duhet të rrëfehet jo vetëm për atë që dëshiron, por sidomos për atë ç’ka bën bazuar në ligje në punën e saj.

Por idetë politike të Scrutonit për një qeverisje me shpirt publik, që jep llogari për atë që bën, janë të kërcënuara sot fuqimisht nga makiavelistët në pushtet dhe ata që aspirojnë të marrin pushtetin, të cilët, në vend të llogaridhënies aplikojnë vetëm frikësimin, shpifjen dhe bindjen.

Po të shohim më vëmendje, ngado pushteti ka fokusuar llogaridhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë me frikësimin apo ndëshkimin e kujtdo që mendon ndryshe, duke kërcënuar kështu jetën në mënyrë të dinjitetshme. Madje, gati në mënyrë të hapur, politika sot, në vend të paraqitjes së alternativave është munduar t’i zhdukë ato. Për të arritur zhdukjen e alternativave është përdorur zëvendësimi i informacionit me bindjen, duke e bërë të vërtetën gjithnjë e më të pavend në debat. Për pasojë, në vend të përpjekjes për ndryshim, shumica e qytetarëve mbeten peng vetëm i gjendjes së pakënaqësisë pa provuar se mund të ndryshojnë.

Në Shqipëri, fatkeqësisht të parët që ngurojnë për të kundërshtuar një politikë të ushtrimit të frikës dhe bindjes, një politikë pa llogaridhënie dhe alternativa, janë ato pjestarë të shoqërisë që njihen me emrin intelektualë, të cilët më së shumti njihen vetëm për frazat demotivuese- “Ne nuk bëhemi”, “ne nuk dimë”, “ne jemi të paaftë”, “ne nuk ndryshojmë”.

Kështu, nën pushtetin e kulturës së frikës, intelektualët kanë shmangur përgjegjësitë individuale për të kërkuar rrugëzgjidhje më të mirë politike dhe sociale, duke nisur nga kurajo e tyre personale që duhej të kishin treguar për të ngritur zërin mbi gjendjen në shoqëri dhe qeverisje. Madje edhe më keq, intelektualët prej kohësh janë kthyer në një skelet ideologjik të pushteteve, duke shtuar edhe më shumë frikën se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të shkëputet nga amullia njerëzore e dehumanizimit nën diktaturë, ku për mbijetesë askush nuk e kishte problem t’i thoshte të bardhës të zezë e të zezës të bardhë.

Ky kompromis i vazhdueshëm i qytetarëve më kulturën e frikës dhe të bindjes ka zhdukur prej kohësh guximin për t’u kërkur llogari atyre që i votojmë, atyre që u japim pushtet.

…Ne kemi nevojë për shpirtin publik dhe llogaridhënien e atyre që na drejtojnë. Por për të kërkuar një gjë të tillë nevojitet që, më së pari, të mos ja hapim krahët frikës, por ta refuzojmë atë, nëse ende dëshirojmë që të rrisim fëmijët me dashurinë për këtë vend.

Filed Under: ESSE

ROMANI I NJË BALADE, BALADA E NJË ROMANI QË ERDHI NGA RUMANIA

December 28, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

Tani së voni doli në shqip romani “Balada”, – një titull për një titull, që kumbon sërish madhërishëm dhe në këtë vepër, – botim i “Onufrit”, i shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc, i cili erdhi dhe në Tiranë në përurimin e veprës në shtëpinë muze “Kadare”, që u zgjodh me qëllim.

Që në kopertinë të botimit lexojet “Një roman biografik për kompozitorin e madh rumun Ciprian Porumbescu – Kompozitori i himnit tonë kombëtar”.

Gjithsesi nga që “Balada” është për një kompozitor, ndjen se ajo harmoni dhe rendja ritmike, përftojnë një muzikë të brendshme dhe e kupton se e ka në trupin e vet si pema limfën.

Muzikë ballkanike, konkretisht rumune, e lidhur më shumë me Europën Qendrore, Vienën Perandorake, por gjithsesi me shpirtin e popullit të vet.

Dhe fjalët e mia do të doja t’u ngjanin akordeve muzikore, të përcillnin emocion, jo analyze kritike…

Akordi 1

Pikërisht ky shënim i shkurtër në krye: …Kompozitori i himnit tonë kombëtar… do të shërbente si një thirrje dhe për lexuesin shqiptar, veçan:erisht, që edhe pse nuk bën pjesë në intrigën romanore himni ynë, kërshëria për të ditur për këtë kompozitur, për jetën dhe vendin e tij në kohën e tij, mbeten joshëse, pse ky himb doli aty, ndërkaq vepra e përplotëson prishmërinë ndryshe, bukur dhe me informacion letrar,

Nuk është një monografi, është një roman, monografi shpirtërore, mund të themi, që shpalos histori dhe një hapësirë kulturore, që janë të një të kaluare, që jehojnë si e tashme, ku rrëfimi në vetë të parë i jep një çiltërsi besimi.

Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shkrimtar të seriozes, me dije si Lesenciuc, poet dhe eseist dhe profesor universitar, me shumë çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërkaq dhe njohës i letrave shqipe në rumanisht, ku herë pas here i ka shoqëruar me artikuj kritikë të ndjeshëm.

Akordi 2

Koha e ngjarjeve është dhe nuk është e kufizuar nga historia e vet, aq sa duket sikur kufijtë midis kohës reale dhe asaj mitike janë të zbehtë. Historia zhytet në një Rumani rurale, ku traditat, këngët dhe legjendat përcillen brez pas brezi, një përzierje antropologjike, ku elementët folklorikë ndërthuren me sfidat për të afruar të tashmen urbane, moderne, duke ngulmuar në nevojën e rikthimit ndryshe.

Kjo qasje bën që romani të qëndrojë si një urë mes traditës si një ëndërr dhe botës bashkëkohore si një vizion.

Akordi 3

“…Baladë për Piano dhe Violinë, op.29, kompozim të cilin e ndjeja në vena. Ka diçka që duket të jetë gjenetikisht e trashëguar. Teksa mblidhja të dhëna, – i thotë shkrimtari Adrian Lesenciuc si një kolegu Andreas Dushit në intervistën e tij, – zbulova se çfarë personaliteti i madh kishte qenë i ati i Çipirian Porumbesc-ut dhe vendosa të shkruaja rreth tij [,,,], që kontribuoi në ringritjen e shpirtit rumun gjatë revolucionit të 1848. Kam mbledhur informacione për diku dhjetë vjet […] e përfundova. Për mua, ishte si një çlirim.”

Pikërisht çlirimi është një terminal, që autori të vazhdojë te lexuesi si një tjetër terminal apo kohë muzikore.

“…Muzika e Çipirian Porumbescut është një mjet i tillë transmetimi kulturor dhe jam i lumtur që, nëpërmjet Asdrenit, një nga kompozimet e periudhës kur Porumbescu ishte student në Vienë, është bërë himni kombëtar i Shqipërisë.” Ja, pra poeti ynë i padukshëm në roman, as fantazmë, por është ai ajër dhe fryma që na çojnë atje. Romani “Balada” rrëfen një histori shumëdimensionale, ku ngjarjet duan të ngjajnë me mitet dhe baladat popullore të Rumanisë. Në qendër mbetet kërkimi për kuptimin e jetës dhe identitetin, që formëzohen nëpër rrugë të përshkuara nga figura simbolike dhe situata jo pa enigma. Përmes narrativës, shkrimtari eksploron fuqinë e artit dhe traditës si mekanizma të ruajtjes së identitetit kombëtar, po aq dhe njerëzor. Edhe kjo nëpërmjet artit me art.

Akordi 4

Romani i ngjan një udhëtim në kohë dhe hapësirë dhe të një dimesioni tjetër, atë shpirtëror, për të dhënë prani nëpërmjet së ikurës. Gjatë këtij udhëtimi ndeshesh me vetvete të tjera.

Figura e gruas është dhe mbartëse, ashtu si e dashurisë, dhe e baladave, që ruajnë sekretet e trashëgimisë së lashtë, ndërsa figura e të moshuarit-persoanzh ka urtësinë e popullit dhe lidhjen e ngushtë me natyrën. Së pari asaj njerëzore.

Dilemat morale, mëdyshjet e brendshme, tërheqja nga një zë mistik – kënga e një balade të harruar, që ngjan se mban të gjitha përgjigjet që kërkohen te ky roman.

.

Akordi 5

Personazhet e romanit aq sa janë vetvete, përfaqësojnë koncepte të veçanta dhe arketipe universale. Protagonisti, i cili shpesh duket si alterego e autorit, por dhe e lexuesit gjatë leximit, kalon një proces zhndërrimesh të brendshme, nga përjetime reale me dimensione fërgëlluese metafizike.

Figura të tjera përforcojnë karakterin alegorik të romanit.

Adrian Lesenciuc tërhiqet nga rëndesa e trashëgimisë kulturore dhe forca e saj që vërshon vetvetiu në përballjen me krizat e kohës moderne apo me zhvillimet normale, qofshin dhe të bujshme. Se edhe normalja mund të jetë e tillë.

Romani duket se është vepër e q;ellimshme kujtesës, do të thosha, e asaj kujtese që mbetet dhe në ajër si muzika e baladat, e karakterit dhe e lidhjes me rrënjët. Kërkimi për kuptimet ekzistenciale duket se ka si çelës përgjigjen e pyetja thelbësore: A mundet tradita të ndihmojë njeriun të kuptojë vetveten dhe botën?

Ashtu siç thoshte poeti i madh europian Mario Luzi, ne jemi ajo që kujtojmë.

Akordi 6

Vlerat dhe Stili. “Balada” ka një rrjedhë poetike, prej nga vjen dhe muzika e saj, me natyrshëri që e shndërrojnë leximin një përvojë estetike dhe ideore veçmas.

Titujet e krerëve janë si vargje baladeske. Adrian Lesenciuc ndërthur një gjuhë të kultivuar, që falë përkthimit nga rumanishtja nga Spriu Fuchi dhe Altin Vasillaq Kaso me thjeshtësi dhe lëng përcjellin një figuracion dhe simbole që pasqyrojnë një botë emocionale dhe ndodhish, të lidhura pandashëm me themelet, që kulmohet me vlerat pannjerëzore dhe artin.

“Balada” do të thosha se është një himn për traditat dhe një thirrje për të ruajtur kujtesën kulturore, e theksoj: kujtesën kulturore, në kohëra të trazirave shpirtërore. Kënga, ajo që është brenda nesh, edhe e papërfunduar apo e pakënduar, mbetet shtyllë e qëndrueshmërisë njerëzore.

Akordi i mbramë:

Në veprën e shkrimtarit rumun Adrian Lesenciuc gjej kishat si institucione, aq sa jashtë, edhe brenda njeriut, pra më shumë si konstrukte shpirtërore, i besimit të thellë.

Ndërkaq dhe romani i tij më i fundit, i botuat këtë vit në Rumani prandja dhe është “Gjuha e Jezusit”. pjesën e parë të të cilit na e solli në shqip në “ExLibris” përkthyesi, studiuesi dhe kritiku i artit Dr. Luan Topçiu

“- Paqja është për të dobëtit! Bëra kryq, sepse zavalli njeri, në padijen e tij, nuk mund të kuptonte që nga të gjitha viset nga vijmë, ne përshëndetemi duke i uruar paqe njëri-tjetrit, jo sepse jemi të dobët, por sepse dëshirojmë për njëri-tjetrin forcën e vërtetë.” Ja, matrikulla e veprës Lesenciuc – paqja. Përmes konflikteve që sjellin paqe. Jo luftës. Çuditërisht në veprën e tij sikur parandillet ajo që po ndodh tani në Siri: “Sapo kisha filluar të pija kafenë kur pashë ushtarët sirianë tek hyrja të cilët, papritur, u ngritën në qëndrim gatitu. Pas disa çastesh, një makinë e njohur u afrua… Mund të isha gabuar, sepse të gjitha makinat e zyrtarëve të zonës ishin Toyote të zeza, ose makina 4X4 nga General Motors. Nuk dija kurrë se kush ishte brenda tyre – klanet e fuqishme qarkullonin pa targa, shpesh me një kolonë të tërë Toyotash ose GMC, dhe çdo herë që një Toyota e zezë hynte në zonën e kontrolluar nga patrulla siriane, mornica rrëqethjeje më përshkonin gjithë shtyllën kurrizore […] – Paqja qoftë me ty, – më përshëndeti dhe u ul pranë meje. – U trembe? – Jo, – i thashë, ndonëse e dija mirë se ai e kishte kuptuar që po gënjeja dhe që dridhja ime ishte e dukshme”. Letërsia, ajo e njerëzve dhe e lirisë së tyre, jo ajo e sundimtarve, i paralajmëron ata dhe diktaturat e tyre, madje i përmbys sundimet e padrejta si sistem apo ideologji më parë se përballja si dëshirë sizmike, ëndërr dhe thirrje, ndërkaq jep atë kurajo, që bën të guxojmë për mirë. Në fund të fundit dëshmon me emocionin si me muzikë në ajër, që është kujtesë e së ardhmes ose le ta themi me fjalinë e fundit të romanit “Balada”: “nuk është ajo që më përcakton. Unë nuk jam gjë tjetër veçse kohë.” Letërsia e vyer nuk na merr, por na jep kohë. Të duhurën…

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 721
  • 722
  • 723
  • 724
  • 725
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT