• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KAPITENI SHQIPTAR QË E DREJTOI ANIJEN ME AMBASADORIN E MAROKUT PËR NË ISTANBUL MË 1589-1590

May 20, 2024 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Me kalimin e kryeqytetit osman nga Bursa në Edirne më 1371 dhe me zgjerimin e shpejtë të shtetit osman deri në brigjet e Adriatikut, shpërtheu një konflikt për dominim në detin Adriatik e Mesdhe, së pari me Venedikun e më vonë me Spanjën, e cila u paraqit si fuqi rajonale kur u bashkua më 1492 pas rënies së principatës së fundit myslimane në Granadë më 1492. Në këtë kontekst, mund të thuhet se shekulli XVI ishte edhe shekulli i prezencës së madhe shqiptare në Mesdhe, respektivisht në ujërat dhe në brigjet e Mesdheut me komandantë, ushtarakë dhe me admiralë të detit që vepronin për vete me kusari të lulëzuar në atë kohë ose nën ombrellën osmane.
Njëra prej këtyre figurave është kapiteni dhe admirali Memi ose Mehmet Arnauti, që ishte emri i shquar në gjysmën e dytë të shekullit XVI në Mesdheun perëndimor.
Ai u bë i njohur më 1575 kur me dy anije të veta e sulmoi një anije që shkonte nga Napoli për në Spanjë dhe e mori deri në Algjeri, ku në mesin e udhëtarëve ishte Miguel de Cervantes që u bë më vonë shkrimtar i njohur duke përmendur Memi Arnautin.
Memi Arnauti gjatë viteve 1577-1580 ishte i afërt me guvernatorin e Algjerisë Hasan Venizianon, saqë ai e neutralizoi revoltën kundër tij më 1580 dhe u bë de facto guvernator i Algjerisë deri kur u kthye Hasan Veniziano në pushtet më 1582-1587.
Burimet tregojnë se ai e solli familjen prej Shqipërisë dhe pasi që gëzoi shumë autoritet e ndërtoi Sarajin në një breg të Algjerit që u ruajt me emrin “Saraji i kuq” (Dar al-hamra) që u meremetua më 1818 dhe tani është nën kujdesin e UNESCO-s. Më vonë, Memi Arnauti mbeti pronar i disa anijeve që qarkullonin midis Mesdheut perëndimor dhe Stambollit dhe vetë udhëhiqte anijen e madhe në raste të veçanta.
Njëri prej këtyre rasteve ishte kur Sulltani i Marokut, Ahmad Ibn Mansur, deshi ta dërgonte ambasador veten për në Stamboll me një mesazh dhe një dhuratë për Sulltanin Osman Murati III (1547-1595 ). Atëherë Sulltani i Marokut, i vetmi vend arab që nuk ishte nën sundimin osman, e zgjodhi për mision shkrimtarin Ali al-Tamakruti (1534-1594). Pasi që Maroku nuk ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe nuk kishte lidhje detare me Stambollin sikurse vendet tjera arabe, Sulltani Ibn Mansur u kujdes që ambasadori i vet të shkojë në Stamboll me një anije që e drejtonte vetë Memi Arnauti, pasi që ai ishte i njohur me përvojën e madhe me lundrim nëpër Mesdhe. Vërtet, në atë kohë, Mesdheu nuk ishte det i sigurt në saje të flotave të shteteve në armiqësi dhe për shkak të kusarisë intensive që sillte përfitime të mëdha.
Ambasadori al-Tamakruti, që jetonte në brendi të vendit dhe nuk udhëtonte nëpër det, u përgatit me përcjellje për këtë rrugë të gjatë dhe të panjohur dhe mori me vete shumë fleta për të shkruar përjetimet e veta. U nis nga kryeqyteti Fes pasi e mori porosinë e Sulltanit me një dhuratë të çmuar më 6 maj 1589 dhe shkoi deri në portin maroken Tetouan duke pritur anijen e kapitenit Memi Arnauti. Anija arriti me vonesë dhe u nis më 13 gusht 1589 dhe arriti në Stamboll më 18 nëntor 1589. Ai ndenji në Stamboll gati tetë muaj dhe u kthye me të njëjtën anije të Memi Arnautit. Kësaj here, anija u nis më 11 qershor të vitit 1590 dhe arriti në Tatwan më 9 nëntor 1590. Al-Tamakruti e vazhdoi rrugën deri në Marakesh, ku ishte Sulltani, duke qëndruar atje deri në fund të shkurtit të vitit 1591,kurse arriti në vendin e vet (Tamarkrut) më 27 mars të vitit 1591.
Një rrugë e tillë, me plot përjetime dhe takime në Stamboll, ishte tërheqëse për të shënuar me detaje, gjë që e kreu al-Tamaruti dhe udhëpërshkrimin e titulloi: “Era e myshkut në udhëpërshkrimin për në Turqi”. Dorëshkrimi i këtij udhëpërshkrimi e tërhoqi vëmendjen e orientalistit francez Henri Marie de Castries (1850-1927), i cili e përgatiti një përzgjedhje në frëngjisht që doli më 1929, kurse e botoi më vonë (pa datë) këtë përzgjedhje në arabisht. Ky botim litografik u ribotua në Tunizi më 1985 në kujdesin e Sulejman al-Saidit, kurse u botua i plotë për herë të parë në Rabat më 2002 nën kujdesin e Abdullatif al-Shazli. Në saje të interesimit që e zgjoi, ky udhëpërshkrim i al-Tamakrutit doli në Bejrut më 2007 me një kujdes shkencor më të madh të Muhamed al-Salihiut.
Botimi i katërt i udhëpërshkrimit të al-Tamakrutit
Udhëpërshkimi ka vlerë të madhe së paku për dy arsye: Udhëtimi në atë kohë nëpër Mesdhe nga bregu perëndimor deri në bregun lindor ishte një aventurë e madhe, sepse Mesdheu kishte plot flota shtetërore në armiqësi dhe flota kusarësh në të dyja anët. Në anën tjetër, libri përshkruan përjetimet e një marokeni të njohur në vendin e vet, e që shkonte tani si ambasador në pallatin e sulltanit osman, qoftë në det kur e ka parë vdekjen me sy disa herë e qoftë në Stamboll ku qëndroi gati tetë muaj duke zbuluar një botë tjetër atje në krahasim me Sulltanatin e Marokut.
Megjithatë, na intereson këtu raporti i ambasadorit me kapitenin Memi Arnauti. Kështu, kur hipi në anije dhe mori vesh për kapitenin Memi Aranuti, ai e prezantoi atë sepse emri Memi ishte i papërdorshëm te arabët. Kështu, ai e prezanton atë se ai “është prej populli që e quajnë arnaut, që është tani nën sundimin turk, kurse emri Memi është një version i shkurtër i Mehmetit”. Vetë fakti se rruga për në Stamboll zgjati më shumë se tre muaj (prej 13 gushtit të vitit 1589, deri më 18 nëntor 1589 dhe rruga e kthimit zgjati nja pesë muaj ( prej 11 qershorit të vitit 1590, deri më 9 nëntor të vitit 1590), kuptohet me ndalesa në shumë porte të Mesdheut, bëri që al-Tamakrutit ta përcjellë me vëmendje kapitenin Memi Arnauti.
Ky interesim për Memi Arnautin ishte për dy arsye. Ndonëse Memi Arnauti lavdërohej me përvojën e mjeshtërinë e tij nëpër Mesdhe, al-Tamakrut e pa për herë të parë rrezikun e kusarëve të detit, duke lavdëruar Memi Arnautit se si u ikte vendeve ku zakonisht tuboheshin kusarët për të sulmuar ndonjë anije, e sidomos nëse dinin se në anije është një ambasador me një dhuratë të çmueshme për sulltanin osman. Në anën tjetër, al-Tamakruti e pa me sy vdekjen në dy raste për shkak të stuhive të forta të valëve të Mesdheut. Në një rast, ai përshkruan se si Memi Arnauti u mërzit shumë një ditë duke pasur hallin e udhëtarëve dhe mbeti një ditë të tërë pa ushqim derisa kaloi rreziku, e tek atëherë tha: “Tani është koha për ushqim!” Vërtet, ky libër ka vlerë të shumëfishtë shkencore, por për ne vlen më shumë kur një ambasador i Sulltanit të Marokut e shoqëron në anije disa muaj kapitenin e njohur shqiptar Memi Arnauti, i cili ishte një prej figurave të shquara në Mesdhe në gjysmën e dytë të shekullit XVI. Vlen të përmenden këtu se këto dy figura u bënë bashkë në vitet e fundit të jetës, sepse al-Tamakruti vdiq më 1594, kurse Memi Arnauti vdiq më 1600.

Filed Under: Histori

S’Ka-Ndal- Gjuha trupit apo gjuha e turpit

May 20, 2024 by s p

 Satirë nga Rafael Floqi 

Në një botë ku gjuha e trupit është më e lexueshme se hieroglifet egjiptiane, shtrirja e dorës në politikë është një art i hollë që kërkon vite praktike dhe një diplomë në akrobaci sociale. Imagjinoni një skenë ku politikanët janë si balerinë të baletit të madh të diplomacisë, ku çdo lëvizje e dorës ka një kuptim të fshehtë. Një shtrirje e dorës mund të jetë një ftesë për bashkëpunim, ose një mënyrë për të fshehur një buzëqeshje të zbehtë pas një dorë të shtrirë me forcë. 

Në një botë ku çdo gjest i trupit analizohet më shumë se veprat e Shakespirit, keqkuptimet janë po aq të zakonshme sa dhe postimet në rrjetet sociale. Imagjinoni një skenë ku një politikan i shtrin dorën një kolegu nga larg, dhe ky gjest interpretohet si një sinjal për një aleancë të re ndërkombëtare.  A thua? Dhe kur kjo shoqërohet me një ngërdheshje nënvlerësimi tregon më shumë se nënçmim. Ose kur një tjetër mbyll sytë gjatë një përqafimi, dhe ekspertët e gjuhës së trupit e shpallin atë si një moment të paparë të ndjenjës së bashkimit. Ndërkohë, në realitet, politikani i pari thjesht nuk donte të lëvizte nga vendi sepse e shqetësonte majasëlli, dhe i dyti mbylli sytë sepse dielli ishte shumë i ndritshëm. 

Ah, ironia e interpretimit të gjuhës së trupit, ku një shtrirje dore mund të shkaktojë një krizë diplomatike dhe një përqafim mund të jetë fillimi i një marrëdhënieje të re – ose thjesht një dëshirë për të shmangur kontaktin me sy. Në fund të ditës, populli më mirë të mbajmë duart në xhep dhe sytë hapur, për të shmangur çdo keqkuptim që mund të na bëjë të dukemi si protagonistë të një komedie të vjetër të keqkuptimesh.

Në një botë ku diplomacia zhvillohet nëpërmjet konkurseve të gatimit dhe pijeve të forta kryeministri shqiptar Rama përfundon në një situatë të sikletshme. Pas një nate të gjatë të negociatave të rënda, me mikun e tij Vuçiqin pas notës për Vulinin, ku menutë përfshinte gatime tradicionale ballkanike dhe një sasi të konsiderueshme rakie, lideri ynë madhështor e gjen veten në një situatë delikate.

Ai duhet të përballet me një sfidë më të madhe: të mbijetojë deri në WC pa ndonjë incident. Me stomakun që kërkon liri dhe fytyrën që rrezikon të humbasë dinjitetin, ai zgjedh të qëndrojë ulur, duke i zgjatur dorën Kurtit si një mjeshtër i marifeteve politike. Po të jetë punë barku po ja falim …por….

Kurti, i cili është mësuar me surpriza në politikën e Ballkani, pranon dorën e zgjatur me një buzëqeshje të gjerë, duke e kuptuar lojën e fshehtë të politikanit që i pëlqen nofka ‘Skëndërbe” dhe të vishet me bollkat e babait të Kombit Ismail Qemali. Ndërkohë, mediat e pranishme janë të zëna duke spekuluar nëse ky akt i zgjatjes së dorës do të thotë një aleancë të re apo një marrëveshje sekrete.

Duke qëndruar në vend dhe duke shtrirë dorën, personi mund të tregojë një pozicion të sigurt dhe të kontrolluar, duke mos u lëvizur nga pozicioni i tij. Të jetë këtu ?

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se gjuha e trupit është shumë subjektive dhe mund të interpretohet ndryshe në kultura të ndryshme, p.sh. Pas një periudhe të gjatë reflektimi në WC, z. Rama del triumfues, i pastër dhe i freskët, gati për të vazhduar me darkën e delegacioneve. Ai i shpjegon Kurtit me detaje të plota aventurën e tij, duke fituar mirëkuptimin dhe ndoshta edhe një mik të ri në skenën politike, por kurrkush se beson këtë imagjinatë.

Ndërsa shqiptarët mbeten të lidhur me zinxhirët e spekulimeve, politikani ynë vazhdon të ecë përpara, duke iu arsyetuar për një incident që në fund të fundit, mund të ndodhte me këdo në botën e politikës së Ballkanit. Në gjuhën e trupit, kur dy burra shteti përqafohen dhe njëri mbyll sytë, kjo mund të simbolizojë një moment të thellë emocional ose një lidhje të fortë. Mbyllja e syve gjatë një përqafimi mund të tregojë: një shenjë e besimit dhe rehati në praninë e tjetrit, duke treguar një lidhje të fortë dhe të sigurt. Dhe mund të tregojë një ndjenjë intimiteti dhe ngrohtësie, si dhe një dëshirë për të përjetuar plotësisht momentin e përqafimit.

Në një botë paralele të satirës politike, ku çdo veprim dhe fjala e politikanëve shndërrohet në një vepër arti të gjallë, le të imagjinojmë një skenar ku Edi Rama, kryeministri i një vendi të quajtur Shqipëria e Madhe, është protagonisti ynë. Në këtë botë, Edi Rama nuk është thjesht një kryeministër, por një artist i madh, një Picasso i politikës, që pikturon të ardhmen e kombit të tij me çdo dredhi të penelit të tij. Çdo batutë që ai hedh në konferenca është një pikturë e re në galerinë e tij të madhe të diplomacisë.

Në Samitin e Malit të Z, ku liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen për të diskutuar çështje të rëndësishme, Rama shfaqet si një burrështetasi i lig, por në të vërtetë, ai është një burracak që luan lojën e tij të madhe të përqafimeve. Përqafimi me Vuçiqin nuk është asgjë më shumë se një performancë artistike, një shfaqje e dashurisë vëllazërore në skenën ndërkombëtare.

Por prapa kësaj fasade, populli i Shqipërisë e Madhe e di mirë se çfarë fshihet: një labirint i korrupsionit, drogës dhe krimit të organizuar, ku Rama është dirigjenti i një orkestre të gardianëve që luajnë simfoninë e tij të pushtetit.

Ndërsa për Kosovën, Rama duket se ka hartuar një strategji të fshehtë, duke përgatitur draft-statute dhe duke bërë lojëra të fshehta me Vuçiqin dhe liderë të tjerë evropianë. Ai e sheh veriun e Kosovës si një skenë të zbrazët ku KFOR-i është regjisori i vetëm. Në fund të ditës, Rama ëndërron për një Shqipëri dhe Kosovë të bashkuar nën një president të vetëm, duke aluduar në veten e tij si babai kombëtar. Por historia e Shqipërisë së Madhe nuk mund të shkruhet vetëm nga një njeri, dhe populli i saj kërkon përgjigje dhe veprime, jo vetëm përqafime dhe dredhi politike. 

Ah, çfarë kohësh të arta për të qenë në politikë, ku Edi Rama, kryeministri ynë i dashur, është një shembull frymëzues për të gjithë ne. Ai është artisti i madh, Leonardo da Vinci i kohëve moderne, që pikturon të ardhmen e kombit me ngjyra të ndritshme të dredhive dhe batutave. Në Samitin e Malit të Zi, ai shkëlqen si ylli më i ndritshëm në qiellin e politikës, duke u përqafua me Vuçiqin si me një vëlla të humbur që sapo e ka gjetur. 

Oh, dhe mos harroni atë përqafim të ngrohtë, të sinqertë me Vuçiqin – ishte thjesht një moment i magjishëm që tregon se sa larg mund të shkojë diplomacia e vërtetë. Dhe kur ai nuk e “luajti bythën” teksa përshëndete me Kurtin, ishte një demonstrim i qartë i forcës dhe vendosmërisë së tij të palëkundur. 

Ndërsa për atë draft-statutin sekret për Asociacionin e komunave serbe, çfarë gjenialiteti! Rama është një strateg i vërtetë që luan shah me botën, duke lëvizur figurat e tij me një finesë që vetëm një maestro i politikës mund ta bëjë. Dhe ideja e tij për një president të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën? Thjesht një vizion i parë nga një mendje e ndritur.

Në fund të fundit, kush jemi ne pa udhëheqjen e tij të mençur? Edi Rama, babai kombëtar, udhëheqësi i padiskutueshëm, artisti i madh, është pikërisht ajo që na duhet për të na çuar në një të ardhme të ndritshme – ose të paktën, kështu duket në pikturat e tij.

Në këtë univers satirik, Edi Rama është një personazh i madh, një aktor në skenën e politikës që luajnë rolin e jetës së tyre, ndërsa populli shqiptar është publiku që pret të shohë nëse shfaqja do të ketë një fund të lumtur apo jo. Dhe vetëm i mbetet të komentojë mbi domethënien e dhënies së një dore të shtangët, duke diskutuar në facebook, nëse ishte kjo keqkuptim i lojëse së trupit, apo lojë e turpit.

Filed Under: Analiza

60 VJETORI I NDARJES NGA JETA TË DËSHMORIT TË FUSHËS SË BLERTË SHQIPTARE ABDURRAHMAN ROZA HAXHIU

May 20, 2024 by s p

NGA Kevin HAXHIU/

Abdurrahman Roza Haxhiu i njohur si Roza Haxhiu lindi në qytetin e Lushnjës,në lagjen “Kongresi i Lushnjës” në vitin 1930.Djali i patriotit Bajram Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e komisionit kombëtar të posaçëm inisiator të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare Shqiptare në Diasporën e Shqiptarëve të Egjiptit Qerim Haxhiu.Futbolli për Rozën ishte një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes dhe që do të përfundonte po aty në fushën e blertë europiane nga një goditje me takë futbolli në kokë gjatë lojës.Roza Haxhiu ishte një futbollist dhe trajner i shquar shqiptar në vitet 50-60.Ai luajti si futbollist me “Traktorin” e Lushnjes,“Besën” e Kavajës,Partizanin,Dinamon dhe kombëtaren shqiptare.Gjithashtu Roza Haxhiu ishte edhe Trajner i shquar me Traktorin e Lushnjes.Në vitin 1945-1947 Roza Haxhiu u aktivizua me ekipin e të rinjëve të “Traktorit” të Lushnjes ku u dallua si titullar.Dilaver Toptanit i cili ishte inspektorë i fizkulturës,mësues,trajner dhe futbollist në Lushnje në vitet 1947-1949 kur pa cilësitë e mëdha të Roza Haxhiu-t do ta dërgonte për specializim si trajner në Tiranë në një kurs që drejtohej nga kuadro sovjetik (rusë).Gjatë kampionatit të vitit 1948-1949 emri i Rozës i kalon kufijtë e Lushnjes.Haxhiu në vitin 1950 shkëlqeu si mesfushor tek “Besa” e Kavajës.Në vitin 1951 Roza do të luante për herë të parë në ekipin e Partizanit.Në vitin 1953 trajneri i saj Loro Boriçi e futi Roza Haxhiu-n në formacionin e ekipit të futbollit të kombëtares shqiptare që merrte pjesë në Bukuresht në Festivalin Botërorë të Rinisë dhe Studentëve.Në vitin 1955 Roza luante ne ekipin e Dinamos dhe në fund të ndeshjes Dozha e Budapestit-Dinamo futbollisti i shquar hungarez Suza ka thënë për Rozën:-“Ai (Roza Haxhiu) është një futbollist i kalibrit europian”.Futbollisti i talentuar Roza Haxhiu ka dhënë një kontribut të madh edhe në kombëtaren Shqiptare dhe veçanërisht në fitoret ndaj Çekosllovakisë dhe Polonisë.Në vitin 1957 në finalen e kampionatit të 20-të kombëtar që zhvillohej midis dy ekipeve kryeqytetase (derbi) Partizani-Dinamo Roza Haxhiu bëri golin e tretë.Tifozët e Partizanit e festuan në mënyrë madhështore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” fitoren e kampionatit gjithashtu ata ngritën në krah futbollistin e talentuar dhe golashënuesin e ndeshjes A.Roza Haxhiu.Ky moment tepër i veçantë është fiksuar edhe në një fotografi.Në Leipzig të Gjermanisë Roza Haxhiu me ekipin e Partizanit në vitin 1958 dha maksimumin e tij në fitimin e medaljeve të argjendta.“1958” për Rozën ishte vit i suksesit të madh por gjithashtu do të ishte dhe tepër i rëndë kjo e fundit pasi ai gjatë një ndeshje miqësore që zhvillonte me ekipin e Partizanit në Bullgari gjatë lojës u godit me takë futbolli në kokë.Goditja me takë do ti shkaktonte një sëmundje të pashërushme por Roza nuk u largua nga futbolli por me zemër,dëshirë dhe pasion vazhdoi të ishte në fushën e lojës edhe si trajner edhe si futbollist deri sa ndërroi jetë.Në vitin 1959 luajti përsëri me “Dinamon” e më pas kthehet atje ku e nisi ëndrrën e tij në fushën e blertë të vendlindjes.Këtë herë Roza Haxhiu do të ishte Trajner dhe Futbollist njëkohësisht në ekipin e Traktorit të Lushnjes.Ekuipazhi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfon në Kampionatin e Kategorisë së Dytë duke u shpallur kampionë në 1960.Emri A.Roza Haxhiu është shënuar me “shkronja të arta” në historinë e futbollit lushnjarë si i pari Trajner që e futi ekipin e qytetit të Lushnjes në Kampionatin e Kategorisë së Parë.Në Maj-Korrik 1963 Haxhiu caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës.Në periudhën Shkurt-Mars 1964 Roza punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”.Goditja me takë futbolli që mori në kokë gjatë lojes i shkaktoi sëmundjen e rëndë e të pashërushme dhe kjo e fundit do ta ndante nga jeta më 19 maj 1964 në moshë tepër të re 34 vjeç.Abdurrahman Roza Haxhiu u nda nga jeta ashtu siç ai e meritonte me nderime,respekte dhe vlerësime.Mijëra sportdashës Lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin.Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mizeri njerzish.Përkulet tek koka e arkivolit:-“Ah mor bir…Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë…”.Abdurrahman Roza Haxhiu përveç se një futbollist i talentuar ai ishte dhe tepër simpatik.Ai teksa vizitohej nga doktori Italian dhe infermieret e spitalit në vitin 1947 do të thirrej “che bella rosa”-“cfarë trëndafili i bukur”.Emri Roza do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambieneteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mëndjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjerë.Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht sepse emri dhe karriera e ndritur futbollistike që ai la pas do të jenë të pavdekshme në historinë e futbollit shqiptarë.Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm Pluralist Lushnje me Vendim Nr.124,datë 16 gusht 1991 vendosi në pikën 1 të vendimit që Stadiumit të futbollit të qytetit të Lushnjes të emërohet stadiumi Abdurraman (Roza) Haxhiu.Këshilli i Bashkisë së Qytetit Lushnje me Vendim Nr.30,datë 20 maj 1994 me votim të plotë vendosi Zoti Abdurrahman Roza Haxhiu ti jepet titulli “Qytetar Nderi”.Në vitin 1999 nga Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”.Në vitin 2016 nga FSHF Federata Shqiptare e Futbollit u nderua me titullin “Pllakatë”. Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta me Dekret Nr.11790,Datë 16.10.2020 i dha Abdurrahman Roza Haxhiut (pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit” me motivacion: -“Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar.Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, “dëshmor” i fushës së blertë,një sportist model,i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.Në 30 vjetorin e vdekjes 21 Maj 1994 u përkujtua në qytetin e Lushnjes legjenda e futbollit shqiptarë Abdurrahman Roza Haxhiu.Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnje në nderim të figurës dhe veprimtarisë së A.Roza Haxhiut,nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A.Roza Haxhiu”.Gjithashtu në sallën e kinoteatrit u zhvillua edhe një aktivitet ku folën miqë e shokë mbi jetën dhe veprimatarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë,këngëtarë e aktorë si:Vaçe Zela (këngëtare),Margarita Xhepa (aktore),Ilia Shyti (aktor),Hysni Zela (këngëtare),Kolec Kraja (futbollist),Robert Jashari (futbollist),Ismet Bellova (komentator sportiv),Ali Kastrati (boksier,fizioterapist),etj.Në maj të vitit 2007 është realizuar një dokumentarë për A.Roza Haxhiu i titulluar “Trëndafili i fushës së blertë” në Televizionin Shqiptar “TVSH” me skenar dhe regji nga Engjëll Ndocaj.Në 11 maj 2016 është realizuar emisioni Panteon nga Nisida Tufa në Televizionin “News 24” me temë “Abdurrahman Roza Haxhiu,dëshmori i fushës së blertë”.

(19 maj 1964-19 maj 2024/60 vjetori i ndarjes nga jeta të futbollistit,trajnerit të shquar lushnjar A.Roza Haxhiu ).

Filed Under: Sport

PËR TREGIMET E ERIS RUSIT

May 20, 2024 by s p

Nga Gëzim Puka/

Dy shoqërizime mendimi pata ndërsa lexoja tregimet e këtij vëllimi të Eris Rusit. M’u kujtua një bisedë e disa dekadave më parë me shkrimtarin Skënder Drini në gjimnazin tonë. Kur e pyetën nxënësit se çfarë po shkruante, ai u përgjigj: “Po shkruaj disa tregime të forta, shumë të forta”. E pata fiksuar këtë cilësor në mendje se më dukej i çuditshëm për tregimet, por më vonë kuptova se historitë e shkurtra duhet të godasin lexuesin, sepse janë të përqendruara tek një ngjarje që duhet të emocionojë.

Shoqërizimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e qytetit tonë, Shkodrës, me qytetin e Korçës edhe përsa i përket përjetimeve të natyrës letrare. Për ngjashmëritë e këtyre skajeve të atdheut ka pas shkruar dikur Anton Harapi tek një ese me titull “Korçë e Shkodër”, ku krahasonte këto qytete që i jepnin dhe i japin ngjyra mendimtarie këtij vendit tonë të vogël. Kjo do të thotë se veç të tjerash edhe realiteti shpirtëror, pjesë e rëndësishme e të cilit është edhe letërsia, ka ngjyresa të ngjashme.

Vëllimi i Eris Rusit ka përmbledhur tregimet: Dritarja majë çatisë; Tradhtija; Qoftë e thënë; Endërr amerikane; Shalli i zi; Histori gruaje; Hije në shtjellë; Pasqyra e vetvetes; Shakaja; Pylli i hapave të humbur; I huaji; Restoranti kinez; Shtëpia e çuditshme; Vetmia ka aromë dashuri; Hoteli i heshtjes; Fjala e ndaluar. Titujt e tyre duken mbresëlënës. Disa krijojnë konotacione me tituj veprash e kryeveprash të letërsisë: “Shakaja”, “I huaji”, “Tradhtija” etj. Së dyti, fshehin lexime shumë të rëndësishme që rëndojnë dhe formësojnë psikën krijuese.

Pasi përfundova leximin, nëse do të kisha mundësinë e rititullimit të kësaj vepre do të zgjidhja për këtë vëllim me tregime titullin: “Tregimet e hijeve”, sepse në disa prej tyre janë këto të fundit që si arketipe letrare dublojnë personazhet, ato aktantë që janë futur në mes të ngjarjeve shumë të tensionuara, që tregohen përmes këtyre faqeve.

Një tjetër aspekt që bie në sy në këtë libër është jemi në “gostinë” letrare, ku trillueshmëria ka vendin e saj qendror, jo si në disa libra më të fundit ku i jemi larguar trillit dhe i jemi afruar më shumë dokumentares, biografizmave dhe fakticitetit në përgjithësi.

Tregimet e Eris Rusit mbahen përmes ngjarjeve dhe personazheve që tregojnë. Ai depërton herë në vetëdije dhe herë në pavetëdijen (apo nënvetedijen) e krijesave të tij. Ndodh që edhe e mjegullon ngjarjen dhe po aq shpesh e sqaron atë me përfundime surprizuese.

“Dritarja majë çatisë” është edhe tregimi i parë i vëllimit, ku rrezatohet më mirë kjo frymë e mistershme. Na ndodh shpesh që të ndërmenden motive apo tema të ngjashme kur lexojmë tekste letrare, por origjinaliteti varet nga mënyra se si janë trajtuar këto tema e motive. Kur përfundova së lexuari tregimin e mësipërm, m’u ndërmend tregimi “Gjethja e fundit” e O.Henry-t. Tek tregimi i Rusit rrëfehet dashuria dhe vetëmohimi i një babai për vajzën e tij 12 vjeçare që kishte humbur të ëmën nga një sëmundje e beftë. Kjo ngjarje tragjike bën që Bora, e bija e tij e shtrenjtë, ta urrejë errësirën dhe të dashurojë dritën. Babai përkujdeset që vajza të dalë nga gjendja e vështirë duke e shpërngulur në një shtëpi të veçuar fshati, e cila në majë të saj kishte një dritare, nga ku Bora mund të kundronte edhe hënën. Programi narrativ i paraqitur në këtë tregim ka dy subjekte, babë e bijë, që kërkojnë të ruajnë lidhjen me objektin me vlerë dritën, jetën. Por s’qe e thënë se tamam në kohën kur vajza ka ditëlindjen dhe shuan flakën e 12 qirinjve, ikin vërtet dritat. Vajza nuk sheh më as dritën e hënës dhe shpërthen në dëshpërim. Babai i hutuar mbërrin të gjejë një kandil të vjetër dhe ngjitet tek dritarja majë çatisë për të imituar dritën e hënës. E nesërmja është tragjike, ai ka mbetur i vdekur jashtë në dëborë, ndërsa e bija, Bora, shijon e qetë gjumin e mëngjesit.

Citoj fundin e tregimit, ku është gjithë mveshja letrare: “Në mëngjes shtëpia ishte e rrethuar nga qetësia dhe bardhësia e borës. Mbi shtresën e pambuktë, të shtruar anë e mbanë oborrit, u ndjenë kërcitjet e lehta, “krap-krup” të një ketri të kuqërremtë. “Krap-krup. Derisa kafshëza ndaloi dhe i erdhi rrotull diçkaje të çuditshme, që lëshonte një dritë të bardhë, përtokë. Një fener i thyer, me ciflat e xhamave të shpërndara ngado, që e kishte akoma gjallë fitilin e flakës. Pak më larg fenerit, trupi i një njeriu të shtrirë dhe një pellg i vogël, i kuq, i ngrirë gjaku afër kokës së tij. Me sytë e hapur, ai shikonte ketrin, a një dritare të vogël, diku lart, në majë të çatisë.

Brenda shtëpisë, e shtrirë në shtrat, e zhytur në gjumë, vogëlushja Bora. Kishte një si buzëqeshje në fytyrën e saj, një si ëndërr të bukur që akoma nuk ishte tretur me hijet e agut të ditës.

Në qiell, nga dritarja e pastër, kristal, një hënë e vonuar, që tashmë ndriçonte më koti…”

Personazhe që zbërthehen mirë prej arketipit të hijeve në letërsi dalin edhe tek tregimi “Hije në shtjellë” që duhet të na kujtojë hijet e shpellës së Platonit, por që natyrisht tek proza e shkurtër e Eris Rusit trajtohen si ndërgjegje të deformuara.

Hije që gëlltitin njerëz e gjëra!

Besoj ju kujtohen hijet e Platonit në alegorinë e Shpellës, ku përshkruan një grup njerëzish që kanë jetuar të lidhur me zinxhirë në murin e një shpelle gjatë gjithë jetës së tyre, përballë një muri të zbrazët. Njerëzit shikojnë hijet e projektuara në mur nga objektet që kalojnë para zjarrit pas tyre dhe u japin emra këtyre hijeve. Hijet janë realiteti i të burgosurve, por nuk janë paraqitje të sakta të botës reale. Hijet përfaqësojnë fragmentin e realitetit që ne normalisht mund ta perceptojmë përmes shqisave tona, ndërsa objektet nën diell përfaqësojnë format e vërteta të objekteve që ne mund t’i perceptojmë vetëm përmes arsyes.

Në letërsi, në përgjithësi, hijet janë parë si një kërcënim, sepse ato janë përfaqësime të kundërta të idealeve të një individi për veten e tij. Për shkak të këtij tipari, një hije fizike do të jetë përfaqësimi i tipareve të liga të fshehura të një individi me një formë aktuale. Shumë njerëz kanë frikë se cili mund të jetë përfaqësimi fizik i hijes së tyre.

Personazhet e këtyre tregimeve duket se fshehin brenda vetes hijen. Tek tregimi “Hije në shtjellë” subjekti rrëfimtar zgjohet nga gjumi plot dëshirë për jetë, del në rrugë dhe takon “të keqen”, nënën vrasëse të birit të saj, e cila ka frikë errësirën dhe çuditet me hijen e personazhit, të cilit i kërkon që ta vrasë dhe të mos e mëshirojë për krimin që ka kryer. Hija e personazhit në fillim si metonimi, por që shkon drejt personifikimit është gëlltitësja e çdo të keqeje që gjen. Ajo është një vrimë e zezë që veçse rritet përgjatë këtij teksti, i cili e mbërthen lexuesin e vëmendshëm në tregimin e një ngjarjeje të mistershme, ku shfaqet metamorfoza e hijes së Unit (Egos) si një përbindësh që hijëzon gjithë botën përreth. Duke shkuar drejt përfundimit hija është që është bërë një shpellë gjigante, e cila edhe pse e gëlltit botën nuk e zhduk të keqen. Prandaj është shumë tërheqës ligjërimi me gruan.

Citoj: “Të tilla njolla janë ditët e tua pa mua, – vazhdon të më thotë. – Është jeta që bën, që ka këtë tkurrje të shkujdesur ndaj së keqes. Kjo e fundit ka zënë vend tek ti, tek unë, te krejt bota, e na duhet veç të kujdesemi për të, ta mbajmë të butë, e nëse duhet, ta quajmë dashuri. Unë të bëj të ndihesh mirë, isha pranë teje kur doje të kapërceje me një të rënë të lapsit krejt rrengjet dhe fatkeqësitë e botës. Më gjete mua dhe më zgjodhe të parën. Quaje dashuri po deshe.”

Ja, kjo është shtjella katastrofike e hijeve të personifikuar të këtij tregimi që mbart në vetvete të keqen burimore të njeriut që nuk çlirohet dot ka mëkati i të maturit me hijen e tij. Unë kështu e lexova këtë tregim.

Ky shkrim është më shumë një ftesë për lexim, prandaj u përqendrova në ndërmjetësimin kuptimor të këtyre tregimeve, më shumë se në një analizë stilistike. Besoj se rruga e bashkëndarjes së kuptimit të veprës është fillesa më e mirë për një interpretim më të thellë, që mund të vijë më vonë për këto tregime. Pa pretenduar të jem shterues po vijoj me disa përshtypje të tjera që më kanë krijuar disa prej tregimeve.

Çdo tregim karakterizohet nga figurshmëria e lartë e shprehjes, e cila nxit imagjinaren e lexuesit për të ndërtuar me mendje skena paksa të frikshmë vrasjesh e viktimash që duken si ëndrra. “Në orët në vazhdim lashë shpirtin e zbrazët nga ndërgjegjja”, – shkruhet në faqen 134 të këtij libri.

Hijet duken edhe në disa tregime të tjera të përmbledhjes. Metaforat dhe metonimitë ndërtojnë aspektin impresionues të këtyre tekteve. Tek “Shtëpia e çuditshme”, Fili personazhi ndërton shtëpi me puthje. “I mbusha sa munda me të puthurat e nënës sime”. Ai shkon tek miku i tij i vjetër për të kërkuar disa para për të shlyer një borxh që kishte marrë për të ndërtuar një shtëpi shpirtërash. Pasi i kthen shumën e madhe Fili e fton mikun për një vizitë në atë shtëpi të çuditshme, ku çdo gjë është ndërtuar prej dashurisë prindërore. Ajo është një shtëpi në dukje modeste, por shumë e fortë. Ajo është një shtëpi që flet, ku muret janë ndërtuar me “puthjet e nënës” dhe me “vështrimet e zbehta të babait”. Terreni përreth është i lëvizshëm, pasi ka të groposura zënkat e tyre. Në neonin e fshehur janë klithmat e tyre. Kështu është sendërtuar ky tregim me kahjen e abstraktes drejt konkretes. Gjithë kjo rrjedhë metonimike përcakton forcën e tregimit që zbulon të kaluarën e personazhit Fil, i cili nuk dallohet nëse është përkujdesur apo i ka vrarë prindërit e tij. “Shtëpia e çuditshme” përfundon me makthin që i krijohet zërit rrëfimtar prej kësaj ndërtesë ndjenjash dhe emocionesh të së shkuarës. Arratisja nga ndjenjat është zgjidhja e këtij rrëfimi.

Citoj: “Të ikja sa më parë prej andej. Të gjeja shpëtim”.

Ndërsa tek tregimi “Vetmia ka aromë dashuri”, përmes paradoksit pohohet kriza e njeriut të kohës sonë. Paradoksalisht është tregimi më me shumë sekuenca dialogjike edhe pse na flet për vetminë. Personazhet janë Ema dhe Edvini, një çift të dashuruarish, që nuk kanë e nuk mund të kenë fëmijë. Ata duan dhe nuk duan ta kenë një kafshë shtëpiake. Pas shëtitjes vetmitare nëpër qytet, Ema (vini re koincidencën e emrit me personazhin e famshëm të Floberit) rikthehet në shtëpinë ku e pret bashkëshorti që e lajmëron se do t’u vijnë ca miq për vizitë. Ata parafytyrojnë se si do të jetë kjo vizitë, parashikojnë dialogun, imagjinojnë gjendjen. Por asgjë nuk ndodh, nuk ka asnjë vizitë. Askush nuk kujtohet për ta. Ema dhe Edvini janë të dënuar me vetmi.

Citoj: “Ema dhe Edvini nuk kishin nevojë për të tjerë në jetën e tyre. Kudo ishte errur. Çifti u kap për krahu dhe eci rrugicave të zbrazëta, përmes qosheve plot hije djallëzore, ku nuk dukej, për be, asnjë njeri.”

E thamë në fillim të shkrimit se janë 16 tregime të forta, pikërisht se godasin fort brenda nesh për të rizgjuar mbase edhe lexime më të vjetra e më të reja, si dhe për ta na kthjelluar përmes ngjarjesh në dukje absurde, ashtu si e ka tipar letërsia e trilluar bukur, e cila përdor strategjinë e ëndrrës, apo narrativës iracionale të hallakatur, për të na çliruar nga tensionet e një njëmendësie shumë më të koklavitur. Mjegullimi, iracionalja, jologjikja e mistershmja e këtyre tregimeve e trondisin lexuesin e vëmendshëm, që ndonjëherë futet në kurthin e dukjes realiste duke e orientuar në kahjen e veprimeve dhe ngjarjeve të jashtme, por me qëllimin përfundimtar për ta zhytur edhe atë në vetveten apo në “hijen” e tij.

Përfundimisht, do të dal me një mendim pas këtij “ekskursioni” ndër këto proza të shkurtra, mund të thuhet se te ky libër ka një lloj tregimtarie, që na zhyt në mendime dhe na e lehtëson peshën e hijeve të ndërgjegjes.

Eris Rusi “hijen” e bën personazh tregimi. Ai i ka pranëvënë frymorët, sendet dhe hijet tyre në historitë që rrëfen. Tek ai hijet nuk mbeten pas, por zënë shumë vend. Personazhet nuk duan dhe nuk munden të shkëputen nga hija e tyre e ndërgjegjes.

Hija agresive që gëlltit njerëz, që tjetërson sendet!

Më kujtohet që kam pas parë një film italian “La sindrome di Antonio” (Sindroma e Antonios), me një personazh që vjen të kërkojë shpellën e hijeve të Platonit në Greqi, po që duke e kërkuar atë takon dashurinë platonike.

Kjo mund t’u ndodhë edhe ju të dashur lexues, që duke kërkuar kuptimin e veprës të rizgjoni dashurinë për artin e fjalës.

Filed Under: Analiza

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

May 20, 2024 by s p

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

https://www.eventbrite.com/d/ny–new-york/lahuta-e-malesise

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 960
  • 961
  • 962
  • 963
  • 964
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT