• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 113 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 29, 2025 by s p

Sokol Paja/

Foto: Dritan Haxhia/

New York, 28 Nëntor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, krenaria, historia, trashëgimia dhe identiteti i shqiptarëve në Amerikë, bashkoi vëllazërisht patriotë, veprimtarë, atdhetare, shoqata patriotike e organizata shqiptare nga shtete të ndryshme të Amerikës, Kanadaja e Europa, Shqipëria, Kosova e viset shqiptare duke festuar me gëzim, nderim e respekt madhështi 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni madhështore si kurrë më parë në vitet e fundit, organizuar me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e veçantë të degëve të Vatrës në Miçigan, Florida, Utah, Long Island, North Jersey, Mëmëdheu-New Jersey, Hartford, Ridgewood, Westchester-Putnam, Queens e Hudson Valley, Federata Vatra shënoi një moment të veçantë të bashkimit të shqiptarëve rreth flamurit kombëtar e shpirtit të kombit në Vatrën e të gjithë shqiptarëve.

Festa e flamurit kombëtar dhe dita e Pavarësie është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar ku çdo herë festohet trashëgimia e lirisë dhe dinjitetit kombëtar prej aktit patriotik të patriotëve Ismail Qemali, DomNikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Jorgji Karbunara, Elmas Boçe, Veli Harçi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, Aristidh Ruçi, Abdi bej Toptani, Abaz Dilaver Çelkupa, Mid’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abaz Kanina, Xhelal Koprëncka, Hajredin bej Cakrani, Qemal Karaosmani, Ilias bej Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Beratti, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Murad bej Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiridon Ilo, Thanas Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, Myrteza Ali Struga, Nuri Sojliu, Mustafa Merlika-Kruja, Ferit bej Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa dhe Zyhdi Ohri.

Pavarësia është një ditë krenarie, lavdie, gëzimi, uniteti dhe reflektimi të thellë mbi sakrificën e patriotëve të kombit tonë në shërbim të lirisë e pavarësisë. Personalitetet e shquara kombëtare me shpalljen e pavarësisë çliruan shqiptarët prej robërisë, themeluan shtetin modern shqiptar dhe vendosën themelet e sovranitetit dhe identitetit kombëtar.

Pavarësia e Shqipërisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike, politike, gjeopolitike, kulturore, atdhetare dhe identitare për çdo shqiptar anëmanë botës pasi kurorëzon fitoren me dinjitet të shqiptarëve përballë pushtuesve në aspiratat për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Darka gala e Vatrës në Bronx filloi me Vallen e Flamurit, performancë e grupit Rozafati drejtuar nga koreografe Angjelina Nika(Mjeshtër i Madh) ndërsa këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ekzekutoi mjeshtërisht tenori Julian Gjojdeshi.

Dom Pjetër Popaj në bekimin e darkës theksoi se sonte lartësojmë në lutje të gjithë patriotët e vitit 1912 dhe të gjithë burrat e gratë e atdheut që rrezikuan të gjithçka që Shqipëria të qëndronte e lirë dhe e barabartë mes kombeve të botës. O Zot, beko flamurin shqiptar, atë fushë të kuqe të madhe me gjakun e martirëve, dhe shqiponjat dykrenare që qëndron mbi të Shenjën e identitetit tonë, e unitetit tonë dhe e qëndresës sonë në shekuj, tha ndër të tjera në bekimin e tij famullitari Dom Pjetër Popaj.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes u shpreh se në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, zemrat e shqiptarëve rrahin njësoj, nga Vlora në Preshevë, nga Ulqini në Shkup, nga Tirana në Prishtinë, e deri tek të gjitha viset ku flitet, këndohet dhe frymohet shqip. Kryetari Berisha në fjalën e tij vlerësoi e falenderoi në mënyrë të veçantë personalitetet kombëtare e veprimtarët e shquar : Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, Agim Aliçkaj, Bruno Selimaj, Elez Osmani, Demë Balidemaj etj. Kryetari Dr. Berisha në fjalën e tij përmendi disa prej sukseseve të Vatrës si:

• Intensifikimi i komunikimit me institucionet e shtetit amerikan, duke forcuar prezencën dhe ndikimin e VATRËS në Vashington.

• Organizimi i dhjetëra aktiviteteve, konferencave, pritjeve dhe eventeve, ku kemi mikpritur personalitete politike, akademike dhe kulturore nga të gjitha trevat shqiptare.

• Vizita dhe misione pune në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Qamëri me qëllim afirmimin e interesave të bashkëkombasve tanë.

• Botimi i Enciklopedisë së VATRËS, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë – një vepër monumentale që dokumenton më shumë se një shekull veprimtari kombëtare etj.

Ambasadori i Shqipërisë në Washington Ervin Bushati në fjalën e tij theksoi rëndësinë e Federatës Vatra për shqiptarët e Amerikës dhe kontributin e Federatës Vatra për pavarësinë e Shqipërisë e çështjen kombëtare.

Miku special i Vatrës Princ Leka II bashkë me të fejuarën e tij znj.Blerta Celibashi, në fjalën e përshëndetëse kujtoi miqësinë e veçantë të familjes mbretërore shqiptare me Federatën Vatra dhe shqiptarët e Amerikës. Princ Leka II nderoi dhe shprehu mirënjohje të veçantë për historinë e Vatrës lidhur ngushtë me miqësinë me Mretërinë Shqiptare, për legalistët, Zogistët, ballistët e demokratët që janë bashkuar rreth çështjes kombëtare dhe forcimit të miqësisë mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, Shqipërisë dhe trojeve etnike.

Kori i fëmijëve dhe orkestra “Kënga Jonë” e drejtuar nga Blina Selimaj emocionoi të gjithë të pranishmit me këngët “Moj e bukura more”, “Moj e bukura Arbëri”, “Këngë moj buçet në male”. Një performancë mbresëlënëse realizoi edhe grupi “Rrënjët Shqiptare” me vallen dibrane të përgatitur nga koreografja Angjelina Nika.

Arqipeshkvi i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston Peshkopi Nikodhim në fjalën e tij theksoi se jam krenar që bashkohem përsëri me ju sot, ndërsa qëndrojmë nën flamurin Kuq e Zi, duke u bashkuar me ju përsëri si vëlla. Për kaq shumë vite, u mirëprita nga Vatra, dhe ishte në dritën e kësaj mirëpritjeje që u njoha për herë të parë me Dom Pjetrin, me Imam Edinin, me Imam Tahirin dhe me shumë të tjerë. Ishte në dritën e kësaj mirëpritjeje që u njoha me komunitetin shqiptar përtej dyerve të shtëpisë sime të dashur të Kishës së Shën Nikollës. Mirëpritja juaj ka qenë pjesë e formimit tim, dhe ju jam mirënjohës. Qofshin duart tuaja gjithmonë të shtrira me mirësi dhe durim, dhe Zoti na ktheftë përsëri tek njeri-tjetri tani dhe gjithmonë, theksoi ndër të tjera Peshkopi Nikodhim.

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë nëntorëve në historinë kombëtare: nga Nëntori i Skënderbeut, të Ismail Qemalit e Adem Jasharit.

Kryetari i Këshillit të Vatrës Kolec Ndoja në fjalën e tij theksoi se sonte festojmë në shtëpinë shpirtërore, kulturore dhe morale të mbarë kombit tonë. Diaspora jonë — me miliona — është më e bashkuar se kurrë. Sot nuk flasim si komunitete të shpërndara.

Flasim si një familje kombëtare, dhe sonte, këtu në New York, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, i deklarojmë botës: Kombi Shqiptar është Një. Kushtetuta e tij duhet ta pasqyrojë këtë të vërtetë. Dhe e ardhmja e tij do të shkruhet së bashku, tha ndër të tjera z.Ndoja.

Miq specialë në darkën e Flamurit ishin edhe Bujar Hudhri i shtëpisë botuese “Onufri” e Frano Kulli i shtëpisë botuese “Gjergj Fishta” të cilët janë kontributorë në festivalin e librit shqip të organizuar nga Vatra. Sekretari i Federatës Vatra Dr. Pashko Camaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë kulturore dhe patriotike të festivalit të librit “Albanian Bookfest” si një kontribut i jashtëzakonshëm i Federatës Vatra për komunitetin shqiptar në Amerikë me qëllim ruajtjen e gjuhës shqipe, të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i darkës Mondi Rakaj në fjalën e mirënjohjes falënderoi bashkëpunëtorët dhe organizatorët e darkës së Flamurit Kombëtar: Ismer Mjeku, Bashkim Musabelliu, Ilir Cubi, Anton Raja, Sokol Paja dhe shprehu mirënjohje degëve të Vatrës e patriotëve të Amerikës që u bashkuan rreth Vatrës në festën e Flamurit Kombëtar. Këngëtarët Albërie Hadërgjonaj, Gëzim Nika(Mjeshtër i Madh) e tenori Julian Gjojdeshi krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme festive me interpretimet patriotike, artistike dhe atdhetare, teksa Alketa Ktona Veshi solli për pjesëmarrësit veshje kombëtare të të gjitha trevave të Shqipërisë si pasuri kombëtare e trashëgimisë sonë kulturore. Me krenari e dinjitet Vatra vazhdon të jetë forca më përbashkuese e më frymëzuese patriotike në komunitetin shqiptar në Amerikë. Vatra është trashëgimi e shenjtë shpirtërore, kulturore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirënjohje përjetë themeluesve të Federatës Vatra dhe themeluesve të shtetit shqiptar që më aktin e lartë patriotik e vetëdijen kombëtare i dhanë kombit lavdi, nder e dinjitet.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

GËZUAR 28 NËNTORI, 2025 – DITA E PAVARËSISË SË SHQIPTARËVE!

November 28, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”  Naim Frashëri,

A group of people standing in front of a flag

AI-generated content may be incorrect.GËZUAR 28 Nëntorin 2025, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit të Kombit dhe të Heroit Kombëtar Gjergj-Katriotitit -Skenderbe!

“Bota që kur është zënë, Shqipëria gjallë ka qenë”, ka thënë Naim Frashëri, dhe gjithnjë gjallë do të jetë! 113 vjet Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi e vonuar, pas disa shekujsh nën Perandorinë e egër osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të brendshme. Megjithkëtë, gjatë gjithë historisë, Kombi shqiptar i qëndroi besnik identitetit dhe trashëgimisë së vet kombëtare, duke kundërshtuar dhe duke luftuar armiqtë dhe pushtuesit që donin t’ a zhduknin nga faqja e dheut. Ëndrra shekullore për liri që digjte në zemrat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë, i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Si e tillë, Festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerëzit mund të ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar, 55-vjet pas shembjes së komunizmit. Por, me gjithë këtë nuk duhet harruar se Kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund, shqiptarët ia kanë arrijtur qëllimit. Ndoshta për herë të parë në histori, fati i shqiptarëve sot, është dorë të tyre! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase aktuale politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone shqiptare në Ballkan, që më në fund, të lënë mënjanë, të heqin dorë, njëherë e mirë, nga dallimet, grindjet politike, korrupsioni dhe inatet, nga interesat antikombëtare vetjake dhe partiake, ndoshta edhe të huaja,  dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta kombëtare, me qëllim që, më në fund të ndërtohet një bashkësi vëllazërimi dhe ideali kombëtar, në interesin e vërtetë të gjithë shqitarëve, pa dallim, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e tjerë, në vitin 1912 –113-vjet më parë. 

Është përgjegjsi morale e këtij brezi që të bëjë ç’ mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkëjetese, bazuar në besë e bashkim me njëri tjetrin, për një komb të përbashkët, ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, Kombi shqiptar nuk ka qenë në gjendje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’ është sot, që përfundimisht, të harmonizojë dhe të bashkërendojë mundësitë, interesat dhe aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, duke iu përshtatur vlerave perëndimore dhe në bashkëpunim me organizmat euro-atlantike, pjesë e të cilave ka qenë gjithëherë Kombi shqiptar. 

Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së Kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duart tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve, me një bashkëpunim më të ngusht politik dhe atdhetar — mbi interesat personale e partiake — do të nderonit Atdheun dhe të kujtonit lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e Kombit shqiptar më 28 Nëntor 1912. Me një bashkpunim të tillë politik, njëkohësisht, do të ringjallnit ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë Kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në zë në historinë e fiseve dhe të kombeve”.  

 Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zërë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të përparuara, para se të zhytet edhe në një errësirrë tjetër të historisë ssë tij. Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetëdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të Kombit, të cilët nën rrethana shumë më të vështira se sot, gjetën mënyra bashkëpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur Kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që kujton dhe gëzon sot Kombi shqiptar në dy shtete –Shqipëri e Kosovë. 

Njëkohësisht, klasa politike aktuale shqiptare i ka borxh brezave të ardhshëm që, me papërgjësitë e tyre politike dhe keq-qevrisjes, të mos shkelen dhe mos të nëpërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindësve që i dhuruan Kombit pavarësinë!

Prandaj, sot le të kujtojmë ata burra të Kombit, në këtë ditë, për sakrificat e tyre, krenarinë kombëtare dhe dashurinë e tyre, të pa kushte, për Atdheun dhe ndaj njëri tjetrit.  Uroj që Flamuri Kombëtar i Gjergj Kastriotit- të valojë sot dhe gjithmonë me krenari, në trojet e lashta historike, iliro-arbërore dhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë.

Të pakën kjo është dëshira ime e sinqertë nga Amerika e largët dhe besoj e shumicës së shqiptarëve kudo në botë.  Për shumë vite gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe të mbarë Kombit.  

Frank Shkreli

      Të gjithë shqiptarëve kudo që janë: Gëzuar këtë Ditë të Shënjtë të Kombit

Filed Under: Emigracion

“MaShqip.com”, dritarja e re e lajmit dhe fakteve nga Bostoni

November 28, 2025 by s p

Editorial / Flamur VEZAJ/

“MaShqip.com“, nis rrugëtimin pikërisht në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor, një datë që simbolizon fillimin, sakrificën dhe krenarinë tonë kombëtare. Për herë të parë, një media online në gjuhën shqipe lind në Boston, pikërisht aty ku dikur lindi edhe gazeta historike “Dielli”, e cila edhe sot e kësaj dite botohet falë Federatës Pan Shqiptare “Vatra”.

Ky medium, do të jetë një dritare e lajmeve të rëndësishme, të bazuara vetëm në fakte. Një media ndryshe nga të tjerat: këtu nuk do të gjeni lajme për prerje shiriti apo deklarata boshe, por vetëm realitetin e verifikuar dhe të dokumentuar.

Prej vitesh tashmë e dini se jam larguar nga Shqipëria, por edhe pse fizikisht larg, interesi për vendin nuk më është shuar kurrë. Për këtë arsye, pas hapjes së studios dhe podcastit “Ma Shqip me Flamur Vezaj”, erdhi koha për të hedhur hapin e radhës, një media të mirëfilltë lajmesh online.

Fillimisht do të fokusohemi tek “Aktualiteti”, me emra të njohur e të respektuar të gazetarisë shqiptare, që do të sjellin lajmet më të rëndësishme nga Shqipëria dhe Kosova. Një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet lajmeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’ju informuar mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe mbi vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetin shqiptar këtu.

Një tjetër rubrikë e rëndësishme do të jetë ajo e “Diasporës Shqiptare” në SHBA, ku do të pasqyrohen ngjarjet, aktivitetet dhe arritjet e komunitetit tonë në mbarë Amerikën. Intervista dhe personazhe interesantë e të suksesshëm.

Në MaShqip.com do të gjeni gjithashtu lajme nga Kosova, Sporti, Kultura, si dhe histori njerëzore që frymëzojnë dhe prekin publikun. Po ashtu, faqja do të jetë një dritare për bizneset shqiptare që duan të promovojnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe transparente.

Përveç lajmeve, MaShqip.com do të ofrojë hapësirë për opinionet, analizat dhe mendimet e pavarura, pa censurë, por gjithmonë me respekt dhe pa gjuhë fyese. Çdo lexues që dëshiron të ndajë një mendim apo të shkruajë një opinion, mund të dërgojë shkrimin e tij në adresën: info@mashqip.com.

Në thelb, MaShqip.com do të mbetet një zë i pavarur, kritik dhe i drejtë, që i shërben vetëm së vërtetës dhe interesit publik. Ne besojmë se gazetaria nuk është thjesht raportim lajmesh, por një mision për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Ky projekt nuk është vetëm një media, por një urë lidhëse midis diasporës shqiptare dhe atdheut, për të sjellë më afër informacionin, mendimin kritik dhe debatin qytetar.

Në këtë rrugëtim, ftojmë çdo shqiptar në SHBA apo kudo në botë, të kontribuojë me ide, shkrime dhe denoncime për çështje me interes publik. MaShqip.com është një platformë e hapur për të gjithë ata që besojnë se fjala e lirë dhe e vërteta janë themelet e demokracisë.

Filed Under: Editorial

28 Nëntori — Liria si amanet dhe dritë e ringjalljes kombëtare

November 28, 2025 by s p

Prof.Dr. Fejzulla Berisha/

28 Nëntori nuk është thjesht datë; është akti më i lartë metafizik i kombit shqiptar. Në Vlorën e vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin, duke themeluar shtetin modern shqiptar. Në Prekazin e vitit 1998, Adem Jashari ngriti sakrificën, duke rilindur lirinë shqiptare. Këto dy ngjarje e bëjnë 28 Nëntorin aks krejtësisht unik në historinë e njerëzimit: dita kur u lind shteti dhe dita kur liria u pagëzua me gjak për të dytën herë.

Për shqiptarët kudo – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë – 28 Nëntori është amaneti i ndërgjegjes kombëtare:

Të ndërtojmë Shqipërinë e bërë — jo vetëm si shtet, por si dinjitet.

Fan Noli — Apostulli i Shqipërisë së bërë me drejtësi, kulturë dhe dinjitet

Në Boston, aty ku valon ende fryma e tij, Fan Noli ngriti projektin më të lartë moral të shtetit shqiptar.

Përmes Federatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli”, ai artikuloi një filozofi që i paraprin edhe sot demokracive perëndimore:

“Shqipëria të bëhet, se ndryshe shqiptarë s’ka.”

Noli e konceptoi Shqipërinë e bërë si një republikë të së drejtës, kulturës dhe barazisë civile.

Për të, flamuri nuk kishte vlerë pa drejtësi; shteti nuk kishte kuptim pa moral.

Sot, në 28 Nëntor, mendimi nolian është busulla jonë morale ndërkombëtare.

Ismail Qemali — themeltari i lirisë dhe shtetit shqiptar

Akti i 28 Nëntorit 1912 ishte një akt gjenial politik.

Ismail Qemali shpalli pavarësinë në një kohë kur fuqitë e mëdha po ndanin Ballkanin sipas interesave të tyre.

Ai nuk shpalli thjesht një shtet; ai ringjalli një komb.

Në testamentin e tij politik la amanetin e pavdekshëm:

“Pavarësia fitohet me flamur, por ruhet me punë, drejtësi dhe bashkim.”

Ky amanet mbetet sfida jonë më e madhe një shekull më pas.

Hasan Prishtina — Kosova si zemër e pandashme e çështjes shqiptare

Në vizionin politik të Hasan Prishtinës, Shqipëria e bërë nuk mund të konceptohej pa Kosovën. Ai paralajmëroi se ndarja e trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës do të ishte padrejtësia më e madhe e shekullit.

Memorandumi i tij është sot dokument shtetformues i të gjitha politikave moderne shqiptare:

“Pa një ide të përbashkët kombëtare, as Shqipëri të bërë s’ka, as liri të qëndrueshme.”

Kosova, nga Lidhja e Prizrenit te UÇK-ja, e dëshmoi se ideali kombëtar nuk shuhet nga padrejtësia, as nga koha.

Adem Jashari — përkthimi i amanetit në sakrificë sublime

Në Prekaz, në mars 1998, Adem Jashari i dha kuptim absolut thirrjes: “Bëje ose vdis!”. Ai dhe familja e tij u shndërruan në kod themeltar të lirisë shqiptare. Prekazi është sot Jerusalemi i kombit, vendi ku amaneti i Ismail Qemalit u ndesh me përkushtimin absolut të shekullit XX. Një komb që ka Vlorën dhe Prekazin nuk vdes kurrë.

Trojet shqiptare — Shqipëria që ende bëhet

28 Nëntori na detyron të jemi të sinqertë: Shqipëria e bërë është ende proces historik.

– Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët kërkojnë barazi reale, jo simbolike.

– Në Mal të Zi dhe Preshevë kërkojnë respekt të identitetit dhe përfaqësimit.

– Në Çamëri vazhdon padrejtësia historike e pashlyer.

Shqipëria e bërë sot nënkupton unitet strategjik panshqiptar brenda kornizës euroatlantike, jo ndryshim kufijsh.

Kjo është filozofia moderne e bashkimit.

Diaspora shqiptare në SHBA — “Shqipëria e tretë”

Asnjë 28 Nëntor nuk është i plotë pa diasporën shqiptare në Amerikë.

Që nga koha e Fan Nolit dhe Faik Konicës deri sot, ajo ka qenë zëri më i fuqishëm i shqiptarëve në botë.

Në Boston, Filadelfia dhe New York, shqiptarët nuk e ruajnë vetëm flamurin – ata ruajnë misionin e tij.

Gazeta “Dielli” është ende profeti i fjalës shqiptare në Amerikë: dritë, mendim dhe bashkim.

Diaspora është Shqipëria e tretë — e shpërndarë në botë, por e bashkuar në zemër.

Shqipëria e bërë — projekti i së ardhmes kombëtare

Shqipëria e bërë nuk është nostalgji, por projekt i së ardhmes:

– Shqipëri me institucione të forta.

– Kosovë e konsoliduar në NATO dhe OKB.

– Bashkërendim strategjik panshqiptar.

– Ekonomi të zhvilluar dhe kulturë të lartë kombëtare.

Shqipëria e bërë është sinteza e historisë:

Vlorë + Prekaz = Komb i lirë dhe i dinjitetshëm.

28 Nëntori — dita kur kombi flet me një zë

Bij e bija të Shqipërisë kudo që jeni

28 Nëntori është dita kur i flasim vetes:

“Shqipërinë e pa bërë, bëje Shqipëri të bërë!

Bëje me dije, punë, drejtësi —

Dhe nëse duhet, bëje me sakrificë!

Por BËJE!”

Ky është amaneti i Ismail Qemalit, vizioni i Fan Nolit, ideali i Hasan Prishtinës dhe sakrifica e Adem Jasharit.

Deri sa ky amanet të përmbushet, flamuri ynë do të jetë jo vetëm simbol i së kaluarës, por premtim i së ardhmes.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Lavdi Flamurit Kombëtar!

Lavdi Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës!

Filed Under: Reportazh

28 Nëntori – Nyja Themeluese e Shtetësisë dhe Identitetit Kombëtar Shqiptar

November 28, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

28 Nëntori 1912 përbën ngjarjen më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar, e cila, përveç themelimit institucional të shtetit, prodhoi një identitet të ri politik dhe simbolik. Artikulli shqyrton shpalljen e pavarësisë në kontekstin e Luftërave Ballkanike, rolin e elitave politike shqiptare, reagimin e Perandorisë Osmane, ndikimin e kryengritjeve para-1912-s, rëndësinë simbolike të flamurit si element i kujtesës kombëtare, si dhe kontributin e diasporës dhe të urdhrave fetarë—veçanërisht të bektashinjve—në procesin e shtetformimit. Analiza tregohet se pse 28 Nëntori është mbetur një datë kyçe e unitetit shqiptar dhe një kategori e qëndrueshme e identitetit politik.

Në historiografinë bashkëkohore, 28 Nëntori njihet si momenti i krijimit të shtetit modern shqiptar dhe si simboli kryesor i identitetit kombëtar. Ndryshe nga festat e thjeshta politike, 28 Nëntori funksionon si një “moment themelues” (Anderson 1991; Hobsbawm 1992), i cili prodhon një bashkim shpirtëror të shqiptarëve, pavarësisht vendndodhjes, besimit ose përkatësisë krahinore. Kjo datë nuk është vetëm një përkujtim historik, por një instrument i vazhdueshëm i ndërtimit të ndërgjegjes kombëtare.

Konteksti historik i shpalljes së Pavarësisë

Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 ndodhi në kushtet e fragmentimit të Perandorisë Osmane dhe ekspansionit të shteteve ballkanike gjatë Luftërave Ballkanike. Delegatë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Vlorë për të artikuluar një përgjigje politike ndaj kërcënimit të copëtimit territorial. Mes tyre ishin personalitete të shquara: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Prenk Bib Doda, Mehmet Konica, Eqrem bej Vlora, Dhimitër Berati, Sotir Kolea, Nikollë Kaçorri Lef Nosi dhe nje nënshkrues nga trungu i familjes time, Thanas Floqi.

Qeveria e Vlorës synoi të prodhonte një akt me funksion të trefishtë: deklarim sovraniteti, afirmim institucional dhe demonstrim të unitetit kombëtar.

Roli i kryengritjeve shqiptare në formësimin e pavarësisë

Kryengritjet shqiptare të viteve 1910–1912 ishin thelbësore për krijimin e klimës politike që mundësoi shpalljen e pavarësisë. Kryengritja e Malësisë së Madhe (1911), lëvizjet në jug dhe veriperëndim dhe rezistenca e Kosovës e Dukagjinit krijuan një atmosferë të përgatitur për veprim politik kombëtar. Ato demonstronin kapacitetin e shqiptarëve për vetëorganizim, solidaritet ndërkrahinor dhe rezistencë të përbashkët.

Ky cikël kryengritjesh shënon fazën e “mobilizimit kombëtar” (Skendi 1967), e cila prodhoi ndikimin psikologjik dhe mobilizues për aktin e Vlorës.

ë historinë e çdo kombi ekzistojnë çaste që tejkalojnë kohën dhe hapësirën, duke u kthyer në pikë referimi për identitetin kombëtar. Për shqiptarët, 28 Nëntori 1912 është pikërisht një nga ato momente. Shpallja e Pavarësisë nuk ishte vetëm një akt formal i ndarjes nga Perandoria Osmane; ajo ishte shndërrimi i një populli të shpërndarë në male, fusha dhe emigracion në një subjekt politik sovran. Në krye të këtij akti historik qëndronte një figurë karizmatike, e qetë, e menduar dhe me horizont të gjerë evropian: Ismail Qemal Vlora, burrë shteti, diplomat dhe simbol i ndërgjegjes kombëtare.

Shpallja e Pavarësisë në Vlorë nuk ishte një rastësi, as një akt romantik i një grushti të vendosurish. Ishte rezultati i një procese të gjatë politik, diplomatik dhe kulturor që kishte filluar qysh në shekullin XIX me rilindjen kombëtare, me Lidhjen e Prizrenit, me alfabetin e Manastirit, me Kongresin e Elbasanit dhe me mësuesit e parë shqiptarë që hapën shkolla në kushte dhune. Por ajo nuk do të kishte marrë formë pa prirjen strategjike, guximin politik dhe legjitimitetin ndërkombëtar të Ismail Qemalit.

Kapitulli që vijon analizon në mënyrë sintetike e të thelluar zhvillimet që çuan në 28 Nëntor, rolin e Ismail Qemalit, kontekstin ndërkombëtar, dilemën e shpëtimit të territorit dhe domethënien e kësaj dite në historinë shqiptare.

Rruga e gjatë e kombit drejt mëvetësisë

Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte një shpërthim i beftë. Ajo ishte përfundimi i një procesi shumëvjeçar që përfshiu: formimin e vetëdijes kombëtare, afirmimin e gjuhës shqipe, krijimin e elitës politike shqiptare, organizatat atdhetare brenda dhe jashtë vendit, shtypin patriotik, dhe lëvizjet politike e ushtarake kundër Perandorisë Osmane.

Nga Lidhja e Prizrenit (1878) te Lidhja e Pejës (1899), shqiptarët kërkuan autonomi territoriale brenda Perandorisë. Pavarësia do të bëhej e pashmangshme vetëm kur rreziku i copëtimit nga fqinjët u bë realitet i prekshëm.

Në vjeshtën e vitit 1912: Serbia kërkonte Shkodrën, Kosovën dhe dalje në Adriatik,Mali i Zi synonte Shkodrën dhe Malësinë, Bullgaria kishte pretendime në lindje,Greqia kërkonte Çamërinë, Himarën, Korçën dhe Vlorën.Në këtë panoramë të errët, shqiptarët kuptuan se:të kërkoje autonomi ishte baras me vetëvrasje; të shpallje pavarësinë, ishte e vetmja mundësi shpëtimi.

Ismail Qemali: diplomati që u bë arkitekti i shtetit shqiptar

Ismail Qemali lindi më 1844 në Vlorë në një familje të njohur aristokrate. Studimet e tij, karriera e tij e gjatë në administratën osmane dhe në diplomacinë ndërkombëtare e formësuan si një nga mendjet më të ndritura shqiptare të shekullit të XIX. Në Stamboll, mësoi mjeshtërinë e politikës. Në Evropë, ku u arratis në vitet 1900 pas konflikteve me xhonturqit, u ekspozua ndaj ideve moderne liberale. Ai ishte: diplomat i formuar, njohës i gjuhëve evropiane, i lidhur me qarqe politike në Londër, Paris dhe Romë, dhe me vizion të plotë për shtetin shqiptar. Personaliteti i tij kishte dy cilësi të rralla: autoritet moral për shqiptarët, besueshmëri dhe reputacion në kancelaritë evropiane. Pa këtë dyzim, akti i Pavarësisë nuk do të ishte pranuar në skenën ndërkombëtare.

Reagimi i Perandorisë Osmane ndaj Pavarësisë

Reagimi osman ishte i kushtëzuar nga dobësia strukturore e Perandorisë dhe nga situata ushtarake e vështirë e vitit 1912. Sipas Csaplár-Degovics (2019), Veziri i Madh Qamil Pasha e vlerësoi shpalljen e Pavarësisë si “revoltë” dhe i propozoi Ismail Qemalit një autonomi të kufizuar nën një princ osman. Kjo ofertë u refuzua, pasi delegatët shqiptarë konsideruan se momenti politik e kërkonte një status të plotë sovraniteti. Përpjekjet e misioneve osmane në Kosovë për të negociuar me udhëheqësit shqiptarë, të përmendura nga Hasan Prishtina, ilustrojnë strategjinë osmane për uljen e tensioneve, jo ripushtimin efektiv të territorit.

Flamuri shqiptar si simbol kombëtar dhe kujtesë kolektive

Flamuri i ngritur në Vlorë, i qepur nga Marigo Posio, ka funksionuar si simboli më i qëndrueshëm i identitetit shqiptar. Ngjyra e kuqe dhe shqiponja e zezë dykrenare, të rrënjosura në simbolikën mesdhetare dhe bizantine, përfaqësojnë dualitetet themelore të identitetit shqiptar: lirinë dhe kujtesën, sakrificën dhe përjetësinë. Flamuri është dokumentuar si objekt sakral i qëndresës, duke u ripopullarizuar gjatë shekullit XX, madje edhe në rrethana represive, si në rastin e burgut të Spaçit më 1973, kur të burgosurit e ripikturuan shqiponjën si akt rezistence.

Diaspora shqiptare dhe Federata “Vatra”

Diaspora shqiptare në SHBA, veçanërisht përmes Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, pati rol vendimtar në afirmimin diplomatik të çështjes shqiptare. “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, ndërtoi opinionin publik amerikan dhe ndikoi në qëndrimin e administratës Wilson pas Luftës së Parë Botërore. Ky rol vlerësohet në historiografi si një ndër mekanizmat kryesorë të mbijetesës së shtetit shqiptar gjatë krizave të pasluftës (Noli 1947).

Vijimësia e 28 Nëntorit në shekullin XX–XXI

28 Nëntori ka mbetur një simbol përbashkues në hapësirën shqiptare. Në Kosovë, ngritja e flamurit më 28 Nëntor 1997 në Prekaz u shndërrua në akt themelor të rezistencës së armatosur dhe të mobilizimit të Luftës Çlirimtare. Festa është përjetësuar si një element i identitetit kolektiv shqiptar, që tejkalon kufijtë shtetërorë dhe funksionon si kategori e identitetit kulturor mbarëkombëtar.

A është utopi bashkimi kombëtar?

Debati mbi “Shqipërinë Natyrale” dhe mundësinë e bashkimit kombëtar mbetet çështja më komplekse e diskursit politik shqiptar në shekullin XXI. Në historiografinë kombëtare, nocioni “Shqipëri Natyrale” i referohet hapësirës etno-gjuhësore të popullsisë shqiptare, e cila pas vitit 1913 mbeti e ndarë në disa njësi shtetërore. Kjo ndarje, produkt i ekuilibrave gjeopolitikë të kohës, krijoi një realitet të ri politik që vazhdon të strukturojë marrëdhëniet ndërshqiptare sot. Megjithatë, ideja e ribashkimit territorial mbetet e kufizuar nga arkitektura ndërkombëtare e sigurisë, nga autoritetet politike të rajonit dhe nga detyrimet e brendshme juridike, sidomos në rastin e Kosovës.

Shqipëria Natyrale: nevoja historike dhe dilemat politike

Përkrahësit e këtij koncepti e shohin “Shqipërinë Natyrale” si korrigjim të një padrejtësie historike të vitit 1913. Në këtë kuptim, bashkimi postulatizohet si garant i funksionimit të kombit në një hapësirë të unifikuar. Argumentet kryesore janë demografike, kulturore dhe historike: shqiptarët flasin të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtën kulturë dhe janë pjesë e të njëjtit identitet civilizues. Në perspektivën e së drejtës së vetëvendosjes, ribashkimi mund të interpretohet si realizim i vullnetit demokratik të popujve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi.

Por kjo qasje përballet me kufizime të mëdha të sistemit ndërkombëtar. Shtetet që burojnë nga ndarjet historike të vitit 1913 kanë sovranitet të njohur, dhe çdo ndryshim kufijsh vlerësohet si rrezik për stabilitetin rajonal. Prandaj, koncepti i ribashkimit nuk mund të kuptohet jashtë kuadrit të arkitekturës euroatlantike.

Pakoja e Ahtisarit dhe barrierat juridike

Një nga pengesat më të mëdha për bashkimin de jure është Pakoja e Ahtisarit, e cila është baza kushtetuese e shtetit të Kosovës. Dokumenti e ndalon në mënyrë të qartë bashkimin e Kosovës me një shtet tjetër dhe e lidh statusin e saj me mbikëqyrjen ndërkombëtare. Ky kufizim juridik është pjesë e marrëveshjeve të garantuara nga fuqitë ndërkombëtare dhe është i pandryshueshëm pa një proces të ri politik global.

Në këtë kontekst, bashkimi i menjëhershëm kombëtar është praktikisht i pamundur juridikisht dhe diplomatikisht. Ndaj, realistët argumentojnë se bashkimi duhet të shihet si një proces i gjatë dhe gradual, jo si akt i menjëhershëm politik.

Uniteti ekonomik dhe kulturor si rruga reale e bashkimit

Në mungesë të mundësisë për bashkim politik, integrimi ekonomik, kulturor dhe institucional shihet nga studiuesit si rruga më realiste e afrimit mbarëkombëtar. Ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës janë plotësuese: një treg i përbashkët, një hapësirë e unifikuar energjetike, standardet e harmonizuara tatimore dhe një politikë e përbashkët infrastrukturore do t’i afronin dy shtetet më shumë se çdo ndryshim formal kufijsh. Modeli i Bashkimit Evropian tregon se integrimi ekonomik shpesh i paraprin integrimit politik.

Kultura është një tjetër shtyllë e rëndësishme e bashkimit real. Shqipëria dhe Kosova ndajnë rrjet muzikor, arsimor dhe gjuhësor të njëjtë, ndërsa diaspora shqiptare vepron si një “lidhje organike” globale e përbashkët. Kjo lloj bashkësie kulturore ruan kohezionin kombëtar edhe në kushtet e ndarjes shtetërore.

Debati mbi “kombin kosovar” si konstrukt politik

Në diskursin bashkëkohor është shfaqur nocioni “komb kosovar”, i promovuar si identitet i ri shtetëror i bazuar në qytetari. Ky koncept, megjithëse i kuptueshëm në kuptimin e konsolidimit të shtetit të Kosovës, ndesh kritika për arsye historike dhe sociologjike. Termi “komb kosovar” bie ndesh me përkufizimin klasik të kombit shqiptar, i cili përfshin shqiptarët e Kosovës si pjesë organike të kombit etnik shqiptar. Identiteti kosovar mund të ketë funksion politik-shtetëror, por nuk ka bazë etnolinguistike, kulturore apo historike për të zëvendësuar identitetin shqiptar. Në këtë kuptim, promovimi i një kombi të ri të ndarë nga kombi shqiptar shihet si konstrukt artificial që rrezikon fragmentimin kulturor dhe politik të shqiptarëve. Në analizën sociopolitike, identiteti civil i Kosovës duhet të bashkëjetojë me identitetin kombëtar shqiptar, jo ta zëvendësojë atë.

A është utopi bashkimi kombëtar?

Konkluzioni i shumicës së studiuesve është se bashkimi i menjëhershëm politik mbetet i vështirë për shkak të faktorëve juridikë, gjeopolitikë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, bashkimi nuk është utopi: ai është i mundur si proces afatgjatë, përmes integrimit ekonomik, kulturor, institucional dhe përmes koordinimit strategjik brenda strukturave euroatlantike.

Nëse Bashkimi Evropian lejon modele integrimi të ngjashme me ato të Beneluksit ose gjysmë-federatave ekonomike, atëherë bashkimi de facto i shqiptarëve bëhet realist. Historia tregon se kombet bashkohen jo vetëm përmes kufijve, por përmes interesave të përbashkëta, identitetit të përbashkët dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen.

28 Nëntori përfaqëson një akt të shumëfishtë: politik, kulturor, simbolik dhe identitar. Shpallja e Pavarësisë nuk i zgjidhi të gjitha çështjet territoriale dhe identitare të popullit shqiptar, por ajo krijoi themelin mbi të cilin u ndërtua shteti dhe vetëdija moderne kombëtare. Festimi i përvitshëm i kësaj date e riprodhon kujtesën historike dhe e forcon ndërgjegjen e bashkimit shpirtëror shqiptar. Përmes dimensionit historik, simbolik dhe kulturor, 28 Nëntori mbetet nyja themelore e shtetësisë dhe identitetit shqiptar, një kategori politike dhe kulturore që vijon të strukturojë vetëkuptimin kolektiv të shqiptarëve në shekullin XXI.

Referenca:

Anderson, B. (1991). Imagined Communities: Reflections on the Origin and Spread of Nationalism. London: Verso.

Anamali, S. (2002). Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë: Toena.

Csaplár-Degovics, K. (2019). Shqiptarët dhe Perandoria Osmane: Dokumente dhe Analiza. Budapest: Akademiai Kiado.

Hobsbawm, E. (1992). Nations and Nationalism since 1780. Cambridge: CUP.

Jelavich, B. (1983). History of the Balkans. Cambridge: CUP.

Noli, F.S. (1947). Historia e Shqipërisë. Boston: Vatra Publications.

Pulaha, S. (1981). Kryengritjet Shqiptare në Shek. XIX–XX. Tiranë: ASHSH.

Skendi, S. (1967). The Albanian National Awakening. Princeton: Princeton University Press.

Vlora, E. (1968). Kujtime. Munich: Oldenbourg.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT