• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës, që u rrit me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes

February 4, 2026 by s p

Në historinë e letërsisë botërore, Anton Pavlloviç Çehov shfaqet si një figurë e dyfishtë, një njeri që mbajti në duar bisturinë e mjekut dhe pendën e shkrimtarit, duke i dhënë secilës prej tyre një dimension të ri.

Ai nuk e braktisi mjekësinë, por e shndërroi atë në një burim të pashtershëm vëzhgimesh, në një laborator të jetës njerëzore, ku dhimbja, shpresa dhe absurdi i ekzistencës merrnin trajtë artistike.

Çehovi është shembulli i rrallë i njeriut që, duke u nisur nga realiteti i ashpër, arriti të krijojë një univers letrar ku e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme.

Maksima e tij e famshme, “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”, nuk është thjesht një lojë fjalësh, por një metaforë e jetës së tij. Mjekësia i dha disiplinën e mendjes, aftësinë për të parë me sy kritik dhe për të kuptuar trupin e njeriut si një enigmë të brishtë. Letërsia, nga ana tjetër, i dha mundësinë të depërtonte në shpirtin e njeriut, të zbulonte plagët e padukshme, ato që nuk shërohen me ilaçe, por me ndërgjegjësim dhe art. Në këtë bashkëjetesë të dy botëve, Çehovi ndërtoi një urë mes shkencës dhe estetikës, duke e bërë letërsinë një mjekësi të shpirtit.

Fëmijëria e Çehovit, e mbushur me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes, e mësoi atë se çfarë do të thotë dhunë, padrejtësi dhe mungesë lirie. Pikërisht këto plagë të hershme e bënë të ndjeshëm ndaj fateve njerëzore.

Ai e ndau jetën në dy periudha. Para dhe pas goditjeve me kamxhik. Ky ndarje nuk ishte vetëm biografike, por edhe filozofike, nga dhuna e përjetuar, ai nxori programin e tij etik, ku trupi, shëndeti, dashuria dhe liria ishin vlerat më të shenjta. Çehovi nuk shkruante për të dhënë receta morale, por për të nxitur ndërgjegjësimin, për të treguar se njeriu duhet të mësojë të dëgjojë dhe të kuptojë tjetrin.

Vëzhguesi i jetës së zakonshme

Çehovi ishte mjeshtër i detajit. Ai e dinte se “djalli qëndron në detaje”, por për të, detajet ishin antidoti i djallit. Në tregimet e tij të shkurtra, një shikim i thjeshtë, një heshtje e gjatë, një fjalë e papërfunduar, bëhen çelësa për të zbuluar dramën e brendshme të personazheve. Ai nuk kërkonte ngjarje të mëdha, por e shndërronte të zakonshmen në art. Kjo e bën Çehovin të krahasueshëm me Shekspirin: të dy e kuptuan se natyra njerëzore është një teatër i pafund, ku komedia dhe tragjedia bashkëjetojnë.

Udhëtimi i tij në Sakhalin, ku pa nga afër jetën e të burgosurve, është dëshmi e përkushtimit të tij ndaj njeriut. Ai nuk shkoi atje për të bërë karrierë, por për të dëshmuar, për të mbledhur histori që do të pasuronin veprën e tij. Çehovi nuk ishte një idealist naiv; ai e kuptonte se bota nuk ndryshon vetëm me dëshira, por me ekuilibër mes dhënies dhe marrjes. Megjithatë, ai bëri më shumë se shumë reformatorë: i dha njerëzimit një pasqyrë ku mund të shihte plagët e veta.

Dramat e tij, Pulëbardha, Xhaxha Vanja, Tri motrat, Kopshti i qershive, nuk janë thjesht pjesë teatrale, por meditime mbi kohën, fatin dhe marrëdhëniet njerëzore. Ato nuk kanë funde të bujshme, por heshtje që të mbeten në mendje. Çehovi e kuptoi se jeta nuk mbyllet me një akt të madh, por me një varg detajesh të vogla, të cilat e bëjnë njeriun të prekshëm dhe të vërtetë. Për këtë arsye, veprat e tij janë gjithkohësore: ato flasin për njeriun e shekullit XIX, por edhe për njeriun e sotëm.

Anton Çehov mbetet një gjeni i novelës dhe dramaturgjisë, një mjek i trupit që u bë mjek i shpirtit. Ai na mëson se arti nuk është luks, por nevojë; se letërsia nuk është arratisje, por mënyrë për të parë botën më qartë. Në përvjetorin e lindjes së tij, përulemi jo vetëm para një shkrimtari, por para një njeriu që e ktheu dhimbjen në art, heshtjen në dramë dhe jetën e zakonshme në një univers të jashtëzakonshëm. Çehovi është dëshmi se gjenialiteti nuk qëndron në madhështinë e jashtme, por në aftësinë për të parë thellë në shpirtin e njeriut dhe për ta bërë atë të flasë me gjuhën e përjetësisë.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Rileximi i Ernest Koliqit: Një udhëtim zbulese

February 4, 2026 by s p

Lazer Stani/

Në një tekst të shkruar para disa viteve për librin me poezi “Shen Shiu” të Bardhyl Londos jam shprehur se:

“Rileximi është një akt i rrezikshëm: edhe kur në leximin e parë, para dhjetë apo njëzet vjetësh, libri të ka befasuar, të ka tronditur, të ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me të herë pas here kohë të çmuar. Është si të takosh një grua që e ke dashur para dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjetësh. Ti bëhesh gati të shkosh në takim dhe ndihesh i pushtuar nga ankthi, nuk je i sigurt për asgjë, ke frikë se mos do të humbasësh atë imazh të bukur dhe të papërsëritshëm që ka mbetur i ngulitur thellë në memorien tënde.

Për shkak të rileximit i kam humbur disa prej librave dhe disa prej autorëve që kanë qenë shumë të dashur e të çmuar në rininë time. Kam provuar t’i rilexoj pas njëzet apo pas tridhjetë vjetësh dhe ata libra të dashur dikur tashmë më ngjanin krejt të palexueshëm. Librat janë të njëjtët, por kam ndryshuar unë. Për mirë a për keq nuk mund ta përcaktoj. Sidoqoftë, pas rileximeve të tilla, e ndjen se ke humbur diçka të çmuar që shndrinte përtej “portës së ngushtë të ëndrrës”, siç shprehet në një nga poezitë e tij poeti Jacob Glatstein.”

Në fakt, nuk janë të shumtë autorët që i rilexoj. Më shpesh rilexoj poetët e dashur dhe rrallë, tepër rrallë, prozatorët. Kaxanxaqisi e Singeri bëjnë përjashtim; librat e tyre i mbaj gjithmonë në tryezë, i lexoj dhe i rilexoj me një freski që nuk venitet.

Herën e fundit që isha në Tiranë, veç të tjerëve mora edhe librin “Tregtar flamujsh”, të Ernest Koliqit, botim i Shtëpisë Botuese “Buzuku”. E kisha lexuar këtë libër para tridhjetë e kusur vjetësh dhe që atëherë kisha veçuar tregimin “Hânë gjaku” si një nga tregimet më të bukura që unë kisha lexuar nga letërsia shqipe. Më ngjante se ai tregim nuk ishte shkruar në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, por në vitet tridhjetë të këtij shekulli, në të ardhmen e letërsisë shqipe.

E megjithë pasiguritë dhe rrezikun që bart akti i rileximit, nisa të rilexoj tregimet e Koliqit. Ishte si një udhëtim zbulese. Çfarë mjeshtërie rrëfimi, çfarë gjallërie e thellësie, çfarë magjie tronditëse e shprehur nëpërmjet fjalëve. Ashtu sikurse kopshtet e shtëpive të vjetra shkodrane përmbyten nga dielli pranveror, ashtu janë të përmbytura me art tregimet e Koliqit. I përvetshëm, i papërsëritshëm, i pavdekshëm. Dhe një ndjenjë ngazëllimi të pushton pas leximit të çdo tregimi, që përkthehet aty për aty në dashuri për kulturën dhe gjuhën tënde.

Filed Under: LETERSI

NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT

February 4, 2026 by s p

Shkrimtari francez Kamil Paganel* në veprën e tij “Histoire de Scanderbeg, ou turks et chrétiens au XVe siècle”, botuar në Paris në vitin 1855 nga shtëpia botuese ‘Didier’, sjell këtë letërkëmbim mes sulltan Mehmetit I dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (ff. 301-305):

«…Megjithatë, duke filluar të kuptonte se një kundërshtar i tillë nuk mund të nënshtrohej me forcën e armëve, Mehmeti përdori dinakërinë. Një ambasador u nis me dhurata të bollshme dhe letrën e mëposhtme:

“Unë, Sovrani i Madh, Emiri i Madh, Sulltan Mehmet Beu, biri i Sovranit të Madh dhe Emirit të Madh Sulltan Murat Beut, për Skënderbeun, Princin e Arbërve dhe Epirotëve, përshëndetje.

Nuk njoh miqësi më të përzemërt, i dashur Skënderbe, se ajo që lind nga intimiteti i gjatë; sidomos kur kjo lidhje u krijua në rini, mes nesh, kur ti ishe peng në oborrin e tim eti, dhe të dy jetonim së bashku si vëllezër.

Prandaj, kur mendoj për ato gëzime të ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shërbimet e tua të shkëlqyera, gjithçka që ke bërë për lavdinë e Shtëpisë së Osmanit, për madhështinë e Perandorisë sonë, të kem ty për zemër dhe ta dëshmoj këtë më duket një detyrë e ngutshme.

Asgjë nuk do të më kënaqte më shumë, e thërras Zotin si dëshmitar, sesa të të shihja përsëri më në fund, dhe të shijoja praninë tënde për do kohë. Në qoftë se disa nga trupat e mia kanë guxuar kohët e fundit të pushtojnë mbretërinë tënde dhe të kryejnë veprime luftarake atje, unë i dënoj; ato kanë vepruar pa urdhin tim, dhe fitoret e tua, ndëshkim i drejtë për guximin e tyre, nuk më kanë zemëruar.

Por le ta lëmë këtë mënjanë, për t’u kthyer te marrëdhëniet tona të vjetra; një lidhje e shenjtë dhe paqësore le të na pajtojë përgjithmonë. Pra, ja bazat e mundshme të aleancës sonë, të cilat po t’i paraqes, duke e ditur mirë se nuk i takon atij që kërkon paqen të përcaktojë kushtet e saj.

Kërkoj që t’i lejosh të kalojnë nëpër tokat e tua trupat e mia, që shkojnë për të luftuar kundër venedikasve; së dyti, që të më japësh, si peng, djalin tënd Gjonin, i cili do të trajtohet si fëmija im; dhe së fundi, që nënshtetasit tanë të mund të tregtojnë lirisht midis tyre.

Nëse pranon, eja të më takosh në siguri të plotë: pritja do të jetë e denjë për rangun tënd. Po të jap besën dhe fjalën time si sovran, se do të ruaj me besnikëri një paqe të pacënueshme me ty; qysh tash e tutje vendi yt nuk do të shqetësohet nga armët e mia ose nga askush tjetër. Për më tepër, nëse ke ndonjë pyetje ose dyshim për të sqaruar, drejtohu, me besim të plotë, Mustafait, të dërguarit tim. Dhënë në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj, në vitin 1461 nga lindja e Jezu Krishtit.”

Kjo letër, kaq miqësore në formë, por kaq tinëzare në përmbajtje, pasi u lexua në Këshill, të gjithë – princat, zotërit dhe kapedanët – ranë dakord se një hap i tillë nga një monark kaq i fuqishëm, ishte tejet i lavdishëm për Skënderbeun. Sa i përket kushteve të traktatit, dy të parat u refuzuan njëzëri; vetëm e treta, që kishte të bënte me lirinë e tregtisë, u pranua.

Ja përgjigjja e miratuar në këtë drejtim:

“Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, Princ i Epirotëve dhe i Arbërve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Kemi marrë, i përndrituri princ, letrën tënde, plot me shprehje të miqësisë sate. Të ndarë prej kohësh nga njëri-tjetri, kjo dashuri e ndërsjellë, thua ti, ishte si e fjetur dhe dëshiron ta zgjosh nëpërmjet një aleance të ngushtë.

E pranoj me kënaqësi propozimin, por jo të gjitha kushtet. Kështu, si aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa thyer besën e dhënë, pa shkelur mbi dinjitetin tim, të të lejoj të kalosh për t’i sulmuar ata.

Sa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta bërë atë një nyje të një lidhjeje të re midis nesh, zemra e një ati dhe e një nëne nuk mund ta pranojë një sakrificë të tillë mbi vete; ai është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhënë, dhe është ende kaq i vogël! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk edukohet me zakonet dhe në fenë e vendit të vet. Tani mbetet klauzola në lidhje me tregtinë e lirë midis dy vendeve: këtë, unë dhe i gjithë Këshilli im e miratojmë plotësisht, sepse të dy popujt do të gjenin përfitim të barabartë në të.

Ti më fton edhe të vij për vizitë, me besim të plotë, për të forcuar mes palëve një miqësi që ka vuajtur kaq gjatë: faleminderit, princ i shkëlqyer, për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim për në Konstandinopojë, ky qëndrim që më sjell ndër mend kaq shumë kujtime, s’është i mundur nga kërkesat e qeverisjes sime; sepse s’do të mund të përkujdesesha mjaftueshëm për këtë popull krenar arbëror, kaq të zjarrtë, kaq të paepur, kaq të paduruar për paqe.

Por kjo [vizitë] është vetëm një kënaqësi e lënë për më vonë, dhe unë do të vij sapo të jetë e mundur.

Nga kampi ynë, 1 qershor 1461”»

* Fan Noli thotë në Parathënie të librit të tij “Historia e Skënderbeut” se ka përfituar shumë nga vepra e Kamil Paganelit.

Përktheu nga frëngjishtja: Luket Hasaj

Filed Under: Komente

Parashqevi Qiriazi, e vërteta historike

February 4, 2026 by s p

Prof. Skender Asani/

Në tryezat e ftohta të Versajës, ku më 1919 diplomacia shpesh ushqehej me paragjykim dhe fuqia me përçmim ndaj kombeve të vogla, fjala dhe prania e Parashqevi Qiriazit u shndërruan në një tronditje morale për arkitekturën e padrejtë të vendimmarrjes ndërkombëtare, aq sa edhe një kundërshtar i deklaruar i Shqipërisë u detyrua të artikulojë një të vërtetë që rrëzonte narrativën kolonialiste: se një komb që lind një bijë të tillë nuk mund të quhet barbar.

Ky pranim, i nxjerrë jo nga simpatia, por nga imponimi i së vërtetës historike, ishte më shumë se një kompliment personal; ishte një akt kapitullimi intelektual përballë qytetërimit shqiptar, i cili, edhe pse i copëzuar politikisht dhe i rrethuar nga interesa grabitqare, dëshmoi se mbart në thelbin e tij kulturë, arsim, dinjitet dhe vetëdije shtetformuese. Në këtë kontekst, Parashqevi Qiriazi nuk qëndron vetëm si figurë historike, por si tezë politike e gjallë, si argument diplomatik i pakundërshtueshëm dhe si sfidë retorike ndaj çdo përpjekjeje për ta delegjitimuar Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, duke e shndërruar zërin e saj në emblemë të rezistencës kombëtare dhe në dëshmi se historia shqiptare nuk kërkon mëshirë, por njohje.

Filed Under: Kulture

Rauf Fico – Diplomacia shqiptare si kulturë shtetërore, ndërgjegje morale dhe vizion europian

February 4, 2026 by s p

Në historinë e shtetit shqiptar, ku shpesh politika është shoqëruar me improvizim dhe diplomacia me retorikë të varfër, figura e Rauf Ficos ngrihet si një përjashtim domethënës, si shembull i rrallë i një shtetari që e ndërtoi veprimtarinë e tij mbi dije të thellë, kulturë të gjerë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie kombëtare. Ai përfaqëson tipologjinë e diplomatit të formuar në shkollën e mendimit shtetëror evropian, i cili e kuptoi përfaqësimin e Shqipërisë jo si privilegj personal, por si detyrë morale ndaj një kombi të vogël, por me aspirata të mëdha historike.

Rauf Fico lindi më 13 mars 1881 në Sana’a të Jemenit, në kohën kur kjo trevë ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Ai ishte biri i Tahmaz (Remzi) Fico, një funksionar i administratës osmane me prejardhje nga Gjirokastra, dhe i Hava Buzos, që vinte po ashtu nga një familje shqiptare me tradita qytetare. Rrethanat e lindjes së tij jashtë atdheut lidhen drejtpërdrejt me realitetin historik të shqiptarëve të asaj kohe, por edukata familjare dhe vetëdija e fortë kombëtare do ta formësonin që në fëmijëri lidhjen e tij të pandashme me Shqipërinë.

Vitet e para të jetës dhe shkollimin fillor Rauf Fico i kreu në mjedise urbane të Perandorisë Osmane, ku arsimi dhe disiplina intelektuale vlerësoheshin lart. Arsimin e mesëm e ndoqi në institucione të njohura të kohës, përfshirë gjimnazin e Janinës, një qendër e rëndësishme arsimore për shqiptarët e fundit të shekullit XIX. Që në këto vite ai u dallua për seriozitet, prirje të forta intelektuale dhe interes të hershëm për çështjet e shoqërisë dhe të shtetit.

Studimet e larta i përfundoi në Stamboll, në Mekteb-i Mülkiye, një nga institucionet më elitare të formimit administrativ dhe diplomatik të kohës. Ky universitet ishte vatër e përgatitjes së elitave shtetërore të Perandorisë Osmane dhe më gjerë, dhe Rauf Fico doli prej andej i pajisur me dije juridike, administrative dhe politike, si dhe me një botëkuptim shtetëror të bazuar në ligj, racionalitet dhe përgjegjësi publike. Pikërisht në këtë fazë u kristalizua profili i tij si administrator dhe diplomat me vizion afatgjatë.

Një nga tiparet më të spikatura të personalitetit të tij ishte kultura e jashtëzakonshme gjuhësore. Rauf Fico zotëronte disa gjuhë të huaja, ndër të cilat turqishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, greqishten, arabishten dhe persishten. Kjo aftësi e rrallë e bënte të pavarur në komunikim diplomatik dhe i jepte mundësinë të përfaqësonte Shqipërinë drejtpërdrejt, pa ndërmjetës, në tryezat politike të Evropës.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Rauf Fico iu përkushtua shërbimit ndaj shtetit të ri shqiptar, në një kohë kur ekzistenca e tij ishte ende e brishtë dhe e rrezikuar. Ai kontribuoi në ndërtimin e administratës shtetërore dhe në konsolidimin e institucioneve, duke u shquar për korrektësi, ndershmëri dhe përkushtim profesional. Më vonë, ai mbajti poste të rëndësishme qeveritare, përfshirë detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe atë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Në diplomaci, Rauf Fico përfaqësoi Shqipërinë në disa prej vendeve më të rëndësishme të rajonit dhe të Evropës, si Turqia, Bullgaria, Jugosllavia, Greqia dhe Gjermania. Në këto misione ai u dallua për qasje të matur, për mbrojtje të palëkundur të interesave kombëtare dhe për aftësi të veçantë në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërkombëtare. Diplomacia e tij ishte e heshtur, por efektive, larg spektaklit dhe afër arsyes.

Një nga faqet më të ndritura të veprimtarisë së tij mbetet angazhimi humanitar gjatë shërbimit diplomatik në Gjermani, në vitet e para të regjimit nazist. Në një kohë të errët për Evropën, Rauf Fico përdori mjetet diplomatike për të ndihmuar hebrenjtë e përndjekur, duke u siguruar atyre dokumente dhe rrugë shpëtimi. Ky veprim e vendos atë në radhën e personaliteteve që e panë diplomacinë si akt ndërgjegjeje njerëzore dhe jo thjesht si funksion formal shtetëror.

Përveç veprimtarisë shtetërore, Rauf Fico ishte i angazhuar edhe në jetën shoqërore dhe kulturore shqiptare. Ai mbështeti arsimin, mori pjesë në shoqata kulturore dhe bamirëse dhe ishte ndër nismëtarët e institucioneve sociale që synonin ndihmën për shtresat më të pambrojtura të shoqërisë. Për të, shteti modern nuk mund të ndërtohej pa ndjeshmëri sociale dhe pa edukim qytetar.

Figura e tij është vlerësuar edhe nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili e ka cilësuar Rauf Ficon si një nga figurat më të ndritura të diplomacisë shqiptare, duke theksuar kulturën e tij evropiane, zgjuarsinë politike dhe dinjitetin me të cilin ai përfaqësonte Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ky vlerësim e vendos Rauf Ficon jo vetëm në historiografinë politike, por edhe në kujtesën kulturore të kombit.

Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, për shkak të qëndrimeve të tij parimore dhe refuzimit për të bashkëpunuar me pushtuesit, Rauf Fico u arrestua dhe u internua. Ai u kthye në atdhe në vitet e fundit të jetës dhe ndërroi jetë më 23 janar 1944 në Tiranë, duke e mbyllur jetën e tij në heshtje, ashtu siç kishte shërbyer gjithmonë, me dinjitet dhe besnikëri ndaj parimeve.

Trashëgimia e Rauf Ficos mbetet sot një model i rrallë i shtetarit shqiptar të formuar, të ndershëm dhe largpamës. Ai dëshmon se diplomacia është mbi të gjitha kulturë, se shteti kërkon mendje të kthjellët dhe se atdhedashuria e vërtetë shprehet përmes shërbimit të heshtur, të përgjegjshëm dhe të ndershëm ndaj kombit.

Gjon F. Ivezaj

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT