• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS PËRPARIM RAMA DO TË MARRË PJESË NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR NË NEW YORK MË 22 NËNTOR 2024

November 18, 2024 by s p

Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama do të nderojë me ardhjen e tij Festën e Flamurit Kombëtar organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” në New York me rastin e 112 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Flamuri i kombit tonë bashkon të gjithë shqiptarët anembanë botës. Pavarësia është ditë e shenjtë dhe e shtrenjtë e lirisë së një kombi e populli, është dita më e shënuar në histori.

Darka e Pavarësisë do të organizohet ditën e Premte, 22 Nëntor 2024, Ora 7:00 PM.

Adresa:

Greentree Country Club

538 Davenport Ave, New Rochelle, NY 10805.

Pjesëmarrja në Darkën e Pavarësisë kushton 150 usd për person, me të gjitha të përfshira.

Për biletat personat e kontaktit janë:

Anton Raja cel: 646 594 4747

Ilir Cubi cel: 9143108355

Dr. Pashko Camaj cel: +15169020588.

Për pagesat kontaktoni Arkëtarin e Vatrës Besim Malota cel: +12034557167.

JU MIRËPRESIM TË GJITHËVE.

Filed Under: Opinion

“Trump 47”, aksidenti i parashikuar i liberalëve

November 17, 2024 by s p

Fatmir Konja/

“Aksident historik”, e pati cilësuar presidencën e parë të Donald Trump, një nga bashkëautorët e teorisë së neoliberalizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, akademiku Joseph Nye. Që nga viti 2020 e në vazhdim teza u përhap gjerësisht nga qarqet liberale në mbarë botën. Të njëjtat e “diagnostikuan” presidentin Trump “të paparashikueshëm”. Si për t’ua vërtetuar “diagnozën”, Donald Trump u përball në katër vite me një mori akuzash në një maratonë gjyqësore, i mbijetoi një atentati dhe arriti të zgjidhej sërish president i SHBA. E tani, akademiku Nye, (ish-ndihmës i Sekretarit të Mbrojtjes) thotë se “paparashikueshmëria është një nga armët kyçe të Trumpit”. Dhe ideologu i “soft power” sjell si argument ndër të tjera mundësinë që Trump do të përdorë tarifat tregtare si mjet presioni në marrëdhëniet ndërkombëtare. Çfarë do të ishte e parashikueshme më “soft” se kaq?

Për më tepër, nëse premtimet elektorale të Trump, ballafaqohen me sjelljen e tij gjatë mandatit të parë, nuk gjendet kurrfarë “paparashikueshmërie”.

Sanksionet ekonomike në përgjithësi dhe mjete të tilla, si tarifat në veçanti janë përdorur rregullisht nga të gjitha qeveritë amerikane dhe këtu Trump nuk ka dalë jashtë logjikës së marrëdhënieve ndërkombëtare të SHBA-ve, përveçse mund të ketë qenë më i vendosur. Pritet që të ndjekë të njëjtën logjikë dhe në këtë mandat të ri dhe këtu nuk ka asgjë të cilën të interesuarit nuk e kanë parashikuar. Nëse qëndrojmë në hullinë e pritshmërive, na rezulton e njëjta parashikueshmëri edhe për shumë çështje të tjera. Trump ka kundërshtuar ashpër qasjen e qeverisë Biden ndaj emigracionit të paligjshëm. Afërmendsh që do ta trajtojë me rigorozitet zgjidhjen, ose së paku zbutjen e këtij problemi, pasi angazhimet e tij në këtë drejtim morën një mbështetje të gjerë popullore në zgjedhje. Krejt brenda parashikueshmërisë për politikat konservatore shkojnë edhe premtimet për përmirësimin e ekonomisë, e në veçanti për qytetarët e thjeshtë amerikanë, ku spikat heqja e taksave për punën “overtime”, paralel me shfryrjen e administratës dhe mirëmenaxhimin e fondeve publike. Çështjet gjinore, të abortit, të familjes, janë trajtuar nga Trump brenda pritshmërive tipike të politikës konservatore. Çfarë tjetër?

Përsa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare, liderë të vendeve të ndryshme të botës kanë një shqetësim të përligjur (gjithsesi jo për aktet), se sjellja dhe qëndrimet e Trump mund të jenë të paparashikueshme dhe për këtë mbase do të mjaftonin shembujt gjatë mandatit të parë që vetë ai i ka bërë publikë, ku për hatër të buzagazit vlen të përmenden telefonata me Macron, apo “butoni më i madh i kuq” që i tregoi liderit koreanoverior. Duhet përmendur ndërkohë fakti, se pikërisht presioni, asokohe i paparashikueshëm i presidentit Trump ndaj vendeve të NATO-s për normën 2% të GDP për mbrojtjen, po rezulton mjaft i goditur, marrë parasysh situatën aktuale gjeopolitike. Kreu i aleancës, Rutte e konfirmoi këtë javë nga Varshava, të cilën e përgëzoi që po shkon në nivelin e 4.7% e GDP për mbrotjen.

Së fundi, krejt brenda parashikimeve pritet qëndrimi i presidentit Trump lidhur me luftën në Ukrainë, apo në Gaza. Ai është tërhequr tashmë nga deklarata pompoze se do ta mbyllte luftën në Ukrainë brenda ditës dhe nga ana tjetër nuk ka shfaqur asnjë shenjë të uljes së mbështetjes për Ukrainën, apo më keq akoma të favorizimit të agresorit rus. Lidhur me Gazën, Trump i ka kërkuar Netanjahut që lufta atje të ketë përfunduar para se ai të hyjë në zyrë. Lidhur me pritshmërinë e një qasjeje të ashpër ndaj Kinës, Iranit apo Venezuelës, ashtu si në mandatin e parë, flasin më mirë emërimet për qeverinë e ardhshme të Trump. Në thelb, nuk pritet të ketë ndryshim të paparashikuar të objektivave të politikës së jashtme, por ndoshta të qasjes ndaj vendeve jomike, ku vendosmëria për arritjen e objektivave do të shkojë paralel me aktivizimin e mjeteve. Trump thotë se i ka dhe se mund t’i përdorë. Jomiqtë, që e njohin vendosmërinë e tij, e dinë dhe e parashikojnë se përveçse i ka edhe mund t’i përdorë.

Legjenda e paparashikueshmërisë së veprimeve të Trump pasi të rihyjë në Shtëpinë e Bardhë, duket se po thuret nga ideologët e liberalizmit për të zbutur pasojat e humbjes dhe nxitjes së shpresës për ringritje të demokratëve amerikanë. Në fakt, fitorja e Trump në këto zgjedhje u paralajmërua hiç më pak se në forumin e Davosit, në janar të këtij viti. Kreu i ri i fondacionit “Shoqëria e hapur”, Aleks Soros u shpreh atje se “këtu Donald Trump është president dhe kjo është gjë e mirë se konsensusi i Davosit është gjithmonë gabim”. Shtoi se e dinte që “Trump nuk do të tërhiqet të pushojë në ndonjë plazh, por do të përfundojë o në burg, o në pushtet”. Pikërisht në janar, sponsori më i njohur i qarqeve liberale, jo vetëm në SHBA por në mbarë botën, fondacioni Soros dha 60 milion dollarët e parë në mbështetje të demokratëve. Gjyqet ndaj Trumpit vijuan krahas primareve. Ndodhi edhe atentati.

Demokratët ecën përpara për një mandat të dytë të Biden, deri në debatin trishtues të qershorit. Për të ndalur, çfarë nuk po mund të ndalej, elita demokrate u paraqiti zgjedhësve, pa i pyetur, kandidaten e re, Kamala Harris. Duke kapërcyer rrjedhën e fushatës, procesit zgjedhor dhe rezultateve, vijmë menjëherë tek deklarata e fundit e Aleks Soros. “Demokratët po luftojnë me njëri-tjetrin për taktikat elektorale, sepse këtë e kanë më të lehtë se të pranojnë që e nënvlerësuan Trumpin, i cili ishte një super kandidat që e rriti mbështetjen elektorale përtej pritshmërive të demokratëve dhe republikanëve”. Pranimi i këtij realiteti, së pari nga vetë i riu Soros, na lejon të gjykojmë se çfarë liberalët e quajtën dikur “aksident historik”, kësaj radhe e kishin parashikuar që do t’u ndodhte për së dyti, por nuk mundën ta ndalnin. E për t’iu fshehur kësaj të vërtete, e gjithë armata e mendimtarëve liberalë të ushqyer nga “Shoqëria e hapur” në mbarë botën, po përdor pa kursim cilësimin “i paparashikueshëm”, për presidentin e 47-të të SHBA, Donald Trump. Padyshim, se krahas ngushëllimit të demokratëve me shpresat e rreme se “Trump do të gabojë meqë është i paparashikueshëm”, po përcjellin edhe qortimin për zgjedhësit, të cilët nuk ua vunë veshin në vendimin që morën. Zgjedhësit i dhuruan dafinat atij që u rrëzua, u ngrit, luftoi dhe fitoi. Liberalët janë të lirë ta përjetojnë sërish si aksident, por së paku kësaj radhe e kishin parashikuar.

Filed Under: Analiza

Ndërtues i urave të miqësisë – solidariteti në vepër!

November 17, 2024 by s p

Haxhi Dulla – Varshavë/

Polonia gjithmonë e ka qenë partnere mike e Shqipërisë në kulturë por edhe në ekonomi si dhe në ndërtimin e urave të miqësisë. Këtu tani disa vite me radhë mësohet gjuha shqipe në disa, Universitete, atë të Varshavës, Poznanit, por vlenë të përmendet Universiteti i Nikolla Kopernikut në Toruń ku në kuadër të Katedrës së gjuhëve ballkanike zë vend edhe gjuha shqipe. Në Poloni kanë studiuar shumë personalitete të njohura shqiptare të cilët pastaj kanë qenë përfaqësues zyrtar të Shqipërisë në Poloni në postet me të larta diplomatike.

Kam patur nderin e të bashkëpunoj me disa nga ata, duke vequar profesorin tashmë të ndjerin Enver Faja, profesorin Osman Kraja, të ndjerin Florent Çeliku, gjerë tek ish Ambasadorja dr. Shpresa Kureta. Të gjithë këto personalitete kanë lënë gjurmë të madhe në bashkëpunimin shqiptaro – polak. Sot Shqipëria po vizitohet me të madhe nga turistët e huaj, por thuhet se rreth gjysma e këtyre turistëve vijnë nga Polonia. Kjo padyshim është edhe meritë e përfaqësuesve diplomatike por edhe e komunitetit shqiptarë që me decenie jeton e kontribon në këtë vend.

Promovimi i atdheut është detyrë primare e bashkatdhetarëve tanë në Poloni.

Bashkëpunimi i përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë me komunitetin shqiptar është në nivel të lartë.

Sot në Poloni kemi ligjërues shqiptar në disa universitete. Të përmendësh të gjitha aktivitetet e përbashkëta duhet kohë. Këtë herë do veçoja një personalitet polak që meriton vëmendje. Është fjala për Konsullin e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Poloni, historianin e humanistin, Paweł Michalak.

Në qytetin me aglomerim më të madh pas kryeqytetit, në qendër të Polonisë, në qytetin Łódź çdo ditë valon krahas flamurit polak edhe shqiponja jonë dykrenare. Në sallat e restauruara e të bukura të pallatit, i cili ka marrë shkëlqimin e tij (dikur ishte Pallati i Dasmave)

falë konsullit Michalak është shendrruar tani në një qerdhe shqiptaro – polake, ku shpesh mbahen takime ku promovohet kultura, gjuha e traditat shqiptare.

Këtë vit duhet vequar koncertin recital të artistes shqiptare nga Kosova, profesoreshës së pianos, Lule Elezi.

Dr. Paweł Michalak si konsull kujdeset për studentët shqiptarë, duke organizuar praktika shkencore për ta, duke siguruar qëndrimin e tyre në Poloni, ndër të tjera. akomodimi, ushqimi, transporti etj. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve të pambrojtur dhe në nevojë. Kujdeset në mënyrë të veçantë për ta, duke ofruar përkrahje dhe ndihmë materiale. Ofron ushqime për familjet në situata të vështira financiare dhe ëmbëlsira dhe pajisje sportive për fëmijët. Ndihmoi një familje të rinovonte banesën e tyre pas një zjarri. Prej shumë vitesh mbështet financiarisht Qendrën Rajonale Vullnetare “Centerko”, synimi kryesor i së cilës është parandalimi i përjashtimit dhe margjinalizimit social.

Ndër aktivitetet e shumta të konsullit Michalak ishte edhe paraqitja e korit të fëmijëve të qytetit Łódź të cilët me rastin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë vitin e kaluar kishin përgatitur një koncert me këngë shqiptare duke e hapur atë me himnin e Shqipërisë .

Ndërmjetësoi për krijimin e një linje direkte fluturimi mes Tiranës dhe Varshavës, që ka lehtësuar në mënyrë të konsiderueshme udhëtimin dhe shkëmbimin mes dy vendeve. Meritë e madhe e tij ishte iniciativa dhe dërgimi i vakcinave në Shqipëri gjatë pandemisë së fundit globale.

Kohëve të fundit Paweł Michalak, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Łódź të Polonisë, ka bërë një dhuratë të vlefshme për shkollën 9-vjeçare “Petro Poga” në fshatin Shën Todher të Lunxherisë, Gjirokastër. Dhurata e tij përfshin pesë kompjuterë të rinj dhe pajisjen e një kabineti informatike që do të shërbejë për edukimin e teknologjisë për rreth 100 nxënës të kësaj shkolle. Akti I tillë human shënon një kontribut modest por të vlefshëm për arsimin shqiptar, njëherit vazhdon lidhjet kulturore dhe shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.

Filed Under: Emigracion

KUR DËNOHEJ ME VARJE MARTIRI DOM GJON GAZULLI…

November 17, 2024 by s p

Frano Kulli/

Të shtunën e kësaj jave, me 16 nëntor, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër u mbajt Mesha e Shenjtë dhe Riti i Lumnimit të martirëve At Luigj Palaj dhe dom Gjon Gazulli. 38 martirëve shqiptarë të Kishës Universale katolike, që 8 vite më parë patën stolisur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vigjiljen e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, u shtohen edhe dy martirët e ri, shpallur si të tillë nga Ati i Shenjtë, më 20 qershor, 2024. 1) Dom Gjon Gazulli u dënua me vdekje nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”, më 2 janar 1927. U var në sheshin e Fushës së Druve të Shkodrës. Në ora 2 të natës, me datë 05 mars 1927. Ishte 34 vjeç. Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës, bashkëpunëtor i Gurakuqit e kundërshtar i Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër malësi. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular kanë qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rrnoftë Krishti, Mbreti ynë! Rrnoftë Kisha Katolike, Nana jonë! Rrnoftë Papa, Ati ynë! Rrnoftë Shqipnia dhe shqiptarët e vërtetë!”… E varën tek “Fusha e Druve” në Shkoder. 2) Hollësitë e fundit tragjik të Dom Gjon Gazullit, gjinden në revistën gjermane Korrespondenz des Priestergebetsvereines im theologischen konvikte zu Innsbruck (Letërkëmbimi i Shoqatës së klerikeve të Seminarit të Insbrukut), Innsbruk ,nr. 4, korrik 1931, fq. 65. Aty është sjellë tekstualisht dëshmia e togerit të gjykatës Xhemal Dibra i cili është i pranishëm në ekzekutimin e këtij martiri… ” U thirrën për të asistuar në sakramentet e fundit, të Nderuarit fretër Atë Çiprian Nika dhe Atë Martin Gjoka. Ishte ora 11, para mesnatës. Rrugët e Shkodrës ishin plot me njerëz, sepse ishte festa e Bajramit. Dhashë urdhër që famullitari (Dom Gazulli) të çohej në oborr, sepse me të donte të fliste ipeshkvi. Gazullin e zgjuan dhe, pasi u vesh zbriti poshtë. Këtu pa atë që po ndodhte.

Një frat françeskan i rrinte përpara me Sakramentet. Dënimi me vdekje që u ishte dhënë të tjerëve para tij, i linte të kuptonte se çfarë donte të thoshte e gjithë kjo. Frati mbeti pa fjalë, ndërsa famullitarit, Gazullit nuk i ndryshoi ngjyra e fytyrës aspak. Këtë e dallova mirë. Kapi doren e Atit dhe i tha: “Atë Martin, tani do të dëgjosh rrëfimin tim!” Atë Martini i luti ushtarët e mbledhur aty rrotull që të largoheshin dhe, meqenëse nuk po largoheshin, Ati i tha: -Dom Gjon rrëfehu në latinisht ose në italisht!- Jo Atë- u përgjigj Gazulli- rrëfimin e fundit dua që ta bëj në gjuhën shqipe. Dua që ta dëgjojnë të gjithë !

Dhe kështu u rrëfye në praninë tonë. Ne myslimanët nuk i kuptojmë këto gjëra, po nuk dëgjuam të dilte prej buzëve të tija asnjë mëkat. Pastaj atë Martini i dha një copë bukë të bardhë, rrumbullake, që e mori me devocion të madh… Pastaj u hap dera e burgut dhe u nisëm. Ushtarët rrinin përpara, prapa dhe anash tij… Pasi bëmë një copë rrugë në këmbë, arritëm në vendin e vdekjes, në Fushën e Druve. Aty gjindej shtylla, në të cilën do të varej. Unë, sipas praktikës i dhashë mundësinë të fliste. Thoni fjalën e fundit, i thashë. Në atë moment e çoi zërin më shumë dhe tha: ” Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti Mbret…Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë ! “. Atëhere lexova dënimin me vdekje. I dhanë të vishte një këmishë të bardhë. Magjypi i vuri litarin në fyt dhe i hoqi stolin poshtë këmbëve. Kishte vdekur ! Ishte 5 marsi 1927.

3) Dom Gjon Gazulli ishte pinjoll i denjë i Gazullorëve, origjina e mëherëshme e të cilëve, siç deri më tani kumtohet është ky fshat i Zadrimës, qarkon me fill të argjendtë rreth gjashtë shekuj histori tonën. Histori që rrënjëzon mbrenda përmbrenda një krahine, mbrenda përmbrenda një fshati, madje në të njëjtin komunitet me lidhje të njohura gjaku, pra të të njëjtit fis. Daniel Gazulli (1944-2012) njëri prej pinjollëve të vonë që e ka sjellë përmbledhtasi historinë e gazullorëve na lë të shkruar kumtin se: Mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Liber Reformationis” (Libri i Reformave) të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës. Histori që fillon qysh në epokën e ndritur të Kastriotit. Një kontribut elitar në fushë të dijes e prosperitetit idenditar, me rezonim ndëreuropian e më përtej.

Po shënjimi i lavdishëm i Gazullorëve në histori fillon me Gjon Gázullin (1400-1465). Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit të XV, periudha më në shej e kohës: e humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Astronom me famë europiane e diplomat i shquar i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në këto fusha shkëlqeu porse veprimtaria e tij, është mjaft më e gjërë: në astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte; ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet. Gàzulli studjoi në Raguzë, (Dubrovniku i sotëm) e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ku kryen studimet universitare më 1428. Mbas dy vjetësh mbron atje doktoraten në një moment solemn, në të cilin shkruhet se:moren pjesë shumë arbneshë të Italisë. Po një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, nga vitet 14331439. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Europën sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dergue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Diplomati.

Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (parardhësin e Korvinit) me rastin e kunorzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besue ma të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni. Në ato vite bashkpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë.

Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj. Duke qenë i përpimë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emnon në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllain, që cilësohet ndër dokumenta (lat.)“magister, prudens et literatus vir”(mësues, njeri i urtë dhe i ditur), çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”(mësues Gjon Gazulli). (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Gjergj Kastriotit, Skenderbeu).

Përposë Gjonit, Pal Gàzullit, ambasador edhe ky i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës, në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike gjithashtu, Imzot Ndue Gàzullit, doktor në filozofi, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1753), Abatit të Mirditës Ndre Gazulli (shek XVII), më pas Ipeshkëv i Zadrimës e kështu me radhë, deri në ardhjen në pushtet të komunistave, ka pasë gjithmonë një pinjoll të familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës; katolike dhe laike…Kurse në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllazën njëherësh, lauruar në Universitetet katolike të Europës; Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964)… 4) Ndërsa vëllai i Dom Gjonit, dom Nikollë Gazulli, edhe ai i i burgosur, iu shpëton torturave dhe vdekjes nga Ahmet Zogu, por nuk i shpëtoi dot pushkatimit në vitin 1946 nga Enver Hoxha. Edhe qeveria komuniste e nisi gjyqin special me akuzat për armë në kishë. Strategji e njëjtë në dy kohë të ndryshme, e cila shkroi fatin tragjik të dy vëllezërve meshtarë. Edhe dom Nikolla u pushkatua pas një gjyqi special politik në 1946-n. Ai, autori i “Fjalori i fjalëve të rralla të përdoruna në veri të Shqipnis” i njohur si “Fjalori i Gazullit” dhe “Fjalori toponomastik”…

Filed Under: Histori

Një licensë për jo best seller-at, ju lutem!

November 17, 2024 by s p

Nga Romelda Bozhani/

Nisim me subjektin e një libri. Bëhet fjalë për një histori dashurie, nga ato të shumtat e kësaj bote, që koha i peshon e i ndan në fund. Dy heronjtë kryesorë, s’ka burrë nëne t’i shpëtojë, as luksi i shfrenuar, që lëvrin nga njëri rresht në tjetrin, as makinat e kuqe, as rrobat me iniciale e me emra të shndritshëm. Ky libër, para se të bënte namin në një panair të disa viteve më parë në Frankfurt, me ato qindra e mijëra kopjet e shitura në tridhjetë vende të botës e kaq e aq lekë të fituara, fillimisht, ka bërë namin andej nga tik-toku. Protagonistët vijnë nga rangu i lartë i shoqërisë londineze, ajo quhet Mangolia Parks, ai quhet Tradhtar me T të madhe dhe shkrimtarja quhet Jessa Hastings. Ai ia copëton zemrën asaj, ndërsa, Ajo, do të hakmerret dhe gjen rrugën më të thjeshtë, atë klasiken, domethënë, e tradhton, derisa lodhet e pastaj vdesin nga xhelozia e dashuria për njëri-tjetrin. Dalin, të dy, në përfundime të tipit: “Në jetë, a duhet të kërkosh një dashuri të njëmendtë, apo mendjelehtë?! Duhet të rrokësh mungesën e tjetrit, apo praninë e tij?!” etj. etj.

Kaq ishte libri. Pasi e mbaron, duhet t’i lutesh zotit të të kapë një amnezi e përjetshme për të harruar klishe të tilla, që t’i servir çdo libër rozë, revistë bojëqielli, a re e bardhë. Është bërë zakon që këta libra t’i quajmë best seller, që sipas fjalorëve, janë librat që shesin një numër rekord, në një kohë rekord. Për ta bërë këtë, duhen shfrytëzuar sa më mirë dhe sa më shumë, mjetet e komunikimit masiv (në këtë rast, tik-toku). Pas kësaj, vijnë bluzat me stema, stilolapsat me portretet e protagonistëve, realizimi i serive televizive, volume të tjera që e zgjasin dhe e stërgjasin historinë, derisa të mos njihet më, as brinja e dërrmuar e Adamit, as molla e kafshuar e Evës, që ishte te libri i parë. Të tjera xhingla-mingla, vijnë më pas e nuk kanë të bëjnë më me vlerat e librit, por me atë dukuri jashtëtekstore, që përfshin edhe aftësinë e disa njerëzve, të cilët qëndrojnë pas profesionit të bërjes së librit si mall. Ata, ndoshta, nuk marrin erë fare nga letërsia, por njohin mirë labirinthet e financës dhe kaq u mjaftuaka të shesësh, me sa duket. Të tillë libra, që lexohen me lehtësinë e çdo broshure reklame që të bie në dorë, quhen “të konsumit të përgjithshëm”, domethënë, libra krijuar ad hoc, për të arritur lehtësisht masat e njerëzve. Çdo element i tyre, duke filluar qysh nga paraqitja grafike e deri tek kopertina shokuese, tërë bojra e varak, studiohet pikërisht me tendencën për t’u rrokur sa më shpejt nga tregu.

Ndërsa, “best seller-at, cilësorë” s’kanë lidhje fare me truke të vjetra, apo të reja. Koha ka qenë prova e jetëgjatësisë së tyre dhe janë kthyer tashmë në tulla themeli. Për shembull, Hemingway, Marquez, apo Remarque, (emra të shndritshëm, veçanërisht në Shqipëri), s’do të kenë nevojë për tamtame të kota e do të mbeten libra të përjetshëm, domethënë janë bërë long-seller-a. E meqë ra fjala, besoj se Remarque, ka qenë vërtetë një fenomen në realitetin letrar shqiptar të të gjitha kohëve.

E kishim fjalën te libri dhe mania për të. Asnjë lidhje s’ka libri si brendi, me maninë e shitjes.

Një tjetër shembull. Është një tjetër libër, që, me të gjitha gjasat, nuk do të bëhet ndonjëherë best seller, se ka lindur në vendin e gabuar. Nuk do të mbahet radhë për të, nuk do të shfletohet nën dritën e kandilit, nuk do të pasohet dorazi se pse s’ka të dytë si ai. E gjitha kjo, jo sepse libri (që, meqë ra fjala titullohet “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat ekzistenciale”, me autore studiusen Iris Halili), nuk i përmbush të gjitha kriteret që mund të ketë një best seller prej tulle, përkundrazi, por, sepse, tregu ynë është i mbrapshtë: nuk i do tullat e librat shqiptarë.

Ai është një libër me ese dhe studime letrare, të shkruara e të mbledhura përgjatë njëzet viteve, edhe atëherë, kur Halili ishte pedagoge e Letërsisë së huaj moderne, në Universitetin e Tiranës. Ndoshta, nga të paktët libra kritikë në Shqipëri, ai lidh pazgjidhshmërisht, letërsinë me psikanalizën. Atëherë, kur janë ideuar dhe shkruar, këto punime, Freud-i, ishte pak ose aspak i njohur për ne, si një nga të vetmet vende në botë ku përqasja seksuale vazhdonte të mbetej tabu. Në kanapenë e babait të psikanalizës, Halili ul e zbërthen edhe personazhe letrare, të huaj e shqiptarë. Mitet, gratë, si krijesa mitologjike, “ndjesi të fshehta nën dritën e hënës”, (siç na vijnë nga Novelat e Zweig-ut, një tjetër fenomen letrar veçanërisht në Shqipëri), dashuri të marra e të zjarrta, në kohë të çuditshme kolere si ajo e Fermina Dasës dhe e Fiorentino Arisës, dashuri të marra e “të shthurura”, në kohë paqeje, si ato të Prufrock-ut, të Eliot-it, Otellon e Blushit, etj, etj, i bën pacientë e u hap kraharorin, me forcën e guximtarit. Me po aq mprehtësi, ajo bën prezantime të befasishme, të veprave e përfaqësuesve kryesorë të rrymave të caktuara në letërsi, siç është surrealizmi, realizmi magjik, apo ekzistencializmi, rryma, të cilat, sapo kishin mbërritur në periferinë e njohjeve tona, me copa të shqyera, si: Sartri, njeriu-sizif, Camus, Kafka, Pirandello, Trebeshina, Zhiti etj etj.

S’po rrokanisim kokën me statistika, por shohim që, edhe nëpër botë, kjo tema e qasjes së psikanalizës me letërsinë, nuk është e thjeshtë e jo të gjithë kanë guximin ta prekin, sepse duhet një njohje shumë e mirë e ty dyja disiplinave. Libri, botuar nga shtëpia “Univers”, duhet të jetë një manual i superkërkuar nga studiues, mësues e studentë letërsie. E marr si shembull, sepse është libri i ish-pedagoges sime, që ka drejtuar dhe mbrujtur breza të tëra studentësh. Sot, më erdhi ndër mend, pasi, është promovuar dy vjet më parë (2022), në ditët e Panairit të librit, në Tiranë, pak a shumë, në të njëjtën periudhë si tani, kur po zhvillohet Panairi i 27-të i Librit, “Tirana 2024”. Prej disa vitesh tashmë, ky panair, është kthyer në festë, (ndoshta e vetmja festë e librit, për turp!), por vetëm kaq. Ende s’ka arritur të kthehet në institucion edukues, imponues, ende është kafshë gllabëruese që ha lekë e nxjerr lekë. Ndërkohë, botohen, harrohen, ribotohen vepra, kryevepra letrare, libra: nate, dite, vere, dimri, rozë, noir, të verdhë, maudit, fast book, domethënë, botohet çdo libër i vlefshëm, ose jo e, pastaj, librat dhe autorët, lihen të vetëm në fatin e tyre, që shpesh është dëshpërues. Kjo, sepse, mungon çdolloj imputi jetëdhënës.

Sipas ATSH-së, këtë vit, janë 90 botues pjesëmarrës, një pjesë e tyre nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Janë planifikuar rreth 60 promovime librash dhe rreth 100 veprimtari që kanë të bëjnë direkt me librin, shkrimtarët, përkthyesit, poetët. Siç shihet, vetëm tokë djerrë s’mund ta quash këtë tonën. Po atëherë ku na çalon gomari?!

Nëse hyjmë te mençuria selektive ose jo e tregut tonë, nuk arrijmë dot të vëmë në dukje vlerat reale të librit në përgjithësi.

Mund të themi se mungojnë njerëzit e duhur, ata që quhen “profesionistë”, përfshi këtu kritikët e vërtetë, ata me zë të rëndë e kokëplotë, që të garantojnë për vlerat e vërteta.

Unë mendoj se mungon edhe një hallkë tjetër shumë e rëndësishme, që në Shqipëri ende s’njihet: agjenti letrar. Nëpër botë, agjentët letrarë janë kulla të shenjta ku falen shkrimtarët, që, në fund të fundit, nuk kanë pse të jenë, edhe shkrimtarë të talentuar, edhe biznesmenë të sukseshëm. Ndërsa, ne jemi ende në fillesat e gjithçkaje: të letërsisë (së përbotshme), të ekonomisë (së përbotshme), të demokracisë (së përbotshme). Vuajnë shkrimtarët për të gjetur dorën e duhur për t’i redaktuar veprat e tyre, njeriun-botues të duhur, shpërndarësin çudibërës, që, në këtë rast, improvizohet si agjent, ende i pamësuar. Vuajnë shkrimtarët që jetojnë brenda Shqipërisë, sepse për arsye jashtëtekstore, librat e tyre shiten në mëmëdhe si zarzavate të kalbura. Vuajnë edhe ata shkrimtarë shqiptarë, që për arsye demografike e shoqërore, jetojnë jashtë vendit. Ka vetëm pak raste suksesi të shkrimtarëve jashtë kufirit, por, këto, janë histori fitoresh. Në më të shumtën e rasteve, hasesh me busulla të prishura krijuesish. Ata përpiqen të botojnë e të luftojnë edhe nga larg me mullinjtë e erës e falë kësaj distance, ose ndonjë kodi tashmë të prishur me “profetët” e vendlindjes, çdo gjë u bëhet më e zorshme, më e pamundur. Në këtë rast, ndërhyrja e bisturisë së një agjenti letrar, do të ishte i domosdoshëm, jetësor. Është rasti të përmendet një farë roli “mbrojtës”, që ka krijuar Bukinisti, një platformë e njohur virtuale e librit, e cila tenton të lidhë pikat nevralgjike të shpërndarjes së libri brenda dhe jashtë vendit.

Në fund të zinxhirit, mungojnë politikat afatgjata kulturore, të ndërmarra nga organet shtetërore përkatëse, për mbështetjen pa kushte të librit. Ato duhet t’i japin vlera e ta përkufizojnë librin si dritë kulture e një kombi, ta drejtojnë në kanale me ujëra të kthjellta e, në rastin më të mirë, t’i japin timonin drejtues të shoqërisë.

Bëhuni të urtë e filloni nga jo best seller-at, zonja dhe zotërinj! I hapni vend e i jepni një licensë librit që s’duket, që s’shet, por që ka vlera. Se ai është për ne, të tjerët, që nuk rendim pas varakut e broshurave, por duam të ulemi, herë pas here, në kanape të rehatshme e të kalojmë net e net pa gjumë, duke lexuar libra të vërtetë, që t’i kthejmë në filozofi jete.

Sepse, letërsia, këtë mision ka: ndih e ushqen gjithçka, edhe jetën, edhe ironinë, si në këtë rastin tonë. Shkruan, Gennaro Sero, një gazetar-shkrimtar italian: “Për të shkruar një best seller, është më mirë të shtiresh si i vdekur”. Dhe ja ku, nga letërsia, u ushqye edhe ironia.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 800
  • 801
  • 802
  • 803
  • 804
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT