• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krijohet Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26

February 7, 2026 by s p

Është krijuar Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë (Forumi 26), një organizim i ri letrar që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë. President i Forumit është zgjedhur Stefan Çapaliku, zv/president Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.

Në ceremoninë e shpalljes publike, Stefan Çapaliku theksoi se Forumi 26 u krijua nga një grup shkrimtarësh pas një sërë takimesh dhe diskutimesh të përqendruara në letërsinë shqipe, të cilat çuan në përfundimin se ekziston një nevojë e qartë për një organizim të ri, gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor të shkrimtarëve shqiptarë.

Nga kjo nevojë lindi Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26, një bashkësi shkrimtarësh që synon të bashkojë personalitete letrare me kontribute estetike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si edhe autorë që jetojnë dhe krijojnë në mërgatë.

Forumi 26 krijohet si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare takohen për të ndërtuar kontakte reale kulturore, ndërshqiptare dhe ndërkombëtare.

“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Në këtë frymë, Forumi 26 synon të ushtrojë një ndikim konstruktiv ndaj institucioneve dhe vendimmarrësve në fushën e kulturës, për ndërtimin e politikave kulturore koherente, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj integritetit dhe unitetit të letërsisë shqipe. Prioritet mbetet promovimi i letërsisë shqipe si një e tërë e pandashme, si një hapësirë e përbashkët kulturore dhe artistike”, u shpreh z. Stefan Çapaliku gjatë ceremonisë së shpalljes publike, e zhvilluar sot në mjediset e Librarisë Babel, në prani të medias dhe anëtarëve të Forumit 26.

Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26 përbëhet nga: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku.

President Nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.

Filed Under: Reportazh

SHËN NËNA TEREZE NË PULLAT POSTARE SHQIPTARE

February 7, 2026 by s p

NËNA TEREZE, SHQIPTARJA QË E MËSOI BOTËN TË DHUROJË DASHURI

(Pjesë nga Hyrja e librit “Shën Nëna Tereze në pullat postare shqiptare”)

Hysen S. Dizdari

Libri album me pullat postare shqiptare kushtuar Nënës Tereze, në botimi i parë doli në vitin 2018. Kanë kaluar 8 vite dhe ky libër është pritur mirë nga lexuesit, në mënyrë të veçantë nga studiuesit e filatelisë dhe koleksionistët e pullave postare shqiptare në Shqipëri dhe në vendet e tjera.

Duke marrë parasysh vlerat e larta morale e njerëzore të figurës së Nënës Tereze, që u bë e njohur në mbarë botën për dashurinë që tregoi për më të varfrit e të varfërve dhe flijimin e jetës për ta, në bazë të kërkesave të shumta të lexuesve, vendosem për ribotimin e tij me rastin e 114 vjetorit e lindjes dhe 8 vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënës Tereze.

Gjatë këtyre viteve libri-album “Nënë Tereza në pullat shqiptare” (botimi i viti 2018), ka marrë pjesë në ekspozitat e librit filatelike në shkallë ndërkombëtare dhe është vlerësuar me 3 çmime (medalje):

1-Në ekspozitën, ndërkombëtare: “China-2019 është vlerësuar me medalje-SILVER.

2-Në ekspozitën ndërkombëtare: “Cinisello-Balsamo-2019”, Itali, është vlerësuar me-VERMEIL.

3-Në ekspozitën, ndërkombëtare “Nordia-2019” është vlerësuar me medalje-SILVER.

Në këtë botimin të ri i kam pasur parasysh disa vërejtje dhe mangësitë që ka paraqitur ky libër në ekspozitat filatelik ndërkombëtare, duke marrë për bazë edhe përmirësimet e kritereve të vlerësimit të literaturës filatelike, të propozuara nga Shoqata botërore e autorëve në Filateli (AIJP-anëtar i të cilës është edhe autori i librit).

Me një kujdes janë bërë disa përmirësime të nevojshme, duke marrë parasysh ndryshimet e reja që janë pasqyruar në botimin e ri të katalogun Michel -2024 për Shqipërinë.

Shën Nënë Tereza me misionin e saj shpirtëror, moral e humanitar dhe flijimin të dëshmuar ndaj të varfërve në gjithë botën ka marrë dhe vlerësime të larta nga personalitete të shquara botërore.

Kështu, papa Gjon Pali II, duke e vlerësuar punën dhe flijimin e Nënës Tereze pari thënë:

“SI MUND NE TË HARROJMË GONXHE (ANJËZE) BOJAXHIU, NËNËN TEREZE TË KALKUTËS, BIJEN E POPULLIT SHQIPTARË QË I KA DHANË NDER E SHKELQIM KOMBIT TË SAJ DHE KISHËS KATOLIKE.”

Ish kryetari i SHBA, Bill Klintoni, në vitin 2002 tha:

“NËNA TEREZE ISHTE E PARA QË MË BËRI TË DUA KOMBIN SHQIPTAR DHE TANI NDIHEM SHUMË KRENAR QË PLOTËSOVA NJË DETYRË MORALE, NDAJ SAJ DHE VLERAVE TË LIRISË.”

Më 4 shtator 2016 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në praninë e 250.000 besimtarëve dhe 15 personaliteteve botërore, u mbajt Mesha e Shenjtë e kanonizimit Shenjtëreshë të së Lumturës Nënës Tereze shqiptare.

Papa Françesku, në Omelinë më 4 shtator 2016 tha:

“NËNA TEREZE NA KA MËSUAR T’I NDIHMOJMË NJERZIT PA DALLIME IDOLOGJIKE, RACE E BESIMI FETAR.”

Shën Nëna Tereze, shqiptarja e famshme, e njohur në të gjithë botën, është bërë shenjtëreshë e dashurisë për njeriun, sidomos për atë të varfrin e më të varfërve; u bë modeli i përsosur i respektit, i moralit dhe dashurisë njerëzore për të gjithë.

PËRSHENDETI LEXUESIT, KUDO NËPËR BOTË, ME KËTË TEKST TË SHKRUAR NGA SHËN NËNA TEREZE ME TITULL:

GJEJ KOHË :

GJEJ KOHË TË MENDOSH – ËSHTË BURIMI I FUQISË.

GJEJ KOHË TË LUTESH – ËSHTË FUQI DHE KJO, MË E MADHJA NË BOTË.

GJEJ KOHË TË QESHËSH – ËSHTË MUZIKË SHPIRTËRORE BRENDA TEJE.

GJEJ KOHË TË LUASH – ËSHTË VAZHDIM I FËMIJËNISË.

GJEJ KOHË TË DUASH ËSHTË DHURATË E HYJNIVE.

GJEJ KOHË TË JEPESH ËSHTË TRIUMFI I DASHURISË.

GJEJ KOHË TË LEXOSH – ËSHTË VATRA E MENÇURISË.

GJEJ KOHË TË SHOQËROSH – ËSHTË RRUGË LUMTURIE.

GJEJ KOHË TË PUNOSH PRAPË – E KE BLERË ARDHËMËRINË.

GJEJ KOHË TË BËSHË MIRË – JANË FLATRAT QË TË ÇOJNË NË QIELL.

Filed Under: Kulture

Metafora e lumit…

February 7, 2026 by s p

Nga analiza e intervistës së poetit disident Ruse, Josef Brodsky, i cili ka jetuar në Amerikë dhe ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1987. Intervistën e ka dhënë për revistën “Economist” në Londër.

Mihal Ciko

“Është e pamundur të hysh dy herë në të njëjtin lumë” – Josif Brodsky dhe fati i poetit disident.

Në një nga intervistat e tij më domethënëse, Josif Brodsky e përdor mendimin e Heraklitit — se është e pamundur të hysh dy herë në të njëjtin lumë — për të shpjeguar jo vetëm jetën e tij në mërgim, por edhe fatin e poetit disident. Largimi nga Rusia nuk ishte për të thjesht një ndryshim vendi. Ishte një ndarje me një kohë, me një realitet dhe me një përvojë që nuk mund të rikthehej më. Për Brodskyn, kthimi fizik nuk do të thoshte rikthim i vërtetë, sepse ndërkohë kishte ndryshuar edhe vetë njeriu. Kjo e bën mërgimin një gjendje ekzistenciale, jo vetëm politike.

Megjithatë, identiteti i poetit nuk humbet. Ai ruhet në gjuhë. Edhe pse jetoi në Amerikë dhe fitoi Çmimin Nobel, Brodsky pohonte se në krijimtarinë e tij kishte mbetur në Rusi. Gjuha amtare mbetet hapësira ku poeti vazhdon të ekzistojë.

Në këtë intervistë ai refuzon idenë se regjimet represive krijojnë poezi të madhe. Poezia nuk lind nga shtypja, por nga nevoja e brendshme për të thënë diçka të vërtetë. Politika mund të ndikojë mënyrën e të shprehurit, por nuk duhet të përcaktojë misionin e poetit. Sipas Brodskit, shkrimtari nuk duhet të bëhet profet apo zë ideologjik, por të ruajë lirinë e tij estetike dhe morale.

Metafora e lumit mbetet kështu një përkufizim i fatit të poetit disident: ai jeton mes dy brigjeve — kujtesës dhe së tashmes — duke e ditur se as vendi dhe as njeriu nuk janë më të njëjtë. Dhe pikërisht në këtë ndërmjetësi lind poezia që i mbijeton kohës.

Foto: ucm.es

Filed Under: ESSE

Intelektuali…

February 7, 2026 by s p

Ermal Hasimja/

Intelektuali nuk është thjesht dikush me diplomë universiteti. Është dikush që ofron ide dhe mban qëndrime. Koha do të tregojë nëse qëndrimet që ai mban janë të drejta apo jo, por është më mirë të kesh qëndrime të sinqerta e të gabuara, sesa të kesh qëndrime e t’i mbash për vete sepse nuk ke guximin t’i bësh publike.

Qëndrimet për të mirën e vendit, sidomos qëndrimet e drejta që kanë edhe kosto personale, janë ato që dallojnë intelektualin nga armata e të diplomuarve. Nëse ke ide e zgjidhje, por i thua vetëm në kafe nuk ke asnjë dallim nga një i diplomuar te Kristali qe punon kamarier (me respekt per kamarieret). Idetë dhe zgjidhjet kanë vlerë në publik, jo në kafe. Dhe, të paktën, nëse nuk doni të bëni asgjë, mos e përligjni dobësinë me shprehjen “nuk bëhet, është e pamundur”. Nëse është e pamundur, është sepse nuk punohet.

Dukuni, flisni, guxoni! Nuk kemi Shqipëri rezervë. Vetëm një kemi.

Filed Under: Sociale

SARAMAGO – MURET ME LIBRA DHE ULLIRI PARA PORTËS…

February 7, 2026 by s p

Nga Visar Zhiti/

Lisbona i ngjan një ëndrre, ndoshta në dimër më shumë, me atë pak mugëtirë, përndritëse të vjen të thuash dhe me atë shi të sinqertë, s’kam parë shi më të sinqertë se këtu….që të thërret të dalësh me zë prej shkrimtari. Ndoshta na dukej kështu se po shkonim te Saramago. Rrugëve me kalldrëm e shkuara është dhe e tanishme, historia këtu frymon ngadaltë. Ngjan me të gjithmontën si lumi Tagus përballë. Aty pranë lartësohet Casa dos Bicos, ngrehina me gurë të ndjeshëm si ato që futen në letërsi.

Mbi rrënojat romake, që duken pas xhamave, janë katër katet e Fondacionit José Saramago. Metafora është e qartë: mendimi modern nuk lind në boshllëk, por mbi shtresa kujtese. Jo thjesht muze, por hapësirë e kujtesës, e ndërgjegjes më shumë. Jo tempull, por vend dialogu. Një shtëpi e madhe, ku librat nuk pushojnë së pyeturi.

Në faqe muresh shfaqen botimet e shkrimtarit nobelist nga e gjithë bota. Gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme, por i njëjti shqetësim etik, do të thosha.

Ja, dhe romanet e tij në shqip, që i kam lexuar me përkthimin e bukur të shkrimtarit Nasi Lera. Ekrane, video, jo thjesht kronikë jete, por dëshmi e një qëndrimi: fytyra e Saramagos ndryshon me vitet, por shikimi mbetet ngulmues. Zëri i tij rikthehet i qetë, i saktë, pothuaj profetik në thjeshtësinë e vet:

“Ne nuk u verbëruam. Ne jemi të verbër. Të verbër që shohin, por nuk shohin.” Romani “Verbëria” nuk është alegori e një katastrofe të largët, por diagnozë e përditshme. Verbëria për Saramagon nuk është mungesë shikimi, por refuzim i përgjegjësisë. Shoqëria sheh vuajtjen, padrejtësinë, dhunën, por zgjedh të mos reagojë. Dhe ky është mëkati modern.

Kujtoj kur Eda ime lexonte këtë libër dhe ia tregonte në mënyrën e saj djalit tonë të vogël, Atjonit, që mezi priste vazhdimin… mami, tregomë…

Ngjitja nëpër shkallët e Fondacionit nga njëri kat në tjetrin bëhet një rit përsiatjeje, sikur shkohet nga kapitulli në kapitull. Në çdo kthesë citate dhe zëra. Fjala këtu nuk është dekor, por ndërprerje e duhur, të detyron të ndalosh brenda vetes. Të rikujton se mendimi kërkon guxim.

Ja studioja replikë e Saramagos, ku ishin mbartur skrivania autentike, makina e shkrimit, syzet, stilografi, librat e punës, orenditë që donte dhe muzg, vërtet aty ishte ëndrra. Në njërën nga anët, e ç’rëndësi ka në cilën mesore të ndodhive, rrezëllin medalioni i Çmimit Nobel, nuk bën zhurmë, qëndron i ftohtë madje, si pa triumf. Si një dëshmi e ftohtë, por dhe kryeneçe se kumti mund të arrijë kulme botërore pa humbur ndershmërinë. Saramago nuk e pa kurrë Nobelin si mbërritje, ca më pak si fund, por si provë se letërsia e vërtetë mund të mbetet dhe e pakëndshme, sepse ajo godet…

TAKIMI ME GRUAN,

PILAR DEL RIO.

Njëri nga punonjësit e Fondacionit, jam Antonio, na tha, na priu për në katin më të lartë, ku tej dritareve të mëdha dukej lumi oqeanik, ndërsa poshtë, në oborrin e hapur me kalldrëm, bleronte një ulli i vetmuar, dramatik. Menjëherë u shfaq gruaja spanjolle e Saramagos, Pilar del Río, e qeshur dhe krahëhapur. Na priste. I kishte thënë miku i përbashkët yni, Sebastiano Grasso, poet dhe gazetar ashtu si dhe Pilar, ndërkohë dhe Presidenti i PEN Clubit Italian, ku unë jam antar. U përqafua me Edën sikur s’ishte hera e parë që shiheshim, pastaj dhe me mua. E imët me flokët e shkurtëra në ngjyrë hiri e syze të trasha, xhaketë të zezë e shall të kaltër me të bardhë, me fund vishnjë, të gjatë e me pala, me të gjitha ngjyrat e një dite të Lisbonës. Eda u ul pranë e saj dhe unë përballë.

E falenderuam për takimin dhe i thamë se Saramago ka lexues të shumtë në Shqipëri dhe e duam shumë. Të gjithë librat e tij dhe në shqip, janë në bibliotekën e Fondacionit, na thanë. Gazeta ExLibris në Tiranë po këtë javë, – ç’koincidencë, – kishte një shkrim “Dashuria e José Saramago-s dhe Pilar del Rio”, të shkruar nga botuesi i gazetës, Bujar Hudhri, ia treguam gazetën në celuar, po ajo e kishte parë, ia kishte dhenë fotografi personal i Saramagos, Joaquim Silav Rodrigues, dikur ai kishte ardhur në Tiranë për një intervistë me Kadarenë. “Sekreti” për të cilin flitet në shkrimin e Bujarit, na i tregoi dhe Pilar: Saramago kishte propozuar për çmimin Nobel Kadarenë, janë takuar në Paris, na tha, edhe në Parlamentin Europian të Shkrimtarëve. Po Kadare kaq vite kandidat, aq sa lexuesit të huaj u dukej se e kishte marrë, pse s’e ka nobelin Kadare, çuditeshin dhe kaq lehtësisht Pilar e zhvendos tonin e bisedës nga kanoni te njeriu, flet për Saramagon me një përzemërsi që rrënonte çdo patetikë. Kujtime të vogla, ironi, të qeshura. Saramago i përditshëm, që e dinte se humori është një formë e lartë inteligjence morale.

Kujtuam Sebastiano Grasson, takimin e tij me Saramagon në Milano, në foto duket Pilar duke përkëdhelur qenin, Bleikun, që shpesh e shëtiste dhe Atjoni nëpër Milano, ne fjetëm në shtëpinë e Sebastianos, edhe ne kemi qenë, i tha Eda, në të njëjtat dhoma, shtova unë, madje kemi fjetur në të njëjtin shtrat me ju, por në kohë të ndryshme. Pilari qeshi, po, po, shtoi me entuziazëm. Pastaj biseda shkoi te librat dhe te përgjegjësia e shkrimtarit. Folëm për censurën dhe diktaturat, për Frankon, Salazarin dhe Hoxhën, ky i fundit ishte më keq, thashë, njëlloj janë, tha Pilar duke bashkuar gishtat tregues.

Ne flisnim më shumë italisht, Pilar spanjisht, kur nuk kuptoheshim në ndonjë detaj, Antonio që bënte dhe video, përkthente në anglisht për ne, por kishte diçka që qendronte mbi gjuhët, që s’ishte veç buzëqeshje e gjeste miqësore mirëkuptimi, por vetë kuptimi, edhe dhimbje. Eda i kërkoi një autograf Pilarit mbi librin me poezi të Saramagos, por do ju jap dhe librin tim, tha ajo, botuar nga Feltrineli, “L’intuizione dell’isola. Ditët e Jozé Saramagos në Lanzarote” (Intuita e Ishullit. Ditët e Jozé Saramagos në Lanzarote). Dora e saj udhëtonte andej-këndej në faqen e parë të librit.

Unë kisha sjellë për të librin tim të fundit me poezi, të botuar në Itali, “Strade che scorrono dalle mie mani” (“Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”). Ajo pati një rebelim gruaje për burgun, të dënohesh për poezi, thirri. Ah, jo, tha, kur pa autografin tim, jo zonjës Pilar, ndreqe, mikes Pilar, dhe unë i vura një vijë fjalës “signora” dhe mbi të shkrujata “amica”, por lexoheshin të dyja fjalët, ndoshta është i pari autograf me korrigjim, thashë dhe po qeshnim. Duhet më shumë miqësi mes zonjave dhe zotërinjve të kësaj bote.

Nga dritaret e mëdha, lumi Tagus kishte marrë ngjyrë autografi, po i ngjante një mendimi të gjerë, të ngadaltë, të pandalshëm. Lisbona me dritë e bënte konkrete idenë se qyteti mund të jetë dhe hapësirë etike. Romani i Saramagos “Vdekja me ndërprerje” imagjinon dhe ndalimin e vdekjes, po mendoja. Mungesa e vdekjes nuk sjell shpëtim, por krizë. Sepse pa kufi, jeta humbet kuptimin e përgjegjësisë. Pa fund, njeriu nuk di më saktë se pse duhet të jetojë. Ky roman nuk flet për vdekjen, por për jetën, për vlerë e saj morale.

ULLIRI I VENDLINDJES

Dolëm si nga një ëndërr. Jashtë, para portës së Fondacionit, Ulliri i sjellë nga Azinhaga, vendlindja e Saramagos. Një pemë fshati, e heshtur, e fortë. Te rrënjët e ullirit ndodhet urna me hirin e José Saramagos, shkruhej dhe mbi pllaka. Dhe Pilari e sheh përditë nga dritarja këtë ulli. Prandaj dhe flokët e saj i ka në ngjyrë hiri. Më shumë se sa në flokë, madje dhe më shumë se te rrënjët e ullirit, ai hi është hedhur mbi libër si mbi zemër.

Jo një varr monumental mermeri. Por tokë. Rrënjë. Në vazhdimësinë e tyre metaforike. Hiri i shkrimtarit ushqen pemën që qndron. Fjala e tij bëhet dhé, jetë, kohë. Ky akt është ndoshta dhe gjesti filozofik i gjithë trashëgimisë së tij. Sepse Saramago nuk deshi të ngrihej statujë mbi njerëzit, por të qëndronte mes tyre si jetë. Ai nuk deshi pavdekësi korpi, por lëvrim të mendimit. Dhe këtu sikur na rishfaqet thelbi i “Ungjillit sipas Jezu Krishtit”, hyjnorja zbret në tokë, bëhet njerëzore, edhe më shumë akoma, bëhet përgjegjësi.

“Njeriu është i vetmi qenie që refuzon të jetë ajo që është.”

Jezu i Saramagos nuk është ikonë, por njeri që dyshon, që vuan nga përgjegjësia, që pyet Zotin. Një figurë që e zhvesh besimin nga bindja e verbër dhe e kthen në ndërgjegje. Ulliri para portës nuk është simbol, as dekor memorial. Është një ulli, ti po deshe mbill një mendim. Ai është një ftesë për durim dhe dritë, për kujtesë. Qëndron aty për këdo që hyn dhe del, për këdo që ndalon një çast, për këdo që ende beson se letërsia nuk është luks, por kërkesë estetike dhe po aq edhe nevojë morale, formë e etikës.

Vlerësimi që populli portugez i bën Saramagos së tij nuk është ceremonial. Është i heshtur, i përditshëm si një marrëdhënie e gjallë mes shkrimtarit dhe qytetit. Kështu dhe letërsia sikur nuk mbyllet në libra, por vazhdon të jetojë. Një shkrimtar ka zgjedhur të mbetet tokë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT