• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONSTANTIN KRISTOFORIDHI NË PRIZMIN E NJE TRADITE ALBANOLOGJIKE

August 9, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Në studimet albanologjike tash më është krijuar një traditë e mirë e botimit të përmbledhjeve letrare e studimore për krijues dhe personalitete të rëndësishme shkencore: Gjon Buzukun, Jeronim De Radën, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn etj. Në një seri të tërë konferencash dhe madje seminaresh të rregullta, si në: Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Serinë e Konfe¬re¬ncave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në serinë shumënumërshe për vite të tëra të revistës “Jeta e re” (Prishtinë) etj., janë përmbledhur kumtesa kushtuar personalite¬teve vendore dhe të huaja të albanologjisë. Një përmbledhje e tillë është edhe kjo vepër me kumtesa shkencore kushtuar Konstantin Kristoforidhit.

Në konferencën kushtuar themeluesit të shqipes bashkëkohore Konstantin Kristofori¬dhit kanë marrë pjesë studiues të shumtë nga institucione të larta shkencore e arsimore të fushës së albanologjisë, si: Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Gjirokastra, Mynihu, Boni, Parisi, Berlini, Roma, Nju Xhersi etj. Vepra e tij bëhet objekt kërkimi e vlerësimi nga linguistë, historianë të letërsisë, pedagogë, gramatikologë, indoeuropeistë, ballka¬nologë, leksikografë, studiues të gjuhësisë krahasi¬mtare, didaktologë, arkivistë, shqipërues etj.

Vëllimi hapet me një fjalë përuruese të Rektorit të Universitetit mikpritës “A. Xhuvani”, Profesor dr. Jani Dode dhe vazhdon me një paraqitje përimtuese të gjenealogjisë së familjes Kristoforidhi nga i nipi dr. Robert Kristofer, e parë, sikur thotë ai nga perspe¬ktiva amerikane. Jetës dhe veprës së Kristoforidhit i qaset njëri prej njohësve dhe studiuesve më të përkushtuar të tij Profesor dr. Xhevat Lloshi më kumtesën e tij “Kristo¬foridhi dhe themeluesi i albanologjisë”, duke nxjerrë në dritë disa anë të panjohura të lidhjes dhe sidomos të ndihmesës që Kristoforidhi i dha Hahnit. Nëse interesimi i Hahn-it për gjuhën shqipe lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së misionit të tij, (i rrethuar nga shqiptarët), rezultatet e tij në fushë të albanologjisë lidhen me ndihmën që Kristoforidhi i dha në njohjen, leximin, saktësimin e fjalëve të shënuara dhe të dëgjuara nga shqipfolës me të cilët komunikonte Hahni. Të kësaj natyre janë edhe studimet krahasuese mes veprave të Kristoforidhit dhe Dozonit (Christian Gut), Xhuzepe Anxhelo Noçitit (Italo Kostante Fortinos), Ndre Mjedës (Mentor Quku), Dhiatës së re (Teuta Toska) etj.

Studime me vlerë paraqesin kumtesat e bardëve të sotëm të studimeve albanologjike: Shaban Demirajt, Jup Kastratit, Shefik Osmanit etj., të cilët merren me veprat tashmë të njohura të tij, në një mënyrë të veçantë dhe të plotësuar me elemente të tjera historike apo edhe të strukturës së brendshme të saj nga fusha e gramatikës, leksikografisë, pedagogjisë etj. Pra, kontributi i Konstantin Kristoforidhit nuk shihet vetëm nga aspekti i vlerësimit të veprave të tij të veçanta, kryesisht “Fjalorit…”, “Gramatikës…”, “Dhiatës..” etj., por edhe brenda fushave të veçanta në të cilat këto vepra kanë pasur ndikim të dukshëm. Studiues të shumtë, të prirë nga interesimet specializuese, kanë trajtuar kontributin e Kristoforidhit në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe (Mehmet Çeliku e Qemal Murati), në formimin e identitetit kombëtar (Bardhyl Demiraj), në krijimin e alfabetit të shqipes (Tomor Osmani), në krijimin e hapësirës shkencore kombëtare (Tomor Plangarica), në historinë e fjalës të gjuhës shqipe (David Luka – Petrit Kotrri), në mënyrën e përdorimit të stilit fetar (Artan Haxhi – Tefë Topalli), në lëvrimin e letërsisë (Robert Elsie, Jonida Xhyrra) dhe sidomos në fushë të letërsisë artistike për fëmijë (Astrit Bishqemi), në unifikimin e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare (Vilson Kurti); në karakterin didaktik – gjuhësor (Abdulla Ballhysa – Ali Shashaj, Njazi Kazazi), në rrafshin historik të veprës së tij (Hysen Shabani – Liman Varoshi), në sistemin diellor (Shpëtim Vyshka) etj.

Brenda studimit të strukturave gramatikore, për të cilat Kristoforidhi ka dhënë kontribute të shumta, gjurmojnë, vlerësojnë e rindërtojnë nga aspekti historik e bashkëkohor studiuesit Wilfred Fiedler, Remzi Parnaska, Bahri Beci, Latif Mulaku, Mustafa Karapinjalli, Ruzhdi Stringa, Ali Jashari, Emine Sadiku, Valter Memisha etj. Një veçori të kësaj përmbledhje paraqet teksti i Shaban Sinanit, kërkimet e të cilit në Arkivin shtetëror tregojnë se jeta dhe vepra e Konstantin Kristoforidhit janë të hapura për kërkime të reja dhe vlerësime që nxisin diskutime të reja shkencore në fushë të gramatikës, leksikografisë, përkthi¬mit dhe sidomos historisë së gjuhës e të albanolo¬gjisë përgjithësisht.

Në traditën e botimeve albanologjike vëllimi me studime kushtuar Konstantin Kristoforidhit shënon një veçori të theksuar deri më tash, për shumë arsye: për studimin bazë të veprës së Kristoforidhit dhe për pamjen historike të jetës e veprës së tij, për konceptet e reja mbi të cilat është parë një anë e veprës së tij, për fushat e reja përimtuese të mbështetura jo vetëm në strukturat gramatikore e leksikografike të veprës së tij etj. Për shkak të të gjitha këtyre elementeve dhe rrugëve të reja që kanë hapur studimet e theksuara vlerësojmë se ky vëllim paraqet një projekt referencial, si një shembull i mirë për konferencat e ardhshme kushtuar personaliteteve emblematike të albanologjisë, sikur është Konstantin Kristoforidhi.

Filed Under: Kulture

Ndërthurja e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare me atë të vendit pritës

August 8, 2024 by s p

Anita Duriçi/

E kemi dëgjuar shprehjen « Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë». Sistemi zvicerian ka menduar dhe për sot edhe për 100 vjet. Këtë gjë duhet të përpiqet që të bëjë çdo mësues i kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë në secilin vend ku jeton dhe punon dhe jo vetëm. Në mënyrë që rezultatet e punës sonë të jenë pozitive duhet të ndërthuren një sërë faktorësh në sasinë e duhur, por duhet shumë mund sepse mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet një herë në javë, pra 2-3 orë mësimore dhe në këtë pak kohë ne duhet të bëjmë mrekullira. Përmendëm mrekullira sepse të transmetosh një gjuhë, do të thotë të përçosh njohuritë, kulturën, dashurinë për atë kulturë e gjuhë dhe që të arrijmë këtë duhet të ndalemi tek mënyra sesi i tejçojmë këto njohuri dhe sa e mundësojmë që i gjithë ky informacion të përthithet nga nxënësit.

Të flasësh apo shpjegosh gjuhën dhe kulturën shqipe nuk mjafton. Cfarë mund të nevoitet tjetër? Le të ndalemi pak në secilën pikë që lidhet me mësuesit dhe nxënësit në diasporë.

Nxënësi është një sfidë më vete sepse secili nxënës ka aftësi të ndryshme nga të tjerët, stil të ndryshëm pune, po ashtu dhe vështirësi të ndryshmen nga shoqet shokët. Pra detyra jonë eshtë që të përqendrohemi jo vetëm në nivel të përgjithshëm por edhe inidivual në mënyrë që të mos lëmë askënd pas.

Të dhënit mësim në vend të huaj është një sfidë me vete e cila kërkon jo vetëm aftësi të fituara gjatë punës dhe jetës por edhe aftësi gjuhësore në të dyja gjuhët. Nevojitet njohje e sistemit arsimor të vendit pritës dhe gjithashtu një sfidë tjetër është përshtatja e mësimdhënies me atë të vendit ku jetojnë dhe shkollohen nxënësit, në mënyrë që lëndët në gjuhën shqipe të vijnë sa më natyrshëm.

Për këtë arsye duhet që mësuesi të ketë një njohje të mirë të zhvillimit të një ore mësimi në shkollat e vendit pritës dhe të përpiqet që ti përafrojë sado pak metodat e mësimdhënies.

Rendësia e përshtatjes me sistemin arsimor të vendit pritës është e domosdoshme sepse 90% e fëmijëve në diasporë janë lindur në DHE të huaj. Praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës. Në rastin e Zvicrës por edhe të disa vendeve të tjera, shpesh herë politikat e integrimit të vendit favorizojnë përshtatjen e iniciativave në mësimdhënie, por jo gjithmonë.

Përshtatja e metodave të mësimdhënies të vendit të origjinës me ato të vendit pritës sjellin lehtësi në përvetësim të njohurive, lehtësi në mësimdhënie, zhvillim të vazhueshëm të praktikave mësimore dhe mbi të gjitha zhvillim duke ndjekur ritmin kohës.

Kur nënvizojmë se praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës kemi parasysh ndërthurjen e teorisë me ushtrimet, sasinë e testeve të përjavshme apo ato mujore, organizimin e orës mësimore në formë loje, në formë debati, praktike në klasë ose në natyrë, përdorimin e teknologjisë dhe gjithashtu përshtatjen e nivelit mësimor dhe vlerësimit me nota me nivelin dhe aftësitë e nxënësit.

Që ti marrim parasysh të gjitha elementet e lartpermendur nuk duket si dicka e pamundur dhe me të drejtë gjithkush do mendonte se kjo është e lehtë. Cdo mësues në diasporë përballet me vështirësi të ndryshme si përshembull klasat janë heterogjene, mungesa e unifikimit të një plani mësimor, mungesa e modeleve të testeve dhe provimeve të gatshme, mungesa e eksperiencës së mësimdhënies në vendin pritës, mos njohja e rregullave të vendit. Vështirësi tjetër është përshtatja dhe ndërthurja e aftësive ( gjuhësore, teknike, metodike, etj në mënyrë që një orë mësimore të organizohet sa më mirë. Duhet që çdo mësues të ketë një nivel të mirë gjuhësor në të dyja gjuhët, të ketë motivim dhe dashuri të madhe për punën edhe kur kushtet mund të mos jenë shumë të favorshme. Punën na e vështirësojnë edhe orët e pakta në dispozicion për zhvillimin e mësimit. Atëherë si të përshtasim mësim e gjuhës shqipe me atë të vendit pritës ?

Së pari, të përpiqemi që ti realizojmë kriteret e lartpërmendura, të organizohen herë pas here seminare formuese, të lehtësohet pak puna e mësimdhënësit edhe nga vendet mëmë dhe të organizohen aktivitete që nxënësit njohuritë e marra ti vendosin në praktikë. Librat që i kemi në dispozicion ti mbajmë si shtyllë mbeshtetëse por ti pasurojmë cdo ditë orët mësimore me informacion shtesë, ushtrime më tërheqëse, detyra dhe pyetësorë që lidhen me teorinë por edhe me jetën në vendin pritës dhe për më tepër të përfshijmë teknologjinë në orët mësimore.

Duhet pasur parasysh se gjuha dhe kultura amtare luan një rol kyç në integrimin e brezit të ri, për këtë arsye duhet që mësuesi të përpiqet që edhe njohuritë që duam të transmetojmë të jenë të ngjashme me ato të vendit pritës.

Pra shpjegimi dhe organizimi i orëve mësimore të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai i një ore mësimore të shkollës së vendit pritës. Njohja e gjuhës dhe kulturës forcon rrënjët e identitetit dhe njohja e kulturës së vendit pritës nëpërmjet gjuhës shqipe, bën që të forcohe vetëvlerësimi teksa njohin rrënjët tona dhe njëkohësisht mikpresin kulturën e vendit ku jetojnë.

E gjitha kjo bën që të ketë gjithëpërfshirje në jetën dhe sistemin e vendit pritës edhe në vitet e ardhshme kur nxënësit që do të jenë qytetarë të vendeve të ndryshme të botës të mos përballen me vështirësi që gjuha shqipe i eliminon nëse mësohet sic duhet. Mbi të gjitha gjithë kjo punë do ti ofrojë nxënësve një ngrohtësi amësore në mëmëdhe por edhe në vendet ku jetojnë.

Pak më sipër u përmend organizimi i një ore mësimore në kushte sa më të favorshme për përthithjen e njohurive dhe për këtë mund të ndalemi pak tek roli i lojrave dhe aktiviteteve në procesin e mësimit.

Ka shumë forma, por le të ndalemi vetëm tek një tematikë, përshembull 10 lojra për tu njohur me njëri-tjetrin. 1. Rrethi i emrave 2. Karta e identitetit 3. portreti kinez 4. I zhdukuri 5. Topi me emër 6. Zip zap 7. Tele-blerje 8. Stuhi në det 9. Akrostiku 10. Kuize si Kahoot… janë disa nga lojrat që i përdorim në kantonin e Vaud-it dhe që gjatë seminarit u shpjeguan me detaje në menyrë që mësuesit e pranishëm të shkëmbenin eksperiencat por edhe të krijonin idenë sesi falë lojrave dhe përdorimit të teknologjisë mund të arrijmë të mësojmë shqipen edhe të perceptojmë realitetin që na rrethon me anë të gjuhës shqipe.

Lojrat online, kuizet dhe pyetësorët e ndryshëm i nxisin fëmijët të mësojnë më lehtë dhe në mënyrë argëtuese dhe ti mbajnë mënd më mirë ato cfarë kanë mësuar në klasë.

Ka shumë e shumë forma por ajo që duhet të kemi parasysh është që në mësimin e gjuhës shqipe të përfshijmë edhe ngjarje, dukuri dhe fenomene të vendit pritës, të përfshijmë teste, lojra, të pasurojmë materialet shtesë të mësimdhënies dhe mbi të gjitha të kemi në qendër nxënësin me të gjithë vecoritë që e karakterizojnë. Vetëm duke u përpjekur mund të arrijmë t’ju ofrojmë nxënësve një mësim cilësor dhe gjuhës shqipe vendin që meriton.

Gjithçka që ja vlen, merr kohë! Jo pa qëllim po e mbyll me këtë shprehje për të treguar se kalimi nga gjuha e vendit pritës si gjuhë amtare tek gjuha shqipe është një proces i gjatë. Edhe ajo që ne po bëjmë është një proes i vazhdueshëm i cili do kohën e tij që të japë rezultate. Me siguri e gjithë kjo punë e madhe që po bëhet nga mësuesit në diasporë do të japë frytet e saj dhe fëmijët tanë do të flasin bukur e pastër gjuhën shqipe.

Filed Under: Analiza

KONFIRMOHET EMRI I VЁRTETЁ I GJON MILIT

August 8, 2024 by s p

Kristaq Balli/

Edhe pse për një detaj jo edhe aq të rëndësishëm, njerëzve dhe artistëve të shquar si Gjon Mili ju kushtohet vëmendje, jo vetëm për krijimtarinë e tyre, por edhe për të dhëna të të imta të jetës vetiake. Një objekt diskutimi për Milin ka qenë edhe emri i tij. Ai ka lindiur në Korçë në një familje të besimit të krishterë ortodoks, ku emri Gjon përdorej, por shumë rrallë. Kur ishte rreth 5 vjeç familja e tij emigroi në Rumani, ku ai kaloi adoleshencën, dhe rininë duke studiuar në Kolegjin Kombëtar “Georghe Lazar” të Bukureshtit. Më 1923, tashmë një djalë i formuar, ai shkoi në ShBA për të studiuar në universitetin e famshëm MIT (Masachussets Institute of Technology) në degën e inxhinierisë elektrike. Ndërkohë, ai u aktivizua në disa mënyra në veprimtarinë patriotike të Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe në gazetën e saj “Dielli”, ku u takua dhe njohu shumë veprimtarë patriotë shqiptarë. Midis tyre, Faik Konica që në atë kohë ishte edhe president i “Vatrës”, duke vëzhguar cilësitë e të riut, u bë këshilluesi dhe mentori i tij intelektual, falë të cilave u konfiguruan edhe disa nga tiparet prokombëtare dhe aktive të Milit në Federatën Shqiptare Vatra.

Deri në këtë kohë, duke aluduar se emrin e vërtetë në Shqipëri e ka pasur Jani, ngase në ShBA e “amerikanizoi” në John (Xhon) (siç bënin rëndom emigrantët e huaj për të thjeshtëzuar transliterimin e emrit në anglisht), ai identifikohet me këtë emër. Kjo zgjat, të paktën deri në vitin 1927, vit prej të cilit na vjen në ndihmë një foto në faqen e parë të gazetës Dielli të dt. 6 Shtator 1927, ku paraqiten një grup patriotësh e veprimtarësh të Federatës Panshqiptare “Vatra”, gjatë kuvendit të saj. Në diçiturën poshtë saj, janë vendosur emrat e tyre, midis të cilëve edhe John Toti Mili.

Në artikullin “Gjon Mili – Fotogfrafi i shquar shqiptaro-amerikan” të studiuesit Qerim Vrioni (ARS POETIKA – Shkurt 2009 f.4-8), ndër të tjera thuhet: “ …në këtë vit e hasim për herë të fundit emrin John në një foto të “vatranëve” me Konicën (1927)…” Ndërkohë, po në vitin 1927 ai boton në gjuhën shqip tek gazeta Dielli nën emrin Gjon Mili “përrallën” “Patatet” (Dielli 11 Tetor 1927) dhe, më tej, dy tregime “Endër” dhe “Gjyslykët” (Dielli, 25 Maj 1928) me subjekte e refleksione mërgimtarësh shqiptare, të cilat ribotohen si të tilla më 1929 edhe në revistën “Studenti Shqiptar” që botonte Odise Paskali në Torino, Itali. Pra qysh në vitin 1927 ai identifikohet për të gjithë jetën me emrin Gjon Mili.

Këto të dhëna, si dhe vetë dëshmitë e Milit na bëjnë të aludojmë faktin që lidhja me Faik Konicën dhe influenca e tij në botëkuptimin patriotik e atdhetar të Milit ka qenë të rëndësisme. Vetë Mili thotë:

“Zura miqësi me Faik Konicën, …një mik i vjetër shqiptar. Një shkrimtar elegant, një humanist i kulturuar dhe një intelektual i mprehtë. Konica nxiti zgjerimin tim ndaj interesit për artet, veçanërisht për kinematografinë, e cila i pëlqente shumë dhe konsiderohej si një formë e rëndësishme arti”. (Gj.Mili: Photographs & Recollection, f. 18, Boston,1980).

Edhe, më pas, kur Konica do të ishte ambasador (ministër) i Shqipërisë në SHBA, takimet, apo letërkëmbimet me të do të ishin të shpeshta e tepër mbresëlënëse”.

Pra, takimi i vitit 1927 me Faik Konicën, ka qenë momenti kur Konica, veç të tjerash, i ka sugjeruar Milit që ai të përdorë emrin Gjon, pra një emër “të kulluar shqiptar”. Edhe pse vetë Mili nuk ka përmendur këtë detal, këshilla u mirëprit, fama e një fotografi të shquar futurist do të shqiptohej gjithë jetën në një emër unik shqiptar – Gjon. Të kujtojmë gjithashtu se Konica ishte një gjuhëtar e filolog i pashoq, dhe emri Gjon kishte qenë për të një emblemë arbërore. Madje, ai pat shkruar më 1911 edhe dy romane në frëngjisht (“Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka”) me pseudonimin e tij Gjoni i Krujës.

Por suksei dhe fama që arriti Gjon Mili më pas me krijimtarinë e tij fotografike, sidomos me atë të botuar dendur në revistën Life, krijuan një problem gjuhësor tek publiku amerikan. Disa admkirues të revistës Life, duke vlerësuar lart krijimtarinë e Gjon Milit, në letrat e tyre dërguar reaksisë shprehnin edhe një “shqetësim” mbi vështirësinë apo pamundësinë e leximit dhe shqiptimit korrekt të emrit të këtij artisti të shquar, veçmas të shkronjës Gj., e cila nuk ekzistonte në gjuhën angleze.

Me këtë rast revista u detyrua të botojë në një prej rubrikave të saj një bashkëbisedim sqarues me njërin prej këtyre dashamirësve të Milit. Ja çfarë thuhet aty:

“Problem gjuhësor”

“Zotërinj:

Kam qenë gjithmonë krenar me veten për aftësinë e shqiptimit të emrave të huaj. Por, mjerisht, kam frikë se kam pësuar një goditje dërrmuese në karrierën time gjuhësore. Përpara se t’ju shkruaja, kam pyetur njerëz gjuhë lidhur, buzë lepur, me qiellzë të çarë, me mustaqe dhe mjekër, madje kam përtypur edhe mermer në gojën time, por të gjitha pa dobi. Ndaj, ju lutem që të plotësoni kërkesën time të paktën 99% të saktë, si e shqiptoni emrin e fotografit tuaj të shkëlqyer, Gjon Mili?”

Përgjigje e redaksisë:

Në Shqipëri, vendlindjen e Milit, ‘gj’ tingëllon si ‘y’. Shqiptimi: Yawn Meelee –ED” (Linguistic Problem, LIFE , 17 Feb 1941, f. 7)

Sidoqoftë, edhe kjo përgjigje nuk ishte as gjysma e 99% . Vetëm alfabeti shqip dhe shqiptarët mund ta lexonin e shqiptonin saktë këtë emër autentik shqiptar.

E hartova këtë digresion edhe me disa nota këndellëse rebusi, jo se do të bëjmë ndonjë evidentim të madh biografik, apo krijues, porse do të konfirmojmë një detal jetësor, të parin në jetën e një njeriu, qa ka qenë i panjohur plotësisht, pak enigmë, që ka krijuar gjatë jetës e krijimtarisë së tij, por edhe pas vdekjes edhe disa pasaktësira, ndonëse jo të rëndësishme, por gjithsesi ato kanë ngjallur diskutime të ndryshme mbi emrin dhe vendlindjen e tij.

E pra, së fundmi kemi siguruar një dokument zyrtar, ku pasqyrohen gjeneralitetet e plota të lindjes, emri i pagëzimit, si dhe disa detale të tjera mbi familjen e të afërmit e tij.

Ky dokument është pjesë e “Amzës së lindjeve dhe të pagëzimeve” të Mitropolisë së Korçës që mbulon vitet 1901 – 1918, i cili ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave i transkriptuar nga shkrimi me dorë (greqisht -origjinal) dhe i përkthyer nga specialistët e saj në gjuhën shqipe. Ai vjen i dixhitalizuar në formën e një certifikate.

Dokumenti sipas regjistrit njofton se prej prindërve Vasil Kristo Mili Toti dhe Viktori Mihal Çekani lindi më 28 Nëntor 1904 një foshnjë mashkull, i cili u pagëzua më 12 Dhjetor të po atij viti me emrin Joan prej Papa Dhimitri Manço, famulltar në Korçë dhe u prit prej kumbarës Vasiliqi Visarion Puniasi.

Pra, ky dokument konfirmon ngjarjen e parë ceremoniale të fillimit të jetës së një njeriu që do të bëhej një prej artistëve të famshëm botërorë në historinë e fotografisë moderne të shek. XX., i njohur me emrin Gjon Mili.

■ ■ ■ ■

Fig. 1: Gjon Mili

Fig. 2: Faik Konica me vatranë, midis tyre John Toti Mili (Gjon Mili)

Fig. 3: Tregimi “Ёndër” i Gjonn Milit në rvistën “Studenti Shqiptar” të Odise Paskalit, Torino, Itali. 1929

Fig. 4: Problem gjihësor, LIFE 17 Feb 1941, f. 7

Fig. 5: Certifikata e pagëzimit dhe gjeneralitetet e Joan Mili (Gjon Milit)

https://alb-spirit.com/…/kristaq-balli-konfirmohet

Filed Under: Kulture

Më e vjetra dhe më e bukura këngë e dashurisë…

August 8, 2024 by s p

Luan Rama/

Dashuria, gjithnjë dashuria, që në mugëtirën e kohëve, pasi ajo duhet të ketë qenë një nga ndjesitë e para, ku pas shekujve të instiktit, të lidhjes dhe bashkimit, dashuria mori formë, u mbrujt, me afsh dhe dëshirë, me ëndrra dhe ngjizma të ngrohta mishi e gjaku, u zbukurua, hodhi shtat mbi lëndina, vreshta e ullishta, për të shkuar drejt ekstazës dhe përkushtimit. Rrahje zemre, dihatje, pritje, ankth dhe netë të pagjumta… dhe përsëri një ag në pritje, ku siç shkruhet, papritur, ezmerja dhe e bukura Shulamit dëgjonte hapat e të dashurit të saj, atij që dhe do i përkushtohej duke thënë në këngën e famshme Kënga e këngëve të Solomonit:

«… Unë flija, por zemra ime rrinte zgjuar.

Eshtë zëri i të dashurit tim që troket:

«Hapma motër dhe mikja ime,

pëllumbesha ime, e përsosura ime!…»

Kur ke lexuar këtë këngë të këngëve, këtë poemë të poemave, dhe udhëton në pllajat e gjelbërta e ngjyrë okër, nga Libani drejt Judesë dhe tokave të Palestinës e Izraelit, duke ndjekur udhët e qeparizave dhe pjergullave, kodrinave të lulëzuara e plot aroma drejt Jeruzalemit, në atë tokë historike që mban gjurmët e Tempullit të Solomonit, e ndjen akoma më shumë këtë këngë, pasi sheh dekorin e gjallë të një dashurie të përjetshme, vende ku është kënduar nga miliona njerëz dhe në mijra vjet kënga e buzëve, e gjinjve, e prehjes, e pushtimit dhe e përkushtimit, vetë pjellës njerëzore, ku dashuria pihet si verë, ku dashuria është më e ëmbël se vera, dhe aroma e saj më e këndshme se të gjitha aromat dhe parfumet e botës.

Kjo ishte ndjesia ime kur përshkova atë udhë, kjo duhet të jetë mendoj ndjesia e çdo udhëtari që udhëton në ato kodrina e bregore ku është ngjizur kjo këngë e vjetër si bota, këngë e përhershme e kënduar në festa pagane e fetare, pasi dashuria ka vazhduar gjithnjë, dhe në kohë eklipsesh e furtunash, luftrash, holokaustesh, gjëmash e vdekjesh të mëdha. Dashuria ka rrjedhur si ujët e burimeve në ujët e paqtë të Jordanit, si lumenjtë që shkojnë drejt brigjeve të Detit të Vdekur apo Mesdheut.

Pra, kjo këngë është një vazhdë këngësh që rrjedh, një këngë dashurie mes një burri dhe gruaje, pinjollë të Adamit dhe Evës, të botës së krijuar tashmë që nga lindja e njerëzimit dhe që padyshim është libri më poetik i Biblës, që siç thonë studjuesit, duhet të jetë krijuar nga një poet anonim i shekullit IV para erës sonë, duke i bashkuar dhe shkrirë këngët në një të vetme, duke krijuar kështu një poemë të madhe, të paharruar.

Kënga e këngëve apo Kantika e kantikave të Solomonit është një libër më vete i Biblës hebraike, Chir ha-chirim, apo i Dhjatës së Vjetër, e cila ishte përfshirë në korpusin e librave të shenjtë para se të përkthehej nga hebraishtja e vjetër, pra kur u përkthye Septante (Testamenti i Vjetër nga gjuha e hebrenjve në greqisht nga shtatëdhjetë e dy priftërinjtë e mbyllur në Aleksandri me porosi të Ptolemeut II). Në të ishte integruar edhe kjo këngë, e cila ndryshonte nga të gjitha librat e tjerë të Biblës, nga Genesis, Eksodi, Josué e Samuel apo librat e Profetëve e më pas nga Libri i Job-it, Libri i Ester-it, etj, … një korpus me personazhe, ngjarje e kohëra, shpërngulje e luftra, pra histori e një populli por dhe histori e njerëzimit, me rite të lindjes, dasmës, vdekjes, me jetën njerëzore në kompleksitetin e vet. Por edhe pse u pranua në Septante, kjo këngë u ligjërua në kanionet hebraike e kristiane vetëm në shekullin e parë të erës sonë. Megjithatë futja e kësaj kënge në korpusin e librave të shenjtë është bërë me debate të mëdha dhe të shumta lidhur me tradicionin hebraik, siç dëshmohet dhe në Mishna hebraike, e të pranuar më pas nga doktrina kristiane. Rabbi Akiva shikonte te kjo këngë deklaratën simbolike midis Zotit (YAHVE) dhe popullit të tij, të Izraelit. Por një nga të parët që komentoi këtë këngë të Biblës hebraike (Tanakh) ishte kleriku i famshëm Origene në shekullin e III të erës sonë, i cili thoshte se ajo ishte «një epitalame», një këngë dasme e shkruar nga Solomoni në formën e një drame me vargje dhe me dy personazhe, burri dhe gruaja»… Studjues të tjerë në shekujt më vonë shikonin në të mitin e Erosit me Psyche-në të Apule-s romak që shkroi për dashurinë e hyjnisë Eros (Cupidon) me princeshën Psyché, temë aq shumë e komentuar në shekullin e XX nga psikoanalistët. Kjo këngë këndohej atëherë gjatë Pashkëve hebraike (Pessah). Tradita hebraike e vendos këtë këngë në pesë «meguilloth»-ët apo rrodhanët që lidheshin me festat liturgjike. Emri i Zotit nuk përmendet veçse në një rresht dhe shkarazi, atëherë kur përmendet «Flaka e Jahve-së». Gjuha dhe stili i përdorur në këtë këngë që kemi sot, të kujtojnë se është përdorur gjuha e kohës së persëve e madje dhe ajo helenistike, pra një kohë më e vonët nga ajo e krijimit të saj, pavarësisht se pikasen disa arkaizma që gjenden në të dhe që lenë të nënkuptojnë kohën më të vjetër të krijimit artistik të saj.

Qindra e qindra libra janë shkruar nga doktorët e shkencës teologjike hebraike e kristiane rreth interpretimit të kësaj poeme të veçantë, herë duke e parë atë si një poemë profane e dashurie, e herë si një poemë mistike, të dashurisë dhe lidhjes së Perëndisë me popullin, me Kishën kristiane, etj., siç e gjejmë në komentarët e Saint Gregoire Le Grand apo Apponius e shumë të tjerë. Dhe për këtë mjafton të shohim kodikët e vjetër të viteve 1000, veçanërisht atë të Bamberg-ut, të regjistruar në Kujtesën e Botës nga Unesco, e cila i referohet kësaj poeme të dashurisë njerëzore. Kënga e këngëve rishkruhej në pergamenët purpura, nga një kodik në tjetrin, pikturuar nga skribët, siç ishte Liuthar në Reichenau dhe ku dashuria shihej si gjëja më e shenjtë. Ekzaltimi i bukurisë fizike dhe sensualiteti, vështirë të pranoheshin në ato kohë (gjinjtë e tu si bistakë rrushi!!!), dhe ja pse të tjerë studjues e shtyjnë kohën e krijimit të kësaj poeme shumë më herët, në kohën kur jetonte Solomoni dhe kur kishte tradicione pagane, ku nuk flitej ende për libra të shenjtë. Dhe kënga fillon me puthjen, siç shkruhet që në vargun e parë të kësaj kënge, apo me «dodeikha» në hebraisht, ku nënkuptohet dhe puthja, dhe përkëdhelia, edhe shtrati:

«Të më puthë me puthjet e gojës së tij! / Se dashuria tënde është më e shijshme se vera, / aroma e vajrave të tua është më e këndshme; / emri yt është një parfum që shpërndahet, / ja pse vajzat të duan…»

Por të tjerë studjues shohin në këtë krijim të përkryer anën humane të njeriut, lidhjen seksuale, dashurinë fizike, erosin e madh, duke sjellë si shëmbull shpesh herë vargjet e këngës kur Shulamit këndon:

«I dashuri im hedh dorën në të çarën e portës / dhe gjithë trupi m’u drodh për të / dhe unë u ngrita për t’ia hapur të dashurit tim / dhe me duart e mia ai shjoi mirrën time / nga gishtërinjtë e mi, mirra e virgjër / në dorezën e llozit…»

Ja dora që zgjatej në seksin e gruas… Vërtet është kështu? Interpretimi i këtyre këngëve është i hapur prej shekujsh, madje ato vazhdojnë, veçanërisht nga psikoanalistë e post-frojdistë. Të tjerë studjues, thonë se është historia e Shulamit-es, e të dashurit të saj dhe Solomonit që e pengon dhe e mban atë në haremin e tij në Jeruzalem, ndërsa disa të tjerë, duke folur për sensualitetin dhe personazhet mistike, n’a rikujtojnë Shën Terezën e Avilës, e cila kujtonte një çast të ekstazës seksuale të saj, kur imagjinoi se një ëngjëll i përshkoi zemrën me shigjetë… Dhe padyshim, jo vetëm zemrën, pasi ajo e kishte provuar ndoshta «prishjen hyjnore» apo me hyjninë. Ja pse dhe kur kleriku i njohur humanist Sébastien Castellion vinte në dyshim karakterin hyjnor të kësaj kënge për shkak të karakterit të saj të hapur sensual, kjo solli kritikat e tmerrshme dhe zemërimin e madh tënga Jean Calvin!

E krijuar në mugëtirat e kohëve, e përpunuar nga bardi apo bardja anonime për të ardhur deri në pragun e erës sonë, kjo këngë perfeksionoi gjuhën e saj metaforike, ku gjinjtë janë «male me aromë», ku vreshta është vet trupi i dashurisë dhe (ah, ky shtrat i gjelbër ) se «dashuria që ti bën, është më e mirë se vera». Ja sensualiteti në majat e krijimit artistik, e vetmja këngë sensuale e pranuar nga Kisha, ku padyshim klerikët hebraikë shohin dashurinë e Jahve-së me tokën e Izraelit…

Eshtë interesante sesi e shikonte këtë këngë, këtë perlë të popullit hebre, studjuesi i njohur i botës hebraike Ernest Renan, duke e konceptuar këtë këngë si një spektakël, dramë në pesë akte dhe me skena të ndryshme brenda akteve, e para, e dyta, e treta e kështu me rradhë gjer në aktin e pestë. Pas refleksionesh të shumta ai imagjinon se thënien «të më puthë me puthjet e gojës së tij», e thotë një grua e haremit të Solomonit. Imagjinoni një çast: jemi dhjetë apo katër shekuj para Jezusë, ku kori i përgjigjet: «Përkëdheljet e tua janë më të ëmbla se vera…» Pastaj Shulamit-en e sjellin me forcë. Ajo i drejtohet një miku, apo të dashuri, që ne nuk e shohim: «Mermë me vete, të ikim me vrap së bashku… Mbreti më futi në harem»… Dhe ndërkohë gratë e haremit i drejtohen Solomonit: «Të gjitha gëzimet tona janë për ty… (etj, etj.) Në skenën e dytë, Shulamit është vetëm dhe ëndërron: «Thuamë ti, që zemra ime të dashuron, ku i çon qengjat e tu…» (etj.) Në fund, kjo dramë ka një epilog, ku një nga vëllezërit e Shulamit-es thotë: «Kemi një motër të vogël që ende nuk i janë formuar gjinjtë… Çdo të bëjmë ne me motrën tonë kur asaj t’i formohen gjinjtë? (etj). Ernest Renan e përfundon studimin dhe interpretimin e tij të gjatë me idenë se kjo poemë nuk është thjeshtë një poemë erotike, as një poemë thjeshtë mistike, por është një poemë morale dhe ku moraliteti i saj qëndron në vargun e shtatë të këngës së tetë ku këndohet: «Asgjë nuk mund t’i rezistojë dashurisë së sinqertë; kur i pasuri kërkon të blejë dashurinë, ai në fakt blen veç përbuzjen»… E megjithatë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë interpretim të Renan, siç ishte dhe shkrimtari e dramaturgu Paul Claudel, i cili në vitin 1947, kur ishte kredhur në studimet e tij për Biblën, ishte tronditur nga ai figuracion i jashtëzakonshëm i kësaj kantike, me «kërthizën si një kupë e rrumbullaktë, ku vera plot aromë nuk mungon», me vargun «buzën si një fjongo e kuqe», me «qafën si një torrë fildishi», apo «gjinjtë si dy drenusha binjake», etj. Në komentet e tij, ai refuzon të shohë atë që shikonte Renan, pasi për të, femra, gruaja, ishte vetë Kisha kristiane dhe ai «një nga bijtë e mrekulluar të saj»…

Kjo këngë, e përkthyer në qindra gjuhë të botës dhe në variantet nga më të ndryshme, si kënga më e vjetër e dashurisë së burrit për gruan, është një nga faqet më të bukura të shkrimit njerëzor dhe të këngës njerëzore, më e vjetra dhe më e gjithkohshmja, duke frymëzuar njëkohësisht shumë artistë të mesjetës dhe kohëve moderne t’i referohen asaj, të kompozojnë muzikë, ta pikturojnë atë afresk dashurie e përkushtimi, siç bëri Gustave Moreau duke pikturuar fytyrën e Shulamit-es, apo akoma më mirë Marc Chagall, ilustruesi i jashtëzakonshëm i mesazhit biblik, përmes figurave origjinale të tij. Dhe duke hyrë në botën pikturale të tij plot ngjyra të ndezura e figura në ajër, në qiellin e dashurisë, diku mes tokës dhe kozmosit, ne i ndjejmë ende hapat e Shulamit-es, hapat që rendin për të gjetur të dashurin e saj, edhe pse duhet të kapërcejë pengesa, roje, bregore, gjer në kufijtë më të skajshëm të kësaj bote. Një himn për dashurinë: ja çfarë është kjo këngë e këngëve, ku Solomoni, biri i Davidit, nuk është thjesht krijuesi i tempullit të lashtë por është dhe ti, dhe unë, jemi ne të gjithë, krijesa të kësaj bote!

Po, «të këpusësh frutat e kopështit tim / të shëtisësh mes luleve… hani miq, pini, dehuni, o të dashuruar»!

( Përkthimi i Kënga e këngëve e Solomonit, është bërë në bazë të botimit të librit La Bible (Bibla), éd. AELF, Paris, si dhe krahasimeve me përkthime të tjera nga studjuesit më në zë të Biblës, kryesisht nga versionet në frëngjisht të Ernest Renan më 1860, (Le cantique des cantiques, éd. Arlea), si dhe të Louis Segond, Georges Guggenheim, Fréderic Boyer apo André Chouraqui. E krijuar fillimthi në hebraishten e vjetër, e përkthyer në greqisht dhe pastaj në gjuhët e tjera, kjo këngë ka dhënë shkas për shumë interpretime linguistike, antropologjike dhe të traditës hebraike ndër studjuesit e shumtë të botës nga shekujt e parë të mijëvjeçarit tonë deri në ditët tona.)

Filed Under: LETERSI

Korça, qyteti pikturë…

August 8, 2024 by s p

Aleksandër Ikonomidhi Sulioti/

Aroma e këtij qyteti vjen e të gjen, kudo që të jesh, ngado që të ulesh. Të mbështjell papritur një natë gushti ku nuk e pret. Para teje dalin pranitë dhe mungesat e njerëzve si dhe jehona e udhëtimeve nga të cilat hoqe dorë me kokëfortësi. Ky qytet, herë është poezi, herë është pikturë dhe herë është një notë endacake që rrëshqet nga grilat e hapura përballë mitropolisë.

Pirgje kujtimesh të kërcejnë me modesti nën dritën e hënës. Kujtime të lëna mënjanë nga koha e pamëshirshme. Korça është, tingulli i një teli që dëgjohet nga larg, pa qenë i sigurt nëse është kitarë apo mandolinë. Korça është, një paletë ngjyrash që hidhen në telajon e një qielli piktor. Korça është një poçe me borzilok që të buzëqesh nga një ballkon në mesnatë.

Korça është një laps i vogël që edhe me majë të zbehtë, shkruan vargje në paketën e cigareve. Korça është dheu që mban erë lagje me një copë bukë të thatë në dorë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • 818
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT