• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Presidenti Rugova: I vetmi kompromis për Kosovën është Pavarësia

October 7, 2024 by s p

-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Tetor 2024/ Para 19 viteve,  pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

NGA ARKIVI-6 TETOR 2005: PRESIDENTI RUGOVA ME GRUPIN NEGOCIATOR: KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

PRISHTINË, 6 Tetor 2005-QIK – I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon, tha sot Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me Grupin negociator për statusin, në rezidencën e tij në Velani.


Presidenti Rugova takimin e quajti të frytshëm, konstruktiv e miqësor, ndërsa tha se kanë biseduar për planin operativ të funksionimit të delegacionit të Kosovës, për dokumentet e ndryshme që do të aprovohen.

“Natyrisht do të kem një dozë të besueshmërisë të një diskrecioni sepse është delegacion shtetëror dhe për gjëra të rëndësishme do t’ju njoftojmë”, tha Presidenti. “Ne do të vazhdojmë punën mbi këtë plan apo skicë të punës të delegacionit të Kosovës.

Përcaktimi ynë dhe vullneti politik i popullit është pavarësia e Kosovës, pra këto biseda janë për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë edhe të gjithë ne insistojmë për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovë që do të ishte edhe më e lehtë sepse do ta qetësonte popullin tonë edhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, u shpreh pas takimit Presidenti Rugova.

Ai bëri të ditur se Grupi, për çdo rast, po përgatitet, dhe se të gjithë janë dakord që nëse fillon zgjidhja e statusit në rrugë ndërkombëtare, nëpërmjet negociatave, atëherë, delegacioni do të jetë “i gatshëm, i aftë dhe i përgatitur”, ta udhëheqë Kosovën drejt bërjes së pavarësisë.

Pyetjes nëse mund të ketë kompromis rreth statusit të Kosovës, Presidenti Rugova u përgjegj në mënyrë kategorike, duke thënë: “Kompromis për Kosovën është pavarësia e saj dhe ky është optimum i gjithë shqiptarëve në rajon, andaj nuk kemi kërkuar një bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, nënvizoi Presidenti Rugova, duke ripërsëritur bindjen e plotë se nuk ka shteg tjetër veç pavarësimit të vendit.


Ndërkaq në pyetje tjetër nëse grupi do të ketë platformën për bisedime, Presidenti është përgjigjur qartazi: “Ne platformen e kemi dhe ajo është pavarësia. Neve na duhet operacionalizimi i punës së këtij grupi apo delegacionit të Kosovës nëse do të ketë biseda për pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë dhe ajo pakoja përcjellëse që do të ketë pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, sukses më të madh e ka quajtur që Grupi Negociator, apo siç e quajti ai, pesëshja dhe koordinatori i grupit, “janë absolutisht në një frekuencë”.


“Ky delegacion i Kosovës do ta marrë mandatin në parlamentin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e tha Presidenti është pavarësia e Kosovës”, tha Daci. Ai theksoi se çdo gjë do të rrjedhë nëpërmjet Parlamentit, ndërsa deputetët do të informohen për punën e delegacionit. Delegacioni do t’ia japë mendimet dhe udhëzimet e veta koordinatorit, i cili pastaj mendimet profesionale i sjell, dhe pas miratimit nga delegacioni i Kosovës, ato bëhen publike edhe për parlamentin”.


Lideri i PDK-së Hashim Thaçi u shpreh se delegacioni i Kosovës duhet të prezantojë fuqinë politike të partive politike në Kosovë, duke shtuar se çdo dokument i delegacionit në mënyrë konsensuale dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës duhet të fuqizohet dhe të institucionalizohet, dhe pastaj të prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët.


“Besoj se javën e ardhshme do të jemi së bashku edhe në parlamentin e Kosovë sashtu siç jemi zotuar se do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.


Ndërkaq lideri i ORA-s, Veton Surroi tha se platforma e grupit është e qartë. “E ka pikënisjen, e ka pasur dhe do ta ketë për pavarësinë. Eshtë një elaburim më i gjatë, i cili ka konsensus të plotë dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator”, tha Surroi.

CLINTON PARA PESËMBËDHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

Filed Under: Kronike

1932 / “JA ÇFARË SHIKOJ NGA DRITARET E AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË” — RRËFIMI I HOLLËSISHËM I AMBASADORIT HERMAN BERNSTEIN

October 7, 2024 by s p


Herman Bernstein, ministër amerikan në Shqipëri — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Herman Bernstein, ministër amerikan në Shqipëri — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Tetor 2024

“The American Foreign Service Journal” ka botuar, në mars të 1932, në faqet n°3-6, rrëfimin e hollësishëm të ambasadorit Herman Bernstein mbi atë çka ai vështronte asokohe rreth e rrotull ambasadës amerikane në Tiranë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria — Vendi i Popullit të Shqiponjës

(Pamje nga dritaret e Legatës Amerikane në Tiranë)

Nga Herman BERNSTEIN, Ministër amerikan në Shqipëri

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga dritaret e Legatës së re Amerikane në Tiranë mund të shihen shumë pamje të çuditshme dhe magjepsëse, të cilat ofrojnë një pamje të jetës shqiptare në të gjitha ngjyrat dhe nuancat e saj të larmishme.

Nga dritaret e përparme mund të shoh kopshtin tonë me lule të kujdesur nga një kopshtar shqiptar që pretendon se ka punuar në pallatin e vjetër të Sulltanit në Kostandinopojë dhe nga një ish-oficer rus që kishte ikur nga bolshevikët dhe kishte shërbyer në forcat Wrangell dhe më pas kishte ardhur në Shqipëri me ushtrinë e vogël të drejtuar nga Ahmet Zogu kur u kthye në pushtet pas mërgimit të tij në Beograd. Më tutje, te porta e Legatës, qëndron shtëpiza e dy kavasëve të Legatës, Sulejmanit dhe Rasimit, shqiptarë që kanë kaluar (jetuar) disa vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulejmani konsiderohet nga shqiptarët si me fat të veçantë jo vetëm për faktin se ai punon në Legatën Amerikane, por edhe sepse është babai krenar i pesë djemve. Vajzat kërkojnë pajë kur martohen në Shqipëri, ndërsa djemtë u sjellin prikë prindërve.

Përpara portës së Legatës ndodhet rruga e re që të çon nga Durrësi në Elbasan dhe Korçë. Durrësi, në Adriatik, është porti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Qyteti, tani i vogël, me një popullsi prej rreth 10.000 banorësh, dikur ishte një qendër e madhe tregtare, që lidhte Perëndimin me Lindjen. I ndërtuar rreth 700 vjet para epokës së krishterë, Durrësi, i njohur në të kaluarën si Dyrrachium (Dyrrahu), dëshmoi skena lavdie, betejash të përgjakshme, të konfliktit midis ushtrive të Cezarit dhe Pompeut dhe të kryqtarëve në rrugën e tyre për në Tokën e Shenjtë. Besohet se edhe atje, në brigjet e Adriatikut, Shën Pali ka predikuar krishtërimin.

Rruga e re e Elbasanit, tashmë në përfundim, të çon në Korçë, e cila është një nga qytetet më përparimtare dhe moderne të Shqipërisë, kryesisht për shkak të ndikimit të shqiptarëve të emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe që u kthyen në Korçë pasi kishin përvetësuar pasuri të konsiderueshme materiale dhe mënyrat e zakonet e Amerikës. Disa u kthyen për vizita në tokën e tyre të lindjes dhe sollën me vete konceptet e biznesit dhe metodave të bujqësisë amerikane dhe një standard më të lartë jetese, i cili u prezantua gradualisht në rrethin e Korçës. Për vite me radhë Korça ka marrë gjithashtu shuma të konsiderueshme të dërguara nga shqiptarët amerikanë për të afërmit e tyre në vendlindjen e tyre. Për këtë arsye Amerika është e njohur në Shqipëri. Shqipëria i është gjithashtu mirënjohëse Amerikës për ndihmën e Presidentit të ndjerë Wilson dhënë për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë në një periudhë shumë kritike gjatë Konferencës së Paqes. Arsyet e tjera për vlerësimin e Amerikës nga Shqipëria janë shkollat amerikane në Tiranë dhe Kavajë, të drejtuara nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe Fondacioni i Lindjes së Afërt, si dhe puna kundër malaries e Fondacionit Rockefeller.

Përtej rrugës së re të Elbasanit mund të shoh nga dritaret tona të përparme një fushë të madhe, kazerma, ushtarë që bëjnë ushtrime; kuajt, lopët, delet duke kullotur — skena të stërvitjes ushtarake të përziera me idilet baritore të paqes. Ndonjëherë dëgjoj zhurmën e mitralozëve që jehojnë në male. Dhe menjëherë pas kësaj dëgjoj barinjtë që luajnë melodi të këndshme në fyellin e tyre, ose fshatarë që këndojnë këngë orientale ndërsa kalojnë mbi kuajt e tyre të vegjël ose gomerët e vegjël. Aty-këtu shoh shtëpi të reja të shpërndara nëpunësish e fisnikësh shqiptarë. Përballë Legatës Amerikane do të ngrihen edhe disa prej legatave të huaja. Në një distancë të shkurtër, shihni kodrën në të cilën po ndërtohet pallati i ri i nënës mbretëreshë.

Teksa kthehem nga dritaret në të djathtë, përballë qytetit të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, që mban emrin e Teheranit rreth 300 vjet më parë, shoh kope delesh bardh e zi, buaj, lopë, selvi madhështore, xhami, minare të holla të bardha. Më pas pallati modest i nënës mbretëreshë dhe pesë princeshave, motrat e mbretit Zog, burgu i ri, ndërtesat e reja ministrore mjaft imponuese dhe Bashkia në qendër të Tiranës; pallati i vjetër i Mbretit Zog, i vetmi mbret në Evropë që ka ardhur në pushtet si bir i një prijësi të shquar malësor, trim, i cili luftoi për vendin e tij në rini, i cili më pas mbajti postet e Ministrit të Brendshëm, Kryeministrit dhe Presidentit, dhe i cili në vitin 1928 u shpall Mbret nga Asambleja Kushtetuese. Udhëheqësi i Popullit të Shqiponjës, siç njihen shqiptarët, është një i ri 36-vjeçar shtatlartë, i hollë, inteligjent, i cili sillet me një dinjitet dhe ekuilibër të thjeshtë por mbresëlënës.

Natën dritat e Tiranës shkëlqejnë me gëzim dhe e bëjnë kryeqytetin të duket shumë më i madh se sa është. Në festat kombëtare rrugët, kulla e sahatit dhe minaret janë zbukuruar me flamujt e Shqipërisë Kuq e Zi dhe me ndriçim elektrik shumëngjyrësh.

Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Tiranë, Shqipëri — Panorama e qytetit siç shihet nga Legata e re Amerikane, 1931 (Foto nga H. Bernstein) — Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Nga xhamat e pasmë dalloj Alpet e purpurta shqiptare në perëndimin e diellit, me malin e Dajtit të mbuluar me borë në qendër. Shoh shpesh aeroplanë që fluturojnë sipër, shqiponja që fluturojnë, borë në majë të malit, gjeth të gjelbër në rrëzë të malit dhe në kopshtin tonë, jo shumë larg, trëndafila të lulëzuar në dhjetor. Unë shoh disa banesa të ulëta, tipike shqiptare me çati të kuqe prej tullash balte; mullarë të artë të rregulluar në dizajn fantastik; hijet e reve që bien përtej malit; dhe herë pas here ylberë të dyfishtë të shndritshëm shqiptarë në sfondin e malit të Dajtit. Përtej këtyre Alpeve është Kruja, shtëpia e Skënderbeut, Gjergj Kastriotit, Uashingtonit shqiptar që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe për disa vite qëndroi fitimtar kundër turqve. Skënderbeu, lavdërimi i të cilit u këndua nga Longfellow në “Tales of a Wayside Inn”, ishte jo vetëm një ushtar dhe çlirimtar i madh, por, duke gjykuar nga testamenti i fundit për të birin, edhe një burrë shteti i mençur dhe largpamës.

Nga dritaret në të majtë shoh rrugën dredha-dredha për në EIbasan, rrugën e famshme romake Via Egnatia, e cila në ditët e para të epokës së krishterë të çonte nga Durrësi në Selanik. Unë shoh kodra të ulëta, në njërën prej të cilave qëndron një vend i shenjtë i braktisur bektashian i rrethuar me pemë. Më poshtë është një kasolle e vogël, e përdorur tani si kafene, ku ciganët kërcejnë dhe luajnë muzikën e tyre me zë të lartë, të çuditshëm, shpesh rrëqethës gjatë gjithë natës, gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës. Shumë nga burrat dhe gratë që kalojnë përgjatë rrugës së Elbasanit janë të rreckosur, zbathur. Ndonjëherë veshin kostume të qëndisura artistikisht me dizajne të pasura dhe të bukura. Herë pas here një me beben e saj. Shpesh një grua e mbuluar, hipur mbi një gomar, duke mbajtur fëmijën e saj në njërin krah dhe duke mbajtur një ombrellë të hapur në dorën tjetër — jo për ta mbrojtur atë nga shiu apo nga rrezet e diellit të shndritshëm, por më tepër si një shenjë dallimi midis myslimanëve shqiptarë.

Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6
Burimi : The American Foreign Service Journal, mars 1932, faqe n°3-6

Shoh një kortezh të gjatë gomerësh, kuajsh, mushkash, buajsh, qesh, sidomos të enjteve, kur fermerët e fshatrave fqinjë dalin në treg në Tiranë. Kafshët janë të vogla dhe të holla; burrat dhe gratë janë të dobët, të drejtë, me pamje të trishtuar, rrallë të buzëqeshur, shpesh duke kënduar me ankth, zërat e tyre kumbojnë qartë si kambana argjendi. Tani shoh një hoxhë, të gjatë, të veshur me një çallmë jeshile, të hipur mbi një gomar të vogël, me këmbët që lëkunden në mënyrë ritmike, gati duke prekur tokën. Populli, edhe pse ende supersticioz, nuk njeh konflikte apo grindje fetare në Shqipëri. Udhëheqësit fetarë të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve jetojnë në harmoni dhe besimtarët e tyre ndonjëherë vizitojnë vendet e lutjes së njëri-tjetrit. Ndërsa shikoj nga dritaret e Legatës, shoh Tiranën në rritje, kryeqytetin e Popullit të Shqiponjës, duke marrë formën moderne, njerëzit që përvetësojnë nga jashtë rrugët përparimtare të Perëndimit, por ende të kapur pas disa prej traditave të tyre të shkëlqyera të lashta të cilat nuk kanë pësuar asnjë ndryshim me shekuj; ndërtimi i një shteti të pavarur, më i vogli nga shtetet ballkanike, i cili mban një pozicion kaq të rëndësishëm në Adriatik. Në Shqipëri, Orienti dhe Perëndimi gërvishten si në pak vende të tjera. Femrat shqiptare vlerësohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton vetëm është e sigurt kudo në Shqipëri. Dhe asnjë burrë nuk duhet të ketë frikë nga hakmarrja stërgjyshore e një armiku nëse shoqërohet nga një nga gratë e tij. Mikpritja proverbiale dhe ndjenja e nderit e shqiptarëve nuk janë ndryshuar gjatë marshimit të shpejtë të vendit drejt modernizimit.

Një ditë, turistët në kërkim të peizazheve të çuditshme dhe të bukura, zakoneve dhe kostumeve të veçanta do të zbulojnë këtë vend nga më piktoreskët në Evropë. Nëse vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, do të jetë tepër vonë. Pjesa më e madhe e sharmit magjepsës të Shqipërisë po zhduket, duke i lënë vendin kostumeve perëndimore dhe ritmit të vrullshëm të jetës moderne.

Filed Under: Reportazh

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. zhvilloi kampionatin e tretë të shahut

October 7, 2024 by s p

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. zhvilloi për të tretin vit radhazi kampionatin e shahut. Ky kampionat, i kthyer tashmë në traditë për shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., u zhvillua më datë 6 tetor 2024, në parkun më të madh të Nju Jorkut, që cilësohet edhe si mushkëria që furnizon me oksigjen këtë qytet kaq të madh, në Central Park, Manhattan. Anëtarë dhe dashamirës të shoqatës u mblodhën për të kaluar një ditë të bukur me ngjyrat e vjeshtës dhe për të mbështetur lojtarët që do të konkurronin me njëri-tjetrin në lojën e bukur të shahut, që përveç vëmendjes dhe zgjuarsisë, kërkon lëvizje të mirëmenduara për të dalë fitues. Kampionatin e deklaroi të hapur kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z. Imer Lacaj, i cili, pasi falënderoi anëtarët për pjesëmarrjen në këtë kampionat, u uroi lojtarëve suksese në lojë. Z. Lacaj gjithashtu falënderoi edhe anëtaren më të re të shoqatës, znj. Lali Doci, e cila iu bashkua shoqatës në këtë ditë. Lojtarët u ndanë fillimisht në 6 grupe; ata ishin të grupmoshave të ndryshme, duke nisur që nga fëmijët, të cilët e kanë pasion këtë lojë, e deri te të rriturit e moshat e treta. Loja, e cila zgjati për plot 4 orë, sa vinte e bëhej më interesante kur lojtarët filluan të skualifikoheshin një e nga një për të arritur te dy finalistët e këtij kampionati, të cilët ishin ish-kampioni i kampionatit të kaluar, z. Gjovalin Marku, dhe z. Lekë Preci. Pas një loje të fortë dhe relativisht të gjatë, fitues i lojës së shahut dhe kampionatit të tretë u shpall z. Lekë Preci, i cili u duartrokit me entuziazëm nga të pranishmit. Z. Preci iu dha çmimi i parë, si dhe një çek simbolik, i cili ishte miratuar nga kryesia e shoqatës. Kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uroi suksese z. Lekë Preci dhe falënderoi të gjithë konkurrentët e tjerë për pjesëmarrjen, duke theksuar gjithashtu se aktivitete edhe më të rëndësishme do të vijojnë në muajt e ardhshëm.

Filed Under: Sport

Dokumentari “Pan patriotizmi Shqiptar” shfaqet në Worcester, MA më 27 Tetor 2024

October 7, 2024 by s p

Familja Pani njofton dhe fton komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në shfaqjen e dokumentarit të RTSH Korça, “Pan patriotizmi Shqiptar”, kushtuar veprimtarit dhe dardharit patriot Sotir Pani si edhe parardhësve të tij, Josif e Vasil Pani. Kjo veprimtari organizohet nga Dardha Society INC dhe sponsorizohet nga Vasil dhe Andrea Pani dhe Bruko Broadcast Radio. Hyrja për publikun është falas. Të ardhurat prej ndonjë dhurate apo donacioni të mundshëm do të përdoren për të realizuar projektet e ardhshme patriotike e komunitare për shqiptarët në Boston. Jeni të ftuar të merrni pjesë në datën 27 Tetor 2024 në orën 12:15 në sallën e katit të poshtëm të St Mary’s Albanian Church në adresën 535 Salisbury St, Worcester, MA, 01609. Pritja fillon në orën 12:15 dhe më pas programi dhe shfaqja e dokumentarit për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: Komunitet

Kronologjia e epokës së Bronzit dhe Hekurit në Shqipëri

October 7, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Studimet e fundit mbi prehistorinë kanë treguar se periudha e hershme e epokës së Bronzit në Shqipëri (faza Maliq IIIa-b) përputhet Helladikun e Hershëm dhe përfshin gati të gjithë mijëvjeçarin III para Kr. ose vitet 3000 – 2100 para Kr. Hapësira e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe përfshihet në provincën metalurgjike anatolo-karpato-danubiane, e cila karakterizohet nga përhapja e sëpatës së sheshtë prej bakri me vrimë tranversale. Ndërsa periudha e mesme e Bronzit, Maliq IIIc, përputhet me të gjithë HM I-III (2100 – 1550 para Kr.) dhe HV I-IIa-b (1550 – 1400 para Kr.) duke përfshirë vitet 2100 – 1400 para Kr. Në Bronzin e Mesëm kemi një konsolidim të raporteve me kulturat fqinje, ndërsa dobësohen ato me kulturat e largëta. Periudha e Bronzit të Vonë, Maliq IIId, përputhet me HVIIIa-c (1400-1100 para Kr.) dhe përfshin vitet 1400-1100 para Kr., periodizim i konfirmuar edhe nga datimet radiokarbonike në Sovjan.
Në Shqipëri në pikëpamje kronologjike, periudha e hershme e epokës së Hekurit, përfshin gjithë periudhën kalimtare nga epoka e Bronzit në atë të Hekurit.
Duke filluar pas shkatërrimit të qytetërimit mikenas, rreth shek. XI para Kr., dhe sipas kronologjisë egjeane,përfshin periudhën submikene (1100 – 1000 para Kr.), atë protogjeometrike(1000 – 900 para Kr.)dhe gjeometrike të hershme (900-800 para Kr.), ndërsa në rajon ajo përputhet me fazën e hershme të hekurit në Serbi (1200/1100 – 800 para Kr.) dhe në vija kryesore me fazën Trebenisht I (1150-800 para Kr.). Në raport me kronologjinë europiano-qëndrore ajo përputhet me periudhën HaA2-HaB1-2 të sistemit Reinecke, që në terma absolut përfshijnë vitet 1100-800 para Kr.Kufijtë kronologjikë të Hekurit të Hershëm, së fundmijanë konfirmuar nga datimet me radiokarbon në shtresat 4, 5a dhe 5b të Sovjanit, që mbulojnë të gjithë periudhën e hershme të Hekurit. Periudha e zhvilluar e epokës së Hekurit përfshin shek. VIII-VII para kr. ose periudhën e mesme dhe të vonë gjeometrike dhe atë subgjeometrike (800 – 700 para Kr.) dhe do të përputhej me fazat Trebenisht IIa-b (800-600 para Kr.), ndërsa në sistemin e kronologjisë europiane me fazat HaB3-C (800-600 para Kr). Periudha e vonë e epokës së Hekurit, e njohur ndryshe edhe si periudhë arkaike, përfshin shek. VI-V para Kr. dhe përputhet me fazën arkaike dhe atë klasike të kronologjisë egjeane, fazat Trebenisht IIIa-b (600 – 425 para Kr) dhe tejkalon atë HaD të Sistemit Reinecke (600-500 para Kr.).
Vitet e fundit,lidhur me kronologjinë e periudhës së hershme të epokës sëhekuritështë propozuar edhe nje kronologji e re, ebazuar në disa datime radiokarbonike në pellgun e Korçës, sipas të cilës, periudha e hershme e Hekurit, fillon reth shek. VIII para Kr.(rreth viteve 800 para Kr), datë që përputhet edhe me datimet e kësaj periudhe në Thesali e Greqi. Ky kufi kronologjik shënon fundin e një periudhe tëgjatë thatësire, gjatë të cilës nuk janë konstatuar gjurmë banimi në pellgun e Korçës. Kjo datë e fillimeve të fazës së hershme të periudhës së hekurit aktualisht nuk është verifikuar me C14 në hapësirën tjetërshqiptare dhe ka nevojë për mbështetje më të madhe, arkeologike dheradiokarbonike.Ne jemi të prirur të mbështetemi në këtë kronologji të re për përcaktimin kronologjik të fortifikimeve të luginës së Shkumbinit.

Sipas kësaj kronologjie, epoka e Hekurit përbëhet nga dy periudha zhvillimi:

Periudha e hershme e epokës së Hekurit, që i përgjigjet periudhës së zhvilluar të saj sipas kronologjisë së mëparshme. Në terma kronologjik ajo përfshin shek. VIII-VII para Kr. ose periudhën e mesme dhe të vonë gjeometrike dhe atë subgjeometrike (800-700 para Kr.), që do të përputhej me fazat Trebenisht IIa-b (800-700 para Kr.), Glasinac IVb (750-625 para Kr.), ndërsa në sistemin e kronologjisë evropiane me fazat HaB3-C (800-600 para Kr.).

Periudha e zhvilluar e epokës së Hekurit, që i përgjigjet periudhës së vonë të saj sipas kronologjisë së mëparshme e njohur si periudhë arkaike. Në terma kronologjik kjo periudhë përfshin shek. VI-V para Kr. dhe përputhet me fazën arkaike dhe atë klasike të kronologjisë egjeane, fazat Trebenisht Illa-b (600-425 para Kr.), atë Glasinac IVc (625-500 para Kr.) dhe HaD të sistemit Reinecke (600-500 para Kr.)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 876
  • 877
  • 878
  • 879
  • 880
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT