Në 25-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, në shenjë nderimi e kujtimi të përjetshëm, po e publikoj një vështrim për krijimtarinë e tij poetike të shkruar para shumë vjetësh.
Nexhat Maloku/
Shprehja e lashtë latine Nomen est omen ndoshta më së shumti i shkon për shtati emrit të Agim Ramadanit. Kur e pagëzuan në majin e vitit 1963 në Zhegrën e Karadakut me emrin Agim, nuk do tu ketë shkuar mendja se Agimi i vogël një ditë do të bëhej Agimi i madh, i agimit të lirisë aq shumë të pritur të Kosovës. Kjo ndërlidhje, fillimisht afektive, e nisur nga dëshira e familjarëve, e mbrujtur me dëshirën për jetë më të mirë, në një kohë të mëvonshme, pikërisht 36 vjet më vonë, në vitin dramatik të Kosovës, vitin 1999, në fundvajin e shekullit njëzet, e gati në agimin e shekullit njëzet e një, do të bëhet një ndërlidhje e pashkëputshme, për t’u shkrirë në një simbiozë Agimi-Agim. Do të shkojë Agimi i Karadakut për të ardhur agimi i Karadakut dhe krejt Kosovës. Pikërisht më 11 prill 1999, Agimi do të shkrihet në trupin e Shqipërisë, do të shkrihet mu në pjesën më neuralgjike të këtij trupi, në kufirin e vënë me dhunë nga pushtuesi sllav, kufi-dhunë ky që aq gjatë nuk e la trupin e Atdheut tonë të frymojë në plotninë e tij natyrore. I mbrujtur me shpirt të ndjeshëm poeti, Agimi, sikur e parandien këtë dhe që në vitin 1994, nga Alpet e Zvicrës, i kthyer me fytyrë e zemër nga Kosova, si dikur sivllezërit e tij arbëreshë, do të shkruaj poezinë me titull “Në mungesën time”:
Tani unë jam hi dhe hije nuk kam
Se kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk jam tretur
Dhe pikërisht në prillin e luleve, në agimin e pranverës, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pse e dinë, megjithatë pyesin për Agimin ku ka mbetur, e njëkohësisht pyesin edhe vetveten ku kemi mbetur, për të drejtuar sytë e zemrën nga ardhja e agimit të Kosovës, për të vërtetuar pohimin e tij “nuk jam tretur” .
Kjo poezi e shkruar në mërgim, ndërlidhet fort me shpirtin e tij kryengritës, shpirt ky njëkohësisht aq i butë e skofiar, i cili shprehet në krijimtarinë e tij artistike, si në poezi ashtu edhe në pikturë, për t’u bërë lajtmotiv i rrugëtimit të tij deri në agimin e pavdekësisë.
Duke pasur fatin t’a njoh që nga vitet e fëmijërisë për të vazhduar pastaj shoqërinë krejt më vonë në vitet e mërgimit, në Zvicër, kam pyetur veten se si mund të bashkëjetojnë në personalitetin e tij shpirti i fortë i ushtarakut me shpirtin e tij aq të ndjeshëm e të hollë artistik. Por si duket pikërisht ky dyzim i shkrirë aq gjatë në universin e tij jetësor ka mundur të japë një shpirt aq të veçantë luftarako-poetik që e ndeshim rrallë tek brezat e poetëve. Sepse vetëm “lufta” e vazhdueshme e këtyre shpirtrave mund të fisnikronte një karakter të tillë sui generis të Agim Ramadanit.
Krijimet e tij poetike i kisha dëgjuar e lexuar qysh kur ishim në shkollën fillore në Zhegër, shkollë kjo që sot mban emrin e tij. Në orët letrare për ditën e shkollës, lexonim poezitë tona për jetën, të shikuara nga prizmi i botës së fëmijërisë – kësaj parajse të humbur- siç thotë një poet. Shumë vjet më pas, aty nga mesi i viteve ’90-të, Agimi më dha një tufë poezish të shkruara prej tij, duke më thënë që t’i lexoja dhe t’i jepja një mendim për vlerën e tyre artistike. Pas leximit të tyre, mendimin e parë që ia thashë ishte që t’i botonte ato. Por, do të kalojnë vite, dhe botimi i poezive nuk do të ishte prioriteti i parë i tij, sepse ajo pjesa tjetër e shpirtit të tij- shpirti kryengritës do ta thërriste të shkonte në Bjeshkët Shqiptare për të bërë atë që mund të bënte-vetëm ai.
Poezitë e tij u botuan disa vjet më vonë, në vitin 2000. Agimi u shpalos para lexuesve edhe me shpirtin e tij poetik, sepse kështu ishte ai- gjithçka për të tjerët, e për vete?- veç ishte shkrirë në indin e kombit shqiptar.
Në librin me poezi “Një jetë tjetër”, nën përkujdesjen redaktuese të poetit Ali Podrimja, është prezantuar një pjesë e krijimtarisë së tij poetike. Aty janë poezi të shkruara në kohën e rinisë të viteve ’80 të shekullit që lamë pas, pastaj pjesa tjetër më e madhe e shkruar në mërgim në Zvicër, si dhe një pjesë e vogël gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Duke qenë poezi të shkruara në këto vite, ato bartin vulën e fuqishme të përjetimeve të poetit gjatë asaj kohe. Janë tri motive kryesore që e përshkojnë poezinë e Agim Ramadanit, motivi i dashurisë, motivi i mërgimit dhe motivi patriotik.
Në poezitë me motiv dashurie, ku motivi i dashurisë shpesh nuk mbetet i vetmuar por ngërthehet edhe me motive të tjera, poeti shpreh ndjenjat e dashurisë, dashuri kjo që shtrihet jo vetem në një kohë, por siç e shpreh në poezinë me titull “Ëndrra lulëzon”:
Të dua në këngë
Edhe për kohërat që nuk të pata
Dhe për të gjitha kohërat
Kjo dashuri e thellë, e çiltër, i kalon kufijtë e një periudhe dhe vërshon në gjithë jetën e tij- në gjithë zemrën e tij prej poeti. Sepse dashuria, kjo ndjenjë që e çon botën përpara, në shpirtin e poetit e “shëndrron vetminë në dashuri” .
Brenda kësaj dashurie të fortë, në mjaft poezi paraqitet edhe bota e brendshme e poetit, e cila është shpesh e trazuar, ku vetmia, zhgënjimi, dhembja, nuk e ligshton, por e bën më të fortë atë. Në poezinë “Gjurmë dashurie”, poeti me një varg konciz shpreh dhembjen dhe mallin per të dashurën, sa edhe:
Me lot
E lajmë
Vetminë
Kurse në poezinë “Pengu”, lotët janë pengu që poeti i bart që nga “puthja e parë”
dhe dëshiron t’i zhdukë ata, sepse ai “lojën” e dashurisë do ta jetojë ashtu si do ai dhe e dashura e tij, andaj shprehet:
Mos nxjerr më
Lot nga syri
Përmes poezive të këtij cikli, poeti vë në pah se e jeton dashurinë në një kohë të vështirë për ta jetuar ashtu si do ai, është koha kur ende ka shumë pengesa dhe kjo shprehet në mjaft vargje ku përballë një dashurie të zjarrtë është shqetësimi, largësia, dhembja, vonesa, vuajtja, mungesa e trishtimi që e shtojnë brengën e “luftëtarit të fatit dhe dashurisë” .
Por, dashuritë e mëdha gjejnë gjithnjë rrugët për të triumfuar dhe këtë triumf e sjellin si mesazh poezitë “Kur qershitë na buzëqeshin”, “Ty”, “Jashtë vetes të mos mbesim” etj., në të cilat ndrit si rreze dielli dëshira për t’a jetuar dashurinë, për të mos mbetur jashtë rrethit të saj, sepse ashtu jeta humbet ne honet e trishtimit dhe pafrytshmërisë.
Struktura e poezive të Agim Ramadanit është një varg i lirë, por shumë konciz, me thellësi mendimi. Figurat artistike si metafora, krahasimi i japin këtyre poezive një vlerë të veçantë artistike. Edhe pse të shkruara në rininë e hershme të poetit, ato janë një shenjë e një pjekurie artistike të tij.
Në poezitë me motiv mërgimi të cilat Agim Ramadani i ka shkruar gjatë viteve ’90-të, në kohën kur ai bashkë me familjen u detyrua të mërgojë në Zvicër, shprehet dhembja e thellë për largimin nga atdheu dhe jeta e vështirë prej mërgimtari. Është kjo periudha kur një numër i madh i shqiptarëve çdo ditë shtronte kërkesat për strehim në vendet e ndryshme të Evropës Perëndimore. Koha të cilën poeti do ta jetojë në Zvicër, është e përshkuar me përpjekjet për të dalë nga rrethi i monotonisë së jetës së përditshme. Ai bashkë me bashkatdhetarët e tij hap Qendrën Kulturore Shqiptare me seli në Cyrih, ku zhvillon një aktivitet të dendur kulturor e politik. I brumosur me një vizion të qartë politik, ai do të arrijë të grumbullojë një shtresë të konsiderueshme mërgimtarësh, me të cilët do të punojë në ruajtjen e vlerave dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre, në paraqitjen e këtyre vlerave para opinionit zviceran, krejt me qëllimin e një prezantimi sa më të denjë të kulturës shqiptare. Agim Ramadani, edhe në mërgim, do të përcjellë me vëmendje të madhe zhvillimet në Kosovë e më gjerë dhe nuk do ta humbë asnjëherë shpresën se:
Kosova megjithatë jeton
Por në këtë shpresë është një mall i përhershëm, i cili është pjesë e vazhdueshme e jetës së poetit, është ky malli për vendlindjen, ku siç shkruan në poezinë “Lojë zjarri”
Malli për vendlindjen më djeg
Është ky mall jo vetëm për familjen, por është mall edhe për rrugët fshatit, për njerëzit e mirë të Karadakut, edhe për baltën që është më e ëmbël se mjalta, siç thoshte një poet rilindas shumë dekada më parë.
Se çfarë malli ndien për Kosovën, poeti i mërguar e thotë bukur në poezinë “Për një pikë ujë Kosove”:
Për një pikë
Ujë Kosove
Ëndrrat më këputen
Valët
Ngrihen peshë
Vetëm një njeri që e përjeton mungesën e Atdheut mund të ndjejë një mall të tillë, mall ky i cili e shtyn atë të thotë se “ do të ju kthehem” atyre bjeshkëve të Karadakut e njerëzve të tij bujarë.
Mërgimi, kjo plagë e rëndë e shqiptarit ndër shekuj, gjithnjë ka bjerrë trupin e atdheut dhe ka shpërndarë shqiptarët anembanë globit, por shqiptari nuk e ka harruar Atdheun. Atdheu është akrepi nga lëviz zemra e mërgimtarit shqiptar. Dhe mërgimtari shqiptar, plagën e mërgimit, nuk e ka lënë vetëm të kullojë por e ka luftuar me forcë me dashurinë që ka kultivuar për atdheun, me ndihmën e pakursyer që i ka dhënë atij. Dhembjen për atdheun e lënë, mërgimtari shqiptar e ka kthyer në një forcë dhe vullnet për ta ruajtur identitetin e tij, për ta mbajtur gjallë urën lidhëse me atdheun, dhe për t’iu vënë në shërbim kërkesave të tij. Duke pasur një mërgatë të tillë, mu në zemër të Evropës, populli shqiptar, jo vetëm që nuk u ligështua, por u bë më i fortë. Mërgata shqiptare ishte ajo që me zërin e saj ua tërhoqi vëmendjen edhe atyre që kishin mbyllur veshët dhe nuk donin t’ia dinin për të. Mërgata shqiptare hyn ne grupin e mërgatave të popujve dinamikë, të cilët nuk i zë shtrati i vetëm një vendi ku nguliten për pak apo për kohë të gjatë. Shqiptari mërgimtar këmbët e duart i ka në vendin e mërguar, po mendjen e zemrën e ka në vendlindjen e vet.
Pikërisht ky qëndrim, kjo frymëmarrje me Atdheun e shtyn poetin që tu drejtohet mërgimtarëve me fjalët:
Lëreni aureolat se atdheun na e shkelën
Turp nëse vonohen Krushqit se Nusja priti gjatë
Është ky një kushtrim për t’i dalë zot atdheut të robëruar. Dhe mërgimtarët shqiptarë do ta dëgjojnë këtë kushtrim, duke u vënë në shërbim të luftës së popullit për liri. Është kjo mërgatë e cila ishte brumosur me këngët e lirisë të 1981, me organizimin e protestave të vazhdueshme, për t’i tërhequr vëmendjen opinionit botëror e qeverive të vendeve përendimore se një popull në Evropë edhe në fund të shekullit XX, ende gjakosej për ta fituar lirinë e tij. Dhe mërgimtarët shqiptarë nuk u mashtruan nga shkëlqimi i perëndimit, por përkundrazi e morën atë si shtytje për t’a bërë atdheun e tyre si vendet e lira ku jetonin. Aktiviteti atdhetar i poetit Agim Ramadani, në vitet para luftës në Kosovë, ishte fokusuar pikërisht në këtë drejtim. Andaj edhe do të kishte përkrahjen e shumë mërgimtarëve që jetonin në Zvicër asokohe. Duke jetuar në një vend të njohur për neutralitetin e tij në botë, Agim Ramadani do të zgjedh fushën e kulturës për të depërtuar në fushën kulturore, (e edhe politike) zvicerane, sepse në zemrat e shqiptarëve veç ishte. Dhe talenti i tij i veçantë në fushën e pikturës i krijoi atij mundësinë që përmes pikturave të paraqitura në ekspozitat e tij, të zgjojë kureshtjen e botës intelektuale zvicerane, duke i nxitur ata për të shtruar shumë pyetje për tragjedinë e popullit shqiptar, e cila ishte paraqitur në pikturat e Agim Ramadanit me një ekspresivitet të rrallë artistik. Këto dy dhunti artistike, poezia dhe piktura, e kanë plotësuar në menyrë harmonike njëra-tjetrën. Duke u futur aq thellë në botën e të pikturuarit, Agim Ramadani s’ka se si të mos i sjell ngjyrat e pikturës edhe në vargjet e tij. Dhe këto vargje të latuara me shumë finesë shprehin botën e brendshme të poetit, shpirtin e tij luftarak. Në njërën nga poezitë më të arrira artistikisht, “ A mjafton pritja” poeti me pesë vargje shpreh dyshimin se:
A mjafton
Të presim vetëm
E të shikojmë
Duke larguar perden
Për të parë si na vjen liria
Në këtë poezi, poeti ka arritur që përmes një gjuhe sa të thjeshtë por njëkohësisht aq domethënëse, të vë në dyshim një iluzion të njeriut se liria mund të vijë vetëm duke shikuar nga pasperdja. Poeti këtu nuk del me fjalë të mëdha, nuk flet për marshime lufte, ai vetëm shtron një pyetje, por një pyetje bosht, që duhet të japë një përgjigje se nga do të anojë shqiptari. Poeti është i bindur se liria do të vijë, por dëshira e tij është që të mos e presim pas perdeve, por të shkojmë në luftë për te, sepse vetëm ashtu do ta meritojmë atë.
Në vargjet e poezisë “Patjetër do të vij” poeti Agim Ramadani përdor një metaforë tepër domethënëse kur shkruan:
Nëse nuk shihemi
Dhe na ndanë vdekja
Jetoje jetën Nënë
Patjetër do të vij
Gjumi yt
Të bëhem
Kjo metaforë “Gjumi yt” siç e vë në pah edhe kritiku Ismail Syla nuk nënkupton “gjumë biologjik, është gjumë filozofik, është tërë dëlirësia njerëzore, shpirti i përpunuar njerëzor i poetit, i piktorit, i njeriut, i luftëtarit që si natyrë e thellë dhe e lartë e shpirtit njerëzor shndërrohet në diçka jomateriale, sublime me cilësi të larta shëruese. Aq më shumë ngrohtësi lirike dhe klimë meditative liron një varg i tillë kur dihet se çfarë entropie ngërthen në vetvete fjala arketipore nënë dhe kuptimi esencial i lirisë i shkrirë me emrin dëshmor.”
Në mjaft poezi me motiv mërgimi, poeti shpreh përmes figurave artistike vetë shpirtin e mërgimtarit. Kjo vie në shprehje sidomos tek poezitë “Parandjenjë e frikshme” ku kukuvajka është një figurë që i shkon shumë tekstit poetik, pastaj te poezia “I mërguari” ku vetmia kjo varfëri e botës së sotme moderne, e ndrydh çdo ditë shqiptarin e mërguar, “Në tehun e pasqyrës” ku poeti shpreh frikën e humbjes së shqiptarit nëpër metropolet e botës, për të ardhur deri tek mendimi për “jetën qençe” të cilën është i detyruar ta jetojë poeti në mërgim. Kjo jetë është e përshkuar me dhimbje, me vuajtje, me mall dhe pikërisht sepse është kështu, poeti e përdor këtë sintagmë me rrezatim aq negativ për jetën e mërgimtarit.
Poezitë me motiv patriotik janë shprehje e shpirtit sa luftarak aq edhe subtil e poetik të poetit Agim Ramadani. I lindur e i rritur në një ambient ku legjendat për trimëritë e heronjve si Idriz Seferi, Azem e Shote Galica, Bajram Curri, Hasan Alia e shumë të tjerë ishin ushqimi i tij shpirtëror, s’ka se si të mos jenë objekt trajtimi në poezitë e tij. Në këto poezi, poeti vë në funksion të vargut metafora të arrira artistike si “damar i tokës”- Idriz Seferi, e deri te i urti Anton Çetta, i cili së bashku me atdhetarë të tjerë bënë që:
Lulëkuqet e padukshme
Derdhin erën e gjakut të falur
Në poezitë me motiv patriotik, si “Kosova”, “Liri”, “Lutëtarëve të vrarë”, “Qëndro” etj., del në pah, në njërën anë, shpirti kryengritës i Agim Ramadanit dhe në anën tjetër, vizioni i tij për Atdheun, për lirinë. Si rrallëkush Agim Ramadani ka sublimuar në një vizionin e tij për lirinë me veprimin konkret, me pjesëmarrjen në luftë, për ta bërë realitet “Nëntorin e Tretë”. Dhe ata që e bëjnë këtë janë ata që “kalojnë nga jeta me vdekje në jetë” sepse vetëm një gatishmëri për të kaluar nga “jeta në vdekje” për lirinë e atdheut, pra për ta shporrur vdekjen nga trupi i atdheut, ua mundëson atyre që pa mund të kthehen përsëri në “jetë”, në pavdekësi të përjetshme. Kjo metamorfozë e luftëtarit të lirisë është e sublimuar në jetën dhe rënien heroike të Agim Ramadanit në luftë për “të kaluar” në jetën tjetër, në jetën e pavdekësisë.
Në ciklin e poezive me motiv patriotik, poeti sikur i paraprin ngjarjeve që do të ndodhin më vonë. Idetë e paraqitura në vargjet e këtyre poezive janë ide që e kanë udhëhequr poetin në jetë dhe do ta udhëheqin edhe në luftë. Poeti i mërguar e ka “humbur durimin” dhe do që të mos rrijë i fshehur, por urrejtjen për robërinë ta shndërrojë në lindje të diellit të lirisë. Edhe pse duke jetuar në Zvicrën e qetë, shpirti i tij i brendshëm është i trazuar, ai nuk e lë t’i adaptohet jetës së rregullt, nganjëherë deri në monotoni, të vendit helvetik, por niset të shkojë në Kosovë, tek Bjeshkët e Nemuna për t’i dalë zot Atdheut. Lufta e tij për lirinë e Kosovës dhe vdekja e tij janë përgjigje se për të fituar lirinë edhe duhet vdekur, sepse një vdekje e tillë është ushqimi i parë, i domosdoshëm, i lindjes së lirisë. Liria, si lindje e tillë, është e dhembshme sepse merr me vete shpirtra të tillë të dëlirë, siç është ai i heroit Agim Ramadani, i cili në poezinë “Në mungesën time” thotë:
Tani unë jam hi dhe hije nuk kam
Se kam ndërruar jetë askush nuk e di
Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur
Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë
Nuk jam tretur
Rënia heroike e Agim Ramadanit, tragjikisht e vërteton pikërisht vargun e tij profetik “në trupin tënd të brishtë jam shkrirë”, pra jeta e tij, bashkë me jetërat e mijëra dëshmorëve, është në trupin e lirisë së brishtë të Kosovës.
Poezia e Agim Ramadanit është poezi e lidhur ngushtë me jetën e jetuar të poetit dhe njëkohësisht me jetën e popullit shqiptar. Ajo është poezi në rend të parë e dalë nga dallgët e jetës, nga imperativi i kohës në të cilën ka jetuar populli ynë. Siç ka thënë Niçe “Ndër ata që shkruajnë, dua vetëm atë që shkruajnë me gjakun e vet. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt”. Dhe pikërisht poezia e Agim Ramadanit është një gjakim për lirinë, për atdheun, për të ardhmen.