• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Debati:RESPEKT PER AKTORËT, POR JO PËR FILMAT

March 31, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/ NJU JORK/

3Kostreci hasan

Duke patur jo vetëm dashuri, por edhe pasion për artin, më kujtohet që qysh në fëmijëri kërkoja t’i ndiqja të gjitha kurset e hapura në atë kohë në shtëpinë e pionerit apo në atë të kulturës në Elbasan dhe duke qënë ato gjithashtu edhe me drejtues të mirë e të përkushtuar si zoti B. Qorri, që kishte rethin e letërsisë, zoti N. Bumçi rrethin e muzikës, profesor H. Çaushi kursin e kitarrës e të tjerë, i bënte ato ambiente tërheqëse dhe mjaft të këndëshme, por si nga familje e persekutuar dhe me biografi jo të pranueshme nga regjimi, si dhe shumë të tjerë, gjithmonë jam përjashtuar dhe asnjëherë s’më është dhënë mundësia që ato t’i përfundoj. E rëndë kjo sigurisht, aq më tepër kur diskriminimi në atë moshë ndjehet edhe më shumë, por megjithatë u mundova që atë boshllëk që m’u krijua, ta kompesoj duke parë filmat që çfaqeshin në atë kohë në kinemanë e qytetit duke filluar nga i pari film shqiptar “Tana’apo ‘Skënderbeu”më vonë i realizuar në bahkëpunim me kinematografinë Sovjetike e me radhë, por meqënëse në ato vite vinin, për fat, edhe mjaft filma të huaj, si italjanë, francezë, polakë, hungarezë ndonjëherë, bile edhe amerikanë, prodhimet e kinostudios “Shqipëria e Re” sa vinin e po  zveniteshin dhe askush nuk po interesohej që t’i shihte më. Kjo jo edhe aq për arësye të nivelit të tyre dobët, se sa prej përmbajtjes, ndonjëherë edhe qesharake. Megjithatë nuk mund të mohohen vlerat e disa prej aktorëve të asaj periudhe si N. Frashëri, K. Roshi, N. Luca, R. Ndrenika, R. Arbana e të tjerë, talenti i të cilëve pëlqehej dhe binte në sy, por ajo që sot po diskutohet, në se a duhen  çfaqur ato edhe sot, për mendimin tim, jo, sepse shumica e tyre ishin jashtë realitetit dhe nuk pasqyronin gjëndjen aktuale të kohës. Ishte sigurisht orientim dhe për këtë nuk mund të fajsohen as regjizorët, as kineastët dhe as artistët dhe meqënëse personazhet kryesorë të atyre filmave duhej qe të ishin patjetër o ndonjë kooperativist që bënte dy norma, o një traktorist që ngrihej me natë apo një ushtar vigjilent që azgjësonte këdo që donte të kalonte kufirin, prodhimtaria e kinostudios “Shqipëria e Re”, nuk po prodhonte më art, por vetëm ideollogji, propogandë dhe demagogji.

Tirana që ishte kryeqytet dhe presupozohej të kishte jo vetëm nivel, por edhe kërkesa më shumë në këtë drejtim se sa rrethet e tjera, duke hequr dhe përzënë nga regjimi një pjesë të mirë të inteligjencës egzistuese apo burgosur e pushkatuar dhe zëvëndësuar atë me një prurje masive nga zonat e thella të Shqipërisë, cilësia e shoqërisë edhe aty, sigurisht, ra dhe si rezultat edhe deformimet që ato filma paraqesnin,  jo vetëm që s’i komentonte njeri, por përkundrazi pëlqeheshin dhe nga pjesa më e madhe, shiheshin me kënaqësi. Fenomen që nuk ndodhte në disa qytete të tjerë, sidomos në Elbasan, Shkodër apo Kavajë, ku meqënëse popullsia edhe për një kohë, mbeti autotktone dhe e pa u përzjerë, kishte tjetër mentalitet dhe arsyetonin ndryshe.

Duke punuar me “Rruga Urën’, rasti më kishte rënë që të shkoja shpesh në veri e sidomos në Fierzë, ku në atë kohë kish filluar të ndërtohej hidrocentrali dhe kushtet e puntorëve në ato të ashtu quajtura “vepra të madhe”, qenë skandaloze. Kineastët kanë xhiruar, sigurisht edhe atje mjaft filma e dokumentarë, por asnjëherë ata s’janë njohur me jetën konkrete të atyre zonave. Kapanonet ku ata flinin, që realisht i pata parë vetë, nuk kishin ndonjë ndryshim  nga stallat e lopëve dhe për t’u ngrohur kur ata ktheheshin nga puna, përdornin një fuçi të madhe pa kapak, e cila gjithë natën villte tym dhe blozë dhe dukej tamam si një krater vullkani dhe e përzjerë me erën e çizmeve të llastikut, e bënin atë ambient vërtet kafshëror. Mencat gjithashtu ishin pa xhama dhe akull të ftohta dhe nga që shpesh s’gjendeshin as lugë, lëngun e hollë të fasuleve dhe pa yndyrë, e merrnin me koren e bukës, ndërsa çajin e darkës, pë të kursyer një tre lekësh, shumica e pinin pa sheqer. Në vitin 76, në mos gabohem, kur në veri ra një shi i madh, kuksianët për të kapur ndonjë kanaçe apo shishe coca cole bosh që Drini i solli nga shteti fqinj, rrezikuan jetën dhe u futën në ujin e ftohtë me gjithë rroba. I tregova këto dy episode, për të thënë që ky ishte realiteti i vërtetë i Shqipërisë në atë kohë dhe jo ajo që paraqitej nëpër ekranet e filmave apo të televizorëve. Kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet dhe ende s’është bërë as dhe një dokumentar për t’i treguar gjeneratës së re se ç’ka parë dhe hequr ky popull, sepse ato që kameramanët në atë kohë kanë regjistruar dhe duan që t’i çfaqin edhe sot përsëri, nuk ishte Shqipëria e vërtetë, prandaj dhe nuk është e nevojshme që të gënjehemi e të mashtrohemi përsëri?

Ai që ka nostalgji, le të marë kaseta dhe t’i shikojë në shtëpi për hesap të vet, por jo populli që nuk do më as t’i kujtojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, POR JO PËR FILMAT, RESPEKT PER AKTORËT

Një progres i mbrapshtë që ka nisur

March 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot isha pushim. U ula në një tavolinë përjashta, me kafen dhe veten time. Përbri ndodhet një floktore. Një sallon bukurie siç na i ka qejfi ta quajmë sot. Ndërkohë që i hidhja një sy lajmeve. Dhe rishikoja ca shënime në tabletin e dorës. Më bëri përshtypje që orë pas ore, nga makinat që parkonin aty, para ndërtesën…, zbrisnin gra në moshë. I drejtoheshin në fillim derës së floktores. Më pas ndonjëra vinte në kafe. Shijonte mëngjesin me kë kish pranë. Flokë gufuar, lyer a rregulluar për bukuri.

Se si mu zgjua një vëzhgim i fjetur nga koha këtu në Amerikë.
Puna e makiazheve. Që nga koha kur punoja në teatër. Dhe shikoja ato zërat e borderosë. Indekset e vështirësive të pagës. Përshembull artistëve u jepej një përqindje me ngritje si vështirësi, pasi pudra konsiderohej e dëmshme etj. Po ashtu edhe kremrat. Madje dhe rrezet e dritës. Mu kujtua ky vëzhgim imi. Për punën e tualetit ndër mosha. Pasi duke punuar me të rinj këtu, me gjimnazistë e student. Vë re se e shumta atyre nuk bëjnë tualet. Tek-tuk qëllon ndonjë. Por edhe këto më së tepërti tek flokët. Jo xhel ose ndonjë ngjyre të forte për të dalluar. Kaq. Po në përgjithësi nuk lyhen. Dhe kur e pyeta një here një vajzë, se përse nuk lyhej? Ose më saktë se, përse shumica e vajzave nuk bëjnë tualet. Ma ktheu shkurt, se, nuk u kishte ardhur koha akoma. Pra, kisha arritur në një lloj përfundimi se këtu. Në Amerikë pra, mosha që shkon më shpesh në floktore janë ato të mëdha. Pastaj vijnë gjashtëdhjetë, pesëdhjetë, a dyzetvjeçare. Moshat pas kësaj, janë pak ose as pak frekuentuese të salloneve të bukurisë.
Kurse ne vendim tim, ndodh e kundërta. Madje moshat e mëdha nuk shkojnë fare në sallonet e bukurisë. E kanë për gjynah. Për të siguruar për këtë, u ngrita dhe zgjata kokën tek dera. Ndihej kudo një aromë avulli e krifosur me erën e stinës së luleve. Por çfarë ishin ulur aty, ishin me sukses të plot nga gjashtëdhjetë e sipër.
Këtë vëzhgim e kam ndarë me miq të mi. Dhe shumë syresh më ka dhënë të drejtë. Madje ka nga ato nëna të reja që më kanë pohuar me plot gojën se, sot është e ditës lyerja, ngjyerja, apo heqja e leshit. Eshtë e modës mveshja e qerpikëve dhe zgjatja e vetullave. Apo pudra dhe kremi etj. Biles ato thonë që fëmija i sotshëm. As nuk të pyet, as nuk të dëgjon, por të jep edhe shtymën. Dhe të vulos përfund e të quan edhe injorant.
Megjithatë është një e vërtetë e hidhur.
Kaq e përhapur sa me plot gojën mund të themi se, në çfarë progresi të mbrapshtë ka hyrë vendi ynë.
Madje aty pari po lexoja edhe për një lloj braktisje kolektive, po nga prindërit e rinj, të vaksinimeve të fëmijëve. Një nga arsyet më të shpifura. Ishte preteksi se vaksinat janë kimikate. Dhe se po sjellin në rritje numrin e fëmijëve autikë në Shqipëri. Një përfundim ky i nxjerrë nga brezi kaq i dashur dhe frekuentues i salloneve të bukurisë. Ata që dominojnë mbi prindërit. Por që në rastin e tyre si frekuentues të salloneve, pudra, zgjatja e vetullës, tatuazhi etj nuk janë kimikate.
Një sqarim primitiv, sa për autizmin. Mos nxitoni. Autikët lindin, nuk bëhen. Dhe vërtetë Amerika po lufton shumë me këtë sindromë. Por mos harroni, që vajzat e reja, nënat e reja, nuk janë asfare frekuentuese të salloneve. Janë gjyshet…
Kjo mospjekje e brezave…, është një fakt akoma më kokëfort. Sado vrullit të lajkave dhe statuve në botën virtuale. Dhuna e fëmijëve ka lindur për shkak të dështimit të sistemit të mëparshëm. Dhe po kështu të demokracisë informale që po ndërtojmë. Eshtë një masë e madhe prindërish që nuk kanë asgjë në dorë, në kuptimin qoftë…, edhe të një lloj hijeje mbi fëmijët e tyre. Dikur ishin fëmijët që kishin frikë. Sot ndodh e kundërta. Janë prindërit që kanë tmerr nga fëmijët.
Përse? Sepse breza të tërë dolën pa punë. Dhe për më keq me asnjë lloj të ardhure pensionimi. Apo siguracionesh private etj. Kështu që, veç lëmoshës, presin edhe të shtyrat.
Madje i presin me durim e budallallepsje.
Kurse këto, gjyshet apo frekuentueset e salloneve të bukurisë.
Kanë ndofta plot mangësi. Por mbi të gjitha kanë pavarsinë ekonomike. Dhe pavarsinë e vetvetes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, proges i mbrapshte

“DEMOKRACIA NUK PRET”, LIBER NGA FRANK SHKRELI

March 30, 2017 by dgreca

   2-Frank-shkreli-2-300x183-11 Libri Frank Shkreli1 TELEGRAF

Ky është titulli i librit të ri nga Frank Shkreli, një përmbledhje e disa artikujve subjektesh të ndryshme, të botuar në gazeta dhe portale në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare dhe në diasporë.  Ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit të autorit, me shpresë se në vëllimet e ardhëshme do të mund të përfshihen një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve të shkruar e të botuar deri tani.

Për sponsorizimin e botimit të këtij vëllimi falënderoj nga zemra gazetën Telegraf në Tiranë, por mbi të gjithë u jam mirënjohës lexuesve që i kanë ndjekur besnikërisht shkrimet e mia gjatë viteve.  Dëshiroj gjithashtu të falënderoj edhe miqtë e mi që patën mirësinë të shkruajnë parathënjet që vijojnë, të librit “Demokracia nuk pret”, Profesor Sami Repishtin, Dr. Elez Biberajn dhe Simon Mirakaj.  U jam mirënjohës gjithashtu për fjalët e tyre fisnike, të shprehura me rastin e botimit të librit, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Mosiut, Dr. Halim Kosovës, si dhe drejtuesve të gazetës Telegraf, botuesit, Z. Agim Çirakut dhe Drejtorit Ëngjëll Musait.

    KANË THËNË PËR LIBRIN: 

48-repishti-300x212

   PARATHËNJE NGA PROFESOR SAMI REPISHTI PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Paraqitja në publik me këte vëllim të gazetarit, transmetuesit të programeve radio-televizive dhe analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Gjeto Shkreli ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për shqiptaro-amerikanët, qoftë për materialin që kemi para nesh, qoftë për autorin që e përgatiti.   Frank Shkreli, i lindun në nji fshat të zonës së Ulqinit (ish Jugosllavi), njihet në mesin tonë si nji i ri me nji të ardhme premtuese që në fillim. Me 1969, emigroi në Itali dhe ma vonë në Shtetet e Bashkueme me familjen e tij. Ai ashtë nji shembull i dhimbshëm i turmave shqiptare që u detyruen me u largue nga trojet e veta stërgjyshore e me marrë rrugët e mërgimit – të ‘kurbetit’ të mallkuem!  –  të breznive të mapareshme.  Familja e tij ka qenë viktimë e ngjarjeve të randa e shpesh herë shkatërrimtare të jetës në vendin e lindjes – lëvizje e çvendosje të imponueme nga jeta e veshtirë e trazimet akoma ma të vështira. Kjo e kalueme ka lanë gjurmët e pashlyeshme në mendjen e tij.

Me origjinë nga “bajraku” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër, krahinë e njohun për qëndresën e banorëve të saj në përpjekje me mbrojtë votrat e tyne, familjet, tokët që e ushqejshin, burrat e Shkrelit u vranë, u sakatuen, u dërmuen nga kamba shtypëse e agresionit sllav sa herë që gjendja ndërkombëtare trazonte jetën paqësore të banorëve fatzez, dhe sa herë që sundimtari i huej – sidomos halldupi i Anadollit që e shtypi për pesë shekuj të gjatë, kalonte nepër ato vise “mik i paftuem” ose “anmik i luftuem”, e mizor për natyrën e tij.  Mbas ikjes tij, Shkreli filloi nji jetë ma të qetë, kur malsori nuk u vra ma me urdhën të “pashës” e të sejmenëve të tij; toka nuk u zaptue nga “spahijtë” e “jeniçerët” dhe kur femia u rrit pa përjetue lufta e ekspedita ndëshkimore. Por, vetëm për nji kohë të shkurtë!

Me 1939, erdhi pushtuesi italian, e i hueji u dynd me ushtri, “mik i paftuem!” Përleshjet gjakesore u rritën çdo ditë me humbje jetë, e pasunie. Kur i hueji u largue me turp, e pritej dita e lirisë e shpëtimit, fati e deshti që Shqipëria të bie nën kambën e Moskovit sllav, pa kondita, pa rezerva.

Nji valë urrejtje mbuloi vendin e në Shkrelin e Frankut u vranë burrat, u internuen gratë e femijtë, u dogjën shtëpitë, e arat e bukës mbeten shkret ose u banë pronë kolektive e shtetnore…! Uria u ba “buka e përditëshme” terrori zëvendsoi qetësinë e vendit e vrau qytetarin kudo që ai e kundërshtoi. Legjone të tana u lëshuen pa mëshirë mbi kurriz të nji popullsie që nuk gjeti shteg tjetër veçse rrugen e mërgimit, largimin nga shtëpia, katundi, bajraku e atdheu i dhunuem. “Refugjatë” pa dëshirë, të padëshiruem, shpesh të përbuzun, turmat e çveshuna e të urituna, morën rrugët e botës që nuk njihshin në kërkim të nji jete te re- që zakonisht as kënaqë as lehtëson! Frank Gjeto Shkreli e familja e tij përfunduen në kampe refugjatësh të Italisë dhe ma vonë arritën në New York Ciy, SHBA, ku Franku, djal i ri, u gjet para nji situate të re, të panjohun, por që premtonte nji të ardhme ma të mirë. Dhe ashtu doli!

Baba Gjeto, nana Mrikë, vllau dhe dy motrat që e shoqnojshin i u vunë punës në vendin e ri, me hov të ri, e shpresa të mëdha qe fatmirësisht nuk i zhgënjyen. Franku nuk u shkurajue! Punë e arsim: dy mjetet ma efektive për sukses, u banë të dy krahët e fortë që e ngritën në sferat ma të nalta të shoqënisë së re amerikane që Franku përqafoi, përkrahu dhe shërbeu me pasion dhe aftësi shembullore.  Frank Gjeto.Shkreli ashtë pa dyshim shëmbulltyra e “refugjatit endacak” qe “…andërronte me qenë i lirë!” simbas premtimit të zonjes “Liberty!” – dhe që arriti me sukses me qenë i lirë, dhe me punue për lirinë e të tjereve, në vendet ku Liria u quejt krim dhe u dënue randë….!

Kontaktet e para, Franku, besimtar me bindje, i mori me klerikët katolikë shqiptarë ne New York City.  Aty gjeti këshillin e fjalën e mirë. Aty gjeti prehjen shpirtënore ne Kishën Katolike Shqiptare dhe në qëndrat e veprimit katolik.  Franku gjeti përsëri familjen e madhe që humbi në Shqiperi, e përqafoi dhe e ndihmoi me aftesitë e tij si editor i revistës “Jeta katolike”.  Studimet e bame në Kroaci në kolegje katolike, studimet e klasikëve, dhe religjion e filozofi, dhanë frytet e para. Frank Gjeto Shkreli fitoi mendjet dhe zemrat e lexuesve!

Viktimë e terrorit komunist pyeste veten: “Si ashtë e mundun që njeriu të damtojë njeriun, vlla e motër, kështu?”  Me ndihmue këte të mjerë, të shtypun, të vorfën, u ba “leitmotivi” i djaloshit Frank. Duhej arsimi. Franku filloi kurset në kolegjet e Hunter-it dhe Lehman-it të New York City-s, dhe u shque me shkrimet e tia në bultinin kolegjor “Meridian” kryesisht me kritikat e tia per rregjimin komunist. I inkurajuem, ai themeloi “The Albanian Youth in Exile” dhe e transformoi atë në nji tribunë të hapun për të rinjtë.

Ne vitin 1974, ai mori kontakt me “Zeri i Amerikes”, ”a life changing opportunity” si e quen ai.  Atëherë, fati i parë pruni të dytin: fejesen me zonjushen 19-vjeçare Victoria Markgjonaj, vajzë e nji familje katolike anti-komuniste që kishte njohë të gjitha peripecitë e mërgimit të dhunëshëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavinë. Franku e quejti “most lucky moment!” dhe ashtu doli!  Tashti me familje dhe i punësuem në administratën amerikane, i paisun edhe me arsim të naltë pranë George Washington University (Washington,DC.) Franku ishte i përgatitun për punën që i kërkohej. Hap mbas hapi ai u ngjit në shkallët ma të nalta te USIA (Information Agency).  Nga folësi në radio ma parë, dhe në TV ma vonë, ai u ba editor, prodhues programi, dhe përgatitës i programit shqip në “Zëri i Amerikës”, si dhe për programet botënore të kësaj agjensie. Tani, ai i dedikoi jetën profesionale administrimit dhe mbikeqyrjes së programeve në fushën e transmetimeve ndërkombëtare, në bashkëpunim me qindëra gazetarë nga Europa e kontinente tjera. Numri i bashkëpunetorëve të tij arriti shifren 250 persona të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ai ka qenë drejtor, nën-drejtor, këshilltar në nivele të ndryshme te USIA. Roli i tij ka qenë veçanërisht i randësishëm, dhe i çmuem gjatë periudhes se Luftës së Ftohët dhe vitet e luftës në Ballkan (1991-1999) që perfshinë edhe vitet e agresionit millosheviqian në Kosovë. Tue folë për plotësimin e pikësynimeve strategjike dhe objektivave të detyrës se tij, ai shprehet: ”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën Amerikane!” Ka qenë gjatë kesajë periudhe që Frank Gj. Shkreli zgjanoi me sukses programet e Zërit të Amerikës për Europën Qendrore dhe atë të programit shqip. Njikohësisht, ai trasformoi me sukses programet trasmetuese radiofonike në atë televizive që kemi sot.

Për nji reformim ma të plotë, gjatë luftës ballkanike të viteve 90-ta ai hapi programet për Bosnjen dhe Maqedoninë. Kjo ka qenë periudha kur nji grup i kufizuem udheheqsish serbë treguen kriminalitetin e tyne të papërmbajtun për asgjasimin e bosniakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. “Lajmet ma të besueshme janë dhanë nga “Zeri i Amerikës”.   Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zeri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovietik dhe Europen lindore. Gjatë kësaj periudhe Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendim-marrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore- si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë USIA.

Mbas nji karriere të admirueshme, e shërbimi shembullor, ne vitin 2003, Franku doli ne pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime ne organet të ndryshme. Ma vonë, 2005-2007, ai u emnue drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C.. Njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjithë burimet e tia me shërbye kauzën e shqiptarëve – kudo në Ballkan- me aftësi e pasion të veçantë.

Gjatë shërbimit e tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departmentit të Shtetit, Departmentit të Mbrojtjes, Bankes Botënore, Fondit Monetar Ndërkombetar, Departmentit të Drejtesise, të Thesarit e tjera institucione të qeverisë amerikane. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA.

Nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme per Frankun ka qenë titulli “Qytetar nderi” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”dekorata ma e çmueshme”.  Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim”, u shpreh ai.

E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga disa ide qendrore, si bosht i filozofisë së jetës tij.  Besimi në Zotin dhe besnikeria per Kishën Katolike Apostolike Romane Shqiptare zanë vendin e parë.  Binomi “Fe e Atdhe” i trashiguem nga popullsia katolike shqiptare që në kohët ma të vjetra, e sidomos që në ditet e lavdishme të epokës skenderbegiane, ashtë frymëzimi i tij.  I dyti, dhe i pandashëm, ashtë shërbimi për Atdheun – në rastin e tij: Shqipëria dhe Amerika. E treta, ashtë nji përpjekje koshiente dhe konstante me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri dhe kudo që ajo paraqitet. Dhe këte e ka ba me bindje absolute!

E kaluemja e Frank Gjeto Shkelit në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish Jugoslavinë, tragjedia e popullit shqiptar sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive, poshtënimi i psuem si “shqiptar” në nji shtet sllav, kanë lanë gjurmët e tyne të thella tek i riu Frank dhe nuk janë sherue asnji herë…!   Ato janë “lehtësue” me veprimtarinë e tij në luftë me padrejtësitë e jetueme, me veshtirsitë e kalueme dhe kjo “frymë”lexohet në çdo rresht që ai ka shkrue, në çdo fjalë që ai ka folë, në jetën private dhe atë publike, me zanin e tij të fuqishëm  e me pendën e tij të fortë.

Frank Gjeto Shkreli ka qenë dhe mbetet përherë nji figurë e plotë e veprimtarit që ka punue dhe akoma punon, si nji misionar!

Ridgefield, CT. USA                                          Sami Repishti, Ph.D.

Pedagog në pension

PARATHËNIE NGA DR. ELEZ BIBERAJ PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Elez-Biberaj-210x160

Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30 vjeçare në Zërin e Amerikës. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës, dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Franku ka arritur të gjejë një këndvështrim të veçantë, duke u paraqitur lexuesve të tij analiza objektive dhe të thella për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur në shtypin vendor. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndveshtrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike.

Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë.  Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare – polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo, dhe mungesen e mundësive të barabarta ekonomike.  Por gjithsesi ai është optimist se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjet e duhura që në fund të fundit, do t’i ndihmojnë të realizojnë potencialin demokratik, për ta lidhur kombin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme me familjen e shoqërive demokratike.

Me këtë përmbledhje të përzgjedhur me kujdes, të veçantë, dhe bindëse, Franku jep një ndihmësë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Libri i tij do të jetë një burim i pazëvendësueshëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët.

Dr. Elez Biberaj

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

Zëri i Amerikës

Uashington

SIMON MIRAKAJ: PARATHËNJE E LIBRIT “DEMOKRACIA NUK PRET”

1 simon mirakaj

Frank Shkrelit — edhe pse larg Atdheut të tij të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë — zemra dhe mendja i rrahin dhe nuk e ndalin punën për vendin e tij “të zënë rob” nga diktatura komuniste. Zëri i tij tek Zëri i Amerikës të jepte pakëz dritë dhe shpresë në atë pus të errët dhe të pafundmë në Shqipëri.  Nuk ishin të pakët ata që vraponin për të kapur orën e 8 e 30 minuta, se çfarë do na thoshte Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj e tjerë.  Ishte ai za, ushqimi ma i mirë për ne mbas një pune tmerrësisht të lodhshme e të pasigurisë së ekzistencës tonë. Kontributi i Franit, i këtij personaliteti të diasporës shqiptare është shumë i madh, si në shëmbjen e  komunizmit, po ashtu edhe në pavarësinë e Kosovës.  Me shkrimet e tij, që përçohen nga fryma kombëtare, ai sensibilizoi kancelaritë ndërkombëtare për gjenocidin serb në Kosovë. Tani Frani është prezent në shtypin e shkruar dhe pikërisht te gazeta “Telegraf”.  Për vlerat kombëtare të tij, Komuna e Shkrelit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e bëri “Qytetarë Nderi” të komunës.  Unë, si lexues, i rregullt, por edhe si mik i familjes ndihem krenar për kontributin e Franit, për çështjet e ndryshme kombëtare. Me këtë rast i uroj shëndet dhe si gjithmonë e falënderoj për kontributin e tij për shtresën e ish-të përndjekurve politikë!

Simon Miraka,

Kryetar i Shoqatës Anti-Komuniste të ish-përndjekurve politikë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", liber, Nga Frank Shkreli

SHBA, KOSOVA DHE KRIJIMI I FORCAVE TE ARMATOSURA

March 29, 2017 by dgreca

Delawie: Krijimi i Armatës me ligj i dëmton raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë/

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie ka theksuar se krijimi i Ushtrisë së Kosovës vetëm përmes ligjit dëmton marrëdhëniet e Kosovës me partneret ndërkombëtarë. Këto komente, ai i ka bërë në forumin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja “Fol”.

Shtete e Bashkuara të Amerikës ka thënë Delawie kanë investuar kohë dhe resurse amerikane në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në këtë nivel të lartë të profesionalizmit.

“Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është qëllimi ynë ashtu siç është edhe qëllimi i kosovarëve, por ky krijim duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme në pajtim me rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe në pajtim më këtë që udhërrëfyes përmes ndryshimit kushtetues pas konsultimeve më të gjitha komunitetet”, ka theksuar Delawie.

Ai ka theksuar se Qeveria duhet të koordinojë hapat për transformimin e FSK me shtete e Bashkuara me partnerët e saj NATO-n dhe shtetet tjera të Evropës që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Kuptojmë frustrimin i cili lidhet me ndjekjen e kësaj nisme përmes ndryshimit kushtetues, kemi mirëkuptim për këtë, megjithatë, shqetësohemi se krijimi i një armate vetëm parme ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë me NATO-n dhe me të tjerët”, ka thënë ai. (REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Delawie, kosova, Krijimi i Armatës, me ligj, partneret nderkombetar

Rumani, 20 Vjet burg për shefin e burgut të komunizmit

March 29, 2017 by dgreca

Rumani: Vërtetohet dënimi për shefin e burgut të periudhës komuniste, për rolin e tij në vdekjen e 103 të burgosurve politikë./

1 Rumani

Ne Foto:Ion Ficior pas përfundimit të gjykimit të sotëm në përcjellje të policisë është dërguar në burg/

Një gjykatë në Rumani e ka vërtetuar dënimin me 20 vjet burg, për ish-shefin e një burgu rumun të kohës së komunizmit, për rolin e tij në vdekjen e 103 të burgosurve politikë.Gjykata e Lartë e Apelit në Rumani sot e ka hedhur poshtë ankesën e personit, Ion Ficior, 88 vjeçar, i cili pretendon se nuk ishte fajtor për vdekjet, pasi ai vetëm i kishte zbatuar urdhërat.

Pas vendimit gjyqësor, policia e ka dërguar Ficiorin në burg.Ky person ishte komandant i kampit të punës Pweriprave, në periudhën 1958 – 1963. Gjatë procesit gjyqësor, ish të burgosurit kanë dëshmuar për kuishte të tmerrshme në burg, përfshirë rrahjet, mosdhënien e ushqimit dhe ilaçeve, regjim i ashpër i punës dhe qeli pa nxehje.

“Shumë njerëz kanë vdekur ajte dhe kjo konsiderohej normale”, u tha mediave rumune ish i burgosuri, Ion Radu, i cili i kishte vuajtur 12 vjet në këtë burg, për shkak se i takonte një organizate antikomunsite.

“Ai totalisht e meriton këtë dënim, sepse ishte njeri mizor”, tha Radu për ish-shefin e burgut, Ion Ficior.Në vitin 2016, në Rumani ishte dënuar me 20 vjet burg edhe një tjetër ish-shef i burgut, me ermin Alexandru Visinescu, për rolin e tij në vdekjen e të burgosurve në burgun, Ramnicu Sarat, në periudhën 1956 – 1963.

Filed Under: Analiza Tagged With: 20 vjet, burg për shefin e burgut, Rumani, të komunizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 580
  • 581
  • 582
  • 583
  • 584
  • …
  • 970
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT