• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI E SULMONIN KRISHTLINDJEN KOMUNISTËT SHQIPTARË NË SHTYPIN ATEIST?

December 24, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Regjimi politik që qeverisi Shqipërinë 1945-1990 ishte totalitarizëm stalinist. Komunistët shqiptar nuk pranonin asnjë ideologji tjetër përveç marksizëm-leninizmit. Ateizmi shtetëror u kthye në ideologji zyrtare e funksionimit të shtetit monist. Propaganda antifetare e komunistëve shqiptarë në shtypin ateist, me qëllim që ta justifikonte para njerëzve vrasjen e klerikëve, shkatërrimin e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë me ligj, ushtroi për afro 50 vjet një propagandë agresive në të gjitha dritaret e shtypit, radios e televizionit. Komunistët e akuzonin fenë në Shqipëri si veprimtari antikombëtare, antishkencore, fenë si instrument të politikave të huaja në Shqipëri, fenë si një pengesë të zhvillimit të rendit të ri komunist, feja si zakon i keq dhe i dëmshëm për shoqërinë, feja si ideologji reaksionare, feja si pengesë për çelikosjen dhe unitetin popull-parti. Totalitarizmi është regjim politik ku ka vetëm një parti të vetme politike që kontrollon, menaxhon dhe orkestron totalitetin e aktiviteteve të shoqërisë komuniste. Partia është gjithçka. Partia është drita dhe oksigjeni i skellvërve të shtypur. Me qëllim frikësimin e popullit dhe mbajtjen në nështrim e kontroll, regjimi komunist në Shqipëri përdori vrasjet, arrestimet, burgosjet, përndjekjet, shkatërrimet, torturat fizike dhe psikologjike që përgjatë 45- viteve të diktaturës ishin nga më të pashembulltat në Shqipëri dhe më gjërë. Feja u sulmua pa pushim me fushata në media dhe veprime fizike të shkatërrimit të bazës institucionale, ideologjike, klerikale  dhe spirituale. Feja binte ndesh me frymen totalitare dhe ideologjinë Marksiste-Leniniste dhe komunistët e shpallën të ndaluar. Kundër fesë, klerikëve dhe institucioneve për afro 50 vjet, regjimi komunist instaloi një makineri dhune, turture, frike e shkatërrimi, një aparat të tërë shtetëror, media, organizata partie, ndërmarrje, qëndra pune, shtëpi kulture, lëvizje studentësh, bashkime profesionale, koperativa fshati etj me qëllimin e vetëm zhdukjen përfundimtare të çdo elementi fetar në Shqipërinë pa zot. Një aspekt shumë i rëndësishëm i goditjes së klerit ishte sulmi ndaj festave fetare, riteve, por edhe bazës mbi të cilën ndërtohej një fe e caktuar. Në rastin e besimit katolik, Krtishtilindja është festa e dytë fetare më e rëndësishme e këtij besimi pas Pashkëve. Propagandistët komunistë në shtypin e shkruar ateist deklaronin: “Krishti s’ka ekzistuar kurrë dhe Krishtlindjet janë një legjendë, janë një mashtrim”, me këtë deklaratë propagandistike Jovan Vujoshi në shkrimin “Legjenda e Krishtit dhe Krishtlindjet”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 22 dhjetor 1965 në numrin 101, në faqen 3, deklaron se klerikëve fetarë sipas J. Vujoshit u intereson që ta mbajnë sa më gjatë të gjallë këtë legjendë të “Krishtlindjes” që nuk ishte asgjë tjetër sipas komunistit Vojushi, veçse një mashtrim nga ku klerikët katolikë u shërbenin klasave shfrytëzuese me qëllim që të dërrmonin edhe më shumë klasat e shtypura. Në shkrimin ateist thuhet: “Shkenca thotë se nuk ka ekzistuar ndonji Krisht në botë, për këtë ajo niset nga faktet historike dhe nga mungesa e vërtetësisë në vetë shkrimet e ndryshme fetare” pasi sipas shkrimit propagandistik, në kohën që bëhet fjalë s’ka ekzistuar Krishti pasi ka pasur shumë historianë e shkrimtarë të cilët me siguri do kishin dokumentuar diçka rreth kësaj figure siç mendohet kaq të rëndësishme për katolikët – arsyeton komunisti Vojushi. Mbajtja e gjallë e ritit fetar të Krishtlindjes dhe kthimi i saj në një legjendë sipas propagandistit komunist Vojushi, ndihmoi edhe më shumë në nënshtrimin e besimtarëve, në shtypjen e tyre, zhytjen e tyre në iluzionin se feja është shpëtim në botën tjetër. Shkenca sipas propagandistit ateist Vojushi e ka treguar dhe e ka vërtetuar shkencërisht se s’ka ekzistuar Krishti, se s’ekziston bota e përtejme dhe se lumturia gjendet e duhet gëzuar në tokën komuniste. Lumturia sipas propagandistit komunist të kohës Vojushi, vinte me revolucion, nga marrja e pushtetit  gjoja shfrytëzuesve e shtypësve fetarë, lumturia në këtë botë vinte me punë për ndërtimin e socializmit. Duke goditur festat kryesore apo ngjarjet më të rëndësishme të një feje të caktuar, komunistët synonin nëpërmjet mediave ti mbushnin mendjen njerëzve se feja ishte diçka jo e vërtetë, e pa bazuar shkencërisht dhe ishte një legjendë mashtruese. Sistemi komunist që sundoi Shqipërinë për afro 50 vjet, në themel të ndërtimit të shtetit totalitar kishte si qëllim eleminimin e kundërshtarëve, eleminimin e fesë dhe një propagandë ekstreme në media duke manipuluar masat sipas nevojave të pushtetit me qëllim mbajtjen të shtypur e të nënshtruar të popullit shqiptar.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Krishtlindjet, Sokol Paja, Sulmi Komunist

Kur ditët e kalendarit sfidohen nga shkrimtarët…

December 23, 2020 by dgreca

(Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2020)

Nga Adnan Mehmeti/
    Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë prej më se 100 anëtarësh të shpërndarë anembanë Shteteve të Bashkuara, me autorë që i përkasin krahinave të ndryshme në vendin amë, të brezave të ndryshëm, prirjeve të ndryshme letrare dhe gjinive të ndryshme, ka patur një vit të begatë. Në një kohë sfide të sëmundjes mbarëbotërore të Covid-19, nuk është ndalur ritmi i krijimit, i botimit, i prurjeve të  reja por edhe i kujtesës për ata që kanë ikur nga jeta. 

Pranime të reja në Shoqatë

     Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti, një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, në shtetin Illinoi, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës. 

     Gjithashtu, gjatë këtij viti pranuam 5 anëtarë të rinj në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: poetin Xhemal Gora dhe shkrimtarin Jani Plasa nga Masaçusets, poeten Ermira Mitre dhe sudiuesen e letërsisë doktoranten Arjeta Ferlushkaj nga Nju Xhërsi si dhe gazetarin dhe publicistin Frank Shkreli nga Nju Jorku. Shoqata i mirëpret duke iu uruar mirëseardhjen.


Botime të reja

     Gjatë këtij viti Gjekë Marinaj u botua në shumë gjuhë të huaja: “Confessions of the sea), (“Rrëfimet e detit”) përkthyer në gjuhën e shtetit aziatik Lao, “Humanizing Venus”, (“Humanizmi i Venusit”) në gjuhën bengale, “46 саҳифа”, (“Në faqen 46”) në gjuhën e uzbekistanit dhe “With Neruda on the Atlantic Shore” (“Me Nerudën në Brigjet e Atlantikut”) në gjuhën koreane. Gjithashtu ai fitoi shumë çmime letrare: çmimin Special KS International Literary Prize për vitin 2020, nga Korea Jugore, çmimin letrar Literatura Underground nga India, gazeta letrare më e njohur në Azi “Bota e Librit” ka nderuar me mirënjohjen “Poeti Bashkëkohor i Botës” që është titulli më i lartë që jep kjo gazetë për një poet apo shkrimtar botëror, etj. 

     Poeti Petraq Risto boton në Francë vëllimin poetik “L’homme avec “La fenêtre dans ses bras”, (“Njeriu me dritare në krah”); “Ospatul modern al lui Shakespeare”, (“Gostia moderne e Shekspirit”), poezi në rumanisht si dhe në shqip vëllimin poetik “Ankimi i Luciferrit”.

    Poetja Iliriana Sulkuqi vjen me dy vëllime poetike “Baciamoci alla parola”, (“Puthemi te fjala”), poezi italisht-shqip dhe “Words for tomorrow”, (“Fjalë për nesër”), poezi anglisht-shqip.

    Në Bukuresht, në gjuhën rumune botohet romani “Cortegiul fara de sfarsit”, (“Funeral i pafundmë”) i Visar Zhiti dhe përmbledhja me poezi “Si stelele iubesc”, (“Edhe yjet dashurojnë”) e Adnan Mehmetit.

    Ndërsa në anglisht botojnë: Sami Milloshi “The Wall Clock And Other Short Stories”, Carrie Hooper “Away from Home”, (poems) dhe Sabije Dervishi Veseli “Wrong Marriage”, (novel). Po ashtu botojnë: Adnan Mehmeti: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)”; Arjeta Ferlushkaj “The Old Bridge”, (ese dhe studime letrare); Besa Rexhepi:“Shpresë dhe dashuri”, (novelë); Besim Muhadri: “Esencat e mendimit letrar” (Kumtesa dhe studime) dhe “Shtjefën Gjeçovi dhe kanuni i Lekë Dukagjinit”, (studim); Bexhet Asani: “Flakadan dije dhe kulturë” (Qendra kulturore shqiptaro-amerikane Nju Xherzi, (monografi); Bora Balaj: “Heshtja”, (roman); Gjeto Turmalaj: “Meditime shqiptare në Amerikë”, (poezi); Jashar Esati:“Kohë e pamposhtur”, (roman); Namik Selmani: “Çamëria, bisk i ëndrrës”, (antologji poetike) dhe “Jehona e urtësisë dibrane”, (publicistikë dhe poezi);  Petraq Pali: “Tregime”, (tregime), “Hija e atij Tjetrit”, (novelë) dhe “Shtëpia në përrua”, (novelë); dhe Shpend Gjocaj: “E diela e fundit”, (poezi).

     Veçojmë edhe dy fituesit e konkursit letrat të revistës “Kuvendi” në Miçigan: Mëhill Velaj, kryetar i Shoqatës me çmimin letrar “Betim Muço” dhe Raimonda Moisiu, ish-kryetare e Shoqatës me çmimin letrar “Faik Konica”.

Udhëtimi i revistës letrare “Pena” 

     Fillimi i janarit 2020 nisi me promovimin e revistës letrare “Pena”, numri 7. Sipari i takimit u hap në Bostonin e Fan Nolit dhe Faik Konicës. U takuan anëtarët e Shoqatës që jetojnë dhe krijojnë në Boston dhe qytetet përrreth. Një takim shkrimtarësh mbresëlënës. Dhe ja, në muajin e fundit të këtij viti, vjen dhurata e përbashkët për lexuesit, numri më i ri i revistës letrare “Pena”. 

     Botimet e revistës letare “Pena” dhe botimi i librit: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” janë një mision i dobishëm dhe i rëndësishëm për historikun e Shoqatës.

Një aktivitet mbështetjeje për shkrimtarin Agron Tufa

     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me datë 1 shkurt, 2020 në kolegjin e njohur “Monroe College” në Bronx, organizoi një aktivitet, si një akt mbështetjeje dhe solidariteti ndaj kolegut të tyre, poetit dhe shkrimtarit të njohur, Agron Tufa, i cili u detyrua të linte atdheun bashkë me familjen e tij.

Lamtumirë aristokrati i Shoqatës, Prof. Dr. Agron Fico!

     Gjatë këtij viti u nda nga jeta anëtari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Prof. Dr. Agron Fico. Është një humbje e madhe për Shoqatën tonë, për diasporën në Amerikë si dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Ishte gjithmonë mjaft emocionuese ta kishe pranë Profesorin tonë të dashur. Ta dëgjoje tek fliste për rëndësinë e Shoqatës sonë. Jemi me fat dhe të nderuar që në librin e fundit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Autorë dhe vepra)” që sapo ka dalë nga qarkullimi anëtari ynë i nderuar, Prof. Dr. Agron Fico, prezantohet me shkrimin për profesorin Peter Prifti.

Kujtohet 30 vjetori i krijimtarisë letrare të Gjekë Marinaj

     Viti 2020 shënon 30 vjetorin e botimit të poezisë “Kuajt” të Gjekë Marinaj. Djaloshi 25-vjeçar nga Bajza e Kastratit të Shkodrës, në numrin 33 (1554) të gazetës letrare “Drita” më 19 gusht 1990, në rubrikën “Autorë të rinj” prezantohej me katër poezi “Mos më ik larg”, “Vonesa e motrës”, “Të paktën në ëndërr” dhe “Kuajt”. Poezia e fundit bëri bujë e poeti u bë i famshëm. Me këtë poezi kapërceu Atlantikun, për të jetuar në Shtetet e Bashkuara e për t’u përkthyer në shumë gjuhë të ndryshme të botës.

***

     Po ikën pak nga pak viti kalendarik. E ç’rëndësi kanë ditët kalendarike për një krijues?

     Për ne, ata nuk e humbin ritmin e jetës të krijimit. Të atij zëri të ngrohtë që të jep komuniteti i krijuesve. Urimi i zakonshëm i fundvitit bashkohet me atë të çdo dite që ka ritëm, që ka emocion, që ka modele njerëzore, që ka kujtesë të saj, që ka optimizëm për të ardhmen, që ka përkushtim. Më tepër se pasioni i botimit të një vepre letrare është obligimi ndaj gjuhës dhe kulturës sonë kombëtare.

     Vitet ikin, por arti i fjalës nuk hesht. Le të gdhendim me këto libra e me të tjerë që vijnë më pas, faqe të reja të të shkruarit shqip këtej Atlantikut. Mendoj se kështu afrohen, ndihmohen dhe bashkohen edhe më shumë shkrimtarët. Duke u njohur sa më shumë, dhe duke njohur krijimtarinë e njëri-tjetrit, ne njohim më mirë letërsinë shqipe që po krijohet në Amerikë.

     Të dashur anëtarë dhe lexues! Gëzuar festat e fundvitit!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 2020, Adi Mehmeti, Shoqata e shkrimtareve

Pa të ardhme!!!

December 23, 2020 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Avioni i asaj ore të vonëu ul në aeroportin e Rinasit. Ishte një natë dhjetori e vitit 2004. Udhëtonin në tërreth dyqind të rinj, studentë në universitetet e Romës dhe rrethinave të saj. Ktheheshin pranë familjeve të tyre për festat e fundvitit. Prindërve që prisnin me padurim, sa nuk po u delte zemra jashtëkraharorit nga padurimi për të përqafuar e shtrënguar në kraharor fëmijët,të cilët nuk i takonin prej shumë muajsh. Dihatja plot emocion e nënave bashkohej me ajrin e ftohtë, duke krijuar masa të vogla të mjegullta qënën ndikimin e acarit të asaj nate, shndërroheshin në bulëza të akullta. Në mes të atyre nënave, ndodhesha edhe unë. E para herë që ndahesha kaq gjatë nga bija ime. Ajo kish kërkuar krahëtë fluturonte e lirë, të arsimohej në një tjetër botë. Të frekuentonte një shkollë ku nuk do i duhej të rivalizohej nga fëmijë pasanikësh që blinin diplomat e më pas vendet e punës. Nuk do të duhej të përballej me militantizmin e detyruar partiak dhe servilizmin që e pason atë, për tëpatur një punë, e lënë një gjurmë modeste në jetë.

Gjysëm ore më pas, në portat e daljes u çfaqën të rinjtë. Edhe ata të paduruar e ekzaltuar për të përqafuar prindërit e tyre. Lumturia që u lexohej në fytyrë ua dyfishonte bukurinë e moshës. Me kapuça e doreza të ngrohta, ngjasonin me eskursionistë që po ktheheshin nga një shëtitje mbresëlënëse alpine. Veshur e mbathur  plot shije, ata nuk kishin asnjë dallim nga djemtë e vajzat e Europës, të lindur dhe rritur në vende metjetër standart demokracie e zhvillimi.Një kënaqësi dhe krenari e natyrshme më pushtoi të tërën, teksa i shihja që rrezatonin. U mallëngjeva.

Disa sekonda më pas, të gjithë përfunduan në krahët e nënave dhe baballarëve, duke humbur në përqafimet e puthjet e ngrohta që vetëm prindërit dinë t´i japin. Sakaq kisha shtrënguar edhe unë në krahë time bijë. Lotë malli na rridhnin të dyjave në fytyrë.

  • Shpirt si shkoi udhëtimi- e pyeta?
  • Mirëmam. Shumica vijmë nga i njëjti Universitet, dhe jemi shokë e shoqe me njeri tjetrin…ishte kaq e këndshme të udhëtonin së bashku.- Pasi heshti disa sekonda vijoi:
  • Mam, teksa po fluturonim mbi Tiranë, shpërthyem të gjithë në thirrje të lumtura!!
  • Urraaa…në Tiranë paska drita.

U ligështova, por nuk e dhashë veten. Vërtet…energjia elektrike ishte shndërruar në luks, veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Mungonte aq shumë, me orë të tëra, duke zhytur në errësirë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Nuk e pashë të arsyeshme të zhgënjeja entuziasmin e sime bije e ta përgatisja se gjithsesi kur të mbërrinim në shtëpi, e  priste errësira.

….Kanë kaluar plot gjashtëmbëdhjetë vite nga ajo natë dhjetori. Pas diplomimit, asnjë nga ata të rinj nuk u kthye mënë Shqipëri. Ato djem e vajza plot dashuri për dijen, suksesin dhe  jetën u shpërndanë rrugëve tëEuropës, ku ndërtuan edhe jetën e tyre. Dhe sa trishtim është të mendosh e përjetosh se kjo hemorragji e  energjisë dhe e trurit vazhdon si kurrë më parë sot e kësaj dite. Po katandisemi në një vend pa rini, pa të ardhme, pa shpresë. Deri kur???

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma Lico, Pa të ardhme

Spastrim etnik pa pikë gjakimi në Luginën e Preshevës

December 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa*/

Me përjashtime të vogla, dy dekadat e fundit e kanë gjetur Luginën e Preshevës të harruar në politikat e shteteve shqiptare. Përballë kësaj indiference, rreth 80 mijë shqiptarë autoktonë janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme represioni, mungesë investimesh dhe një perspektivë pesimiste për të ardhmen.

Përtej gjesteve simbolike, shumë pak kohë është shpenzuar nga dy shtetet shqiptare për të ravijëzuar një politikë koherente në lidhje me Luginën. Autoktonia dhe prezenca e shqiptarëve aty është përpjekur të luftohet me gjithfarë mjetesh nga institucionet qendrore serbe, duke filluar nga anashkalimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në projektet zhvillimore ekonomike, deri në përdorimin e mjeteve burokratike për të anormalizuar jetesën e shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Sot, Lugina e Preshevës është nga zonat më të prapambetura ekonomike në Serbi. Përtej elementeve bazike, banorët nuk mund të marrin shërbime mjekësore përveçse duke udhëtuar dhjetëra kilometra, kryesisht në qytetin e Nishit. Investimet në arsim janë inekzistente.

Si një pjesë integrale e kombit shqiptar dhe si përjetuesit më të mëdhenj të diskriminimit shtetëror serb, shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë një vëmendje më të madhe institucionale si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Kohët e fundit ka pasur mëtime për ta ndrequr këtë gabim.

Për fat të keq, opinioni publik shqiptar u kujtua për shqiptarët e Luginës vetëm kur kjo e fundit u bë subjekt i diskutimeve për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje hipotetike për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre. Megjithatë, përtej kësaj hipoteze që u refuzua forcërisht, ka pasur rishtazi një sërë përpjekjesh për ta riparë qasjen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, pati një rol aktiv në përbashkimin e entiteteve të ndryshme politike në Luginën e Preshevës përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Serbi. Në të njëjtën kohë, si Ministri Cakaj, edhe Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, kanë ngritur si çështje format më të targetuara dhe eksplicite të diskriminimit shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi. Në takimin e përbashkët të qeverive më 2 tetor, Shqipëria dhe Kosova u dakordësuan për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës.

Këto hapa janë të nevojshëm dhe duhen përshëndetur si një moment i ri. Por është e dukshme që këto përpjekje duhen shumëfishuar dhe thelluar nëpërmjet një qasjeje më të gjerë dhe afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe për faktorizimin e tyre.

Një nga shfaqjet më problematike të diskriminimit shtetëror serb është fshirja e adresave të vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë. Nëpërmjet verifikimeve jo transparente dhe tendencioze, institucionet serbe kanë shfrytëzuar ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim për të pasivizuar adresat e përhershme të vendbanimit. Kjo ka sjellë “zhdukjen” nga regjistrat e Luginës të qindra e mijëra shqiptarëve.

Duke pasivizuar adresat e vendbanimeve, Serbia po shkel në mënyrë flagrante të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë duke iu pamundësuar atyre marrjen e letërnjoftimeve të reja, marrjen e shërbimeve mjekësore ose asistencave sociale. Në mënyrë të përçudnuar, institucionet serbe po i shndërrojnë këta subjekte në qytetarë të dorës së dytë duke iu hequr të drejtën e votës. Përmes proceseve burokratike dhe diskriminimit sistemik, shteti serb është duke realizuar, pa zhurmë dhe pa derdhur asnjë pikë gjak, një spastrim të mirëfilltë etnik në Luginën e Preshevës.

Ngritja e fenomenit malinj të pasivizimit të adresave në raport me komunitetin ndërkombëtar është tejet e nevojshme. Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë gjetur në këtë drejtim një konsistencë vokale. Megjithatë, kjo problematikë dhe simotrat e saj nuk ekzistojnë në vakuum. Ato janë produkt i institucioneve dhe politikave shtetërore të Serbisë. Pikërisht për këtë arsye, këto çështje duhen ngritur në nivelet maksimale edhe në kontaktet bilaterale me Serbinë.

Për Shqipërinë është e pafalshme që të mos ngrihet në nivel institucional ky shqetësim me palën serbe. Kjo mungesë bëhet edhe më e theksuar duke marrë parasysh intensifikimin e kontakteve ndërmjet dy shteteve në vitet e fundit – edhe për hir të platformave rajonale që po synohen. Raportet e Shqipërisë zyrtare me Serbinë nuk mund të anashkalojnë politikat e jashtme destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve dhe politikat e brendshme diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Kosova, nga ana e saj, duhet t’i ngrejë shqetësimet për Luginën e Preshevës në të njëjtin nivel me shqetësimet e presupozuara nga Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Kjo do të thotë që Lugina të imponohet si një pikë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Përballë këmbënguljeve malinje të palës serbe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, përfaqësuesit e Kosovës duhet të bëjnë të qartë se detyrimet e Serbisë ndaj minoritetit shqiptar janë po aq substanciale sa ato të Kosovës ndaj minoritetit serb. Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë lloj bishtnimi ndaj këtyre përgjegjësive.

Është e rëndësishme që nëpërmjet një qasjeje të re nga Tirana dhe Prishtina zyrtare të motivohen dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës për një ndërgjegjësim më të madh dhe aktivizëm të shtuar. Kjo nënkupton kontakte të shumëfishuara me Këshillin Kombëtar Shqiptar, institucionin e vetëqeverisjes së komunitetit shqiptar në Serbi. Hapja e degës së Këshillit në Medvegjë, me mbështetjen e autoriteteve të Shqipërisë, është një fillim i mirë, por sigurisht jo i mjaftueshëm.

Së treti, është e nevojshme që Shqipëria dhe Kosova të formojnë një strukturë të posaçme për të bashkëvepruar dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në takimin e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në tetor të këtij viti, Kryeministri Hoti njoftoi krijimin e një zyre për Preshevën në varësi të tij. Normalisht një pozicion i tillë në varësi të Kryeministrisë ka më shumë vizibilitet. Megjithatë, do të ishte e udhës që një zyrë e tillë të hapej nga Ministria e Jashtme dhe të shndërrohej në një strukturë të qëndrueshme institucionale. E njëjta strukturë duhet të ngrihet edhe në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë ose, edhe më mirë akoma, ajo mund të konceptohet si një iniciativë e përbashkët e dy Ministrive të Jashtme.

Fondi i përbashkët për Luginën, i dakordësuar nga Shqipëria dhe Kosova, mbetet modest në vetvete. Të dy shtetet, në bashkëpunim edhe me diasporën, kanë mundësi për ta rritur shumë më shumë kontributin e tyre. Kjo mbështetje duhet të fillojë nga elementët më bazikë në arsimin shqip, median dhe aktivitetet kulturore, për t’u zgjeruar më pas me pak vullnet dhe koordinim me përfaqësuesit lokalë në fusha të tjera zhvillimore.

Nëpërmjet tre rrugëve – intensifikimit të marrëdhënieve me vetë përfaqësuesit dhe strukturat lokale, reagimit në rrugë zyrtare ndaj Serbisë për politikat diskriminuese dhe ndërkombëtarizimit të formave të diskriminimit shtetëror serb – mund të rikonceptualizohet roli i Luginës. Lënia në harresë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës pas luftës në Kosovë është një mëkat i madh që nuk duhet të rëndojë më mbi politikëbërësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. 

Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

  

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa, Lugina e Presheves, Spastrimi Etnik

Vizita e Vjosa Omanit në Shqipëri tkurri hovin e politikes qyqare në të dy shtetet!

December 22, 2020 by dgreca

Reagim- Vizita e Vjosa Omanit në Shqipëri  tkurri hovin e politikes qyqare në të dy shtetet!/

lu 1

Shkruan  Luan ( Asllan) Dibrani/

Gazetarët arrogant të pa cipë, të pa formuar mirë  më kanë irrituar gjithmonë duke më shqetësuar deri në atë masë që të reagoj  publikisht kundër tyre ,prandaj edhe këta  tipat me paraqitjen  e tyre kundër Vjosa Osmanit me rastin e vizitës së saj në Shqipëri.

FOTO/ Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shqip� - Syri | Lajmi i fundit

Kjo vizite dhe diskutimi i saj javën qe po  e leme pas,  hapi debate  të shumta  andaj  në  Shqipëri,Kosovë  e ma gjerë. Kujtojmë se pas vizitës së saj në Tiranë, ku u injorua nga kryeministri Edi Rama dhe disa  zëra qeverisës ,aty  krah tyre me kritika  boshe dolën edhe disa gazetar ,deputet të Kosovës dhe shërbëtoret e politikes qorre mbi 30 vjeçare në të dy shtetet ,qe i sollën vendeve tona paqartësi  pa vizion ,varfëri ,kriminalitet  dhe anarki !.

Zëri i disa gazetare kundër Vjosa Osmanin siç janë  Mero Baze (Gazeta Tema) Frrok Çupi , Dritan Hila, Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu,Bajram Gecaj i PDK-së  etj  e quan  “jeniçere,fyese,te pa ditur,jo mirënjohëse,zjarrvënëse,tradhtare,argate e Albin Kurtit etj.  Përmes opinionit te tyre thuhet se Kurti dhe Osmani “janë jeniçerë” të cilët po bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës.

Vjosa Osmani  e gjykoj indiferentizmit  te Shqipërisë për shumë vite ndaj Kosovës dhe  neglizhencën qe kanë praktikuar te dy qeveritë  në të kaluarën për shume tema por edhe për gjenocidin serb  në Kosovë…

– Jo zoti Mero, Frrok Çupi , Dritan Hila, Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu –Bajram Gecaj i PDK-së  etj, thellohuni pak në filozofinë e politikes se kaluar të boshllëkut  dhe indiferentizmit  te Shqipërisë për shumë vite ndaj Kosovës ,po edhe ndaj vetvetes ,prandaj zonja Vjosa Osamani  shprehi  mospajtimet e saj  me politiken shumë vjeçare si të Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës,  gjë qe shpalosi dhe kritikoj  neglizhencën qe kanë praktikuar te dy qeveritë  në të kaluarën për shume tema por edhe për gjenocidin serb  në Kosovë..

Ajo nuk  gjykoj vetëm politiken  e Shqipërisë ne raport me ndërkombëtarizimin e Kosovës qe te radhitet përkrah popujve të lirë e të barabartë në organizatat ndërkombëtare si në OKB, në UNESCO, në INTERPOL dhe institucione tjera qe Kosova mbeti vendi ma i izoluar në botë ,po gjykoj drejt  me fakte edhe Kosovën me qellim te krijimit të një uniteti me një zë pran faktorëve ndërkombëtar. 

Vjosa Osmani është mike amerikane dhe bashkëpunëtore  e tyre për  interesin  kombit për ta lëvizur  politiken  e pluhurosur  te Shqipërisë dhe te Kosovës.

Mero Baze dhe ju te tjerë sa premtimet iu dhanë Kosovës për  liberalizimin  e vizave  me mashtrimet  e Evropës, madje  edhe duke iu dhuruar  dhurata .Dëshmia ma e mirë është dhe ma  e freskët  tkurrja  e  kufijve në mes Kosovës dhe Malit te zi ,po ashtu në mes Kosovës dhe Maqedonisë!!! Sot akoma  kosovarët janë pa viza?

Shtrohet pyetja sa beri presion Shqiperia në faktorët ndërkombëtar, qe kjo gjë të riparohet politikisht,kur dihet qe standardet janë plotësuar !. Tutje, gazetari Bazo thotë se Shqipëria që nga vitet e 90’ta nuk ka lënë asgjë pa bërë për të mirën e Kosovës. Ndërsa sjellja e Osmanit është fyese ndaj Shqipërisë dhe mosmirënjohje e madhe. Ka gjithnjë politikanë në Kosovë që duan të bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës. Është një lloj kompleksi i viktimizimit të tyre, duke dashur të shpjegojnë dështimet e tyre me politikën e Shqipërisë, dhe jo me problemet e Kosovës. Zoti Mero ,Zonja Osmani nuk donë te bej karrierë sipas opinionit tuaj se ajo ma e ka krijuar karrierën dhe  është një  figurë nder ma te mirat qe njeh kombi i ynë. Ka studiuar në SHBA. Vjosa Osmani është mike amerikane dhe bashkëpunëtore  e tyre për  interesin  kombit për ta lëvizur  politiken  e pluhurosur  të Shqipërisë dhe të Kosovës. 

Kritikën e saj mos e  merrni si fyes, por mesazh si të veprohet në politiken e jashtme, te të dy vendeve drejt daljes nga  varfëria  për një prosperitet ma te mire  e jo te boshatisen vendet tona nga  rinia dhe shtresat intelektual duke u tretur në mërgim…    

Vjosa Osmani nuk ka pse të shqetësohet prej epiteteve dhe etiketave bosh të këtyre zërave shërbëtor e një politike ditore dhe të degraduar politikisht e kombëtarisht . Ata thjesht i shërbejnë me zellin e mercenarit padronit të tyre Edi Ramës, po edhe njerëzve si Isa Mustafes në Prishtinë  etj .

Zonja Osmani ne diskutimin e saj  në Kuvendin e Shqipërisë mbrojti UÇK-në dhe gjykoj  gjenocidin serb  ,qe shkaktoi ideologjia çubrilloviçiane – milloshoviçiane dhe se fundi vuçiçane.

Zonja Osmani beri kërkesën me burrërore qe një politikan Shqiptar ka pasur kurajën te veje në dukje qe nga çlirimi i Shqipërisë ne 1912. PARLAMENTI SHQIPTAR ka detyre vëllazërore , morale , dhe historike qe ta mbështesë deri ne presjen me te fundit  kërkesën  e zonjës Vjosa Osmanit. Qe  30 vjet  polik shterpe  e Kosovës dhe Shqipërisë nuk dha përgjegjësi as kush nga kriminelet serb, me përmasa gjenocidi ,qe shkaktoi ideologjia çubrilloviçiane-milloshoviçiane- dhe se fundi vuçiçane.

 Vjosa Osmani, beri kritiken e vet ndaj Gjykatës Speciale, qe po e dëmton imazhin UÇK, për disa njerëz të shtabit të përgjithshëm që janë shumë të rëndësishëm simbolikisht dhe funksionalisht. Ajo tha se  duhet që Shqipëria të luajë rolin e vet. Të bëjë atë rezolutë minimale të njohjes së gjenocidit serb. E treta tha që minishengeni është bërë gabim. Shtrohet pyetja  çka ka te hedhet poshtë këtu  ne këto parime leksionesh  kombëtare qe iu trasoj një politikane kosovare për tu zgjuar nga gjumi? 

Dritan Hili gazetar thekson “ nuk ka qasje më të gabuar se të futesh në analizën e politikave të brendshme të një shteti, nëse nuk jeton aty”. Nuk ka politike më të gabuar sesa të përpiqesh të imponosh sjelljen e një shteti tjetër, çfarëdo marrëdhënie të kesh me të. Të dyja të çojnë në qorsokak. Të dyja këto gabime i bëri presidentja në detyrë e Kosovës, OsmaniI reagoj edhe Dritan Hilit, se  Vjosa Osmani nuk erdhi vizitë në Shqipëri për përçarje,po erdhi tu mësoj dhe shtyje drejt një uniteti kombëtar.

Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit i frikësohet njerëzit e  zhvatjes, kriminalitetit ,anarkisë,hajnisë e korrupsionit!!!…

Përfshirë edhe Kurtin që ka bërë një vrime në ujë në të gjitha kauzat e tij. Tani duke u kthyer në Shqipëri, dhe tek vizita e Osmanit, rishtas kemi një qasje përçarëse. Te dy figurat po neperkemben nga kjo klase politike  gazetareske ,po edhe nga  disa politikaj qe fatkeqësisht gjenden ne ato pozicione .Vetëvendosjes po i frikësohen  te dy qeveritë  në Kosove  e Shqipëri. Me te drejt  e kanë ketë shqetësim se Vetëvendosja do te vije dita qe  do ti thyej këto barriera  të koordinuar në demin e popullit tonë  si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë  kundër vlerave tona kombëtare. Zonja Vjosa Osmani,vazhdo  je personaliteti ma i veçanet ,ma i shkëlqyer ,zërat  e tille jemi mësuar ti dëgjojmë gjithmonë  prandaj  koha është për  zgjuarje  e jo zhvatje, kriminalitet ,anarki,hajni e korrupsion!!!… 

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Asllan dibrani, vizita ne Shqiperi, Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT