• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atmosfera politike dhe zgjedhjet parlamentare në Francë

July 9, 2024 by s p

Artan Kutra

Radio France International (RFI)/

Në përfundim të zgjedhjeve legjislative 2024 në Francë, deputetët e parë filluan të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Dyert e Pallatit Bourbon (Parlamentit) u hapën zyrtarisht në orën 14.00 për të mirëpritur disa nga 577 deputetët e legjislaturës së re.

Jo të gjithë deputetët e zgjedhur do të mbërrijnë në të njëjtën ditë. Deputetët e së majtës “La France insoumise” – “Franca e panënshtruar” kanë planifikuar të mblidhen të martën në mëngjes.

Një Asamble Kombëtare pa shumicë absolute.

Pas befasisë së zgjedhjeve legjislative ku u frenua qartë rritja e së djathtës ekstreme, Franca po kërkon tashmë një shumicë parlamentare përpara se të emërojë një personalitet të aftë si kryeministër për të bashkuar dhe udhëhequr një qeveri të re.

Është një kokëçarje e madhe, në një atmosferë politike të turbullt.

As Fronti i Ri Popullor (me rreth 190 vende), as Kampi Presidencial (me rreth 160 vende), e as Bashkimi Kombetar (me 140 vende) nuk mundën të arrinin shumicën absolute, pra që të kishin 289 deputetë. E majta ka nisur manovrat kryesore për të përzgjedhur brenda rradhëve të saj një kandidaturë për postin e kryeministrit. Kjo duhet të kristalizohet brenda kësaj jave. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka dy mënyra për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër. Ose duhet gjetur një konsensus në rradhët e së majtës, ose duhet organizuar proçesi i votimit në mes tyre (të panënshtruarit, socialistët, të blertët dhe komunistët). Po në të njëjtat ujra të paqarta për momentin po lundrojnë edhe të djathtët e kualicionit të qendrës.

Pas përfundimit të balotazhit, kryeministri Gabriel Attal, mbërriti në Presidencë rreth orës 11 të mëngjesit për të paraqitur dorëheqjen e tij, në përputhje me traditën republikane. Por Macron ka refuzuar duke i kërkuar të qëndrojë në detyrë edhe për ca kohe, për të “siguruar stabilitetin e vendit”, ndërkohë që Parisi do të presë Lojërat Olimpike në më pak se tre javë. Pra nga këto zgjedhje legjislative u arrit t’i pritet rruga ekstremit të djathtë të Marinë Le Penit dhe Jordan Bardelës, por nuk është e thjeshtë të gjendet formula e bashkëjetesës midis presidentit Makron dhe kryeministrit të ardhshëm. Prej këtej do të qartesoheshin edhe rrugët e së ardhmes së Francës por edhe të politikës së jashtmë të saj.

Jashtë kufijve të Francës, situata politike ishte ndjekur me shumë vëmendje. Pothuajse të gjithë kryeministrat evropianë, liderët e forcave politike dhe diplomacitë e larta, i mbanin sytë tek vala e rritjes së ekstremit të djathtë dhe tek aftësitë për koalicionin e “Barrikadës” përballë ekstremeve.

Që nga Polonia e deri në Itali, nga Spanja në Gjermani, nga Brukseli e në Angli, të gjithë kërkonin të shquanin nuancat e ardhshme të Francës, të këtij vendi me pozitë të rëndësishme në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në Lindje, Kremlini i njohur për simpatinë që kishte për Partinë e Le Penit, Bashkimi Kombëtar, tregoi se nuk kishte as “shpresën” dhe as “iluzionin” e një përmirësimi në marrëdhëniet e tij me Parisin.

Edhe Ballkani, Shqiperia apo Kosova nuk mund të shikonin pa vëmendje këtë proçes politik të fuqishëm të Francës në 4 javët e fundit.

Prej këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej edhe një herë pozicioni dhe politika e jashtme e Francës dhe e Europës në lidhje me rajonin tonë.

Ishin zgjedhje me një rreze të gjerë influence në Evropé e në Ballkan.

Si reagoi Partia e Ekstremit të djathtë Bashkimi Kombetar ?

Ishte një surprizë dhe një zhgënjim për këtë parti të ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh sondazhet e fundit paraprake që e nxirrnin në krye. Ishte një zhgënjim i papritur për këtë Parti të ekstremit té djathte të Marinë Le Penit dhe të Jordan Bardelës, që 4 javë më parë fituan zgjedhjet evropiane, dhe parashikonin të ngjiteshin për herë të parë edhe në pushtet.

Në kéto kushte, Marinë Le Penit, nuk i ngelet veçse të thotë se pas 1 apo 2 vjetësh do të vijë sërisht në skenën politike, me përpjekje më të mëdha, për të marrë postin e lartë të Presidentit.

E përsëri ngelet e hapur rruga e votës së popullit francez për të përcaktuar të ardhmen e tij, por në një farë mënyre edhe sferën e ndikimit më gjerë në Europë.

Filed Under: Analiza

KADAREJA – NGA   SHQIPËRIA   NJË   ZË   EVROPIAN QË TREGOI LUFTËN E TOTALITARIZMIN

July 7, 2024 by s p

Nga  ANTONIO CARIOTI/

Edhe se vinte nga Vendi më i mbyllur e më i varfër i Evropës, shkrimtari e poeti shqiptar Ismail Kadare, i shuar në kryeqytetin Tiranë në moshën 88 vjeçare, kishte futur në veprat e tij një frymëmarrje universale, që i kishte dekretuar famën botërore, me përkthime në rreth dyzet gjuhë.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte lejuar, edhe se i vënë  nën mujshive të ndryshme. Nga 1990 ishte shpërngulur në Francë e në rrafshin ndërkombëtar kishte patur vlerësime të rëndësishëm. Fuqia ringjallëse e shkrimeve të tij dhe padia e shtypjes totalitare kishin shtyrë antarët e zhurisë  t’i jepnin çmimin  Man booker prize në 2005, çmimin Princi i Asturies më 2009 dhe çmimin Nonino më 2018. Disa herë ishte zgjedhur ndërmjet kandidatëve të Nobelit. Tani në Itali titujt e tij janë botuar nga Anija e Tezeut.

I lindur në Gjirokastër më 28 janar 1936, Kadare ishte diplomuar në Histori e Gjuhësi, pastaj i ishte kushtuar poezisë. Vjen në 1963 romani i parë i Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, nga i cili është nxjerrë një film, i drejtuar nga Luçiano Tovoli me Marcello Mastroianin, Michel Piccoli dhe një Sergio Castellitto  shumë i ri.

U prit në mënyrë johenike nga autoritetet e Vendit ballkanik, ateizmit mizor të Shtetit të të cilit i jepte bezdi  fakti që një prift të  “përshkruhej si një njeri simpatik”, libri tregon për një gjeneral e një meshtar italian që udhëtojnë nëpër Shqipëri  për të mbledhur eshtrat e ushtarakëve të rënë. Tek neve u përkthye vetëm në 1982 nga Longanezi, ndërsa në Francë kishte patur prej kohësh një sukses të shquar. Megjithatë një vit më parë kishte dalë në Itali, gjithmonë për Longanezin një tjetër roman i Kadaresë , Daullet e shiut (1970) (I tamburi della pioggia) që ishte pritur mirë në Corriere nga Giorgio Manganelli..

Ndërkaq kishin vazhduar problemet e Kadaresë me regjimin. Disa burokratë të zellshëm madje ishin habitur se si Hoxha lejonte botimin jashtë Shtetit të librave të tij. Një ditë Kadareja ishte thirrur nga diktatori, i cili ishte ankuar nga fakti që autori shkruante “gjëra të trishtuara” dhe e kishte nxitur të këndonte sukseset e hamendësuar të “partisë heroike shqiptare”. Megjithatë Kadareja kishte shkuar përpara në rrugën e tij e në një farë pike ishte detyruar të përpilonte një autokritikë poshtëruese, në të cilën pranonte se kishte “shkruar gjëra të kundërta me të mirën e popullit”, duke u sjellur si një  “armik i komunizmit”.

Kjo nuk kishte mjaftuar megjithatë për të shmangur çensurën e pësuar më 1981 mbi librin e tij Pallati i ëndrrave (Longanesi 1991). Ishte e qartë se godina në të cilën, në roman mblidheshin ëndrrat e gjithë nënshtetasve të Perandorisë ottomane, kujtonin sistemin policor që shtypte atdheun e autorit. Në shumë drejtime, siç kishte vërejtur mprehtësisht Claudio Magris, disa vepra të Kadaresë sillnin ndër mënd të kundërtën e Utopisë së përshkruar nga George Orwell më 1984, me ndryshimin se tregimi i shqiptarit vinte nga brëndësia e mekanizmit totalitar. “Kadareja – shkruante Magris – është sikur të kishte jetuar vërtetë nën shikimin e Vëllait të Madh”.     

Në vitet Tetëdhjetë, mbas vdekjes së Hoxhës, regjimi komunist kishte filluar të tregonte se i kishte dalë boja dhe Kadareja kishte shpresuar në një liberalizim. Kishte lënë në dorëzim më 1986  në Francë, ku kishte mundësi qëndrimi përkohësisht, në sajë të prestigjit ndërkombëtar, tre dorëshkrime veprash kritike kundrejt udhëheqjes së Vendit të tij. Pastaj Kadareja kishte mbajtur një letër këmbim me pasuesin e Hoxhës, Ramiz Alia, për të kuptuar nëse ai ishte i frymëzuar nga synime reformuese dhe kishte arritur në përfundimin se nuk ishte aspak ashtu. Kështu më 1990, pak përpara rënies së regjimit, kishte lënë Vendin e tij për Francën, ku do të kishte mundur të shprehte më lirisht kundërshtinë e tij ndaj autoritarizmit në vepra si Bija e Agamemnonit (Longanesi,2007).

Tjetër temë e përsëritëshme, në librat e Kadaresë, është kanuni, kodi i nderit jo i shkruar por i respektuar, pjesërisht edhe sor, nga popullsitë shqiptare të zonave malore: një ligj i lashtë e shpesh mizor që luan një rol themelor në disa romane të tij.

Admirues i Dantes, Kadareja kujtonte se si Komedia Hyjnore kishte patur një vëmëndje të madhe në mjediset letrare të Vendit të tij të raskapitur nga despotizmi i Hoxhës. N’ata vite, kishte shkruar, “ferri i së vërtetës shqiptare” kishte shtyrë studjuesit “të përkthenin në mënyrën më të plotë, më prekëse, më të përshpirtëshme ferrin e përshkruar nga Poeti”.

“Corriere della Sera”, 2 korrik 2024       Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Kulture

LOTI QË TË KUJTON NJË GLOB

July 7, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Libri hapet me dy parathënie dhe të dy personalitetet e njohura të letrave shqipe, Mehmet Kraja dhe Rudolf Marku, shohin ngjashmëri të kësaj vepre me “Pallatin e Ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Duke qendruar në një linjë me ta, do ta perifrazoja si një rikontruksion të ndërtesës pesëshekullore të trysnisë mendore osmane, me një fasadë me ngjyrat e shekullit të njëzetenjëtë dhe me vendosjen e tabelës së re “Banka e ankesave” ku klasifikimi i ëndrrave është tjetërsuar në klasifikimin e ankesave.

Leximi i këtij romani mund ta çojë lexuesin në tri qasje të ndryshme reflektuese: fillimisht si një vepër e mirëfilltë artistike që nuk lind domosdoshmërisht nga përjetimet vetjake të autorit, pastaj si një traktat administrativ juridik, që për shkak të ndjeshmërisë së lartë popullore si tejet korruptive për administartën shtetërore, bëhet vështirësisht i kapërdishëm dhe së fundi vjen çlirimi, kur nga brenda administratës një punonjës i dyzuar i hap udhë shpirtit të lirë dhe përpiqet që mekanizmat e ingranazhit burokratik të përshpejtohen në kahun e zgjidhjes së ankesave nga populli.

Tashmë ka marrë përmasa legjendare zvarritja e problemeve që duhet të zgjidhen me rrugë gjyqësore dhe si alternativë për zgjidhjen e tyre ofrohet një nyjë ndërmjetëse që hallet i përcjell nga zinxhiri i zyrave brenda saj te instancat më të larta qeveritare, madje te vetë kryeministri. “Pallati i Ëndrrave” u shkrua në kushte të tjera, prandaj i vendosi ngjarjet larg Shqipërisë dhe thellë në të kaluarën osmane, kurse romancieri Çela ka gjetur një çelës magjik për të lëvizur me shpejtësi në kohë dhe hapësirë, mjafton përmendja e aksidentit te tuneli i Elbasanit dhe digjitalizimi i dokumentacionit zyrtar për ta vendosur veprën në bashkëkohësi. Romani ka një numër të konsiderueshëm trupash dhe karakteresh njerëzorë, por misionin e përcjelljes së mesazheve autori ua beson vetëm dy prej tyre: qytetarit Viron Merko nga pala e ankuesve dhe Dorjan Kasmi nga administrata e bankës. Në antitezë me Dorjanin e mirë qëndron Apostol Zamarini, përfaqësuesi arrogant i drejtuesit të institucionit, p/drejtori sepse firmoste në emër të drejtorit, po dhe ai vetë është nën hijen e dikujt tjetri dhe ai tjetri ka lidhje të drejtpërdrejta me kryeministrin. Në përsiatjet e Dorian Kasmit ai përcaktohet: “Ti ke kredi në qeveri, ti je toreador i fortë, ti mban shpatën e mprehtë në dorë.” (f.195) Është ajo marrëdhënie që herë shfaqet si zinxhir komandues e herë si hierarki raportesh që përpunojnë dhe deformojnë opinionet. Se çfarë raportesh krijon shefi me vartësit e tregon servilizmi dhe hipokrizia e tyre kur i vdes i ati, se si depozitojnë të dhëna për karrierën e shkëlqyer të të vdekurit, për gradat e dekoratat, për meritat e gjyshërve dhe stërgjyshëve të shefit, të mjaftueshme për të ngritur një dinasti. Hipokrizia kulmon me hipjen mbi varret e të tjerëve për të parë dhe për t’u parë nga sytë e shefit, me malin e kurorave që nuk kish hapësirë për t’i vendosur, shoqëruar edhe me ca vëzhgime të tjera me atë që ndodh në ceremonitë e varrimit, autori nuk e kursen satirën e vet therëse. Portreti i Apostol Zamarinit plotësohet edhe me vëzhgimin se ç’bën kryemiku kur i japin kokën e qengjit dhe duke e zhvendosur paralelizmin me bankën e ankesave.

Autori skicon me detaje ngrehinën e Bankës së Ankesave: Seksioni i Depozitave Postare, Seksioni i Seleksionimit, Seksioni i Arkivit, Seksioni i Digjitalizimit të Dokumentave Arkivore dhe më pas do zbulohet se paska edhe një seksion të pestë, Seksioni i Skribëve me shkurtimin famëkeq SS që është më i rëndësishmi sepse i nëpunësit e atjeshëm janë mjeshtër të kaligrafisë dhe imitimit dhe i shkruajnë vetë letrat duke përdorur të dyja duart dhe duke retushuar tekstet që të mos dëmtohet imazhi i qeverisjes. Sikur të mos mjaftonin këto shtohet edhe një hallkë e re – inspektorët e terrenit që zëvendësojnë postierët. Kjo bën që slogani “Ju flisni, ne ju dëgjojmë” të kthehet në një mashtrim të madh. Puna që fillon me zell e me bujë, arrin në pikën kritike të distancimit dhe shpërfilljes, entuziazmi kalon në apati, apatia në neveri. Ruajtja e bankës së ankesave me qen të mëdhenj Besdog të kujton qentë e kufirit dhe rëndësinë e institucionit për ruajtjen e sekretit të funksionimit, kurse shtesa e një hoteli bashkëngjitur në shërbim të bankës të bën të mendosh për krijimin e një kaste të privilegjuar dhe njëkohësisht të kontrolluar ku lulëzonte ryshfeti sipas parimit: “Në atë gjellë që nuk ha unë, rëntë miu brenda!” (f.166)

Se si janë udhëzuar specialistët të përpunojnë ankesat, është shembulli i qytetarit Brahim që ka ankesë për nëpunësin Agim. Ankesa duhet të përpilohet duke filluar me sukseset e merituara të dikasterit ku punon zyrtari Agim, pastaj të zbresë atje ku dhemb dhëmbi. Kjo të kujton formulën socialiste se “e përgjithshmja është pozitive.”

Ingranazhet e bankës së ankesave dalin nga funksionimi rutinë kur duhet ndërhyrë që përgjigjja për qytetarin Viron Merko nga 7 vjet me procedim të zakonshëm duhet të shkurtohet, pasi doktori i ka përcaktuar më pak vite jetë. Rrethit të parë korruptiv i duhet të ndërpresë harkun e tij duke ftuar në lojë sektorin e shëndetësisë, le të japë një prognozë që pacientit Viron Merko i kanë mbetur vetëm gjashtë muaj jetë. Për hir të një procesi burokratik sulmohet jeta shëndetësore e dikujt duke ia përshpejtuar fundin dhe shërben si bazë njerëzore për të krijuar bankën e përfolur të rënkimeve.

Dorjan Kasmi është beniamini i Apostol Zamarinit, madje ngrihet edhe në detyrë. Atij i kërkohen tri cilësi: nuhatje, vigjilencë, disiplinë, diçka e ngjashme me militantizmin komunist, por nuk mund t’i bëhen lëshime kur kërkon përmbysjen e procedurës për ankesën e qytetarit Viron Merko, një casus belli për pak dinjitet njerëzor. Largimi nga puna bëhet gojarisht për të mos patur në dorë një dokument për mbrojtje ligjore. Dihet pastaj ç’ndodh me ata që flaken nga puna në rrugë. Grotesku shkon deri te gjetja e silenciatorit për vetëvrasje. Por përtej zezonës ka dhe dritë sipas shprehjeve të urta popullore: “e keqja s’ka fund” dhe “ka dhe të këqija që vijnë për mirë” ilustruar me kalin e humbur dhe peshkimin me dinamit.

Po çfarë donte qytetari Viron Merko? I ati, Nadir Merko, drejtor i Rrjetit Kombëtar të Shpërndarjes së Librit, gjashtë vjet para përmbysjes së monizmit mendoi një skemë për asgjësimin e stokut të madh të librave politikë, por denoncimet e çuan para prokurorisë për veprime të qëllimshme sepse nuk ishte tharë dheu mirë mbi varrin e udhëheqësit. U dënua, po në një çast të procesit gjyqësor atij i shpëtoi goja dhe tha se e adhuronte udhëheqësin. Vironi e urrente tiranin dhe kishte hall se mos dikush “një ish-komunist zemërkatran apo një bakall i demokracisë së sotme” mund të shkruante nëpër gazeta ose të fliste në televizione se i ati e pati adhuruar diktatorin dhe kjo për Vironin ishte “hapu dhè, të futem!” Ja formulimi gojor i ankesës para Dorianit: “Ju përgjërohem që, nëse ju vjen një ankesë denoncuese, jeni të lutur ta kundërshtoni, ta grini, ta asgjësoni. Ta bëni të paqenë në të gjallë dhe pas vdekjes sime.”

Në fund Dorian Kasmi zbulon edhe Bankën e Rënkimeve: “Këto janë psherëtimat e të vdekurve, ofshamat që i kanë marrë me vete dhe i kanë depozituar në varr.” (f.196) Kurse loti që del te syri i dikujt për rrëfyesin është një rruazë misterioze që meriton të marrë kuptim. “Ah, ai lot, loti që të kujton një glob, çfarë tmerri po të shkojë kot!” Kjo frazë përmbyllëse duket sikur e rifillon romanin nga e para.

(Romani “Banka e ankesave” i Zija Çelës, Onufri 2022)

Filed Under: LETERSI

Lufta e Trojës

July 7, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Historia bazë e Iliadës së Homerit është mjaft e njohur: Helenën e bukur e “rrëmben” Parisi, princi i Trojës. I tërbuar, burri i saj, Mbreti Menelaus, u bën thirrje aleatëve të tij, mbretërve mikenas, të ndëshkojnë trojanët dhe të kthejnë gruan e tij. Por kjo luftë ishte ndoshta vetëm një pjesë e trazirave më të gjera të shkaktuara nga Popujt e Detit dhe Dorianët në të njëjtën kohë. Pra, kush është kush në këtë rrëmujë të madhe? (Keni parasysh se të gjitha këto teori bazohen pjesërisht në mitologji, e cila përzien lirshëm faktet dhe trillimet.) Një teori thotë se Dorianët dhe Popujt e Detit ishin të dy të lidhur me Trojanët. Kjo mund të ketë kuptim, sepse Herkuli, paraardhësi heroik i Dorianëve, kishte gjithashtu një djalë me mbretëreshën Omphale të Lidias – një aleate trojane në Turqinë perëndimore që ngatërrohej ndonjëherë me vetë Trojën. Grekët e lashtë thonë gjithashtu se Frigjianët (një grup tjetër i ngatërruar shpesh me Trojanët) migruan në Azinë e Vogël nga Trakia. Disa grupe që pretendonin prejardhjen nga Herkuli mund të kishin migruar nga Trakia në Azinë e Vogël dhe Gadishurin Ilirik njëkohësisht. A mund të jenë këta popuj të detit? Kjo ka të paktën po aq kuptim: në fund të fundit, janë ata që lundrojnë përtej detit, rrethojnë Trojën dhe e djegin për tokë në modën klasike të njerëzve të detit. Gjithashtu, një nga “nofkat” e zakonshme për grekët është Danaoi, që do të thotë “pasardhësit e Danaos”, një hero i hershëm mitik – dhe studiuesit besojnë se këta njerëz janë të njëjtë me Denyen, një nga popujt e detit të përmendur nga egjiptianët. Nëse ata janë popuj të detit, po me Dorianët? Sipas një miti, kur grekët mikenas po luftonin kundër trojanëve, pasardhësit dorianë të Herkulit po rimerrnin “trashëgiminë e drejtë” të tyre në Greqinë jugore; me fjalë të tjera, kur mikenasit ishin jashtë qytetit, Dorianët hynë fshehurazi dhe vodhën gjërat e tyre. Por sipas një legjende tjetër, “kthimi i Heraklidave” ndodhi plot tetëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Trojës. 

Çfarë ndodhi në të vërtetë? Ndoshta një kombinim i të gjithave sa më sipër: Popujt e detit mund të kenë qenë një përzierje e pellazgëve, grekëve, trojanëve, dorianëve dhe njerëzve të tjerë që jetonin në zonë, duke ikur nga katastrofa të shumta dhe duke krijuar edhe më shumë katastrofa. Por është supozimi i kujtdo. 

Filed Under: Histori

“Bijtë e shqipes” në Filadelfia

July 7, 2024 by s p

Nga Lutfi Brami, veprimtar i shoqatës “Bijtë e shqipes

Godina e vjetër me kujtime të mëdha

Mbresa nga takimi i fundit në godinën e vjetër të shoqatës “Bijtë e shqipes”

U mblodhëm sot më 3 korrik 2024, si çdo të mërkurë, te Godina e vjetër e shoqatës mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes “ këtu në Filadelfia. Takuam njëri – tjetrin përzëmërsisht si gjithmonë.E veçanta e kësaj dite është takimi dhe kafja e fundit në këtë Godinë, pasi pas pak ditësh do të ushtrojmë veprimtarinë në Godinën e re . Na mblodhi edhe këtë herë kjo shtëpi e vjetër, e vogël, por e ngrohtë, kjo shtëpi e dashur e shqiptarit.Sot këtu është : Llazar Vero e Vlashi Fili ,ish kryetari dhe ish Sekretari i shoqatës, shokët e miqtë më të vjetër, që vunë gurët e themelit të saj, pastaj me radhë, anëtari më i vjetër nga Çamëria ,Abedin Teme, Eqerem Murataj,Hamdi Gjana, Anastas Golemi ,Vangjel Haxhistasa ,Adil Likaj,Enver Perllaku,Piro Kondo dhe unë. Llazari e Vlashi, pothuajse çdo ditë, hapin derën e dashurisë, miqësisë e vllazërisë. Kushedi sa kujtime kanë mbetur në këtë sallë, në këtë dhomë , në këtë kafe modeste.Sa takime të përzemërta, ditëlindje shokësh janë festuar, sa vizitorë e miq janë pritur e përcjellë, të cilët kanë lënë mbresat e kujtimet e tyre.

Godinë, moj e vjetra godinë 

Shumë vite të shenjta ke mbi shpinë 

Këtu u mblodhën shqiptarët e rrinë

Për këtë dhuratë, s`e harrojmë Ben Risilinë

Këtu u krijua shoqata, këtu u mësua e u mbrojtë gjuha shqipe. Në çdo hap, që hedh në këtë godinë, në këto mjedise të thjeshta,po historike, të duket sikur dëgjon bisedat, diskutimet sugjerimet e të parëve për krijimin e shoqatës, për statutin e saj, për objektvat, për emrin e për të gjitha problemet që shqetësonin komunitetin. Në sfond na duket sikur dëgjojmë zërin e shqiptaro – amerikanit nga Berati, George Ziu, diskutimet e Llazarit e Vlashit për emrin shoqatës, zërin e Elvira Budos, që siç donte nxënësit donte dhe bashkatdhetarët,Sotiraq Pemës, nga Berati, ish-student i dalluar në atë kohë,i Viktor Furxhiut,që kryente me përgjegjësi detyrat, Laureta Petroshati ,këmngulëse e Ilir Meçaj, që donte t`i zgjidhte detyrat si në fushën e futbollit. 

Në këto mjedise të kësaj godine lexohen gjurmët që kanë lënë këtu, fjalët emocuionuese e mobilizuese të ish- kryetarëve të shoqatës: Llazarit, Petritit, Sadikut,Tajarit, Bujar Gjokës, kryetarit actual, Dritan Matrakut,ish-sekretar Vlashit e i sekretares aktuale Julidës.

Të duket sikur jehojnë këngët e tingujt e muzikës së profesor Hamdiut,rrëfimet e kuriozitetet e Vlashit, kujtimet e ftesat për kafe të Enver Parllakut,dollitë e veçanta të Hys Hasës e takimet per promovimin e librave të tij. E zbukurojnë këtë takim pjesmarrja me dashuri e ëmbëlsi e Cacit, Nikos , “Grupit të të rinjëve” – siç thotë shpesh Llazari, kur i mbledh ata me makine për t`i sjellë në kafe në takimin e përmallshëm me shokët. Fjalët e historitë me vlerë të patriotit Abedin Teme,që megjithëse i thyer në moshë,është i dashur,i kthjellët në mendime e gojëmbël. 

Të pa harruara do të mbeten takimet e përzemërta më të ftuarit intelektualin, të urtin e dashamirësin e kujdesshëm e mirënjohës Abdulla Domi,të antarëve simpatk e kontribues të grupit “Flaka”,e shumë personalitete të tjera këngetarë , intelektualë , shkrimtarë etj.

Këtu kumbuan vargjet e magjisë së dashurise të Profesor Gjekë Marinajt, magjia e penës së shkrimtarit Visar Zhiti me fragmentet nga ‘Këpuca e aktorit”, dhe poezitë e guximëshme të shkruara në dënimin e diktaturës të shkruar që nga koha e burgut e deri sot, shkrimtari Bexhet Asani, me librin “Zjarri arbëror i pashuar “, librat e shkrimtarit Vlash Fili e Hys Hasa etj takimet e vizitat nga diplomatë, deputetë, qeveritarë, artistë etj, Në vesh e në mendje na vijnë tingujt e këngës melodioze të vogëlushes Arita Rukiqi, “Ju këndoftë zemra“për Kosovën, Zëri i mësueseve: Irini Zenelaj, Rajmonda Bardhi, Rudina Bani,Nikoleta Papaj,Afërdita Muzhaqi, e Mimoza Sotiri e të tjera tek u mësojnë me pasion gjuhën shqipe nxënësve nën gumëzhitjen e zërit të 50 – 60 fëmijëve. Na duket sikur takojmë në këto mjedise edhe ata që kanë dale në jetë si: Kristi Zanaj,Xhesika Pajollari,Brendo Agaraj,Besart Cena, Vitjon Fili,Endri Kina,Kevin Matraku e Ardita Koka etj. E ndërsa prekemi nga këto kujtime, përzjehet muhabeti me tema të ndryshme e meditime. Enver Parllaku shoqërohej në këtë takim kafeje nga z. Piro Kondo, me origjinë nga Dardha e Korçës, por banues në Vlorë’, nipi i Vangjel Kondos, një oficer madhor i Gardes se Republikes, shok e mik, kolegu im i respektuar, i ati i peshëngritësit të talentuar shqiptar Aleksandër Kondo.Piro, ka dy vjet që banon këtu në Filadelfia . Z. Llazar e Vlashi vlerësuan kohën e gjatë të kaluar bashkarisht në këtë shoqatë, kujtimet e nostalgjinë që kanë,nderuan dhe vlerësuan aktin e bujarisë e patriotizmit të vëllezërve Risilia, që dhuruan këtë godinë për shoqatën,e cila e rriti rolin e saj dhe tani jetojmë me kujtimet. Të gjithë të pranishmit, që nga Eqeremi, Enveri, Vangjeli, Adili e të tjerë kishin se ç’`të kujtonin e të tregonin, por të gjitha mendimet të çonin në konkluzionin se në këtë shtëpi të shqiptarit, u mësua e u mbajtë gjallë gjuha e ëmbël dhe e bukur shqipe. Ajo u bë shtëpia e nënës së madhe të bashkimit, e vllazërimit, e ndihmës dhe e dhurimit nga antarët e saj të mrekullueshëm,e gjetjes së kënaqësisë shpirtërore e atdhedashurisë, e kafes më të ngrohtë vllazërore.Ajo që mban të lidhura shpirtërat e antarëve të komunitetit, që edukon traditat më të mira të kombit tonë.

Kujtimet janë jeta e mbushur me emocione, 

Shqetësimet ,ëndrrat e realiteti i përjetuar

Gjurmët e thella, pasionet, dashuritë. 

Në ekranin e pafund të jetës…kanë kaluar 

Ne krenohemi me emrin tënd te bukur e domethënës: Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes” ,kaq e dashur ndër vite, Këtë përvojë , këto ndjenja, kujtime e këto mësime që muarëm nga kjo godinë e vjetër do t`i ruajmë të pa harruar për të na shërbyer në lartësimin e emrit tënd kudo në botë, edhe në Godinën e re , prandaj me shpirt urojmë :

Ta gëzojmë godinën e re, shoqata “Bijtë e shqipes“dhe shkolla shqipe “Gjuha jonë“ në Filadelfia! 

Ju lumshin duartë e ju këndoftë zemra të gjithë kontribuesëve patriotë, që punojnë pa u lodhur për vënien në funksion të saj në shërbim të komunitetit, nën drejtimin e Këshillit Drejtues të shoqatës.

Urime!…

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 867
  • 868
  • 869
  • 870
  • 871
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT